Kulturë
Baki Ymeri: Doli nga shtypi libri i Veli Veliut, Shpirti i Dritës Hyjnore
E merkure, 25.04.2012, 07:39 PM
Doli nga
shtypi libri i Veli Veliut, Shpirti i Dritës Hyjnore
(Veli Veliu, Sufletul Luminii Divine / Shpirti i Dritës Hyjnore, Përktheu Baki Ymeri, Amanda Edit, Bukuresht 2012)
Nga Baki Ymeri
Fillimisht këtë shkrim ia drejtojmë Zemrës Shqiptare në
vigjilje të serisë së re të botimit të saj, për të justifikuar mendimet e
Miradije Gashit, Ismet Hasanit, Neki Lulajt e dashamirëve të tjerë të kësaj
tribune, se kafenë e mëngjezit e servojnë duke shfletuar Zemrën Shqiptare. Në
kuadrin e Bibliotekës Albanezul, duke patur për këshilltar editorial dr. Luan
Topçiun, këto ditë e pa dritën e botimit në Bukuresht, libri më i ri i Veli
Veliut nga Kosova, Shpirti i Dritës Hyjnore. Libri del në dy gjuhë,
rumanisht-shqip, duke u bazuar në versionin shqip të përkujdesur nga Don Lush
Gjergji, që u botua në Prishtinë, në 100 vjetorin e lindjes së Nënës Tereze, e
cila në vitin 1979 fitoi çmimin më të lartë Nobel të Paqes për punën e
jashtëzakonshme humanitare. Kjo vepër e re e Veli Veliut,
strukturtohet në disa njësi lirike si Prolog, Nëna Tereza, Kreu i parë (Lulet e
dheut), kreu i dytë (Lulja e dashurisë), kreu i tretë (Lule e shpirtit) dhe
Epilog, me nga një parathënie të kritikut letrar Marius Qelaru dhe poeteshës
Monika Mureshan, si dhe me një fragment mendimesh kritike të zt. Ragip Syla
(Burim frymëzimi i krijuesve tanë). Në këtë kontekst po japim mendimet e tyre
kritike, për të nxjerrë në pah të vërtetën se pavarësisht nga qëndrimet
absurde, antikosovare, të disa kuajve të kuq të diktaturës çaushiste, rumunët e
vërtetë na duan dhe shkruajnë me admirim dhe dashamirësi për vlerat shqiptare.
Për një flakë të ndezur në trojet
e shpirtit
„Ne jemi me Ty, Nënë,
Atje ku vallëzon deti
I dashurisë më të kaltërt!”
Veli Velliu, Ne jemi me Ty
Shkrimtar, gazetar dhe kryeredaktor i disa revistave, autor
i disa librave të botuara, sidomos në Kosovë, Veli Veliu ka shkruar këtë vëllim
në 100 vjetorin e lindjes së Nënës Tereze, për të cilën, edhepse disa thonë se
ka qenë me origjinë arumune, e vërteta dëshmon se ajo është e bija e Arbërisë
së një kombi trim e besnik, që e ka lindur Gjergj Kastriotin, dhe e cila në
vitin 1979 qe nderuar me çmimin e Nobelit të Paqës, për aktivitetin e saj të
jashtëzakonshëm humanitar. Koncepti i strukturimit të kësaj vepre në katë
pjesë, një prolog, një epilog dhe krejt lënda lirike, është një homazh kushtuar
asaj që, siç shkruan autori, ka qenë si një „ujvarë drite” në Detin e zi të
mjerimit” dhe në „Malin e pashkelur të territ”, duke ia përkushtuar krejt jetën
zbutjes së vuajtjeve të të pafuqishmëve, të të përvuajturve pa shansë, duke u
përpjekur të „fshijë gjurmat e lotëve/ nga faqet e kohës së shëmtuar”.
Autori ka „planin” e
tij që synon sekuenca temporale (të përkohshme) apo konsiderata të larta e të
rëndësishme. Paralelisht me autorë tjerë shqiptarë e të huaj, ai ndjek hap pas
hapi jetën e Nënës Tereze, duke përkujtuar episode nga jeta e saj, vendet ku ka
qenë, „nga Ballkani shkëmbor/ drejt labirinteve të Azisë”. Janë pastër e thjeshtë fragmente shpirtërore
që përfytyrohen në hipostaza të ndryshme, që ia kanë mësuar „rrugët e mjerimit
përmendësh” dhe që „ka depërtuar në
plagët më të thella të shpirtit”. Nuk ma merr mendja se do të kishte ndonjë
kuptim, ndonjë analizë tjetër stilistike apo konceptuale, e kësaj përçapjeje
për të nxjerrë në pah teshat e vargut të sentimenteve të autorit ndaj kësaj
shenjtoreje. Po e përkujtojmë vetëm atë, se fjala është për një vëllim vlerash
të mirëfillta, me imagjinatë të bujshme dhe me figura stilistike të pjekura, që
regjistrohen në kuadrin e qëllimit meritor për përkujtimin e Nënës Tereze, për
jetën e së cilës janë shkruar dhe meritojnë të shkruhen faqe të panumërta, për
të mos u harruar kurrë.
Kështusoj, vlen të
vlerësojmë gjestin disnik dhe dëshirën e etshme të Veli Veliut, për të sajuar
shëmbëlltyrën e saj në fjalë, në qëndisje vargjesh, për atë për të cilën
shkruan: „Nëna e lutjeve/ lutet për të gjithë ata/ që janë plakur me lutje/ dhe
që s’i besonin/ as vetëvetes”. Një dhuratë shpirtërore e transponuar në gjuhën
rumune, falë mundit shpirtëror të një misionari të shquar të lidhjeve
rumuno-shqiptare, Baki Ymeri. (Marius
Chelaru)
Veli Veliu, nën diellin e besimit
Poet shqiptar me vlera dhe principe, Veli Veliu ka atë “vizion shpirtëror”
që e ndihmon të gjejë “gjurmët e padukshmërisë” (shih Rudolf Steiner, Evagjelia
sipas Jonit). “Shpirti i Dritës Hyjnore” është një poemë e rikapitullimeve të
historisë së një fati që është bërë legjendë kontemporane përmes ripërkujtimit
të disa detajeve pa të cilat do të humbej diçka nga kompleksiteti i një
përfytyrimi të përbashkët, detaje që mund të transformojnë madje edhe
ardhmërinë, por me siguri që e ruajnë memorjen e të shkuarës së gjallë në
tanishmërinë kontinuitive. Në një ofanzivë të plotë të post-modernizmit, të
demitizimit dhe pothuajse të mohimit të vlerave morale nga një dëshirë e
papërmbajtur për ta vënë lirinë mbi tehun e thikës, ja poeti që e vetëdijëson
përkatësinë e tij ndaj kombit dhe atdheut, partikularitetet e të cilit e pasurojnë
dhe rrumbullakësojnë, duke i nyancuar diferencat e multikuluralizmit të epokës
sonë.
Është poeti fjalët e të cilit janë
pjesë e një bote të tërë, ndërsa katargu mbi të cilin lartësohen këto fjalë, e
shtyjnë anijen të notojë mbi ujërat e jetës dhe besimit. Dhe është një libër me
tema dhe motivacione të njerëzishme dhe atraktive, sa për lexuesin e poezisë,
po aq edhe për çdo poet tjetër që tenton të krijojë ura afrimi përmes
përpjekjes për t’i dedikuar Nënës Tereze një libër ku do të funksiononte
trajtimi personal për të hyrë në dialog dhe kompeticion kolektiv, edhe me
autorët e tjerë. Rëndësia e motivacionit rspektiv qëndron në reflektimin e një
edukate të shëndoshë fetare kushtuar besimit që e kanë përfituar shqiptarët
gjatë shekujve. Dhe aq më tepër, kur kemi parasysh faktin se autori vjen nga
një vend fqinj me Shqipërinë, e cila paradoksalisht në kohën e Enver Hoxhës
konsiderohej si vendi i parë ateist në botë.
Duke arritur në këtë pikë, nuk mund të mos e përkujtoj një
krijues tjetër me origjinë shqiptare, Liman Zogaj, i vendosur në Gjermani, në
librin e të cilit, „Florile luminii/ Lulet e dritës”, defilon një poezi ku
përmendet nëna e njerëzimit: „Unë jam/ Zogu i Diellit/ Me Flamurin e
Skënderbeut nën pupla/ Me gjuhën e Naimit në këngë/ Me lotin e Nënës Tereze në
vaje/ Unë kosovari i humbur/ Deri në Horizontet e Bardha”, ku bëhet një referim
edhe për Formulën e Pagëzimit, dokumenti i parë shqip, i shkruar nga Pal
Engjëlli dhe (1442), dhe i zbuluar nga dijetari i famshëm rumun, Nikolla Jorga
(1915), i cili ka thënë më vonë se “shqiptarët janë kushërinjtë tanë të gjakut
(1938).
Vëllimi i Veli Veliut mund të kundrohet si një poemë në
tre pjesë, përgjatë së cilës autori përpiqet të rikonstituojë dhe të rikrijojë
poetikisht një atmosferë pa fishekzjare të shumta stilistike, por nga
rikomponimi i fragmenteve të ndryshme, del në pah një rrëfim që evoluon pak nga
pak, gradualisht, për të ridhënë dhe transmetuar një gjendje emocionale, sa e
autorit, po aq edhe e bashkatdhetarëve të tij, për të cilët e ka shkruar me
talent dhe përkushtim „Shpirtin e Dritës Hyjnore”. Mu për këtë edhe e ka
shfrytëzuar formulën impersonale dhe formën narative, nganjëherë madje edhe atë
arkaike, parasëgjithash një formulë në vargje që në shikim të parë duket si një
lojë për fëmijë, por në kontekst ballafaqohemi me mbajtjen e një fluksi të
gjallë të „përrallës”. „Me Ty/ Të vegjlit/ Janë të mëdhenj/ Me ty/ Të
mëdhenjtë/ Janë më të vegjël!”
Në tekst gjejmë burime personale
përmbajtësore, për atë që i është kushtuar ky vëllim, për Nënën e të
përvuajturve, qëllimi i librit duke mos
qenë për të dhënë informata, por për të reflektuar krenarinë dhe emocionin e
përgjithshëm që e ndjejnë ata që kanë të të njëjtin gjak me një personalitet të
këtillë, që ka qenë një shembull mirëbërësie në tërë botën. Në pjesën e parë,
„Lulja e Dheut”, autori na shpie deri në vendlindjen e saj, në qytetin e
Shkupit, ku u lind më 27 gusht 1910 Agnesa Bojaxhiu, alias Tereza. Kështusoj
edhe neve na jepet shansi të përjetojmë një atmosferë të asaj kohe, e
rikonstituar me ekspresivitet, duke përshkruar brigjet e Vardarit dhe qytetin e
parë të Gonxhes, të përvëluar nga vapa dhe nënën e saj që i pat mësuar fëmijët
„Të fshijnë gjurmët e lotëve/ Nga faqet e kohës së shëmtuar”, që kërkonte pak
dritë në shtëpitë e mbushura me hi, që shkruante akatiste në kishë për një botë
më të mirë. Dhe prej këtu, nga shkëndija e shpresave u ngrit dielli i besimit,
„Duke e shpërndarë terrin e trishtimit”/.../ Engjëlli i hapi flatrat/ Një
shpirt zbriti në Kalkutë”.
Me të njejtën delikatesë dhe
thjeshtësi të asaj që lutej nga thellësia e shpirtit të saj të bardhë, t’i
mbyllë “buzët e plagëve shekullore”, poeti identifikohet deri në përfytyrimin
për të përshkuar “rrugët pa rrugë” të Indisë, të cilave Nëna Tereze iu qas “me dritën e dashurisë”, për të cilën gjen
një metaforë sugjestive: “Drita e shpërlarë me përmallim”, që bëhet emblematike
edhe për dy kapitujt e vëllimit: “Lulja e dashurisë”, ku “Nëna e nënave tona”
apo “Nëna e lutjeve”, lutet për të gjithë ata që “janë plakur me lutje” dhe të
cilët nuk i besonin “as vetvetes”. Ballafaqohemi në këtë kontekst me gjendje të
veçanta, si përlindja e besimit universal në një hapsirë dhe kohë që reflekton
forma të ndryshme besimi apo feje, deri sa arrin në një ekumenizëm që
funksionon në krejt rruzullin e dheut. Shquhen veçanërisht disa formula
impresioniste si, “Buzëqesh dielli/ në kupë të qiellit”, apo “Bliri i blertë i
jetës”.
I njëjti trajtim
emocional paraqitet në pjesën e tretë, „Lulja e shpirtit”, në vargje ku autori
digjet nga përgjërimi ndaj tempullit madhështor të Nënës Tereze, i shtrirë në
hapsirën e blertë të dashurisë, diellin e besimit të parë duke e gjetur mbi
brigjet e Shqipërisë së shenjtë. Në këtë kontekst gjejmë edhe shenja tjera të
mbrujtura me aksente elegjiake, duke përshkruar në vargje florën dhe faunën e
tokës ilire, dhe krenarinë e dashurisë së madhe. të cilës kjo nënë e shenjtë i
ka dhënë dimensione universale, apo në vargje tjera, me pemën e mirësisë, në të
cilën ajo ka ngritur „çerdhen më të ngrohtë të dashurisë”, atje ku „vdekja nuk
ishte vdekje”. Si çdo rrëfim lirik, edhe ky përmbyllet së bashku me kthimin e
autorit në „vatrën e shpirtit”, pranë monumentit të Nënës Tereze, duke rigjetur
simbolin e paqes universale, i përfaqësuar nga pëllumbi.
Libri përmbyllet në
formë të rrumbullaktë, përmes ripërkujtimit të përfytyrimeve në faqet e para,
atë të buzëve, jo të plagosura, por të shëruara, duke shkëlqyer në orbitën e
shndritshme mes Gjakovës, Shkupit dhe Tuzit, atje ku pëllumbat „e çukisin
besimin në buzë”. Duke u rikthyer në realitetin nga i cili është thurrur
rrëfimi, ndoshta nuk është vonë t’ia përkujtojmë opinionit, se edhepse nuk ka
dashur kurrë të flasë për familjen e saj, në heshtjen e saj fshihte një dramë
të madhe familiare, babai i saj, Nikolla, farmacist, duke qenë i helmuar në
moshën 46 vjeçare nga policia serbe, për faktin se militonte që Shkupi dhe
Kosova t’i bashkangjiten Shqipërisë, duke lënë pas tij një djalë dhe dy vajza.
Më vonë, nëna dhe motra e saja, Agata, do të vendosen në Tiranë, duke qenë deri
në mbarim të jetës, viktima të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Tereza e të
varfërve nuk arriti t’i takojë për shkak të pengesave të autoriteteve të
diktaturës shqiptare, kështuqë nëna dhe motra e saj vdiqën nga malli për ta
parë, duke u shuar njëra pas tjetrës në një distancë njëvjeçare, 1972 dhe 1973.
Vetëm Lazëri, vëllau i saj më i madh, inzhenier për nga profesioni, mbeti në
Palermo të Italisë, duke e bërë publike këtë dramë që ta këput shpirtin.
Përndryshe, Nëna Tereze e dha frymën e fundit shtatë vjet më vonë, më 1981.
E botuar në 100 vjetorin e lindjes
(1910), të kësaj nëne të shenjtë, e cila për
aktivitetin e saj të jashtëzakonshëm humanitar, më 1997 qe nderuar me çmimin e
Nobelit pët Paqë, libri i Veli Veliut ka ngjitje dhe zbritje të tensionit lirik,
të cilin përkthyesi Baki Ymeri është përkujdesur që ta respektojë me besnikëri
origjinalin, duke tentuar me përvojën e tij prej poeti, ta rikëndojë me
mjeshtëri artistike në gjuhën rumune, se përndryshe, po qe se kjo poemë e bukur
do të kalonte nëpër duart e ndonjë përkthyesi pa pregaditje profesionale (jo
vetëm si poet, por edhe si albanolog), ndoshta do t’ia zbehte vlerën përmes
intervenimeve të panevoshme stilistike. Në këtë kontekst, përfundimisht vlen të
përshëndesim edhe vlerësimin që ia ka bërë Dr. Xhelku Maksuti një libri tjetër
kushtuar kësaj nëne të dashur shqiptare (The Mother of Charity, Ed. Velar, Italy, 2010), duke patur për autor
Don Lush Gjergjin nga Kosova. (Monica Mure?an)
MENDIME KRITIKE
Burim frymëzimi i krijuesve tanë
Krijues që shkruan për fëmijë e
për të rritur, Veli Veliu (1958) është autor i 20 veprave letrare. Poezinë e
tij e karakterizon rimariumi, metrika dhe strofa klasike e qartësia e mesazhit,
gjë që krijon lehtësi për ta pranuar lexuesi i rritur, por edhe më të rinjtë…
Horizontalisht është krijuar lidhja ndërmjet Nishit-Shkupit-Prishtinës, por
edhe shenjave të tjera të hartës shpirtërore të etnisë dhe të kujtesës së saj
historike… Nëna Terezë, që ka marrë atributet si Nëna e Botës e Nënën e
Dashurisë, e me të cilën krenohen jo vetëm shqiptarët, është bërë burim
frymëzimi për shumë artistë tanë dhe në botë. Ajo është bërë njëfarë fryme dhe
imazh karakteristik në artet pamore, muzikore, por edhe në ato letrare: në
poezi, prozë, dramë etj.
Në 100 vjetorin e lindjes së
nobelistes shqiptare dhe misionares së paqes e të dashurisë, poeti Veli Veliu
botoi librin "Drita e shpirtit të shenjtë". Në të poetizohet gjendja
dhe vlera e një krijese si Nëna Terezë, e cila për poetin është lule e dheut,
lule e dashurisë, lule e shpirtit, etj. Lexuesit i ofrohet një biografi e saj
dhe e popullit të saj. Kjo bëhet duke evokuar fëmijërinë e saj, edukimin dhe
rrethanat e tjera jetësore përfshirë edhe përkushtimin e saj deist për të
varfrit, të sëmurët e të braktisurit: “Engjëllusha flatrat i shtriu,/ Me një
frymë zbrit n’Kalkutë,/ Në A(h)zi njeriu më fatziu,/ Plagët mbi plagë në çdo
skutë!” (fq. 16).
Më tej poeti këngëton për gjëmën e
botës së errësirës dhe efektin e dritës që përhap Nëna Terezë, sepse “Zemra
bujare e nënës mbetet/ Deti më i gjerë i mirësisë,/ I fundos të gjitha
dhembjet/ Thellë në gji të errësirës”. Sipas poetit, ajo që ka shuar uri për të
varfrit anekënd botës ka krijuar edhe një uri të re – urinë për fjalën e saj
qoftë të gjallë, qoftë të shkruar. Nëpërmjet vargjeve të tij që strukturojnë
këtë poemë, autori lexuesit ia ofron profilin poetik të Nënës Terezë, në
mënyrën si e ndien ai dhe me qëllim që t’ua bëjë më të afërt e më të dashur
edhe lexuesve të tij. Krahas figuracionit të gjetur dhe anës melodike të vargjeve
që e mundëson njësia e masës së vargut dhe rimariumit funksional, në krijimet e
këtyre librave vërehen edhe notat edukative, me qëllim që të rritet funksioni i
poezisë dhe depërtimi e ndikimi më i madh dhe më i shpejtë te lexuesi. (Ragip
Sylaj)
BOX
Veli Veliu u lind më 25 maj 1958 në fshatin Muhovc, komuna e Bujanocit. Shkollën fillore dhe të mesmen i ka kryer në vendlindje, ndërsa Fakultetin Filozofik, dega e Gjuhës Shqipe, në Universitetin e Prishtinës. Një vjet punoi arsimtar i gjuhës shqipe në shkollën fillore „Migjeni” në vendlindje. Ndërmjet viteve 1985-2002, qe gazetar dhe redaktor në të përditshmen Rilindja. Pastaj punoi në Bibliotekën Ndërkombëtare „Hivzi Sylejmani” dhe në Qendrën Kulturore të Fëmijëve. Nga viti 2009 është lektor në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ishte kryeredaktor i revistave për të rritur informative letrare Mileniumi, Oaza, Margarotari (për fëmijë), dhe tani kryeredaktor i revistës Syri ynë, në Prishtinë. Shkruan për fëmijë e për të rritur: poezi, poema, tregime, ese dhe kritikë letrare. Bibliografi letrare: Zogj merrmëni me vete (poezi, 1982), Nën strehën e yjeve, Ditari i Zana Frangur, Rrugët nuk ndalen, në botim të Shtëpisë Botuese Rilindja. Pas vitit 1990 i botoi privatisht veprat: Rruga e rrezeve, Shqiponja, Shtatë përralla, Vite të stuhishme, Besa e Konstantinit, Zogu i yjeve, Orët e pagjumësisë, Fundi i perandorisë së vogël, Me Zotin e tokës, Zog i këngës shqipe, Shkolla e natës, Drita e shpirtit të shenjtë, Sufletul Luminii Divine (Shpirti i Dritës Hyjnore). Veli Veliu jeton në Prishtinë dhe është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.