E enjte, 01.05.2025, 10:32 AM (GMT+1)

Mendime

Nexhmedin Spahiu: Qeveria e Kosovës i bëri palë ndërkombëtare serbët e veriut

E diele, 14.08.2011, 12:39 PM


Qeveria e Kosovës i bëri palë ndërkombëtare serbët e veriut

 

Nga Nexhmedin Spahiu

 

Në një intervistë në RTK menjëherë pas aksionit të dështuar të Qeverisë së Kosovës në veri shpreha dilemën time se aksioni ka dështuar ose nga padija e papërvoja e Qeverisë ose se dështimi ka qenë i qëllimshëm për të arsyetuar një marrëveshje të mëvonshme. Pas marrëveshjes trelaterale serbët e veriut - KFOR – Prishtinë del se aksioni paskësh dështuar qëllimshëm dhe se njësia speciale e Policisë së Kosovës qenka sakrifikuar qëllimshëm.

 

Në terren mbetet gjendja e njëjtë

 

Marrëveshja trelaterale në thelb nuk ndryshon asgjë situatën në terren me atë që është që nga dita e nesërme e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në formë ajo ka ndryshuar sepse pas marrëveshjes trelaterale lëvizja e mallrave sërbe pa mbikëqyrjen e institucioneve financiare të Kosovës është legale.

Kufizimi për kamionët mbi 3.5 tonë nuk është ndonjë pengesë nëse nuk është e kufizuar sasia totale brenda një harku kohor. Në vend të një kamioni 35 tonësh dërgon 10 kamionë 3.5 tonësh dhe është e njëjta sasi. Moskufizimi për mallrat e Kishës Ortodokse lë po ashtu hapësirë të madhe manipulimi dhe autonominë e serbëve nuk e kufizon vetëm me veriun po edhe në komunat me shumicë serbe në jug të Kosovës. Le që as biznesmenët e përkatësisë etnike shqiptare nuk është se nuk do të përfshihen në transaksione të Kishës Serbe dhe malli i Serbisë i padoganuar dhe pa TVSH do të vazhdojë të bëjë konkurrencë jolojale në tregun kosovar.

 

Qeveria e Kosovës s’është dashur të ndërhyjë në marrëveshjen mes KFOR-it dhe përfaqësuesve të serbëve të veriut të Kosovës?

 

Njeriu mund të thotë se çfarë ka mundur të bëjë më shumë se kaq Qeveria e Kosovës? Se çfarë ka mundur të bëjë më shumë për këtë mund të shkruhen libra të tërë, por më e lehtë është përgjigjja çfarë ka mundur të mos bëjë Qeveria e Kosovës.

Ajo çfarë mund të mos bënte Qeveria e Kosovës është të mos ndërmerrte një aksion të dështuar. Ajo çfarë tjetër ka mundur të mos bëjë ka qenë të mos ndërhyjë në marrëveshjen mes KFOR-it dhe përfaqësuesve të serbëve të veriut të Kosovës. Të paktën marrëveshja e KFOR-it me përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës të mos legjitimohej e të mos legalizohej nga Qeveria e Kosovës, kjo do të ishte një bazë me e fortë për negociatat e mëtejme.

 

Marrëveshje e dëmshme dhe pa kurrfarë nevoje

Tani Qeveria Kosovës ka bërë marrëveshje me serbet e veriut përmes një pale të tretë ndërkombëtare (KFOR-it). Dhe ç’është ironia edhe më e madhe, Qeveria e Kosovës merr obligime nga kjo marrëveshje (për Kishën Sërbe, qarkullimin etj), por serbët e veriut nuk marrin obligime ndaj Qeverisë së Kosovës. Ata obligohen ndaj KFOR-it që do t’i heqin barrikadat për KFOR-in, por nuk garantojnë se nëse do t’i shohin andej ROSU-t nuk do të shtijnë ndaj tyre si ndaj patave të egra.

Qeveria e Kosovës fare nuk nxjerr mend nga veprimet e Beogradit, i cili nuk e legjitimoi planin e Ahtisaarit, edhe pse i leverdiste që bashkësia ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës ta kryenin procesin e decentralizimit në jug të Kosovës. Tani Beogradi është në pozicion shumë më komod.

Qeveria e Kosovës do të ishte më mirë të harxhonte energji se si t’ia hidhte Beogradit sesa që shpenzon gjithë ato energji për t’i shitur mu… për hallve popullit të vet.

 

Merita e gjeneralit Erhard Bühler

 

Është meritë personale e gjeneralit Buhler që me trimërinë, sakrificën dhe intelektin e tij dhe me maturinë prej burrit të shtetit e tejkaloi deri më tani vetëm me një viktimë gjithë këtë katrahurë të krijuar nga aventurat politike e policore të Qeverisë së Kosovës dhe atyre kriminale të Qeverisë së Serbisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx