E shtune, 20.04.2024, 11:07 AM (GMT+1)

Mendime

Abdurahim Ashiku: A do të vijë Gjergj Gjon Kastrioti - Skënderbeu me një shesh në Athinë?

E diele, 12.02.2012, 05:59 PM


A do të vijë Gjergj Gjon Kastrioti - Skënderbeu me një shesh në Athinë?

 

Nga Abdurahim ASHIKU

 

(Duke marrë nismë nga një 100 vjetor, një kumtim dhe...) Vërtetë, a do të vijë, ose më thjesht të them, a do ta sjellin Gjergjin e Gjon Kastriotit, kordhëtarin e madh të shekullit të 15-të në një shesh me emrin “Skënderbeu” dhe me një shtatore mbi kalin e tij legjendar me shpatë drejtuar lindjes otomane, në Athinë? Nuk e sollën në 600 vjetorin e lindjes, përveçse nëpërmjet një sesioni përkujtimor organizuar nga një shoqatë shqiptare në emigracion. Nuk e di nëse do ta sjellin në 100 vjetorin e krijimit të Shtetit Shqiptar, të Shpalljes së Pavarësisë... Në Romë, Paris, Detroit, Neë York, Prishtinë, Dibër të Madhe, Shkup... Ai, shpatari i madh shqiptar që i tha ndal për më se një çerek shekulli urdisë më të madhe dhe të kobshme të mesjetës, Perandorisë Otomane, është i derdhur në bronc, përveçse në Athinë, përveçse tek fqinji ynë jugor bëmat e të cilit i dhanë jetë qëndresës dhe krahë Revolucionit Grek (1821-1828) për çlirimin nga rrjeta e hekurt otomane. Tash, pas kaq vitesh betejë historianësh për origjinën e Gjergj Gjon Kastriotit, “përroi” i rrjedhës sllave e helene për origjinën e Kastriotëve mund të themi me bindje se është tharë. “Burimet” që e furnizonin atë nën emra “Georgij” e “Jorgjis” nuk rrjedhin më, përveçse tek ndokush që i ka marrë koka ujë. Grekët, siç citon studiuesi kosovar Shkëlzen Raça në kumtimin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në historiografinë greke të shek. XIX” pjesë e librit të tij voluminoz “Gjurmime në historinë shqiptare” thekson se “ në botimin e gjashtë të “Historisë së kombit grek” të Paparigopullos, në përkujdesjen redaktoriale të historianit të njohur atëherë grek, Karolidhit, bëhet e pranueshme prejardhja shqiptare e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut” (f.160). Kristo Zharkalliu, një njohës dhe studiues i historisë dhe marrëdhënieve historike midis dy popujve në shkrimin polemizues “Disa sqarime, disa përgjigje” (Plus Gazeta Athina 13 janar 2012 f.14) Thekson se “Grekët nuk e konsiderojnë Gjergj Kastriotin të tyre dhe le ta quajnë “Jorjios” por megjithatë e nderojnë së tepërmi. Mjafton të themi, se në muzeun historik, në ish Parlamentin e vjetër grek, në hyrje të tij, në mure janë vendosur portretet e heronjve të Revolucionit. Portreti i parë dhe më i madh është ai i Gjergj Kastriotit, ku shënohet vetëm emri i tij pa asnjë shpjegim nacionalist”.

Që Gjergji i Gjon Kastriotit ishte dhe mbetet shqiptar, kjo tashmë është e padiskutueshme. “Përrenjtë” dhe “burimet” e të kundërtës janë tharë. E vetmja gjë që ende nuk është “tharë” janë “burimet” krahinore, “burime” të cilat sado që kërkohen sa në Dibër, në Mat, në Has përsëri rreth qendrës “gjeografike shqiptare”, rreth “zemrës” së trupit etnik shqiptar rrotullohen. Autori i këtyre radhëve, bazuar në historianin e madh skënderbegas Kristo Frashëri i cili siç thotë studiuesi dibran Murat Koltraka “... është i vetmi, që veç të tjerave, ka shkelë me këmbë çdo pëllëmbe të territoreve të Çidhnës, që lidhen me Kastriotët”, në Toponiminë dibrane për origjinën e Kastriotëve nxjerrë në dritë nga studiuesit Hazis Ndreu, Ali Hoxha dhe të tjerë, në udhëtimet e tij një jetë të rërë atyre vendeve, në faktin se 18 nga 26 betejat e mëdha fitimtare të Gjergj Kastriotit u zhvilluan në Dibër, ka bindjen se Gjergji i Gjon Kastriotit ka lindur në Sinë të Dibrës, është rritur në Dibër për tu bërë më vonë trashëgimtar legjitim i hapësirës nga Maqedonia në Dibër, Krujë e Bregdet hapësirë nën zotërimin e të atit, Gjon Dibranit siç e quan R. Voltarrano.

Nuk dua të zgjerohem më tej pasi këto i kam përmendur në një kumtim timin në Athinë, në janar 2005 në sesionin jubilar organizuar me rastin e 600 vjetorit të lindjes së Heroit të Madh të Kombit Shqiptar. Çështja që shtroj dhe shtrohet është nëse duhet të ngremë zërin tonë për hapjen e një sheshi dhe ngritjen e një përmendoreje për Gjergj Gjon Kastriotin në Athinë.

Me “ngritje zëri” nënkuptoj në radhë të parë “Kërkesën me zë dhe me shkrim” të shtetit shqiptar dhe strukturave të tij zyrtare, në bisedime me shtetin grek dhe strukturave të tij zyrtare, për krijimin e një hapësire fizike për të hapur një shesh e për të vënë në qendër të tij përmendoren e Gjergj Gjon Kastriotit.

Me “ngritje zëri” nënkuptoj shoqatat, shoqëritë, lidhjet, federatat, tubimet me karakter krahinor e kombëtar shqiptar që të bëhen strumbullari i aksionit për ngritjen e sheshit dhe të përmendores me emrin Skënderbeu në Athinë si dhe të busteve e memorialëve të tjerë në Selanik apo vende të tjera ku dokumentohen bëmat e Gjergj Gjon Kastriotit-Skënderbeut.

Me “ngritje zëri” nënkuptoj degët e partive politike shqiptare në Greqi, degët e Partisë Demokratike, Partisë Socialiste, Lëvizjes Socialiste për Integrim etj., drejtuesve dhe asambleve të këtyre partive që në lidhjet e tyre me partitë politike homologe në Greqi të kërkojnë legjitimin e Gjergj Gjon Kastriotit-Skënderbeut në Athinë nëpërmjet hapjes së një sheshi dhe ngritjes të një monumenti, në emërtime rrugësh e institucionesh shoqërore e shtetërore.

Me “ngritje zëri” nënkuptoj veprën e shkrimtarëve, gazetarëve, artistëve të skenës e të ekranit, muzikantëve, piktorëve, skulptorëve, armatës së madhe të intelektualëve të të gjitha moshave që të bëjnë hapa vrapues për emërtimin e një sheshi dhe ngritjen e një monumenti për Gjergj Gjon Kastriotin-Skënderbeun në Athinë. Veprimtaritë në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, krahas të tjerave, ti lidhin mes të tjerash me Heroin tonë Kombëtar Gjergj Gjon Kastriotin-Skënderbeun.

Me “ngritje zëri” nënkuptoj “një të katërtën” e popullit shqiptar që punojnë e jetojnë si emigrantë në Greqi, nënkuptoj të gjithë biznesmenët në Greqi, njerëz atdhetarë për të hapur e për të depozituar në një llogari publike bankare paksa nga kursimet e tyre për të bërë të mundur të gjitha shpenzimet për hapjen e sheshit dhe ngritjen e monumentit të Gjergj Gjon Kastriotit-Skënderbeut në Athinë.

Kryebashkiakun e Tiranës Basha e pamë të vërë “gurin e themelit” në një shesh në Shkup, shesh i cili do të mbajë emrin e Gjergj Gjon Kastriotit-Skënderbeut. Mirë bëri, por e mira e të mirave është që një ditë të vijë në Athinë, të takohet me homologun e tij grek dhe së bashku të venë “gurin e themelit” për një shesh dhe për një monument të Skënderbeut në kryeqytetin e vendit ku punojnë, jetojnë e banojnë me dokumente të rregullta 15-20 për qind e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.

E di që ekstreme nga segmenti i shoqërisë greke do ta kundërshtojnë ardhjen e Gjergj Gjon Kastriotit-Skënderbeut në Athinë ashtu siç di se ekstreme nga segmenti i shoqërisë shqiptare, e kanë quajtur Skënderbeun “tradhtarë të islamit”. Injorimi i tyre, shumëzimi me zero, përbën urën lidhëse evropiane për sot dhe për të ardhmen.

***

Shënim: Përmbajtjen e këtij shkrimi, tek pinim kafe tek “Tuneli” në Omonia, ia tregova një miku. Më pa me vëmendje si të isha jashtëtokësor dhe më tha:

“Kot e lodh veten, shteti atje dhe këtu, shoqëria atje dhe këtu, janë pa veshë. Ata nuk dëgjojnë asgjë tjetër veç tingëllimës së parasë në xhepat e tyre. Fatkeqësisht”.

I thashë: “E di. Por në qoftë se ata janë pa veshë a duhet të jemi edhe ne pa gojë? Është koha për hapje goje”.

 



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora