E hene, 20.05.2024, 12:29 AM (GMT+1)

Mendime

Agron Tufa: Kanalet e energjisë dhe simbolet e diktaturës

E diele, 14.08.2011, 12:57 PM


Kanalet e energjisë dhe simbolet e diktaturës

 

Nga Agron Tufa

 

1. Lufta për simbolet dhe nostalgjia recidiviste

 

Tirana është qyteti  më i ndotur shqiptar, para së gjithash (çka na intereson në këtë shkrim), me simbole të diktaturës. Tirana është kryeqyteti me dendësinë më të madhe të simboleve të diktaturës komuniste. Edhe pse kanë kaluar 21 vjet nga rënia e komunizmit, është e pabesueshme që ende sot, emrat e një pjese të madhe të institucioneve publike e shtetërore të edukimit, sportit dhe arsimit, të rrugëve, rrugicave, parqeve e shesheve kanë mbetur të pandryshuara, ashtu siç kanë qenë në kohën e PPSH-së. Nëse pranojmë teorinë, se emërtimet nuk luajnë ndonjë rol të madh në formësimin e ndjeshmërisë publike të brezave, se energjia e tyre ka ardhur me kohë duke u venitur në ndikimin psiko-asociativ të banorit që lind e rritet mes peizazhit urban; nëse pranojmë pikëpamjen se energjia simbolike e personaliteteve që u shfrytëzuan në komunizëm për të emërtuar institucione, rrugë e sheshe – është diçka e mirë dhe e patëkeq, atëherë, si shpjegohet vallë rezistenca dhe reaksioni politik e po aq, edhe diskutimi masiv që ngjallet sapo tentohet të preket një simbol i kohës së komunizmit? Rastin më të qartë e dëshmon reaksioni patologjik mbi paprekshmërinë e simboleve, që gjatë këtyre dy viteve u vu re me rastin e mozaikut në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar dhe tash së voni, me rastin e mbrojtjes së Piramidës.

Duke u munduar të hedhim vështrimin më përtej dy rasteve konkrete (para se personalisht të numëroj arsyet pse nuk duhet të ekzistojnë këto fantazma të komunizmit dhe horrorit urban), do të desha që të diskutohej mbi dobinë e një energjie kaq të dendur komuniste, e cila vazhdon të mbulojë kryeqytetin. Për ekonomi letre në këtë shkrim, po lëmë mënjanë listën kilometrike të këtyre emërtimeve (atë mund ta bëjë, pa farë zori, çdokush prej jush në kohën e ngeshme), të cilat të ngjallin sa vizualisht, aq edhe psikologjikisht një ndjenjë të vërtetë llahtarie, nonsensi dhe çmeritjeje. Si është e mundur që “kanali” nga derdhet energjia e një simbolike kaq negative të jetë lënë i lirë, pa asnjë ndërhyrje? Një indiferencë e tillë të ngjall, së paku, pështjellim.

Argumenti i mbrojtësve të paprekshmërisë së simboleve vjen në të gjitha rastet i kamufluar dhe i maskuar nën petkun “human” të gjoja “kujtesës kombëtare”, duke u hedhur menjëherë në krahasime spekulative me kultura e sistemeve të tjera diktatoriale (medemek “edhe Musolini, edhe Hitleri, edhe Stalini kanë bërë krime, por (vini re) ata kanë statujat e tyre, simbolet e tyre, gjurmët e tyre të historisë, që janë lënë trashëgimi e paprekshme e kujtesës historike… Se në këtë mënyrë në po fshijmë gjurmët e së shkuarës, që do të na penalizojë brezat e rinj… etj., etj….”. Një rrenë e pafytyrë, një gënjeshtër e paskrupullt! Asnjë monument të këtillë, asnjë rrugë të këtillë, as një emërtim qytetesh, sheshesh apo rrugësh me emrat e diktatorëve fashistë apo komunistë nuk e gjen në asnjë kulturë! Me muzetë është krejt tjetër punë.

Gjatë këtyre ditëve kam lexuar se si gjatë dy dekadave postkomuniste të gjitha vendet ish-komuniste të Europës Qendrore dhe Lindore, nëpërmjet instrumenteve shtetërorë dhe instituteve të kujtesës kombëtare apo instituteve të studimeve mbi diktaturat, kanë kaluar në filtër të gjitha simbolet komuniste duke pastruar sheshe, rrugë, institucione – gjithë peizazhin qytetës dhe, nga ana tjetër, kanë punuar me përkushtim për sistemimin, studimin dhe muzealizimin e tyre në muzetë edukativë e studimorë.

Një pikëpamje disi më e rafinuar dhe më hipokrite është qasja ekonomike e mbrojtësve të simboleve komuniste. Kam vënë re se një dozë e rëndë qortimi e pseudonostalgjie harxhohet me argumentin ekonomik të tipit: “për ndërtimin e këtyre veprave (Piramida) është derdhur djersa e popullit, janë shpenzuar paratë e popullit, andaj nuk mund të rrënohet me kazmë pasuria e një populli të munduar(!)”. Si kështu? Madje edhe në rastin kur këto para janë shpenzuar për të ngritur një “varr masiv” në qendër të kryeqytetit?! Edhe në rastet kur këto para janë shpenzuar për të ngritur disa qindra mijëra bunkerë në gjithë Shqipërinë?! Sipas kësaj logjike, ne duhet, për hir të “sharmit nostalgjik”, të edukojmë ndjeshmërinë tonë të brezave me kulturën e varrezave dhe të bunkerëve.

E habitshme është se mbrojtësit e Piramidës, bunkerëve dhe simbolikës komuniste nuk shqetësohen asnjëherë për tekstet shkollore të të gjitha niveleve, ende të papastruara nga mashtrimet dhe mitet komuniste, pa asnjë bazë shkencore. Nostalgjikët nuk i shqetëson aspak vijimësia e pandërprerë e kinemasë, pikturës dhe letërsisë socrealiste, rehabilitimi i figurave të censorëve, spiunëve, ish-sigurimsave në administratë apo në politikë, sikundërse nuk i shqetëson aspak ndërrimi i simboleve të vjetra komuniste me simbole të reja, politikisht të së njëjtës valencë, e ndonjëherë, të koniunkturës së re.

E kam përmendur në një shkrim tjetër praninë time kur, para 6 vitesh, po zëvendësohej emri i një rruge. E lashë autobusin dhe kurioziteti i papërballueshëm më mbajti deri në përfundimin e atij akti. Punëtorët e hoqën me dalta pllakën e rrugës “Komuna e Parisit” dhe në vend të saj ngjitën emërtimin e ri: Rruga “Medar Shtylla”. Në mënyrë të ngjashme, Bashkia e Tiranës, pa asnjë procedurë, pa marrë aspak parasysh vullnetin e banorëve, ka emërtuar sipas oreksit të saj rrugë të reja e të vjetra me emra të simbolikës komuniste. Edhe pas përvojës tragjike të komunizmit në shkallë botërore e kombëtare, asgjë nuk i ndal recidivistët e rinj të vazhdojnë “përforcimin e kanaleve” të energjisë simbolike të pushtetit komunist.

Emërtimet pleksen duke përfshirë emra të vjetër, e, për fat të keq, emra të harruar vrasësish e biznesmenësh mediatikë të kohës së vonë, si për shembull, një nga moria e rasteve – rruga “Ndreko Rino”, rruga “Halim Xhelo” (i riu) apo rruga “Dritan Hoxha”. Se çfarë përçarësish, terroristësh dhe nxitësish të luftës civile kanë qenë dy të parët, nga trevat e Shqipërisë deri në Kosovë, këtë gjithkush mund ta vërtetojë duke lexuar dokumentet e Arkivit të Shtetit. I pari dhe i dyti kanë qenë një ndër veglat më të spikatura të dhunës gjatë luftës e më pas, gjatë pushtetit komunist të pasluftës. Ndërsa për të tretin, i vetmi arsyetim që e përligj simbolin e tij dhënë një rruge nga ish-kryebashkiaku Rama, është zelli i tij i talentuar (ndjesë pastë) në shërbim të socialistëve dikur në pozitë e tash në opozitë.

Historinë e kombit shqiptar nuk e kanë bërë vetëm komunistët. Ose më saktë: kanë bërë pjesën më të hidhur të historisë sonë kombëtare. Si të tillë, kanë marrë një vend krejt të pamerituar në histori, vend të cilin vazhdojnë ende ta mbajnë, duke e ushqyer me shiringa propagandistike. Këto figura të partisë, gjatë dhe pas luftës së dytë nacional-robëruese, nuk i janë nënshtruar verifikimit, studimit dhe vlerësimit për të parë realisht bëmat e tyre midis propagandës glorifikuese komuniste dhe veprimeve të tyre të vërteta e të dëshmueshme. Përse vallë, në vend që të sprapsen, në vend që t’u hapim udhë simboleve me energji përbashkuese, edukative, gjithëkombëtare, duhet të risillen, të mbrohen me xhelozi nga një pjesë e shoqërisë, si të ishte fjala për një kauzë ekzistenciale?

Rasti i përplasjes së opinioneve mbi shembjen apo jo të Piramidës nxori në pah me qartë se gjithçka tjetër problemin serioz e të ndërlikuar të qëndrimeve tona shoqërore në raport me të shkuarën, diktaturën dhe simbolet e saj. Ndonëse në një shkrim mbi këtë çështje kam shprehur një këndvështrim analitik mbi Piramidën, prapë, siç e thashë në fillim, çështja e simboleve shtrihet përtej Piramidës. Duke iu rikthyer Piramidës si kryesimbol, po riformuloj edhe njëherë argumentet e mia, se pse duhet prishur, duku i shtuar pikëpamjes sime jo vetëm qëndrimin mbi Piramidën, por në përgjithësi parimin moral me të cilin duhet të gjykohet gjithë sistemi i simboleve të diktaturës

 

2. Përse duhet shembur Piramida?

 

Qëndrimi im pro prishjes së Piramidës është i hershëm, në një shkrim të vitit 1993, kur isha student i Fakultetit Filologjik. Është përsëritur ky mendim edhe më vonë, në debate televizive dhe shkrime të tjera mbi nevojën e pastrimit të rrugëve dhe shesheve publike nga simbolika komuniste, e cila e ka përmbytur Tiranën në çdo cep.

Argumenti i parë pro prishjes së Piramidës është ideologjik dhe politik: Piramida u konceptua dhe u ndërtua si mauzole për diktatorin Enver Hoxha, si vend pelegrinazhi për idhujtarët e tij. Si e tillë, Piramida shënon kryesimbolin që përfshin të gjitha simbolet e tjera komuniste. Energjia e saj simbolike i bën apel një ndjeshmërie të gjerë të pasardhësve nga ish-kastat drejtuese e të privilegjuara në komunizëm dhe shërben si “kanal” i nostalgjisë dhe recidiveve për pasardhësit e këtyre familjeve. Të gjithë ata që artikulohen në shtyp kundër prishjes së Piramidës, vijnë direkt nga kjo e shkuar, mjafton të marrim në shqyrtim grupin e intelektualëve që priti për këtë çështje Presidenti Topi.

Argumenti i dytë është estetik: nga pikëpamja urbanistike, Piramida më është dukur gjithmonë një horror urban, pa ndonjë vlerë arkitekturore, që dikur sundonte peizazhin me një demonstrativizëm agresiv, prandaj dhe acarues. Me kalim e kohës, kur në peizazhin përreth Piramidës u ngritën ngrehina e konstrukte proporcionalisht më të mëdha (kaba), ekzotike dhe ekcentrike, shëmtia e Piramidës erdhi duke u theksuar akoma më fort, aq sa tani karakteri kontradiktor e aestetik e ka nxjerrë jashtë çdo harmonie urbane.

Argumenti i tretë është koniunktural ekonomiko-financiar: Në ambientet e Piramidës ka vite që nuk ushtron kush tjetër aktivitet, përveç kompanisë televizive “Top Channel”, televizioni më i madh privat që politikisht konsiderohet si zëdhënësi i opozitës, Partisë Socialiste, ish-Partia e Punës së Shqipërisë dhe trashëgimtarja direkte e saj.

Po çfarë do të duhej të ndërtohej në vend të Piramidës? Nuk kam shprehur personalisht asgjë se çfarë duhet të ndërtohet në vend të Piramidës. Por, nëse do të duhej të ndërtohej medoemos diçka, atëherë, personalisht, do të doja të ngrihej një obelisk në përkujtim të viktimave të komunizmit, që tejkalojnë çdo formë të egër stalinizmi. Ose ndonjë vepër tjetër arti. Ose thjesht lulishte, park, shesh atraktiv si akses për çdo qytetar (kalimtar, artist, fëmijë, i ri apo i moshuar), i gjelbëruar dhe i dekoruar me pemë në vend të kësaj shëmtire. Por, edhe një lulishte, një oazë dekorativ gjelbërimi e lulesh, do ta fashiste sadopak acarimin e xhunglës prej betoni dhe pallatesh disproporcionale.

Gjithsesi, edhe ndërtimi i një Parlamenti të ri do të ishte shumë më mirë se Piramida e Enver Hoxhës. Sepse, nëse Piramida është simboli më tiranik i komunizmit, i pushtetit të pakufizuar të tiranit, – Parlamenti është simboli i përkundërt me të: i lirisë, demokracisë dhe tolerancës.



(Vota: 2 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora