Kulturë
Xheladin Mjeku: Babushi i gëzimeve
E marte, 25.09.2012, 07:01 PM
BABUSHI
I GËZIMEVE DHE RRITËS FËMIJËRORE
Murat Gecaj: “DORELA”, skica e rrëfenja, botoi SHB “FILARA” - Tiranë, 2012
NGA XHELADIN MJEKU
Murat
Gecaj është autor i shumë librave publicistikë, monografi, jetëshkrime, etj. Librat: “Si e pashë unë
Kosovën” (2000), “Nëpër udhët e shkollës shqipe” (2001), “Pishtarë
të Normales së Shkupit” (2002), “Filologë që nuk harrohen” (2002), “Mësuesi
veteran Salih Myftar Kolgeci” (2005), “Ëndrrat e grisura të jetës sime”
(2010), ”Bedri Dedja në kujtesën tonë” (2010) dhe “Rrahin zemrat arbërore”
(2011). disa prej të cilave edhe u ribotuan. Këto dhe shkrime të shumta në
gazeta dhe mjete elektronike e paraqesin mjaft produktiv Prof. dr. Murat
Gecajn. Angazhimet dhe vlerat krijuese
argumentojnë veprimtarinë e tij përgjatë
dekadave, duke mos pushuar për asnjë çast së shkruari. Kurse me librin më të ri
“Dorela”, që për tematikë ka jetën fëmijërore, sjell freski në
krijimtarinë e tij. Çasja kësaj krijimtarie nënkupton se autori prej kohësh
është mishëruar në jetën, lojën dhe ëndërrat fëmijërore, të cilat i paraqet me
mjaft pedantëri në formën e rrëfimeve dhe skicave në interkomunikim me mbesën e
tij të dashur – Dorelën, që shikuar në rrafshin letrar është Kryepersonazh i
një vepre që mund të lexohet në shumë forma, edhe si vepër artistike me
elemente të një proze-trilogji me konotacione të romanit, edhe si vepër
monografike për një periudhë të caktuar kohore, të moshës së mbesës së tij.
“Deri në këto çaste kur po i shkruaj
këto pak fjalë në shenjë përgëzimi për botimin e librit me titull shumë të
këndshëm dhe simbolik "Dorela" të Murat Gecajt, kisha një fije
shpresë se do të jem edhe unë në mesin e miqëve dhe dashamirëve të autorit për
të festuar s'bashku këtë ngjarje të bukur kulturore.
Tashmë kur pjesëmarrja ime është e pamundur për arsye personale, shfrytëzoj
rastin të uroj të gjithë pjesëmarrësit dhe veçanërisht autorin e librit, Prof.
dr. Murat Gecajn, që edhe më tutje të ketë botime e promovime të shumta
librash. "Dorelës" i dëshiroj hapërim të pandalur tek lexuesi
dhe jetëgjatësi në kujtesën e tyre. Ndërkaq mbesës së autorit Dorela, që u bë
personazh i këtij libri, i uroj edhe shumë e shumë pranvera me suksese të
pafund, jo vetëm si personazhe e librit, por edhe si veprimtare e zhvillimeve
të reja e të begata të punës dhe rritës, me të gjithë ata që i do dhe e
duan!” Jo pa qëlim solla këtu këtë copë shkrimi kur po bëhej përgëzimi i librit
“Dorela“ të Murat Gecajt, e që përkundër dëshirës nuk mund të udhtoja në
pjesëmarrjen në atë ditë të gëzimit familjar, miqëve e adhuruesve të artit e
kulturës që ishin mbledhur ta shënonin lindjen e librit, që do të bëhet pastaj
pjesë e familjeve dhe e të gjithë lexuesve që do ta kenë në shtëpitë e tyre.
Hyrja
në shoqërinë e Dorelës dhe Babushit
Libri “Dorela”
vjen tek lexuesi si një realizim letrar dhe publicistikë, duke bashkëvepruar në
rrafshin komunikues me lexuesin edhe si prozë me elemente reale të jetës së
Kryepersonazhit – mbesës së autorit, por edhe si krijim letrar me të gjitha
atributet e një proze për fëmijë, që sjell elemente të romanit apo edhe të një
trillogjie të realizuar. Kjo është në fakt, një formë e veçantë e hartimit të
këtij libri, duke përmbushur kriteret e trilogjisë për fëmijë dhe do ta kisha
ndarë simbolikisht sipas tri notave muzikore, me harmonizimin e pjesëve të
librit, si: Pjesa e parë - Do, e dyta - Re dhe pjesa e tretë - La. Një
organizim i këtillë do ta arsyetonte emrin dhe fuqinë e komunikimit ndërtekstor
të tri pjesëve të librit, për t’u kujtuar si një veçanti në letrat e krijimtarisë
për fëmijë. Kjo mbase edhe reflekton dukshëm edhe në mënyrën e tanishme të
realizimit, për çka meriton të vlerësohet nga lexuesi dhe studiues të letërsisë
për fëmijë. Realizimi i këtij libri mund të konsiderohet frut i angazhimeve dhe
përkujdesjes së autorit, që ndonëse në moshë, është mishëruar me botën e
fëmijës, për ta sjellur tek lexuesi me të gjitha elementet e një proze
bashkëkohore dhe të realizuar mirë. Ky libër me skica dhe
rrëfenja konsiderohet si realizim artistiko-edukativ me elemente pedagogjike.
Leximi i parë i librit “Dorela” të shpien në kujtimin imagjinar, me
gjithë këtë lëndë sa interesante aq edhe të çuditshme, ndërsa me rileximin
e saj heton sprovimin e lexuesit në
ndriçimin e shumë “prekjeve tematike” nga dashuria prindore, shoqërore e
miqësore, nga historia dhe kultura të përcjellura në brezni.
Ky titull kaq simbolik ka kuptim të qëndrueshëm edhe pë faktin se
përbëhet prej tri notave
muzikore, që në fakt simbolizojnë këngën dhe gëzimin për jetë.
Është edhe një arsye tjetër se ky emër
shpreh kuptimin e një hareje familjare, që vargu dhe tingulli bashkëveprojnë
këtu dhe flasin bindshëm se bukuria e fjalës ka folen e vet te kjo veçanti që
buron nga zemërbardhësia e Babushit.
Ndërtimi,
apo thënë më bindshëm organizimi i lëndës së prezantuar brenda kopertinave të
këtij libri në tri pjesë na paraqet tri veçanti të fushëveprimtarisë së jetës,
lojës dhe dashurisë prindore dhe të gjyshërve, që mund të lexohen edhe si pjesë
të veçanta, por edhe si një tërësi, që në fakt mund të konsiderohet një libër i
llojit të trilogjisë. E cilësojmë
kështu, ngase kemi të bëjmë me një lëndë të pasur nga shumë veprimtari dhe
aktivitete që zhvillohen në lojë-imagjinatën fëmijërore dhe një bashkëdyzimi të
ndërlidhur me botën fëmijërore dhe të të rriturve si: prindërit, gjyshi,
gjyshja, pastaj miqtë dhe njerëz veprimtarish të ndryshme, që mud t’i takojmë
në pamje e skica të ndryshme përgjatë gjithë leximit të këtij xhevahiri të
bukur, që shkëlqimi i tij vjen si shkëlqim i jetës, gëzimeve, sukseseve dhe
dashurisë prindore, që e përshkojnë librin.
Sikur e zgjatëm paksa fjalën hyrëse, por nuk kishte mundësi të dilnim nga ajo fole muzikore plot tinguj jete e hareje derisa po kujtonim çastet ku bota e fëmijës shtjellohet në fuqinë e magjisë së fjalës, në frymën e lojës dhe gëzimit dhe mbi të gjitha në përqafimin prindëror dhe me ninullat e gjyshës e përrallat e pafundme të gjysh-babagjyshit të dashur.
DO ose Ngjarje të ditës
E
bëjmë këtë radhitje të nëntitujve në vijim ashtu si është ndarja e librit në
tri pjesë, ku në çdonjërën syresh mësojmë shumëçka mbi ecejaket e jetës, lojës,
mësimit dhe gëzimeve që i sjell përkrahja dhe shoqërimi i Babushit të saj,
kudoqoftë, në cirkun e qytetit, në teatër, në bibliotekë, tek Libraria, ku do
të bëjnë përzgjedhjen e librave më të bukur që sapo kanë arritur në raftet e
saj. Kështu, në pjesën e parë të librit njihemi me ngjarje dhe
veprimtari reale të familjes, prindërve dhe gjyshërve të “Dorelës”. Çdo
rrëfenjë apo skicë vjen si pasqyrim plot ngjyra të një mozaiku të bukur të portretimit familjar,
gjithnjë duke pasqyruar figurën qendrore të bukuroshen Dorela, ku paraqet botën
e saj fëmijërore, me dashurinë prindore dhe të gjyshërve që e përshkojnë fund e
krye gjithë këtë kapitull. Autori rrëfen me gjuhën e personazhit të tij plot
pasion për lodrat e saj, për macën e vogël “Kiti”, për shoqet dhe shokët e saj,
për prindërit, për vëllain e saj të madh Deivisin, për gjyshe Katian, për Babushin etj. Ky
kapitull prek edhe tema të njohura nga shkolla, si: Festa e Abetares, pastaj
Festa e Pavarësisë e tema tjera të
përditshmërisë fëmijërore. Për këto tema e ngjarje lexojmë në rrëfimet dhe
skicat: “Kopshti im, me emrin e madh “Nënë Tereza”, “Mbresa
në Kopshtin zoologjik”, “Nuk harrohet festa e Abetares”, “Një kartolinë
e rrallë urimi”, “Në Teatrin Kombëtar për fëmijë”, “Një ndodhi me macen
veshprerë, “Kiti” dhe “Ju tregoj për bibliotekën time”, etj.
Dhe e gjithë kjo flet për një bashkëveprim të Kryepersonazhit me autorin, që pasqyrojnë përditëshmërinë e botës fëmijërore, si dy karaktere që paraqesin protagonistët real dhe krijuesit e fantazisë dhe trillimeve artistike të autorit. Ky libër vjen në letërsinë për fëmijë si një krijim i veçantë, duke aluduar në vazhdimin e kapitujve të radhës, që poashtu vijnë si ngjarje të veçanta tematike dhe përditshmërie, shikuar në kontestin e miqësive dhe ndërlidhjeve të dy moshave.
RE ose Dashuri e miqësi
Që
nga rrëfimi “Pak fjalë për prindërit e mi” e deri tek skica e fundit e
ciklit “Ju përshëndesin, katër voglushe!”, duke veçuar edhe shkrime
tjera, si: “Lali im, Dejvisi”, “Të kam shumë xhan, “Mattia”!”,
“Sokoli po ju “sheh”, nga Londra!” dhe ”Fqinja ime, Esti…”
takojmë një përkujdesje tematike të autorit në ndërtimin e themeleve të
qëndrueshme të dashurisë fëmijërore dhe botëkuptimit të tyre për mënyrën e
shoqërimit, respektimit dhe dashurisë nga të mëdhenjtë. Kjo dashuri shoqërohet
me përkrahjen e njerëzve që veprojnë lirshëm në proçeset e botës fëmijërore, si
dalja në shëti, ndjekja e programeve të ndryshme kulturore e zbavitëse që
organizohen në momente të caktuara, si ditë të dalluara, forma tjera
organizative, shoqërime në ngjarje të shumta me karakter kulturor, historik e
kombëtar në kryeqytet, ku jeton edhe Dorela me të gjithë ata që e rrethojnë në
çdo kohë, në lojëra, shëti, në shkollë, në cirk, etj. Rrëfimet e Dorelës për
prindërit e saj, ku përshkruan çaste të këndshme gjatë ditëve të pushimit, ku
s’bashku me prindërit dalin në shëti, pastaj loja dhe shëtia me vëllain e saj,
dëshira e Dorelës që nënë Katerina t’i lexojë diçka të bukur edhepse ajo tashmë
shkon në klasën e tretë dhe di të përzgjedh libra që i pëlqejnë e të lexojë
edhe vetë. Njohja me vende të ndryshme
historike, këmbimi i letrave me të dashurit e saj jashtë vendit, shprehja e
mallit për dajë Altinin, kujtimet nga koha e bërjes plazh në brigjet e Golemit,
etj. janë ngjarjet dhe lidhjet miqësore që
e bëjnë të këndshëm këtë pjesë të “Dorelës” së Murat Gecajt, e
cila si rrallë herë shtrin fushëveprimin e rrëfimit në çdo pore të jetës dhe
peripetive të fëmijës, imagjinata e të cilëve nuk ka fund.
Skica “Ju përshëndesin, katër vogëlushe!” sjell një paraqitje të katër voglusheve: Dorelës, Estit, Nadjas dhe Merit, të cilat secila në moshën dhe angazhimet e veta paraqesin një skicë shumë interesante dhe në mënyrën se si i qaset autori, duke i përafruar të gjitha me atdheun, shkollën, prindërit, të afërmit, etj. “Vitet rrjedhin si ujët e kulluar të Valbonës dhe të lumenjëve tjerë malorë. Vogëlushet, për të cilat folëm në këto katër skica, do të rriten e do të hyjnë natyrshëm në rrjedhat e jetës. Por një ditë, ndoshta, do të mësojnë se për ato është shkruar në Faqen e Internetit “Fjala e lirë”, në Londër, me drejtor bashatdhetarin, xhaxhi Fatmir Terziu. Prandaj, sigurisht, dhe do të kërkojnë të zbulojnë e të shikojnë se çfarë është thënë për to, kur ende ishin “lepurushe!...” – e përmbull këtë skicim për katër vajzat, duke na lënë të kuptojmë mjaft për mënyrën e çasjes së temave dhe ngjarjeve.
LA ose Shokët e Babushit
Babushi
sikur nuk rresht së bashkëvepruari me “Dorelën” - mbesën e tij të
shpirtit. Por njohja dhe shoqërimi i Dorelës me shokët e Babushit të saj sjell
një botë të veçantë, që në një mënyrë përkujton se kemi të bëjmë me thyerje
tematike të shtjellimit të ngjarjeve në një rrafsh krejtësisht ndryshe nga që
jemi mësuar të takojmë në librat tjerë që për tematikë kanë jetën dhe veprat e
botës fëmijërore.
Që në
pesë rrëfimet e kapitullit të tretë të librit “Dorela”, që ndjekin
njëri-tjetrin si karavan vagonësh për të bartur peshën e madhe të vlerës së
sjellur me penën e kujdeshme të Prof. Muratit, ku: “Bukur, me xhaxhi shkrimtarët!”, “Një
pyetje befasuese…” , “Kërcime të paharruara, me gjyshat…”, “Kur
udhëton nëpër trojet shqiptare…” dhe
“Unë e di, se kush e çoi
Bubulinon në Suedi”, takojmë një ndërlidhje temash e ngjarjesh me shumë
laryshi aktivitetesh e peripetish që e bëjnë të këndshëm leximin dhe e prekin
një pjesë sa të dashur, aq edhe të ndieshme të situatave, kur gërshetohen dy
botërat më të ndieshme, bota fëmijërore dhe miqtë e tyre, të moshuarit, që
sikur kuptohen dhe bashkëveprojnë në harmoni të lojës, bisedës, vallëzimit,
etj.
Bashkëvepruesit,
ose personazhet e tjerë, përveç Dorelës, që e bëjnë të veçantë pjesën e tretë,
apo mbylljen e trilogjisë së vështruar me sy prej kurreshtari dhe mbi bazën e
mbresave prej lexuesi të pasionuar, vijnë nga të gjitha anët e globit dhe
krijojnë një gërshetim ngjarjesh e takimesh, që në përgjithësi pasqyrojnë botën
shqiptare me vlerat e jetës, kulturës, artit e historisë, kudoqofshin nëpër
botë. Njohja me vise të ndryshme të trojeve tona, si me Kosovën, Maqedoninë,
Preshevën, etj. me njerëz të kulturës e artit gjithandej kah frymohet shqip,
siç është Nexhmije Pagarusha, pastaj takimet me shkrimtarët: Bardhyl Xhama,
Pandeli Koçi, Viron Kona, etj. Sidomos,
duhet veçuar në këtë kapitull rrëfimin e fundit “Unë e di, se kush e çoi Bubulinon në Suedi”, nga
kurreshtja për të mësuar për Bubulinon, autori i librit sikur takon dy ngjarje
nga vende të ndryshme, në dy libra, poashtu
të ndryshëm: “Eh, more Bubulino!” të Viron Konës dhe “Pipi
Çorapëgajta” të Astrid Lindgrenit, për të shtuar kurreshtjen e Dorelës që
të njihet edhe më shumë me vendin dhe popullinë e Suedisë skandinave.
Përmbyllja e trilogjisë që shqyrtuam në tërësi, sjell një informacion të shkurtër për një vepër letrare të begatë, si me temat dhe rastësitë që takojmë, ashtu edhe me formën e organizuar të këtij libri.
Mbyllja e lojës
Në
përmbyllje të leximit të “Dorelës” krijohet përshtypja se ke përfunduar
një rrugëtim të mrekullueshëm me Dorelën, Babushin e saj dhe bashkëshoqëruesit
e tjerë, që herë vijnë si bashkudhëtar në festat kombëtare, në cirkun e
qytetit, etj. e herë si miq e shkrimtarë, ku sjellin begatitë e tyre krijuese.
Gjuha e rrëfenjave dhe skicave, është e thjeshtë
dhe e bukur. Stili i rrëfimit të
ngjarjeve me plotë emocione, herë vijnë në formën e krijimeve të
drejtpërdrejta nga ngjarje të jetuara, herë si trillime artistike. Narracioni kronologjik
i ngjarjeve reale të treguara këndshëm,
të përkujton pamje të një albumi fotografish, ku personazhet zhvillojnë jetën e
tyre normale nga përditshmëria, dhe një familjarizim që të përkujton një
gjatëjetesë mes tyre. Autori nuk ka lënë pa paraqitur edhe pamje e personazhe
përmes fotografisë, që sforcojnë temat dhe ngjarjet edhe më bindshëm.
Libri “Dorela“ ka elemente të shumta
autobiografike dhe vlera letrare, duke përcjellur kështu mesazhe të
përgjithshme, ku lexohet me kënaqësi nga
lexuesit e të gjitha moshave.
Komunikimi i autorit me lexuesin vjen herë me
gjuhën e fëmijëve e herë me atë të të rriturve, duke ndërlidhur kështu veprimet
e ngjarjet që shtjellohen në librin “Dorela”, për të krijuar pastaj
mundësinë e lexuesit që të meditojë e të gjykojë në mënyrë të pavarur.
Dhe në fund mund të konkludojmë se Murat Gecaj, është jo vetëm njohës i thellë i psikologjisë së fëmijëve, por edhe mjeshtër i shkrimit letrar dhe ndërtimit të imagjinatës së fëmijës, që e bëjnë librin me vlera të pakontestueshme artistiko- letrare dhe edukative.