Sport » Futbolli Shqiptar
Besnik Dizdari: Federatën e Futbollit të Kosovës nuk mund ta ndihmojë BFSSH-ja e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë…
E shtune, 05.04.2008, 11:22 AM
Federatën e Futbollit të Kosovës nuk mund ta ndihmojë BFSSH-ja e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë…
Nga Besnik Dizdari
Besnik Dizdari |
Nëse në këte kontekst kjo është e vërtetë, dhe s’ka arsye të mos jetë, ky është një prej ndereve dhe vlerësimeve më të mëdha që FIFA i ka bërë Federatës Shqiptare të Futbollit qysh kur ajo është bërë anëtare e saj në muajin maj 1932, siç kemi mundur të zbulojmë saktësisht kohët e fundit në hulumtimet tona për librat që shkruajmë. Kjo tregon se FIFA ka besim te Federata Shqiptare e Futbollit, pavarësisht se përveç të tjerave, në këte rast ka pasë ndikim edhe fakti se qoftë Federata e Futbollit të Kosovës, qoftë Federata Shqiptare e Futbollit janë po shqipfolëse si përfaqësuese “të ndryshme” të të njëjtit komb: kombit shqiptar.
Me një fjalë, kësisoji FIFA, krejt papritmas i ka blatuar një autoritet më tepër FSHF-së. Eshtë një ditë e shënuar në historinë e organizmit drejtues të futbollit në Shqipëri, e cila vetëm me rënien e Komunizmit ia ka arritur të përtërijë marrëdhëniet me FIFA-n, sepse para vitit 1991 Federata Shqiptare e Futbollit, si bijë e BFSSH-së së Regjimit, më tepër qe njohur nën emërtimin Sektori i Futbollit në Komitetin e Kulturës Fizike e Sporteve. Dhe, të paktën në Evropë, ka qenë Federata me marrëdhëniet më të zbehta që FIFA mund të ketë pasë ndonjëherë me një Federatë Kombëtare. Madje edhe ato pak marrëdhënie kanë qenë të një karakteri krejt kundërshtues, sepse dihej që FIFA prej Shqipërisë Socialiste paramendohej si një organizatë në duart e borgjezisë botërore, e kësisoji injorohej, e pse jo, edhe sfidohej jo pak prej Federatës së Futbollit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. E mira do të ishte që në një shkrim të historisë së gjeopolitikës sportive shqiptare, t’i shpalosnim këto marrëdhënie për t’iu kujtuar sidomos atyre që kanë marrë hov, e kujtojnë se kemi harruar, se çka ka ndodhë. Besoj se nuk do të vonojmë edhe për këte shpalosje…
1.
Tash, e para e punës mendojmë se është kjo: që Federata Shqiptare e Futbollit të mos e nëpërkëmbë këte besueshmëri që i ka blatuar krejt papritmas FIFA. E themi këte, sepse t’i dërgosh Federatës së Futbollit të Kosovës si të deleguar për zgjedhjet e saj historike një ditë para shpalljes së Pavarësisë, lidershipin e BFSSH-së të viteve ’80 të Shqipërisë komuniste, kohë kur përveç të tjerave, kampet e përqëndrimeve të Shqipërisë mbanin të internuar kushedi sa kosovarë të arratisur prej Jugosllavisë për t’i shpëtuar një shtypjeje, asesi nuk shkon. Nuk shkon sepse BFSSH-ja kurrnjiherë nuk e ka ditur se çka janë zgjedhjet për çdo Federatë Sportive Shqiptare, e pra funksionarët e saj nuk kanë asnjë përvojë zgjedhjesh demokratike, por vetëm përvojë zgjedhjesh diktatoriale. Autori i këtyre rradhëve, gjithashtu një “i zgjedhur” në vitet ‘80 në forumet e BFSSH-së, madje deri president i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, e di fort mirë, ashtu si dhe gjithë “të zgjedhurit” e asaj kohe, se ato nuk kanë qenë zgjedhje, por miratim me urdhër të listave që vinin nga Partia. Kështu që nuk mund të ndihmohet Kosova me listabërësit e pseudozgjedhjeve të kohës së Partisë. Kisha me thane se përfaqësimi që paraqiti FSHF në zgjedhjet e futbollit në Prishtinë, është një fyerje për Kosovën sportive, çka Federata Shqiptare e Futbollit kurrsesi nuk duhej ta kishte lejuar. Kujtojmë ndërkaq, se kryetari i BFSSH të atyre kohëve, nuk ishte një emërtim apo post sportiv, por politik. E mbani mend që kryetari i fundit i BFSSH qe një anëtar i Komitetit Qendror të PPSH, ndërsa parardhësi i tij erdhi prej instancave të larta të Ministrisë së Punëve të Brëndshme të Sigurimit të Shtetit!
Jemi të bindur që nëse do të informohet FIFA (siç e informon me të drejtë rregullisht FSHF-ja për ndërhyrjet politike, siç i përcakton ajo shpesh ato, që ia bën asaj qeveria shqiptare) se kë ka dërguar në Kosovë për të vëzhguar apo ndihmuar në zgjedhjet e Federatës së Futbollit të Kosovës, do të tronditej. Madje që prej presidentit Joseph Blatter e deri te presidenti në FIFA për Federatat Kombëtare, Viaceslav Koloskov; apo deri edhe te tutori i famshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, zëvendëspresidenti i UEFA-s, Enes Erzik, i cili e ka bërë Shqipërinë si shtëpinë e vet.
Ndërkaq, duke iu kthyer mjedisit shqiptar, askush nuk është kaq naiv sa të mos e kuptojë se sot në të gjitha fushat e jetës shqiptare, një tufë njerëzish të Regjimit të strukur keqas në vitin 1991-1992 apo dhe më mbas, sapo kuptuan zemërgjërsinë e Demokracisë kanë nxjerrë gjoksin e kanë pushtuar presidiumet, tribunat, forumet, komisionet, komitetet ekzekutive të Federatave Sportive, kryesitë. Kujtojnë se mori fund kujtesa. Janë dritshkurtër përveç të tjerave, dhe me këte ambicje absurde ata kërcënojnë mu funksionimin e demokracisë dhe më e pakta nxehin gjakrat e qindra e qindra të përndjekurve, teksa i shohin që mbushin ekranet e televizioneve. Dhe nuk është fjala vetëm për ata vetë, por jopak edhe për mbështetësit e tyre.
Kësisoji, BFSSH-ja e cila marrëdhëniet me FIFA-n i ka pasë në nivelin zero dhe së cilës i kalonte koha shko e eja në Ministrinë e Punëve të Brëndshme (jo të Mbrendshme) për të ndaluar sportistët me biografi jo “të mirë” që të mos përfaqësonin Shqipërinë, nuk mund kurrsesi të ndihmojë zgjedhjet e Federatës së Futbollit të Kosovës.
BFSSH-ja apo stili i saj, që për fat të keq ende çon krye në mendësitë e forumeve tona sportive apo të futbollit, nuk mundet të guxojë e të japë mend sidomos në Kosovë. Dhe jo vetëm për shkak se fyen bashkësinë sportive të Kosovës, me praninë atje. Por sidomos edhe pse dihet bukur mirë që edhe ndonëse ka qenë titiste, organizata sportive e Jugosllavisë gjithmonë ka qenë në marrëdhënie shumë më të forta me FIFA-n se sa Shqipëria e BFSSH-së. Çka do të thotë se njerëzit e vjetër të futbollit të Kosovës, këto punë i dinë më mirë se shqiptarët e BFSSH-së.
Nuk duket se ka njerëz në Federatën Shqiptare të Futbollit që ta njohin zhvillimin historik dhe gjeopolitik të futbollit të Kosovë nën Jugosllavi. Dukuritë dhe qëndrimet e sotme të tyre provojnë se ata nuk e dijnë përshembull, se Kosova ka pasë të sajin deri dhe presidentin e drejtimit të sporteve në Jugosllavi. Ka qenë Daut Jashanica, kryetari i Lidhjes së Kulturës Fizike të Jugosllavisë (për t’ia kuptuar barasvlerën nënkupto: “kryetar i Komitetit Shtetëror të Kulturës Fizike e Sporteve”), i cili madje qe edhe në drejtim të delegacionit jugosllav në Lojërat Olimpike të Los Anxhelosit më 1984. Ndërsa përsa i përket futbollit, iu kujtojmë të paditurve të Tiranës se Kosova ka patur të sajin deri zëvendëspresidentin e Federatës Jugosllave të Futbollit, të mirënjohurin Gani Ajeti, përveç të tjerave edhe gazetar i shquar, sot mbajtës i Çmimit tonë “Anton Mazreku” në gazetarinë sportive. Por i cili qe edhe anëtar Komitetit Organizator të Kampionatit t Botëror 1974 si dhe anëtar i Komisionit të UEFA-s për të Rinjtë qysh më 1972, kur Shqipëria me BFSSH-në e saj i kishte shpallë luftë UEFA-s me bojkotimet e saj kulmore veçan ato të 1971 e deri përmbi një dekadë, për të mbërritur mandej në vitet ’80 me mospranimet e bujshme politike të izolimit shembullor të disa edicioneve të Kupave të Evropës e të Botës dhe po aq edhe të tureve të Kupave të Evropës.
E pra, çka mundet t’iu mësojë lidershipi i BFSSH zgjedhjeve të Federatës së Futbollit të Kosovës kur aty ka personazhe më të dorës së parë të një përvoje edhe më evropiane për kësi punësh?
Kemi përshtypjen ndërkaq, se ka një dukuri te disa shqiptarë disi të fryrë prej një “prokosovarizmi” që nuk e kanë pasë kurr, madje e nënqeshnin disi, qysh vite të shkueme kur shumë prej nesh flisnin me pasion për punët e shqiptarëve kosovarë, e kësisoji s’dihet përse sot marrin pozën e mësuesit për Kosovën. Janë prej atyre që kujtojnë se ne këndej dijmë gjithmonë më fort, sidomos në punë gjuhe apo letërsie, arti e sporti. Duke harruar ndërkohë, si përshembull në fushën e sportit dhe të futbollit, se dy futbollistët e parë që kanë arritur famë botërore janë mu dy shqiptarë të Kosovës, Naim Kryeziu i Romës– kampion i Italisë dhe Riza Lushta i Juventusit- fitues i Kupës së Italisë, madje deri nën fanelën e Kombëtares së Italisë. Dhe se ditën e themelimit të Kombëtares së Shqipërisë më 12 mars 1936, në 11-shin e saj themelues qenë tre shqiptarë të Kosovës: Lushta, Kryeziu dhe Xërxa.
Duke harruar po kaq se shqiptarët e parë në historinë e kombit tonë të cilët janë ngjitur në podiume botërore e olimpike, nuk janë shqiptarë të Shqipërisë, por shqiptarë të Kosovës e të Maqedonisë, yjet të sportit botëror, kampionë e medalistë të olimpiadave dhe deri kampionë e nënkampionë të botës, të tillë si Shaban Sejdiu, Shaban Tërstena, Azis Salihu apo Mehmet Bogujevci.
Besojmë ndërkaq, se njerëz të Federatës Shqiptare të Futbollit duhet ta dijnë se çka ka qenë Prishtina e shqiptarëve të Kosovës në Kampionatet e Jugosllavisë në vitet ’80. Ka qenë Prishtina që fitonte rradhazi: 3-2 e 2-1 kundër Crvena Zvezdës së Beogradit, 1-0 Hajdukut të Splitit, 3-2 e 2-0 Dinamos së Zagrebit, 2-1 Partizanit të Beogradit sa për të përmendur perlat e futbollit të shqiptarëve të Prishtinës së Kosovës që tronditën Jugosllavinë e futbollit, e që dihej, ishte ndër më të fuqishmet në Evropë. Dhe jo vetëm të futbollit, sepse ajo Prishtinë e paharrueshme e viteve ’80, po aq sa qe futboll, po aq qe dhe shpërthim shpirtëror lirie. Emrat janë të një panteoni: Vokrri, Rugova, vëllezërit Muriqi, Cana, Krasniqi, Cimili, F.Domi, Rama, Sinani, Tortoshi, Nexhipi, Tovërlani, Abrashi, S.Këlmendi, Shengyli, Prekazi, Morina, Shala, Paçarada, Gjinali… Pa marrë përsipër se diku të mos kemi gabuar…
E, atëherë, si mundet që kërkojmë ta mbështesim Kosovën e futbollit drejt FIFA-s me përvojën e BFSSH të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë? Që kurrnjiherë nuk diti se çka janë zgjedhjet e lira e demokratike në forumet sportive biografomane të sportit “socialist” shqiptar të asokohe?...
2.
Megjithate, Federata Shqiptare mund ta ndihmojë fort Federatën e Futbollit të Kosovës.
Periudhat e vështira që ka kaluar vitet e fundit edhe futbolli i Kosovës për shkak të luftës e ndërprerjeve, natyrisht që i kanë krijuar shumë probleme, ndonëse në Kosovë ka një pasion të madh, një zemër të vërtetë sportive e aftë të shpërthejë shpejt. E kanë treguar arritjet olimpike e botërore që përmendëm. E tregoi trimëria e rinisë sportive kosovare që edhe në arat e djerrinat e tokës së saj të zhuritur prej diegies serbe, ruajti futbollin dhe kampionatet e saj - si një sfidë të pashembullt ndaj një regjimi gjakatar millosheviçian - që nuk njeh rast të përafërt në historinë e sportit botëror.
Gazeta “TemA” gjatë gjithë këtyre viteve ‘2000 ka qenë në krye në gjithë shtypin shqiptar në mbështetje të sportit kosovar. Për fat të keq, e vetme. Shkrimet e botuara rreth temës kosovare sa historiko aq dhe aktuale, nuk numërohen me gishtat e njerës dorë. Janë të panumërt. Madje deri aty saqë kanë përfunduar në libra. Nuk është vendi për të pasë një lloj frike për shkak modestie, se në fund të fundit detyrën atdhetare të profesionit kemi bërë, por për t’iu kujtuar harruesve të shumtë këtu në Shqipërinë tonë, se në faqet e kësaj gazete është përshkruar në mënyrë befasuese historia e sportit, dhe sidomos e futbollit kosovar. Në faqet kësaj gazete është treguar historia e themelimit të Kombëtares së Kosovës, të cilët mëndja largëpamëse e Eqrem Bej Vlorës dhe e Mustafa Krujës me shokë, e nxori në fushën e Shallvares historike me rastin e 30-vjetorit të Pavarësisë, në nëntorin e vitit 1942. Dhe me fanelat e kuqe të flamurit kombëtar.
Në shkrime të shumtë në faqet e kësaj gazete janë përshkruar pjesëmarrjet e skuadrave të Kosovës (Prishtinë, Prizren e Pejë) në të vetmin Kampionat Kombëtar mbarëkombëtar të vitit 1942 (shto këtu edhe dy kampionate të tjerë, ato të viteve 1939 dhe 1940), të cilat padija e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së i cili vrapoi këto dit në Prishtinë me BFSSH-në për t’i dhënë mend Fadil Vokrrit me shokë, vazhdon pra, të mos i omologojë. Ndonëse janë Kampionate unikale (vetanake) për kushtet historike të rënda kur u zhvilluan. Mesa duket, mospranimi vjen ngaqë në mjedisin e Komitetit Ekzekutiv të FSHF ende mund të ketë nostalgjina shqiptare të tipit BFSSH që mbajnë peng mendësitë e përparuara e të një kulture të vërtetë historike të zhvillimit të futbollit në të dy anët e tokës shqiptare.
