E merkure, 30.04.2025, 05:09 AM (GMT+1)

Mendime

Rexhep Kastrati: Të gjitha opsionet e hapura për Veriun e Kosovës

E shtune, 11.02.2012, 08:44 PM


TË GJITHA OPCIONET E HAPURA PËR VERIUN E KOSOVËS

 

Nga Rexhep Kastrati

 

Demagogjia poliike e Hashim Thaçit dhe e Edita Tahirit, për gjoja bisedime teknike, e jo negociata politike, më në fund mori një goditje ala tomahowk nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Rasmusen, gjatë një konference me gazetarë, pas takimit minesterial të Organizatës. “Unë nuk po propozoj një proces paralel apo të ri politik. Unë e mbështes fort dialogun që po udhëheq BE. Dhe ne nuk duhet të befasohemi që dialogje të tilla nisin shpesh me çështje tepër teknike, të rëndësishme për tu zgjidhur. Por gradualisht, diskutime të tilla teknike do të zhvillohen drejt një dialogu më politik. Nga përvoja ime, një gjë e tillë është krejt e natyrshme.” – u shpreh shumë qartë në një pyetje të një gazetari. Dhe më qartë nuk ka se ku shkon lëigjërata politike e një diplomati që është në krye të organizatës më të madhe ushtarake në botë. Pas kësaj deklarate, për dallim nga analizat dhe komentet e mia dhe të ndonjë tjetri, pasoi heshtja e Edita Tahirit, e cila duket se nuk ka pritur që kaq shkoqur, një zyrtar kaq i lartë ndërkombëtar do ta përgënjështronte, dhe thuajse do ta urdhëronte atë. Në këtë kontekst, është bërë shumë e qartë se negociatat Prishtinë – Beograd, apo thënë më mirë Thaçi – Tadiq me sejmenë të tyre, ishte nisur që në fillim si proces negociator që do të duhej të përgatiste terrenin pikërisht për statusizimin e veriut të Kosovës, për pushtetëzimin e enklavave, për garantimin e tjetërsimit të kishave shqiptare nga ana e Kishës Ortodokse Serbe, për pronat e serbëve në Kosovë etj. Dhe është kjo pikërisht një nga tezat kryesore që unë e kam elaboruar në shkrimet e mia të bëra në kontekst të negociatave Prishtinë – Beograd që nga fillimi i tyre, pasi që një tezë e tillë vinte natyrshëm si për vetë procesin negociator, ashtu edhe për zhvillimet politike, diplomatike e ushtarake që nga viti 1998 e deri më sot. Së këndejmi, ligjërata diplomatike e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, e bërë pas takimit ministerial, pra pas një debati të shteteve anëtare të NATO-s, vetëm sa e ka bërë të qartë se bashkësia ndërkombëtare është një në bashkërendim gjeopolitik dhe gjeostrategjik për sa i përket gjithë zhvillimeve në Kosovë dhe rreth saj, dhe se linja e Tiranës/Kretës, por edhe ajo udbasho-jugosllavokomuniste vetëm sa kanë kryer punë të këqia për Kosovën, në këmbim të moshapjes së dosjeve për ta dhe për bizneset e tyre legale dhe jolegale, për lidhjet me krimin , me rrjetet mafioze të drogës, të trafikimit të qenieve njerëzore etj.

Prandaj, Edita Tahiri nuk ka zë pas deklaratës së sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, ashtu siç nuk ka zë as Hashim Thaçi, i cili që sa kohë është duke konsumuar patriotizëm demagogjik, në pëprjekje për ta fshehur thelbin e veprimeve kundërkombëtare që i ka realizuar dhe është duke i realizuar edhe sot e gjithë ditën. Prandaj, as Edita Tahiri, e as Hashim Thaçi nuk kanë si të flasin më për zgjidhje në përputhje me kushtetutën e Kosovës. Prandaj, edhe është kërkuar ndryshimi i kushtetutës që edhe akti më perfid i tradhtisë kombëtare të ketë bazë kushtetuese. “Ahtisari plus”, që përmendej vazhdimisht, e që ishte rrjedhimi logjike i zhvillimeve të gjertanishme në Kosovë që nga viti 1998 e këndej, tashmë u bë e qartë se nënkupton realizimin e të gjitha faljeve që delegacioni i Kosovës në negociatat e Vjenës ia kishte bërë Serbisë, si dhe një plan të qartë për veriun e Kosovës, i cili tashmë është idnetifikuar, është konstituuar dhe është konsoliduar si entitet i veçantë që nga viti 1999 e këndej. Thënë të drejtën, të gjithë e kanë ditur se çështja e veriut të Kosovës ishte një çështje që do të kishte një fund të tillë, dhe nuk isha vetëm unë ai që e theksoja këtë, por kishte edhe analistë të tjerë, kryesisht amerikanë, si Daniel Server dhe ndonjë tjetër që e theksonin rrezikun që paraqiste situata në veri.

Mirëpo, Beogradi nuk do të kënaqet vetëm me kaq: pasi ta sigurojë veriun, ose krahas këtij procesi, do të sigurojë edhe unitetin e enklavave të tjera serbe, duke e bërë KoSovën, një vend me homogjenitet të lartë etnik, një territor me një pamje laramane. Dhe në këtë drejtim, Beogradi, ashtu siç kam thënë këtu e njëmbëdhjetë vjet më parë, ka krijuar dy qendra të vendosjes serbe në Kosovë: qendrën e vendosjes serbe në veri, e që do të realizonte interesat serbe në veri të Kosovës me mundësi bashkimi të kësaj pjese me Serbinë, si dhe qendrën e vendosjes serbe në Graçanicë që do të realizojë interesat serbe në pjesë të dryshme të Kosovës. Zhvillimet e gjertanshme kanë treguar se serbët e Kosovës kanë pasur qasje tjetër ndaj veriut, e tjetër nëpër enklava të tjera: serbët e veriut kurrë nuk e kanë pranuar pushtetin e Prishtinës, kurse serbët në enklava kanë pranuar një lloj dysie; edhe pushtetin e Prishtinës, e edhe të Beogradit.

Në këtë kuptim, deklarata e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, për negociata poltike për veriun, duhet parë pikërisht si reflektim të zhvillimeve të gjertanishme në Kosovë dhe rreth saj, e të cilat zhvillime, pikërisht e kanë diferencuar çështjen e veriut nga çështja e enklavave serbe në Kosovë, duke mos ia mbyllur rrugën të gjitha opcioneve për zgjidhjen e çështjes së veriut, si dhe të enklavave në Kosovë. Dhe ndër opcionet për zgjidhjen e çështjes së veriut të Kosovës, përveç statusit special, ka kohë përmendet edhe ndarja e Kosovës, qoftë ky edhe si shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe një opcion të tillë, së fundmi e tha edhe Erhard Busek, i njohur shumë në Kosovë dhe në hapësirat ballkanike të gjeopolitikës e gjeostrategjisë. Dhe opcioni i ndarjes, edhe pse jo edhe qasje zyrtare e diplomacisë ndërkombëtare, është një nga opcionet që nuk kundërshtohet fuqishëm dhe me argumente të qëndrueshme, pasi që thelbi i arsyetimit është se nuk mund të ketë ndarje të Kosovës, pasi që do të ketë pasoja në rajon. Ky arsyetim nuk është se bind, pasi që sllavoortodoksët, qofshin këta serbë, sllavomaqedonas, malazias apo grekë, janë tashmë gati për këtë zgjidhje, sepse ka vite që i kanë të hapura zgjidhjet në bazë të së cilave Kosova do të ndahej, Maqedonia do të ndahej, si dhe Greqia do të pretendonte juglindjen e shtetit aktual shqiptar, jugun e Maqedonisë etj. Një hartë e botuar para rreth dy vitesh në “The Economist” paralajmëronte pikërisht këto. Oferta për ndarje të Kosovës, kanë ardhur moti, oferta për ndarjen e maqedonisë ka ardhur moti, ashtu siç janë të hershme ambiciet e Greqisë ndaj shtetit aktual shqiptar. E keqja e kësaj zgjidhjeje është se do të jenë shqiptarët ata që do të humbasin territore, kurse sllavoortodoksët do jenë ata që do fitojnë territore.

 

Prandaj, mbetet të shihet se si do të shkojë eksperimenti me veriun e Kosovës, përkatësisht ndarjen e Kosovës a do ta paraprijë një status special për veriun, apo kjo do të realizohet drejtpërdrejt si vazhdimësi e proceseve të gjertanishme të zhvilluara në Kosovë. Ajo që duhet theksuar me këtë rast dhe që duhet mbajtur mend është: Albin Kurti me “Vetëvendosjen” në Kosovë, si dhe Aleanca Kuqezi në shtetin aktual shqiptar dhe në Maqedoni, janë duke i fërkuar duart, dhe po presin kur do t’u vijë koha për të thënë: e realizuam bashkimin kombëtar. Një një kënd, është edhe Koço Danaj me prohjektin e tij që po ashtu është duke pritur realizim e bastit të tij makabër të vënë në një studio televizive për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë më 2013.

 

Natyrisht se drejtuesi i një organizate ushtarake, siç është NATO-ja nuk mund t’i parathoshte të gjitha këto, por mjafton që ka thënë: “Është e qartë se situata aktuale në veriun e Kosovës nuk mund të zgjidhet vetëm nëpërmjet mjeteve ushtarake. Pra ne inkurajojmë, si Beogradin ashtu edhe Prishtinën, që të angazhohen në tavolinën e negociatave për të gjetur një zgjidhje afatgjatë, pasi askush nuk do të përfitojë nga kthimet “Është e qartë se situata aktuale në veriun e Kosovës nuk mund të zgjidhet vetëm nëpërmjet mjeteve ushtarake. Pra ne inkurajojmë, si Beogradin ashtu edhe Prishtinën, që të angazhohen në tavolinën e negociatave për të gjetur një zgjidhje afatgjatë, pasi askush nuk do të përfitojë nga kthimet e tensioneve të së kaluarës.”.



(Vota: 5 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx