Mendime
Mërgim Korça: Themije Thomai përballë diktatorëve, ne, përballë saj dhe së vërtetës
E diele, 14.08.2011, 01:00 PM
“THEMIJE THOMAI PËRBALLË DIKTATORËVE SI MINISTRE E DIKTATURËS,
NE, PËRBALLË SAJ DHE SË VËRTETËS. “
Shkruar nga Mërgim Korça
Do t’i nis këto radhë me një paralelizëm shumë më gjithëpërfshirës nga sa do t’i takonte titullit që kam përzgjedhur për këtë shkrim. Mendimtari i shquar, Hirësia e Tij Baba Rexhebi, duke i u referuar autokritikës botuar në “Gazeta Republika” nga ana e ish anëtarit të Byrosë Politike si edhe Prokurorit (PERSEKUTORIT) të Përgjithshëm të Shqipërisë, Bedri Spahiut fillë mbas shkërmoqjes së diktaturës, shprehet si vijon : “ Gjatë gjithë jetës jam lutur për Bedri Spahinë me që ai ka shumë nevojë t’i lutemi Zotit për të se ka shumë, shumë krime e gjynahe për të larë. Kur vjen pleqëria, normalisht edhe njerëzit më ateistë fillojn’e besojnë. Me Bedrinë më vika edhe më keq se shikoj që, edhe në pleqërin’e tij të thellë, ai prapseprap gënjen dhe i transformon ngjarjet e prandaj e shoh se ai e paska akoma më shumë nevojën e lutjeve të mija ...”. E pashë të arësyeshme t’ia bëj me dije lexuesit, në tërësín’e tij, pohimin madhor të mendimtarit të shquar, Hirësisë Tij Baba Rexheb-it, në mënyrë që të vihet në dukje gjithëpërfshirja e këtij pohimi. Po të ishte puna vetëm si në rastin e intervistës së shoqes Themje Thomai, ish ministre e Bujqësisë përgjatë diktaturës komuniste, mbase as nuk do t’ia vlente të ulesha e të shkruaja për të. Dëgjuesi apo lexuesi i vëmëndshëm i intervistës së saj, vetëm duke i pasë njohur rrethanat, faktet si edhe personazhet, pak a shumë arrin në përfundime themelore rreth saj. Mirëpo dy janë arësyet që më shtynë të shkruaj :
Së pari dhe kryesorja, sepse mbas njëzet viteve të shkërmoqjes së diktaturës dhe vendosjes së pluralizmit, nga një farë ndrojtjeje fillestare e cila i pati mbajtur disi të frenuar ish personalitetet e kohës së diktaturës si edhe persekutorët e asaj kohe të dilnin publikisht me pikëpamjet e tyre, dora dorës në shtyp si dhe ndër ekranet televizive dëndur e më dëndur, pikërisht ajo kategori po na dalin me shtrembërime të së vërtetave e na shesin moral duke na mbajtur leksione rreth demokracisë !(?)
A nuk është po ai Sekretar i Parë i K.Q. Ramiz Alia i cili në vitin 1989 u tha më të besuarve nga kuadrot e tij “... Me strategjinë tonë të re brënda dy a tri legjislaturash do të arrijmë që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste e cila do të na përjetësojë në pushtetin politik të së ardhmes. Të jeni të sigurtë që e ardhmja do të jetë jona ... do t’a gëzojmë ne dhe pasardhësit tanë ... kemi edhe organet tona të dhunës ... mjerë ata që do të guxojnë të na kundërvihen ... kudo që të vëreni një çfaqje të vogël mos prisni, por sinjalizoni partinë, veni prangat dhe jepni plumbin ballit ... Mbajeni mënd : Fitorja dhe pushteti do të jenë përjetësisht tonët ... !”.
E po ai diktator së fundi botoi vëllimin “Jeta ime“ faqet e të cilit përshkohen nga një frazeologjí e një krijese jo më burrë jo se jo, por një përçudní e cila veç krijesë ngjalë-dhelpër mund të quhet që të vërtetat e shkuara i fsheh, i shfytyron, u kalon anash pa i përmëndur ose, ç’ësht’edhe më e keqja ... gënjen në mënyrë të mirëfilltë me shpresë se koha, (në drejtim të harresës), si edhe përsëritja, (si ajo pika e ujit që e çpon gurin), do t’a bëjnë të tyren, në favorin e retushimit të kuadrit të diktaturës komuniste, i cili ngado që t’a shikosh ... pikon gjak viktimash ! E ky përbindësh gënjeshtrën e përdor me mjeshtrí madhore i nisur nga bindja e tij se “... sadó që të gënjejë, diçka do të mbetet !”
Arësyeja e dytë e cila më shtyn të shkruaj rreth intervistës shoqes Themie Thomai, ish ministres së Bujqësisë për 13 vite radhazi gjatë kohës së diktaturës kuqe, janë disa fakte si edhe ndodhí të ngjara mes saj edhe meje personalisht, të cilat kur t’i mësojë lexuesi i paindoktrinuar dhe i drejtpeshuar, do t’u hedhin një dritë të re pohimeve të saja të sot e kësaj dite.
Vijmë tashti tek intervista e paradokohëshme e zonjës Themie Thomai, për të cilën dua të jem krejtësisht i paanshëm, mbase edhe deri në naivitet të skajshëm. Prandaj, në rastin e saj dua të veçoj nga pohimi i Baba Rexheb-it për Bedri Spahiun, vetëm formulimin se ... ajo prapseprap gënjen dhe i transformon ngjarjet ! Mbi këtë bazë detyrimisht edhe t’a gjykojmë intervistën e saj.
E fillojmë nga vetë titulli i intervistës në fjalë :
“ PËRPLASJET E MIA ME ENVERIN DHE MEHMETIN PËR BUJQËSINË “
duke u ndalur në disa konsiderata rreth përgjigjeve të z-njës Themije Thomai e doemos pastaj duke i a paraqitur lexuesit edhe përjetime personale në praní dhjetra dëshmitarësh.
Vetë titulli, duke i drejtuar kujtimet e saja ndaj dy prej satrapëve aq të egër sa që edhe kur i ka pasë përmëndur brënda mureve të shtëpisë së saj z-nja Themije, para emrave të tyre vinte cilësorin shoku Enver si edhe shoku Mehmet, lexuesit të vëmëndshëm i a nënvizon faktin se kjo mungesë etike mirësjelljeje e saja bëhet me qëllimin e mirëfilltë që brezat e rinj, 30-vjeçarët e sotëm si edhe ata që do të pasojnë, të ndikohen nga kjo trimërí e saj imagjinare !
Pyetjes së intervistueses “Si pjesë e qeverisjes së kohës, a ishit e ndërgjegjëshme se Shqipëria udhëhiqej nga një diktaturë ?”, z-nja Themie Thomai jo që nuk i jep përgjigje të drejtpërdrejtë, por e anashkalon ... pa thënë asgjë. Ja shprehimisht edhe përgjigja e saj : “Kur kam pasur detyrën si ministre Bujqësie ka qenë një tjetër kuadër ligjor, ka qenë mënyra e pronësisë tjetër e për rrjedhojë edhe mendësía ishte tjetër. Nuk më ka shkuar mëndja kurrë që të isha disidente e sistemit, por vërejtje dhe kritika për punën kam pasur gjithmonë ...” Në kuadrin e pozicionimit politik, z-ja Themie Thomai ishte anëtare e K.Q. të P.P.Sh. Sa i takon funksjonit shtetëror, drejtuese dikasteri qeveritar. Por ajo mundohet të na shpjegojë se as kish gisht në atë që ajo e quan “kuadri ligjor”, aq më pak lidhur me “çpronësímin e pronarëve të ligjshëm”, pa le të kishte ajo përgjegjësí lidhur me “mendësinë” e krijuar !(?) Sinqerisht, tek i lexoj pohimet e saja mua, bashkëkohësit të saj, më duket se kam dalë mëndjeje dhe tek ajo pohon se as nuk i paska shkuar kurrë mëndja të ishte disidente ... thuajse e humbas toruan fare ! I kërkojnë të shprehet në se ka qenë diktatorial sistemi, në përbërjen e drejtimit të të cilit ajo ka qenë nga personat kryesorë si nga ana politike edhe administrative, e ajo pranon se nuk ka qenë disidente por vrejtje dhe kritika ka patur gjithmonë ! Si ndjehem unë tashti, tek i lexoj këto pohime ? I SH-PËR-DJE-RRË ! Pavarësisht se z-ja Themije jam i bindur se nuk e di kuptimin e këtij caku gjuhësor por, po të mos reagoja unë duke i u përgjigjur, së bashku me kategorinë shoqërore në të cilën bëj pjesë, duhet t’a ndienim veten tamam të asgjësuar prej saj ! Po, po, se të nëpërkëmbur kemi qenë aso kohe, por që të na SHPËRDJERRË ajo edhe sot, jo. Duhet që brezat e rinj t’i mësojnë të vërtetat ashtu si kanë qenë e jo si na serviren sot. Përgjatë intervistës së saj z-nja Themije shprehimisht pohon edhe “Ka pasur shumë vendime asokohe që merreshin nga qeveria dhe që unë i kam kundërshtuar me të madhe.”
Në vazhdim gazetarja i a drejton z-njës Themije pyetjen “Keni drejtuar ministrinë e Bujqësisë në kohën kur shqiptarët ishin më të varfër se kurrë dhe dyqanet fare të zbrazura. Nuk kishte prodhim apo ishte çështje politikash ?” Ja se ç’thotë z-nja Themije Thomai shprehimisht : “Kam drejtuar një sektor të suksesshëm dhe faktet janë të dokumentuara. Në ato vite ne siguronim 85% të produkteve ushqimore në vënd. Por, që nuk është faji i bujqësisë apo i kooperativave, mendoj se ishte gabimi i atij vendimi të qeverisë që u muar pa dijeninë e ministrisë që unë drejtoja, për tufëzimin e bagëtive. Kjo shkaktoi një tronditje të madhe të furnizimit të tregut në prodhimet bujqësore dhe blegtorale.”
Përgjigja që jep ish ministrja e Bujqësisë, sot në 2011, tamam që më lë shtang. I flitet për një realitet tejet kokëfortë “dyqanet ushqimore fare të zbrazura”, e ministrja kundërvihet me “Në ato vite siguronim 85% të produkteve ushqimore në vënd dhe faktet janë të dokumentuara”!(?) Pa le kur thekson se “Nuk ishte faji i bujqësisë apo i kooperativave.”(?) Ajo edhe sot vazhdon të mos e kuptojë, (ose akoma më keq, këmbëngul në gabim), duke mos e patur të qartë njerin nga ligjet themelorë të ekonomisë : Mungesën e shtysës INTERESIT PERSONAL në ekonominë kooperativiste socialiste !
Kurse duke këmbëngulur në faktin se “Zbatimi i tufëzimit shkaktoi tronditje të madhe të furnizimit të tregut në prodhimet bujqësore dhe blegtorale”, mirë tronditja e furnizimit të tregut me prodhime blegtorale, po mangësín’e prodhimeve bujqësore ç’e justifikon ?
Dështimi kudo në botë i ekonomive socialiste tashmë nuk është një çfaqje e cila kërkon thellime të mëtejshme shkencore. Fatlumë ata popuj ku udhëheqësit e tyre dijtën t’i parashikojnë pasojat dhe nuk ranë në kurthin e idealizmave të pathemelta të Parajzës socialiste. Kurse sa u takon përgjigjeve që jep akoma sot z-nja Themije Thomai, për ata që nuk e kanë njohur, u dëshmon se vetëm mungesa e pregaditjes së saj shkencore ka bërë që ajo as atëhere dhe as sot, nuk arrin që nga të dhënat, duke i përpunuar ato, të arrijë tek sinteza ! T’i kërkosh asaj këtë gjë është jashtë mundësive të saja. Mos t’a ngarkojmë atë me më shumë se sa ka mundësi të mbajë !
Vazhdojmë edhe me nja dy konsiderata të tjera. Kur pyetet z-ja Themije Thomai lidhur me dënimin e veprimtarisë së ish kryeministrit Mehmet Shehu si edhe ish ministrit Kadri Hazbiu, ajo pohon e thotë “Unë për vete nuk kam folur në ato mbledhje, madje në mënyrë të heshtur nuk i kam besuar shumë. Por, për sa kohë që diskutohej çështja, vendimi ishte marrë me kohë ...”. Lidhur me përgjigjen e saj kaq naive në dukje, po e pranojmë se populli nuk e ka parasysh se z-ja Themije Thomai, duke qenë asokohe anëtare e K.Q.të P.P.Sh.-së, megjithatë nuk kishte lidhje me vendimet partiake. Por a ka se si ajo të mundohet realitetin t’a shtrembërojë deri në atë masë kur edhe më të rinjtë i kanë parë në televizion reportazhet e atyre mbledhjeve ku z-ja në fjalë, e ngritur në këmbë e duke duartrokitur me vrull të madh, bëhej njësh me sallën rreth replikave kërcënuese të Enver Hoxhës ndaj Kadri Hazbiut ?!
Kur e pyet gazetarja në se konsistonin sakrificat e z-njës Themije Thomai, përgjigja vjen aq befasuese sa sinqerisht duket sikur vjen nga një galaktikë tjetër dhe jo nga një drejtuese rangu të lartë udhëheqjeje partiake si edhe shtetërore, përgjatë diktaturës komuniste. Ja pra përgjigja e z-njës Themije : “Të besuarit e një posti politik nuk ishte vetëm një privilegj, njëherësh ishte edhe sakrificë. 10 vjet kryetare kooperative dhe 13 vjet ministre, ishin 23 vite sakrificë. Ikja në mëngjes herët nga shtëpia dhe vija në darkë vonë. Fëmijët e mi, bashkëshorti im, nuk kanë qenë si gjithë të tjerët, që do të dilnin për shëtitje ose ndonjë xhiro. Këto gjëra ishin të munguara për kohën dhe për të gjithë pjesëtarët e familjes ishte sakrificë.” Për anë këtij pohimi të z-njës Themije Thomai do të radhis dy realitete dhe lexuesi, duke bërë krahasimet përkatëse, të nxjerrë edhe përfundimet.
Pararendësi i z-njës Themije, ish ministri i Bujqësisë Pirro Dodbiba, për një pozicionim shkencor-profesional jo konform udhëzimeve të udhëheqjes partiake, (vërtet u përjashtua si kandidat Byroje Politike por nuk u përjashtua nga partia), duke përfunduar ekonomist në Fermën e Llakatundit. Sektorëve të fermës ai u shkonte gjatë dimrit i mbathur me çizme llastiku deri rrëzë kofshe. Doemos në Llakatund e ndoqi edhe familja e tij. Besoj se ky fakt hedh dukshëm dritë rreth realitetit të atëhershëm dhe fantazisë që kërkohet të shitet sot si e vërtetë e asaj kohe, lidhur me PËRBALLIMET ME ENVERIN DHE MEHMETIN nga ana e z-jës Themije Thomai ! E tepërt të zihen në gojë krahasimet mes sakrificave të dy familjeve të ndërsjella. Kaq sa për të qenë në të njejtin emërues të përbashkët tek trajtohen ballafaqimet trimërore, nga njera anë, si edhe sakrificat personale dhe të familjes, nga ana tjetër ! Sepse po të ndalemi e të shikojmë se si duhet trajtuar problemi i sakrificave të bëra nga e gjithë familja e ish ministres z-jës Themije Thomai nisur nga mendësía e asaj kohe, (për të cilën ajo e konsideron veten krejtë jashtë loje e përgjegjësije), ç’ti zinim më parë në gojë ish shoqes, ndërsa sot z-jës së nderuar ? Nuk e kish larg Grabianin nga Këmishtaj ish ministrja, ku ishin të internuara familje të tëra, kryefamiljarët e të cilave ishin dënuar me dënime kapitale ose me burg për agjitacion e propagandë pa asnjë fakt por thjeshtë bazuar në çpifje, dhe familjet e tyre u kalbën internimeve ! Le t’a lexojë z-ja Themije ditarin e Gjon Markagjonit të Ri. Fëmijë gjashtëvjeçar e internuan me gjithë familje dhe 53 vjeç ai doli nga internimi ! Ngelet rast tanimë të flitet për sakrifica sepse nuk dilej xhiro bulevardit ?!
Kaq lidhur me konsideratat rreth intervistës. Vijmë tek dëshmitë.
Një nga ditët e para të shkurtit të vitit 1981 më njoftojnë se më kërkonte urgjentisht Sekretarja e Parë e rrethit, shoqja Lenka Çuko, në zyrën e saj. Më priti mirë dhe pa humbur kohë më dorëzoi një fletë letre mbi të cilën ishte vizatuar me dorë të lirë një figurë gjeometrike në formë trapezi (me bazë të madhe nga lart). Tri përmasa kishte figura : baza e madhe 45 cm., e vogla 10 cm. dhe lartësia e trapezit 45 cm. E merr me mëndje se kush e ka vizatuar, më pyeti Sekretarja e Parë ? Doli në shesh se vetë kryeministri Mehmet Shehu e kishte vizatuar dhe e kishte porositur që të ma jepte mua skicën me porosinë personale të kryeministrit i cili kërkonte nga unë t’a projektoja dhe ndërtoja një makineri e cila të hapte një vijë kulluese me përmasat e cilësuara në skicë.
Pa hyrë në detaje, pengesa si edhe hollësira, erdhi dita kur kolaudimin e makinerisë në praktikë do të vinin t’a vlerësonin shokë të udhëheqjes nga Tirana. E çuam makinerinë në një parcelë të kooperativës Golemit të caktuar nga Seksjoni i Bujqësisë i Rrethit dhe po prisnim të vinin ata që do t’a gjykonin funksjonalitetin e saj. Ndërkohësisht erdhën dhe u grumbulluan me dhjetra agronomë, kooperativistë si edhe specialistë të ndryshëm të rrethit kureshtarë t’a shikonin makinerinë në punë. Nga Tirana erdhi Muho Asllani, anëtar i Byrosë Politike, i shoqëruar nga ministrja e Bujqësisë Themije Thomai, kurse nga rrethi i pritën Sekretarja e Parë Lenka Çukua, si edhe sekretarë të Komitetit Partisë e shefa seksjonesh nga Komiteti Egzekutiv i Rrethit. Mbasi iu dha urdhëri, u nis traktoristi dhe makineria po e hapte dora dorës vijën kulluese. Profili i vijës dilte i shkëlqyer, sipas mendimit të specialistëve të pranishëm e ndërsa Lenka Çukua së bashku me Muho Asllanin po më përgëzonin ngrohtësisht, ministrja e Bujqësisë Themije Thomai u avit tek vija kulluese e porsaçelur dhe me ton të ftohtë dhe të prerë tha pak a shumë “ ...më çudit more inxhenier Mërgimi si nuk e kupton ti se kjo vijë ka dy të meta kryesore ? E para, porsa të bjerë shi faqet e saja do të fillojnë të shëmben se kanë pak pjerrësí. E dyta, ku të ka çuar mushka dhe na ndërton një vijë kulluese me bazë 10 cm.ku nuk ka si të futet kooperativisti me gjithë çizmet e tija t’a pastrojë vijën me bel ? Ama të bukur zbatim shkencor na solle të shikojmë !” E kafshova gjuhën mos t’a fyeja ministren, (duke e ruajtur së paku respektin formal), por ama i u drejtova po me atë ton të ashpër siç m’u drejtua ajo mua dhe i thashë se ajo e kish gabim që më drejtohej asisoji mua nisur nga fakti se unë kisha një porosi me shkrim nga dora e vetë kryeministrit Mehmet Shehu dhe nxora nga xhepi e i a avita para syve skicën duke i shtuar : Ndryshomëni përmasat e skicës dhe brënda tri ditëve të vini e t’a shikoni vijën që doni ju të çelur po në këtë parcelë ! Ajo u rrudh, mblodhi supet, dhe duke e tundur kokën në drejtim të Tiranës u detyrua të thotë “... këtë nuk e kam unë në dorë.” Në atë çast nuk e di se si u përmbajta e nuk i thashë më shumë, ashtu siç e meritonte, (se në të tilla rrethana frika nuk është më dominante ), po megjithatë e fyeva, ashtu siç ma bëri borxh, tek i thashë me egërsí : Epo t’a dish moj shoqja Themije se sa kohë që kjo skicë do të ketë këto përmasa, (duke ia tundur skicën përpara fytyrës së saj), edhe vija kulluese do t’u përgjigjet atyre madhësive ! Në atë çast, duke parë se situata po merrte një drejtim të padëshiruar, ndërhyri Lenka Çukua, (ku si asaj edhe M.Asllanit nuk u a harroj kurrë drejtpeshimin që treguan se ndryshe jam i bindur se nuk do të kishte qenë pa pasoja ndaj meje qëndrimi im ndaj ministres), dhe i thotë me ton të prerë : “... ti shoqja Themije e ke shumë gabim që i drejtohesh në këtë mënyrë inxhinier Mërgimit për të cilin kemi shumë respekt. Ti e di fare mirë se skicën shoku Mehmet ma dha mua në dorë dhe unë ia dhashë inxhinierit.” Ky pozicionim i Lenka Çukos në krahun tim e bëri kthesën dhe fillë pas saj ndërhyri Muho Asllani me ton akoma më paqtues duke m’u drejtuar mua : “... ty shoku inxhinier të lumtë që në një kohë rekord ndërtove një maqineri që kryeministri ka dhjetë vite që e kërkon nga uzinat e nuk po ia ndërtojnë. Do të takohesh ti me shokun Mehmet, lësho ti pé deri atje ku mundesh e të lëshojë edhe kryeministri pé, deri ku t’a mendojë ai të pranueshme ...simbas tij !”
Kjo dëshmia ime e parë lidhur me qëndrimet e prera të ish ministres Bujqësisë z-njës Themije Thomai ndaj “Mehmetit”, (siç shprehet ajo sot në 2011-ën).
Me datën 17 Qershor të vitit 1981, në një parcelë të Fermës së Cërrikut në rrethin e Elbasanit, u bë demonstrimi i çeljes vijave kulluese. Në njerën anë të parcelës ishte ngritur një tendë e gjatë dhjetra metra e mbuluar me degë edhe gjethe, nën të cilën kishin ndërtuar me dërrasa një tavolinë po aq të gjatë me nga të dyja anët ndenjëse po druri. Pikërisht atje zunë vënd ish Kryeministri Mehmet Shehu e me radhë ish zv/Kryeministri Adil Çarçani, ish anëtari i Byrosë Politike Muho Asllani, ish ministrja e Bujqësisë Themije Thomai, ish Sekretari i Parë i Elbasanit Pirro Kondi e me radhë ish kryetarë komitetesh egzekutive rrethesh, ish zv/ministra e drejtorë drejtorishë ministrishë si të Bujqësisë edhe të Industrisë, ish drejtorë institutesh shkencore, e me radhë specialist’edhe agronomë të ndryshëm. Pa frikë mbi 200 persona të pranishëm. Pa u zgjatur fare me hollësira, ish Kryeministri Mehmet Shehu e vlerësoi lart cilësin’e vijës kulluese që bëri makineria e S.M.T.-së Lushnjes, (gjë e cila u pa shquar në ovrat ku kishte lagështirë), më thirri mua, që as nuk isha ulur në tavolinë, të shkoja e të ulesha karshi tij, e mbasi më përgëzoi shumë ngrohtësisht e mori fjalën edhe mes tjerave tha shprehimisht : “... Sot jemi mbledhur këtu lidhur me një problem shumë serioz të bujqësisë : kursimin e tokës përgjatë hapjes së vijave kulluese. Në qoftë se këto vija kulluese në rang republike do të hapen me këtë sistem që na u paraqit sot, me makinerinë e projektuar dhe ndërtuar nga inxhenier Mërgim Korça, ju a them me bindje të plotë se çdo vit do të merrnim, për të njëjtën sipërfaqe të mbjellë me të lashta, një prodhim shtesë sikur të kishim mbjellë dhjetra mijëra hektarë më shumë ! E prandaj e theksoj se ti shoqja Themije si ministre e Bujqësisë dhe dikasteri që drejton, t’a kini për turp që nuk i a kini ngritur këtë problem inxhenier Korçës por jemi ne që i a kemi shtruar. Sot kemi ardhur këtu tre anëtarë të Byrosë Politike, dhe mirë bëmë që erdhëm se problemi ka rëndësi të madhe kombëtare. Por ju shkunduni dhe përballojuni me problemet ...”
Tashti që po u vjen fundi konsideratave ndaj intervistës z-njës Themije Thomai, shikuar edhe nga këndvështrimi i pasuruar me dëshmitë e mija që rasti e deshi i kam edhe të drejtpërdrejta rreth qëndrimit të saj ndaj ish Kryeministrit Mehmet Shehu. Dëshmija e parë, pasqyruese e një qëndrimi pa personalitet të ish ministres Bujqësisë duke mos guxuar të ndryshonte përmasat e vijës kulluese, ndonëse e bindur nga përvoja e saj se ajo vijë pas shirave të parë do të shëmbej, në mos gjë tjetër por tregon se ajo i a bënte hyzmetin postit të saj duke i u shmangur çdo ballafaqimi me ish Kryeministrin. Kurse në vazhdim dëshmija e dytë ku, në praní të një moríe pjesëmarrësish në takim, heshti tek ish Kryeministri Mehmet Shehu i tha “...ti shoqja Themije si ministre e Bujqësisë dhe dikasteri që drejton, t’a kini për turp që nuk i a kini ngritur këtë problem ...” flet qartë se ish ministrja e Bujqësisë nuk ndryshonte aspak nga radha e drejtuesve paçin qenë ata drejtues politikë apo shtetërorë, (e z-ja Themije i kishte të dyja funksjonet), të cilët sa më lart u ngjiteshin shkallëve të përgjegjësisë aq më KONFORMISTË bëheshin.
Do të shtoj tashti edhe një dëshmi thjeshtë rreth saj personalisht.
Kur e pyet intervistuesja “... Pas rënies së diktaturës, ju janë përplasur dyer në fytyrë ...” z-ja Themije përgjigjet “ Diçka e kam ndjerë e më ka ardhur keq. Kur u miratua ligji 24/1, mbeta pa punë. Unë isha agronome e lartë e diplomuar dhe doja të punoja në profesionin tim. Pse duhej ky lloj shpërblimi për të qenë pa punë ?”
Ja tashti dëshmia e ime. Një ditë më vjen në zyrë sekretari i II-të i K.P.rrethit Halim Demiri i cili mbulonte problemet e bujqësisë në rreth. Mbas përshëndetjeve më thotë shprehimisht “ Inxhenier, a do të ma bësh një nder ?” Un’i thashë ku t’a gjeja t’i bëja një nder atij. (I a thashë me gjithë zemër se ai ishte një burrë i matur, i thjeshtë dhe i drejtpeshuar e gjithmonë i prirë t’i zgjidhte situatat pozitivisht). Atëbotë ai e futi dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës, nxorri një librezë universitare studenti dhe më tha, duke ma zgjatur librezën, se ... një firmë donte nga unë. Unë për një çast shtanga. Atij i ngeli krahu i shtrirë me librezën dorë. I mbetur ngushtë e zgjata dorën dhe e mora librezën. Kur e hapa, ç’të shikoj ? Fotografia e Themije Thomait, kryetares së kooperativës Këmishtajt. Ngela shumë ngushtë por u detyrova dhe i thashë z. Halim se kurrë nuk e kisha bërë një veprim të tillë që të firmosja librezë studenti pa e marrë atë në provim ! Ai vazhdoi të më lutej e sa më shumë lutej ai, aq më ngushtë ndjehesha unë. Themija e kishte ditur se kujt t’ia kërkonte atë nder. Mirëpo ndërgjegja e ime nuk ma lejonte të vendosja firmën time si pedagog për një student i cili nuk kishte ardhur të dëgjonte asnjë orë leksjoni në lëndën e Mekanikës Bujqësore ! E theksoj, nuk kishte vënë këmbë në klasë ! Të gjitha këto i a shpjegova sekretarit duke i shtuar edhe “ ... Vere veten tënde në pozitën time, shoku Halim. Ç’më ngelet mua para studentëve të tjerë të kursit agronomi të vitit katërt, kur ata t’a mësojnë se studentja Themije Thomai, pa shkelur në klasë ... e ka marrë provimin !(?)” Sekretari i ngelur ngushtë më tha: “... inxhenier të kuptoj shumë mirë se në ç’pozita ndjehesh. Ke plotësisht të drejtë dhe besoma se po largohem me respekt të rritur ndaj teje.” A ka nevojë të shtoj se z-ja Themije Thomai mund t’a ketë si dokument diplomën e agronomes së lartë por ... pa nënëshkrimin e titullarit të asaj kohe të Filialit të Institutit të Lartë Bujqësor të Lushnjes, të lëndës Mekanika Bujqësore. Për disiplinat e tjera, përbërëse të lëndëve që përfshiheshin në programin akademik për t’u marrë diploma e agronomes së lartë, sinqerisht nuk bëj dot asnjë insinuatë.
NË VËND TË PASTHËNJES : Fantazitë rreth përballjesh imagjinare të djeshme, nuk kanë kuptim sot, madjé e dëmtojnë të vërtetën ! Prandaj po i mbyll këto radhë me një maksimë të Einsteinit :
Bota e ka marrë tatëpjetën për faj të qeveritarëve keqbërës por përgjegjësíja bije mbi njerëzit e ndershëm të cilët vështrojnë dhe nuk ndërhyjnë !