Askush sa gazeta “TemA” nuk ka luftuar për përfshirjen e futbollistëve të talentuar nga Kosova për Kombëtaren e Shqipërisë. Në një kohë që nga ana e Federatës së Shqiptare të Futbollit, së cilës FIFA i paska caktuar tutorin për rindërtimin dhe anëtarësimin e Federatës së Futbollit të Kosovës, e gjithë kjo problematikë ka qenë në asgjë. Nuk mund të kalohet kjo me organizimin e përbashkët të ndeshjes së dy Kombëtareve, atë të Lirisë më 2002. Kombëtarja e Kosovës përveçse se nëntorin e saj themelues të vitit 1942, për herë të parë Mbasluftës ka luajtur në Shqipëri edhe më 1972 (Flamurtari– Kosova 1-1, Tomori– Kosova 1-2, 17 Nëntori– Kosova 1-1, Labinoti– Kosova 3-1), dhe një FSHF paraardhëse, një Komitet tjetër Ekzekutiv, ai viti 1993, ka meritën se kur Kosova shtypej në Jugosllavi organizoi ndeshjen e Identitetit (Njinjishmënisë), atë të 14 shkurtit 1993: Seleksioni i Shqipërisë Kosova 3-1 (Ishte Kombëtarja e Kosovës e trajnerit të çmueshëm Ajet Shosholli me në krye Ardian Koznikun e Hajdukut të Splitit: Beselica, Berisha, Sadriu, Seferi, Llapashtica, Jerliu, Munishi, Ajeti, Sahiti, Hoxha, Kozniku, Idrizi, Rafuna, Toverlani, Osmani, Bejta, Nushi).
Këtu, në këto faqe kemi propozuar e përsëritur deri në mërzi, madje prej vitesh, për organizimin e një turneu të përbashkët të përhershëm midis katër skuadrave më të mira të Kosovës dhe katër skuadrave më të mira të Shqipërisë. Heshtje e frikshme për një të ardhme e traditë të re! Ndonëse sportet e tjerë si përshembull mundja, boksi, volejbolli, basketbolli e çiklizmi kanë bërë jopak. Federata Shqiptare e Futbollit, e cila sot nxiton të shkojë me BFSSH-në te Federata e Futbollit të Kosovës për zgjedhjet e saj, ka heshtur. Eshtë ndjerë vetëm me dhënien e nënshtetësisë së Arian Beqajt, Besnik Hasit, Mehmet Dragushës, Lorik Canës, Armend Dallkut, Besart Berishës, Debatik Currit, Bekim Kastratit, Blerim Rustemit për hir të Kombëtares së Shqipërisë. Kjo është dhe vepra e Federatës Shqiptare të Futbollit. E shihni që është një dhjetëshe, gati një skuadër, gjysma e së cilës thuajse e pazëvendësushme për Kombëtaren e Shqipërisë.
E, kjo nuk mund të bëhej në kohën e BFSSH-së. E kujtoni se çka i ka bërë Vllaznisë së Shkodrës BFSSH-ja dhe Sigurimi i Shtetit më 1971-72, mu për shkak të dashurisë së Shkodrës për Kosovën. E ka përjashtuar nga Evropa e futbollit, sepse volejbollistët shkodranë qenë përqafuar më fort se sa duhej me vëllezërit e Kosovës në turneun e tyre të famshëm që pat elektrizuar krejt tokën dardane! Fajtorët e pafaj ishin volejbollistët e shkodranë, por duheshin dënuar edhe futbollistët shkodranë të cilët as nuk kishin qenë në Kosovë! Kur edhe Kanuni i Lekës e ka dënimin një me një, BFSSH-ja e kishte një me tridhjetë! Edhe për këte episod që nuk njeh Evropa sportive moderne, asnjë rol nuk mund të ndërmarrë sot BFSSH-ja në Kosovë.
Të vjen vërtet keq, që në vizitën tejet kuptimplote në Tiranë, të presidentit të ri të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, të zëjnë aq shumë vend pyetjet e deklaratat rreth asaj se çka do të bëhet me lojtarët shqiptarë të Kosovës të cilët luajnë për Shqipërinë, kur të ndërtohet Kombëtarja e Kosovës. Kjo nuk është politikë sportive evropiane. Fadil Vokrri me qëndrimin e deklaratat e tij të detyrueshme prej një mjedisi të paduruar të Tiranës për këte çështje që nuk është çështje, tregoi ndërkaq, se sa është atdhetar po aq është dhe liberal e njohës i gjeopolitikave të sotme të futbollit me përgjigjet e bukura që shpalosi. Prej dëshirës për të ruajtur forcën e Kombëtares së Shqipërisë e deri te e drejta vetjake e çdo futbollisti për t’i bërë vetë zgjedhjet. Do të kishte qenë kavalereske e nobilitet që Federata Shqiptare e Futbollit të përkujdesej që veç kjo çështje të mos zinte vend në këto takime të dy delegacioneve përkatëse të futbollit. Kosova futbollistike nuk kishte ardhë për këte pseudoçështje në Tiranë. Kishte ardhë për diçka shumë të madhe dhe vlerësimi që Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, i bëri presidentit të FFK, Fadil Vokrri me pritjen e tij, padyshim qe kuptimi më i lartë i kësaj vizite. Nuk ka asnjë tragjedi nëse Lorik Cana do të luajë me Kosovën. Prap shqiptari ynë mbetet, sepse Kosova në fund të fundit, po shqiptare është. Nuk do të ketë nesër asnjë çudi që edhe futbollistë nga Shqipëria do të mund të luajnë për Kosovën. Edhe kjo ka për të ndodhë. Zhvillime të pazakonta e befasuese priten të ndodhin në historinë tonë të ardhshme. Ashtu siç ndodhi me historinë e sotme të Pavarësisë së Kosovës.
Dhe sporti dihet, është një misionar dhe paraprijës i madh, jo një mundësi thjesht nacionaliste, në kuptimin e ngushtë të kësaj fjale, që papritmas zë vend në mendësinë e disa qarqeve të mbrapambetura të futbollit e të sportit të sotëm shqiptar.
Vërtet, FIFA-s nuk mund t’i shkonte nëpërmend se papritmas një stil BFSSH-ja mund të ndërhynte në futbollin e Kosovës. Kjo e bën tejet të vështirë mbështetjen dhe ndihmën që mund t’i japë futbollit të Kosovës, Federata Shqiptare e Futbollit.
3.
Mendja ta thotë se ndihma apo mbështetja më madhe që mund t’i japë Federata Shqiptare e Futbollit asaj të Kosovës, do të ishte ndihma apo mbështetja përmes shembullit të futbollit shqiptar në tanësi, edhe për Kosovën. Bie fjala, nëse Lëvizja futbollistike dhe Kampionati Kombëtar i Shqipërisë përshkohen në një nivel të lartë organizimi, ky mbase do të ishte shembulli më ndihmues, më i madh, më i vlefshëm për futbollin e Kosovës.
Po për fatin tonë të tashëm, kjo duket tejet e vështirë. Tejet e vështirë, sepse nuk ka se si të ndihmohet futbolli i Kosovës kur FSHF nuk arrin t’i largohet një roli gati artificial që shpalos ajo vetë si Federatë. Pra, që të mbërrijë tek ajo që e kemi thënë edhe në ndonjë shkrim të mëparshëm: të bindet ajo e para se futbolli nuk është i Federatës Shqiptare të Futbollit, por i Shqipërisë. Dhe se ajo nuk mund të drejtojë si një ndërmarrje private, por vetëm si një institucion kombëtar, popullor, atdhetar, shoqëror e shtetëror, shpirtëror dhe edukues, i një flamuri e i një steme që kurrnjiherë nuk janë sigla të një firme prodhuese private.
Përshembull, në gjithë modernizimin e kancelerisë së saj, nuk kemi mundur të kuptojmë këto vite të fundit se si hiqen e vihen njerëzit në zyrat e FSHF-së. Nuk kemi mundur të kuptojmë bie fjala, se si mund të flaken figura të tilla si një Mexhid Haxhi, përveç të tjerave, një i madh i futbollit kombëtar e një punonjës model, një njeri i nëpërkambun dhe i flakur në kohën e regjimit! Ky moskuptim arrin pikën e tij të lartë sidomos te zëvëndësimet e rrufeshme e të paspjegueshme të Sekretarit të Përgjithshëm të FSHF-së, rol dhe funksion që ka arritur zbehjen më të papranueshme të një personalizimi gati të një stili ndërmarrjeje private, që nuk është parë qysh nga themelimi i FSHF më 1930. FSHF e ka tejet të vështirë të ndihmojë Federatën e Futbollit të Kosovës teksa jep shembuj të tillë.
Eshtë rast “historik” në Evropë, siç e kemi quajtur, atë që na thotë se drejtuesi i parë i sportit të regjimit komunist, sot në demokracinë kundërkomuniste ia ka arritur të jetë një prej drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit si dhe president i një Federate Shqiptare të një sporti tjetër! Dhe të përfaqësojë Shqipërinë si tutor i Federatës Shqiptare të Futbollit! FSHF tashmâ vërteton që rrezikon të shkojë drejt një privatizimi institucional jashtëarsyetor, prej çka mbi të gjitha, tejkalon popullaritetin ose varësinë morale dhe shpirtërore që e pakta ajo ka ndaj popullit shqiptar dhe ndaj bashkësisë së futbollit kombëtar. FSHF e ka vërtet të pamundur të ndihmojë Federatën e Futbollit të Kosovës teksa me shembullin e saj “i mëson” homologes së saj shqiptare se të gjithë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të saj duhet t’i ketë mbi 90 përqind nga Prishtina e klubet e mëdhenj, siç i ka Shqipëria nga kryeqyteti Tiranë.
Nuk mund ta ndihmojë Federatën e Futbollit të Kosovës, FSHF-ja jonë e dashtun, së cilës
gjithnjë më shpesh po i boshatisen stadiumet prej spektatorëve. Nuk dimë nëse i ka pa Kosova në TV ndeshjet e javës që sapo shkoi të tri skuadrave kryesuese të Kampionatit Shqiptar (po, po, të skuadrave kryesuese) me tribunat e boshatisura deri në mjerim! Çka do të thotë se futbolli në drejtimin e kësaj FSHF-ja nuk është më një shfaqje qytetare e mirëpritur. Asnjëherë deri më sot FSHF nuk ka paraqitur qoftë edhe relacionin (kurrnjiherë nuk na shkon mendja te studimi) më modest të shkaqeve të asaj që është braktisja më gjigande e 80 vjetëve futboll i organizuar në Shqipëri. Jo më të mëtosh për masa që duhen marrë për shpëtimin. Të shtunën u dorëzua përfundimisht edhe kalaja e vetme e mbetur e publikut, ajo e Shkodrës!
Federata Shqiptare e Futbollit e ka të vështirë, në mos gati të pamundur, t’i mësojë diçka vërtet moderne Federatës së Futbollit të Kosovës, kur ngjet si me rastin e Mirel Josës të shtunën që shkoi, që arrin në 28 numri i largimit brutal të trajnerëve prej 12 skuadrave të vetme mbrenda një stine të vetme, çka tregon se më e pakta kjo FSHF, nuk i ka dhënë as autoritetin më të paktë figurës vendimtare për zhvillimin e futbollit në Shqipëri: trajnerit të cilit nuk mëton për asnjë çast t’ia marrë në mbrojtje personalitetin.
Federata Shqiptare e Futbollit me gjithë praninë e lidershipit të BFSSH-së mbrenda Komitetit të saj Ekzekutiv, e ka të vështirë të tregojë se çka mund të bëhet me futbollin e Prishtinës, Pejës, Gjakovës, Mitrovicës e Prizrenit kur ka shkatërruar, natyrisht padashur, futbollin e qyteteve tradicionale shqiptare si atë të Durrësit, Korçës, Gjirokastrës, Beratit, Fierit…
Kosova, e cila ka dy stadiume, që Shqipëria nuk i ka të atij rangu, si ai i Prishtinës dhe ai i Mitrovicës (me kapacitet të mbi 25.000 spektatorësh) e që në arkitekturë janë më të hijshëm se stadiumet e Shqipërisë-Nanë, pavarësisht nga rënia që kanë pësuar vitet e fundit për shkaqe lufte, e ka tepër të vështirë bie fjala, të mësojë nga Shqipëria se si duhen bërë stadiumet modernë. Sepse FSHF nuk ia ka arritur të ndërtojë apo rindërtojë të paktën një, vetëm një stadium modern në Shqipëri, ku ende ka stadiume deri të papastër, me hyrje të vështira, pa asnjë publicitet paraqitës për ndeshjet, dhe si askund tjetër në Evropë, pa asnjë kusht për punët e shtypit apo të transmetimeve radiotelevizive e të shërbimit social-civil të organizimit dhe të ndjekjes së një ndeshje të sotme.
Federata Shqiptare e Futbollit është e paaftë për të ndihmuar Federatën e Futbollit të Kosovës, sepse nuk mund t’i japë asaj një shembull mirëfilli evropian, me përjashtim të mjediseve të përshtashme të kancelerisë së saj dhe me ndërtimin e një skuadre kombëtare më mirë se herët e tjera. Kjo është pak, shumë pak. Ajo nuk mundet t’i japë një shembull Federatës së Futbollit të Kosovës se si mund të bëhet pavarësia financiare e klubeve të futbollit, për t’i dhënë fund njëherë e mirë dyzimit ekonomiko-financiar të tyre që i ka shndërruar klubet të njinjisohen vetëm me figurën e të ashtuquajturëve “presidentë” të cilët ende nuk dihet se çka janë, se sa kanë, se si dhe se çka japin e cili është roli i tyre i vërtetë në klubet shqiptare, pa iu mohuar ndihmat jo të pakta që japin. Aq më pak mund ta ndihmojnë Kosovën mbetjet e BFSSH-së për këte organizim financiar modern kur vetë Kosova këte e ka njohur e pakta 30 vjet para Shqipërisë.
E ka të vështirë vërtet Federata Shqiptare Futbollit të mbështesë Federatën e Futbollit të Kosovës kur dihet se ajo ka probleme të panumurta për veten e saj: të rinjtë, që zhvishen në anë të fushës të stërvitjes, në natyrë; kulturën e mjedisit të veprimtarive, botimet që i ka në asgjâ; organizimin e tipit evropian të shitjes të së drejtës televizive të Kampionatit Kombëtar, që ende nuk dihet se çka është; përgatitjen e gjyqtarëve, dhe mbi të gjitha ritmikën tejet të ngadalshme drejt një hopi cilësor në futbollin kombëtar në tanësi.
Na vjen keq që përsërisim, por një Federatë Shqiptare e Futbollit e cila kujton se futbolli është i saj më fort se i shqiptarëve, nuk mund të përbëjë një shembull qoftë edhe për një Federatë tjetër po shqiptare, siç është ajo e Kosovës, e cila nuk besoj se do t’i ngjajë Federatës së sotme Shqiptare të Futbollit në stil, në njëanshmëri, në zgjedhje të lidershipit të saj bfshëist, përsa kohë që në njinjishmëninë e saj, papritmas guxon e shfaqet edhe BFSSH e dikurshme të cilën edhe ne e patëm shkurorëzuar qysh në gushtin e vitit 1991 me editorialin tonë që u bë i famshëm, ndonëse ishim edhe vetë pjesë e saj. Dhe të cilën Federata Shqiptare e Futbollit e vitit 2008, guxon të na e risjellë në jetë, deri aty sa ta çojë si shpëtimtare edhe në Kosovë.
Federatën e Futbollit të Kosovës nuk mund ta ndihmojë BFSSH-ja e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë…