E merkure, 30.04.2025, 08:14 AM (GMT+1)

Mendime

Pilo Zyba: Të jetosh me të kaluarën

E shtune, 04.02.2012, 08:44 PM


PILO ZYBA

 

TË JETOSH ME TË KALUARËN

 

-tregim –

 

Mbylla me forcë derën e dhomës, dhe u hodha si e vdekur mbi krevat.Sa herë që grindeshim me Ilirin, kisha nevojë të rrija vetëm.Nuk doja të dëgjoja askënd, dhe të më dëgjonte askush.Në shpirt kisha një makineri të rëndë, në formën e një mulliri,e cila grinte personalitetin tim, dhe më coptonte në mijra copëza dhimbje qënien dhe durimin tim.Iliri, burri im, erdhi i pirë , dhe ishte e kotë të diskutoje me të.Atëherë mbylla me çelës derën e shpirtit, dhe kërkova ngushëllim diku tjetër. Hodha kovën e kujtimeve në pusin e thellë të jetës sime.Që nga vajzëria, atje e kerkoja shpesh herë gabimin tim.Zbrisja të 30 vjetët dhe lexoja ditët e vajzërisë.Ato ditë që nuk do ktheheshin më kurrë.Ditët e kalendarit tim ishin shfletuar, dhe unë ndodhesha 23 vjet më pas.Më kujtohet nëna ime Vasilika, e ndarë nga babai, me dy vëllezrit dhe motrën time Linditën, qe sot jeton në Milano.Me nje emer te bukur Lind – dita,por që ishte vështirë të shikonte një ditë të bukur në jetën e saj.Trokita në derën e shtëpisë në atë qytet të vogël, dhe në po atë shtëpi të vogël ku linda.Dëshira ime që fshihej pas saj e hapi derën.Në muzeun e jetës pas kaq vitesh shikoja portretin e tij të çiltër, gëzushmërinë sa herë që fliste, dhe të bënte me sy dhe vëmëndje buzët e tij, zërin melodioz, dhe mënyrën e tij të tregimit.Nuk di si hyri në shtëpinë time,në fillim e kishim mesues në shtëpi të pionerit, dhe më pas u miqësua me prindrit e mi.Ishte 10 vjet më i madh nga unë, dhe atëherë me dukej shumë i madh.Unë e shikoja gjithnjë me admirim, dhe prania e tij më qetësonte.Shtëpia jonë ishte një folezë e ngrohtë dhe e hapur pët të, ashtu si shpirti i tij për mua.Ishte i martuar, kishte dhe një fëmijë, kështu më thoshte mamaja.Unë në atë kohë isha 16 – 17 vjeç dhe nuk i dëgjoja fjalët e tij, por dëshirat e mia të moshës.Ato më shtynin të rendja pas pemës së gëzimit të tij.Lumturohesha sa here e shikoja te pragu i derës.Edhe sot pas afro 30 vjetësh, nuk e di nga lindte ajo dëshirë, dhe përse!?Por mbi të gjitha, sot, pse e kujtoj gjithnjë në ditët më të vështira të jetës time?Mos vallë nga që ai më dhuroi gjatë gjithë atyre viteve vetëm gëzime, apo ato pak dhurata që i ruaj ende, janë shprehje e një shpirti, shprehje e një ndjenje, apo shprehje e sinqeritetit dhe dashurisë, që ai kishte në kosheren e tij të mjaltit të llogjikës dhe kulturës së tij, dhe që unë nuk e kuptova dhe vleresova kurrë?Ndonse me rri shumë e ngushtë, atë bluzë të kuqe e vesh shpesh edhe sot, ndonse eshte blere par 28 vjetesh, e vesh për të thirrur kujtimet, apo për të transmetuar jashtë në orbitën e tokës dhe për të kërkuar ngrohtësinë e dorës së tij, që tashmë nuk e di ku e ka flakur era e fatit? Atë dorë nga fundi i botës, dhe pres valët e ngrohtësisë së tij, të prekin dhe kuptojnë se, ngrohtësia e tij jeton akoma, nuk ka humbur dhe nuk do të humbasë kurrë.Sa herë e vesh, më ngjet vetja si në përrallë, iki nga vitet, xhvishem nga e sotmja dhe rri me të shkuarën.Te ajo e shkuar e cila më lumturonte.Ajo ishte e çilter dhe e pastër.Nuk shtirej, ishte e çiltër, ishte e bukur dhe e brishtë. Ke gjithnjë dëshirë ta prekësh, ta puthësh, ta përkëdhelësh thellë.Ta përkëdhelësh atë dorë, të cilën nuk e kuptova kurrë, ishte prindërore, vëllazërore, apo vetë dashuria ishte brënda saj?Por sa herë kam luftë me veten dhe me jetën, kërkoj atë dorë, atë fjalë të ëmbël, atë përkëdhelje.Pse e kërkoj gjithmonë kur më mbyt lumi i padrejtësisë dhe vuajtjeve?

Mbyll sytë dhe dëgjoj çelsin e tij në derë, atë çelës që më ishte kthyer në një melodi të ëmbël, që perveç portës sonë hapte dhe portat e gëzimeve të mia.U shfaq te dera ashtu si e kisha në kujtesën time.Erdhi, më vuri dorën mbi flokët e gjatë, dhe më pëshpëriti me zërin e ëmbël që dilte nga violina e gojës së tij:

- Zemër e vogël!

Unë u lëshova në krahët e tij, dhe e putha, e putha shumë, shumë, dhe me të gjithë forcën e shpirtit, sikur doja ti pija të gjithë mallin e viteve të humbura, për të marrë forcë për të luftuar.I thirra:

- Erdhe, kam një jetë që të pres, një jetë!? Sytë i kishte të mbushur me lot.

Më mori në duar dhe më rrotulloi si rrotullohet një fëmijë.Palat e fustanit të dikurshëm u hapën si krahë, flokët u lëshuan në krahët e erës dhe vallzonin me to.Më puthi dhe më hodhi në prehër një grusht me çokollata.Ëmbëlsia e tij ndihej kudo, kudo, në qënie, në fjalë, në puthje, në dhurata.

- Nuk dua çokollata, i thashë! Të dua ty! Kam nevojë vetëm për ty.Ai më pa, dhe nga sytë i rrodhën përsëri lot.

- Jam i ikur – më tha – dhe më puthi përsëri.Unë nuk jam njeri, por një ëngjëll.Një ëngjëll që të ngushëllon shpirtin.Atë shpirt, që jeta e qëllon me shpatën e padrejtësisë dhe fyerjes.Ti nuk e pranove nektarin e buzëve të mia, as oxhakun e ngrohtë të ndjenjave të mia!

- Që nga dita që fluturove ti, që nga ajo ditë që prehri jot i ngrohtë iku, unë ndjej ftohtë, gjithë jetën e kam dimër.Nuk i njoh më stinët.

- Bruna, zemra ime! Ai u lëshua në minderin e vjetër pranë sobës.- Gjyqi i pa mëshirshëm i padrejtësisë - jetë, na ka ndarë.

E zura nga të dy krahët dhe e shkunda:

- Na ka ndarë, por ti mos ik! Të lutem, mos ik! U shkreha në vaj.Doja të mbështesja kokën në prehrin e tij si dikur, të shihja ëndërra të bukura, ato të dikurshmet, të vërtetat. - Të dua shumë, shumë, pa ty nuk mundem!

- Unë jam një kujtim i bukur, i largët, më pëshpëriti ai!Më puthi në buzë, në ato buzë që i dëshëronte, por që nuk i puthi kurrë.U kthye nga dera dhe po ikte.

E kapa nga duart dhe iu luta:

- Të lutem mos ik! Po ike, më merr me vete në botën tënde.Atje le të mbytem, le të humbas, le të tretem.

Ai u kthye! Më përqafoi fort, sikur kishte frikë se mos i ikja, pastaj më lëshoi, hapi krahët dhe fluturoi.Dëgjoja vetëm zërin e tij që linte nga pas:

- Bruna, Bruna! Lumturia jote është këtej...eja..eja...më ndiq, të lutem.Pa ty dhe unë fluturimet i kam të vogla, dhe dhimbjet të mëdha.

Por unë isha e shtrirë në mes të dhomës, krahët i kisha të prera dhe nuk mund të ndiqja pas fluturimin e tij.Vetëm e shikoja dhe i bërtisja me sa kisha në kokë:

- Mos ik, të lutem mos ik!

U hap me vrull dera e dhomës dhe brënda saj hyri imshoq, Iliri.Era e uiskit mbushi ambjentin.

- Pse bën si e çmëndur, pse!? Por ti e çmendur ke lindur.Fëmijët të tmerruar ishin pas shpinës së tij.

Sytë i kisha nga e kaluara dhe shpirti thërriste:

- Ik, ik, ik, mbyll derës që mos të të shikoj, zhduku.Atë çast kisha dëshirë të harroja të sotmen, dhe të jetoja vetëm me lumturinë e shkuar, të cilën e kisha shqelmuar në ato vite.Burri lekët i kishte lënë në bixhoz, dhe ndoshta nuk kishim as bukë në shtëpi, por unë keto çaste nuk doja bukë, por vetëm pak ngrohtësi...pak ngrohtësi.Nuk e di, por sa herë e sotmja më qëllon, kthehem dhe mbështes kokën te e kaluara ime e bukur!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx