E diele, 28.04.2024, 05:36 AM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Libri i Fevziut “Enver Hoxha”, si ambalazh për biografinë e Anastas Plasarit (3)

E marte, 08.11.2011, 08:39 PM


Pse Fevziu në librin “Enver Hoxha” kërkon të mbulojë pikat e errëta në jetën e “Këpucarit të Ambasadave”, Anastas Plasarit (3)

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Emri i Anastas Plasarit ishte dashur që të gjendej në një libër biografik për Enver Hoxhën vetëm për të treguar emërimet krejt të pavend në poste të rëndësishme të regjimit të ri, të ardhur në fuqi në Shqipëri, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, atij komunist. Në librin e Fevziut thuhet për Anastas Plasarin: “Mbas 1944-ës kreu detyra në fushën e kulturës: përgjegjës i Agjencisë Shqiptare të Filmit dhe drejtor i Teatrit të Tiranës që do të shndërrohej në ‘Teatrin Popullor”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 84) Por Blendi Fevziut nuk ndalet aspak këtu për të pyetur se si ishte e mundur që një njeri i cili nuk tregonte dot kurrfarë shkollimi për vetveten, përveç një kursi marksist partie të kryer në Rumani, në moshën 15 vjeç, u emërua në këto detyra të cilat kërkonin njerëz të shkolluar dhe me diploma universitare.

 

Regjimi komunist i porsaardhur në pushtet i dërgoi pjesën më të madhe të njerëzve me diploma universitare të marra në universitetet perëndimore, në burgje dhe në kampet e punës së detyruar, e madje më keq, në litar dhe para skuadrave të pushkatimit, kur arriti që t’ i kapte dhe ata nuk u treguan aq të kujdesshëm sa të largoheshin jashtë vendit. Në detyrat që u takonin njerëzve të shkolluar, u emëruan njerëz si Anastas Plasari, punëtorë me shkollë fillore. Emërimi i Anastas Plasarit në këto detyra, fill pas ardhjes së Enver Hoxhës në pushtet, ishte një nga shenjat e para të shfaqjes së profilit sharlatanesk të regjimit të ri. Përderisa doktrina komuniste u atribuonte punëtorëve aftësi të posaçme udhëheqëse në çdo fushë të shoqërisë dhe shtetit, atëherë çdo regjim komunist kishte një dimension sharlatanesk. Një nga shfaqjet më brutale të sharlatanërisë së regjimit të komunist fill pas ardhjes në fuqi, në sektorin e kulturës, ishte emërimi i Anastas Plasarit në detyrat e përmendura më lart. Ndryshe nga ç’ thotë Fevziut në librin për Enver Hoxhën, nuk ishte tragjedi arrestimi i Anastas Plasarit në 1946, por emërimi i tij në këto dy poste. Fevziu shkruan për Anastas Plasarin: “U arrestua më 23 mars 1946, d.m.th. të nesërmen e shpalljes së Enver Hoxhës kryeministër i Qeverisë së parë të RPSh (22 mars-1 tetor 1948) dhe u përjashtua nga PKSh për ‘antijugosllavizëm’, duke u bërë një nga elementët e parë në vargun e dënimeve, tanimë prej vetë regjimit ‘komunist’, të veprimtarëve të Lëvizjes së majtë”. Pas një akuze për ‘shpërdorime financiare’, iu nënshtrua një akuze të dytë si ‘agjent i anglezëve’, deri kur ‘u fal’ më 1949, mbas rënies së Koçi Xoxes dhe grupit të tij, për t’ u punësuar tanimë në Ministrinë e Bujqësisë, paradoksalisht në të njëjtin pozicion që kishte pasur në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare gjatë regjimit të Zogut dhe pushtimit fashist. Sipas Plasarit ishte ndërhyrja energjike e mësueses dhe mikes së tij, ‘shoqes Ana Pauker’, të njohur atëherë si ‘gruaja e hekurt’ e Lindjes komuniste, së cilës ai i ishte drejtuar dhe që e shpëtoi. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 84)Arrestimi i Anastas Plasarit ndodhi për dy arsye. Së pari se ai shpërdoroi detyrën, duke nxjerrë përfitime financiare nga shitja e filmave dhe nga të ardhurat e teatrit. Në kohën që Enver Hoxha bërtiste me të madhe kundër abuzimeve të klasave “shtypëse dhe shfrytëzuese”, popullit filloi të bjerë në sy se njerëzit e regjimit të ri filluan që të abuzojnë me pushtetin dhe të jetojnë në luks, në një kohë që shoqëria shqiptare iu nënshtrua diktatit të një sistemi të rreptë triskëtimi të ushqimeve, veshjeve, deri edhe sapunit e sendeve më të nevojshme të përdorimit të përditshëm. Në këto rrethana, regjimi i ri, i cili shikonte se po i  kompromentohej imazhi prej puritani që donte të krijonte për vetveten, vendosi që të bënte disa shembuj, për t’ i treguar popullit se ai i ndëshkonte zyrtarët abuzues. Kjo ishte arsyeja e arrestimit të Anastas Plasarit të nesërmen e krijimit të qeverisë së re. Në 23 mars 1946 u bënë të parat arrestime në Shqipërinë komuniste për abuzime me detyrën të zyrtarëve të regjimit të ri, në Tiranë dhe në qytetet e tjera të vendit. Anastas Plasari ishte i pari zyrtar relativisht i lartë i regjimit komunist, i arrestuar dhe i dënuar për atë që sot njihet si korrupsion. Natyrisht se me këtë rast ai do të përjashtohej edhe nga partia, se supozohej që partia të ishte puritane dhe këta njerëz nuk kishin vend në radhët e saj.Sa për pretendimin e Fevziut se ndaj Anastas Plasarit u ngritën edhe akuzat për “antijugosllavizëm” dhe si “agjent i anglezëve”, këto nuk duken të besueshme, se për akuza të tilla në atë kohë dënimi ishte me pushkatim, ose me varje në litar. Deri më sot, Aurel Plasari, nuk ka botuar vendimin e gjyqit për dënimin e të atit. Kur miku i Aurel Plasarit, Fahri Balliu, i tha para dhjetë vjetësh Aurel Plasarit se donte që të bënte një libër biografik për Anastas Plasarin, Aureli, në fillim iu përgjegj se nuk ishte ende koha, dhe disa vite më pas i tha se për këtë libër po punonte dikush tjetër. Ndoshta Aureli e kishte fjalën për librin e Blendi Fevziut për Enver Hoxhën, i cili në fakt është një libër për Anastas Plasarin. Fakti që Anastas