E merkure, 30.04.2025, 05:48 AM (GMT+1)

Mendime

Besim Jashari: Ministri i Mbrojtjes Fatmir Besimi (BDI) tradhtari shqiptar i kohëve moderne

E merkure, 08.02.2012, 08:59 PM


Ministri i Mbrojtjes Fatmir Besimi (BDI) tradhtari shqiptar i kohëve moderne

 

Nga Besim Jashari, Maqedoni

 

07.02.2012 - Ministri i mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë Fatmir Besimi i cili vjen nga radhët Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), partisë shqiptare në pushtet, përpara ca ditëve paralajmëroi fillimin e kampanjës lobuese me qëllim të integrimit të Maqedonisë në strukturën euro-atlantike të NATO-s nën prefiksin FYROM.

Edhe pse të gjithë kritikët dhe analistët politik në Maqedoni, por edhe opozita shqiptare këtë mision lobues të Fatmir Besimit e kanë quajtur të dështuar që në fillim, ai përsëri iu rrek punës. Përkundër sugjerimeve të të gjithë zyrtarëve të lartë të Brukselit dhe Washingtonit që për shumë vite me radhë ia kanë tërhequr vërejtjen dhe ia kanë bërë me dije qeverisë maqedonase se “s’ka integrime pa ndryshim te emrit” dhe “negociatat për ndryshim të emrit duhet të merren seriozisht se talleni me ardhmërinë e vendit”. Pikërisht ky paralajmërim i fundit dhe kërcënues ndaj qeverisë ishte bërë nga ana e zv.Sekretarit të State Departamentit amerikan Philipe Reeker. As udhëheqësi i aliancës së NATO-s Rasmussen nuk ishte më i butë në deklaratat e tij.

Dhe kur opinioni i gjerë në Maqedoni, priste fillimin e kësaj kampanje lobuese të Ministrit Besimi ai për habi të të gjithëve, këtë mision e filloi nga Beogradi dhe jo nga Washingtoni apo nga shtetet e tjera evropiane. Është koha të përkujtojmë që ky ministër, në pushtet ka ardhur në emër të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), partia e cila përvetësoi konfliktin e armatosur mes shqiptarëve dhe maqedonase të vitit 2001 dhe u vetëdeklarua se përfaqëson “krahun e luftës” dhe interesat shqiptare në skenën politike në Maqedoni.

Takimi i realizuar në Serbi në nivel institucional (Ministritë e mbrojtjes), nënshkrimi i marrëveshjes për bashkëpunim ushtarak e policor në situatë kur shteti ballafaqohet me rrezik të lartë mes Maqedonisë dhe Serbisë nuk është akti më turpshëm dhe më i shëmtuar që një garniturë qeverisëse shqiptare në pushtet ka realizuar ndonjëherë. As deklaratat e tipit se Maqedonia dhe Serbia kanë bashkëpunim të suksesshëm në sferën e mbrojtjes, por turpi më i madh dhe kulminacioni i tradhtisë ndodhi atëherë kur Ministri Besimi përveç që takoi homologun serb Dragan Shutanovac, ai takoi edhe gjeneralin që bëri luftë dhe urdhëroi masakrimin e popullatës civile gjatë luftës së Kosovës, 1998-1999.

A nuk është tradhti, përulje dhe nënçmim i nivelit më të lartë që një ministër shqiptar që thirret në emër të luftës së 2001-shit, në emër të dëshmorëve dhe në emër të “krahut luftarak” të shqiptarëve të Maqedonisë të takojë një gjeneral serb të akuzuar për krime lufte ndaj shqiptarëve në Kosovë, dhe çka është më keq, ky Ministër dekoron dhe dekorohet nga ushtria serbe. Vallë cilët ishin meritat e tij? Pse Fatmir Besimi buzëqesh në çdo fotografim që ka bërë me zyrtarë të lartë të ushtrisë serbe? E detyruan atë, apo ai s’din çka përfaqëson? Dhe e fundit, pse bash ky Fatmir Besimi (ekonomist me profesion që nuk plotëson asnjë standard ushtarak, as me centimetra as me dinjitet e krenari ushtarakësh?) të udhëheq ministrinë e mbrojtjes? A nuk kanë shqiptarët tjetër përfaqësues? Apo veprimtaria e tij në të kaluarën dhe serviliteti i skajshëm kundrejt sllavëve e mban të gjallë politikisht?

A nuk është tradhti që ky person, dhe partia ku ai graviton (BDI) të keqpërdorë cdo kampanjë zgjedhore këto 10 vite që BDI fiton zgjedhjet në emër të familjeve të dëshmorëve dhe të dëmtuarve të luftës së 2001-shit dhe pastaj të zhgënjejë një popull të tërë me përuljen dhe servilitetin që bën përpara sllavëve, qoftë ata maqedonas apo serbë, apo edhe më keq servilosje përpara gjeneralit që bëri krime lufte ndaj vëllezërve tanë kosovar.

I nderuari ministër Fatmir Besimi, kryetar Ali Ahmeti dhe BDI. A nuk ishit ju ata që në vitin 2001 të maskuar me petkun e luftëtarëve dhe çlirimtarëve të shqiptarëve në Maqedoni, kërkonit ndarje territoriale dhe shkëputje nga shteti sllav Maqedonia? A nuk ishit ju ata që në vitin 2001 kërkoni shfarojse të sllavëve në këtë vend? A nuk ishit ju ata që në vitin 2001 betoheshin në flamur se do të luftoni deri në vdekje për të bashkuar territoret shqiptare? Vallë çka ndodhi me “përcaktimet” e juaja? I harruat apo asnjëherë nuk kanë ekzistuar?

10 vite pushtet, në nivel lokal e qendror janë shumë pak për historinë. Heroizmi juaj u sfidua nga vetë ju, ndërsa veprimtarinë tuaj kombëtare sot e keni të kontestuar nga çdo shqiptar jo vetëm në Maqedoni por edhe më gjerë. Fatmir Besimi dhe BDI, gjithmonë do të mbaheni në mend për tradhtinë që ju bëtë shqiptarëve.

Ju jeni tradhtari shqiptar i kohërave moderne.



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx