E hene, 29.04.2024, 04:39 PM (GMT+1)

Mendime

Anxhela Naço: Viktimat e terrorit komunist

E shtune, 05.11.2011, 08:58 PM


VIKTIMAT E TERRORIT KOMUNIST

 

 (Apostoll Naço, i pushkatuar në moshën 36 vjeçare)

“Unë nuk jam hipokrit dhe njeri i keq, ndaj ose më jepni drejtësi, ose dënimin me vdekje! Mëshirë prej jush nuk kërkoj!”.

 

Nga Anxhela Naço

 

Një jetë e ndërprerë përgjysëm

 

Unë jam Anxhela Naço, një vajzë e re vllahe që kam lindur në një kthesë të histories: atë vit kur vendi im mbylli një periudhë të dhimbshme jetese dhe kaloi në demokraci që vazhojmë ta ndërtojmë e ta jetojmë sot. Për fatin tim jo të mirë, kur fillova të kuptoj dhe të njoh njerëzit që më rrethonin, vura re se unë nuk kisha gjysh. Bashkëmoshatarët e mi shpesh tregonin për përkedheljet dhe shoqërimin me gjyshërit e tyre, kurse unë ????? hiç, asgjë! Këtë zbazëtirë që kisha, nuk e duronja dot, ndaj edhe pse nga prindërit e mi kisha pak informacion, vendosa të pyes papu Todi Naço, vëllain e gjyshit,  për gjyshin tim se kush ishte. Kur ju drejtova atij të më tregonte se a kam pasur unë gjysh dhe si ishte. Ai më nguli sytë në fytyrë e më pa gjatë me habi pa mu përgjigjur. Sytë  ju mbushën me lot, uli kokën duke belbëzuar më tha: “Nesër do të tregoj, eja dhe më kujto”. Të nesërmen papu Todi dhe unë dolëm në periferi të qytetit në një lëndinë të mbushur me lulet e pranverës ngjyra-ngjyra dhe zumë vend në një kënd të saj që pranverën ta kishim para syve. Pasi zuri vend mirë ulur shesh në livadh, ai filloi të flasë.

Ti ke pasur gjysh dhe ai ishte vëllai im më i madh, më tha. Unë kujtoj  atë që ishte një djalë i pashëm dhe elegant. Edhe pse ishte shpatullgjërë dhe elegant, prape ecjen e kishte të ngadaltë dhe hijerëndë. Sytë e tij ngjyrë kafe ishin shumë shprehës, me një vështrim të thellë dhe të qetë, poshtë vetullave të trasha dhe të bashkuara. Me një hundë të bukur dhe fisnike, që të gjitha të mbuluara me kurorën e flokëve gështenjë pak kaçurela, që edhe sot nuk më largohen nga sytë.

          Papu Todi herë pas here picërronte sytë dhe shikonte lart në qiell sikur donte të shikonte atë diku në hapësirë. Pas një pauze, filloi bisedën e ndërprerë. Ishte burrëruar shumë shpejt. Me seriozitetin më të madh dhe rezultate të larta mbaroi studimet për veterinari, në vazhdim të traditës  së origjinës së tij vllahe. Kishte ndjekur edhe specializime dhe studime shkencore në atë profesion deri  ditën e arrestimit, për tu dënuar me vdekje.

          Edhe pse i ri në moshë, në komunikim me të tjerët fliste ngadalë dhe mendohej mirë për ato që do të shprehte. Nuk nervozohej asnjëherë. Ndjehehej shumë mirë kur bisedonte me të moshuarit, të cilët e konsideronin  të barabartë edhe pse ishte shumë i ri. Si nëpunës që ishte për një kohë të gjatë, nuk e përdori asnjëherë autoritetin zyrtar në komunikim me punonjësit, por i trajtonte ata si kolegë në zgjidhjen e problemeve.

Fjalët e tij më të përdorure ishin: “Si do t’ia bëjmë! Ejani ta bëjmë së bashku!” Të gjithë që e kanë njohur  dhe punuar me të e kujtojnë me dhemshuri e mallëngjim, pasi u mungoi shumë herët i njohuri i tyre i dashur dhe i respektuar. Pasi mbaroi fjalën papu Todi nxori paketën e cigareve, ndezi një dhe me qetësi filloi ta thithë thellë e ngadalë. Tymi që nxirte ngjitej lart në formë spirale. Kur hodha sytë në fytyrën e tij mu duk sikur mendimet i rrotulloheshin në koke dhe tymi i cigares kish marrë atë përdredhje nga brënda prej ngacmimit që ju bë kujtimeve të cilat po e shtrëngonin fort në gjoks.

          Moj vajzë! Mu drejtua me një zë të ulët, gati në shuarje. Fytyra e tij nga e shëndetëshme dhe shprehëse u tkur e u ngrys menjëherë. Ai për të cilin të fola deri tani, një mëngjes të errët shkurti u arrestua nga regjimi, e futën në birucë me burra të tjerë. Për gjashtë muaj me radhë ai pa tmerr me sy. Vetëm ai e di se ç’tortura hoqi mbi kurriz të tij, por karakterin e fortë nuk arritën t’ia thyenin. Sjelljen dhe karakterin e tij ata ja quanin hipokrizi, ju imponuan që të kërkonte mëshire për hir të moshës së re, vetëm 36 vjeç.

          Për këtë papu Todi më tha: “Mbaje mend dhe mos e harro moj vajzë, por ta kujtosh me mall e krenari gjyshin tënd. Fjala e tij në fund të gjyqit ishte: “Unë nuk jam hipokrit dhe njeri i keq, ndaj ose më jepni drejtësi, ose dënimin me vdekje, mëshirë prej jush nuk pranoj”. Papu Todi nuk foli më. Unë jam e lumtur se mësova që kam pasur një gjysh të mirë dhe të respektuar, por më vjen keq që nuk munda të provoj përkedheljen e flokëve të mia kaçurela nga duart e gjyshit tim të dashur, që përjetë ka mbetur i ri! I përjetshëm qoftë kujtimi Yt gjyshi im papu Apostoll Naço! (Frankfurt, më 24.10.2011)



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora