Mendime
Përparim Demi: Pushka shqiptare në trojet rumune
E diele, 14.08.2011, 12:59 PM
Pushka shqiptare në trojet rumune
Nga Përparim Demi
Kështjella u ndërtua në gjysmën e dytë të shekullit të XIX-të. Ndjeva kënaqësi të veçantë kur guidi gjatë shpjegimit përmëndi gurskalitësit shqiptarë, të cilët kishin marrë pjes në ngritjen e këtij monumenti të arqitekturës europiane, të këtij objekti të bukur të historisë rumune, ku mahnitet gjithëkush që e viziton. Do të ishte një përpjekje e dëshpëruar e imja, të përpiqem të përshkruaj mbrekullitë e punimeve artistike të kësaj vepre monumentale. Duke filluar nga arqitektura, punimet dhe llojet e drurit të përdorura, vendburimet e mermerëve, kristalet origjinale Zvarovski apo vetratat shumëngjyrëshe të përmasave të punuara nga mjeshtrit e Zvicrës, pikturat dhe skulpturat e panumërta. Çdo objekt ishte vepër arti origjinale, punime mjeshtrishë nga gjithë bota, që nga fajanca e deri tek qylymet persiane. Guidi, një burr[ shtatvogël, numëronte emra piktorësh dhe skulptorësh pa pushim, jepte data dhe hollësira të ndryshme për secilën dhomë, për secilin punim që binte në sy. Për të mos folur për dhomën e artë, ku që nga muret dhe tavani ishin të lyera me flori.
Pashë dhomën e mbretëreshës Elisabeta, dashamire e madhe e Shqipërisë, për të cilën ka botuar broshurën Cili ishte Ay. Një dhomë mjaftë e thjeshtë në krahasim me të tjerat, ku në mes akoma qëndronte telajo (stativi) ku ishin realizuar pikturat e saj më të njohura. Meqë arrita tek kjo, desha të Ju pyes në e dini se Princ Vidi ishte nipi i saj? Prandaj edhe ajo u bë një nga mbështetëset më të mëdha për pavarësinë dhe ngritjen e shtetit shqiptar. Ajo shkruajti dhe publikoi me dhjetra artikuj në favor të Shqipërisë. Kauzën shqiptare e bëri kauzën e saj personale. Krijoi lobin e parë shqiptar pranë Fuqive të Mëdha dhe familjeve mbretërore të Europës. Popullin shqiptar e ngiti në pjedestal duke theksuar se ky popull heroik meritonte pavarësinë dhe mbështetjen europjane.
Në një moment të caktuar të vizitës arritëm tek dhoma e armëve. Mbreti Karol paska qënë një koleksioner i apasionur i armëve. Gjeje aty të ekspozuara armë që nga periudha e hershme medievale. Arkobaleta, shpata, shtiza, përkrenare dhe parzmore të ndryshme, e deri tek veshjet prej metali të kalorësve, që ngriheshin si statuja, për të dëshmuar qëndresën e tyre për mbrojtjen e vendit. Atje në një faqe murri, e mbyllur në një dollap prej xhami, ruhej si exponant i veçant me vlerë, një pushkë shqiptare me grykë të gjatë. Kisha parë pushkë të tilla në pikturat e njohura të Bubulinës apo të Marko Boçarit. Kisha dëgjuar mjaft për këto pushkë, të famshme në tërë Perandorinë Osmane, që prodhoheshin nga mjeshtrat me famë shkodranë. Ashtu ishte dhe kjo pushkë e shekullit XVII-të, e qëndisur me filigramet prej argjëndi, me formën aq elegante të kondakut prej druri të punuar. Ishte një vepër arti më vete. Thonë, se tyta e gjatë, që të binte menjëherë në sy, ishte arsyeja e precizionit të lartë që kishin luftëtarët shqiptarë, të cilët nuk mund të harxhonin plumbat kot. ”Kokë e fishek” thonin pleqtë nga anët tona, kur donin të na shpjegonin se puna duhej bërë me cilësi dhe të mos shkonte huq asnjë gjë.
E merrni me mend se si e ndjeva veten, kur guidi u ndal të na shpjegonte origjinën dhe vlerat e kësaj pushke, mu duk sikur të gjithë të pranishmit e dinin se isha edhe unë një shqiptar, se ajo pushkë kishte ardhur nga vendi im. Ajo pushkë, mu duk sikur të ishte vepra ime, sikur kisha edhe unë pjesë në të. Ndoshta dhe gjyshi im nga Filati i Çamërisë mbante një të tillë të varur pas derës. Eleganca dhe arti në atë pushkë nuk kishte të mbaruar, e gjeje në çdo detaj. Këmbëza dhe çarku i saj me bishtin e spërdredhur, pjesët e fildishta aq mirë të lëmuara, e deri tek filigramet e argjenta me simbolet e vjetra shqiptare, tregonin merakun, dashurinë e mjeshtrit që e kishte prodhuar. Tregonte respektin që kishte ai për luftëtarët e lirisë, që krenoheshin për pushkën e tyre. Sa turq të xhindosur dhe xhandarë kishte vrarë vallë, ajo pushkë e heshtur shqiptare, që ishte mbyllur me aq kujdes në atë kuti të xhamtë? Cili arnaut e kishte përdorur? S’kishte emër, në një pjesë të dukshme të ekspozuar lexoje: ”Pushkë albaneze e përdorur nga arnautët shek.XVII-të”. Shumica e rumunëve nuk e dinë se arnautë quheshin shqiptarët, për ta arnautët ishin trupat speciale të elitës të periudhës së Perandorisë Osmane, që shpesh i gjeje si garda ”pretoriane” të familjeve princërore të Rumanisë.
Ne ishim mbrojtësit e krishtërimit që luftonim deri në vdekje për atdhe
Kam parë fotografi të ”arnautëve” dalë në rugët e qëndrës së Bukureshtit, të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit të njëzet. Me siguri, për rumunët kostumet e këtyre u dukeshin të çuditëshme, tepër të ngarkuara me armë. Kostumi jonë kombëtar i malsorit, me pisqolla dhe jatagan në brez, me xhamadanin e qëndisur dhe qeleshen në kokë dhe opingat e veçanta, bënin një efekt të jashtëzakonshëm. Arnauti me bishtat e mustaqeve të kthyera lart, në Rumani, ishte simboli i besnikërisë dhe sigurisë. Ata dominonin pazarin dhe rrugët e kryeqyteteve të principatave rumune të shekullit XVIII-XIX. I gjeje në Bukuresht, në Jash, në Konstancë e gjetkë. Historia e Rumanisë nuk mund të jetë e plot pa arnautët dhe tregtarët shqiptar, ashtu si dhe dramaturgjia rumune pa Viktor Eftimiun (nga Boboshtica e Korçës) dhe pa dramaturgun më të njohur të këtij vendi Jon Luka Karaxhiale (arvanitas nga jugu).
Që ta mbyll këtë episod të vogël, i cili më la një shije të veçantë, dola nga kështjella i menduar. Havieri ishte shumë i emocionuar dhe entuziast. I pëlqeu gjithëçka që pa në këtë muze arti. Unë, me mëndjen tek pushka. Mundohesha të imagjinoj se si i shihnin shqiptarët në Europë në kohën e ”arnautëve”. Më kalonin nëpër mëndje vargjet e Bajronit dhe pikturat e muzeut të Londrës. Atëhere, Europa na vlersonte lart, si mbrojtësit e krishtërimit, si murrin mbrojtës, që armatat turke s’e kapërcyen dot për pesë shekuj me rradhë. Pra ishim heronjtë e Europës, kjo nuk diskutohet, pasi luftonim kundra turqve, ishim shpresa e tyre e vetme ndonjëherë, si në kohën e Skëndërbeut, pavarsisht se shumë e kanë haruar. Ne vrisnim pashallarë dhe sulltanë, ishim luftarë kamikaze, që luftonim deri në vdekje.
Po sikur të mos i bënim gjithë këto gjëra, por të luanim rolin e qingjit të butë, si do ishte harta e Europës sot vallë? Po sikur të mos e bënim atë pushkën e gjatë, dhe në vënd të saj të ngrinim shtëpia, të ndërtonim rrugë, të ngrinim pallate dhe hareme, katedrale dhe xhamia të larta dhe të bukura. Në vënd që të luftonim, të bënim shkolla, të bëheshim diplomatë dhe të shkruanim historira të bukura, si do ishte Shqipëria sot? Dola nga kjo kështjellë e bukur dhe mëndja më shkoi tek kështjellat e lashta shqiptare, të rrënuara deri në themel. Të djegura si kullat dhe kasollet tona të varfëra, të zhurritura si shpirti i pamposhtur shqiptar. Apolloni në Luvrin e Parisit, përkrenarja dhe shpata e Skëndërbeut në Vjenë, pushka e gjatë në Pelesh, librat tona në Vatikan e në Stamboll. Hej Evropë, sa shumë na ke marrë. Sa borxhe hala nuk na i ke la! (Bukuresht, 20 qershor 2011).