E hene, 29.04.2024, 07:32 PM (GMT+1)

Editorial

Shkëlqimi në artizan, në sport dhe në art i "të parëve" të Fierit (Papuçinjtë)

E diele, 27.01.2008, 11:30 PM


Te ardhur ne Fier qysh ne vitin 1770, sipas dëshmive te marra ne muzeun historik te rrethit Fier, Papuçinjtë u përkasin personave te pare që kanë "populluar" Fierin. Papuçinjtë kane ardhur ne Fier pas prishjes se Voskopojës. Sipas historianit fierak Hysen Emiri, mësohet se Papuçinjte erdhën ne Fier rreth vitit 1770, por eksodi i tyre ka vazhduar edhe me tej, vit pas viti. Aty ku eshte ndërtuar shkolla 9-vjeçare “Andon Xoxa” dikur sipas pleqve te vjetër quhej “ara e Papuçinjve”, sepse aty ka qenë fushe e tere dhe vëllezërit punonin te gjithë ne arë.

"Pushtimi" i Fierit nga Papuçinjte

Tuni Papuciu me bashkeshorten
Olimbi Papuçiu, një nga nuset me te vjetra te Papuçinjve, aktualisht banuese ne lagjen “29 Nëntori” te Fierit, pohon se tashme ne Voskopojë nuk ekziston asnjë prej trungut dhe familjes se Papuçinjve, çka do te thotë se shpërngulja e tyre drejt Fierit ka qene masive, ndryshe nga shpërngulje te tjera te ngjashme, gjurmët e te cilave i gjen ende ne vendin e te pareve... Papuçinjtë kane qene blegtorë dhe ata se bashku me tufat e mëdha te bagëtive te kësaj familjeje, te joshur nga klima e bute dhe e favorshme e Myzeqesë, "zbarkuan" drejt fushave te saj te bollshme edhe per kullotat. Me mbërritjen e tyre ne Fier, Papuçinjtë ngritën 24 shtëpitë e tyre te para prej druri dhe kallami, te lyer me balte dhe banoret e tyre te rinj filluan te mos largohen me. Sipas dëshmive te me te vjetërve te Papuçinjve, mësohet se kur ata mbërritën per here te pare ne Fier, atëherë fshat, ata përbënin 8 familje te mëdha patriarkale, çka dëshmonte per ekzistencën e një fisi te madh. Sot numërohen rreth 40 familje Papuçinjsh. Papuçinjtë jane nder te paret te vendosur ne Fier, e me pas sipas dëshmive te pleqve te kohës Loni Xoxa dhe Grigor Dhima, kane ardhur familje te tjera si Demajt, Xoxajt, Plakajt, Pogaçajt, Tiçojt, Dhimajt, Verriajt etj. Dalëngadalë Fieri po rritej dhe pas ndërtimit te urës se Gjanicës dhe kishës se Shën Gjergjit, më 1864-n, Fieri u shndërrua ne qytet, themeluar nga Kahreman pashë Vrioni.

Shtimi i familjeve te Papuçinjve

Papuçinjtë u vendosen ne lagjen “Pasha”, lagje e cila mori emrin pas themelimit te Fierit si qytet. Ajo lagje shtrihej deri ne Qenas. Kjo lagje sot quhet “29 Nëntori”, por një pjese e saj eshte edhe “15 Tetori”. Edhe sot e kësaj dite, Papuçinjtë ndodhen ne lagjen “29 Nëntori” ose lagjen “Pasha” te dikurshme. Burrat e vjetër te fisit Papuçiu, ne vendin e tyre, ne Voskopojë, merreshin me zejtari dhe kryesisht këpucari. Prej këtij zanati u ka mbetur mbiemri Papuçiu nga fjala “papuçe”. Kur u vendosen ne Fier, burrat bënin punën edhe te marangozit, dhe te kasapit. Tre burrat e vjetër, tre vëllezërit Papuçiu: Liu, Petraqi dhe Ligori, tashmë jane shtuar dhe shumuar. Po kështu edhe motrat e tyre. Djemtë dhe vajzat e tyre tashme jane bere prindër, duke e shtuar fisin e madh te Papuçinjve. Veç tre vëllezërve, jane edhe kushërinj te pare te kësaj familjeje te madhe, te cilët edhe ata nga ana e vet jane shtuar e shumuar. Liu Papuçiu kishte 5 djem dhe 2 vajza. Dy djemtë dëshmorë, Leonidha dhe Miço, u vranë gjate luftës; Andoni jetoi derisa vdiq. Një djalë tjetër, Nasi, iu sëmur dhe vdiq. Vajza, Marija, jetoi derisa vdiq, dhe Niqi doli partizane se bashku me vëllezërit.

Trungu i Liu Papuçiut

Një emër pagëzon stadiumin, dy dëshmorë per çlirimin e Atdheut. Plaku i vjetër, Liu Papuçiu, babai i dy dëshmorëve te Luftës Nacionalçlirimtare, Miço dhe Leonidha Papuçiu, ka qene një nder kasapët me te vjetër te qytetit te Fierit. Megjithëse familje e thjeshte, djemtë e tij përqafuan dhe u bene pjese e formacioneve ushtarake antifashiste, dy prej te cilëve vdiqën ne lufte.

Papuçinjtë e paharruar

Alfred Papuçiu - Mediator kulturor, Anëtar bashkëpunëtor i Federatës Ndërkombëtare të Talasemisë (TIF)
Lufta Nacionalçlirimtare rrëmbeu per çlirimin e atdheut edhe zemrat e rinise ne Fier. Nder këta dëshmorë te rene gjate luftës, përmenden edhe dy djemtë e Liu Papuçiut, Miço dhe Leonidha (Loni) Papuçiu, i cili ka qene edhe sportist. Emrin e tij e mban tashme stadiumi i futbollit ne Fier. Traditën e sportit tashme e kane përcjellë dy nipërit e dëshmorit: Miço Papuciu (ish-futbollist i ekipit “Apolonia” ne Fier) dhe Leonidha Papuçiu, ish-shefi i seksionit te arsimit. Emrat e dëshmorëve tashme jane gdhendur përjetësisht ne emrat e nipërve te tyre. Ndërkohë, ne qytetin e Fierit ekziston ne një nga rrugicat e qeta te lagjes “29 Nëntori” ende shtëpia e Liu Papuçiut dhe djemve te tij dëshmorë. Ajo mban ne murin e jashtëm edhe pllakatin e mermerte qe e tregon këtë shtëpi, baze te Luftës Nacionalçlirimtare. Shtëpitë e Papuçinjve duken që jashtë me oborret plot trëndafila dhe blerim, një tradite e vjetër prej amvise. Ato jane njëkatëshe, por te larta, me binca dhe shume te bukura.

Gjate luftës

Edhe djali i trete i Liu Papuçiut, Andon Papuçiu, vëllai i dy dëshmorëve, ka qene ne kohen e Luftës Nacionalçlirimtare se bashku me vëllain, Leonidhën ne burgun e Prishtinës. Para pushtimit, ai ishte “shtylla vertebrale” e ekipit te futbollit “Apolonia” se bashku me vëllain e tij. Por me pushtimin fashist ai u be nder anëtarët më aktive te organizatës se Rinise Komuniste te Fierit. Veprimtari e tij ra ne sy te armiqve dhe më 19 prill 1944, ai dhe vëllai i tij Leonidha u kapen rob nga gjermanet dhe u internuan ne kampin e Prishtinës. Përditë ne këtë kamp bëheshin pushkatime. Me zgjuarsinë dhe shkathtësinë e tyre, dy vëllezërit, dhe me disa shoke te tjerë munden te arratisen nga kampi i përqendrimit. Gjate largimit nga kampi, ne zjarrin armik, u vranë disa shoke, nder ta edhe vëllai i Andonit, Leonidha. Andoni gjysme i gjalle dhe gjysme i vdekur arriti forcat e Brigadës se XVIII sulmuese, komisar i se cilës ishte bashkeqytetari i tij Miço Kallamata. Aty merr vesh se ishte vrare dhe vëllai tjetër, Miçoja, duke u bere kështu me dy vëllezër dëshmorë nga e njëjta familje.

Pas çlirimit

Çlirimi i Shqipërisë e gjen Andonin oficer te Ushtrisë Popullore. Më 1946-n e kërkojnë dhe ai behet pjese e ekipit përfaqësues te ushtrisë ne takimin ndërkombëtar me “Spartakun” e Moskës, por ai nuk pranoi, duke i hapur kështu udhe te rinjve qe ishin e ardhmja e futbollit. Djemtë e Andonit jane Leonidha Papuçiu, ish-shefi i seksionit te arsimit, tashme profesor ne Fier, dhe Miço Papuçiu, ish-futbollist i "Apolonisë", tashmë mësues i edukimit fizik ne shkollën 9-vjeçare “Andon Xoxa“ ne Fier. Andon Papuçiu jetoi një jete plot dinjitet dhe krenari, duke u bere shembull per breza te tere futbollistesh. Ai vdiq ne vitin 1999, ne qytetin e tij te lindjes ne Fier, ne moshën 86-vjeçare.

Trungu i Petro Papuçiut

Plaku tjetër i Papuçinjve, Petro Papuçiu, ka qene këpucar por edhe kasap. Ai ka pasur 5 vajza dhe një djalë, Tunin. Tuni ka lindur më 23 mars 1922 ne Fier. Jeta e tij pak e veçante nga djemtë e fisit Papuçiu. Ai nuk u mor as me drurin, as me këpucët, as me sportin, por me profesionin e bukur te gazetarit. Vite te tera ka punuar si gazetar ne gazetën “Zëri i Popullit” e me pas derisa vdiq, ne revistën per fëmijë “Fatosi”. Ai ka pasur temperament te gjalle. Ndërkohë mori pjese edhe ne Luftën Nacionalçlirimtare, por pas çlirimit i shërbeu atdheut ne publicistikë. Alfred Uçi e ka cilësuar Tunin si “njeri te pazëvendësueshëm” e Fadil Paçrami, drejtues atëherë i gazetës, shprehej: “Tuni Papuçiu eshte më komunist se ne komunistet me tesere ne xhep”. Te revista “Fatosi” ai shpalosi serish talentin e vet. Piktori i merituar Agim Faja e ka cilësuar Tunin si njeri me zemër te madhe dhe shpirt fisnik. Tuni Papuçiu ishte edhe shpirti i festivaleve kombëtare te këngës per fëmijë ne Shkodër, ku laureohej çdo vit me çmime nderi. Ai i përket elitës se publicistëve. Tuni Papuçiu vdiq ne Shkodër më 3 qershor, ne vitin 1975.

Trungu i Ligor Papuçiut...

... Dhe trashëgimtarët e tjerë te Papuçinjve. Vëllai me i vogël i 3 vëllezërve, Ligori, kishte djalë Vangjelin, i cili ka lindur Petraqin dhe Mozen, tashmë emigrant ne Greqi. Por këta ishin vetëm një “pjesëz” e vogël e Papuçinjve. Pjesa tjetër u përket kushërinjve. Këta jane kushërinjtë e tyre te pare, edhe këta njerëz me reputacion dhe te respektuar ne Fier. Sili Papuçiu, kushërinj me 3 pleqtë: Liun, Petraqin dhe Ligorin, ka pasur djalë Hali Papuçiun, fotografin me te njohur te qytetit te Fierit. Ka pasur 2 vajza mësuese: Kijen dhe Donikën. Vëllai i Silit ka pasur 4 djem: Sifi Papuçiun, berberin e pare; Luçin, Pipin dhe Jorgjin. Edhe këta fëmijët, nipërit dhe mbesat e tyre, te cilët jetojnë ne lagjen “29 Nëntori”. Një prej pinjollëve te këtij trungu eshte edhe i respektuari Kostandin Papuçiu, shef i burimeve njerëzore ne Drejtorinë e Arsimit, në Fier.

Artikulli eshte marre nga Gazeta Metropol, ndersa fotot jane mundesuar nga z. Alfred Papuçiu, te cilin e falenderojme. Z.Sh.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora