E marte, 30.04.2024, 09:11 PM (GMT+1)

Editorial

Valon Kurtishi: Humbje e pazëvendësueshme për kombin

E premte, 17.08.2012, 07:07 PM


Humbje e pazëvendësueshme për kombin

Në kujtim të Arbën Xhaferrit

Nga Valon Kurtishi

Kombet pa marrë parasysh që potencën e tyre reale e bazojnë në disa tregues të pranuar gjerësisht ku më kryesori meret ai demografik apo numri i popullsisë, gjithmonë kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë nevojë për elita të mirëfillta mendore që zbardhin ekuacione historike dhe prijnë rrugën drejt një të ardhme më të mirë nacionale. Në fakt, ekzistenca e kësaj elite mendore detyrimisht pakicë në proporcion me masën, është conditio sine qua non për zhvillimin e papenguar, normal drejt shoqërisë funksionale demokratike dhe mirëqenies sociale të çdo grupi shoqëror. Një qëndrim i këtillë mund të gjykohet si elitist, por duket dhe është i parefuzueshëm. Popujt që për arsye historike apo tjera, janë të ndarë në më shumë njësi politike, popujt që akoma nuk kanë zgjidhur atë më elementaren, sigurinë e tyre fizike dhe mbijetesën e tyre kulturore, kanë dyfish nevojë për figura madhore në gjirin e tyre. Figura në përmasa heronjsh. Shpesh është shkruar e thënë metafora dykuptimëshe, mjerë ata kombe që kanë nevojë për heronj. Heronj të mirëfilltë të betejave ushtarake e politike që shpesh rezikojnë të mbesin të pakuptuar e të rëshqasin në zëra të vetmuar në shkretëtirë. Arbën Xhaferri ishte njëri nga heronjtë, por me një dallim thelbësor: ai i duhej dëshpërimisht kombit të tij kurse apeli i tij nuk mbeti i izoluar në humbëtirë. Ai diti të dalë nga katedrat e ftohta të planifikimit akademik në terenin e nxehtë me plot të papritura të betejave të përditshme politike. Kështu, me maturi, mençuri, intelegjencë, ai u bë kyçi i veprimit nacional në një fazë të rëndësishme, kruciale për ne pas shpërbërjes së Ish Jugosllavisë.

Kontributi i tij i parë dhe madhor ishte modernizimi, ngritja e nivelit, intelektualizimi i politikës shqiptare në Iliridë. Në fakt, ai ishte themelues i ideologjisë nacionale tek shqiptarët e këtushëm. Kërkesat nacionale, deri atëherë disi të pavendosura vëmendshëm, jo të argumentuara sa dhe si duhet para organeve diskriminuese shtetërore dhe miqve ndërkombëtarë, morën me të një dorë disi më të rregullt, më doktrinare, më argumentuese, më bindëse. Interlokutorët e tij ndërkombëtarë e kanë dëshmuar shpeshherë këtë aspekt të aftësive të tij. Më vonë, ai e vendosi doktrinën nacionale nga niveli tashmë i përpunuar akademik në binarët e luftës së ashpër politike me qeverisjen arogante maqedonase. Mbetet çështje debatesh sa u realizua kjo doktrinë në realitetin e hidhur të politikës agresive dhe primitive të shtetit të vogël ballkanik. Megjithatë, duhet thënë që realizimi i ideve të mëdha siç ishin propozimet për marrëveshje historike, varen e kushtëzohen nga më tepër aktorë e faktorë, shpesh dhe kryesisht përtej fuqive të individëve qofshin ata edhe të kalibrit të Arbënit.

Shikuar realisht dhe në instancë të fundit, realizimi i plotë i suksesshëm i projekteve të mëdha nacionale, kërkon mobilizim të përgjithshëm të resurseve të grupit shoqëror. Mbetet përshtypja se niveli i emancipimit të përgjithshëm kulturor, social, të komunitetit tonë në Iliridë në momentin e dhënë historik, nuk ishte i stadit për të materializuar projekte të tilla kapitale si ai i Arbën Xhaferrit.

Nga ana tjetër, aktiviteti i tij kombëtar mbetet i gjerë dhe i shumëllojshëm. Krijues ose konceptues i strategjisë për barazi nacionale mes dy komuniteteve më të mëdha në IRJM, e emërtuar prej tij si “marëveshje historike”, e cila në njëfarë mënyre materializohet në marëveshjen e Ohrit. Kontribut real në marrëveshjen brendashqiptare të  Prizrenit, në faktorizimin e UCK, qëndresë stoike dhe përpjekje serioze për menaxhim të negociatave të rënda plot bizantinizëm maqedonas dhe arogancë ndërkombëtare në Ohër dhe Shkup, kontribut i sinqertë për çështjen çame, përpjekje të pareshtura e të paprera për kauzën e madhe të kombit, Kosovën, që përfshinte një gamë të gjerë veprimesh që nga ndërhyrjet e niveleve të larta qeveritare e ndërkombëtare deri tek organizimet praktike humanitare në teren, dhimbja për shqiptarët në Mal të Zi, Luginë të Preshevës, apo shqetësimi i vazhdueshëm për derdhjen e pandalshme të energjive rinore drejt perëndimit. Dashuri e pamatë, gati fëmijërore e naive bashkë deri në fund të jetës për atdheun e gjithë shqiptarëve – Shqipërinë amë. Një dashuri në fakt primordiale për genin, gens, fisin, gjakun e munguar gjatë nën sundimet e vazhdueshme të tjerëve.

Pos aspektit nacional, një dimension i dytë i kontributit të tij kombëtar ishte ideja europiane, qytetërimi autokton europian, pjesë e të cilit ishte dhe në të cilin besonte thellë me një persistencë të pabesueshme. Shqiptarët për të ishin një komponentë e rëndësishme, ndër krijuesit e këtij civilizimi. Ithtar i paepur i rieuropianizimit kombëtar, i rikthimit në vlerat qytetëruese perëndimore nga cili na ndanë periudhat e gjata të errëta nën sundimet e huaja. Këto sundime i shihte si epoka të pafata që i bllokuan energjitë zhvilluese kombit për kohë të gjatë, me pasoja që i vuajmë sot. Arbën Xhaferri nuk e shihte europianizimin si diçka të ngurtë, statike, apo si një mjet për të aritur tek një anëtarësim i shpejtë apo i pamerituar në BE. Nuk e shihte atë si proces hedonizimi, përfitimesh parazitiste financiare e materializmi çoroditës apo si betejë e politikës ditore, por si një rrugë të rigjenerimit moral, botëkuptimor, një reformë radikale shpirtërore, një pastrim moral dhe rigjenerim të kombit.

Kontributi i vazhdueshëm në drejtim të ngritjes sociale e kulturore të kombit që dha ai, mbetet një trashëgimi e çmueshme për ne. Analist i rregullt e i paanshëm i përditshmërisë së zymtë politike, opinionist, mendimtar që trajtonte guximshëm dhe thellë tema nga filozofia, sociologjia, artet e diciplina tjera shkencore. Si një humanist i vërtetë bazuar në traditën e hershme të humanistëve tanw mesjetarë, kishte interesa të gjera në sferën e arteve kombëtare e botërore si filmit, pikturës, skulpturës, mendimit filozofik, me një njohje të thellë e të admirueshme të rrymave e tendencave historike e moderne në këto arte. Një njohje që të bënte për vete dhe të linte pa fjalë. Thellësia, erudicioni, aftësia argumentuese, qartësia spjeguese e bënë atë një lloj patriarku të shqiptarëve në IRJM, një autoritet të padiskutueshëm moral e intelektual ku grupi, kolektivi, shoqëria, kombi realisht mbështeteshin në kohëra të rënda, në periudha përthyerjesh të mëdha ku vendosen fatet ekzistenciale të tij.

Madhështinë e figurës së tij nuk e zbehu aspak primitivizmi dhe keqorganizimi i bashkëqytetarëve të mi, në fakt i gjithë ne në veprimin e vetëm që as e organizonte dhe as e realizonte dot vetë. Edhe një varim nuk ditëm të organizojmë. Prapambetja, primitivizmi, orientalizmi vrasës që aq shumë u përpoq ta heqë nga ne Arbëni, u pa qartë ditën e përcjelljes për në amshim. Rruga e bllokuar nga pazari oriental me tenda arrixhinjsh në të katër anët në hyrje të varezave, një trafik i bllokuar xhungël e vërtetë afrikane, një polic palaço e i palarë që i vetëm tentonte të disiplinonte atë zallamahi orientale plot pluhur në 40 gradë celziues,  mungesë e paspjegueshme dhe e pafalshme në homazhe dhe në varrim e oponentëve të tij politikë nga Maqedonia në proporcion të drejtë me përpjekjet aspak fisnike për ta politizuar funeralin nga disa bashkëpartiakë të tij të rangjeve më të ulta, janë tipar dallues, shenja të dhimbshme të mungesave qytetëruese tona. Shenja që Arbëni, me atë intelegjencën e tij karakteristike, aftësitë bindëse dhe kulturën humaniste përpiqej ti arsyetonte para miqve europianë me një racionale që i bënte për vete ata.

Me largimin e tij kombi humbi një figurë te madhe. Zbraztira që la pas vetes duket e madhe, e rrezikshme, e pazëvendësueshme. Pasojat që mund të lërë kjo humbje te shqiptarët në Iliridë duken të pariparueshme. Në këto kohëra të rënda dhimbjeje, duhet gjetur rrugë, mënyra, forca që të vazhdohet me ideologjinë nacionale, europiane që e trasoi ai. Ideja shqiptarizuese dhe europianizuese, moderne e progresiste, botëkuptimi nacional e europian, sistemi nacional europian i vlerave që krijoi dhe mbrojti ai,  mbeten trashëgimi kombëtare. Në praktikë, botëkuptimi i tillë mbetet si një testament politik, udhërrëfyes për veprimin e mëtejmë politik të shqiptarëve këtu përtej ngjyrimeve partiake. Vetë ai mbetet i paharueshëm. Mënyra më e mirë për të nderuar këtë figurë të papërsëritshme intelektuale ndër shqiptarë është të vazhdohet pa ekuivoke dhe në vazhdimësi realizimi i idesë nacionale dhe europiane të tij.



(Vota: 20 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora