E premte, 04.10.2024, 04:11 PM (GMT+1)

Përjetësi » Lushaj

Zeqir Lushaj: Njeriu dhe Religjioni

E diele, 19.08.2012, 04:06 PM


Njeriu dhe Religjioni

Hyrje për ketë botim: -Një copë bukë udhëtarit…, sa të tridhjet ditët e Ramazanit-

Nga:  Zeqir Lushaj

 

Gështenja një simbol i fshatit tim

A.

Isha në klasën e katërt fillore, pra, rreth 10-vjeçar. Nën hijen e Blinit, po pushonin katër burra të cilët kishin mbështetur ngarkesat e shpindës në rrënjët e dala të Blinit të vjetër e po bisedonin.

Njeri nga ata mu drejtue:- A mos je i Sadikut, more djalë?

-Po, -ju përgjigja unë,

-A asht Sadiku tu shtëpia,-vazhdoi ai?

-Tu shtëpia asht, po ban muhabet me një kumar, me Zef Shpendin e Cerrrnicës, -sqarova unë.

-Ndigjom këtu,-mu drejtua i njejti person përsëri: -Shko te shtëpia e thuej Sadikut, katër udhtarë prej Nikajve kanë mbet pa bukë dhe sonte duhet ta kalojne qafën e Kolçit. Po të qëlloi, qitna nga një copë bukë, me ç’ka të gjindet…E dimë se ju kemi lodhur shumë me fjetje e me lypje tu Blini i Grisë , por nuk kemi ku lypim tjetër…!

Shkova me vrap tu baba që ishte në hije të rrushit me kumaren Zef, dhe ia thash fjalë për fjalë bisedën e mësipërme. Babai nuk foli gjë, por menjëherë i thirrri nanës:

-Grue! Preje një gjysë buke, një copë djath e pak turshi, mbeshtilli në një gazetë e jepja djalit për do udhtarë që po presin te Blini.

…Ua çova me vrap ata bukë, dhe po me vrap, ata të katërt e ndanë në racjone bukën, djathin e turshinë, e moren në dorë dhe u çuan me nxitim për rrugën e gjatë. Lan mbrapa urimin:

-Zoti jau falët e kurr mos e deshirofshi!

…!

-A thue kush kenë ata, -pyeti  ngadalë kumara Zef? Ç’ka po të duhet more Zef. Udhtarë mbas një cope bukë, ashtu si edhe ne të tjerët.

-Heeee, more Sadik Selmani, -foli duke shmuar Zef Shpendi:

-Ti je besmtar  dhe e mban Ramazanin, veç ndiejma një fjalë: -”sa me të tridhjet ditët e Ramazanit, ke ba sevap te Zoti, me atë kafshatë bukë…”, dhe e pashë që iu mbeshtollën sytë me lot.

Shtëpia në Kodër (Foto Kolë Progni, 1974)

Prof Kolë Tahiri, Bruksel: -Kjo kullë duhej të ishte shpallur Muzeu i Mikpritjes së Malsisë së Gjakovës.

B.

Im at’ e ka mbajtur Ramazanin me fanatizem dhe e ka lenë atë, vetëm në vitin 1967, kur me dhunë e hoqi fjalimi i Enver Hoxhes për zakonet prapanike. Ama, kurr në familjen tonë, babai nuk e fillonte bukën, as e ngrente gotën e rakisë kur kishim mysafir kotolik, pa thirrë: -Koftë i lëvdue Krishti, gjithmonë e jetë!

At’herë musafirët e besimit kotolik, (thuajse të përnatshëm), ndiheshin më të çliruar, e preknin qoshen e sofrës me gishtat e të dy duarve dhe bënin Kryqin. Ndonjë nga mysafirët, kishte një copë bukë në trastë me vete dhe e afronte atë në sofër, por babai im i thoshte:

Vare trasten atje ku ishte. Sonte je në buken time o mik. Ruaje bukën tende se të duhet në rrugën e gjatë…

C.

–O bir! Fetë jane parti politike. Kotolik e mysliman jemi një, jemi shqiptar, jemi vellezër. Me Nikaj jemi të ndarë prej njaj zjëmi. Jemi kusherinj…Ne i përkasim besimit mysliman, por kurrsesi nuk jemi turq. Fe ka shumë por Zot vetëm Një. Edhe kombe ka shumë por shqiptar, vetem Një. E pra, ne jemi veç shqiptarë.

…Hajt djali jëm. Dhe kujdes: -Duhet me i ditë mirë këto gjana. Përçarja fetare sjell veç shkatërrim…

…Në këtë mjedis jam rritur unë, lexuesi im i dashur. Ndaj perleshjet ndërfetare, të ringjallura keqas në këto kohë të lirisë pluraliste, tek unë kan efektin  “nul”, vetem të fishekut manovër. Unë e di mirë, kush jam e nga vi. Ata që nuk e dijnë, le ta mësojnë.

( Fragmente nga  libri -në projekt- “Me Sadik Selmanin”, që autori e ka në dorë).

---------------------

 

ZOTI NUK IDHNOHET…

 

…Edhe i krishter,

Përpara serbëve jam!

------------------------

-Cikël me 12 vjersha, me subjekt nga besimi fetar-

 

1. IZMAT …!

- I pyes bashkëfshatarët e mi, në Gri të Tropojës-

 

Iku, kristjanizmi,

Një pus, për të vaditur arat,

U hap, në themelet e kishës së Grisë!

 

Iku, muslimanizmi,

Një shkollë, për fëmijtë,

U ngrit, në rrënojat e xhamisë!

 

Iku, dervishizmi,

Tranazh ushtarak,

Në teqen e Sheh Ademit!

 

Iku, komunizmi,

Një kafe u çel,

Në vend të lavatriçes së zhavorrit.

 

Izma, izma, izma…,

Të gjitha,

Rrënoja mbi tokën e Grisë!

 

Hëëë, si thoni ju;

– T’i besojmë, apo jo,

Perëndisë?!

./.

Gri, 1992

 

2. NË EMËR TË JETËS E TË LIRISË

 

Në emër të jetës,

Katragjyshi im i mirë,

E fshehu kryqin,

U shkrua musliman.

 

Sot, mua po më thonë;

-Je një turk-shejtan!

 

Për të qenë i lirë,

Gjyshi im,

U ngjit lart, në bjeshkë,

Jetoi në shpella!

 

Dhe, mua, tani,

Po më quajnë:

– Shpellar!

 

Në emër të lirisë,

Babai im,

Nga malet nuk u shkul,

Atje, e kam një shtëpi, edhe sot.

 

Ndaj, po më thonë:

– Je malok!

 

Në emër të jetës e të lirisë,

Vet, – unë, dje,

Isha gati, të ha edhe bar!

(Kaq shumë, u bëra idealist!)

 

Prap, po më shajnë:

– Je komunist!

 

Në emër të lirisë,

(Ju betohem!),

Punova gjithë jetën,

Siç punon kau në ugar.

 

Ata që nuk e dinë:

– Ç’është jeta dhe liria? (!!),

Vazhdojnë, ta fyejnë shpirtin tim:

– Turk…Komunist…Malok…Shpellar!!!

./.

Tiranë, 1993

 

3. OFISI I ZOTIT

 

– Gjithnjë, nëse ka Zot. –

 

Nëse, dikur,

Ka pas Zot,

Mbi këtë tokë.

Edhe, nëse,

Sot, ka ??!

 

Ose, Ose…!

Nëse, një ditë,

Këtu,

Zot, do të këtë!!

 

Në malin e Tomorrit të Beratit,

Ofisi i Tij, 1)

Ka qenë e do të jetë!

 

1.Ofis - Zyrë pune !

 

4. ZOTI NUK IDHNOHET…

 

Se si është kjo punë,

(Ndershmërisht, )

Ju them, o lexuesit e mi:

-…Nuk e di !!

 

Gjithë ditën.

E gjuej me gur Zotin,

Dhe prap kam fytyrë,

…T’i lutem Atij!!

 

Asnjë,

Nga akuzat e mia,

Nuk ndryshohet!

 

Por…,

Zoti asht burr i mirë:

– Zoti, nuk idhnohet!

 

 

5. BESOJE PËRTEJVARRIN

- Jeta është në rrënjë, nëntokë… -

 

Preje…, digje…,

Tërë pyllin.

Kosite barin…, në zero,

Rrafsh me tokën…

Bëje, tym!

 

Nuk ke bërë gjë tjetër,

Vetëm, një shartim!

 

Rrënja-Jetë,

Po të dalë në dritë,

Sfidohet, si ëndrra,

Kur i çel sytë!

Edhe ne‘, gjallesat,

Që lëvizin në këtë botë,

Atje, e kemi shpirtin,

Tek Rrënja-Nëntokë!

 

Vdekja, s’është e tmerrshme,

(Tmerr është, të mos kesh jetuar !),

Ajo, është thjeshtë, një kapërcim!

 

Besoje-Rrënjën,

Përtejvarrin,

Që të vdesësh,

Trim!!

-------------

 

6. VDEKJA E VARREVE

 

Katragjyshi im, Lush Maka,

Pati fatin e kohës,

Ju rrënue varri,

Bashkë me Kishën

Kishën e famshme të Grisë.

 

Brezat pasardhës,

Matoshi, Hasani,

Dhe, gjyshi Selmani,

U varrosën në Kodër të Bokes,

10 minuta – larg shtëpisë.

 

Babai im, Sadiki,

Me të tre vëllezërit e Tij,

Më afër i deshën varret,

Sipër Arës së Madhe,

Nën hijen e të motshmit Bli.

 

Tri vendvarrime:

Te Kisha,

Në Kodër të Bokës,

Dhe, nën Bli,

 

Vendvarrime shekullore,

Por, sot…!

Varre, pa shtëpi!

 

Varret kallxojnë,

Ku i kemi të parët,

Kur mbyllet shtëpia,

Kan’ vdekë dhe varret!!

-------------

 

Blini i Ri po rritet

 

 

7.  KËTU, I KAM TË GJITHA NDJESITË

 

-Monolog, nën hijen e Blinit-

 

Këtu, ndjehem mirë,

(Edhe kur jam keq),

Siç ndjehet, vet Blini,

Mes lendinës-serbes.

…!

Këtu, baj kryq, te Kisha,

Falem, dhe si musliman,

Këtu jam kamikaz (!),

Ateist … a protestan.

 

Këtu jam një çoban,

(Nuk ndjehem keq),

Zanati i fëmijërisë,

Përmallshëm, si meleq.

 

Ndjehem burrë i mirë,

(Si poet, jam ma i keqi),

Të huajve ju baj nderin,

Timin s’e përqeshi.

 

I kam gjithë ndjesitë,

Ç’ka janë rreth Botës,

Këtu, jam trim-kapedan,

Dhe-jo, servil i Europës.

 

Këtu jam tropojani,

Plot me dinjitet,

S’i baj dredha plumbit,

Jetoj…, si të dua vet.

…!

Këtu ndjehem mirë,

(Edhe kur jam keq)

Siç ndjehet vet Blini,

Mes lendinës-serbes.

./.

 

8.  000, NJERI !

 

Mos e kërko Zotin në qiell,

Mos e kërko,

Në kishë, as xhami!

 

Ai,

(Në qoftëse është)

Është,

Veç në zemrën tënde.

 

Të lutem, më beso,

– Ooo Njeri!!

-------

 

9. MRIZI I BURRAVE

 

-Për krejt ata që nuk e dijnë-

 

…!

Asht,

Midis Krasniqes.

 

Mes Qafë-Agri,

E Qafë-Morinë.

 

…!

Zoti,

E fali ndërmjet,

 

Që ta ruaj,

Pa-anësinë.

 

(Aty, jam katalik,

Aty, jam musliman,

Shkodër e Gjakovë,

Motra-binjake, i kam).

…!

-----------

10. DEMOKRACI, FIKS!

 

-Intervistë me një turkeshë, (pas 11 shtatorit 2001), në USA-

 

…!!

-Nga Stambolli , -më tha,

Kur e pyeta; -Kah je’?

 

…!

-Si e kie emrin?

-Hatixhe’!

 

…!

-…E ç’farë “feje” ? (!),

-…Ka-to-lik…!

 

…!!!

Ja luajta synin:

-Demokraci…, fiks!

./.

 

11. PA ASNJË DYSHIM

- Ose adresat e mia-

 

-Ta marrin, kush ta marrin -

(Shprehje e, Agë Imer Grisë)

 

Lind e rritë, tu

Kisha e Grisë, në Tropojë.

 

Verës, në plazh,

Në malin e Shën-Gjinit.

 

Rezidencën e kam në Tiranë,

Në kodrën Shën-Pjetër.

 

Vend-banimet e mia!

…A doni gja tjetër?

 

…!!

Nuk jam turk (!),

I ardhur në këtë vend,

As, nuk jam,

Pushtues musliman!

 

Pooor!,

Nëse doni të kapeni tek Feja (!),

 

Edhe i krishter,

Përpara serbëve jam!

./.

 

12. MOS MË SHIKONI ME INAT!

 

Jam njeri laik,

Nuk jam besimtar!

Mos më shikoni me inat!

 

Feja,

Me gjithë krijesat e saj,

Është thjeshtë, imagjinatë!

 

Kujt t’i besoj ?

Kriminelit terrorist?

Atij, që,

Në dhe’ të zi,

Përgjithmonë, do m’i mbyll sytë??

 

Jo, jo, jo!

Nuk i besoj asnjë ditë!

 

* * *

Nuk kam asnjë mëdyshe,

(Po të kishte ZOT),

Kjo Botë, do ishte:

– Krejt Ndryshe!

 

Dua t’i besoj,

Vetvetes…, vetvetes,

Sa më shumë!

 

Pamvarësia fetare

(dhe politike),

është liri.

 

Rroftë liria!

Dhe fund.

---------

(Ekskluzivisht për ZemraShqiptare, nga NJ, USA, gusht, 2012)



(Vota: 103 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora