Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Shqipëria dhe Kosova në Dukagjin...!
E marte, 25.09.2012, 08:19 PM
Sejdi BERISHA:
UDHËTIMI I SHQIPËRISË DHE I KOSOVËS NËPËR RRAFSH TË DUKAGJINIT...!
(Ose: Njoftimi i llojit të veçantë përbrenda kombit, përbrenda atdheut...)
Viti i sivjem, edhe përkundër shumë problemeve në tejkalimin dhe
zgjidhjen e tyre në rrjedhën, e, siç po e themi ne, kohën e tranzicionit, e
cila, dorën në zemër, në vendin tonë zgjati më shumë, është përshkuar dhe po
përshkohet me shumë ngjarje kulturore, të cilat po realizohen në shenjë të
100-vjetorit të Pavarësisë të Shqipërisë. Kjo dëshmon se kombi është duke ecur
shpejtë e sigurt, edhe pse me tension, drejtë ribërjes organizative por edhe
drejtë forcimit të shtetit dhe të shtetësisë përgjithësisht. Andaj, edhe në
Shqipëri, por edhe në Kosovë, mbase edhe në troje tjera shqiptare dhe në
diasporë, janë duke reflektuar të gjitha angazhimet dhe dashuria e përkushtimi
për Shqipërinë, për të gjitha trojet shqiptare dhe për kombin, që bashkërisht,
më kurrë mos të tkurrën por të ecin normal dhe të zhvillohen rrjedhshëm e
lirshëm. Kjo, edhe do të jetë një epokë e re dhe një periudhë, e cila do të na
vë në sprovë edhe të forcimit të unitetit të njëmendtë e kurrsesi formal. Dhe,
jo rastësisht, këtë shkrim do ta fillojë me një ngjarje e cila ditë më parë u
zhvillua në Pejë. Me manifestimin e shënimit të 22-vjetorit të themelimit të
Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, e cila pat
nxjerrë kokë mu në lëvizjet kur Kosovës i lëkundeshin rrënjët për t’u zhbërë
ose për të qenë ajo që duhet të jetë. Dhe, ndodhi kjo e dyta.
_____________
Dashuria e përkushtimi për atdheun dhe për kombin, që bashkërisht, më kurrë të mos tkurrën por të ecin normal dhe të zhvillohen rrjedhshëm e lirshëm...
Pra, në këtë përvjetor, i cili u shënua edhe në kuadër të
100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, duke folur për historikun e kësaj
shoqate, u theksuan dhe u veçuan edhe shumë data e rrjedha historike që i
jepnin peshë dhe vlerë këtij tubimi, në të cilin, me Çmimin “Hasan Prishtina” u
nderua Ambasadori amerikan, z. Frank G. Wisner, për kontributin që ka dhënë në
ecjen përpara të çështjes aktuale historike të Kosovës. Në këtë tubim, përveç
figurave të shquara publike, politike dhe kulturore pothuaj nga të gjitha
trojet shqiptare, morën pjesë edhe përfaqësues të fushave të kulturës dhe
arsimit, siç ishin edhe Prof. dr. Petrit Nathanaili, Prof. dr. Eduart Koruni
dhe Prof. dr. Petraq Buka, të gjithë nga Tirana. Dhe, deshi rasti që të
nesërmen, me këta të kalojmë disa orë ose një ditë së bashku, duke vizituar
qytetin e Pejës me karakteristikat e veta të veçanta kulturore dhe historike,
bukuritë e trembëdhjetë fshatrave të Rugovës dhe ato të Burimit të Drinit
Bardhë dhe të Radacit.
Mirëpo, nuk ishte vetëm kjo e veçanta, apo kryesorja që realizuam
atë ditë. Ishte diçka krejt tjetër. Ishte biseda dhe komentimet për tema e
fusha të ndryshme, të cilat na i provokonin bukuritë mahnitëse duke na nxjerrë
shumë pyetje e pastaj edhe përgjigje dhe debate, që e kishin peshën dhe
rëndësinë e vetë shumëdimensionale. Në mëngjes takohemi me Reshat
Nurbojën(Drejtor i Administratës Komunale të Pejës dhe veprimtar i dalluar i
kauzës kombëtare), i cili i shoqëronte dhe me Besim Kajabegollin(udhëheqës në
Drejtoratin e urbanizmit të Pejës), i cili edhe ai ishte pjesë e “ekspeditës”
sonë, dhe menjëherë marrim rrugën për në Rugovë, më saktësisht për në fshatin
Bogë, i cili pothuaj se tanimë është duke u shndërruar në themel fillestar të
zhvillimit të turizmit dhe hotelerisë në këtë anë, nga e cila, për shkak
kushteve të vështira dikur për jetesë, fshatrat e këtushme thuaja se të tërat
janë boshatisur.
Qendra e qytetit të Pejës në fillimin e muzgut
Mësoj se bashkudhëtarët tanë, respektivisht mysafirët-profesorë
nga Tirana, përbri këtyre shkrepave ku gjarpëronte rruga e asfaltuar, ishte
hera e parë që e vizitojnë këtë madhështi natyrore, kulturore dhe historike të
Rugovës kreshnike, të një krahine të lashtë të trojeve dhe të tokës arbërore.
Dhe, kuptohet. Kureshtja, prej momenti në moment merrte hovin dhe pasonin
pyetje të pareshtura, të cilave përpiqeshim që t’u gjejmë përgjigjen adekuate
dhe të saktë. Kjo mori “zjarrmi”, kur diku afër kilometrit të trembëdhjetë që
kishim kaluar, makinat morën drejtimin në të djathtë dhe u ndalem tek një
restorant i ndërtuar pothuaj se i tëri nga druri pishe dhe nga bredhi. Reshati,
i cili përpiqej që mysafirët të ndiheshim sa më komod, ishte i interesuar që
për fillim, përgjatë rrugës, t’i gostiste me një ushqim autokton-burimor, me
një leqenik i cili gatuhet me miell misri dhe me mazë ose siç thanë profesorët
e nderuar, me kajmak.
Titulli i librit “Shpërputhje kohe”, sikur plotësisht puthitet edhe me realitetin dhe me rrjedhat e tanishme në shoqëri...!
Ulemi dhe së pari freskohemi me nga një gotë uji që
Këto janë disa nga bukuritë mahnitëse të Rugovës
Andaj, në këtë aspekt, “sqaroheshin” shumë shprehje e fjalë, të
cilat, kuptohet, ishin shqip, por që dallojnë nga veriu, mesi e jugu. Dhe,
kujtoj se ishte mirë të bisedohej edhe më thellë për gjuhën, sepse, sinonimet
janë të rëndësisë së veçantë për begatinë e gjuhëve, kurse, gjuhës sonë, ato
bukur shumë i mungojnë, apo edhe sikur nuk ia vëmë veshin apo nuk duam që ta
begatojmë shqipen me sinonime.
Prandaj, këtu tani flasim për gjuhën e cila flitet këtu në Pejë,
respektivisht në Rugovë, por bisedën e zgjerojmë edhe në nivel të Kosovës, edhe
të Shqipërisë... Ishte mirë, sepse, shumë gjëra bëheshin pjesë e re e
njohurive, të cilat forcojnë themelin e unitetit dhe të arsyeshmërisë të njëjtësimit
kombëtar.
Në kilometrin e trembëdhjetë të rrugës për në Kuçishtë dhe Bogë (Pak çaste para se të merrnim rrugë tutje për në fshatin Bogë, i cili tanimë i ngjanë një themeli të fortë të një qëndreje turistike dhe hoteliere: Sejdi Berisha, Prof. dr. Petraq Buka, Prof. dr. Petrit Nathanaili, Prof. dr. Eduart Koruni dhe Besim Kajabegolli).
Duke ngrënë nga pak leqenik, vazhdojmë bisedën e cila thellon
mendimet dhe arsyen e bën pjesë të pakontestueshme të intelektit por edhe të
kulturës individuale mbase edhe kolektive. Dhe, tani: leqeniku, maza, gurra,
kumshti, hirra, drani, tinari e shumë shprehje të tjera, bëhen “lule” të reja
në kopshtin e gjuhës dhe të të shprehurit shqip.
Gjatë kësaj kohe, duke biseduar për këto vise malore dhe madhore të Rugovës, bisedojmë edhe për poezinë, e cila është nxitëse e zgjimit të synimeve krijuese dhe e shoqërimit të muzave, të cilat edhe kur ne nuk i hetojmë, ato qëndrojnë pranë nesh dhe na provokojnë për të thurur ndonjë varg, bile edhe ata që kurrë nuk kanë shkruar dhe as nuk do të shkruajnë, por vetëm u mbetët si këndim dashurie në shpirt. Për poezinë, ka dëshirë më shumë të “provokoj” profesor Eduarti. Bile ai, duke shfletuar librin tim me poezi “Fjalë e pathënë” i zë në “flagrancë” shumë vargje të cilat i shkojnë për shtati por edhe neve na pëlqejnë. Dhe, kështu kjo ditë bëhet gjithnjë e më e begatë dhe e paharruar.
Fshati Kuçishtë, histori e veçantë e Rugovës dhe e Kosovës
Tani, mbyllim librat dhe ikim nga restoranti. Vazhdojmë rrugës
gjarpërore për në Bogë. Nxitojmë rrugës gjarpërore, e cila me bukuritë për
anash na lë “borxh” për pyetjet dhe përgjigjet. Nuk vonojmë shumë dhe arrijmë
në fshatin Kuqishtë, i cili ka një histori të veçantë për krahinën e Rugovës,
si në aspektin e peshës së vendbanimeve të këtushme, ashtu edhe në aspektin e
rrjedhave shoqërore dhe historike. Përpiqem që të shpjegoj “historinë” e këtij
vendbanimi, dhe u flas për kafenenë, që dikur ishte këtu, e të cilës tani i
kanë ngelur vetëm muret, të cilat, vërtetë dëshmojnë për të kaluarën e këtushme,
dhe sikur ende kanë edhe vesh edhe sy, mirëpo asgjë thua se akoma nuk tregojnë
ashtu si duhet e sa duhet.
Një pjesë e fshatit Bogë
Shpjegoj, se pak më larg, në bërrylin duke u kthyer në të majtë të
rrugës që shpie për në Çakor, qafëmaje
kjo e cila dëshmon për kufirin me Malin e Zi, por edhe për historinë e
luftërave jo të pakta që janë zhvilluar këtupari gjatë decenieve e shekujve.
Por, rrugëtimi me makinë nuk na mundëson shumë kohë për të biseduar për këtë,
sepse, tani rruga merr në të djathë për në Bogë, që na sjellë një pamje tjetër
nga ajo që kaluam deri atëherë. Tani, rruga e paasfaltuar, rruga makadam na
mundëson të ndjehemi tamam si në bjeshkë, si në malet që janë begati e krahinës
së Pejës, e Rrafshit të Dukagjinit, e Kosovës, e Shqipërisë...
Nuk vonuam dhe arritëm në fshatin Haxhaj. Edhe tani, profesorëve P.
Nathanaili, E. Koruni dhe P. Buka, përpiqem t’ua shpjegoj pakëz historinë e
këtushme. U flas për objektin e shkollës, i cili tani ka ngelur pa asnjë
nxënës, e që dikur këtu zhurmonin muri dhe oborri nga shpirti dhe fryma e
vogëlushëve. Pastaj, ua tregoj edhe objektin e ambulancës shëndetësore, i cili,
po ashtu ka ngelur i boshatisur, sepse, këtu nuk ka banorë! Të gjitha këto,
janë edhe të dhembshme, por janë edhe një dëshmi e cila sikur thotë shumëçka
dhe për gjithçka për jetën në këtë trevë. Por, nejse. Ndoshta për këtë do të
debatohet, apo edhe do të ketë nevojë patjetër për t’u debatuar...
Një kujtim nga fshati Bogë (Prof. dr. Petraq Buka, Prof. dr. Petrit Nathanaili, Sejdi Berisha dhe Prof. dr. Eduart Koruni)
Por, gjatë udhëtimit, na gëzon fakti se kudo shiheshin eskavadorët
dhe makinat tjera që punonin në zgjerimin e rrugës, që tregon për faktin se kjo
trevë sërish do të merr veten dhe do të gjallërohet pas asfaltimit të shpejtë
të kësaj rruge prej afro tetë kilometrash, bile do të shndërrohet në qendër të
njohur turistike dhe hoteliere me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar. Pak para
se të arrijmë, kërshërinë e mysafirëve ua zbardhi duke iu shpjeguar edhe për
bukuritë e kësaj pjese të Rugovës.
-Ja!...- u them, dhe bëj me gisht kah Qendra rekreative
Rugova-Relax, e cila është pronë e Ahmet Nimanit, i cili pothuaj se ndër të
parët i ka dhënë pamje turistike kësaj ane.
Qendra rekreative “Rugova-Relax”
Ngjitemi edhe më lartë dhe kur arritëm në Bogë, u ndaluam tek
objektet turistike të vëllezërve Rudi. Aty u ndalem për një kohë më të gjatë
dhe duke pirë kafe, bisedojmë tani për bukuritë e kësaj ane,... bisedojmë edhe
për historinë, por për ta “begatuar” bisedën, e zëmë në gojë ndonjëherë edhe
“llafin” e botës femërore, ose, më mirë të them, këtë unë ua lehtësoja duke
përmendur apo duke u përkujtuar me ndonjë varg poezie. Meqë Petraqi dhe Eduardi
janë profesor të gjuhës angleze, nga pak i ngacmoj edhe me vargjet e Omer
Khajamit. Kjo e begaton bisedën, dhe “marrim” guximin që pak më lirshëm të
flasim edhe për botën femërore, gjë kjo e cila në kohën e regjimit monist,
ishte edhe mollë e ndaluar, por edhe mollë e sherrit ndoshta e jetës të secilit
njeri.
Duke e “provuar” edhe nga një gotë verë e dikush edhe birrë, sikur na ikën minutat e ditës, dhe tani kishim dëshirë që të kthenim pak edhe tek Burimi i Drinit të Bardhë në Radac, që tani ishte krejtësisht në anën tjetër të qytetit të Pejës. Sërish përgjatë rrugës nuk pushonim së biseduari për Kosovën dhe Shqipërinë, për hallet e njeriut tonë, për traditat, politikën, ndasitë, për bujarinë, për të arriturat, për Rrugën e Kombit, për Tunelin e Kalimashit, edhe për tunelet tjerë...
Fuqia e Drinit të Bardhë që lagë dhe lidhë tokat shqiptare dhe bukuritë e Shpellës së Radacit...
Prapë kaluam përmes qytetit të Pejës, dhe sërish dot nuk na
“shmangët” biseda për historikun e Pejës, për qytetin e Haxhi Zekës, që edhe
tash na imponoheshin “rrëfimet” historike por edhe tradita dhe zhvillimi shoqëror
e ekonomik, edhe zhvillimi i tanishëm... Sa ora arritëm në rrethrrotullimin tek
Arbneshi dhe “shpejtojmë” për tek restoranti “Ujëvara” afër Burimit të Drinit
Bardhë.
Një kujtim nga Burimi i Drinit të Bardhë në fshatin Radac të Pejës (Prof. dr. Eduart Koruni, Prof. dr. Petrit Nathanaili dhe Prof. dr. Petraq Buka)
“Akomodohemi” në pjesën e poshtme të restorantit, buzë lumit dhe
ujit të pastër. Gjithë ajo bukuri na mahnitë dhe sikur për një çast na
ndërprenë edhe bisedën. Vetëm komentojmë bukuritë e Burimit të Drinit Bardhë,
kurse unë, profesorëve nga Tirana ua shpjegoj se pranë burimit të lumit është
edhe Shpella e Radacit, njëra ndër më të bukurat jo vetëm në Kosovë, e cila
ende nuk është eksploruar as dhjetë për qind. Ndoshta, një gjendje e tillë mund
të reflektojë edhe pasqyrën e një mangësie të angazhimit për vlerat madhore të
kësaj pjese të atdheut. Por, duke shikuar menynë për të drekuar, në të njëjtën
kohë edhe shtrojmë bisedën për kombin. Tash, prekim edhe një temë e cila ka
peshën e vetë madhore në zhvillimin e vendit dhe të kombit. Bisedojmë për fenë,
dhe dakordohemi dhe i njëjtësojmë mendimet për këtë çështje, me të cilën gjë
edhe jo rrallë kanë tentuar të na krijojnë destabilizim dhe trazim shpirtëror
brenda kombit. Mirëpo, asnjëherë deri më tani nuk ia kanë arritur.
Për fund, në shenjë lamtumire fotografohemi edhe në dalje të Restorantit “Ujëvara e Drinit” në Radac (Reshat Nurboja, Prof. dr. Petrit Nathanaili, Sejdi Berisha, Prof. dr. Petraq Buka, Besim Kajabegolli dhe Prof. dr. Eduart Koruni)
Krahas kësaj, bisedojmë edhe për gjakmarrjen e hakmarrjen,
ligatinë kjo e cila, kombit tonë i ka kushtuar dhe po i kushton shtrenjtë në të
gjitha aspektet. Profesorëve u thashë se gjakmarrja është një sëmundje, e cila
edhe sot e kësaj dite është aktuale si problem dhe sikur ka nevojë për një
angazhim më këmbëngulës për ta çrrënjosur njëherë e përgjithmonë. Edhe kjo temë
ishte brengosëse dhe sikur na la disi duke ngritur supet pa folur asnjë fjalë.
Këtë bisedë na ndërpreu kamerieri, i cili na solli drekën. Kishim porositur
peshk trofte në skarë e dikush edhe skënderbeg, ky një ushqim karakteristik dhe
me mish cilësor që përgatitet në Pejë dhe Rrafsh të Dukagjinit. Ushqimi shtesë:
sallatat, specat e djegës, kosi dhe buka e përgatitur nga “shtëpia”, ishin të shijshme
sa që zgjuan debat për ushqimin kosovar mbase edhe shqiptar.
Gjatë drekimit, bisedat sërish begatoheshin me “mëlmesën” e
vargjeve kushtuar dashurisë, andaj nuk mungojnë edhe vargjet e Khajamit:
“...Dhe natën kur flinja/Më tha shpirti pi/Në gjumë dhe në varr nuk ka
lumturi/Zbras kupa e puth çupa/Ka shekuj të flesh në qetësi”. Profesorëve nga
Tirana që i shoqëronim, u thashë: këto vargje nuk intrigojnë thjeshtë vetëm për
dashuri...! Dhe, si pa dashtë, në mendje më përftoi Peja dhe Tirana. Nuk e di se
pse?!!...
Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana në orët e mbrëmjes
Kur deshëm ta përmbyllim këtë rrugëtim miqësie por edhe të “përthurjes” së mendjes, si pa lidhje me zë i recitova dy vargje të një poezie, të cilën e kisha shkruar para disa ditësh: “...Kërkoj kripën/Etjen për ta shuar...”! Prof. dr. Petrit Nathanaili, Prof. dr. Eduart Koruni dhe Prof. dr. Petraq Buka, i përqafuan aq bukur këto vargje, të cilat i ngjanë edhe falënderimit për ditën që kaluam së bashku duke udhëtuar me Shqipërinë dhe me Kosovën nëpër Pejë, Rugovë, tek Burimi i Drinit të Bardhë në Radac dhe nëpër Rrafsh të Dukagjinit. Ishte një prezantim dhe një njoftim i llojit të veçantë përbrenda kombit, përbrenda atdheut...!