E hene, 29.04.2024, 08:22 PM (GMT+1)

Editorial

Mërgim Korça: Figura madhore e Elena Gjika Merlikës

E marte, 05.02.2008, 09:22 PM


Figura madhore e Elena Gjika Merlikës
 
Shkruar nga :
Mërgim Korça
 
Që më pesë tetor zemra e kësaj gruaje të madhe pushoi së rrahuri. Elena Merlika ndërroi jetë dhe u varros përkohësisht në Latina ( Itali ), atje ku edhe banonte që prej dhjetë vitesh, por la një amanet : kur t’i vinte dita të shoqit, që edhe ai t’i nënshtrohej ligjit që nuk njeh as pushtet e as pasurí, t’i merrnin të dy e t’i çonin të preheshin atje, në Krujën e largët, në këmbët e Sarisalltëkut madhështor.
Për ata që e kanë njohur të ndjerën Elenë nga afër, në kampet e mallkuara të internimit të periudhës diktatoriale, këto radhë nuk kanë shumë se ç’tu thonë, vetëm se t’u rikujtojnë dhimbjet edhe vuajtjet e një periudhe skajshmërisht të hidhur të jetës së tyre e domosdo t’ua rikujtojnë Elenën e ndjerë ashtu të papërkulur siç qé, mëshirëmadhe të skajshme, por edhe mbështetje morale të pashëmbulltë siç e kish ndërtuar Zoti vetë ! Ndër këta bashkëvuajtës me të, domosdo shquhen dy kategori : ata që e njohën atë që nga kampi famëkeq i Tepelenës e që ishin bashkë me Elenën viktimat e para të regjimit komunist, goditjet e të cilit ranë mbi familjet e atyre që konsideroheshin kundërshtarët më të rrezikshëm të pushtetit t’ashtuquajtur popullor, si edhe kategoria e dytë që përbëhet edhe kjo nga familje të akuzuarish si armiq të pushtetit, me një ndryshim të vogël : dora, dorës erdhën duke u shtuar me viktimat e përndjekura me të cilat diktatura po popullonte kampet, edhe pinjojt e atyre që dikur ishin persekutorët e së ndjerës Elenë me shokë e mbi të cilët pastaj erdhi dhe ra spata e diktaturës që ata vetë dikur e kishin mprehur ! E pikërisht këtu qëndron edhe madhështíja e Elenës së ndjerë të cilën të dy kategoritë e të persekutuarve e kujtojnë me respekt edhe dashuri : Ajo të gjithë i deshi njëlloj e të gjithëve u dha shëmbullin se si të qëndronin e të mos përkuleshin ! Ajo i deshi si ata që së bashku me të e filluan kalvarin në Tepelenë e gjithashtu më vonë edhe të tjerët që, kur ajo rropatesh pyjeve të Tepelenës e ngarkuar si mushkë, i shijonin të mirat e pushtetit në Tiranë. I kish vërtet për zemër të parët, por dijti t’i mëshirojë edhe të dytët, e kur ia vinin veshin, asnjerën palë nuk e la të rrëzohej e po ashtu që të dyjave bashkë ua vinte krahun të ngriheshin e të mos hiqeshin zvarrë, po të bënte vakí të rrëzoheshin !
               Secili që e njohu Elenën e ndjerë e kujton për shum’e shumë gjëra, por veçanërisht për tri më të shquarat e saj : papërkulshmërin’e saj të pashëmbulltë, humanizmin e saj të skajshëm si edhe shpirtin e saj kristian.
               Vijmë tashti tek ata që as e kanë njohur e as ia kanë dëgjuar emrin Elena Merlikës më parë, e ndeshen me të vetëm sot, nga titulli i këtyre radhëve. E ndjera rridhte nga një familje e nderuar arbëreshe, nga Gjikajt e Shtikës së Kolonjës. I ati qe publicisti i mirënjohur Sotir Gjika, drejtor i gazetës Kuvëndi që botohej në Romë dhe mik i Luigj Gurakuqit, Mustafa Merlikës, Stavro Vinjaut, Gjovalin Kamsit, etj.
               Elena u diplomua në Universitetin e Napolit me rezultatin 30 me lavdërime, ku tezën e diplomës së saj e botoi Akademia Italiane e Shkencave, ndér ky që rrallë herë i takonte një të diplomuari. Aq është e vërtetë sa që albanologu me famë botërore, Prof. Gaetano Petrotta, ngulte këmbë t’a mbante asistente në katedër. Mirëpo dashuria ndaj atdheut të të parëve të saj, e mëkuar tek ajo nga prindët, leximi dhe mësimi përmëndësh nga ana e saj e vargjeve të ngjizura me një frymë patriotike si edhe artistike të rrallë nga De Rada, Serembeja e Skiroi me shokë, si edhe ndikimi i gjithë rrethit të miqve arbëreshë, kishin krijuar kushtet që Elena Gjikën e re, atë … rrush pakëz kalangúr e që dheut tënë i kishte hije … vetëm një dorë shqiptari mund t’a këpuste e t’a bënte të tijin ! E kështu edhe ngjau. Petrit Merlika, i biri i Mustafa Merlikës, një inxhenier i porsadiplomuar në universitetin me famë të Grenoblit, ish ai shqiptar që e mori për grua Elenën e re dhe lidhën fatet e tyre për jetë. Me këtë rast do të ve në dukje se Prof. Gaetano Petrotta, jo vetëm që nuk u mërzit që nxënësja e tij e shquar Elena Gjika po e braktiste katedrën akademike për tu martuar me një pinjoll shqiptari, por u shpreh atëbotë :
               Përkohësisht po humbasim një studjuese potenciale, por jam i bindur se duke qëndruar pranë të vjehrit, duke përfituar prej tij e duke e çuar edhe më përpara punën e tij në lëmë të shqipes, Elena do t’i vlejë akoma më shumë se sa Mustafa Merlika gjuhës shqipe, gjuhës s’onë amtare ! 
               Kësisoji mendohej, siç mendonte dhe uronte edhe profesori për Elenën e ndjerë, dhe nuk kish përse ajo e shkreta të mos e gëzonte jetën familjare si të gjitha vajzat e kësaj bote e pastaj të bëhej edhe e shquar në shkencën gjuhësore. Pse jo ? Lidhur me këto, një fakt kuptimplotë që s’është tjetër veçse dëshmí e vlerave të saj. Kur ia arrestuan të shoqin, i drejtohet Elena Prof.Aleksandër Xhuvanit duke i kërkuar t’a punësonte pranë Bibliotekës Kombëtare dhe ai iu përgjigj :  Në gjithë Ballkanin nuk do të gjeja njeri më të përshtatshëm, por … , por rrudhja e krahëve të gjuhëtarit të shquar tregonte se sa e vlerësonte diktatura pasurinë intelektuale që dispononte. Mirëpo Ai që njerëzve u cakton detyra në jetë e i ve edhe para provash të vështira, ndryshe mendonte për Elenën e re. I kish dhënë asaj shumë virtyte në fushën e shkencës, vërtet. Por duke mos ia dhënë mundësinë t’i shfrytëzonte ajo ato virtyte, Zoti e vuri në provën e madhe të dëshprimit dhe Elena e kaloi atë provë pa u thyer e pa u dorëzuar kurrë, sikur të kish qenë një malësore e pashkolluar që, ngarkesën e druve mbi kurriz tek zbriste shtigjeve pyjore të Tepelenës nën sqotën e shiut, t’a kishte pjesë të edukatës së saj që në fëmijëri. Në ato rrethana ajo kurrë nuk kujtonte auditoret universitare për të cilat ish e prerë, por mendonte si e si t’i mbarte ngarkesat e druve pa u përkulur e me shtatin drejtë që të mos ishin gardianët që t’a thyenin atë e bashkë me të edhe vullnetin e saj, por t’ish ajo që t’i mposhte ata ! Dhe kështu ngjau. Nuk e thyen dot kurrë. Në një rast, rrasa e gurit të cilën e kishte mbartur në kurriz për katër orë, u peshua dhe rezultoi se peshonte 64 kg ! Patër Gardini, prifti italian i cili vuajti kampeve të internimit, mbasi u riatdhesua, Elena Merlikën nuk rreshte së përmënduri si heroinë e atyre kampeve që për nga egërsija dhe vuajtjet s’kishin shëmbull të dytë.
               Dy fjalë tashti drejtuar familjarëve të saj, të cilët sikur i kam parasysh dhe më thonë … të gjitha që shkrove i lexuam dhe nuk kemi asnjë kundërshtim. Po në qoftë se hipotetikisht do të mund të ktheheshim 60 vite prapa, a do t’ia vlente që Elena jonë e ndjerë ta jetonte edhe një herë jetën që jetoi ? E unë u përgjigjem : po ! Pa as më të voglën mëdyshje, po ! Zoti të gjithë në jetë i ve në provë. Elenën e shkretë e vuri para një prove skajshmërisht të vështirë dhe tejet të gjatë. Dhe ajo i qëndroi në mënyrë shëmbullore ! Ajo nderoi Gjikët prej të cilëve rrodhi e nderoi edhe Merlikët, me të cilët u lidh deri në vdekje ! Ajo kish precedentin e Elena Gjikës së vjetër, pararendëse e saj tejet e nderuar dhe e respektuar, por historia, kurdoherë që të shkruhet ajo e pa indoktrinuara, e vërteta, nuk ka se si të mos e kujtojë Elena Gjikën e parë si paraardhëse e Elena Gjika Merlikës, heroinës së kampeve të çfarosjes komuniste ! E bashkë me familjarët e saj,  Elenën e qajnë veç Merlikasve edhe të gjithë ata që vuajtën me të e në të shihnin simbolin e qëndresës, dashurisë njerzore edhe mëshirës kristiane ! E të gjithë bashkë lutemi për të. Ndonëse në këtë hullí, asgjë nuk më tingëllon më e goditur se maksima e lënë nga i madhi Baba Rexheb :
Për shpirtat e njerëzve të mirë unë lutem shumë pak. Nuk ka nevojë të lutemi shumë për ta se Zoti i Madh i ka vetë në mëndje dhe u jep amshimin !
               Ky pohim si edhe krenaria e ligjëshme që duhet të ndjejnë familjarët e Elenës së ndjerë, do t’i shoqërojë brez pas brezi pasardhësit e Saj !  



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora