E diele, 28.04.2024, 01:33 AM (GMT+1)

Mendime

Ferid Selimi: Ne dhe ata

E hene, 13.02.2012, 08:58 PM


Ne dhe ata

 

Nga Ferid Selimi

 

“He mor bir, ta kthefshin fëmijët!” - më pat thënë, nëna ime e ndjerë, jo njëherë. Ndërsa, në popull kam dëgjuar të thuhet: “Ç’të bësh të kthehet bumerang”. Këto fjalë nuk duhet injoruar, sepse janë fjalë populli. Janë fjalë të urta me kuptim dhe plot filozofi. Janë të tilla, sepse janë nxjerrë nga përvoja.

Një ditë një mik imi më pyeti: “A e di pse gjyshi me nipat e mbesat janë aleatët më të mirë?”

“Jo”, i thashë.

“Janë aleatët më të mirë, sepse i kanë “armiqtë” e përbashkët” -ma ktheu miku im, që veçse ishte gjysh.

Këto fjalë të mikut tim më shtynë të mendoja: Çifti i ri nuk ia vë veshin fjalëve të më të vjetërve (babait-vjehrrit; nënës-vjehrrës) e besa as fëmijët nuk i lënë të kënaqen sipas dëshirës së tyre. Prandaj, si gjyshërit ashtu edhe nipërit/mbesat lidhin aleancë në mes veti për t’i mposhtur “armiqtë” e përbashkët.

I dhashë të drejtë mikut tim, sepse u ktheva në kohë dhe më kujtohej sa herë kundërshtoja fëmijët në ndonjë propozim, nëna ime e ndjerë ishte në anën e tyre, e sa herë kundërshtoja nënën, fëmijët ia mbanin anën asaj. Nuk më paska shkuar mendja fare që edhe imtësitë lëndojnë më të dashurit tanë. Andaj, sa herë nevrikosja nënën, ajo nuk harronte të përsëriste fjalinë: “He more bir ta kthefshin fëmijët!”

Unë nuk bëzaja, mbase pendohesha, ose zihesha në faj. E kisha nevrikosur, ose e kisha lënduar në mënyrë të pavetëdijshme. E, ajo për të mos më mallkuar, sepse mbase kishte frikë që do të më zinte mallkimi i saj, e përsëriste fjalinë: “He mor bir, ta kthefshin fëmijët”.

Doja apo jo, qeshja. Ose i afrohesha të më godiste me grushte, që nga ishiasi që e kishte kapur si në duar ashtu edhe në këmbë, mezi shtrëngonte duart dhe bënte sikur më godiste.

Nuk di, mund ta kisha nevrikosur, apo ndoshta edhe i dukej asaj ashtu. Sepse, thonë që pleqtë dhe fëmijët preken dhe lëndohen shpejt dhe pa ndonjë arsye të fortë.

Ndodh që vetëm të bësh hoka, e ata të lëndohen. E të rinjtë, si të rinjtë më, nuk ua vënë veshin çfarë flasin. I nxjerrin fjalët nga goja si bonbonet nga xhepi, e pastaj “hajt çka u bë...”.

U bë pra.

“Po s’u bë hataja” -do të thoshte dikush.

Jo, hataja nuk u bë, por kujdes se njerëzit lëndohen. E s’ka më keq se kur me vetëdije ose pa vetëdije lëndon prindërit.

Ata lëndohen, jo se bëhet nami me ato fjalë a gjeste ndaj tyre, porse të lindin, kujdesen e të rrisin, dhe në fund, “hajt more, a ju kam imponuar të më lindni a? Ose, “edhe vetë kisha mbijetuar”.

E, jo valla, kësaj i thonë pak maaaac.

Po të mos ishin ata nuk do të ishim as ne. Kështu duhet rezonuar për prindërit.

Sidoqoftë, ajo i përmbahej maksimës: “Ç’i bën prindërve do të ta kthejnë fëmijët”. Dhe njëmend ashtu ndodhi. Ajo në rininë e vet, edhe pse e martuar, udhëtonte nga dy herë në ditë me dhjetëra kilometra për t’u kujdesur për nënën e saj të shtrirë në shtrat, e cila vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Në mëngjes shkonte në fshatin e lindjes për t’u kujdesur për nënën e sëmurë (gjyshen) e në drekë apo nganjëherë në mbrëmje kthehej po ashtu në këmbë për t’u kujdesur për neve, fëmijët. E ne ishim gjashtë kalamaj.

Bëri ajo kështu me muaj të tërë. Qëlloi edhe në momentet e fundit të jetës së nënës së saj, dhe me duart e veta ia mbylli sytë.

Ajo e mirë iu kthye pas tridhjetë viteve. Tërë kohën derisa nëna ime lëngoi nga një sëmundje e shkurtër, por e pashërueshme, nuk iu largua për asnjë moment asnjë fëmijë i saj. Unë shpresoj dhe besoj që tani, ajo pushon e qetë dhe e kënaqur në tokën e amshueshme. I qoftë hallall mundi ynë!

Por, ajo çfarë dua të elaboroj, e që lidhet me këtë dhe ka lidhje me maksimën e sipërpërmendur “Ç'i bën të tjerëve, ose ç’i mendon të tjerëve të kthehet bumerang” ka të bëjë me realitetin tonë. Fati jetësor i shqiptarëve kish qenë i tillë, që të jetojnë në shumë shtete. Mirëpo, të gjithë si mëmëdhe konsiderojnë Shqipërinë. Po, ama, Shqipëria, apo më mirë të them qeveria e mëmëdheut tonë, për çfarë na zë...

Në të parë, nga eksterieri duket se qajnë hallin tonë. Mirëpo, po të hymë pak më thellë shohim që bile palla s’u ha se diku jashtë kufijve të Shqipërisë ka shqiptarë që flasin shqip dhe që kanë një gjak e vdesin për të njëjtat tradita, zakone e të njëjtin flamur. Bile, thënë troç, deri-diku në fund të viteve të tetëdhjeta, s’e kishin idenë që ne këndej kufirit të shtetit shqiptar kishim ruajtur gjuhën, zakonet, doket e traditën shqiptare. Sikur kishin pandehur që na paska mbetur vetëm emri shqiptar, e një fjalë shqip nuk e ditkemi. Të mos flasim për shkolla dhe universitete në gjuhën tonë.

Paçka, do t’ua falim! Koha ishte e tillë kur ata vdisnin për ideal e parti, e sa për komb e kishin lënë për një kohë tjetër. Po, ama, koha tjetër si duket erdhi shpejt dhe i zuri me kafshatë në fyt...

Liderë të tërë partiak u ngritën dhe me një patetizëm euforik, duke shfrytëzuar çështjen e pa zgjidhur të Kosovës dhe të shqiptarëve në ish Jugosllavi, luftonin për të marrë timonin e shtetit shqiptar në duar. Dhe arritën. E morën. Besa dhe zëri iu ngjir, duke bërtitur nëpër mitingje, dhe në fund çfarë?

Asgjë,  “pordhën rikat e Ganës”, do të thoshte dikush i anës sime.

E, po, kështu e ka puna e filluar me hile.

E mbaj në mend mirë një thënie të një politikani shqiptar që vepronte dhe jetonte në Maqedoni. Aso kohe, kur njëri nga liderët e demokratëve të Shqipërisë ia vuri ndërskamcën, (së paku kështu mendonte ky lider shqiptar i një partie në Maqedoni) pati thënë: “Këtë që e bënë këtu te ne, pas disa viteve do të reflektohet në Prishtinë, e më vonë në Tiranë”.

Dhe, njëmend s'vonoi shumë. E njëjta ndërskamcë iu përgatit liderit shqiptar në Prishtinë, po nga ky individ, por pa sukses. Në gropën që bëri për të, ra vetë.

Po, po, ra vetë në të. Dhe, nisi të bërtiste sesi iu vodh kolltuku me dinakëri.

Po, mirë - nëse t’u vodh kolltuku, prit disa vite, puno më tepër për të gjithë, jo vetëm për partinë, dhe merrja prapë timonin vjedhësve.

Po, ku të gjejmë një politikan shqiptar të tillë. Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës nuk janë Amerikë.

Vetëm në Amerikë mbase luhet fer. Atje, luftojnë dy kandidatë deri në ditën e fundit për të fituar postin e presidentit, e me të shpallur rezultatet, humbësi i uron të porsazgjedhurit dhe i ofrohet si ushtar në radhën e parë të ushtrisë.

Ç’flet more ti gjepura, ajo është Amerikë, e jo Shqipëri a Kosovë.

“Pastaj si shumë i mençur po shtiresh”. -do të më thoshte një tjetër.

E unë, nuk do ta zgjasja më shumë, por do të përfundoja shkurt. E konsiderojmë ne veten për më të vjetrit në Ballkan?

E konsiderojmë veten ndër më të kulturuarit në Evropë?

Po, e konsiderojmë, sepse të tillë jemi.

Nëse jemi të tillë, atëherë pse nuk e sendërtojmë, duke e shprehur atë?

Le të mësohemi pra edhe me humbje, dhe ta pranojmë realitetin e krijuar. Kështu vepron bota e kulturuar. Jo vetëm t’i festojmë fitoret. Sepse, kështu i tregojmë botës, qytetërimin tonë të vjetër, e jo me fjalë boshe.

Përndryshe, më duhet t’i kthehem sërish maksimës “ç’i mendojmë tjetrit na kthehet bumerang” dhe te maksima tjetër motërzuese, që ma thoshte nëna ime: “Ç’të bësh të kthehet...”

Ashtu!?

Po si...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora