E enjte, 01.05.2025, 01:53 AM (GMT+1)

Editorial

Mërgim Korça: Po i pret Sarisalltiku plak të vijn’e të prehen në këmbët e tij

E marte, 05.02.2008, 06:51 PM


Po i pret Sarisalltiku plak të vijn’e të prehen në këmbët e tij Elena edhe Petrit Merlika

Shkruar nga : Mërgim Korça

Amaneti që la Petrit Merlika para se të vdiste: ... kur të vinte koha, t’a varrosnin në Krujën e tij të dashur. E ky amanet domosdo do t’i plotësohet, kur kushtet do t’a lejojnë, që së bashku me shoqen besnike të jetës tokësore gjithë vuajtje, Elenën, t’i transportojnë për në banesën e fundit n’Atdhé !
               E mbaroi udhëtimin përgjatë trajektores tokësore Petriti në dhjetorin e vitit 2003, i filluar ai në shkurtin e 1915-ës, e tashti shpirti i tij ndjek atë flurudhë e cila për sytë njerëzorë ësht’e padukëshme por bën pjesë në harmonín’e përgjithëshme që drejtohet nga Regjisori i Gjithësisë, Zoti vetë ! Pak vite jete normale gëzoi ai dhe shumë, të panumërta qenë vitet e vuajtjeve e të dhunës imponuar që hoqi mbi kurriz i mjeri. Vetëm tridhjetë vitet e para të jetës tij qenë vite të njeriut të lirë, ashtu siç i takojnë çdo krijese njerëzore që nga lindja. Edhe njëmbëdhjetë vitet e fundit të jetës vërtet i jetoi i lirë, në dhé të huaj, por në pamundësí t’i shijonte.
               Kurse ajo pjesë jete e cila ishte vërtet për t’u shijuar, ato dyzet’e shtatë vite përgjatë të cilëve njeriu është produktiv dhe mundet t’i shijojë, e detyruan t’i kalonte i dhunuar, i nëpërkëmbur dhe i pafuqishëm të reagonte ndaj vuajtjeve që veç tij po kalonte e gjithë familja e tij ! Shkelje të të drejtave të njeriut, madjé shkelje të skajëshme e quajnë sot një të njëmijtën e dhunës që i imponuan Petritit dhe familjes së tij, pikërisht autorët e asaj dhune, po t’u bëhet atyre sot ! Dhe kanë të drejtë, plotësisht të drejtë nga ana njerëzore. E këtë pohim e bëj më se sinqerisht ! Vetëm se e quajnë shkelje po t’a kenë ata thikën nga ana e tehut në dorë, kurse sa kohë që ata e kishin dorezën nga dora, ishte zbatim i drejtë lufte klasash ! Kjo është sa paradoksale edhe e ulët !
               Po sjell tashti një kujtim të vogël, tejet të parëndësishëm, krahasuar me dhunën pasuese që hoqi mbi kurriz Petrit Merlika me gjithë familje në vazhdim. Sapo u vendosën në Tiranë forcat partizane, ndër veprimet e para të tyre qe edhe njoftimi familjes së Petrit Merlikës t’a lironin menjëherë shtëpinë pronë të tyre. Dhe fati e desh që ndërsa familja Merlika largohej nga shtëpia e tyre, familja e gjeneral major Spiro Mojsiut erdhi të banonte në të. Ma ka pasë treguar e ndjera Elena me gojën e saj, se një djal’i familjes Mojsiu rreth gjashtëmbëdhjetë vjeçar, i veshur me uniformë partizane, e ndiqte dhomë më dhomë se mos merrte ajo gjë nga shtëpia. Ai djalë, sot President i Republikës, nuk e besoj se i ka harruar ato çaste. Nga ana tjetër shpresoj se mbase kujtimi i padrejtësisë atëherëshme ka lënë gjurmë tek ndërgjegja e tij që sot ai, me postin që ka, të mos lejojë të vazhdojn’e të nëpërkëmben të drejtat e pronës !
Duke marrë shkas tashti nga jeta e Petrit Merlikës e duke e ndjekur atë përgjatë hullísë detyruar në të cilën e drejtuan dhunshëm zbatuesit e paprincip të luftës së klasave, unë shtroj pyetjen logjike : kush qe humbësi dhe e cilës përmasë qe humbja ? Mos ishin vallë humbësit Petrit Merlika me shokë apo humbëse qe Shqipëria ? Vërtet viktimat ishin humbësit e jetës tyre, por shikuar në këtë aspekt thjeshtë personal, autorët e luftës së klasave si edhe zbatuesit e tyre të paprincip, si të tillë deklarojnë sot se ... ndonjë gabim edhe është vërtetuar në egzagjerim të luftës klasave ... Po ky problem do analizuar në gjithë shtrirjen e tij e jo duke e reduktuar në raste personale. Po me që i ndjeri Petrit Merlika qe njeri i specializuar në fushë shkencash egzakte, e trajtojmë problemin duke e kundruar në mënyrë fare sipërfaqësore, vetëm këtë kategori specialistësh.
               Abdyl Sharra si edhe kolegët e tij Kujtim Beqiri, Vasil Mano, inxhenjer Zyma, Sulo Klosi, Riza Alizoti apo Selaudin Toto, të gjithë të diplomuar me rezultate maksimale n’universitete me emër europiane, kush inxhenjer ndërtimi, tjetri gjeolog e kush specialist nafte, u pushkatuan ose u varën si sabotatorë. Selaudin Totua qe nxënës i zgjedhur i të famëshmit Enrico Fermi që desh t’a mbante asistent të tijin e Selaudini nuk pranoi se desh t’i shërbente atdheut ! Kujtim Beqirit më 1976-ën i u ekspozua fotografia në Universitetin e Vjenës si yll i atij universiteti, (ku një herë në 50 vite që nga krijimi i universitetit ekspozohej një fotografi studenti të tillë). Të gjithë këta specialistë u kundërviheshin teknikëve jugosllavë me guximin si edhe përgjegjësinë teknike të specialistëve atdhedashës, pa e ditur se ato vlera të tyre do të përbënin corpus delictin e tyre ! Profesor Zuberin e famshëm, zbuluesin e pellgjeve naftëmbajtëse nëntokësore të Bakusë, Iranit, Irakut, Arabisë Saudite, etj. e solli në Shqipëri inxhenjer Andrea Xega, gjeollogu i shkëlqyer që kishte qenë student’i zgjedhur i profesor Zuberit. E Zuberi zbuloi vëndburimet e Kuçovës edhe Patosit. Si përfundoi ky personalitet botëror ? E vdiqën me shqelma në qelí në syt’e Petro Markos, shkrimtarit të dëgjuar dhe mikut të Petrit Merlikës, që ishte i varur nga sqetullat në hekurat e dritares qelisë. Të gjitha këto Petro Markua i ka pohuar botërisht në faqet 479 – 480 të librit të tij “Intervistë me vetveten” (Retë dhe Gurët), botim i shtëpisë botuese Omsca – viti 2000. Ai gjithashtu kujton një bisedë të tijën në qelí me prof. Zuberin i cili i kishte thënë një ditë : “A e di se këtu ja Enveri ja Koçi janë agjentë të huaj, besoj të Jugosllavisë. Se nuk lanë intelektual të gjallë, me qëllim që ata të sjellin të tyret.”
               Edhe Andrea Xegën e kalbën në burg ! Prandaj Petrit Merlika, i diplomuari në elektro-hidro-energjetikë në universitetin e Grenoblit dhe i specializuar në universitetin e Friburgut në Zvicër, ëndrrën e tij t’a shfrytëzonte energjin’e lumenjëve që kryq e tërthor e përshkojnë vëndin tonë, kurrë nuk mundi t’a realizojë dhe ngeli vetëm dëshirë e tijë. Kjo sepse ata q’e minuan vëndin tonë nga themelet nuk e deshën një gjë të tillë dhe Petritin, mbasi e kalbën për pesëmbëdhjetë vite në burg, e katandisën t’internuar edhe për tridhjetë vite të tjerë duke qen’i detyruar t’u paraqitej rojeve dy herë në ditë ! E cili ishte faji zyrtar i Petritit ? Se në vitin 1945 kishte biseduar me dy a tre vetë që do të qe mirë të formohej një parti opozitare që zgjedhësit të kishin më shumë se një mundësi votimi. Ky qe faji fatal i tij. Dakord. E pranojmë për një çast se ky mendim paska përbërë faj. E pranojmë edhe faktin se ky person u paska dashur të dënohet e të vuajë aq sa vuajtjet e Mandelës duken qesharake para vuajtjeve të Petrit Merlikës. Po të gjykojmë drejtë e me objektivitet : mirë Petrit Merlika që së paku mbeti gjallë, po gjith’ata specialistë që edhe u pushkatuan ose u varën vetëm me vetëm se sllavi e desh një asgjësim të tillë, në kët mes kush qe humbësi m’i madh, ata të mjerët vetë, apo Shqipëria ? Për të rritur një brez të tillë specialistësh duhen rreth 30 deri 40 vite punë. U zhdukën ata si pasojë e nënshtrimit total të drejtuesve shqiptarë ndaj trysnísë ideologjike sllave.
               Gazeta Bashkimi e datës 25 shtator 1947 pikon gjak. Lexojmë në të kalimin ku njoftohet se “ ... prokurori i popullit Josif Pashko bëri pretencën e tij kundra tradhëtarëve dhe kërkoi dënimin në litar për Shefqet Bejën, Riza Alizotin dhe Sulo Klosin ...”, dhe mëndja në mënyrë të pashmangëshme na shkon tek zoti Gramoz Pashko i cili, kur ia lëvizën eshtrat e t’et nga varret e dëshmorëve për në varrezat civile, këtë lëvizje e quajti publikisht gjest makabër ! Dakord, e pranojmë këtë pohim për një çast, po veprimin e t’et që dënonte intelektualë e specialistë nga më të shquarit e vëndit me dënime kapitale vetëm me vetëm t’u shkonte në vënd jugosllavëve qëllimi i tyre antishqiptar, atë veprim si e quan sot zoti Pashko ? Mos e quan gabime që edhe u vërtetuan asokohe ? Po ç’emër do t’i vemë këngës që këndonte rapsodi popullor :
Enver – Koçi ka parë ëndërr / Shqipërinë nuse e Titon dhëndër,
Në shtëpi të bukur e të gjanë / Beograd e deri në Tiranë ...
               Kaq, tamam fluturimthi, rreth së kaluarës. Vijmë tashti tek e sotmja. Edhe në dhjetorin e vitit 2003 kemi një Petrit Merlikë i cili ndonëse i dhunuar dhe i nëpërkëmbur tërë jetën nga diktatura, i mëkuar siç qe nga mësimet e t’et, patriotit dhe gjuhëtarit të shquar Mustafa Merlika Kruja, kërkon të varroset në qytetin e tij të Krujës. Petritit jetën, me padrejtësí të skajëshme ia bënë skëterrë në vëndin e tij, por ai prapseprap n’atë dhé e kërkon prehjen : nuk ia ka fajin dhéu po ia kanë njerëzit. Dhe paradoksi m’i madh është fakti që edhe sot pinjojt e Ramiz Alisë, njerit prej arkitektëve të vrasjeve masive të të rinjëve kosovarë, pjesëmarrës aktiv në vendimet famëkeqe kriminale të zhdukjes intelektualëve si Petrit Merlika me shokë, ai që deri në ekstrem e shtyu dorën e ndihmës ndaj kombit tonë që i u shtri nga Shtrausi, ai që edhe në çastin e fundit urdhëroi të shtihej me zjarr kundra popullit, në këtë mijëvjeçar të ri vazhdojnë dhe e lenë popullin pa energji elektrike, pa ujë, pa punë e pastaj gjoja çuditen përse njerëzit e kërkojnë shpëtimin përtej Adriatikut madjé duke rrezikuar jetët e tyre !
               Prandaj shtrohet me të drejtë pyetja logjike : me paralizimin e të gjithë brezave të intelektualëve dhe specialistëve si Petrit Merlika me shokë, ca duke i varur në litar, ca duke i pushkatuar e të tjerët duke i detyruar tërë jetën të qëndrojnë në karroca invalidësh, humbjen më të madhe e pësuan ata apo atdheu i tyre Shqipëria ? Vetëm se mendoi që pluralizmi politik do të qe e mira e shtytjes përpara të vëndit, Petrit Merlika u dënua i vdekur mes të gjallëve dhe e tërë energjia potenciale e brezit të tij u hodh në greminë !
               Kurse tashti pluralizëm, asocim dhe bashkëpunim me Amerikën pa le me perëndimin, janë fjalët e modës ! Sa ironí, sa tragjedí dhe sa gjak përmban ky kundrim !



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx