E shtune, 27.04.2024, 05:47 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Libri i Fevziut “Enver Hoxha”, si ambalazh për biografinë e Anastas Plasarit (1)

E diele, 06.11.2011, 08:56 PM


Libri i Fevziut “Enver Hoxha”, si ambalazh për biografinë e Anastas Plasarit (1)

 

Nga Kastriot Myftaraj

 

Në kapakun e librit të Blendi Fevziut “Enver Hoxha” ka një shënim ku thuhet se kjo është e para biografi për Enver Hoxhën. Në fakt, libri i Fevziut nuk është e para biografi për Enver Hoxhën, madje nuk është as një biografi. Libri i Blendi Fevziut është e para biografi për Anastas Plasarin, babain e Aurel Plasarit. Blendi Fevziu nuk di as rregullat minimale metodologjike dhe në fillim të librit shkruan se ai është një ese?! Por një biografi hyn në llojin e monografive. Blendi Fevziu në librin e tij tregoi se ai nuk ka as njohuritë më minimale për termat që përdoren në fushën e librave biografikë, monografikë.

 

Blendi Fevziu e quan Enver Hoxhën “personazh” dhe po kështu i quan edhe njerëzit e tjerë, të cilët i përshkruan në libër. Fevziu, qartësisht, nuk e di dallimin mes termave “person” dhe “personazh”, ndonëse ka diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe. Termi “personazh” i përket letërsisë. Nëse Blendi Fevziu do të kishte shkruar një roman, apo një dramë për Enver Hoxhën, atëherë do të kishte kuptim që të përdorej fjala “personazh” për Enver Hoxhën dhe për njerëzit e tjerë që përshkruan në libër. Por libri i Fevziut nuk supozohet që të jetë libër letrar, prandaj në të duhej përdorur termi “person” dhe jo “personazh”. Por si duket Blendin e ndjek fataliteti i emrit të vet, se fjala “Blend” në anglisht do të thotë “përzierje”. Kështu që Blendi ka bërë një përzierje absurde, duke thënë se ka shkruar një biografi, të cilën e quan ese, dhe ku personat quhen “personazhe”. Po kujt t’ ia thuash këto, sharlatanit stakhanovist, i cili do të vazhdojë punën e tij, se nuk di që të bëjë gjë tjetër. Fevziu edhe vetë ka qenë një “blend” i çuditshëm, edhe i persektuar, edhe i diplomuar në kohën e regjimit, edhe i ledhatuar nga ai regjim.Sapo të filloni leximin e librit të Fevziut, redaktor i të cilit është Aurel Plasari, do të gjendeni para një të papriture sharlataneske. Si në çdo libër, do të gjeni në tekst numra, të llojit të endnote, të cilat të adresojnë në shënimet në fund të librit. Por atje do të gjeni vetëm titujt e librave dhe jo numrin e faqes se ku është marrë citimi që bën Fevziu nga këta libra. Kjo është marrëzia më e çuditshme që kam parë ndonjëherë në libra të këtij lloji, dhe nuk e kam ndeshur as në librat e shkruar nga grafomanë kuazianalfabetë. Këtë risi ia solli literaturës shqiptare “intelektuali” Blendi Fevziu, në bashkëpunim me redaktorin e tij, Aurel Plasari. Arsyeja për të cilën Fevziu vepron kështu, është se ai citimet nuk i ka marrë nga librat, por nga interneti, ku nuk jepej edhe numri i faqeve. Tani, si mund të rrinte Fevziu dhe të lexonte librat në fjalë për të gjetur se ku ishin paragrafet që kishte cituar. Në djall të shkojnë numrat e faqeve dhe metodologjia, pra. Fevziu pretendon se ka shkruar një libër të bazuar në dokumente, kur ai në fakt ka shkruar thjesht një libër sharlatanesk.“Kështjella” e dokumenteve të Fevziut ka si pikën më të dobët, që e bën të shembet, faktin se “dokumenti”, të cilit i referohet më së shumti Fevziu, janë “kujtimet” e Anastas Plasarit, babait të Aurel Plasarit. Por këtu nuk mund të mos bëhet pyetja se përse edhe në vitin 2011, kur e ka shkruar librin Fevziu, Aurel Plasari nuk i ka botuar ende kujtimet e babait, të cilat i ka në shtëpi? Këto 20 vite të periudhës paskomuniste janë botuar qindra libra me kujtime, të personave të gjallë e të vdekur, të cilët kanë qenë protagonistë të zhvillimeve politike para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Të pyesësh se përse Aurel Plasari nuk boton kujtimet e babait, është njëlloj sikur të pyesësh se përse Blendi Fevziu nuk merr mbiemrin e babait, por mban atë të dajës. Derisa Blendi nuk di se cilin nga mbiemrat e babait të mbajë, ashtu edhe Aureli nuk di se cilat kujtime të botojë, se nuk ka të tilla, shkrimin e tyre e ka marrë përsipër Aureli, dhe duke bërë këtë, ka bërë marrëzi nga më të çuditshmet, të cilat zbulojnë falsifikimin e tij. Blendi Fevziu ka marrë përsipër që të parapërgatisë atmosferën për publikimin e kujtimeve të Anastas Plasarit dhe të shikojë se si do të priten ato. Me këtë, Blendi Fevziu sillet ashtu siç e ka përcaktuar Azem Hajdari katër ditë para vdekjes.Në 8 shtator 1998, katër ditë para vrasjes së Azem Hajdarit, ky i fundit dha një intervistë në Radio “Kontakt”, ku u pyet nga gazetari Agron Bala për incidentin që pati me gazetarin Blendi Fevziu, në emisionin e këtij të fundit “E Diela Debat” në TVSh, në 7 shtator. Gjatë emisionit të së dielës Azem Hajdari dhe Fevziu patën një debat të tensionuar, kur Hajdari i kërkoi Fevziut që t’ i qëndronte marrëveshjes që kishin bërë se Fevziu do të shfaqte videokasetat që kishte sjellë me vete Hajdari, si prova për fjalët e tij. Fevziu i acaruar bërtiste se ai nuk kishte mundësi teknike që ta bënte këtë gjë, ndonëse Hajdarit, siç pohoi ky i fundit, i kishte thënë paraprakisht se kishte mundësi që të bëhej kjo gjë. Azem Hajdari tha në intervistën në Radio “Kontakt” se pas emisionit të së dielës, kur ishin ulur për të pirë një kafe, ai e kishte pyetur Fevziun nëse e dinte dallimin midis qenit dhe zagarit. Hajdari kishte vazhduar që t’ i shpjegonte Fevziut se, përderisa qeni gjuante për llogari të vet, zagari gjuante për llogari të të tjerëve. Kështu, Hajdari e quajti Fevziun “zagar”. Hajdari, në intervistën e tij në radio deklaroi se i kishte thënë Fevziut: “Kujto katin e dytë të shtëpisë tënde, mos ndiq shembullin e babait tënd”. Aluzioni i Azem Hajdarit mund të kuptohet shumë mirë nga lexuesit, por një gjë është më se e vërtetë, Fevziu nuk e dëgjoi këshillën e Azem Hajdarit dhe vazhdoi të gjuajë për llogari të të tjerëve edhe në librin për Enver Hoxhën.Në librin për Enver Hoxhën, Fevziu shkruan: “Jeta e tij në Paris dhe përfshirja si militant komunist është kontestuar shumë pas vitit 1990 dhe pothuajse është hedhur poshtë nga bashkëkohësit dhe miqtë e tij të atjeshëm. Megjithatë nuk mungojnë edhe të dhënat që dëshmojnë një përfshirje të tillë. Ndër më interesantet është ajo e Anastas (Nastas) Plasarit, i cili do të shfaqet edhe më vonë në këtë histori”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 38)Kështu fillon në librin e Fevziut Saga e Anastas dhe Aurel Plasarit. “Përfshirja si militant komunist” e Enver Hoxhës në Paris nuk është pretenduar as nga vetë Enver Hoxha, i cili asnjëherë nuk e përdori foljen “militoj” dhe fjalën “militant” kur fliste për veten në kujtimet, mbi qëndrimin e tij në Francë. Kështu që bashkëkohësit të cilët e kishin njohur nuk kishte përse të lodheshin për ta hedhur poshtë këtë gjë. Enver Hoxha më së shumti pretendoi se ai kishte qenë një lloj simpatizeri i komunizmit. Këtë fakt nuk mund ta ndryshojnë dot të ashtuquajturit memuare të Anastas Plasarit, se në këtë rast ka vend ajo proverba, por e përmbysur “I zoti nuk e shet, tellalli e jep”. Atribuimi Enver Hoxhës i një veprimtarie militante komuniste në Francë, është mënyra sharlataneske që ka gjetur Aurel Plasari, autori i vërtetë i memuarëve të të atit, për të thënë se Anastasi kishte lidhje me komunistët e njohur shqiptarë që kishin frekuentuar rrethet komuniste të Parisit. Blendi Fevziu e përshkruan kështu Anastas Plasarin, në librin e tij: “Gazetar profesionistët dhe njëri nga komunistët më të njohur në vend në vitet ’20 dhe ’30, në qershor të vitit 1943 Plasarit i duhet të takojë Hoxhën, i cili e ka ftuar për një ‘takim pune’ në zonën e lirë. Ftesa e Hoxhës për Plasarin, të cilit i drejtohet ‘i dashuri shok’, ruhet edhe sot në fondet e Arkivit të KQ të PPSH”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 39)Së pari këtu lind pyetja se nga na doli Anastas Plasari gazetar profesionist. E vetmja biografi që është publikuar për të gjendet në librin “Gazetarë dhe publicistë shqiptarë, fjalor enciklopedik” (2005) dhe është shkruar nga vartësi i Aurel Plasarit në Bibliotekën Kombëtare, Maks Gjinaj, kështu që mund të thuhet se është shkruar nga vetë Aurel Plasari. Gjithçka që thuhet për Anastas Plasarin në këtë biografi prej 21 rreshtash të një faqeje me dy kolona, është:“Plasari, Anastas (1902-1982)Hyri në fushën e gazetarisë më 1928 mbas kthimit nga emigracioni në Rumani dhe kryerjes së internimit (1925-1928). Deri më 1937 ishte korrespondent, bashkëpunëtor e redaktor në organet e shtypit: ‘Gazeta e Korçës’ (Korçë), ‘Shqipëri e Re’ (Konstancë), ‘Vullneti’ (Tiranë), ‘Gazeta Shqiptare’ (Bari), ‘Ora’ (Tiranë) etj. Më 1935 botoi librin polemik ‘Sëmundja fetare’. Prej vitit 1937 deri më 1940 drejtoi revistën ‘Ekonomia kombëtare’, organ i Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare, duke vijuar me revistën ‘Bujqësia’, pasuese e së parës pranë Ministrisë së Bujqësisë. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore bashkëpunoi edhe me shtypin e Lëvizjes”.(“Gazetarë dhe publicistë shqiptarë: fjalor enciklopedik”, Botim i UGPV, Tiranë 2005, f. 336)Gjëja e parë që na bie në sy është se nuk thuhet asgjë për shkollimin e Anastas Plasarit. Çfarë shkolle kishte bërë ky njeri? Thuhet se ka bashkëpunuar me shumë gazeta të viteve ‘20-’30, por deri më sot nuk është botuar asnjë libër me publicistikën e Anastas Plasarit, ndonëse ka fatin që i biri i tij të jetë drejtor i Bibliotekës Kombëtare prej 13 vjetësh dhe zotëron koleksionet e shtypit të asaj periudhe. Kjo ka ndodhur për arsye se në vitet ’20-’30 ishte praktikë që të shkruhej me pseudonime gazetareske dhe letrare, për të cilët dihej se cilëve persona u përkisnin. Pikërisht në këtë “ujë të turbullt” të gazetarisë shqiptare të kohës, hedh grepin Aurel Plasari për të “peshkuar” në të shkuar prej gazetari profesionist për të atin. Duket se Aurel Plasari ende nuk ka vendosur se cilët pseudonime gazetareske do të përvetësojë duke ia atribuar të atit, që të krijojë kështu një vepër për të.

Fevziu në librin e tij për Enver Hoxhën, i referohet Kristo Frashërit, për biografinë e Anastas Plasarit. Frashëri nga ana e tij i referohet një autobiografie të cilën ky e kishte dorëzuar në Komitetin Qendror të PPSH, në 1949:

“Në librin e tij ‘Histori e Lëvizjes së Majtë në Shqipëri’ Kristo Frashëri jep për të këtë ‘skedë’: A. Plasari ka lindur në Korçë më 1903, ka emigruar në Rumani më 1913, u bë më 1918 anëtar i Rinisë Socialiste Rumune. Po atë vit kreu shkollën marksiste, në të cilën jepte mësim edhe Ana Pauker, një nga gratë komuniste më të shquara të Rumanisë. Për disa kohë u angazhua si veprimtar i Partisë Komuniste. Për veprimtarinë e tij u arrestua disa herë, derisa në fund të janarit 1925 u dëbua nga Rumania. Pasi arriti në Korçë, sapo filloi të merrej me organizimin e shoqërive punëtore, në prill u arrestua dhe, për mungesë faktesh, dy muaj më vonë, u nxorr nga burgu, por u internua për tre vjet në Vlorë”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 80)Së pari këtu të bën përshtypje fakt se Anastas Plasarit, kur doli nga burgu në 1949, iu kërkua një autobiografi që u depozitua në zyrat e larta të partisë. Anastas Plasari nuk kishte gjasa që të merrte poste të larta partiake. I vetmi shpjegim është se ai ishte shenjuar për të kryer misione speciale. Së dyti, të bën përshtypje fakti se familja e Anastas Plasarit është larguar nga Shqipëria së bashku me ushtritë otomane. Ushtria otomane u largua nga Korça në 1913. Nuk mund të thuhet se babai i Anastas Plasarit u largua nga Korça së bashku me familjen se trembej nga grekët, të cilët hynë në Korçë pas turqve, se Aurel Plasari nuk ka pretenduar kurrë se familja e tij është përndjekur nga grekët. Atëherë nuk na mbetet veçse të pranojmë atë që thuhet ende në Korçë, se ishte babai i Anastas Plasarit, gjyshi i Aurel Plasarit, ai që spiunoi çetën kombëtare shqiptare, e cila u rrethua në Orman-Çiflig, të Korçës, nga turqit dhe la shumë të vrarë në betejë, në vendin ku është monumenti sot. Anastas Plasari ishte spiun i togerit të xhandarmërisë turke Bajram Fevziu, stërgjyshit të Blendit nga nëna. Kështu, bashkëpunimi trashëgohet nga brezi në brez, por duke u ndërruar vendet, dhe tani stërnipi i Bajram Fevziut është bërë vartësi intelektual i nipit të Jorgji Plasarit.Në autobiografinë e Anastas Plasarit, së cilës i referohet Fevziut, Anastasi jep si të vetmen shkollë që ka bërë të ashtuquajturën shkollë marksiste, që e paska kryer në Rumani, në moshën 18 vjeç. Kjo e ashtuquajtur shkollë ishte më tepër një kurs për punëtorët, të cilët përgatiteshin si agjitatorë. Me diplomën e kësaj shkolle Fevzoja kërkon të na e paraqesë intelektual të atin e Aurel Plasarit! Në jetëshkrimin e Anastas Plasarit ka një mashtrim të madh, njohja me militanten e shquar komuniste rumune Ana Pauker. Anastas Plasari supozohet që ta ketë njohur Ana Pauker kur ajo i dha mësim atij në shkollën marksiste të krijuar në Rumani nga Partia Socialiste e Rumanisë. Këtu duhet shënuar se para vitit 1918 partitë marksiste nuk quheshin komuniste, e para parti që u quajt me këtë emër ishte ajo ruse leniniste, e cila ishte një fraksion i Partisë Socialdemokrate Ruse. Në vitet në vazhdim, nën shembullin e saj, dolën fraksione leniniste nga partitë socialdemokrate marksiste në vendet e tjera, të cilat u quajtën parti komuniste, dhe iu bashkuan Kominternit. Partia Komuniste e Rumanisë u krijua në 1921. Në vitin 1918, kur Anastas Plasari pretendon se përfundoi shkollën marksiste (kur e filloi nuk e thotë), Ana Pauker ishte 25 vjeç (ajo kishte lindur në 1893). Ende në atë kohë Ana Pauker nuk ishte bërë aq e njohur sa të jepte mësim para vitit 1918 në “akademinë” e partisë, dhe as Anastasi nuk mund të hynte atje, praktikisht në moshën 13 vjeç.Anastas Plasari thotë në autobiografinë e tij, siç e kam cituar më lart nga Fevziu, se kur u kthye në Shqipëri nga Rumania e arrestuan dhe e mbajtën tre muaj në burg por e liruan për mungesë provash. Që e kanë arrestuar kjo duket e natyrshme, se shteti shqiptar kishte dijeni për veprimtarinë e tij komuniste në Rumani. Që e kanë liruar pa e nxjerrë në gjyq dhe pa e dënuar, kjo të bën të dyshosh se Anastasi “gëlltiti një lugë çorbe të prishur” në zyrat e fshehta të regjimit të Zogut, se me të dhënat që pretendonte se kishte ai, duhej që t’ i jepej alternativa si Ali Kelmendit, pra ose të largohej nga vendi, ose do të kalbej në burg. Anastas Plasarit, në vend të kësaj iu dha një punë në zyrat e larta qeveritare, çka mund të shpjegohet vetëm me një gjë, se ai kishte firmosur në policinë sekrete të Zogut.Anastas Plasari thotë në autobiografinë e vet se, kur u kthye në Shqipëri në 1925, e internuan për tre vjet në Vlorë. E vërteta është se Anastasi shkoi në Vlorë dhe qëndroi atje për tre vjet, por jo si i internuar. Regjimi i Zogut nuk mund ta internonte në Vlorë një komunist të përgatitur në kurset e komunizmit ndërkombëtar, se kjo do të thoshte të dërgonte shkëndijën tek fuçia e barutit. Vlora kishte qenë vendi nga ku kishte filluar kryengritja një vit më parë, në 1924, që e detyroi Zogun të largohej jashtë vendit, dhe gjatë gjithë kohës që Zogu qëndroi në pushtet, deri në 1939, mbeti pika më delikate në vend, sa i përket sigurisë, për regjimin e tij. E vetmja mundësi është që policia sekrete e Zogut ta ketë dërguar Anastas Plasarin në Vlorë si agjent, për të zbuluar se çfarë përgatitej atje kundër regjimit. Anastas Plasari gjatë qëndrimit në Vlorë punoi si librashitës.Pas qëndrimit në Vlorë, Anastas Plasari ka marrë mision nga policia sekrete e Zogut që të njëjtën detyrë ta kryejë në rrethet intelektuale në Tiranë. Vetëm kështu shpjegohet emërimi i Anastas Plasarit në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare në 1935. Çfarë diplome shkollore paraqiti Anastasi kur hyri në këtë punë, diplomën e shkollës marksiste të Rumanisë, të cilën e kishte përfunduar në moshën 15 vjeç?! Tjetër diplomë na na përmendin për të, as Blendi Fevziu, as Kristo Frashëri, as Maks Gjinaj që shkruan në emër të Aurel Plasarit. Anastas Plasari në Rumani mësoi profesionin e këpucarit, i cili do t’ i shërbente më pas, kur doli nga burgu në vitin 1949, në kohën e komunizmit, që të nxirrte jetesën. E megjithatë, këpucari pa diplomë gjeti një punë në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare në vitin 1935 dhe filloi që të frekuentonte kafeteritë ku shkonin intelektualët e Tiranës. Kjo çudi mund të ndodhte vetëm nëse Anastas Plasari ishte njeriu i policisë sekrete të Zogut, e cila e ngarkonte me misione speciale. Anastas Plasari ishte nga ata autodidaktë, të cilëve u pëlqente që të lexonin, të shtireshin si intelektualë, dhe meqenëse kishte njëfarë dhuntie natyrore për oratori dhe me mësimet që kishte marrë në kurset komuniste për agjitatorë në Rumani, mund të shkëlqente disi në tryezat e kafeneve të Tiranës së kohës.Fevziu, më lart e quan Anastas Plasarin “njëri nga komunistët më të njohur në vend në vitet ’20 dhe ’30”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 39)Por këtu lind pyetja, nëse Anastas Plasari ishte një nga komunistët më të njohur të kësaj periudhe, atëherë si shpjegohet që në librin e Kristo Frashërit, të cilit i referohet Fevziu, nuk del emri i Anastasit në asnjë nga raportet e të dërguarve të Kominternit në Shqipëri, as si komunist stalinist dhe as si trockist? Si shpjegohet që Anastas Plasari nuk u arrestua dhe nuk doli në gjyqin e komunistëve në shkurt 1939? Të gjitha këtyre kundërshtive ka detyrimin që t’ u përgjigjet autori i vërtetë i kujtimeve të Anastas Plasarit, Aurel Plasari. Se Aurel Plasari ka bërë një kryevepër të vërtetë, në llojin e vet, duke e shkruar biografinë e Anastas Plasarit, një herë me anë të Maks Gjinajt dhe herën tjetër me anë të Blendi Fevziut. Duke bërë sikur është duke shkruar biografinë e Enver Hoxhës, Blendi Fevziu, i cili vepron si puppet on a string i Aurel Plasarit, na e paraqet Anastas Plasarin sikur kishte miqësi me komunistët e njohur të kohës: “Befasia e parë: Plasari do ta takojë Hoxhën për herë të parë në atë vit, 1943, pasi deri atëherë nuk ka pasur njohje me të”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 39)Si nuk kishte ndodhur që Anastas Plasari dhe Enver Hoxha të takoheshin tek Barraka e Nushajve, të cilën Enver Hoxha e poetizon shumë si strehë komuniste, kur Anastas Plasari ishte martuar me kushërirën e parë të Gogo Nushit, çka ishte arsyeja e vërtetë që ky i fundit e shpëtoi nga pushkatimi në 1943? Fevziu shkruan në libër, duke iu referuar kujtimeve të Anastas Plasarit, mbi përshtypjet e këtij të fundit për Enver Hoxhën: “Ka për të si ‘informacione’ disa ‘anekdota’, sikurse i quan, të miqve të tij, Llazar Fundo dhe Tajar Zavalani, plus disa të dhëna të një tjetër eksponenti të Lëvizjes së majtë në Shqipëri, Dhimitër Cancos, të njohur për ndikimin e tij në jetën intelektuale të kryeqytetit nëpërmjet kinemasë ‘Gloria’ dhe sidomos librarisë së tij ‘Argus”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 39)Aurel Plasari, kur ka falsifikuar kujtimet e të atit, i ka shkruar këto gjëra për të thënë se Anastas Plasari kishte miqësi me Llazar (Zai) Fundon, komunistin më të njohur antistalinist shqiptar të të gjitha kohërave. Në të vërtetë, ky është një mashtrim i trashë, se mjaft që të shikosh kronologjinë e jetës së tyre, për të kuptuar se ata jo vetëm që nuk mund të kishin miqësi, por as që ishin takuar në jetën e tyre. Zai Fundo (1899-1944) u largua nga Shqipëria në 1924, për shkak se kishte marrë pjesë në revolucionin e atij viti. Fundo u kthye në Shqipëri vetëm në fillim të vitit 1939, para pushtimit italian, dhe qëndroi në Korçë për disa muaj. Në fund të atij viti u arrestua nga italianët si antifashist dhe u internua në Itali. Në kohën që Zai Fundo ishte në Korçë, Anastas Plasari ishte në Tiranë. Nëse ata janë takuar ndonjëherë në vitin 1939, ky do të kishte qenë takimi i parë i tyre. Edhe nëse Zai Fundo dhe Anastas Plasari do të jenë takuar disa herë gjatë vitit 1939, përsëri ata nuk mund të kenë biseduar për Enver Hoxhën se ky i fundit ishte askushi në lëvizjen komuniste të kohës. E sigurt është se Anastas Plasari dhe Zai Fundo nuk janë takuar pas kthimit të Zait në Shqipëri në fund të vitit 1943, pasiqë atëherë Fundo shkoi në Malësinë e Gjakovës, së bashku me Seid Kryeziun, të cilin e pati njohur gjatë internimit në Ventotene. Në Malësinë e Gjakovës, Fundo u vra nga partizanët, me urdhër të Enver Hoxhës, në shtator 1944. Merret vesh, miqësia e Fundos me Plasarin, është një gënjeshtër e trashë e Aurel Plasarit, të cilën e ka gëlltitur edhe Blendi Fevziu.Sa për bisedat e Anastas Plasarit me Dhimitër Cancon, për Enver Hoxhën, kjo është me të vërtetë qesharake, se Canco nuk kishte kryer shkollë në Francë dhe nuk dinte asgjë për veprimtarinë e Enver Hoxhës. Dhimitër Canco ishte një njeri krejt i ngjashëm me Anastas Plasarin. Canco erdhi në Tiranë nga fshati Boboshticë i Korçës, dhe menjëherë hapi librarinë dhe agjencinë e librave më të madhe, me emrin “Argus”. Gjithashtu, ai bleu dhe kinema “Gloria”-n, së cilës ia ndryshoi emrin në “Diana”. Këto qenë investime shumë të mëdha për kohën. Ku i gjeti paratë për këtë Canco, i cili vinte nga një familje fshatare e shtresës së mesme? Për këtë ka vetëm një shpjegim, pas tij qëndronte policia sekrete e Zogut. Canco ishte i njohur në Tiranë si homoseksual. Kjo është arsyeja që Enver Hoxha tregon një bisedë me Mit’ hat Frashërin në librarinë e tij, por asnjë me Dhimitër Cancon. Enver Hoxha, i përmend në kujtimet të gjithë ata që ka njohur e takuar, si për mirë, e për keq. Blendi Fevziu, duke vazhduar të pompojë figurën e Anastas Plasarit, shkruan në librin e tij për të:“Si njëri ndër komunistët më të njohur në Shqipëri në vitet 20 dhe 30, mbetet e pashpjeguar mospjesëmarrja e tij, sikurse edhe e komunistëve të tjerë, gjithashtu të njohur, si Hasan Reçi, Xhevdet Doda etj., në Mbledhjen Themeluese të 1941-shit”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 80-81)

Përgjigjja për këtë pyetje është fare e thjeshtë. Anastas Plasari nuk mori pjesë në mbledhjen themeluese të PKSH se ai ishte anëtar i atij që ata të cilët u mblodhën për të themeluar PKSH-në, e quanin Grupi “Zjarri”, sipas pseudonimit të kreut të tij, Andrea Zisi. Por në fakt zjarristët e quanin grupin e tyre Partia Komuniste e Shqipërisë dhe pretendonin se kishin edhe vulën e saj. Zjarristët thoshin se nuk kishte nevojë që të krijohej një parti e re, port ë gjithë ata që e quanin veten komunistë, duhet që t’ i bashkoheshin partisë së tyre. Hasan Reçi ishte vërtet komunist i njohur, por ai ishte bërë i tillë se ishte arrestuar dhe dënuar me burg nga Zogu si komunist që kishte konspiruar për përmbysjen e regjimit, çka nuk kishte ndodhur me Anastas Plasarin, prandaj ai nuk mund të barazohej me Reçin. Sa për Xhevdet Dodën, ai nuk ishte një komunist aq i njohur sa të merrte pjesë në mbledhjen themeluese si pjesëtar i përfaqësisë prej pesë vetësh të grupit të tij komunist. Kështu që nuk qëndron mendimi i Kristo Frashërit të cilit i referohet Fevziu: “Frashëri është i mendimit se këta ‘u lanë qëllimisht jashtë, mbasi kishin hequr dorë nga pikëpamjet ‘bolshevike’ dhe kishin kaluar në llogoret e socialdemokracisë”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 81)PKSH e Andrea Zisit, së cilës i përkiste Anastas Plasari, nuk ishte parti me frymë socialdemokrate, por parti trockiste, çka do të thotë se ishte për bolshevizëm jostalinist. Xhevdet Doda ishte një stalinist, dhe u vra si i tillë. Hasan Reçi mund të ishte gjithçka në atë kohë, por jo socialdemokrat.


Vijon...




(Vota: 2 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora