Kulturë
Monica Mure?an: Mëhill Velaj, apo Zoti që ...
E hene, 24.09.2012, 06:32 PM
Mëhill
Velaj, apo Zoti që kontrollon universin e shpirtit tim
Nga Monica Mure?an
Shqiptar i vendosur në Amerikë, Mëhill Velaj, duke i ngjeshur rradhët, u është bashkangjitur atyre që dinë ta shndërrojnë fjalën në armë, dhe nga kjo, ta ngrejnë lart flamurin e dëshirave tona për një kauzë të shenjtë. Ideali i tyre është i ngjashëm me atë të atyre që dinë të mbrohen nga kavalierët e dikurshëm të figurës së trishtme, edhepse kohërat tashmë nuk janë mesjetare, sidomos në atdheun e lindjes. Ja pra se si evoluon aktualisht situata ekonomike dhe financiare në Europën plakë, gjë që të shpie të mendosh se po kthehemi prapa, e jo përpara, duke kundruar në një farë mënyre relacionet e vjetra të shërbimit apo deshërbimit. Por, ata që jetojnë në Atdheun e Poezisë, kanë lejen e kohërave, për të qenë edhe atëherë, edhe tani, do misionarë të aftë që dinë t’i rekonstruktojnë „copat e statujave të kujtimit.” Sa i përket kavalerizimit për të mbrojtur idealet vetjake, për ta bërë publik mesazhin, për ta mbajtur me krenari stemën e shtëpisë dhe vendlindjes, mendoj se kjo është një gjë e lindur, dhe jo e bërë.
Pas
lekturimit të krejt materialit, të cilin sa autori, po aq edhe përkthyesi, ia
propozojnë lexuesit në variantën bilingve, mbeta me përshtypjen se Mëhill Velaj
nuk është një çilimi i shkapërderdhur që ka arritur në brigjet e huaja, por një
vlerë kultivuese, duke theksuar edhe vetë se i mbledh fjalët për t’i hedhur në poezi,
thuajse i ka mbëltuar ato në faqet e librave të tij, nga të cilat mugullon
mesazhi i propozuar: „Dëshirës i bëj dritë në çdo stinë.” Kultivues vlerash
duke qenë, ai grumbullon kujtimet, portretet e prindërve dhe të do shqiptarëve
legjendarë, së bashku me dashuritë, përjetimet, përvojat, gjendjet që kanë ndikuar
të marrë qëndrime qytetare e sociale, me një subjekt delikat të mërgimit e të një
vetëmërgimi në trishtim, e gjithë kjo duke qenë e përshkuar nga një puhi e butë
që depërton në shpirtin e autorit, duke transmetuar në shpirtin e lexuesit një fërgëllimë
sentimentale. Kështusoj, ai nuk konstrukton një poezi të monumentales, por
krijon miniatura për të cilat ekziston nevoja për përkushtim, durim, ledhatim,
ekuilibër, ngrohtësi, e jo kryengritje apo furtunë. Kjo i shkon më së miri për shtati,
ai duke qenë në sfond një artizan e jo një puçist, një filozof e jo një senator
i tribunës. Shkruan me përkushtim të përzemërt nën dritën e kulluar të një optimizmi
shqiptar, duke tentuar të komunikojë bindje dhe ndjenja, mundje dhe fitore, për
të lënë një shenjë të ekzistencës së tij në univers, dhe këtë din ta realizojë me
mjeshtri, me mirësi dhe me mençuri.
Po qe se
vjen fjala për të shpallur një luftë, atëherë ajo është një luftë ideshë,
paralelisht me kohën apo kohërat, „kohë me dy ikse”, e pabarabartë dhe një luftë
donkishoteske, por kavalerike dhe impresionante, dhe, porsi pjesa dërmuese e
poetëve shqiptarë, duke ndikuar të perpetuojë zëri i një segmenti njerëzish të aftë
e të bashkuar për të marrë një qëndrim ndaj kohërave, bjen në shprehje lufta e
shqiptarëve kundër shtypjes së huaj dhe degradimit për rreth tyre. Ata i ndjejnë
përmes një ndjenje komplementare, „dhemjet e civilizmit” të këtij shekulli të pezhorativizuar
stilistikisht, një „iks” që de facto është efekti evident i një kauze për të cilën
poeti insiston me të madhe, sepse pa identifikimin e shkakut nuk do të mund të evitohen
efektet. Në këtë „teatër të stuhive të kohës”, ai deklaron se dëshrion të flasë
lirshëm gjuhën e nënës së tij, tejmatanë trishtimit, dhembjes e vdekjes, „për ta
përjetësuar në epokat e kohëve”, dhe e shpie kështusoj arsyeshmërinë më tej, në
vargje si: „Dëgjojmë zërin e largët të etërve:/ Mos kini frikë nga dhembja e
vdekja,/ Hapnie portën e ardhmërisë,/ Atje do ta gjeni Paqen.”
Dhe
megjithatë, poeti nuk degdiset në labirinthin e qytetërimit të sotëm, por i
analizon me aq konkretësi, aq sa i mundëson formula e poezisë moderne, nganjëherë
në këngë të vërteta apo poema në prozë, vlerat dhe ekuilibrin e pabarabartë,
shkaqet për të cilat e ka humbur njeriu orientimin „me hartën e zhubravisur të trojeve
etnike”. Kështusoj, del në pah një sugjestion tejet interesant, i një ideje të një
historie të bujshme, që bluhet në një stomak me formulime si: „Në barkun e verbërimit
struket historia”, ai duke e përjetuar, sa „tehun e hapsirës”, po aq edhe „furtunën
e lotëve”. Poashtu, ai e pranon se din t’i kërkojë fijet e qenjes së tij, duke
e plasuar në poezi çështjen e nxemjes globale dhe të kauzave të kësaj: „U bind
Hyjnorja”, thekson ai, se „Njerëzit janë fajtorë,/ sepse nuk i besojnë Zotit/ apo Zoti nuk u beson
atyre”, duke premtuar si zgjidhje një mendim biblik: „Duaje të afërmin si vetëveten/
edhe kur je i kënaqur,/ edhe kur je në rrezik.”
Hasim në vargjet e tij, edhe figura stilistike të panjohura deri tani, si „vera e zezë”, „litari i vargjeve”, „fijet e reve”, „copat e statujave të kujtimit”, „shoh qytetin duke u betuar për bukë e krypë”. Dhe nuk harrojmë shprehjet esenciale që ta përkujtojnë zemrën e hapur ndaj „ëndrrave të mia”, dashurinë që ekziston në trup e shpirt, mendje edhe dëshirën për ta „flakur trishtimin”, për të jetuar, apo një gamë gjendjesh revelacioni të sajuara poetikisht, në një nivel të lartë dridhjesh, me „fjalë të pathëna”, pra direkt nga zemra: „Atje është dashuria”, atje ku jemi „Ne dhe Hyjnorja”, apo përfytyrimi i shkëlqyer i imagjinatës së një vendi të joshur me një bujshmëri sentimentale: „Pranë valëve të Jonit/ atje ku jodi me krypën/ çojnë dashuri”. Edhepse duket i vetmuar porsi qyqja që fanitet shpeshherë në vargjet e tij, shqiptari i Amerikës, zoti Mëhill Simon Velaj është një engjëll që vuan për jetë dhe dashuri, për një njerëzim të bukur e të mbarë, për vlera shpirtërore dhe liri, një kavalier i kohërave tona, mbi devizën e të cilit qëndron shkruar: „Zoti” që kontrollon „universin e shpirtit tim”.
(Mëhill Velaj, Codul Raiului / Kodi i Parajsës, Përktheu Baki Ymeri. Libri pason ta shohë dritën e botimit në Kosovë)