E shtune, 27.04.2024, 07:05 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Libri i Fevziut “Enver Hoxha”, si ambalazh për biografinë e Anastas Plasarit (2)

E hene, 07.11.2011, 08:56 PM


Libri i Fevziut “Enver Hoxha”, i bazuar në “kujtimet” e falsifikuara të Anastas Plasarit (2)

 

Nga Kastriot Myftaraj

 

Blendi Fevziu, në librin “Enver Hoxha”, në thelb të portretizimit që i bën këtij të fundit, ka të ashtuquajturat “Kujtime” të Anastas Plasarit. Sipas Fevziut, Anastas Plasari i shkruajti kujtimet pas ardhjes së Enver Hoxhës në pushtet dhe i ruajti ato në shtëpinë e tij. Nuk është nevoja që t’i shpjegosh një njeriu që ka jetuar në kohën e diktaturës komuniste, se sa gënjeshtër e trashë është kjo.Si do të guxonte Anastas Plasari, një ish i burgosur, dhe ish-anëtar i Grupit “Zjarri”, të shkruante dhe të ruante në shtëpi kujtimet e tij, ku të ishin edhe fjalët e mëposhtme, siç na i sjell Fevziu:

 

“Ja portreti që i kanë bërë ata për Enver Hoxhën dhe që Plasari na e jep në Kujtimet e veta:

 

Enverin do ta takoja për herë të parë. Me të kishim pasur deri atëherë vetëm ndonjë përshëndetje, nga koha kur jetoi legalisht në Tiranë, nëpërmjet mikut tim, Esat Dishnica. Por lidhur me përfshirjen e tij në Lëvizjen e majtë e kisha një portret të tijin paraprak, në të cilin puqeshin anekdotat që kishin shkëmbyer në fund të vitit 1938 ose në fillim të atij 1939 Fundoja me Tajarin, ose me hollësitë interesante që më kishte dhënë “Argusi”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 39) Është fjala për takimin mes tyre në 1943.Fundoja dhe Tajari janë Llazar (Zai) Fundo dhe Tajar Zavalani, për të cilët Blendi Fevziu ka thënë më lart duke iu referuar kujtimeve të Anastas Plasarit, mbi njohuritë e këtij për Enver Hoxhën: “Ka për të si ‘informacione’ disa ‘anekdota’, sikurse i quan, të miqve të tij, Llazar Fundo dhe Tajar Zavalani, plus disa të dhëna të një tjetër eksponenti të Lëvizjes së majtë në Shqipëri, Dhimitër Cancos, të njohur për ndikimin e tij në jetën intelektuale të kryeqytetit nëpërmjet kinemasë ‘Gloria’ dhe sidomos librarisë së tij ‘Argus”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 39)E si do të guxonte Anastas Plasari që të shkruante kujtime me anekdotat që supozohej t’i kishin treguar për Enver Hoxhën Zai Fundo, të cilin Enver Hoxha e quante një nga armiqtë më të këqij të komunizmit shqiptar, si dhe Tajar Zavalani, i cili që prej vitit 1945 dhe deri në 1966, kur vdiq, do të fliste tek Radio Londra kundër regjimit të Enver Hoxhës? Si do të guxonte Anastas Plasari që të mbante në shtëpi një dorëshkrim të tillë, kur me këtë vinte në rrezik jo vetëm vetveten, por edhe krejt familjen? Nëse gjatë një kontrolli të befasishëm të shtëpisë së tij do t’i zbulohej dorëshkrimi që përmbante rrëfimet që thotë Fevziu, atëherë kjo do të sillte jo vetëm asgjësimin fizik të Anastas Plasarit, nga ana e regjimit komunist, por edhe asgjësimin fizik të krejt familjes së tij, se anëtarët e familjes do të konsideroheshin si lexuesit e parë të kujtimeve. Sigurisht që Enver Hoxha do të kërkonte që të asgjësonte fizikisht çdo njeri që kishte lexuar një dorëshkrim me përmbajtje të tillë. Prandaj, përjashtohet totalisht që Anastas Plasari të ketë shkruar kujtime me atë përmbajtje që citon Fevziu. E vetmja mundësi është që “kujtimet” e Anastas Plasarit t’i ketë shkruar i biri, Aureli, pas vitit 1990. Në të ashtuquajturat kujtime të Anastas Plasarit ka fragmente krejt absurde dhe të pabesueshme, të cilave Fevziu u referohet duke i marrë seriozisht:“Sipas atij portreti paraprak Enver Hoxha ishte përfshirë në Lëvizjen e majtë gjatë dy viteve që kishte jetuar në Paris me shkasin e studimeve, por në të vërtetë me interesa të tjerë politikë dhe ideologjikë. Si edhe disa shokë të tjerë, me sa duket edhe ai ishte lidhur me ish-‘Zyrën e Berlinit’, e cila prej 1932 ishte zhvendosur në Paris, por në mënyrë të tërthortë, pra ndryshe nga Fundoja, Tajari dhe më vonë Sejfullau. Enveri kishte bërë të njohur me eksponentë të inteligjencies së majtë pariziane, prosovjetike dhe prostaliniste, nëpërmjet hyrjes në qarkun e një personazhi ekscentrik, një dandy parizian, botues revistash të modës dhe avangardës letrare, të quajturit Lysjen Vozhel. Qarku parizian i Lysjen Vozhelit ishte, në të vërtetë, nën kontrollin e shokut Myncenberg. Revistat e famshme të modës ‘Vu’ dhe avangardës ‘Lu’ të Vozhelit i sillte e i tregtonte në Tiranë Dhimitri Canco në librarinë e tij ‘Argus’, duke qenë se Vozheli kishte lidhje komerciale me sa duket, edhe ideologjike me ‘Hachette’-in, filial i të cilit ishte në Tiranë ‘Argus’-i, deri kur fashizmin u detyrua t’ i ndalonte të dyja revistat për antifashizmin e tyre të hapur. Ishin, sipas ‘Argusi’-it dy revistat e preferuara të Enver Hoxhës, të cilat Cancoja ia shërbente duke i fshehur mes tyre ‘Humanite’-në, që vijonte ta fuste në Shqipëri edhe ilegalisht”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 39-40)

Por është e vërtetuar dokumentarisht se Enver Hoxha nuk jetoi në Paris më tepër se dhjetë muaj, që prej fundit të marsit 1934, kur iu pre bursa që i jepte shteti shqiptar, për të studiuar në Universitetin e Montpellier, në jug të Francës, deri në janar 1935, kur shkoi në Belgjikë, si diplomat. Pra, Aurel Plasari, kur ka falsifikuar kujtimet e të atit, ka bërë një gabim elementar kronologjik, duke thënë se Enver Hoxha jetoi në Paris dy vjet. Kështu del se Enver Hoxha ka shkuar në Belgjikë në mars 1936, çka nuk është e vërtetë. Blendi Fevziu nuk mund të mos ketë qenë i vetëdijshëm për këtë gabim kronologjik të Plasarit junior, por Fevziu nuk mund ta korrigjonte atë se prioriteti i tij  ishte biografia e Anastas Plasarit, e falsifikuar në atë masë sa të krijonte kultin e Anastas Plasarit si një pionier i komunizmit, por me frymë perëndimore, si dhe si një intelektual i spikatur në Shqipërinë e kohës. Asnjë prej të dyjave nuk është e vërtetë. Nëse Enver Hoxha do të kishte zhvilluar në Paris një veprimtari si ajo që i atribuohet në të ashtuquajturat “Kujtime” të Anastas Plasarit, atëherë Enver Hoxha nuk do të kishte munguar që t’i paraqiste këto të dhëna në kujtimet e tij. Në mënyrë të tërthortë ose jo, një bashkëpunim i Enver Hoxhës që në 1932, me Zyrën e Kominternit për Europën Perëndimore, do të kishte qenë një pikë në karrierën e tij prej komunisti, të cilën ai nuk mund ta anashkalonte. Shpjegimi që jep Fevziu për këtë mungesë në kujtimet e Hoxhës, nuk është asfare bindës:

“Nga ana tjetër, ajo që bie në sy është se Hoxha në asnjë rast nuk përmend në kujtimet e tij të mëvonshme as Munzerbergun,- dhe është e kuptueshme se ky më 1944 do të ‘spastrohej’ nga Stalini me të cilin kishte hyrë në konflikt- por as drejtpërsëdrejti Lucien Vogelin, ndonëse kuptohet që ka qenë i informuar jo keq për jetën e intelektualëve francezë të partisë të frymëzuar nga Bohema e Montparnasset, në Closerie des Lilas, Pavillon de Flore, Bateau-Lavoir dhe lokale të tjera që ai i përmend”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 41)

Enver Hoxha nuk mund ta dinte që në 1932, madje as në 1935, kur u largua nga Parisi se Willi Munzenberg, emrin e të cilit meqenëse ra fjala Fevziu e shkruan gabim “Munzerberg”, më vonë do të shpallej tradhtar nga Moska, qendra e Kominternit, çka ndodhi vetëm në fund të vitit 1936, kur Enver Hoxha gjendej tashmë në Shqipëri. Ndryshe del se sipas logjikës së Fevziut, në kujtimet e Enver Hoxhës nuk duhej që të figuronin as Dushan Mugosha, as Svetozar Vukmanoviç Tempo, as Tito, as Savo Zllatiç, as Hrushov, as Mikojan, as Beria, as Zhivkov, as Mao Ce Dun etj., etj., me të cilët ai kishte bashkëpunuar, por që më pas i shpalli tradhtarë. Enver Hoxha, natyrisht se do ta kishte përmendur Munzenberg, duke shënuar se më pas ai doli tradhtar. Por Enver Hoxha nuk guxoi që të shkonte me mashtrimet e tij deri në atë pikë sa të pretendonte se kishte lidhje me Munzenberg, se e dinte që arkivat e Kominternit ekzistonin dhe ato do t’ ia nxirrnin mashtrimin. E shumta që mund të besohet është se Anastas Plasari i ka dërguar letër Enver Hoxhës ku i ofron kujtime të falsifikuara me të dhëna të tilla, por të cilat Enver Hoxha i ka refuzuar. Fevziu, i cili nuk jep dot pothuajse asnjë datë të saktë në librin e tij, edhe eliminimin e Munzenberg e çon në vitin 1944, siç e kam cituar më lart, kur kjo gjë ka ndodhur në 1940.

Sa për marrjen e shtypit komunist prej Enver Hoxhës, nëpërmjet Cancos, nuk kishte arsye përse Enver Hoxha të mos e jepte këtë të dhënë në kujtimet e veta, se ai nuk jep dot asnjë të dhënë konkrete për periudhën kur u kthye në Shqipëri nga Franca dhe derisa u themelua partia komuniste, se si e siguronte literaturën komuniste bashkëkohore. Por Enver Hoxha iu shmang përmendjes së Cancos si një burim, se dihej që ai ishte homoseksual dhe besohej se ishte njeriu i policisë sekrete të Zogut. Blendi Fevziu thotë më tutje në librin e tij, duke iu referuar të ashtuquajturave kujtime të Anastas Plasarit:

“Sipas ‘Argus’-it, por edhe sipas anekdotave të Fundos dhe të Tajarit, në vitet e qëndrimit të tij në Paris Enveri ishte bërë frekuentues i një vile të famshme të Lysien Vozhelit në periferi të Parisit, diku pranë Pyllit Sen-Zhermen: ‘një konak nga ato të kontit të Monte Kristos’, e përshkruante Cancoja, që thoshte se e kishte frekuentuar edhe vetë. Aty mblidheshin ajka e inteligjencies së majtë të Parisit, e përzier me larmi aktivistësh socialistë, sindikalistë, komunistë, socialdemokratë, refugjatë të arratisur nga vendet e tyre, artistë të avangardës, deri edhe ‘rusë të bardhë prorevolucionarë’, sepse tryeza e Lysjen Vozhelit ishte natë e ditë e shtruar dhe debatet politike e ideologjike aty gëlonin. Sipas Cancos, por edhe sipas Fundos, Enveri kishte miqësi me të bijën e Lysjen Vozhelit, quhej Marie a diçka e tillë, e cila u fejua me Pol Vajan-Kutyrienë: kështu e shpjegonin edhe njohjen e Enver Hoxhës me Kutyrjenë, njërin nga drejtuesit e komunistëve francezë, në atë kohë kryetar i një bashkie të Parisit, ndoshta dhe me shokët Moris Torez, Marsel Kashen etj., që frekuentonin të njëjtin qark të Lysjen Vozhelit. ‘Argusi’ madje tregonte për përpjekjet e Enver Hoxhës për t’ u regjistruar në një shkollë të quajtur ‘Karl Marx’, të themeluar në Paris nga Kutyrieja në vitin 1933, kur Enver Hoxha kishte qenë i shtrënguar të kthehej në atdhe.

Asnjëherë nuk kam mundur të faktoj sesa të vërteta qenë këto të dhëna, por as që e kam quajtur këtë detyrë timen”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 40-41)

Nuk është e mundur që Anastas Plasari të ketë shkruar dhe të ketë mbajtur në shtëpi një dorëshkrim me përmbajtje të tillë, në kohën e diktaturës komuniste, kur njerëzit si ai digjnin edhe librat e ndaluar që kishin në shtëpi, nga frika se mos ua gjenin gjatë kontrolleve të befasishme nga ana e Sigurimit të Shtetit. Nëse Enver Hoxha do të kishte bërë përpjekje për të hyrë në një shkollë komuniste në Paris, ai do ta kishte përmendur këtë gjë. Por kjo nuk është e vërtetë, se Enver Hoxha vetë thotë se në Paris kërkonte një punë për të siguruar jetesën dhe për t’ u regjistruar në universitet, nëse ishte e mundur. Shkolla komuniste që përmendet në të ashtuquajturat kujtime të Anastas Plasarit është thjesht një nga ato kurset e Partisë Komuniste të Francës. Ajo që të bie në sy në kujtimet e Anastas Plasarit që i citon Fevziu është se Anastasi, nuk sjell dot asnjë veprimtari të tij në lëvizjen komuniste ndërkombëtare, por vetëm anekdota të treguar nga ata që i quan miqtë e tij. Blendi Fevziu, duke qenë se ka marrë përsipër që të shkruajë një biografi të falsifikuar të Anastas Plasarit me amballazh librin për Enver Hoxhën, shkruan:  “Ndër dokumentet më diabolike të shkruara nga dora e Hoxhës dhe të gjetura tanimë në AQSH janë ato që i referohen eliminimit të një tjetër figure të njohur të Lëvizjes së majtë Shqiptare, Anastas (Nastas) Plasari”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 80)

Fevziu vazhdon ta quajë Anastas Plasarin si “figurë e njohur e Lëvizjes së majtë”, ndonëse nuk tregon dot asnjë ngjarje, asnjë bëmë të Plasarit, që do ta bënte protagonist në lëvizjen e majtë shqiptare të kohës. Fevziu, kur citon një letër të Enver Hoxhës për Anastas Plasarin, të qershorit 1943, bën një tjetër gabim:

“Megjithatë, në vitin 1942 Plasari e pranoi autoritetin e PKSH-së. Më 8 qershor të vitit 1943, Enver Hoxha i niste atij një letër që u përmend më sipër, ku bie në sy që i drejtohet me ‘I dashuri shoku Nastas’, a thua se i drejtohet një miku të vjetër, duke e ftuar: “Është pra e nevojshme që të vish ti këndej për 4-5 ditë, të piqemi, të mbledhim këta shokë që janë të painformuar, t’ ua shpjegosh çështjen, të sqarohen e ta vijojnë punën në rregull. Përveç kësaj kam për të biseduar me ty edhe për një çështje që i përket Hysni Lepenicës, me qenë se kam qenë nga ana e Vlorës dhe jam pjekur me të. Në Korçë drejtohu te Farmacia e Çekanit dhe atje kërko Raqi Kërënxhinë dhe ay do të të drejtojë që të piqesh me ne dhe tok të mbledhim shokët që kërkojnë sqarim. Raqi Kërënxhiut i thuaj: ‘Dua të piqem me Dunavecin”. Të presim. Shumë të fala”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 81)

Këtu së pari duhet thënë se Anastas Plasari nuk e pranoi autoritetin e PKSH në 1942, siç thotë Fevziu, por në 1943, pas shpërndarjes së Grupit të “Zjarrit”. Vetë letra e mësipërme e Enver Hoxhës e provon këtë gjë. Kërkesa për takim që i bënte Hoxha Plasarit, nuk kishte kuptim tjetër veçse që Plasari të shprehte nënshtrimin e tij ndaj PKSH kominterniane të Hoxhës. Fevziu shkruan më tutje: “Po me të njëjtin korrier Hoxha i niste një letër Gogo Nushit, përgjegjësit të Qarkorit të Tiranës për PKSH-në, në të cilën ndër porosi të tjera i bënte dhe këtë vërejtje për Anastas Plasarin: ‘Anastas Plasarin as që e kërkuam të vinte këtu, po ju dhamë urdhër sans buitt et sans trompettes (fr. pa zhurmë e pa bujë). Më mos na pyesni. Taras”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 81)

Këtu nuk mund të mos bëhet pyetja se, nëse Enver Hoxha kërkonte kokën e Anastas Plasarit, atëherë përse nuk e bëri këtë gjë, kur erdhi në pushtet dhe e kishte në dorë Nastasin? Kjo mund të ndodhte vetëm për shkak të shërbimeve të posaçme që Anastas Plasari i bëri më pas Enver Hoxhës, dhe për të cilat do të flas më tutje. Fevziu shkruan: “I ndikuar edhe nga anëtarët e tjerë të Qarkorit, Nako Spiru dhe Ymer Dishnica, Gogo Nushi nuk pranoi ta zbatonte urdhërin. Anastas Plasari vijoi rrugën për të takuar ‘shokun Enver’ Arsyen se përse nuk u zbatua urdhëri i dhënë për eliminimin e tij e jep Nexhmije Hoxha në një letër që i dërgon të fejuarit të saj në datën 14 tetor të vitit 1943, në të cilën i shkruan:

‘Për të gjitha ato që më porositët, për kontrollin dhe spastrimin e disave, unë ua komunikova shokëve. Siç të ka shkruar Deti (Nako Spiru), ata nuk janë të mendimit që vendosëm atje. Ata s’ kanë besim që ta kem raportuar drejt çështjen e Anastas Plasarit e të tjerëve. Prandaj hezitojnë se mos bëjnë një veprim të padrejtë. Megjithëse s’ më pëlqen të përgjigjem për akuza të vogla, por nuk kam qenë unë që kam vendosur të sjellin Anastas Plasarin atje. Delikatja”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 81-82)

Arsyeja e vërtetë për të cilën Gogo Nushi, sekretari politik i Komitetit Qarkor të Tiranës, në atë kohë, nuk e zbatoi urdhrin për vrasjen e Anastas Plasarit, ishte se ky i fundit ishte martuar me kushërirën e parë të Gogo Nushit. Fevziu, në vazhdim jep këtë shpjegim: “Por me të drejtë mund të mendohet që Gogo, Nako dhe Ymeri e nisën Plasarin tek Enver Hoxha me bindjen që, nëse ai donte, ta eliminonte vetë. Prandaj Hoxha me sa duket i zënë ngushtë me Plasarin tanimë aty pranë, shfryn përsëri ndaj tyre në një letër tjetër që ia dërgon Nako Spirut më 29 shtator 1943: ‘Për Anastas Plasarin s’ju kërkuam aspak të vijë këndej, por ta dekoroje vetë atje me një plumb”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 82)

Enver Hoxha ishte një njeri pragmatik, dhe kur ndodhi që Plasari erdhi tek ai, atëherë Hoxha mendoi se mund ta përdorte dhe pastaj mund ta asgjësonte në çdo kohë. Fevziu pretendon se Anastas Plasari, në kujtimet e veta, i ka bërë një analizë të thellë vijës terroriste të PKSH: “Me sa duket jo vetëm ish-nxënës i shkollës marksiste ‘Max Wexler’, por edhe njohës i vjetër i taktikave të komunizmit stalinist, Plasari e kishte nuhatur se për çfarë bëhej fjalë. Me gjasë e kishte kuptuar këtë qysh para Konferencës së Parë të PKSH në Labinot, në të cilën Enver Hoxha dilte në krye të PKSH, siç rrëfen Plasari në kujtimet e veta”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 82)

Anastas Plasari mund ta kishte kuptuar këtë gjë në atë kohë, por krejt tjetër gjë është që t’ i shkruante në kujtimet e tij, refleksionet e asaj kohe, që Fevziu i citon kështu nga “Kujtimet” e Anastas Plasarit, i cili i referohet Konferencës I të Vendit, të PKSH, në mars 1943: “Në Konferencë qenë dhënë direktiva për ‘luftë të hapur’ kundër armiqve të Partisë, të cilët tanimë quheshin “trockistë”, “tradhtarë”, “agjentë” etj. Nuk ishte fjala vetëm për Andrea Zisin, por edhe për emra të tjerë, si Dhimitër Fallo, Aristidh Qendro, Llazar Fundo etj. Të bëje luftë për demaskimin e njerëzve si ata, unë këtë e kuptoja, kisha aq përvojë në Lëvizjen revolucionare e komuniste. Mirëpo dy shokë që vinin nga Labinoti na njoftonin se tanimë fjala ishte për eliminime fizike. Na u duk e pabesueshme. Por u detyruam të fillonim e ta besonim menjëherë pas Konferencës, kur në prill të 43-shit do të ekzekutohej prej shokëve të vet Anastas Lula, njëri ndër kontribuesit në themelimin e PKSH-së më 1941. Me disa nga shokët tanë, me të cilët ruanim miqësinë dhe mirëbesimin, u këshilluam dhe vendosëm që duhej të bënim shumë kujdes: duhej të ruanim veten. Nuk përjashtohej mundësia që tanimë çdonjëri prej nesh ta kishte kokën në rrezik”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 83)

Është krejt e pabesueshme dhe e pamundur që Anastas Plasari të ketë shkruar gjëra të tilla në kujtimet e tij, si dhe ta ketë ruajtur dorëshkrimin në kohën e diktaturës komuniste. Zbulimi i këtyre do ta kishte çuar drejtpërdrejt para skuadrës së pushkatimit. Enver Hoxha kishte një fobi të veçantë nga komunistët e vjetër të cilët mund të shkruanin kujtime, dhe kujdesej që në një mënyrë apo në një tjetër të verifikonte nëse ata e kishin bërë këtë gjë apo jo. Një nga mënyrat e parapëlqyera të Enver Hoxhës për të bërë kontrolle të banesave, ishte që t’ u ndërronte banesën njerëzve të tillë, dhe t’ u ofronte me anë të zyrave shtetërore kinse marrjen përsipër të transportit të sendeve shtëpiake, duke u shkuar befasisht dhe duke u thënë se për transportin mendonte shteti. Më së pari tregohej kujdes që të mbahej nën vrojtim personi i dyshuar drejtpërdrejt dhe pastaj të tjerët. Kështu që mund të ushtrohej kontroll i imët, pa u përdorur policia. Anastas Plasari nuk ishte ndonjë trim i çartur që të merrte përsipër rrezikun permanent të mbajtjes së një dorëshkrimi të tillë. As në kujtimet e tij nuk pretendohet që ai të ketë bërë ndonjë aksion luftarak kundër pushtuesve, apo që të ketë shkrepur qoftë edhe një pushkë në luftë. E si mund të pritej nga një njeri i tillë që të shkruante kujtime të tilla dhe t’ i ruante ato, çka ishte njëlloj sikur në luftë të kishte bërë njëqind atentate në mes të Tiranës dhe të kishte marrë pjesë në njëqind beteja, duke u hedhur në sulm përballë mitralozave gjermanë. Merret vesh, këto të ashtuquajtura kujtime, i ka shkruar Aurel Plasari pas vitit 1990. Fevziu pretendon se Enver Hoxha kishte një kompleks inferioriteti ndaj Anastas Plasarit: “Edhe më vonë Enver Hoxha nuk do të çlirohej nga kompleksi ndaj Anastas Plasarit. Arsyeja? Frika se mos një figurë autoritare si ai mund të dilte në krye të një partie të re të majtë, sikurse e ka pranuar vetë kur i shkruan përsëri i shqetësuar Gogo Nushit në tetor 1943:

“Për të famshmin A.P. mendojeni mirë, pse kur na shkruan Deti (Nako Spiru) se socialdemokratët do të përpiqen të bëjnë edhe një ‘parti’ komuniste, mos kujtoni se do ta bëjnë me Xhepin, por me ‘miqtë’ e tjerë. Mendojmë pak kur flasim dhe ne, s’ flasim kot dhe bazohemi në thëniet tuaja. Ju e rekomandoni të keq, ju ndërroni mendim. Ne qëndrojmë përsëri në mendimin tonë. Allaversën të dalë e juaja”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 83)

Fevziu nuk na jep asnjë të dhënë se me çfarë veprimtarie Anastas Plasari kishte fituar reputacionin e të qenit figurë autoritare në lëvizjen komuniste të kohës. Një kurs agjitatorësh në Rumani nuk mjaftonte për këtë gjë. Fakti që Enver Hoxha ka sugjeruar përsëri që Anastas Plasari të vritej, në tetor 1943, nuk provon që Enver Hoxha ta shikonte Plasarin si rival. Nga letra e Enver Hoxhës thjesht del se ai e shikonte Plasarin si një nga anëtarët potencialë të një grupi që do të krijonte një parti të re komuniste, por jo si lider të saj. Këtë ide Hoxhës ia atribuon Fevziu, se kërkon që ta nxjerrë medoemos Plasarin si rivalin e Enver Hoxhës. Nëse do të kishte qenë kështu, Enver Hoxha, pasi erdhi në pushtet, me siguri që do ta kishte vrarë Plasarin. Fevziu pretendon se: “Anastas Plasari shpëtoi gjallë, qoftë falë kujdesit të vet, qoftë falë autoritetit që gëzonte mes komunistëve të tjerë që nuk i zbatuan asnjëherë urdhërat e Enver Hoxhës për eliminimin e tij. Shërbeu pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL në sektorin e Agjitpropit, të drejtuar nga Sejfulla Malëshova, krejt afër Enver Hoxhës, në njëfarë mënyre i mbajtur aty ‘peng’, sikurse e përshkruan në Kujtimet”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 83-84)

Por të tjerë njerëz, si Mustafa Gjinishi, i gjendur në rrethana të njëjta si Plasari, pra si “peng”, nuk arritën që të shpëtojnë. Mustafa Gjinishi, u vra pas shpine, në 1944, në kohën që ishte çuar pranë Divizionit I partizan, në Veri. Do të kishte qenë fare e lehtë për Enver Hoxhën që ta eliminonte Plasarin kur ky i fundit gjendej pranë Shtabit të Përgjithshëm. Kjo nuk ndodhi se Plasari bëri një pakt me Enver Hoxhën, përmbajtjen e të cilit e dinin vetëm ata të dy. Një gjë është e sigurt, një person i cili ishte shënjuar për t’ u eliminuar si armik nga Enver Hoxha, mund të shpëtonte vetëm duke u bërë eliminator i të tjerë njerëzve të padëshiruar. Kokën e tij duhet që ta blinte me kokat e të tjerëve. Ky ishte dhe thelbi i paktit të Hoxhës me Plasarin. Koha do të tregonte se ata të dy i qëndruan këtij pakti. Është paradoksale që Blendi Fevziu, nga njëra anë thotë se Anastas Plasari arriti që të shpëtonte kokën e vet, siç e kam cituar më lart, dhe në anën tjetër kërkon të na bindë se Anastas Plasari kishte pasur mungesën totale të kujdesit që të shkruante kujtime të tilla, që përbënin një rrezik të përhershëm jetik për të.Natyrisht se Fevzoja nuk shqetësohet për të gjitha pasaktësitë, mashtrimet, që ka bërë në librin ku ka artikuluar injorancën e vet. Ai e di se të gjithë ata që flasin për librin e tij nuk e kanë lexuar dhe as që kanë ndërmend që ta lexojnë atë. Ndoshta librin e ka lexuar fjalë për fjalë një deputete shqiptare nga Maqedonia, mysafire e emisionit të tij, emri i së cilës nuk po më kujtohet por mbiemri ishte afërsisht “Deveja”, në mos gaboj, dhe e cila deklaroi në “Zonë e Lirë” të Arian Çanit se i kishte dhënë prioritet librit të Fevzos. Kështu Fevzo lumturohet se me rastin e Kurban-Bajramit librin e tij po e lexojnë devetë.

 

Vijon...

 



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora