Mendime
Enver Bytyçi: Beteja për rikthimin e sovranitetit në Kosovë
E shtune, 06.08.2011, 07:59 PM
Beteja për rikthimin e sovranitetit në Kosovë
Nga Enver Bytyçi
eb_shqip@hotmail.com
Një ndërhyrje e befasishme e policisë së Kosovës për të vendosur kontrollin e saj në dy pikat kufitare të Veriut të Kosovës duket se ka shkaktuar reagimin ashpër të europianëve, ashtu siç ka shërbyer për të njësuar qëndrimet politike në Prishtinë. Ndërkohë ka shkaktuar reagimin e dhunshëm të politikës në Beograd e të strukturave paralele në Veri të Kosovës, vrasjen me snajper të një polici shqiptar, Enver Neziri, plagosjen e disa të tjerëve, djegien e pikës kufitare të Jarinjës, bllokimin e rrugëve etj. Forcat policore në përpjekje e në përleshje me ekstremistët serbë kanë mundur të vënë kontroll në pikat kufitare të Bërnjakës dhe Jarinjës, me qëllim që të bëjnë realitet vendimin e qeverisë “Thaçi” për bllokimin e mallrave me vula të doganës serbe dhe pengojnë eksportin e produkteve të Kosovës në Serbi. Por ato janë tërhequr përkohësisht, siç thuhet, duke e lënë kontrollin në duart e KFOR-it. Beogradi zyrtar formalisht flet kundër dhunës, kurse autoritet serbe dënojnë aktin e marrjes nën kontroll të pikave kufitare e njëkohësisht janë vënë në krye të turmave të serbëve ekstremistë, të cilët kanë kryer akte kriminale e vandaliste.
Ndërhyrja policore ishte pasojë e vendimit të Prishtinës për të vendosur masa reciprociteti në tregtinë midis dy vendeve ende në konflikt. Që prej vitit 2008 Serbia nuk i ka njohur vulat e doganave të Kosovës e për këtë shkak ajo ka penguar importin e tyre nga ky vend, ndërkohë që ka shfrytëzuar mungesën e kontrollit kufitar e doganor për të futur mallra pa doganë e taksime në territorin e saj. Veriu i Mitrovicës kishte shërbyer si zonë e lirë për qarkullimin pa kontroll, pa evidencë, pa marrëveshje, pa mbikëqyrje të mallrave serbe në Kosovë. Kjo pjesë e vendit është që prej 12 vjetësh një zonë konflikti, mospajtimesh dhe burim anarkie, që ka prodhuar kriminalitet ekonomik e politik në shtetin më të ri të botës. Popullsia serbe në këtë pjesë të Kosovës, e mbështetur nga Beogradi, ka reaguar gjithnjë dhunshëm kundër çdo tentative të Prishtinës për të vendosur sovranitetin shtetëror dhe ruajtur integritetin territorial të vendit. Në Veriun e Kosovës nuk ka gjykata, nuk ka polici të mirorganizuar, nuk ka struktura qeverisëse veç atyre që janë emëruar dhe komandohen prej Beogradit. Në këto komuna serbët kanë bojkotuar zgjedhjet politike e ato administrative, nuk pajtohen me kushtetutën e Kosovës, produkt kjo e një plani të mirëstudiuar, i cili ka marrë emrin e presidentit të Finlandës Marti Ahtisari. Behxhet Pacolli në ditët e tij të presidencës mundi për herë të parë të bënte një xhiro në rrugët e Mitrovicës së Veriut, por vetëm kaq e asgjë më shumë. Shqiptarët e boshnjakët në këtë pjesë të vendit kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë viktimat e radhës në funksion të foksionit serb të sundimit ose të ndarjes së Kosovës. Ishte premtuar se të gjitha këto problematika do të gjenin zgjidhje në raundin e bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit të ndërmjetësuara nga Brukseli e në Bruksel. Por marrëveshja për doganat dhe njohjen e vulave të saj në Kosovë ka dështuar. Kjo marrëveshje ishte parashikuar të nënshkruhej në korrik, ndërkohë që pala serbe nuk e ka pranuar atë, pasi me njohjen e doganave do të zvogëlohej mundësia e ndërhyrjeve dhe manipulimit të Beogradit në Kosovë. Për të gjitha këto arsye qeveria e Kosovës, përkatësisht kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, urdhëruan marrjen nën kontroll nga ana e policisë të pikave kufitare e doganore në Veri të vendit. Urdhrit në fjalë i ka paraprirë vendimi për vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë dhe bllokimin e mallrave jashtë kontrollit kufitar, doganor e sanitari, që prej 12 vjetësh kanë mundur të hyjnë lirisht në këtë vend.
Nga e gjithë panorama e zhvillimeve të ditëve të fundit ne mund të qëmtojmë disa problematika, aktorë dhe relacione, të cilat mund të vihen në vëmendje.
Së pari, ngjarjet ndodhin në Kosovë dhe ato herët ose vonë do të zgjidhen po në Kosovë. Kosova është një vend i pavarur, i njohur nga 77 vende të botës dhe në rrugë drejt njohjes në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Pengesa që i bën Beogradi nuk do të jetë e gjithmonshme. Dita për ta mënjanuar ndikimin e Serbisë sa vjen e afrohet, ndaj dhe politika si dhe qeveria e Beogradit janë në ofensivë për të realizuar sa më shpejt procesin e ndarjes së Veriut të Kosovës dhe bashkëngjitjen e këtij territori shtetit serb të Rashës. Duke llogaritur mungesën e kohës së mjaftueshme për ta realizuar këtë ndarje, politika dhe shteti i Serbisë prej 12 vjetësh kanë nxitur ekstremizmin, vandalizmin, aktet e dhunshme deri tek aktet terroriste, siç ndodhi me vrasjen e një polici e plagosjen e disa të tjerëve para tri ditësh në Mitrovicën e Veriut. Kjo ndodh sepse Beogradi dëshiron edhe më tej të përcaktojë fatet e Kosovës dhe të popullsisë shumicë të saj, shqiptarëve. Kjo do të thotë se kohës së Milosheviçit i është vënë pak makiazh, ndërkohë që politikat e asaj kohe janë në veprim. Përfaqësuesi tipik i politikës së Milosheviçit, Vojsllav Koshtunica, ka kërkuar të mblidhet parlamenti serb, me qëllim që ai të vihet në mbështetje të akteve të dhunshme të serbëve të Veriut të Kosovës. Sipas tij, nuk është i mjaftueshëm angazhimi i qeverisë dhe presidentit serb për ta destabilizuar shtetin më të ri në Europë. Këtë gjë ka synuar gjithashtu thirrja e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për ditën e djeshme, por, me sa duket, aktet vandale e krimet serbe të këtyre ditëve i kanë vënë në vështirësi edhe aleatët e Serbisë në Këshill. Ndërsa në Prishtinë kanë filluar të reagojnë dhe të mos e pranojnë më diktatin e palës serbe. Vetë çlirimi i Kosovës ishte reagim kundër, diktatit, dhunës dhe akteve kriminale të Serbisë. Për këtë arsye qeveria e saj ka reaguar me mjete të ligjshme, por këtë herë me një kosto të rëndë: me koston e jetës së një polici, prind i katër fëmijëve, si dhe të djegies për së dyti të objekteve në kufi. Nëse Hashim Thaçi do të dorëzohet, atëherë ai do të humbë të gjitha kreditet në elektoratin e Kosovës. Një punë e panisur është shumë herë më e dobishme sesa një punë e nisur dhe e lënë përgjysmë. Hashim Thaçi e njeh këtë formulë, ndaj nuk besohet se do t’i bindet diktatit serb. Ai i ka përforcuar qëndrimet e tij në mbledhjen e djeshme të parlamentit të Kosovës, duke deklaruar se nuk do të ketë kurrë ndarje të Kosovës. Vrasja e policit Enver Zumberi dhe aktet vandale të serbëve mund të nxitin reagimin e palës shqiptare. Nëse qeveria e Kosovës do të tërhiqet nga angazhimi që ka marrë, atëherë ajo do të nxisë veprimet anarkiste të atyre shqiptarëve që janë të lodhur me dhunën, vrasjet, djegiet dhe krimet serbe në Kosovë. E të lodhur duket se janë të gjithë shqiptarët. Kjo do të riaktivizonte idenë e një luftë frontale për t’u çliruar një herë e mirë nga “pushtimi” serb i formës së diktatit dhe tendosjes permanente. Në fund të fundit, vrasja e policit, dhuna dhe krimi serb i ricikluar në Kosovë nuk do të ishte toleruar as nga popujt e civilizuar europianë. Toleranca shqiptare ndoshta ka shënuar rekorde që nuk i ka njohur historia e botës moderne.
Së dyti, në Kosovë gjithnjë ka qenë determinues faktori ndërkombëtar. Europianët duket se kanë qenë dhe janë kundër një aksioni të tillë të qeverisë së Kosovës. Përfaqësuesi i Bashkimit Europian në Kosovë si dhe shefat e tij në Bruksel kanë kritikuar ashpër ndërhyrjen e policisë së Kosovës për të vënë kontroll në pikat kufitare në Veri të vendit si dhe kanë kërkuar që të rikthehet situata e mëparshme, domethënë koha kur kriminelët serbë kanë qarkulluar mallra, armë e krim në të dyja anët e kufirit. Por shefi i qeverisë, Thaçi, ka ritheksuar në parlament se kjo nuk do të ndodhë. Megjithëse dogana në pikën kufitare 1 është shkatërruar e djegur, është vendosur që në këtë rrugë të bllokohet gjithçka e të mos funksionojnë qarkullimi i mallrave. Megjithatë, duket se nxitje për ekstremizmin serb është bërë përkrahja që ata kanë marrë nga EULEX-i, përfaqësuesit e BE-së në Bruksel dhe ai në Prishtinë, të cilët më parë se dhe Beogradi kërkuan tërheqjen me urgjencë të qeverisë nga aksioni për të vënë kontrollin, ligjin dhe sovranitetin shtetëror në të gjithë territorin e vendit. Ka mundësi që Beogradi dhe përkrahësit e tij në Bruksel të shohin fundin e misionit të tyre “asnjanës” në Kosovë. Ndoshta këtë kishte parasysh Hashim Thaçi kur në parlament theksonte faktin se mbikëqyrjes ndërkombëtare po i vjen fundi. Deklarata e Thaçit është një dëshirë e përgjithshme e banorëve në Kosovë. Secili dëshiron të jetë vetë zot në shtëpinë e vet dhe të marrë vetë përsipër fatet e vendit. Kjo vjen më së pari si një qëndrim kritik ndaj ndërkombëtarëve, qofshin ata të OKB-së apo të BE-së, të cilët, në vend që t’i shërbenin vullnetit të shprehur për pavarësi, i kanë shërbyer më së shumti vullnetit serb për diktat e dhunë në Kosovë. Nëse qeveria e Thaçit do t’u thotë “jo” rekomandimeve dhe diktatit të Brukselit e Beogradit, mbetet për t’u parë. Një gjë është e sigurt: pa ndihmën e Serbisë dhe të shumë prej autoriteteve të BE-së serbët në Veri të Kosovës nuk do të kishin guxuar ta kalonin pragun e shtëpisë së tyre. Nëse kjo do të interpretohet si karshillëk, do të ishte gabim, sepse njësitë speciale të Kosovës dëshmuan se mund ta vendosin rendin dhe rregullin pa lënduar asnjë njeri që proteston paqësisht.
Së treti, si faktorë të rëndësishëm në këtë ndeshje kanë qenë dhe mbeten Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja, përkatësisht prezenca e saj në Kosovë, KFOR. Shqiptarët si dhe politika e qeveria në Kosovë duket se kanë besim te këta faktorë. Edhe qëndrimi i tyre është objektiv e i paanshëm. Të dyja palët bëjnë thirrje për maturi dhe i kundërvihen dhunës. Të dyja palët shprehin keqardhje për moskoordinim midis Prishtinës dhe Brukselit për shkak të refuzimit të vazhdueshëm të këtij të fundit. Por asnjëra prej tyre nuk ka kërkuar rikthimin në pikën zero, domethënë në situatën e para katër ditëve, kur kufiri dhe doganat kontrolloheshin prej bandave kriminale politike e financiare serbe. Kjo do të thotë se shqiptarët përsëri janë të detyruar t’i drejtojnë sytë nga përtej oqeanit Atlantik. Me fuqinë e Zotit e të së drejtës si dhe me ndihmën e pazëvendësueshme të SHBA-ve Kosova do të bëhet një ditë dhe sundimi serb në këtë vend do të marrë fund edhe de facto. Vetëm atëherë Kosova, Serbia dhe gjithë rajoni do të jenë të qetë, të stabël e në paqe.