Plasari u fal pas rënies së Koçi Xoxes, siç pohon Fevziu, tregon se akuzat politike ndaj tij nuk qenë serioze. Paradoksi që shikon Fevziu tek fakti që Plasari pas daljes nga burgu u punësua në të njëjtën detyrë që kishte pasur në kohën e monarkisë, në një ministri, tregon se ai kishte mbështetjen e policisë sekrete komuniste. Fevziu më kot mundohet që ta shpjegojë këtë emërim me influencën e lideres komuniste rumune Ana Pauker, e cila na paskësh lidhur miqësi me Plasarin kur kishte qenë mësuesja e tij, në kohën që ky kishte kryer shkollën e partisë në Rumani, në moshën 15 vjeç! Këtë nuk e beson kurrkush. Anastas Plasari na paska përfunduar në 1918, në moshën 15 vjeç shkollën e partisë në Rumani, dhe mësuesja e tij Ana Pauker e mbante mend dhe ndërhyu në mbështetje të tij në 1949! As Anastasi nuk mund ta përfundonte këtë shkollë në moshën 15 vjeç, as 23-25 vjeçarja Ana Pauker nuk mund t’ i kishte dhënë mësim atij në atë kohë (Kur filloi t’ i japë mësim, në ç’ vit e nisi ai shkollën?), as mund të kujtohej ajo në 1949 për Anastasin, se ai nuk kishte bërë ndonjë gjë për të cilën të shquhej si komunist, as në 1918, as më pas.“Rrjedh libri, rrjedh”, thoshte Arian Çani në emisionin e tij para dy javësh, kur kishte të ftuar Fevzon për librin. E vërteta është se në librin e Fevzos rrjedhin mashtrimet njëri pas tjetrit. Fevziu, në librin e tij, kërkon të na bindë se fati i Anastas Plasarit ishte i lidhur me atë të Ana Paukerit, dhe se ai ra me rënien e kësaj të fundit: “Me rënien në disgracie të Ana Paukerit, për shkak të konfliktit me Stalinin dhe mbylljes së saj në arrest shtëpiak në fillim të 1952-shit, në fillim të 1953-shit, Plasari do të largohej përfundimisht nga administrata shtetërore, si ‘element i papërshtatshëm’ duke iu hequr edhe ‘triskat e ushqimeve’, pavarësisht ‘dekoratave’ për pjesëmarrjen aktive në Luftën Nacionalçlirimtare etj”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 84)Ana Pauker nuk pati asnjë konflikti me Stalinin, ajo ishte një staliniste e bindur. Ajo e pësoi nga pragmatizmi i Stalinit. Në fillim Stalini i sundoi vendet satelite komuniste të Europës Lindore, me elita kolaboracioniste prosovjetike, të përbëra kryesisht nga hebrenj, që kishin qenë emigrantë politikë në Bashkimin Sovjetik, të quajturit Moskovitë. Kur Stalini vuri re se kjo gjë bëri një përshtypje të keqe në këto vende, atëherë ndërroi politikë dhe e nacionalizoi komunizmin në vendet satelite, duke i ndërsyer komunistët me përkatësi nga kombet e vendeve përkatëse kundër hebrenjve, të cilët i shpalli kozmopolitanë. Për këtë arsye e pësoi edhe Ana Pauker. Sipas kujtimeve të Silviu Brucan, bashkëpunëtorit të ngushtë liderit komunist rumun Dej (Dezh), Stalini i tha me cinizëm këtij të fundit në takimin që pati me të në Moskë, në 1952: “Ana është një shoqe e mirë dhe e besueshme, por ju e shihni, ajo është me origjinë borgjeze hebreje, dhe partia në Rumani ka nevojë për një lider nga radhët e klasës punëtore, një rumun të vërtetë. Unë kam vendosur”.Nëse Anastas Plasari do të kishte shpëtuar falë Ana Pauker, siç thotë Fevziu, i cili shkruan nën diktimin e Aurel Plasarit, atëherë ishte dashur që Anastas Plasari të ishte arrestuar përsëri në 1952, kur Ana Pauker u vu në arrest shtëpiak, ose në fillim të 1953, kur ajo u burgos, e akuzuar si agjente e imperializmit amerikan, britanik, zioniste, kozmopolitane etj. Enver Hoxha, i cili nuk i dinte fjalët që Stalini i pati thënë Dezhit për Paukerin, do të kishte qenë i lumtur që të mund t’ i tregonte Stalinit se edhe në Shqipëri ishte arrestuar një bashkëpunëtor i Ana Pauker. Fakti që Anastas Plasari nuk u arrestua në këtë kohë, e rrëzon mitin që kërkon të ngrejë Plasari junior me penën e Fevziut, mbi miqësinë e Anastasit me Ana Pauker dhe se përmbysjet e çuditshme në marrëdhëniet e Anastasit me diktaturën komuniste ndodhën si pasojë e ndërhyrjeve të Ana Pauker. Aq i madh është zelli prej sharlatani i Fevziut, sa në librin e tij nuk mjaftohet me falsifikimin e historisë së komunizmit shqiptar, por falsifikon dhe historinë e komunizmit rumun. Por këtë herë “zagari” intelektual i cili gjuan për llogari të të tjerëve ka rënë në kurthin që ka ngritur i zoti i tij, Aurel Plasari për lexuesit.Fevziu më lart thotë se Anastas Plasari kishte dekorata për pjesëmarrje aktive në Luftën Nacionalçlirimtare, por nuk na thotë asgjë se ku konsistonte kjo pjesëmarrje aktive. Në cilën betejë kishte marrë pjesë Anastas Plasari, në cilën demonstratë, a ishte arrestuar ndonjëherë nga italianët apo gjermanët? Asgjë e tillë nuk kishte ndodhur. Anastas Plasari i kishte marrë dekoratat si shpërblim për shërbime të errta që i kishte bërë Enver Hoxhës gjatë luftës. Aurel Plasari, ankohet me gojën e Blendi Fevziut, në librin e këtij të fundit, se në 1953 Anastas Plasarin e larguan nga administrata dhe i hoqën edhe triskat e ushqimeve. Në fakt, rënia e Anastas Plasarit koincidon me rënien e Berias në Bashkimin Sovjetik, Ministrit të Punëve të Brendshme dhe shefit të policisë sekrete sovjetike, me ç’rast u bënë disa spastrime në të gjitha vendet komuniste, në të gjitha hallkat e policive sekrete komuniste. Por Anastas Plasari arriti që të rikthehet përsëri në lojë, siç e tregoi koha, dhe siç do të tregoj më tutje. Blendi Fevziu shkruan në vazhdim, për jetën e Anastas Plasarit: “I detyruar të zgjidhte një jetë larg çdo zhvillimi politik punoi si punëtor i thjeshtë, derisa vdiq si pensionist në Tiranë në mes të viteve tëtëdhjetë”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 84)Nëse Anastas Plasari këtej e tutje punoi si punëtor i thjeshtë, kjo nuk ishte tragjedi, se ky njeri nuk kishte qenë gjë tjetër veçse një punëtor i thjeshtë, me shkollë fillore. Kështu që u rikthye në identitetin e tij. Megjithatë përsëri iu bë një trajtim i privilegjuar. Së pari, ai u nuk u dëbua nga Tirana, siç ndodhte me njerëz të llojit të tij. Anastas Plasari u lejua që të banonte në qytetin e Tiranës, madje atij në vitin 1960 iu dha një apartament në një vend të privilegjuar ku banonin njerëzit e nomenklaturës së lartë të regjimit, një përjashtim unik ky për një njeri me biografinë e Anastas Plasarit. Atij iu dha një apartament në një pallat në qendër të Tiranës, në rrëzë të Sheshit “Skënderbej”, pikërisht tek pallati që është fill pas ndërtesës ku sot gjendet Nunciatura Apostolike (Ambasada e Vatikanit) në Tiranë dhe në atë kohë u vendos Ambasada e Kubës, porsa erdhi në pushtet Fidel Kastro. Atje banon dhe sot Aurel Plasari. Që pas incidentit me shpërthimin tek Ambasada Sovjetike në 1951, u ndalua që njerëzit të cilët kishin përbërje të keqe politike për regjimin, të banonin afër ambasadave të huaja. Anastas Plasari përbën një përjashtim unik. Kuptohet se ai kishte një mision kundrejt Ambasadës Kubane. Në atë kohë bëhej një luftë e madhe për strehim, aq më tepër në vende të privilegjuara dhe për Anastas Plasarin u bënë shumë letra deri tek Enver Hoxha, ku kërkohej që të largohej ky “armik” nga kjo shtëpi. Përgjigjia ishte një klishe kuptimplotë e kohës së diktaturës: “E di Partia!” Me këtë të gjithë e kuptonin se përse bëhej fjalë, dhe atë që do të hapte gojën përsëri, Partia e çonte atje nga ku kishte dalë Anastasi, në birucë, madje dhe më keq.Edhe qënia si punëtor e Anastas Plasarit ishte më tepër një kamuflim. Ai punonte në këpucarinë speciale ku shkonin për të rregulluar këpucët diplomatët e huaj, të cilëve Sigurimi i Shtetit u vendoste përgjues në këpucë, siç kemi parë rëndom nëpër filma. Kjo këpucari ndodhej pranë bllokut të ambasadave, afër ish- Lidhjes së Shkrimtarëve te Rruga e Kavajës. Blendi Fevziu shkruan në librin e tij për Anastas Plasarin, se: “kontributi i tij i fundit për Lëvizjen e majtë do të qenë Kujtimet e tij, të pabotuara ende, të dhëna prej të cilave përdoren për herë të parë këtu”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 84-85) Kështu na del se Anastas Plasari, i cili vdiq në fillim të viteve tetëdhjetë, në fund të jetës së tij, guxoi e shkruajti kujtime me atë përmbajtje të cilën e kam analizuar më lart. Kështu kërkon që të na bindë Blendi Fevziu. Fevziu nuk na thotë se përse këto kujtime nuk janë botuar deri më sot, por mbetën që t’ i përdorë ai për herë të parë në 2011. Mbetet që këtë gjë të na e sqarojë Aurel Plasari. Botimin e kujtimeve e pres me interes, ndonëse dyshoj se atje do të gjej shpjegimin për faktet kontradiktore të jetës së Anastas Plasarit që i kam përmendur në këtë seri shkrimesh. Fevziu shkruan për të ashtuquajturat kujtime të Anastas Plasarit: “në to, ndoshta për shkak të kohës kur u shkruan, nuk duken shenja të detraktimit ndaj Enver Hoxhës, përveç të vërtetave që Plasari ka jetuar”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 85)Që të mos ketë shenja të detraktimit të Enver Hoxhës, po të shprehem në stilin rokoko të Fevziut, që ai e ka kopjuar nga Plasari, kjo duket e besueshme, por të ashtuquajturat të vërteta të jetuara, do të thotë anekdotat për Enver Hoxhën, që supozohet t’i ketë dëgjuara prej Zai Fundos, Tajar Zavalanit etj., do të mjaftonin për ta çuar në litar Anastasin nëse i zbuloheshin kujtimet nga Sigurimi i Shtetit, çka kishte shumë gjasa që të ndodhte nëse kujtimet ekzistonin vërtet. Në Sigurimin e Shtetit kishte një sektor të veçantë që kishte detyrë të zbulonte nëse njerëzit llojit të të cilëve pak a shumë i përkiste Anastas Plasari, kishin shkruar kujtime. Fevziut, nuk i shkon për shtat proverbi “Në vend të vinte vetullat nxorri sytë”, por pak a shumë këtë ka bërë ai me Anastas Plasarin, kur na sjell në libër një fragment nga dosja e survejimit të Anastas Plasarit nga Sigurimi i Shtetit, kur thotë: “Plasari që çoi një jetë më të vështirë, duket se nuk u kujdes t’ ia vinte ‘drynin’ gojës. Sikurse është regjistruar në dosjen e ndjekjes së tij nga Sigurimi i Shtetit, më 27 shkurt 1959, raportohet që ai t’ia ketë thënë hapur një miku të vet opinionin për kontributin e Enver Hoxhës në Lëvizjen revolucionare: ‘U takuam me Anastas Plasarin më 24 III 1959 në mbrëmje dhe dëgjova që Anastasi i tha sa më poshtë: Me rastin e 15 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë do të shpallen katër vetë si pionierë të Lëvizjes komuniste në Shqipëri. Personat që do të shpallen ‘pionierë’ janë këta: Enver Hoxha, Ali Kelmendi, Halim Xhelua dhe Qemal Stafa. Tashti të themi se këta shpallen si ‘pionierë’ mbasi janë të vdekur, me përjashtim të Enverit. Halim Xhelua dhe Ali Kelmendi, po të ishin gjallë, ndofta do të ishin në burg. Sa për Enverin, është e vërtetë që ka punuar dhe luftuar dhe udhëhequr Partinë, qoftë në Luftë, qoftë mbas Lufte, por e vërteta është se pionier nuk është Enveri. Enveri e ka filluar shumë vonë aktivitetin revolucionar”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 85)Natyrisht se Sigurimi i Shtetit i survejonte njerëzit si Anastas Plasari, por fakti që ai nuk pësonte gjë as pas raportimeve të tilla, tregonte se ai ishte një agjent-provokator, siç quhet në gjuhën profesionale. Pra, ai provokonte njerëz të caktuar, duke u thënë fjalë të tilla, për të kqyrur Sigurimi i Shtetit reagimin e tyre. Me një raportim si ai më lart, Anastas Plasari në 1959 duhet të kishte përfunduar në burg i dënuar me 25 vjet, por ajo që ndodhi është se ai një vit pas këtij raportimi mori shtëpi në qendër të Tiranës?! Fevziu natyrisht se nuk ndalet që ta shpjegojë këtë paradoks, se e ka mësuar operativi dikur që “Këto i di Partia”. Fevziu ka bërë një boomerang kur ka shkruar në libër: “Në të vërtetë mllefi i Hoxhës ndaj figurave si Plasari dhe Mala ishte dukshëm xhelozia e një lideri të ri komunist dhe pa biografi politike, ndaj dy militantëve të njohur, njerëz që kishin kontribuar për Lëvizjen e majtë në Shqipëri, qysh në mes të viteve ’20. Me eliminimin e tyre Enver Hoxha eliminonte praktikisht gjithë historinë e komunizmit në Shqipëri para atij vetë”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 86)Krahasimi i Anastas Plasarit me Zef Malën është marrëzia më e madhe që ka bërë Fevziu në libër. Zef Mala ishte një intelektual me shkollë perëndimore, i cili u dënua me burg në gjyqin e komunistëve, në shkurt 1939, në Tiranë. Pas pushtimit fashist, u internua nga italianët në Ishullin Ventotene, ku qëndroi deri në 1943. Pas ardhjes së Enver Hoxhës në pushtet, u burgos dhe u internua disa herë dhe vdiq në burg, në 1979. Zef Mala, ishte në fakt, pas Zai Fundos, ai çka Fevzi sharlatani kërkon që ta paraqesë Anastas Plasarin, intelektual komunist antistalinist me frymë perëndimore. Fevziu, kur krahason Anastas Plasarin me Zef Malën nuk na thotë se përse Anastasi nuk vdiq në burg si Zef Mala. Kuptohet se përse. Me librin e Fevziut do të qeshnin edhe devetë, por ja që Fevzoja është i shkathët dhe arrin gjen edhe ndonjë Deve, që në Maqedoni e kanë bërë deputete, për ti lavdëruar librin e tij.

 

Vijon...

 



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora