Kulturë
Nexhmije Mehmetaj: Intervistë me artisten e shquar Edlira Dedja
E enjte, 26.04.2012, 04:56 PM
Intervistë me artisten e shquar Edlira Dedja
Nga Nexhmije Mehmetaj
Edlira
Dedja (Bytyçi) përfaqëson njërën nga majat më të larta të botës femërore
shqiptare si intelektuale, politikane, pedagoge, publiciste dhe artiste jo vetëm
në Zvicër. Është e bija e shkrimtarit të shquar Bedri Dedja.
Edlira
Dedja-Bytyqi, aktualisht është docente në Konservatorin e Neuchatelit në Zvicër
dhe themeluese e Fondacionit “Opéra sans frontiéres”( Opera pa kufij ).
Anëtare e
Kiwanis (Zvicër). Bashkëpunëtore aktive e ASED-it zviceran (Action de Soutien à
l’Enfance Démunie). ProInfirmis-it dhe Zyrës së të deleguarit për të huaj, që prej
vitit 1997.
Znj. Edlira është kandiduar nga Partia Socialiste për postin e këshilltares komunale të Neuchatelit.
Pyetje: E dashur Edlira megjithëse jeni e njohur, unë po nis bashkëbisedimin me ju. Vendlindja juaj dhe çfarë ruani prej saj në kujtesën tuaj?
Përgjigje:
Vëndlindja ime është Tirana, qyteti ku përkunda ëndrrat e mia të para artistike.
Edhe pse jeta ime u integrua plotësisht në Zvicer, një pjesë të zemrës time, atë
që rreh më me forcë, e kam lënë gjithnjë atje. Nuk ka ditë që mos lexoj të rejat
në internet, të mos bëj një telefonatë, një mesazh apo të mos shfletoj një libër
që vjen prej andej…
Kur dola
nga bankat e shkollës (Akademisë së Artevenë Tiranë) fillova menjëherë punën në
sektorin e solistëve të Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit : një fillim i ëndërruar
për çdo artist të ri. U ndesha me përvojën e artistëve më të njohur shqiptarë të
asaj kohe: Edith Mihali, Ramiz Kovaçi, Gaqo Cako, Ermir Krantja, Rifat Teqja,
Lili Tafaj, Jani Papadhimitri, Zhani Ciko, e sa e sa emra të tjerë, të cilët
lanë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e përvojën time të parë artistike. Ishin
vitet e fillimeve të etheve të demokracisë që po trokiste në gjithë Europën e
Lindjes, ashtu si edhe në truallin shqiptar. Sigurisht, si çdo e re, më mori
edhe mua vala e lëvizjes për ndryshim e qeshë një nga firmëtaret e para të Demokracisë
shqiptare, në krah të shumë emrave të njohur të politikës së sotme.
E vërteta është se artistëve të brezit tim u takoi të njihnin e të përballonin sistemin e diktaturës së vëndeve të Lindjes dhe sigurisht, ngjarjet e përjetuara, ndoshta ndikuan të na bënin edhe më të ndjeshëm, por edhe të fortë, nga ana tjetër, përballë situatave të vështira. Shumë artistë, mes të cilëve edhe unë, morrëm pjesë në demostratat e dhjetorit 1990 dhe i dolëm përballë diktaturës, duke u vunë në ballë të uraganit popullor. Ndoshta situata të tilla na mësuan, për të mos harruar, se kur zëri ngrihet i fuqishëm, s'ka diktaturë që të mos dridhet e struket...Mbasi diktatura s'e njeh trimërinë, nuk e kupton gjuhën e saj: në brëndësi ajo është një qënie e mjerë dhe e përbuzur, veshur me komplekse inferioriteti e mosdije. Ajo është si zvarraniku i moçaleve që të godet pas shpine e s'të del kurrë përballë. Ajo i trëmbet fluturimit të shqiponjave dhe struket nga lartësitë e fluturimit të tyre. Ajo vepron natën, në errësirë, në përbuzje, në mjerim. Sikur njerëzit ta njihnin si duhej meskinitetin dhe mjerimin e saj, do të kishin qënë më të guximshëm për ta shtypur e s'do t'i lejonin lumenjtë e gjakut të heronjve nismëtarë të flakëronin kujtesën e lirisë. . .Nisma jonë i tronditi themelet e diktaturës 50-vjeçare shqiptare e shërbeu si vullkani që shpërtheu më në fund llavën e revoltës popullore...
- Mbani mend si ka lindur tek ju dëshira për artin?
Përgjigje: Si vajzë e dy prindërve krijues, nuk kisha se si t’i shpëtoja rrugës së artit. Në moshë shumë të re u pasionova pas letërsisë e më pas, njohja me muzikën klasike dhe operën, më përfshiu magjishëm, duke më shtyrë të ndiqja përfundimisht karrierën artistike.
- Si e gjetët jetën tuaj në Zvicër?
Përgjigje:
Lidhja ime Zvicrën ka të bëje me një periudhë të rëndësishme të jetës time në planin
profesional : mbase me një stad të ri të pjekurisë artistike, me lidhjet e reja
miqësore e profesionale që kam mundur të krijoj si dhe me jetën e re që munda të
rindërtoj, duke e rinisur nga e para, pas ndryshimeve rënjësore që ndodhën në jetën
shqiptare të pasdikaturës. I jam shumë mirënjohëse Zvicrës për gjithshka : për
kushtet që më krijoi e për mundësitë e shumta që më dha për të ecur përpara me
dinjitet.
Jeta ime në Zvicër sot është jeta e çdo qytetari të zakonshëm, që ecën në rrugët e trotuaret e qytetit ku banon, që përshëndet çdo ditë miq e të njohur, që shkon e kthehet nga puna ndonjëherë e lodhur, që aspiron me idealet dhe interesat e shoqërisë apo të qytetit mikpritës, ku tashmë ndihem qytetare me të gjitha të drejtat e barabarta. E për të arritur deri këtu, s’mund të them se ka qënë një rrugëtim i lehtë për mua, ashtu si edhe për shumë shqiptarë të tjerë që u detyruan të lënë vëndin për të shkuar drejt së panjohurës “së ndaluar” për rininë tonë, për t’u ndeshur me një realitet të ri e për tu përpjekur të ndërtonim një identitet të ri, një jetë më të mirë, më të sigurt për fëmijët tanë, duke lënë mbrapa brenga, kujtime të dhimbshme e njëkohësisht të bukura, gjenerata miqsh e njerëzish të afërt; për të lënë mbrapa atë çka mundëm t’i merrnim shoqërisë shqiptare e atë çka mundëm t’i japim për të krijuar një emër...Nuk është e lehtë të ndahesh nga e kaluara, nga identiteti yt.... Shpesh kam menduar se ne ishim si ato shqiponjat e vogla që i largohen folesë me krahë të pamësuar. E rrugëtimi ynë s’qe i lehtë. Duhet tu rezistonim hapësirave të pamata, përgjatë të cilave mund të kishte krahë që thyheshin e mund të binin më pas në humnerë...Pra mendoj se s’ka qënë e lehtë për askënd krijimi i një identiteti të ri në një vënd të panjohur e mbi të gjitha, kur nisesh nga niveli “zero”, si askushi, si një i huaj. Më parë duhet të pranohesh se ekziston e pastaj të presësh të zbulojnë tek ti se cili je.
- Çfarë ju frymëzon për punën tuaj fisnike ndaj kulturës shqiptare në një vend jo shqiptar?
Përgjigje:
Ndoshta ju e dini se në vitin 2004 unë themelova këtu në Zvicër shoqatën
artistike “Opéra sans frontières” (Opera pa kufij), në të cilën u bashkuan
aspirata dhe eksperienca të ndryshme jetësore. Ishte dashuria për artin, për
kulturën shqiptare dhe artistët e saj; ishte dëshira për të kontribuar për të rinjtë,
fëmijët; ishte dëshira për të ngritur më lart imazhin e shqiptarit ne Europe, dëshira
për bashkëpunim, shkëmbim eksperiencash, dëshira për të vendosur një tullë në murin
e paqes ballkanike, pas konfliktit të madh të fundshekullit të njëzetë, kur
pjesa tjetër e trungut shqiptar përjetoi genocidin serb.
Kam besuar
gjithmonë në virtytet e kulturës dhe rolin e madh që ka arti apo muzika në paqen
dhe bashkepunimin mes popujve. Arti i vërtetë i kapercen diferencat etnike,
ideologjike dhe kontribon në ndërtimin e një bote më tolerante, pa urrejtje dhe
hakmarrje, ku duhet të triumfojë vetëm dashuria, paqja, harmonia. Kjo ishte
edhe arsyeja që ky mesazh i “Operës pa kufij”, është pritur me mjaft entuziazëm
nga spektatori e mediat zvicerane. Në çdo koncert që ka organizuar “Opera pa
kufij”, suksesi ka qënë i madh e i padiskutueshëm. Ka patur raste që pas përfundimit
të shfaqes jemi duartrokitur mbi 25 minuta mbi skenë. E kjo ka ndodhur, mendoj,
se që në kontaktet e para të bashkëpunimit midis artistëve shqiptarë e të huaj,
ka patur shumë zemër brënda, shumë forcë, art e kulturë.
Por një arsye
tjetër që më ka frymëzuar ta realizoj këtë
ëndërr artistike, krijimin e shoqatës “Opera pa kufij”, ishte një “lidhje” tjetër,
që më motivoi edhe më shumë pas largimit tim nga Shqipëria. Kam bashkëpunuar me
organizata të njohura humanitare për fëmijët këtu në Zvicer si Kiwanis
international, Limatt Stiftung, ASED (Aksioni për Mbrojtjen e Fëmijëve në Nevojë),
Pro Infirmis, AISF, etj. , duke realizuar koncerte humanitare me pjesëmarrjen e
artistëve më të njohur shqiptarë në botë, për të mbledhur ndihma e fonde për për
fëmijët handikapatë, kësaj shtrese të pambrojtur të shoqërisë shqiptare, e cila
ka përjetuar për një kohë të gjatë harresën dhe indiferencën e institucioneve
shtetërore.
Për mua sot është jo vetëm kënaqësi, por është kthyer në mënyrë jetese buzëqeshja që lind në sytë e një fëmije të trishtuar, shpresa që lind tek një njeri i moshuar apo tek një person që mendon se e ka humbur përgjithmonë atë. Është lumturi të ndjesh mirënjohjen e tyre, të jetosh me rrahjet e zemrës së tyre, me dhimbjen, shpresën, gëzimin e tyre. E kur e ke njohur një here këtë përvojë, e kupton se kënaqësitë e tjera janë shumë të vogla e të papërfillshme për ty e se jeta jote i ka kapërcyer një here e përgjithmonë ato.
- Nga ju erdhi ambicia për të konkurruar në zgjedhjet komunale të Neushatelit ?
Përgjigje:
Muajin e fundit, dega e PS së kantonit të Neuchâtel-it e propozoi kandidaturën
time në kancelerinë e Shtetit për periudhën legjislative 2012-2016. E vërteta është
se kam patur dy propozime në të njëjtën kohë për të qënë kandidate në këto
zgjedhje : së pari nga Partia Liberale Radikale, që siç e dini, është një prej
partive të djathta më të rendesishme në politikën zvicerane e më pas, nga
Partia Socialiste, tek lista e së cilës vendosa të paraqes kandidaturën time.
Pra, unë nuk
e zgjodha politikën për karrjerë,
pasi ushtroj me sukses
profesionin e artistit. Unë vendosa t’i
përgjigjem pozitivisht kërkesës së Partisë Socialiste për tu kandiduar në legjislativin
e komunës, pikerisht per te nderuar pasaporten e shtetit shqiptar, te cilen e
mbaj akoma, e për të qënë përfaqësuese e zërit të popullit tim në një organ
shtetëror zviceran.
Zgjodha të Majtën, pra Partine Socialiste, sepse politika e saj ndaj emigracionit është e drejtë dhe thellësisht humane. Partia Socialiste në Zvicër lufton për demokracinë e vërtetë, për progresin ekonomik dhe barazinë e shanseve, për të drejtën e fjalës e të mendimit të lire, për njohjen e të drejtave të komuniteteve të huaja në Zvicër, duke kundërshtuar me ngulm çdo lloj qëndrimi racist. PS zvicerane lufton për të krijuar kushte sa më të mira sociale për të gjithë, për vende të reja pune e për banesa me një qira të arsyeshme ; ajo lufton për fëmijët tanë e për të ardhmen e tyre, për shtresat e pambrojtura e për personat handikapatë ; ajo lufton për mirëqënien e gjithë shoqërisë e për ruajtjen e respektit ndaj çdokujt, pavarësisht kombit, ideologjisë, bindjeve fetare apo traditave kulturore. Ishte pikërisht kjo parti që për herë të parë në Europë u dha të drejtën të huajve me leje qëndrimi të përhershme (Permis C), të zgjedhin dhe të zgjidhen.
-Je në Zvicër . Kur dikush e përmend emrin Shqipëri si e ndjen veten?
Përgjigje: Gjithmonë krenare! Pasi jam përfaqësuese e një populli të lashtë e me të kaluar të lavdishme: simbol rezistence dhe sakrificash; djep i kulturës dhe humanizmit.
- Pyetje: Si e shihni të ardhmen e kulturës shqiptare në Zvicër?
Përgjigje: Kultura shqiptare është e përfaqësuar në mënyrë të shkëlqyer në Zvicër. Artistët tanë të karierës si Saimir Pirgu(tenor), Ermonela Jaho(soprano), Inva Mula(soprano), Josif Gjipali(tenor), Frano Lufi(bas) e Gëzim Myshketa(bariton), marrin pjesë në produksionet më të rëndësishme të Opernhaus-it të Zurich-ut e Grand Théâtre-it të Gjenevës çdo vit; në prodhimet e TV zviceran (“La Bohème en banlieu”) apo në krye të orkestrave sinfonike (Klajdi Sahatçi është koncertmaester në Tonhalle të Zurich-ut); Tedi Papavrami është violinist i një karriere të shkëlqyer ndërkombëtare dhe profesor i klasës së virtuozitetit në Haute Ecole de Genève e sa e sa të rinj e të reja që po kryejnë çdo vit e më shumë studimet me rezultate të shkëlqyera. Asnje komunitet tjetër në Zvicer nuk mund të nderohej nga artistët e tij, ashtu si nderohen shqiptarët, edhe pse shumica e bashkatdhetarëve tanë nuk kanë informacion.
- Çfarë mesazhi keni për mërgimtarët shqiptarë?
Përgjigje: Ne listen tone te Conseil général ka edhe përfaqësues të komuniteteve të tjera te huaja me banim në Zvicer. Nuk do të ishte në nder të shqiptarëve, qe janë numerikisht shume me superiore ndaj komuniteteve te tjera, qe kandidatja e tyre te mos kaloje per shkak te indiferences apo mungeses se vetedijes. Madje përfitoj nga rasti, të citoj një thënie të ideologut italian me origjinë shqiptare Antonio Gramshit, shkëputur nga manifesti i tij « Indiferentet » : « I urrej indiferentët e besoj, si Friedrich Hebbel, që «të jetosh, do të thotë të jesh partizan» e që njerëzit e ndarë nga qytetërimi nuk mund të ekzistojnë… Ndergjegja ime nuk mund të pranojë asnjë njeri që qëndron në dritare e bën sehir gjatë kohës që një numër i vogël njerëzish sakrifikohen e derdhin gjakun në këtë sakrificë… Atë që mbetet në dritare vetëm për të parë, që e ka mbushur jetën vetëm me atë pak gjë që mund t’i ketë ofruar aktiviteti i tij personal dhe që e zbraz zhgënjimin e tij duke poshtëruar të sakrifikuarin, atë që është përgjakur, vetëm pse sakrifica e tjetrit nuk ja ka përmbushur synimet e tij, – atë nuk mund ta pranoj. Unë jetoj. Unë jam një partizan, një mbështetës. Për këtë arsye, i përbuz të gjithë ata që nuk marrin pjesë. Pra, nuk i dua indiferentët.
- Se shpejti, më 13 maj janë zgjedhjet komunale të Neushatelit ju keni nevojë për përkrahjen bashkatdhetarëve, çfarë mesazhi keni?
Përgjigje:
Per kete arsye, do te lutesha që ta respektoni te drejten e votes, ta ruani e
ta perdorni ate ne te miren tuaj, te familjes tuaj e te shoqerise demoktarike
zvicerane.
Nga ana
tjeter, do t'ju lutesha të bënit përpjekje per te sensibilizuar njerez te tjere
qe njihni, qe te mbeshtesin kandidaturen time.
Zgjedhja
ime nuk eshte nje favor qe do te me behet mua si individ, por nje nderim dhe
respekt per kombin tone.
Duke ju
falenderuar të gjithëve paraprakisht për mbështetjen, përfitoj nga rasti t'ju
premtoj se n.q.se marr votëbesimin, do përpiqem të punoj me vetëmohimin dhe
ndershmërinë më të madhe, me qëllim që të nderoj emrin e vëndin tim dhe të komunitetit
që përfaqësoj.
Delemont,
21 prill 2012