E shtune, 15.06.2024, 06:01 AM (GMT+1)

Shtesë » Shoqëria

Studimi, vetëm 1 % e shqiptarëve përdor internetin

E diele, 20.04.2008, 11:45 PM


Nga Rildo Ngjela

Islandezët dhe skandinavët janë të parët në Europë për nga përdorimi i internetit. Sipas studimit të qendrës studimore austriake “Growth from Knowledge” (GfK), rreth 88 për qind e popullsisë së Islandës nga mosha 14 vjeç e sipër përdorin rregullisht internetin, të ndjekur nga finlandezët me 81 për qind. Studimi i (GfK) thotë se në Norvegji dhe në Danimarkë përdorimi i internetit është rreth 76 për qind, ndërsa 73 për qind është në Suedi. Sipas studimit, në Europën Jugore rezulton se Malta është nga vendet që përdor më pak internetin, kjo e fundit edhe për shkak të numrit të ulët të popullsisë. Në Spanjë interneti përdoret vetëm nga 35 për qind e popullsisë, në Portugali nga 43 për qind dhe në Irlandë 45 për qind.

Për sa i përket vendit tonë, studmi thotë se vetëm 1 për qind e shqiptarëve e përdorin internetin, vend ky i cili shënon dhe numrin më të ulët të përdoruesve të internetit në Europë. Sipas studimit, në Austri, 67 për qind e popullsisë është përdoruese e rregullt e internetit, në krahasim me Britaninë e Madhe me 63 për qind, me Gjermaninë me 61 për qind, me Francën me 56 për qind dhe me Italinë me 53 për qind. Nga vendet e Europës Lindore bën përjashtim Sllovenia, e cila ka 61 për qind të popullsisë përdoruese të internetit dhe Estonia me 60 për qind.

Shqipëria në moshën e internetit

Në fillim të vitit të kaluar, kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka shpallur nismën “Shqipëria në moshën e internetit”, e vazhduar kjo nga ministrin e Arsimit, Genc Pollo, i cili duhet të pajiste të gjitha shkollat e vendit me internet dhe kompjutera, por duket se vazhdon të mbretërojë e njëjta situatë, pra vetëm 1 për qind e shqiptarëve përdorin internetin, ose rreth 30 mijë banorë. Ndërkohë, në vendet fqinje si Maqedonia, Mali i Zi, Greqia, Italia, por edhe vendet e tjera të Ballkanit kanë një përqindje shumë të lartë të përdoruesve të internetit. Është e vërtetë që është duke u implementuar nisma “Shqipëria në moshën e internetit”, por më parë Shqipëria nuk duhet të vuajë nga mungesa e energjisë elektrike. Realizimi me sukses i kësaj nisme, sipas disa zyrtarëve të lartë të qeverisë shqiptare, do të ndodhë pas elektrifikimit të Shqipërisë.

Një vit më parë

“Projekti “Shqipëria në moshën e internetit”, i financuar nga PNUD brenda 6-mujorit të parë të 2007-ës do të bëjë të mundur që në të gjitha shkollat e mesme të kenë akses në internet dhe pas 2 vitesh të gjitha shkollat e vendit”, - tha Berisha, jo më vonë se një vit më parë. Sipas tij, “Shqipëria në moshën e internetit” është një ndër projektet që qeveria shqiptare është duke zhvilluar me PNUD-in dhe donatorë të tjerë, i cili do të bëjë që brenda 2 vjetëve çdo shkollë të ketë laborator informatike dhe lidhje “broadband” internet, pra internet të shpejtë.

Studimi i mëparshëm

Sipas një studimi tjetër të pak kohëve më parë (shtator 2007), në krejt Shqipërinë ekzistojnë vetëm 300 lidhje të tipit “broadband” edhe pse numri i lidhjeve të tilla do të jetë shtuar së fundi, meqë këto ofrohen tani nga një numër i madh kompanish private. Për fat të keq, edhe në rastin e shërbimit “broadband”, lidhshmëria përcaktohet tek e fundit, nga linjat telefonike tokësore, në një kohë që lidhjet nëpërmjet sinjalit telefonik celular mbeten shumë të kushtueshme edhe në Perëndim. Më në fund është e vështirë të kuantifikohet numri i përdoruesve në Shqipëri që futen në linjë nëpërmjet Internet Café-ve. Përvoja e vendeve të zhvilluara në Perëndim, dëshmon se futja e lirë dhe private në internet sjell ndryshime dramatike në qarkullimin e informacionit, duke konkurruar jo vetëm mediat e shkruara, por edhe vetë televizionin. Në Shqipëri, ku kanalet televizive kombëtare dhe lokale praktikisht e kanë monopolizuar sferën e informacionit publik, zgjerimi i përdorimit të internetit mund të kërcënojë pikërisht atë shtresë monopolistësh të informacionit, të cilët janë krijuar nga gërshetimi i interesave politike dhe ekonomike që lidhet me mediat sunduese ekzistuese.

Vështirë të thuash nëse elitat politike në Shqipëri kanë interes për ta masivizuar përdorimin e internetit atje, nëpërmjet mbulimit të së paku qyteteve kryesore me sinjal wireless, ose duke subvencionuar shërbimin “broadband” e duke investuar në infrastrukturën telefonike dhe të fibrave optike, sidomos kur kjo nuk është vënë si kusht nga NATO. Gjasat janë që aksesi në internet edhe për shumë kohë akoma do të mbetet privilegj, madje katalizator i një aristokracie virtuale, e cila do ta përdorë monopolin ndaj internetit si mjet për të konsoliduar kontrollin e vet ndaj informacionit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora