E marte, 30.04.2024, 01:03 AM (GMT+1)

Editorial

Pirro Misha: Tolerancë fetare apo papërgjegjshmëri?

E merkure, 13.02.2008, 09:00 PM


Tolerancë fetare apo papërgjegjshmëri?

Nga Pirro Misha

Tre fakte më shtynë të ulem të shkruaj. Një libër i botuar muajt e fundit në Francë, një artikull i botuar në një të përditshme në Tiranë, një pamje në sallën e pritjes të aeroportit të Tiranës. Si për të treguar se radhitja e mësipërme është e rastësishme, po e nis nga kjo e fundit.

Aeroporti

Aty nga fundi i muajit shtator, së bashku me mikun tim Kujtim Çashku po prisnim të vinte koha për t'u nisur, kur na zuri syri atë grup prej rreth 10 djemsh e një vajze pak a shumë të një moshe, që rrinin të veçuar në qoshen më të largët të sallës së pritjes. Në fakt të gjithë pasagjerët kthenin kokën për t'i parë. Djemtë mbanin të gjithë mjekra të gjata, ndërsa vajza ishte e mbuluar me të zeza, duke lënë jashtë vetëm sytë. Dukej që vinin nga fshati, ose nga ndonjë qytet i provincës. Nuk e di se ku shkonin...

Libri

E gjen sot në çdo vitrinë librarie në Francë. Titullohet "Diksioneri botëror i fondamentalizmit"*. E ka përgatitur një grup ekspertësh ndër më të njohurit në Europë për çështjet e Lindjes dhe të radikalizmit islamik. Libri synon të japë një panoramë të universit të sotëm të radikalizmit islamik. Një zë i veçantë në të i kushtohet Shqipërisë ose, që të jem më i saktë, rrezikut të fondamentalizmit në Shqiperi. Ç'thuhet aty? Në një vend si Shqipëria, që krenohet për traditën e tolerancës dhe të bashkëjetesës mes feve, prej dhjetë vjetësh po veprohet për zevendësimin e islamit tradicional me një islam të afërt me konceptet whabite - pra të islamit në një ndër format e tij më radikale që praktikohet në Arabinë Saudite, si dhe në disa nga vendet e tjera arabe të ashtuquajtura të Gjirit. Sipas librit, kjo përpjekje mbështetet me mjete të fuqishme financiare. Gjithnjë sipas librit, gjatë periudhës së parë pas hapjes së Shqipërisë (periudhë kjo e përcaktuar deri në vitin 1997) nuk synohej thjeshtë mbushja e zbrazëtisë së lënë pas nga komunizmi në institucionet përfaqësuese të bashkësisë muslimane. Në atë kohë synohej që vetë politika e vendit të orientohej drejt integrimit me bashkësinë e vendeve islamike. Si promotor kryesor i këtij projekti përmendet emri i B.Gazidedes, i cili, sipas autorëve të librit, mbante lidhje të ngushta me shërbimet e fshehta të disa vendeve arabe, si dhe me ato iraniane. Ndërkohë, vënien në jetë të projektit e morën përsipër një sërë organizatash të ashtuquajtura "bamirëse" apo "kulturore" arabe. "Në Shqipëri veprojnë, thuhet në libër, rreth 30 organizata të tilla të financuara kryesisht nga Arabia Saudite, të cilat punojnë për një objektiv që, ç'është e drejta, ato s'e kanë fshehur kurrë - ri-islamizimin e Shqipërisë."

Libri bën një analizë të hollësishme të mënyrës se si veprojnë këto organizata, që edhe pse disi të reduktuara këto dy tre vjetët e fundit, prapë janë mjaft të pranishme. Objektivi i tyre kryesor është "çkombëtarizimi" i islamit lokal në emër të një islami "universal". Për këtë qëllim s'mjafton thjeshtë predikimi i vizionit të umës**, por kërkohet të nxiten ndjenjat antiperëndimore, duke shfrytëzuar pasigurinë apo zhgënjimin e natyrshëm që ndjejnë shumë njerëz në kushtet e çoroditjes që sjellin ndryshimet rrënjësore dhe kriza e tranzicionit. Në fakt mënyra se si veprojnë këto organizata është tepër e sofistikuar. Nga njëra anë ato ushtrojnë presion mbi grupe të caktuara të popullsisë për të arritur atë çka ata e konsiderojnë sjellje "islamike" - gratë të mbulohen, fëmijtë të ndjekin shkolla kuranike, meshkujt të mbajnë mjekër etj. Mjeti më efektiv i presionit mbetet e ashtuquajtura ndihmë 'bamirëse' ekonomike e sociale. Në fillim kjo iu jepet të varfërve, jetimëve, nevojtarëve e pakushtëzuar, pastaj gradualisht kalohet në privilegjimin financiar e materjal të atyre që ndjekin porositë. Së fundi, jo rrallë, ndihma bëhet krejtësisht e kushtëzuar. Një rëndësi e posaçme i kushtohet hapjes së shkollave islamike me mësues, së paku fillimisht, arabë, furnizimit me literaturë propagandistike të përkthyer në shqip, si dhe dërgimi i të rinjve shqiptarë për shkollim në vendet arabe. Këta të fundit zenë një vend të rëndësishëm në planet afatmesme të këtyre organizatave, sidomos për realizimin e objektivit të shkatërrimit të trashëgimisë fetare e historike lokale. Synimi është që të vendosen në institucionet e bashkësisë muslimane shqiptare. Po të njëjtit qëllim i shërben dhe ndryshimi i specifikës arkitekturore të xhamive të trashëguara nga Perandoria Otomane - ndërhyrja shkon deri në dekoracionin e tyre të brendshëm - për t'i zevëndësuar ato me austeritetin e rreptë whabist. (Por kjo e fundit, për mendimin tim, është sidoqoftë një temë më vete, sepse diskutimi mund të shtrihet dhe në stilin e kishave ortodokse që po ndërtohen në vend.). Sipas librit, NGO-të e Arabisë Saudite kanë ngritur deri tani mbi 200 xhami të tilla në Shqiperi, me një stil krejt të ndryshëm nga ai tradicional. Në pjesën kushtuar Shqipërisë përmenden, ç'është e vërteta, shumë detaje, emra organizatash e individësh, lidhjet e tyre direkte apo indirekte me qarqe radikale apo dhe fondamentaliste e terroriste. Një vend, ndonëse jo shumë i madh, i kushtohet dhe veprimtarisë së organizatave apo fondacioneve të ndryshme bamirëse, fetare apo kulturore iraniane, që veprojnë në Shqipëri në drejtim të bektashinjëve, si dhe atyre fetare turke. Kosova dhe Maqedonia kanë kapituj më vete.

Artikulli (dhe interneti)

Pak a shumë në të njëjtën kohë që më ra në dorë ky libër, në një të përditshme të Tiranës botohet shkrimi me titull "Al-Mustafa kundër Ervinit" (Tema, 8 shtator 2002.) Autori i shkrimit quhet Olsi Jazexhi, një emër që ndeshet here pas here kohët e fundit në këtë gazetë. Eshtë një artikull shqetësues. Jo thjeshtë për mllefin e madh, që s'do përbënte ndonjë çudi në panoramën e shtypit shqiptar, sesa për gjuhën e referencat që përdor. Një gjuhë e huajtur nga universitetet e fanatizmit e radikalizmit islamik. Sa për të sqaruar lexuesit, duhet shtuar se ky artikull u botua si një ndërhyrje e autorit në një polemikë të zhvilluar aso kohe mes Mustafa Nanos dhe Ervin Hatibit për çështjen e muslimanizmit të shqiptarëve, një polemikë, që pavarësisht nga tema "delikate" apo ndonjë fjalë a shprehje e pavend, mendoj se ishte krejt normale. Pa bërë komente, do mjaftohem duke cituar nga artikulli. Olsi Jazexhi i sulet Mustafa Nanos, duke e akuzuar se bën pjesë në "renegatët besëthyes Perëndimofilë që ngrenë lart flamujt e pederastisë, feminizmit, anti-maskulizmit, antishqiptarizimit, antinacionalizmit dhe çfarë të urdhërojë blloku më i fortë i kohës." Për shkruesin e artikullit armiqtë e vërtetë të shqiptarëve na qenkan "Imperializmi kristiano-europian dhe mashat e tij." "Varfëria akute e këtij populli dhe përdhosja që Europa Kristjane i ka bërë dhe i bën atij prej 100 vjetësh, shkruan O.J. në "Tema", ka shtyrë dhe shumë jetimë te civilizmit Osman të Shqipërisë që të marrin vendin e renegatit. Viktimat shqiptare nga kryqëzata Europiane sot shihen përballë ambasadave greke dhe italiane në Tiranë." Ose më tej: "Mustafa Nano ka lindur në shekullin e XX-të, kur shqiptarët në vend që të dëbojnë princat kristjanë në Dar-al-Islam..., janë detyruar që të dëbohen nga trojet e tyre amtare në Kosovë, Çamëri, Mal te Zi dhe Maqedoni...Në sh.XX dhe XXI, shqiptarët nuk janë më mbrojtës të nderit të civilizimit Islamik, siç ishin në kohë të Hajredin Barbarosës. Në këtë shekull ata janë kthyer në prostituta të semaforëve të Kristendomit perëndimor." Besoj se mjafton. Gjuha e O.J. është një shartim termash modernë me koncepte të dala nga mesjeta, si Dar-al-Islam***, luftëra të shenjta, princër të krishterë (emërtimi i vendeve të sotme ballkanike), kryqëzata etj. Një hibridizim paradoksal mes demagogjisë panislamiste, aludimeve pseudohistorike e hiles tashmë të njohur pseudonacionaliste, që e ndeshim jo rralle vitet e fundit, kur teorira të tilla mundohen të bëhen të besueshme duke i veshur me një vello nacionaliste.

S'është e vështirë ta kuptosh zanafillën e një gjuhë të tillë krejt të huaj për mendësinë shqiptare! Eshtë pak a shumë e njëjta përzjerje që gjen në mesazhet e Bin Ladenit, kur veprimet e tij tashmë të njohura përligjen duke iu referuar imperializimit kristian, kryqëzatave mesjetare, apo ngjarjeve të tjera historike, të ndodhura kushedi se kur. Sigurisht, me këtë s'dua të bëj asnjë aludim të pavend. Po mendoj se nëse vërtet po kalohet në një faze kur propagandues të një fantizmi të tillë fetar, apo të internacionalizmit islamik s'janë më thjeshtë misionarët arabë, por qytetarë shqiptarë, atëhere ndodhemi para një rreziku që s'mund të injorohet. Një rrezik, ç'është e vërteta, ende margjinal, por që mund të bëhet shqetësues në se dukurive të tilla s'i kundërvihet askush. Të kuptohemi, këtu s'është fjala thjeshtë për artikujt e një të riu të kthyer nga studimet në Malajzi, që në fund të fundit ka të drejtën e tij të botojë atë që mendon. Të ishte me kaq, as që do t'ia vlente të përmendej. Por çështja, për fat të keq, nuk është kaq e thjeshtë. Për kë dëshiron të mësojë diç më shumë për këtë temë e këshilloj të kërkojë në internet. Le të klikojë psh., sa për fillim, emrin e Olsi Jazexhiut nga faqja personale e të cilit në internet mund të kalohet në sërë linkesh që ai rekomandon dhe do të kuptojë se artikulli i mësipërm s'është veçse maja e ajsbergut, nën të cilin fshihet një realitet më kompleks, plot me të papritura. Do njihesh psh me një sërë qendrash mjaft aktive (e me sa duket mirë të financuara, shumë syresh në Maqedoni), që përhapin një mori materjalesh propagandistike në shqip për variantin arab të islamit, përpjekje të shumta për revizionimin e plotë të asaj që njihet si histori e shqiptarëve, duke hedhur baltë mbi thuajse gjithë figurat qendrore të saj, që nga Skenderbeu, P.Bogdani, deri tek Fan Noli e Fishta, për t'i zevëndësuar ato me figura të tipit Haxhi Qamili. Ka studime qindrafaqshe, polemika, tjerrje fetare, ose kureshti të tilla si p.sh. stemën apo flamurin që na paska patur Haxhi Qamili. Historia, ç'është e vërteta, mbetet një terren i preferuar. Duhet krijuar një histori tjetër që shqiptarët të binden se vendi i tyre natyral është në Lindje, aleancat e tyre të natyrshme janë ato me vendet islamike, ndërsa armiku, sigurisht, Europa e pafe dhe Perëndimi. Një botë e tërë paralele ku punojnë shumë njerëz për të vënë në qarkullim një informacion alternativ (e jo pak disinformacion) të përditshëm nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, diaspora e sidomos vëllezërit e një feje në Dar-al-Islam. Mund të lexosh psh, të përkthyera në shqip materjalet e konferencës së fundit Islamike, fjalimin e mbajtur nga ministri i jashtem i Malajzisë apo Arabisë Saudite, apo pse jo edhe thirrje për xhihad në s'di cilin ishull të arqipelagut indonezian.

A ekziston tek ne rreziku i arabizimit të Islamit?

Paraqita disa fakte dhe tani është më se e natyrshme të bëhet pyetja: A ka vend edhe tek ne për atë shqetësim që shprehu para pak javësh shkrimtari dhe publicisti shqiptar nga Maqedonia Kim Mehmeti kur në një takim në Tiranë me njerëz të letrave foli për rrezikun e arabizimit të Islamit shqiptar! Natyrisht, ai i referohej Maqedonisë. Ai e bëri këtë koment, duke iu përgjigjur pyetjes se si shpjegohej që një pjesë e madhe e botimeve shqip nga Maqedonia të ekspozuara në panairin e fundit të librit në Tiranë, ishin libra propagande fetare arabe. Vetë Kimi është besimtar, ai foli ndërkohë dhe për rolin e rëndësishëm që ka luajtur feja në kontekstin maqedon si një faktor që mbrojti shqiptarët nga asimilimi. Por, sipas tij, kjo s'duhet të bëjë të mbyllen sytë përpara një situate që mund të ketë pasoja në radhë të parë për shqiptarët.

A ka vend, pra, të flasim për një rrezik të tillë edhe në Shqipëri?

Sigurisht, situata ne Shqipëri ndryshon jo pak nga ajo në Maqedoni. Në fakt dukuri si ato që përmënda s'kanë të bëjnë aspak me bashkësinë muslimane shqiptare, apo institucionet e saj përfaqësues, që mbeten shembuj të traditës të tolerancës fetare. Kushdo që e njeh sot Shqipërinë e di se fakte të tilla janë margjinale dhe aspak përfaqësues të realitetit fetar në Shqipëri. Por kjo s'do të thotë se për to duhet heshtur. Përvoja e popujve të tjerë na tregon se toleranca dhe bashkëjetesa fetare është një lule e çmuar, por edhe e brishtë, e cila thahet e prishet, po s'u tregua kujdesi i duhur.

Në se i besojmë tablosë që na jep libri francez atëhere ka vërtet arësye për t'u shqetësuar, në mos për sot, për nesër. Jo se shqiptarët do u kthekan nga sot në nesër në fanatikë, por sepse problemeve tona do t'iu shtohet një tjetër problem, ndoshta më i vështiri, kur ke parasysh peshën e madhe që është duke marrë në boten përreth faktori fetar. Sigurisht, s'jam në gjendje të gjykoj faktet e sjella nga libri, por diçka e di: disa gjëra i kemi parasysh. Para syve tanë sa vinë e shtohen në rrugët e Tiranës të rinjtë mjekëroshë apo vajzat e mbuluara. Disa vite më parë kalimtarët kthenin kokën me çudi kur shihnin rrugës ndonjë vajzë të mbuluar, tani me ç'duket askujt s'i bën më përshtypje.

Diçka për çështjen e shamive dhe të mjekrave

Në të vërtetë bëhet fjalë ende për një pakicë thuajse të papërfillshme. E megjithatë, fjala s'është thjeshtë tek mjekra që mbajnë ca të rinj, apo shamija me të cilën mbulohen ndoca vajza. Problem është mendësia që këto simbole jo rallë përfaqësojnë. Disa pedagogë të Fakultetit Gjuhë Letërsi më tregonin për një studente kokëmbuluar që kishte dalë nga klasa sepse sipas saj feja ia ndalonte të dëgjonte kur aty flitej për Naim Frashërin, ndërsa një tjetër kishte refuzuar tezën e provimit ngaqë në të i kishte rënë të fliste për Fishtën. E pra është absurde që shembuj të tillë fanatizmi, që duhen analizuar e kuptuar, kalohen thjeshtë si ca çudira kureshtare! Në të vërtetë njerëzit edhe diskutojnë, por privatisht, sepse është krijuar një ide sikur për çështje të tilla është mirë të mos debatohet publikisht. Të kuptohemi, s'jam për kalimin në ekstrem, duke mos lejuar p.sh. hyrjen në institucionet publike të grave të mbuluar, apo burrave me mjekër alla islamikçe, siç ndodh bie fjala në Turqi. Po ashtu do të ishte një marrëzi që të shohim tek çdo i ri me mjekër, apo vajzë e mbuluar një fanatik. Në fund të fundit toleranca për kë mendon ndryshe bën pjesë në sistemin e vlerave të qytetërimit europian që kërkojmë të bëjmë tonin. Por kjo tolerance s'duhet të na bëjë të druhemi të hapim nje debat, ku të tregohet se mbulimi me shami, apo mbajtja e mjekrës në një formë të caktuar që dallon besimtarët e disa vendeve arabe, më shumë se sa kërkesë e fesë, është pjesë e një konteksti kulturor që ndryshon krejtësisht nga yni. Këto dukuri janë pjesë e kontekstit social e kulturor të disa vendeve që, duke evidentuar diferencën nga kultura perëndimore, rreken të afirmojnë identitetin e tyre. Eshtë fjala për vende që prej dekadash, për një sërë arësyesh që s'është vendi këtu t'i shtjellojmë, kalojnë një krizë sociale, ekonomike, kulturore, për të cilën ata ia venë fajin Perëndimit dhe pikërisht për këtë arësye refuzojnë modelet e simbolet perëndimore. Eshtë një dukuri që s'e ndeshim për herë të parë në historinë moderne. Veshja është shpesh shenja e parë e pranimit apo refuzimit të modeleve. Në Indi p.sh. gjëja e parë që bëri Mahatma Gandhi, kur nisi lëvizjen e tij kundër anglezëve, ishte braktisja e xhaketës dhe kravatës për t'u veshur me robën tradicionale indiane. Mao Ce Duni ndaloi veshjen euopiane, duke imponuar uniformën "revolucionare". Në Iran, pas revolucionit islamik të Khomeinit, masa e parë e ndërmarrë ishte imponimi i një stili të caktuar veshjeje dhe sidomos mbulimi i grave. Pra, kemi të bëjmë me simbolikën e një reagimi antiperëndimor e antieuropian, ku feja s'është veçse një pretekst, një element për të arritur mobilizimin emotiv në një projekt që në thelb mbetet politik. A s'ia vlen të hapet ky debat?

Çështja e imazhit

Sigurisht, është një shqetësim që s'ka arëye pse të fshihet. Një vend si Shqipëria s'ka asnjë interes që të perceptohet si një vend islamik. Aq më tepër po të kihet parasysh konteksti i sotëm botëror! Këtu s'është fjala thjeshtë për pragmatizëm, por për t'i bërë botës të njohur realitetin e Shqipërisë si një vend multikonfesional, që s'e identifikon veten me asnjë fe. Të sqarohet se nuk ka sens ta quash Shqipërinë një vend të moderuar islamik (siç bënte "The Economist" veç pak javë më parë), duke iu referuar të dhënave të shtatëdhjetë vjetëve të shkuar, sepse Shqipëria e 2003 është e ndryshme nga ajo e 1938, nga ku vinë të dhënat e fundit për përkatësinë fetare. Sa janë njerëzit sot në Shqipëri që nuk identifikohen me asnjë fe? Po numuri i martesave të përzjera? Të ç'feje duhen llogaritur fëmijtë e dalë nga këto martesa! Por më kryesorja është që Shqipëria është sot një vend që mund të merret si shembull i bashkëjetesës fetare. Një vend ku vetë Islami s'ka asnjë lidhje me shfaqjet e fanatizmit që gjen sot në disa vende. Islami shqiptar është dhe duhet të mbetet pjesë integrale e qytetërimit europian. Kjo duhet bërë e ditur.

Tek shkruaj këto fjalë më vjen ndërment reagimi i Faik Konicës më 1936, (aso kohe ambasador i Shqipërisë në Uashington) kur tek po shihte një dokumentar kushtuar Shqipërisë, dëgjon ta quajnë Shqipërinë vend musliman. "Pastaj gati sa nuk brofa nga vendi nga habija...shkruan ai. Shqipëria nuk është një vend musliman. Ajo është një vend me tre besime dhe pikërisht për shkak të kësaj rrethane nuk ka fe shtetërore...Me zgjimin e kombësive në Europë dhe kur gojëtaria e Gledstonit kishte ngritur kundër turqve një lëvizje të krahasueshme me kryqëzatat në mesjete, grekët dhe serbët, këta fqinjë të ndershëm të Shqipërisë, nuk vonuan të rroknin përfitimin që do të nxirnin po të ngatërrohej feja me kombësinë. Në çdo rast vihej gishti mbi fenë myslimane, që e kishte një pjesë e madhe e shqiptarëve pas pushtimit, dhe në sajë të "hipnotizimit nga përsëritja", kishte shpresa që bota do bëhej të besonte se shqiptarët na ishin "turq"."

Me që jemi tek tema e imazhit, a s'është koha që Shqipëria të sqarojë një herë e mirë ambiguitetin e saj të zgjatur në lidhje me antarësinë në Konferencën Islamike! Dikur, ngurimi për të dalë nga kjo organizatë përligjej me nevojën e votave të vendeve arabe kur votoheshin rezolutat për Kosovën në OKB. Siç dihet, kur erdhi koha e luftës së Kosovës pikërisht këto vende mbajtën qendrime në mos kundërshtuese, nga më të ftohtat përsa i takon ndërhyrjes ndërkombëtare në Kosovë. Atëhere, ç'e përligj vazhdimin e qëndrimit në këtë konferencë!

Në vend të përfundimeve

Në fakt, sot për sot gjykoj se s'ka arësye serioze për të venë alarmin. Ajo që të shqetëson është indiferenca e papërgjegjëshme e qeveritarëve dhe, në përgjithësi, e elitave intelektuale e politike për një problem që që nga Rilindja e këtej konsiderohej si një ndër problemet që meritonte vemendjen më të madhe pikërisht për potencialin përçarës që mbartte, duke qënë në të njëjtën kohë një terren lehtësisht i manipulueshëm nga jashtë. Unë s'bëj pjesë ndër adhuruesit e periudhës së Zogut, përkundrazi, e megjithatë gjykoj se sot kemi ç'të mësojmë nga politika që ndoqi Zogu në çështjen e fesë. I vetëdijshëm për "problemin e trashëguar fetar" Zogu bëri çmos që kisha ortodokse të bëhej autoqefale, që prirjet autonomiste të katolikëve të mbaheshin nën kontroll, dhe muslimanët sunitë shqiptarë të veçoheshin nga çdo ndikim nga jashtë, për t'u futur në rrugën e reformimit e modernitetit. Për të neutralizuar çdo problem, Zogu mbante nën kontroll të rreptë shkollat fetare, duke kufizuar shumë numurin e tyre, dhe mbi të gjitha s'lejonte subvencionimet e institucioneve fetare nga jashtë, pa aprovim të qeverisë. (Konferenca e bashkësisë sunite shqiptare e vitit 1923 mori një sërë vendimesh të rëndësishme në drejtim të reformimit dhe europianizimit të islamit shqiptar.) A s'është, pra, koha që shteti shqiptar të hartojë një politikë të qartë në çështjen e fesë, duke u ndërgjegjësuar se kjo është një fushë që s'mund të lihet jashtë vemendjes në emër të bindjes naïve se ne shqiptarët na qënkemi ca qënie të veçanta, të lindura me një tolerancë fetare, të cilës s'ka armik që i bën dot gjë! Kaq e vështirë qenka të kuptohet që lënia shkolla fetare janë diçka që s'mund të lihet jashtë vemendjes! Që shteti detyrimisht duhet të vendosë nën kontroll subvencionimet e ardhura nga jashtë, sidomos mënyrën se si përdoren! Çka kërkon, sigurisht, që institucioneve fetare t'iu krijohen kushtet për të qenë të pavarura financiarisht, duke iu kthyer atyre me prioritet pronat e trashëguara. Përndryshe, çdo përpjekje për të shmangur cilëndo bashkësi fetare e institucionet e tyre nga tradita jonë e bashkëjetesës e tolerancës fetare mund të jetë me pasoja të paparashikueshme. Traditat tona fetare janë një pasuri që duhet ta ruajmë, një ndër ato vlera që me mburrje mund t'ia ofrojmë edhe vetë Europës, në rrugën tonë drejt integrimit. Në realitetin shqiptar ka shumë nevojë për tolerancë, por toleranca s'duhet kthyer në papërgjegjshmëri.

* Dictionnaire Mondial de l'Islamisme - Plon, 2002 - me autorë Khattar Abou Diab, Patrick Karam, Richard Labeviere, Julien Larierge, Olivier Roy, Antoine Sfeire, në bashkëpunim me Les Cahiers de l'Orient.

** Umma - Fjalë arabe që do të thotë bashkësi e muslimaneve.

***Sipas konceptit mesjetar islamik bota ndahej në dy pjesë: Dar-al-Islam (territoret e Islamit) dhe Dar-al-Harb (vendet në luftë, ose vendet kundër të cilave muslimanet e kanë për detyrë të luftojnë) Pra, sipas konceptit te O.J. detyra e shqiptarëve duhet të ishte lufta për çlirimin e Ballkanit për ta kthyer atë sërish në tokë të Islamit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora