Përjetësi » Mani
Fazli Maloku: Kadri Mani = Ylli që rrezatoi Gallapin
E enjte, 15.11.2012, 08:54 PM
KADRI MANI =Ylli që rrezatoi Gallapin
(Evokim kujtimesh për Kadri Osmanin-Mani, profesorin revolucionar, atdhetar me përmasa kombëtare, njeriu që frymonte me popullin e thjeshtë dhe me ngrohtësinë e shpirtit ua kthente shpresën për të jetuar e gjallnuar, të cilën shpresë e kishin humbur që moti nga zullumet e Tito-Rankoviqit dhe hyzmeqarëve të tyre)
Si u njoha me Kadri Osmanin-Mani?
Nga Fazli Maloku, Prishtinë
Ishte
viti shkollor 1965-66. Unë në pamundësi të vazhdoja shkollimin më tej, (nga gjendja e rëndë sociale në familjen
time, ku na mungonte edhe buka), pasi që kisha mbaruar vitin e tretë të
Normales, u punësova si mësues në fshatin Kolaj-ish Koliq. Fshati Kolaj gjindet
rreth 20 kilometra në verilindje të Prishtinës, i banuar krejt me shqiptarë,
(kishte veç një familje të vetme serbe). Fshati përbëhej nga pesë lagje
kryesore; lagja Ahmetaj, Bicaj, Peraj, Hajdaraj dhe ajo Goxhufaj, me një
sipërfaqe gjeografike ndër fshatrat më të mëdha të Prishtinës. Në fshat punonte
shkolla e plotë tetëvjeçare, paralele e ndarë e shkollës fillore "Rilindja
"në Keqekollë. Fati im i mirë: -këtu gjeta shokët, Kadri Osmani-Mani nga
Prishtina, Idriz Zeqirajn nga Studenica
e Pejës, Abaz Pllana nga fshati Milevc i Prishtinës, Adil Fetahu nga fshati
Rimanishtë i Prishtinës dhe disa mësues vendorë (shumica e tyre ,pra e
vendorëve, vetëm me shkollë tetëvjeçare të kryer). Nga gjithë këta, për nga
aftësitë profesionale, për nga përkushtimi dhe dashuria për të kontribuar, për
nga pjekuria intelektuale si dhe për veçori Atdhedashurie, dalloheshin Kadri
Osmani-Mani, Idriz Zeqiraj dhe Adil Fetahu. Them me plot përgjegjësi, se vetëm
këta i përmbushnin kriteret për ta ushtruar detyrën e shenjt të
Mësuesit-pedagogut, por mbi të gjithë shëndritëte figura markante e Kadriut.
Kadriu, por edhe Idrizi, në fillim punuan me mua po thuaj si me një nxënës,
duke më ofruar literaturë pedagogjike shumë të nevojshme si dhe Romane për të
lexuar e bashkëkomentuar. Në këtë mënyrë ata dëshironin ta mbushnin boshllekun
tim si i pakualifikuar që isha , por, duke pasur parasyshë edhe moshën time 18 vjeçare.
Mbaj mend
se romanin e parë që ma dha për ta lexuar, miku im i shtrenjt Kadriu, ishte romani "Gjarpijtë e Gjakut"të
autorit Adem Demaçi, i botuar në dy pjesë tek Revista "Jeta e Re".
Profesor Kadriu bëri reforma të mëdha në të gjitha shkollat në Malësinë e
Gallapit. Hartoi plan-programin për zhdukjen e analfabetizmit sidomos për femra
të rritura, dukuri kjo shumë prezente në këto vise. Luftoi fuqishëm dhe me
guxim lokalizmin ose më mirë të shprehem bajraktarizmin, por edhe urrejtjen dhe
ndasitë sipas mëhallëve, fatkeqësisht e ngulitur edhe tek mësuesit vendorë! Dhe
jo rrallëherë mund ta dëgjoje nga mësuesit vendorë, duke na u drejtuar ne
mësuesve siç na quanin ata "jabanxhij", "mos e kalo atë nxënës
se është i kësaj apo asaj mëhalle"! Dukuri këto tepër të shëmtuara.
Kadriu me sjelljen e tij të shkëlqyer
dhe shembullin përsonal, bëri që
autoriteti i mësuesit të rritet tek çdo familje fshatare, si dhe që mësuesi të
jetë novator dhe prijës i të gjitha zhvillimeve shoqërore në fshat. Kadriu
arriti që për herë të parë, në të gjitha shkollat e fshatit të Malësisë së
Gallapit, nxënësat të furnizohen dhe ta shijojnë nektarin e Revistës për fëmijë
"Pionieri". Nisur nga gjendja
shumë e rëndë sociale e fshatarëve, me iniciativën e tij, në të gjitha Këshillat
e Arsimtarëve u mor vendimi që Revista "Pionieri" nxënësve të iu ipej
gratis dhe këtë ta mbulojë secili mësues për klasën e vet nga paga vetanake. Po
ashtu, me përkushtimin më të madh arriti ta nxjerri në dritë, Fletushën shkollore "Ylli i
Dritës", me punimet e nxënësve të shkruara në prozë e në poezi. Fletushkë
kjo e përgatitur mjaftë mirë si në aspektin teknik edhe në atë artistik e
profesional.
Siç është
tashmë e njohur, në vitet e pësëdhjeta e gjashtëdhjeta, regjimi komunist i
Josip Broz Titos përmes strukturave pushtetare dhe veçanërisht përmes sherbimit
famëkeq të UDB-së, me sjellje gjithmonë kërcënuese e duke ushtruar vrasje
tinzare e dajak tek shqiptarët, në veçanti tek shtresat e varfëra e të pa
shkolluara, kishte arritur që kudo të mbjelli frikë dhe pasiguri, në mënyrë që
shqiptarët duke u nisur nga kjo jetë e papërballueshme, ta marrin rrugën e
pakthim për në Turqi. Për këtë ishte përgatitur mirë tereni dhe po thuaj të
gjitha strukturat e shtetit propogandonin dhe punonin me zellin më të madh në
këtë drejtim. Ishte trasuar edhe rruga institucionale.
Në vitin
1953, në qytetin e Splitit në Dalmaci, nga Titoja ishin të ftuar përfaqësuesit
e Greqisë dhe Turqisë që për shpërnguljen e shqiptarëve të sinkronizoheshin
veprimet e përbashkëta për realizimin sa më mirë të këtij plani gjenocidial për
shqiptarët.
Duke e
parë këtë gjendje të mjerueshme të popullatës së këtyre fshatrave, profesor
Kadriu bëri edhe hapin tjetër që për kohën ishte e pabesueshme. Me një guxim të
pa shoq doli hapur në mbrojtje të fshatarëve nga veprimet e hordhive të
regjimit, celula këto partiako-udbeske, duke e rrezikuar seriozisht jo vetëm
profesionin por edhe qenjen e tij jetësore.
Në lagjën
Peraj, jetonte një familje tepër skamnore e bacë Rexhepit. Vetëm sa e kishte
martuar djalin e vetëm me një vajzë po ashtu skamnore, por punëtore dhe mjaftë
e bukur. Klyshët e Rankoviqit e kishin nuhatur këtë sorkadhe dhe me pretekstin
se mbanin armë pa leje filluan ti vardiseshin e ta kërcënonin. Djalin e
posamartuar e nxirrnin nga shtëpia e fusnin në mal (gjithë shtëpia ishte e
vetmueme dhe e rrethuar me mal), e rrahnin pandërprerë, duke e joshur që ai të
bëhej spiun i tyre dhe e gjithë familja një jatak për ta, qëllimi final ta
poshtronin edhe moralisht. Kadriu kishte kuptuar për tragjëdinë që po i kanosej
kësaj familje. Pa hezituar mori dy shokë me vete, vizitoi këtë familje duke ua
marrë edhe deklaratat me shkrim të gjithë anëtarëve të rritur për veprimet
banditeske të policëve të Tito-Rankoviqit. Kadriu me që ishte edhe krrespodent
i gazetës "Rilindja" e njifte mirë këtë profesion. Me që nuk dinin
shkrim lexim, shenjat e gishtrinjve ua kishte marrë duke përdorur ngjyrën e
stilolapsave. Në fillim ata ngurronin të deklaroheshin nga frika e hakmarrjes,
por Kadriu me aftësinë e tij arriti ti bind, duke u dhënë kurajo se ne mësuesit
do tu gjindemi pranë në çdo situatë, dhe s'bashku më lehtë do ta përballojmë
situatën e krijuar. Për këtë turp të policisë së postkomandës të Keqekollës, ai
njoftoi me shkrim të gjitha instancat përkatëse të Kosovës, duke kërkuar që
veprimet e tilla të ndaleshin me njëherë dhe të mirren masa ndëshkuese për ata
që këqpërdornin detyrën dhe uniformën e shtetit. Por hijenat asesi nuk
ndaleshin. Urgjentisht dërguan djaloshin e posamartuar në sherbimin ushtarak.
Edhe Kadriu kundërvihej me guxim të pashoq. Djaloshit ia rregulloi sherbimin
ushtarak njëvjeçar dhe e solli në shtëpi.
Në gjithë
Malësinë e Gallapit u krijua një situatë tepër e nder. Konfrontim i hapur në
mes punëtorëve të arsimit dhe policisë fashiste rankoviçiane. Udhëtimet që i
bënim në fundjavë për vizitë në familjet tona, me të vetmin kombibus privat që
qarkullonte në relacionin Prishtinë- Keqekollë, ishte po thuaj e pamundur që
policia e Keqekollës të mos zinte "pusi", duke e ndalur kombibusin
për ti legjitimuar dhe kontrolluar vetëm punëtorët e arsimit, në prezencën e
popullatës, me qëllim të uljes së autoritetit të tyre, por ndodhte e kundërta.
Postkomanden e Keqekollës e drejtonte simbolikisht një mjeran shqiptar e quanin
J. Ll., por në të vërtetët komandën e mbante në duart e veta zv postkomandanti,
krimineli Dragan Nikoliqi.
Kadriu
tani më, kishte kaluar në Shkollën Amë (siç e quanim atëherë), në Keqekollë, ku
ishte fare pranë edhe Stacioni policor. Një ditë në shkollë vjen një
fshatar-Qerimi për të qarë hallin, se derrat e Kriminelit Dragan po ia
shkatrronin bereqetin duke ia “lëruar” arën e mbjellur me grur, dhe ai nuk
donte me dëgju për dëmin. Dhe kush tjetër për veç Kadriut do ta mirrte guximin
të ballafaqohej me Draganin e tërbuar për bereqetin e një fshatari?! Kadriu e
këshillon fshatarin që ai pa hezitim ta vras derrin e Draganit duke e marrë vet
Kadriu përgjegjësin e kompensimit të derrit dhe ballafaqimin me vet Draganin.
Kështu edhe u veprua. Bacë Qerimi një burrë i guximshëm vrau derrin mu në mes
të arës e mbjellur me grur. Kadriu në rolin e advokatit i parapriu padisë me
shkrim ndaj kriminelit Dragan Nikoliqit për dëmin që po ua shkakton ai me derra
jo vetëm fshatarëve por edhe oborrit të shkollës. Bile s'bashku me bacë Qerimin
trokiten derë më derë në zyrat përkatëse, derisa arritën më në fund në zyrën e
Xhevdet Hamzës, drejtues i policisë së
Kosovës. Kadriu duke i argumentuar me fakte konkrete, bile edhe me fotografi
përkatëse, arriti ta bind shefin e policisë për këto veprime të policëve të
tij. Xhevdet Hamza,( njëri nga drejtuesit e LNÇ të Kosovës), mori vendim të
guximshën duke e larguar zv.postkomandantin-kriminelin, Dragan Nikoliqin nga
policia.
Në këtë
mënyrë profesor Kadriu mishrohej me vuajtjet dhe problemet e fshatarëve duke
bërë përpjekje mbinjerëzore për tu dalë në ndihmë novojtarëve. Kështu,
autoriteti i profesor Kadriut dita- ditës rritej jo vetëm tek kolegët , por
edhe më shumë tek fshatarët hallexhinj. Krahas kësaj rritej edhe urrejtja e
Udbashëve e sherbëtorëve të tyre lokal ndaj profesor Kadriut. Ne shokët, i
rrinim afer Atij nga frika se do ti ndodhë ndonjë e keqe nga kurthet që mund
t'ia ngrihnin dhe shpesh kjo na bente të dukeshim sikur ishim truprojet e Tij.
Me të
drejtë mund të thuhet se për këtë kohë sa veproi profesor Kadriu në këto anë të
Malësisë së Gallapit, u shëndërrua në një yll të vërtetë, i cili rrezatonte
rreze lirije dhe shprese për fshatarët që të mbijetojnë gjithë këtë katrahurë
të cilën e ushtronte pushteti pushtues me në krye Tito-Rankoviç.
Vepra e
profesor Kadriut, në gjithë Malësinë e Gallapit, edhe sot e nesër e per të gjatë mot, do të
mbahet mend. Ai do të kujtohet si një revolucionar i vërtetë, si një atdhetar
përmasash kombëtare dhe mbi të gjitha si një militant i çeshtjes kombëtare
shqiptare, për çlirim e bashkim kombëtar. Ideali i profesor Kadriut ishte bërja
e Shqipërisë Etnike.
Lavdi Veprës të profesor Kadri Osmani-Mani!
(Për
ZemraShqiptare dhe ShqiperiEtnike, Fazli Maloku, Prishtinë, Nëntor 2012)
-Dorëzoi për botim, redaktori Zeqir Lushaj-