E hene, 07.10.2024, 09:19 PM (GMT+1)

Shtesë » Shoqëria

Iva Mera: Baba mos prediko! (Papa don’t preach)

E merkure, 02.04.2008, 08:09 PM


Iva dhe Behar Mera
Iva Mera, vajza që ka sfiluar për shumë stilistë dhe që është fokusuar nga blici i aparateve si fotomodele, sot e shikon jo vetën si protagoniste e mirëfilltë, por edhe si menaxhere në një agjenci mode.

Sot modele, nesër pa frikë politikane

Nga Leontina Nika

Iva Mera, vajza që  ka sfiluar për shumë stilistë dhe që është fokusuar nga blici i aparateve si fotomodele, sot e shikon jo vetën si protagoniste e mirëfilltë, por edhe si menaxhere në një agjenci mode. Megjithëse kohët e fundit duket më e joshur nga bota e televizionit, ajo thotë se “televizioni është më i bukur, por, si çdo gjë që është e bukur, është edhe më e vështirë”. Daljen e parë Iva e cilëson si tmerr, madje nuk ka dëshirë as ta kujtojë. Por me kalimin e javëve ajo duket më e sigurt, falë këshillave të vlefshme dhe profesionale të babait të saj artistit të njohur të humorit, Behar Mera. Ajo e thotë me plot gojën se “ndihem krenare për babanë tim, pasi ai nuk është vetëm baba, por edhe shok me mua. Çdo gabim timin ai di ta kritikojë në mënyrë indirekte dhe me humor”. Hovi i Ivës për ngritjen e shkallëve të karrierës duket ambicioz, pasi sot e shikon vetën në skenë dhe ekran, por e ardhmja për të është krejt e ndryshe, pra do prekë edhe politikën. Edhe në këtë fushë nuk ka dëshirë të jetë pas kuintave, por para...

Këto dhe shumë detaje interesante rreth jetës së saj artistike, shkollore dhe familjare do mund t’i lexoni në këtë intervistë, jo vetëm të thënë nga goja e saj, por edhe e të atit, i cili e ndjek me shumë vëmendje.

Revista “Spektër” falënderon “CLUB RUGE”, ambientin ku u realizuan fotot e kopertinës.   

Ju fillimisht keni qenë modele dhe tashmë shfaqeni në një format televiziv. Pse kjo zgjedhje dhe çfarë mund të na rrëfeni diçka konkrete për shfaqjen tuaj të parë si prezantuese.

Unë jam fotomodele, dhe jo një modele, se shumë herë këtu ngatërrohen gjerat. Edhe pse kam sfiluar disa herë për shumë firma dhe stilistë të ndryshëm, prirja ime është gjithmonë drejt aparatit fotografik. Nuk ishte parësore për mua kjo fushë, megjithëse kur ndodhesha përballë një oferte të mirë nuk e refuzoja. Kështu u gjenda në shumë kopertina revistash dhe kalendarë të ndryshëm; kjo gjë bëri që të njihesha si një imazh i ri tashmë në fushën e modelingut. Përveç kësaj, të qenit vajza e një artisti më ndihmoi shumë që të më hapeshin dyert edhe aty ku ishte me të vërtetë shumë e vështirë. Ndoshta këto kanë qenë arsyet që e shtyn edhe regjisoren e këtij spektakli të më drejtohej mua dhe të më ofronte prezantimin pak ditë para fillimit të spektaklit. Në fillim isha e tërhequr, pasi s’e dija nëse isha apo jo gati të shndërrohesha tashmë në një imazh televiziv, nga ai fotografik, por mesa shoh po ia arrij me sukses.

Si ndiheni në rolin e prezantueses dhe mos vallë po ju josh më shumë bota e televizionit sesa ajo e modës?

Televizioni është më i bukur, por, si çdo gjë që është e bukur, është edhe më e vështirë. Kur sfilon nuk tregon asgjë nga vetja jote, përveç fizikut tënd; dhe detyra jote kryesore është të reklamosh sa më bukur dhe me sharm atë qe ti mban veshur. Ndërsa në televizion ti tregon tipin tënd, shpreh emocionet, buzëqeshjet, frikën, pra ke komunikim me një masë të gjerë që i ka sytë te ty. Kjo është  pjesa më e bukur, por njëkohësisht edhe më e vështirë, më besoni.

Mund të na e përshkruani daljen e parë te “Nacional Bingo”, emocionet?

Ka qenë tmerr.  Nuk dua ta kujtoj. Sapo nisi emisioni, më duhej të theksoja sa më shumë emrin e lojës që të fiksohej sa më mirë te teleshikuesit; dhe pikërisht këtu ngatërrohem, dhe jo vetëm që nuk kthehem ta përmirësoj, edhe pse e  kuptova që gabova, por e vazhdoj skenarin sikur s’ka ndodhur asgjë. Ndërkohë që nga regjia dëgjoja kritika. E kam ndjerë veten shumë keq. Jam skuqur aq shumë sa, edhe pas emisionit, edhe pse ishte dhjetor,  i thosha motrës që kisha pranë se ishte vapë e tmerrshme. Kjo më vinte, kuptohet nga ethet që më kishin kapur. Mendoja se ato minutat e emisionit nuk do të mbaronin kurrë. Minutat e emisionit më dukeshin pa fund...

Ju jeni edhe menaxhere modelesh në një agjenci mode. Çfarë mund të na shpjegoni diçka më hollësisht, në lidhje me këtë eksperiencë?

Pasi fillova të shfaqesha si modele tek agjencia e modës “Jeta”, pata një ofertë paralele edhe nga një agjenci tjetër modelesh, “Flash agency”, tashmë në rolin e menaxheres, dhe jo thjesht të modeles. Më pëlqeu, e pranova këtë ofertë, pasi e njihja shumë mirë këtë fushë dhe isha shumë pranë saj. Pra, tashmë i dija të gjitha hilet (qesh). Është kënaqësi të jesh në kontakt të vazhdueshëm me vajza dhe djem shumë të bukur. Të punosh me ta do të thotë që mos të e lësh veten tënde kurrë mbas dore. Më  vjen mirë kur ndonjë nga modelet e agjencisë ecën përpara apo fiton sukses në një projekt pune, apo kontrate që mund t’i rregulloj. Pra, përveçse marrëdhënie pune mund të krijosh edhe marrëdhënie shoqërie, mirënjohje mirëbesimi me to.

Ju jeni vajza e aktorit të njohur të humorit Behar Mera. Çfarë marrëdhëniesh keni me babanë tuaj?

Është fantastik, këtë e them me plot gojën. Ndihem krenare për babanë tim në çdo çast që kalon, jo vetëm për karrierën e tij si humorist, por në rolin e babait. Them se nuk e quaj dot vetëm baba, por një shok e mik shumë të mirë... Më ka folur për gjërat e mira e të këqija shumë hapur, duke mos më lënë të gaboj. Më ka falur edhe atëherë kur mund ta kem tepruar dhe më ka mbështetur atëherë kur me të vërtetë kam ndjerë nevojën e tij. Them se është babai ideal për mua. (Qesh)

Si mund ta përshkruani më hapur shprehjen tuaj për babin, në disa raste e kam shok dhe disa të tjera e kam baba?

Më hapur? Po ja, të zbresim në terren. Në rastet kur unë me të vërtetë kam nevojë për pushim dhe ndihem e lodhur nga shkolla dhe puna, mezi e pres të shtunën të dëfrehem me miqtë e mi më të dashur që më mungojnë gjatë javës. Kështu që kthimi paksa në orët e vona kalon thjesht me një buzëqeshje, pak me bërtitje nga brenda, apo kur veshja ime mund të jetë pak më ekstravagante se zakonisht, mjafton një batutë nga ana e tij dhe e kuptoj se diçka nuk i pëlqen në look-un tim. Kur ngjyra e flokëve të mia s’i pëlqen, ma kthen me humor, duke më thënë: “Epo të të jap lekë për t’u shëmtuar, vetëm vajza ime e bën! Kur në ndonjë provim nuk dal ashtu siç duam të dy, unë dhe ai, më ngushëllon me faktin se kam mundësi përmirësimi. Pra, siç e thashë edhe me lart, është fantastik: të flet, të këshillon, por gjithmonë indirekt e kurrë nuk më detyron.

Sa pranë ju ka qëndruar ai në fushën e modës dhe aktualisht?

Në fushën e modës mund të them jo shumë, pasi e kishte ashtu si edhe unë, me frikë. Më pas, kur pa se asgjë nuk ndryshoi në rrjedhën time të jetës, mendoi se zgjodhi rrugën të më qëndronte afër në mënyrë që ta kisha me të vërtetë krah mbështetës. Dhe kështu, hap pas hapi, them se mori  rolin e menaxherit, por pa pagesë (Qesh). Ndërsa  për bingon, që në momentin e parë më tha të shkoja, pasi iu duk emision serioz dhe i duhur për mua. E çuditshme tani që po e mendoj se s’ka bërë naze fare për këtë zgjedhje. Dhe jo vetëm që më ndjek çdo herë, por më merr edhe para, edhe pas emisionit. Përpara, për të më ngritur humorin me ndonjë batutë, dhe në fund për të më ngacmuar për lëvizjet e mia.

Çfarë ju këshillon më shumë për ekranin?

Të mos qesh më shumë sesa duhet, të bëj ushtrimet e duhura para emisionit, të jem më e lirshme, si dhe t’i kaloj lapsuset me të qeshura, dhe, pse jo, të bëj edhe humor kur të më jepet mundësia, por gjithmonë pa e tejkaluar.

Sa ju ndihmon ai që ju të paraqiteni denjësisht si prezantuese?

Jashtëzakonisht shumë! Madje, them se është i vetmi person që edhe ia besoj këshillat 100 për qind, pasi e shoh se ka arritur vetë në majë në profesionin e tij dhe se të njëjtën gjë dëshiron edhe për mua.Gjithashtu, ju studioni për diplomaci. Ku e shikon vetën pas mbarimit të studimeve?Është herët ta them, por gjithë dëshira ime është të jem analiste politike në të ardhmen dhe, pse jo, të drejtoj edhe një emision politik; gjithmonë në të ardhmen, se është shumë shpejt të mendoj për këto gjëra. Por për një gjë jam e sigurt: që modelingu do të jetë një fazë kalimtare për mua, dhe jo parësore.Ju pëlqen politika, në ç’pozicion të saj e shikoni më shumë veten, para apo pas kuintavePara, para, patjetër, përderisa edhe tani s’jam pas kuintave. Nuk ka pse të ndodhë ndryshe, edhe në politikë.

Ambiciet tuaja në politikë deri ku shkojnë? Deri aty ku të arrijnë aftësitë e mia, patjetër.Bota e magjishme e modës për ju është një fazë kalimtare që do ia lërë vendin diçkaje tjetër apo do vazhdoni të jeni pjesë e saj si organizatore?

Si organizatore, ndoshta edhe mund të jetë për më vonë, ndërsa si një fotomodele them se është kalimtare. Madje, që tani kam filluar t’u bëj bisht shumë ofertave që ndoshta më parë i prisja me padurim. Kot nuk thonë kur s’i ke i kërkon, kur i ke nuk i do.

Nëse ju vjen një ofertë shumë e majme për të pozuar nudo, a do e pranonit?

Absolutisht jo! Karriera ime në fushën e politikes s’do të mund të prihej nga gjëra që mund ta dëmtonin atë. S’do ta lejoja kurrë!

Sa të ndihmon pamja për realizimin e ambicieve?

E kam thënë dhe vazhdoj ta them, se ndikon jashtëzakonisht shumë, kudo e jo vetëm në Shqipëri. Të rrimë shtrembër e të flasim drejt: bukuria e femrës shumë kohë më parë ka shpallur luftëra dhe ka lidhur paqe, pra zbut demin, por njëkohësisht edhe ingranon dhelprat. Ma merr mendja se e kupton shumë mirë se ku e kam fjalën. Të jesh e bukur është fat, por njëkohësisht edhe fatkeqësi... Megjithëse të presim nga pamja e të përcjellim nga mendja, them se kjo s’duhet anashkaluar.

Është e domosdoshme të jesh e bukur, për të qenë e famshme?

Jo, nuk mendoj se ka lidhje. Kemi mijëra artiste aspak të bukura, por që më talentin e tyre kanë bërë që të jenë të këndshme për ne. Ndërsa, kur mungon paksa talenti, aftësia këtu po qe një ndërthurje me bukurinë do të të ndihmojë të kapërcesh barrierat.Arritjet tuaja deri tani kujt ia dedikoni?90 për qind vetes dhe pjesën tjetër babait. Them vetes, pasi u nisa e vetme me besimin te vetja ime dhe më pas gjeta edhe mbështetjen e babait tim, aty ku me të vërtetë me duhej.

Sa të ka ndihmuar fakti e të qenit e bija e një artisti të njohur në botën e modës dhe spektaklit?

Pa diskutim shumë! Kur të shohin si Iva, të vlerësojnë për atë që ti ofron, ndërsa kur je më pas Iva, vajza e Beharit, përveç buzëqeshjes që më dhurojnë gjithmonë e marrin më seriozisht punën. Pra, kanë më shumë besim, troç! Pale ç’mendojnë me vete, ndonjë gjë do ta ketë marrë nga i ati, patjetër... (Qesh)

Si do të donit të nisë një ditë e juaja ideale?

Përveç faktit që të jetë një ditë me diell, dua të mos ma prishë gjumin e mëngjesit askush. Të ngrihem e qetësuar totalisht dhe një kafe me miqtë e mi do të më shijonte pa masë. Më pas, çdo gjë që pason është pa gjurmë.

Gjendjen tuaj shpirtërore, aktualisht si do e përshkruan?E trazuar, le të themi: as kështu e as ashtu. Thjesht, në dilemë.Pse tremben meshkujt shqiptarë, kur ndodhen përballë një femre të zonjën, sipas jush?

Meshkujt shqiptarë nuk janë kurrë aq të aftë sa femrat dhe kështu mundohen gjithmonë të gjejnë dikë që t’ia plotësojnë vetë të gjitha gjërat, në mënyrë që të bëhen të dobishëm për to. Kështu që përpiqen të krijojnë te femrat figurën e të zotit. Që ai është çdo gjë në këtë botë, ndërsa kur përballen me një të zonjën, siç është edhe pyetja, nuk i mbetet asgjë të bëjnë, përveçse të tregojnë vetën e tyre pa zbukurimet mbrojtëse. Pra, të tregojnë që dinë të bëjnë edhe ato diçka. Një femër e zonja ka nevojë nga një mashkull që thjesht t’i dhurojë dashuri, ngrohtësi dhe mbështetje në karrierën e saj; asgjë tjetër s’i nevojitet. Kur ai s’është në gjendje t’i plotësojë as këto, atëherë s’është më mashkulli i duhur për këto femra

Çfarë ju bën të mësoni nga pësimet?

Të mësoj (qesh) patjetër, që të mos gaboj më.Mendoni se ekziston dashuria e vërtetë?Patjetër, madje nuk jam dakord me shprehjen se njeriu dashuron vetëm një herë në jetë. Njeriu dashuron në mënyra të ndryshme, njerëz po të ndryshëm. Çdo dashuri e vërtetë ka sekretin e saj brenda, që vetëm ti je që e kupton.Çfarë ju bën të lumtur?Të gjitha sukseset e mia, familja ime, buzëqeshjet nga njerëzit më të dashur për mua.Keni menduar të jeni përkrah babait tuaj në një rol, sado të vogël?Jo vetëm që e kam menduar, por edhe e kam realizuar në një komedi të shkurtër humoristike, në një nga kasetat e babait tim, edhe pse është e vështirë të luash me të, pa shpërthyer nja tri të qeshura përpara.

Sa të zënë e ka zemrën Iva?

Shumë, kam frikë se s’ka më vend (qesh). Them se e kam të mbushur me ata njerëz që më kanë në zemër, ashtu si edhe unë.

Si ju pëlqen ta kaloni atë pak kohë të lirë?

Me njerëzit e zemrës, patjetër, me familjen time, miqtë dhe me qenin tim që e adhuroj.


Behar Mera, për të bijën

Si mund ta përshkruani Ivën, si tip?

Iva është tip me karakter shumë të fortë; qëllimet që ia vë vetes gjithmonë i përmbush. Jo se është vajza ime, por unë si baba jam shumë krenar për të dhe, për më tepër, se ka marrë nga unë humorin. Është e lirshme dhe shumë çapkëne. Ma mbush shtëpinë. Ajo ka parime dhe shumë vlera, si dhe di të vendosë cila është e mirë dhe e keqe.

Me kalimin e viteve, çfarë ka ndryshuar më shumë tek ajo?

Normal që është rritur dhe sa më shumë kohë kalon aq më e fortë dhe aq më e saktë është ajo në të gjitha hapat që hedh. Më ka bërë që të kem shumë besim tek ajo.

I pranon lehtë këshillë tuaja apo thjesht mundoheni që t’ia impononi?

Unë, si çdo prind tjetër, kam për detyrë që t’u jap këshilla vajzave të mija dhe t’ua bëj atyre aq të lehta që dhe ato shpeshherë ta kuptojnë pozicionin tim si prind. Kjo do të thotë që asnjëherë nuk ia kam imponuar këshillat Ivës, gjë që marrëdhënien tonë baba e bijë e ka bërë shumë më të fortë. Nuk besoj se marrëdhënia jonë ka nevojë për detyrime, pasi ne kuptohemi shumë mirë bashkë.

Do doni që dhe ajo të ishte aktore apo ju pëlqejnë zgjedhjet e saj, si në shkollë për diplomaci dhe ushtrimi si modele?

Jam shumë i kënaqur me zgjedhjet e saj. Siç thashë dhe më lart, unë nuk i imponojë të bëjë diçka. se kështu dua unë, gjithçka dua të jetë ashtu siç do ajo, sepse është jeta e saj. Për më tepër, që në zgjedhjet e saj nuk kam aspak dyshime. Mund t’i këshilloj ç’ka është më e mira për të dhe ajo e di që nuk gaboj, prandaj më dëgjon. Megjithëse mendoj se Iva ka qëllime të tjera në jetë, të cilat nuk lidhen me fushën e modelingut. Kjo fushë e ndihmoi të përballet me vështirësitë dhe prapaskenat e jetës, gjë që e bën më të fortë dhe më me përvojë në realizimin e karrierës së saj si politologe. Unë si baba e shikoj atë si një politikane të zonjën.

Si mendoni se është prezantuar Iva si prezantuese?

Ok, por s’mund të them që në herën e parë ajo shkëlqeu si prezantuese, por ajo që dua të them është se Iva ka shumë talent dhe këtë e shikoj në përmirësimin e saj të vazhdueshëm, çdo dalje e saj është një sukses.

Ju e ndihmoni që ajo të perfeksionohet edhe në këtë fushë?

Normal ,si njeri i artit mundohem dhe e këshilloj Ivën vazhdimisht, ajo i ndjek me përpikëri udhëzimet e mija, sepse e di se ato nuk e lënë në baltë. Ne diskutojmë së bashku dhe zgjedhim më të mirën. Këshillat tuaja për të janë... Lirshmëri pa finte, thjesht të jetë Iva, sepse thjesht e bën për vete publikun.

Janë të vështira apo të lehta marrëdhëniet baba-bijë?

Si marrëdhënie është e vështirë jo vetëm për mua, por për këdo, pasi kemi përplasje mentalitetesh, por jam përpjekur t’i përshtatëm ashtu si edhe ajo, duke krijuar një marrëdhënie të veçantë. Marrëdhëniet tona janë më së të mira, mundohem ta kuptoj dhe të njëjtën gjë që bën dhe ajo me mua. Ajo di të vlerësojë, për më tepër mua dhe familjen.

Flasim dhe për projektet  tuaja artistike, cilat janë ato më të afërtat?

Pothuajse çdo fundjavë kam oferta jashtë Shqipërisë për koncerte, vazhdoj të jem regjisor në Estradën e Peshkopisë dhe gjatë javës më duhet të punoj për të vënë në skenë shfaqje të reja sa më të pëlqyeshme dhe të kohës. Si dhe jam i angazhuar herë pas here për nxjerrjen e kasetave të mija.

Mendoni se arti sot është në krizë apo ka një zhvillim me ritme të ngadalta?

Them se nuk kemi produktivitet. Kemi talente, por mungojnë mundësitë për nxjerrjen në pah të këtyre talenteve. Them më troç na mungon pena... Mendoni se shqiptarët janë popull me sens humori? Normale që po, po ta krahasojmë dhe me popujt e vendeve të tjera. Mendoj se humori te ne lind pasi jemi në kushte të tilla ku, përveçse ka materiale për humor, ne kemi dhe aftësinë dhe ta hiperbolizojmë atë (unë shqiptar jam)

Sa e duan njerëzit humorin, në përgjithësi?

Në këtë kohë kur njerëzit po përballen me shumë tragjedi dhe hidhërime, them se ato e duan dhe e vlerësojnë shumë humorin dhe në këtë rast dua të bashkohem me hidhërimin e shqiptarëve kudo që janë, sepse më shumë se kurrë populli ynë ka nevojë për buzëqeshje.



(Vota: 2 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora