E shtune, 27.04.2024, 07:08 PM (GMT+1)

Kulturë

Albert Habazaj: Lirika patriotike e poetit Kristo Çipa

E hene, 24.09.2012, 06:42 PM


LIRIKA PATRIOTIKE DHE SHOQËRORE E POETIT KRISTO ÇIPA

Parathënia për vëllimin e tij më të ri poetik “Kambana e dashurisë”

Nga ALBERT HABAZAJ

Emri i Kristo Çipës është i njohur në botën e pasur e të kthjellët të Gurrës Popullore jo vetëm në Himarë e Labëri, për të cilat këndon me shpirt: “Labër edhe himariotë/kanë një gjak e një kokë”, por në mbarë trevat ku jetojnë bashkëkombësit tanë. Emri i tij tashmë ka fluturuar edhe matanë hapësirave ndërshqiptare, në Mesdhe, në Ballkan dhe në Europë. Këtë fakt e pohon thjesht, natyrshëm dhe krenarisht me vargjet e tij: “Brenda dheut tim unë jam/Sa shqiptar dhe europian”. Ai, me pasion artisti e zjarr atdhetari, është bartës, mbledhës dhe krijues i njësive folklorike, që bëjnë jetë aktive në komunitetin që pranohen, pëlqehen dhe qarkullojnë bukur. Në vitin 2004 boton në gazetën “Tema” një shkrim etnokulturor me titullin: “Gjirokastra 2004, reminishencë e festivaleve të diktaturës”, ku paraqet situatën folklorike të servirur, ngre probleme dhe hedh ide, sepse e do, i dhemb dhe do ta shërojë këngën kombëtare që u sëmur, se e lënduan.

Ndërkohë, emri i Kristo Çipës regjistrohet edhe në letërsinë shqipe për poezinë, së pari me librin e botuar në Tiranë nga “Toena”, në vitin 2008, ku në 95 faqe ka 55 poezi nën titullin, si një fjalë e urtë: “Guri i rëndë në vend të vet”. Dy vjet më vonë, po nga “Toena”, në 2010-n, jep një kontribut për folklorin shqiptar me botimin e librit 88 faqësh “Ruzana: mite dhe legjenda të Pilurit”, për të cilin pata fatin të jem redaktor i librit, në të cilin janë botuar shtatë legjenda, të paraqitura aq bukur, si një shërbim fisnik ndaj lexuesit dhe, për atë libër, shkrimtari Skënder Hasko shkruan: “... Kristo Çipa na i sjell si një gjerdan floriri, që duhet varur në gushën e secilit”.

Me sagat e legjendat e Pilurit, Himarës dhe Labërisë, Kristo u bë erë e u bë zog; freskoi njerëzit me aromën kombëtare që përhapi, trokiti në zemrat e tyre që të rizgjojë ndjenjën e respektimit dhe transmetimit të vlerave më të mira të trashëgimisë kulturore jomateriale, gojore, të pashkruar, që ka shënuar kujtesa e popullit përgjatë udhëtimit të jetës, brezave të rinj.

Erdhi 2012-a, 100 vjet Pavarësi Kombëtare. Ndërkohë kam të qartë ritualin e Kristos: ai çdo dy vjet boton libra në Tiranë te “Toena”, dhe jo më shumë se 100 faqe, sepse do miell cilësor frymëzimi për bukë artistike. Nuk rend, nuk do të duket ai, sepse e di që vepra e mirë e lë vetë gjurmën, s’ka nevojë për promocionin e shtirur në kërkim të emrit fals. Ai është i vërtetë, si dheu, si ati, si mëma, si deti, si lumi, si Piluri, si Bolena, si mali, si vëllai, si motra, si djali, si vajza, si jeta, si vdekja, si shëmbëlltyra e gjallë dhe e pastër e së vërtetës vetë. Nuk mund të rrinte Kristo Çipa pa i bërë një dhuratë shpirti 100-vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar, nderimit të Flamurit Kombëtar dhe kujtimit të burrave të ndritur të kombit, Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Luigj Gurakuqit, Rasih Dinos e viganëve të tjerë të Pavarësisë. Me fillimkorrikun e 2012-s, më vjen “Kambana e dashurisë”, libër poetik, ku përfshihen 46 vjersha dhe një poemë me strukturë baladeske, në 55 strofa katërvargëshe, kushtuar princeshës Rugjina Balsha të Kaninës, e cila, pas dyndjeve osmane në Kaninë, u detyrua të linte kurorën princore dhe të jetonte në ishullin e Korfuzit, ku u varros me dheun që solli me anije nga brigjet e Himarës.

Interesant rituali i Kristos: boton çdo dy vjet, nuk nxiton, se s’do të pengohet, boton në Tiranë dhe vetëm te “Toena”, kryeprincipata e botimeve shqip, me zotërues Irena dhe Fatmir Toçin, që i përkasin gjithë Shqipërisë së Letrave dhe Globit të Letrave që shqipërohen, por së pari “Kuçi i Fatmirit është vëlla me Pilurin tim... - mendon, thotë e vepron K. Çipë Pilurjoti. Komentet janë të panevojshme, nënteksti lexohet qartë.

Profili letrar i Kristo Çipës na shfaqet te vëllimi më i ri poetik “Kambana e dashurisë”, si një autor i linjës liriko-epike, që noton bukur në detin e Romantizmit të Rilindjes Kombëtare, vëzhguar nga ne në kontekst, kushtëzuar nga rrethanat, koha, hapësira, faktorët që ndikojnë për të realizuar misionin hyjnor dhe njerëzor, si krijues dhe qytetar në kushtet konkrete. Përbën një rast specifik të lavdërueshëm e fatlum për kombin, jo vetëm krijimi i Kristos, plotësuar harmonishëm në disa plane të Lirisë, si e drejtë universale dhe identitetit, por edhe si e drejtë e vlerës personale; por, do të thosha me dinjitet, mbarë Lëvizja Atdhetare, Kulturore, Artistike e Letrare e familjes Çipa, e vëllezërve Çipa, me shembullin e Lefter Mëmëdhetarit, që, si rilindës nën furtunë e vetëtima, banojnë, jetojnë e kontribuojnë buzë brigjeve të ashpra e të mrekullueshme të Jonit të kaltër, në Himarën e tyre dhe tonën, si lule me bërthamë drite e rrënjë Shqipërie. Poezitë e Kristos kishin dhe kanë frymë romantike, të cilave u rri bukur kostumi tradicional që i vesh krijimit. Ato shprehin përjetimet e një shpirti të lirë të bregasit të sotëm, që vetëm diellin pranon përmbi shqiponjë, e tjetërkënd jo, kushdoqoftë ai, sepse në Himarë “edhe zoti vjen i ftuar”, sepse është një shprehje në Labëri: “Ne mikut i themi hajde, po zot shtëpie s’e bëjmë...!”. Mesazhet janë të fuqishme në vargun e Kristos, jo thjesht për paraqitjen në mënyrë artistike të ndjenjave dhe realitetit jetësor në tërësi, por sepse shpirti i rebeluar i idealistit të ri që kërkon lirinë, të vërtetën e poezinë, nëpërmjet një fantazie pjellore, synon një art realist, human dhe universal në Atdheun e tij që duan ta lëndojnë, në trojet e të parëve, ku ka kujtimin e të atit, gjyshit, stërgjyshit e katragjyshit, ku ka varret e tyre, këngët e vajet shqip, gëzimet e hidhërimet, lindjet, jetën, dasmat e vdekjet shqiptare, pa i rënë kujt në qafë, pa lejuar kërkënd t’i bjerë në qafë. Në poezinë e K. Çipës gjejmë dy motive kryesore: patriotike dhe shoqërore. Motivet patriotike ravijëzohen që te poezia “Mëmëdheu”, që çel vëllimin dhe që vjen si një bulëz çajupiane bashkë me të tjerat, si: “Rrojmë në shpirtin e Lirisë”, se “Brenda harkut të lavdisë/kemi Gjergj e Skënderbe/rrojmë në shpirtin e lirisë,/lirinë kemi Atdhe”, apo vjersha e llojit epik “Gjolekë Liria”, e të tjera, si: “Jemi lisa, s’jemi hije”, “Lufta e Vlorës”, Himarë, o lulja Himarë”, Dheu im”, apo “Këta kapedanë guri”, sepse “Amanetin kanë për gunë/Këta kapedanë guri,/Kokën vënë mbi furtunë,/Qiell për ta është flamuri” e prandaj konkludon autori shekspirianisht me ndjenjën tragjike: “Sa të ketë diell toka/Trupin do kërkojë koka!”. Te lirikat patriotike kemi një paraqitje poetike në frymën e idealizmit karakteristik, jo vetëm të rilindësve, me ngjyra madhështore, ku shquan bukuria morale e fatosave shqiptarë, ku shprehet jo vetëm forca e dashurisë për atdheun, po në thelb edhe besimi në vitalitetin e kombit, në rievidentimin e lavdisë shqiptare të kapedanëve himariotë të lirisë. Autori e shpreh idealin e vet patriotik me poezi të pasura për nga brendia dhe zakonisht të nivelit të lartë artistik, duke marrë përherë një theks aktual më të hapur. Shqetësimi rritet nga vargu në varg, në vijimësinë e këtij motivi vjershërues, gjer në një shprehje të hidhur, që kërkon të prekë sedrën kombëtare të vëllezërve himarjotë, të një gjaku me vargjet simbolike: “Të ranë supet, t’u vranë!/T’u ndanë lulet, t’u thanë!/Trungu s’ka lastar e dega,/Nga zgjoi ka ikur bleta./Po djepin kush ma shteroi?/Loti syrin e mohoi/Hiri zjarrin e harroi./Do dal te porta në shkallë/Bota zërin të ma marrë/Kthehuni bij në Himarë/Jo të shuar po të gjallë!”. Kjo frymë romantike-idealiste, duke evokuar figurat e së kaluarës e bëmat e tyre, justifikohet për autorin, sepse kërkon ta shohë të mishëruar në realitet idealin e tij patriotik për të pohuar idenë e vazhdimësisë së traditave te shqiptarët himariotë. Ashtu si rebeli i pamposhtur, si i pavdekshmi Petro Marko Dhërmiu edhe K. Çipa e gërsheton motivin patriotik me idetë demokratike, se ka qartësinë e perspektivës për bijtë e shqipes, pa e njohur pesimizmin apo inferioritetin nga joshja shovene e fqinjëve jugorë. Shqipëria ndjesore, në vargje përvijohet sadopak, por vërtetësisht me nuanca romantike, motivueshmërisht të pranueshme dhe lartësisht meritueshëm, sepse është Kristo A. Çipa që i kërren, i këndon dhe i boton vargjet e zemrës për Mëmëdhenë, emri i përveçëm i të cilit fisnikërohet kur tingëllima e fortë e me oshtimë shumë të fuqishme kumbon për dashurinë. Dashuria, në librin e ri të autorit, merr trajtë të dukshme si koncept dhe realitet, si logjikë dhe emocion, si ndjenjë universale dhe arsye gjykimi. Në vijim të kësaj linje, autori trajton temën sociale, ku shpeshherë na shfaqet si një natyralist i vargut, ku vizaton jetën, fshatin, krahinën, natyrën, njerëzit e dashur, të ikurit, dramat e dhembjet që e prekin si njeri e si poet. Poezia “Ati im (pas vdekjes)”, për mendimin tim, është nga më të ndjerat dhe më të arrirat artistikisht të autorit, duke ardhur si risi që në formë. Edhe pse nuk është tharë akoma bari në varrin e të paharruarit babë Andre Çipa i Parë, babait të autorit, Kristoja nuk vjen me elegji, siç ndodh pothuaj në këto raste, as me një baladë të përvajshme, por me një vjershë fisnike të bardhë, si shpirti i atij lisi të vjetër, të rëndë, të vyer, që ra në Pilur pas 92 vjetësh gjelbërimi me rrënjë e degë, duke u prehur i bardhë, i kujtuar e i nderuar, duke i lënë me uratë të pasmit, si liman i bindjeve për pjellën e tij, sepse “mbi lëndinë të urtësisë/mbolle lule harmonie - i drejtohet djali-poet babës që po bie për fare, por vetëm fizikisht. Dhe më e veçanta, se “nga një tufë lule çdo ditë/nuk të sjellim po na bie!”. Në këtë shprehje metaforike nuk thuhet dhimbja, ajo ndihet, nuk shkruhet krenaria për babain me virtyte, ajo jeton në shembullin që ndjekin bijtë e babës së mirë. Dhe e meriton babai që “dërgon shenja hyjnore fjalën e sinqertë të poetit “Ne këtu si nxënësit Krishtin/të rishfaqesh prapë të presim”. Nuk ngjan aspak si hiperbolë, se është dashuria, respekti, nderimi, kujtimi, dhembja dhe krenaria e së vërtetës së jetuar nga qenia, zemra, shpirti që flet vetë dhe poeti ka detyrë t’i regjistrojë në tekst. Shumë e prekshme është elegjia e kënduar për një tjetër djalë Labërie, të paharruarin Xhevahir Rexhepi, ish-prefekt i Vlorës. “Qeshjen tënde ku ta gjej,/o Xhevair?!”, e qan burrërisht me lot drite autori mikun e tij. I ndjeshëm në elegji, i dhemb dhembja e vëllait për motrat, e prindit për vajzat që u prenë në mes si lulet nga stuhitë. Çipa i Ri është shumë i prekshëm kur merr vesh se ndodhin tragjedi njerëzore. Këtë e shpreh te elegjia për tragjedinë e Vishës për studentet e pafajshme të Elbasanit, maj 2012, për të cilat “psherëtin zemra e kombit”. Mbresëlënëse vjen balada që rrokulliset si një jehonë e largët tragjike për 17 vajzat që u mbytën në liqenin e Janinës së Ali Pashës.

Autori merret dhe me pikëzimin e peizazhit, që i shkon për shtat natyrës së tij romantike, si te vjersha “Bukuria t’i merr sytë”, apo te një nga kryelirikat e tij “Këngën ma vini kurorë”, ku shfaq dhe individualitetin krijues për forcën përshkruese, me një ngjyrim të theksuar origjinal, si skulptor i vargut për dashurinë ndaj vendlindjes dhe këngës. Ai shfaqet edhe në vizatimin e portreteve, gdhendjen artistike të profilit njerëzor e artistik të miqve, ku do të veçoja një poezi origjinale e të çiltër, me plasticitet të veçantë që vjen si një “Përshëndetje miku, kushtuar mikut tim, publicistit Enver Lepenica”, i cili i fal bujarisht cilësitë që bart njerëzve me dashuri, me guxim, durim dhe mirësi, siç i ka falur dhe në kohë të vështira, kur vinte dëm tjetri kollaj fare, për qejf të djallit, për absurdin e të marrit, që as në ëndërr mos e kaloftë kurrkush. E sa bukur shkon kënga e mikut besnik për mikun e urtë e të mirë: Ti besimin kishe bukë/dhe kurajën bëje pushkë”!

Me temën e dashurisë, në lirikën intime, poezia erotike e Kristo Çipës vjen si lëng trëndafili për ta pirë në kupë e t’ia ndjesh shijen me tërë qenien. Kjo ndodh sepse autori e vlerëson atë si ndjenjën që sjell kënaqësi të madhe në jetën njerëzore, ringjalljen dhe freskinë e jetës, sidomos nëpërmjet pastërtisë së bukurisë dhe dëlirësisë shpirtërore. Aty i duket lexuesit herë si Çajupi, herë si Ali Asllani, herë si i vëllai, princi i dashurisë Lefter Çipa, sepse edhe ai, si ata, vijon traditën e ndikimit nga poezia popullore dhe e pasuron me vargun popullor që përdor, me ndjenjën, figurën e motivet. Në lirikën e tij dashurore është e gjallë filozofia e popullit, mënyra e tij e perceptimit të realitetit dhe e krijimit të karaktereve. Vjersha, si: “Gërsheta”, Moj fodullja himariote”, Unaza”, Shëro plagën e të gjallit”, As më vrave, as më fale”, O shpirtbuta kadifè”, Rinë e Bregut, behar moti” etj., duken si të njohura për lexuesin, sepse janë vërtetë krijime të Kristos, por ato këndohen nga grupi i ri i Himarës që ai drejton dhe pëlqehen shumë nga komuniteti, sepse edhe teksti është me musht poetik, edhe melodia, interpretimi, veshjet, gjestet e shpirti i artistëve të Bregut funksionon lartësisht bukur, më mënyrë sinkretike. Mendoj se poezia më e bukur, për nga ndjeshmëria poetike, që ka ky libër i ri i Kristos, është ajo me titullin e të cilit ka vëllimi: “Kambana e dashurisë - Çdo mëngjes e darkë/Bie një kambanë/ Nuk bie për pashkë/As për mëkatarë./ S’është kambanë kishe/As e manastirit/Ajo është ndryshe/Bie brenda gjirit... se, shpërthen këngëtori lirik “... Kjo botë pa ty do ish’ gjysmëhiçi”... ndaj lundron autori në detin magjik të Erosit: “Dashuri, t’u fala!/ I pazë jam fikur/Po nuk ra kambana/Dijeni, kam ikur”.

Është një vjershëz e vogël, me titullin “Afrim”: Unë lind kur ti perëndon/Dhe perëndoj kur ti lind/Nata kurrë s’na bashkon/ Dita vetëm njërin bind./Edhe në trazim të asaj bote/do të ngelem dashuria jote”. Emocionin që të fal dashuria, besimin që ajo të dhuron, autori e shpreh në trajtë filozofike, në mënyrë logjike në këtë poezi lakonike me vetëm gjashtë vargje: katër shtatërrokësh e dy dhjetërrokësh. Stili i ri që po krijon K. Çipa është mbushur me ndjenja të pastra e të fuqishme në lirikë dhe në epikë, për subjekt të thjeshtë, pa përshkrim të hollësishëm të veprimeve të personazheve, të dilemave të tyre, veçse edhe për një humor të shëndetshëm dhe gjuhë të pasur me elemente të ligjërimit popullor.

Unë di që Kristo Çipa veprimtarinë letrare e ka nisur në vitet 1975, ende djaloshar i njomë, por ëndërrimtar i guximshëm, me krijime poetike të motivit patriotik e shoqëror, të cilat me kohë i bëri më të ngjeshura e më të pjekura artistikisht. Prindërit e tij dhe sidomos vëllai i madh Lefter Çipa ndikoi në edukimin atdhetar, letrar e folklorik të këngëtorit të ri të Bregut, po aq në përpunimin e organizimin strukturor të poezisë së këngëzuar, ritmit të saj etj. Konstante metrike për organizimin e ritmit, autori përdor përpunimin e variacioneve të vargjeve popullore (gjashtërrokësh e tetërrokësh). Çipa i Ri e çon më tej traditën e vargjeve të lira, çelur qysh me librin e tij të parë poetik, duke formuar tiparet origjinale kombëtare me harmoninë e rimës së këngës së poetizuar me aq ndjenjë e frymëzim burimor. Nëse flasim pak për metrikën e ndërtimit ritmik të poezisë së K. Çipës, mund të themi se në këtë vëllim të ri poetik, vjershat e shkruara me vargëzimin silabo-tonik, të pasura me figura të mendimit, më të përdorshëm kanë tetërrokëshin (vargu më popullor shqiptar). Poezia e tij është thuajse strofike, rrallëherë dhe një kolonë. Strofat janë të larmishme në poezinë e Kristos, si në poezinë popullore, ku gjejmë strofën dyvargjëshe (distikun) dhe atë katërvargjëshe (katrenin). Përveç vargjeve me rima fundore të përputhura (aabb etj.), e njëpasnjëshme (abab etj.) dhe e kryqëzuar (abba) apo rima të brendshme në varg, me asonanca dhe konsonanca, Kristo Çipa përdor lirshëm e pa sforco dhe vargun e bardhë, pa rimë.

Së fundi mendoj se te ky vëllim i poetit të popullit shqiptar, Kristo A. Çipa, djalit të Labërisë, (bir në Pilur e dhëndër në Bolenë), shkrirja e natyrës me ndjenjën e poetit ka dalë më organike se gjetiu, sepse asnjë varg nuk tingëllon deklarativ, sepse emocionet e tij shpirtërore janë sinkretike me idealet kombëtare që ka autori, me ëndrrat demokratike për një Atdhe të dashur si Ati dhe Mëma, për një Shqipëri të bukur si “Nuse Bregdeti”.

 

Vlorë, e premte, 27 korrik 2012

 

 

 

MËMËDHEU

 

Këtu ku më lindën kokën,

Nëpër mjegull e pashë botën,

Qesha sytë e thava lotët,

Marr në duar e puth tokën.

 

Mua zgjimin ma bën deti,

Unë jam vazhdim amaneti...

 

Ku është e pafund liria?

Ku s’peshohet dashuria?

Ku të flet gjuhën fëmija?

Këtu, në vendet e mia!

 

Që nga Çika në Tomor,

Perënditë i prek me dorë.

 

Ku s’ka të vdekur shqiponja?

Ku s’ka të shterur buronja?

Ku janë vajet, këngët tona?

Këtu, e gjitha është jona!

 

Brenda dheut tim unë jam,

Sa shqiptar dhe europian.

 

O shqiptarë, ngado që jini,

Te NËNA merret bekimi.

Edhe në gjumë ku flini,

Tek ATDHEU të jetë syri.

 

Zogjtë, kur rivjen pranverë,

Kthehen e gjejnë folenë.

 

Kush nuk e pati në zemër?

Kush nuk i foli në emër?

Kush brenda gjakut s’e ndjeu?

MËMËDHEU, MËMËDHEU!

 

 

ATI IM

(Pas vdekjes)

 

Më mungon, o Ati im!

Seç ma pret një cipë syrin,

Ç’më mbështjell një pikëllim,

Si kulpra kur mbulon lisin.

 

Midis lotit dhe selisë

Me ikjen të pamësuar,

Vjen papritur të na bindë

Një tërmet me shpirt në duar.

 

Nëse frymë e gjallësisë

Iku si një ëndërr qorre,

Ti nga bota e përjetësisë

Dërgove shenja hyjnore.

 

Ati im, gjysh i fëmijëve,

Limani i bindjeve tona,

Harku i urës së dashurive,

Na lidh gjakun në kolona!

 

Mbi lëndinë të urtësisë

Mbolle lule harmonie,

Nga një tufë për çdo ditë

Nuk të sjellim, por na bie!

 

Ti punove për të gjallët,

Të përjetshmit i nderove,

Në Parajsë kur ngjite shkallët

Patjetër, s’i numërove!

 

Mos na e ndaj syrin e shpirtit,

Nga ajo botë, atje ku s’vdesin,

Ne këtu si nxënësit, Krishtin,

Të rishfaqesh, prapë të presim!

 

 

RROJMË NË SHPIRTIN E LIRISË

 

Buzëqeshur midis lotit

Vinte shekulli i stuhive,

Natën po gremiste kombi

Hiqte mjegullën prej syve.

 

Ca burra të perëndishëm

Morën fatin, i dhanë dritë,

Me mëndafsh nderi qëndisën,

Mëngjesin e Shqipërisë.

 

Trimat për atdheun ranë,

Ndaj dhe zjarr po lëshon toka,

Gjakun në flamur e kanë,

Shpirtin ua mba shqiponja.

 

Në dyert e kësaj bote

Kishim zë, por s’na dëgjonin,

Ndaj në portat qiellore

Kërkuan takim me Zotin.

 

Dhe nga Zoti vjen profeti,

Plaku me flamur në gji,

Brenda kombit më të vjetër,

Shpalli shtetin më të ri.

 

Ismail Qemal Liria!

Fat i kombit që s’u shua,

Ka njëqind vjet historia

Që mendjen ta kërkon hua.

 

Një shekull me psherëtimë,

Në dilema eksiztence,

Për fqinjët mbollëm dafinë,

Sakrificë mbajtëm për vete.

 

Brenda harkut të lavdisë

Kemi Gjergj dhe Skënderbe,

Rrojmë në shpirtin e lirisë,

Se lirinë kemi atdhe.

 

Ju burrat e këtij kombi,

Dëgjoni zërin e zemrës:

“Nëse Shqipërinë nderoni,

Hallall qumështi i nënës!”.

 

 

BUKURIA T’I MERR SYTË

 

Kur në maja doli Çika

Nga habia zbardhi bora,

Ditën ftonte Gumenica,

Natën po përcillte Vlora.

 

Lumi kish mbetur pa gjumë,

Deti po fërkonte sytë,

Labi kungohej në shtrungë,

Bregasi pagëzon ullinjtë.

 

Çamërinë po çmonte çami,

Myzeqari lante plorin,

Perënditë linin Beratin,

Shkonin të puthnin Tomorin.

 

Qafën zgjat Karaburuni,

Se mos i ikën Sazani,

Mjegullat shkumë sapuni,

Venë e i mbështillen ballit.

 

Nëpër qafa, qethte era,

Qëndiste mbi flamur pishe,

Llogoraja nëpër stera,

Fshihte fishek vetëtime.

 

Ishujt në ujërat e Jonit,

Enden në ëndrrën e dheut,

Qindra vjet ia fshehin Gjonit,

Madhështinë e Skënderbeut.

 

Në liqen qahet Janina

Për pashain e marrosur,

Korfuzin rrëqeth Rugjina

Brenda dheut t’saj varrosur.

 

Nëpër lëngun e legjendës,

Bistrica ngjyrosi syrin,

E gjallë brenda bedenës,

Argjiroja murosi gjirin.

 

Dea nëpër mjegull gjoli,

Mjekon shpresën, jo verbimin,

Deti që dritën i vodhi,

S’do ta bëjë kurrë pendimin.

 

Nëpër gjysmëhark magjie,

Shtatë zëra shtangin globin,

Për një këngë polifonie,

Ngrihet Çika, ulet Zoti.

 

N’ato maja qiellore,

Bukuria t’i merr sytë,

Prandaj Çika u bë qorre,

Qorre është maja në Çikë.

 

 

I VODHA NJË NATË, JETËS

 

I vodha një natë, jetës

Për bela të këtij shpirti,

I thashë: “Zhvishju, të vërtetës,

Të shoh qiririn e gjirit!

 

Të lexoj ato të fshehta

Të hap kodet e misterit!”.

Dhe të vërtetat i gjeta

Vetëm në çelës të ylberit.

 

Shtatë ngjyra, shtatë rrugë,

Shtatë mistere janë brenda,

Udhë e parë të çon në buzë,

Pastaj shkon ku ta ka ënda.

 

Nëpër rërën bregdetare

Mollën e artë kërkoja,

Dhe me shkumën e një vale,

Zuri, po më lagej dora.

 

Deti sikur kishte vdekur,

Apo përgjonte i ngrirë?

Unë me buzën e etur,

Thua lumenjtë kisha pirë?!

 

Atje lulet ziliqare,

Nga marazi, vesë pinin,

Pemët lëviznin në zalle,

Donin të fshihnin burimin.

 

Kur hodhëm duart në qafë,

Shkëmbi lëvizi nga vendi,

Ajo shkau, sipër rashë,

Qielli yjet i hëngri.

Sa e bukur qenka bota,

Në mëndafsh të dashurisë,

Aty s’ka të dhembur koka

Aty gjumi s’t’i merr sytë!

 

Po është çast, e çasti ikën,

Si vegim, a ku di unë,

Pastaj zvarrë e tërheq ditën,

As i zgjuar, as në gjumë!

 

Moj “kusaria” dashuri!

Dil e vidh, mbrëmje më mbrëmje!

Kjo jetë e shkurtër, pa ty,

Do ishte, si ka parmende!

 

Atë natën e harresës,

Qiellin e tërë, gremisa,

Derdha djersë e piva vesë,

Nga dy sumbullat në sisa.

 

 

NË BEKIM TË UJIT

 

Ujërat u bekuan,

Shenjtorët na shohin në sy,

Më qorton flakë e qiririt,

Më sëmbon gulçim i gjirit,

Tek pres pa shpresë ty.

 

Bekimi u bë,

Mëkatet u amnistuan,

Qiriri që ndeza për ty

Ngjan si i penduar.

Po ti, a ndjen gjë?

 

Ronitin njerëzit në çezma,

Të marrin ujin e shpresës,

Kori kishtar drithërohet në mesha,

Përkushtohen priftërinjtë në shërbesa.

Oh, sa shumë doja,

Puthjen tënde ta lëndoja!

 

Ujërat u bekuan,

Unë dhe ti s’u shikuam.

 

 

KAMBANA E DASHURISË

 

Çdo mëngjes e darkë

Bie një kambanë,

Nuk bie për pashkë

As për mëkatarë.

 

S’është kambanë kishe,

As e manastirit,

Ajo është ndryshe,

Bie brenda gjirit.

 

Si detin e lodhur

Më qeton kur bie,

Jetën ma ke ngrohur

Kambanë dashurie!

 

Nëpër kambanore

Zemrash njerëzore,

S’tundej me litarë,

As me gishta dore!

 

Të tund dashuria

Kur marrohet shpirti,

Kjo botë pa tya

Do ish, gjysmë hiçi!

 

Kur ta dëgjoj zërin

Jam i gjithi flakë,

Më rrëmben të tërin

Si Krishtin në Pashkë.

 

Dashuri t’u fala,

I pa zë jam fikur,

Po nuk ra kambana,

Dijeni, kam ikur...

 

 

JEMI LIS, NUK JEMI HIJE

 

Në Prizren foli Abdyli,

Foli me gjuhën e kombit,

Shqipërisë po i vjen ylli,

Natën le ta marrë Stambolli.

 

Lëreni ditën të bjerë

Mbi këto troje Arbërie,

Mos na bëni pjesë-pjesë,

Jemi lis, nuk jemi hije!

 

Doli lumi i kombësisë,

Vilajetet valë-valë,

Hëna e Perandorisë,

Në të shkuar zgjon belanë!

 

Përmbi tretje ekzistence

Fqinjësisë zemrën ia hapi,

Paqe ka kur rron e drejta

Miqësia është ilaçi.

 

Atë që prishi lakmia

E ribën me durim koha,

Një nga një vendet e mia

Po i merr në gji Europa.

 

 

GËRSHETA

 

Me merakun e gërshetit

U ngrita, gjumin e prisha,

Ti me sy thërrmoje qelqin,

Mua më digjej këmisha.

 

Dole për të dehur detin,

Valëvit fustanin mbi valë,

Kur lëshon e lag gërshetin,

Dallgët i bëje me majë.

 

Tundeshe si perëndeshë

Përpjetë brigjeve të Bregut,

Me vetull qëroje retë,

Diellit i hapje shtegun.

 

Porsi hëna, gjurmë s’ke,

Si zëri kalon kaluar,

Kur mendoj, se e imja je,

Më shket si era në duar.

 

Unë për ty detin e thava,

Erën e mbylla në hone,

U hodha, gërshetin kapa,

Ti më the: “Vërtetë fitove!”.

 

 

ISHE KUPË E MIQËSISË

(Xhevahir Rexhepit, ish-prefektit të Vlorës)

 

E kërkoj e s’ta shoh syrin,

Qeshjen tënde ku ta gjej,

O Xhevahir?


Nëpër qiell shëtit shpirtin,

Në këtë botë dot s’ta kthej,

Skam fuqi!

 

Thonë se dhimbja e babait,

Për të birin çan dhe gurin,

E thërrmon.

Pikëllimi i Labërisë

Për prefektin, lot flamuri

Po pikon.

 

Syri yt që hapte motin,

Ku dremit e ku bën gjumin,

Si më s’sheh?

Xhevahir, pse na le lotin,

Që shkon e turbullon lumin

Si rrëke?!

 

Ishe kupë e miqësisë,

Kryedjalë, zemërhapur,

Qelibar,

O mëngjes i thjeshtësisë!

Ëmbëlsinë na ke falur

Atdhetar!

 

Asnjëherë mos mendoni,

Se nuk ka më degë lisi,

S’jeshilon!

Për Rexhepajt të besoni:

“Buronjë burri, gjak flamuri,

Janë gjithmonë!”.

 

Hënë e ngrënë në të shkuar,

Bie çast të dëshpëruar,

Na sëmbon!

Ajo vdekje e mallkuar

Ku kish ndenjur e përgjuar

Vret një engjëllor!

 

Mori Xhevahirin,

Dhe na njomi shpirtin!

 

 

MOJ FODULLJA HIMARJOTE!

 

O ju sy mos u verboni,

Donikë më besoni,

Kur magjeps si panteoni

Donikë, më besoni,

Vërshim amazoni.

 

Si një tramundane u shfaqe,

Donikë, zjarr në paqe,

E bëre detin me harqe.

Donikë, zjarr në paqe,

Mars me manushaqe.

 

Me vetull syrin lëndove,

Dona gjëmim bore,

Me gërshetë gjirin qëllove.

Dona gjëmim bore

Malet i mbulove.

 

Nuk je qiell i qëruar,

Dona shpirt lëshuar,

Engjëll i pamëkatuar.

Dona shpirt lëshuar,

Puthje e pambaruar.

 

Moj fodullja himarjote,

Donikë besa jote,

Pse i harron ato mote?

Donikë besa jote,

Eja, ktheu sonte!

 

Hape gjirin të shpëtojmë,

Donikë mjekomë,

Rruzullin ta rrotullojmë!

Donikë mjekomë,

Me gjire mbulomë!

 

 

SHIRAT E VJESHTËS

 

Me alarm grupohen retë

Nën sirena vetëtimash,

Qielli me ngjyrën e vet

Toka po mbarset me shirat.

 

E pa lajm, largohet vapa

Me këmishë e dekolte,

Krahët hap, e i zgjat nata,

Nata s’ka ç’bën, lëshon pe.

 

Mua muza po më shfaqet

Me një ëndërrim tundues,

S’mundem që t’i stivoj vargjet

T’i rreshtoj mendimet s’mundem!

 

Prandaj shkoj pas një rrëkeje,

Tek ty vij dhe ti më pret,

Oh, sa bukur është pranë teje,

Aq sa nuk është e vërtetë!

 

 

TË PLAKEMI, S’MUNDEMI

 

Të plakemi, punon koha,

Ora na largon.

Lisat në brinjë, i godet lloha,

I zhvesh e i rreh dimri,

Pranvera i zbukuron.

 

Ne brenda teshave firohemi,

Në rrudha depozitojmë bukurinë,

Ngjyrën e vendit vjedh fytyra,

Në grindje, pa shkak ankohemi

Si dhelpra rrushin aguridhe,

E quajmë rininë.

 

Të plakemi, punon koha,

Ora na largon.

Por humnera e brezave

Që goditi vendin tim,

Në vend qëndron.

 

Pas nesh, fije brezash,

Por shtresë nuk ka,

U shkërmoqen drejt të panjohurës...

 

Se adhuruar

As u sosën, as u kthyen

Gjer në palcë, u gënjyen.

 

“S’mund të plakeni! - thotë koha,

Rrini aty! Më duheni!”.

Ne s’kuptojmë ç’bëjmë,

Të rinohemi, s’mundemi!

Si lisat tundemi

Gjysmëzhveshur, gjysmëzbukuruar,

Të shkëmbtë e të hutuar,

Rrudhën e shekullit tendosim!

 

 

PËRMBI KRESHTAT E INATIT

 

Malet i kërcënon bora.

Koha u ligështua.

Ti u ngurose në pantallona.

Syri si moti,

Moti si loti

Derdhen mbi mua!

 

Mos u ngri nga akulli i inatit!

Në lot dëshpërimi, mos shkrij!

Eja të shkojmë te limani

Të hipim tek Jahti të dy...

 

Në ujërat e ngrohta mesdhetare:

Ja dehu,

Ja bindu, për fare!

 

 

THINJA NË FAVORITE

 

Ti krejt papritur m’u shfaqe,

Moj thinjë e bardhë në favorite!

Si shami e bardhë që kërkon paqe,

Pa zhurmë mbi flokë zbrite.

 

Para pasqyrës më hutove,

Sikur më the: “Ja, erdhi vjeshta,

Ti vërtet mua s’më ftove,

Por dhe pa ftesë unë erdha!”.

 

Ç’të bëjë me thinjën në favorite,

Si shpejt më erdhi, pa lajmëruar?!

Njëri mendim më thotë: “Hiqe!”,

Tjetri: “Mos e prek me duar!”.

 

“Je ende i ri, - më thotë e shkuara,

- Lastar në trung të pemës,

Jeto të ëndërruarat,

Gjithë bukuritë e jetës!”

 

 

“Po bëhesh gjysh, - heshtoi heshtja,

- Sapo ti shkele mbi pesëdhjetë,

Qoftë e qetë, pa stuhi vjeshta,

Se pas asaj dimri të pret”.

 

Po ç’pate moj, që më trazove,

Si detin me tallaze?

Mes favorites erdhe, qëndrove,

Ti thinja tërë naze!

 

Nuk të qortoj me thikë të syve,

Tej vetullës në qoshe,

Por të uroj, atje ku mbive,

Mos u bëfsh kurrë me shoqe!

 

 

GJOLEKË LIRIA

 

Kush mbi borë e ndezi zjarrin?

Kush nga vdekja kombin ngjalli?

Qe një Zot, me zemër labi,

Fliste me gjuhë jatagani!

 

Zot i vendeve të mia

Doli Gjolekë Labëria.

 

Doli kundruall dovletit,

Për në Lumë e ktheu detin,

Ngriti gjithë vilajetin,

Bregun edhe Kurveleshin.

 

Lebërit dhe himarjotë,

Kanë një gjak e një kokë.

 

 

Shpata, që shekullin preu,

I tha Shqipërisë “ngrehu”!

Lëre gjumin ta marrë dheu,

Erën e lirisë shpërtheu!

 

Ndaj janë majat kryelarta

Se i ka nderuar shpata.

 

Në malet e Labërisë,

Kush ka lindë e është rritë,

Dhe miku që vjen vizitë,

Bëhet Hero i Lirisë!

 

Në këto vende të rënda,

Lirisë kurrë s’i pushon zemra.

 

O ju bijtë e Shqipërisë,

Nga Kuçi ku lindi trimi,

Merrni “dheun e lirisë”,

Hajmali në gjoks ta vini!

 

 

MË LË PA GJUMË

 

Qysh atë ditë, faqeparruar,

E rimbledh kohën në inventar,

Ti mbi egoizëm kalon kaluar,

Unë shtirem më shumë se krenar.

 

Jam në dilemën hamletiane,

Të të afroj, të të largoj,

Nuk i del fundi kësaj ane,

Nga ana tjetër, më kot kërkoj.

 

Ekografia e zemrës time

E zbehtë është nga ndjenjë e lartë,

Ti me shikim i shter burimet

Do të më duhet të bëj by-pass.

 

Nisej për lindje, shkon perëndimit,

E shtyn me dhembje, ç’ka do më shumë,

Dhe nëpër sy, lot i pendimit

Të lë pa gjumë, më lë pa gjumë...

 

Unë e harkoj vetë burrërinë,

Dhe krenarinë në det fundos,

I falem si foshnjë dashurisë,

Të vij tek ty, zemra vendos.

 

Ende shijoj atë ç’kam dashur,

Megjithëse jam me buzë të plasur.

 

 

HIMARË, O LULJA HIMARË

 

Himarë, o lulja Himarë,

O guri që ndez sevdanë,

Të ranë supet, t’u vranë,

T’u ndanë lulet, t’u thanë!

 

Trungu s’ka lastar e dega,

Nga zgjoi ka ikur bleta,

E pagojë është e vërteta,

Me pleq e plaka rron jeta!

 

Po djepin kush ma shteroi?

Dallga detin e kaloi,

Loti-syrin e mohoi,

Hiri-zjarrin e harroi!

 

Do dal te porta në shkallë,

Bota zërin të ma marrë,

Kthehuni bij në Himarë,

Jo të shuar, por të gjallë!

 

 

LUFTA E VLORËS

 

Luftë e Parë Botërore,

Bajoneta dhe llogore.

 

Kur Vlora luftën vulosi,

Bota paqen e vendosi.

 

Pastron lakminë Italia,

E sheh yllin Shqipëria.

 

Ngrihet i gjallë amaneti,

Bëhet më i gjerë se deti.

 

E merr shqiponjën në dorë,

Rron mbi malet me dëshmorë.

 

Dhe në qiell të saj ngrihet,

Në folenë e saj i flihet.

UNAZA

 

E arta unazë

Me përqafimin e gishtit harrohet,

Drejt përjetësisë,

Që kur femra s’quhet më vajzë,

Por grua kurorëzohet

Në detyrën e historisë.

 

Unaza e kurorës

Në gishtin e burrit

Feks si mermeri,

Pëllëmbë e dorës,

E ashpër si guri

Në nurin e arit

Si kreshta nën hark ylberi.

 

O shpirtlidhje martesore!

Në dy gjysma harqe unaze,

Qielli paqen qetëson.

Perënditë shëmbëlltyrën,

Vullneti veten forcon,

Besnikëria lan fytyrën.

 

Mbajeni të artë unazën,

Ju çifti i harqeve!

Nga ndryshku i viteve

Rrudhet rinia

E tret si mjegulla borën

Veç pabesia!

 

Ndaj në u prefshin gishtat e dorës,

Unazën në zemër e vini,

Se mbi altarin e kurorës,

Do ëngjëllohet bekimi!

 

 

DHEU IM


Të pranoj, të punoj, të gëzoj,

Të kërkoj, të lakmoj, të pushtoj,

Dhe ti urtë më afron, më jeton,

E kur lodhem, dua gjumë, më mbulon.

 

Ti je At, ti je Mëmë, gjithçka!

Ti je fat, na ke rënë, kjo u tha.

Na mban lart, s’kemi rrënjë, as dhe krah,

S’kthehemi prapë, nuk na lënë, vizë s’ka!

 

Sa shumë djersë njerëzore ka kulluar,

Aq sa ahe shpirtërore kanë rënkuar,

Nëpër zënka djallëzore të ngatërruar,

Gjak e luftëra botërore ka kërkuar.

 

Oh, sa troje, territore kemi dashur,

Jemi kthyer përmendore, buzëplasur!

Si qiri në lakmi, jemi falur,

Kurrë nga ty, përjetësi s’kemi marrë!

 

Ç’ka ky diell, syzbërthyer, ta kërkojmë,

Nëpër qiell krahëthyer, fluturojmë!

S’jemi zotër, por te Zoti të tentojmë,

Brenda botës, pika loti, të shterojmë!

 

Ti je At, ti je Mëmë, ti o Dhe,

Shpresëtharë, dritëzënë, vijmë atje!

Te liritë, gjithë fuqitë, derdhim ne,

Kjo copë ditë, shkon nga sytë, s’e vëmë re!

 

 

KTHEHU PRAPË TE ZJARRI

 

Natë e ëmbëlsuar,

O miq, s’më zë gjumi!

Fryn kjo erë, vjen trazuar

Mendjen larg ma shpuri!

 

Ç’të kujtoj më parë?

Hajde djalëri!

Dilte hëna për të parë

Na kishte zili!

 

Ç’thoshe me atë gojë,

Zemra ty ta thosh,

Hënë e yje perëndojnë,

Mos më tradhtosh!

 

Bëje be, rrufe,

Digjeshe n’hapsane,

Më harron, a ç’merak ke?

Bota zjarr ka marrë,

Dil dhe më kujto,

Si lulja beharin,

Thuaj dhe një herë “Po”,

Mos më digj të gjallin!

 

 

NGA HËNA DO MARRIM HUA

 

Mike, nata do na dalë,

Zemra valë të na marrë,

Të qërojmë rrudhat mbi ballë,

Dhe botën në pjesë ta ndajmë?

 

Mike, do na dalë nata,

Të shtrojmë flokët e gjata,

Të puthim buzët e mjalta,

Të ndukim gjiret e larta?

 

Në mos daltë, mike ç’thua,

Nga hëna do marrim hua!

 

 

SHËRO PLAGËN E TË GJALLIT

 

Pse ma nduk zemrën e gjirit,

Si Nili fushës Misirit?

Në të tretur të prillit,

Rëndon vetullën e syrit.

 

Mos u lig, moj gjeraqinë,

Mërgoje farmak mërzinë,

Se vitet, në vend nuk rrinë,

Se zjarri ta bën hi gjinë!

 

Dil në Qafën e Pazarit,

Siç del vetëtima malit,

Burgose brengën e mallit,

Shëro plagën e të gjallit!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora