E hene, 29.04.2024, 07:59 PM (GMT+1)

Editorial

Jozef Martini: Histori përsëmbrapështi

E marte, 05.02.2008, 09:32 PM


Histori përsëmbrapështi

Shkruar nga:  Jozef Martini

Në gazetën “Korrieri” me datë 1 shkurt u botue nji shkrim i Fatos Lubonjës me titull: “Holokausti dhe persekutimi komunist”. Fillon kështu: “Sa here degjoj shqiptaret te mburren me faktin se, sipas tyre, ata jane i vetmi popull ne bote qe nuk i paskan dorezuar hebrenjte gjate Luftes se Dyte, me kap nje ndjenje e forte revolte. Them e forte, sepse ne te me perzihen tri revolta: revolta qe ndjen njeriu ndaj genjeshtres, revolta ndaj injorances e mendjengushtesise njerezore qe nuk arrin te konceptualizoje as minimalisht, por edhe revolta e ish-te persekutuarit, e njeriut pra, qe i ka pare shqiptaret ta trajtojne ate dhe bashkevuajtesit e tij ne menyren me te poshter qe mund te trajtohet njeriu.”
Asht normale me u revoltue nji person që prej shqiptarëve ka hjekë keq, por kjo revoltë duhet me u adresue mirë e jo me i xanë sytë.
Para se me e vue në dyshim shpëtimin e disa hebrejve prej shqiptarëve, me idenë se ma vonë shqiptarët do u sillshin si bisha ndaj njeni tjetrit, asht mirë me saktësue ndryshimin midis realitetit dhe idesë. Realisht a ka ndodhë që hebrej të strehoheshin në Shqipni kur ishin të ndjekun prej gjermanëve? Përgjigja asht po. Prej këtu duhet me u nisë analiza, prej faktit e jo me u hjedhë poshtë realiteti në shërbim të idesë dhe konstatimit të krimit të shqiptarëve mbi shqiptarë. Përndryshe, asht me e kapë problemin përsëmbrapështi. Fakti asht që hebrej, bile hebrej joshqiptarë, çka asht edhe ma me randësi, gjetën strehë në Shqipni. Dhe për ma tepër, nuk asht i vërtetë pohimi i Lubonjës se “shqiptaret e Shqiperise nuk i kane dorezuar, sepse kjo nuk iu eshte kerkuar autoriteteve lokale, pasi nuk ishte vendosur me ligj, ashtu sikurse ishte vendosur ne vende te tjera te Evropes”. Tue iu shmangë rrezikut tonë për me krijue mite, po i referohemi çka shkruen nji italian që ato ngjarje i ka jetue, Francesco Jacomoni, Mëkambës i Mbretit në faqet 288-289 të librit të tij “La politica dell’Italia in Albania”: “Një demonstrim nga ana e Mustafa Krujës i asaj që ishte -burrnia- e tij, d.m.th. aftësía për t’i përballuar situatat me guxim si edhe zemërgjerësí, e pata pak kohë mbasi ai kishte marrë përsipër Kryesinë e Këshillit Ministror. Ishte paraqitur tek ai konsulli i përgjithshëm i Gjermanisë dhe i kishte paraqitur një notë verbale me të cilën qeveria naziste kërkonte dorëzimin e mbi treqind hebrejve që, refugjatë nga Jugosllavia, kishin gjetur strehim në Shqipëri. Komanda ushtarake gjermane e Beogradit kishte dhënë njoftime të sakta lidhur me emrat si edhe vëndet se ku ishin strehuar ata në Kosovën Shqiptare. Mustafa Kruja erdhi të më merrte lejen t’i linim të patrazuar në Shqipëri. Në Shqipëri në fakt nuk kishte asnjë këmbë ushtari gjerman që të mund t’i identifikonin. Megjithatë, ramë n’ujdí që refugjatët hebrenj të transferoheshin menjëherë në zonën e Gjirokastrës e cila kufizohej me zonën greke, të okupuar nga trupat italiane. Ata do të paiseshin me pasaporta shqiptare me emër fallso dhe, po të paraqitej nevoja, do të ndihmoheshin edhe materialisht. Këto masa do t’i lejonin Mustafa Krujës t’i përgjigjej mbas disa ditëve konsullit të përgjithshëm të Gjermanisë se si të gjitha hetimet e kryera në Kosovë lidhur me listat emrore kishin rezultuar negative.”*)
Pra, fakti asht që hebrej u shpëtuen tue u strehue në Shqipni. E jo pse gjermanët nuk ia kërkuen autoriteteve, mbasi, siç pohon Jacomoni, nota gjermane iu paraqit zyrtarisht Mustafa Krujës. E as nuk duhet me u zvoglue ngjarja prej faktit se në Shqipni nuk kishte ligj per dorzimin e hebrejve si në vendet tjera europiane, mbasi edhe mosvuemja e nji ligji të tillë prej shqiptarëve asht trashëgimi me u vlerësue, në nji kohë kur Italia i kishte aprovue këto ligje qysh në 1938 dhe e gjithë vepra për mbrojtjen e hebrejve bahet në kushtet e pushtimit italian. Nuk asht bindëse as ideja e Lubonjës se kjo i dedikohet qënies së shqiptarëve shumica muslimanë e jo të krishtenë mbasi po ai shkruen se në Prishtinë (ku perqindja e muslimanëve asht ma e naltë se brenda kufijve të shtetit shqiptar) “jane dorezuar te gjithe hebrenjte” e për ma tepër, historia na mëson se batalione SS mbi baza fetare ishin ato të ngritunat mbi bazën e perkatësisë së besimit musliman dhe jo të krishtenë.
Kujton Mërgim Korça: “E mbaj mënd mirë sikur të ishte dje. Vjen një ditë në shtëpinë tonë miku i families dhe kryeministri i Shqipërisë, Mustafa Merlika Kruja dhe porsa hyn i thotë t’im eti [Xhevat Korça-shen. yne], (i cili sapo ishte kthyer nga një inspektim i përgjithshëm i shkollave në Kosovë), a kishte patur kontakt me ndonjë mësues ose profesor hebré dhe ç’dinte t’i thosh më gjerë për hebrenjtë e Kosovës. Babai i tha se miku i tyre i përbashkët z.Iljaz Agushi, (atëkohë ministër i Punëve Botore), nëpërmjet vëllait të tij z.Isuf Agushit, e kishte paraqitur me një profesor hebré që kishte qenë dishepull i albanologut nga më të shquarit, profesor Norbert Joklit, dhe i cili kërkonte ndihmë që mundësisht t’a emëronin profesor të gjuhës shqipe në Gjimnazin e Prishtinës. Mbasi biseduan gjer’edhe gjatë lidhur me mikun e përbashkët, profesor Joklin, e mbaj mënd se profesori hebré filloi nga puna. Kaq dijti t’i thosh babai lidhur me kontakte me hebrenj në Kosovë. Atëhere Mustafa Merlika Kruja i tha babait se duhej të merrnin masa urgjente për t’u ardhur në ndihmë hebrenjëve në Kosovë. I telefonuan ministrit të Punëve të Brëndëshme z.Mark Gjonmarkaj si edhe sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë, z.Engjëll Çoba dhe e lanë të mblidheshin menjëherë në zyrën e Kryeministrit. Mbas disa ditësh mësova se Mark Gjonmarkaj kishte dërguar në krye të një ekipi të tërë prefektësh, nënprefektësh si edhe nëpunësish të besuar të Ministrisë së Brëndëshme, duke mobilizuar edhe të gjithë autobusat e shoqërisë S.A.T.A., zotin Engjëll Çoba në Prishtinë si i plotfuqishëm të pajiste me dokumenta shqiptare si edhe me emra shqiptarë sa më shumë hebrenj që t’ishte e mundur e t’i transferonte në Shqipëri.”**)
Pra shpëtimi i hebrejve asht fakt. Nga ana tjetër, asht i vërtetë edhe konstatimi i Lubonjës për sjelljen çnjerëzore të shqiptarëve ndaj shqiptarëve, por ky konstatim nuk duhet me u perdorë për me mohue nji realitet, por duhet me qenë burim i nji analize. Pse shqiptarë strehuen hebrej dhe po shqiptarë masakruen njeni tjetrin?
               
E para asht se shoqnia njerëzore përbahet prej individësh që veprojne. Ato që shpëtuen hebrejtë nuk janë ato që masakruen vllaznit e tyne. Disa kanë prirjen me qenë gjithmonë në krah të nevojtarëve e të te pafuqishmëve, çka i ban gadi gjithmonë me u kthye edhe ato vetë në viktima të së keqes. Asht e vërtetë që Shqipnia komuniste pati shumë masakrues, por pati edhe ma shumë të masakruem. Dy realitetet nuk përjashtojnë njeni tjetrin.
E dyta, që ka nevojë për nji analizë të gjatë, asht roli i individit në udhëheqje. Si veprojnë masat kur udhëhiqen me drejtësi e largpamësi e si sillen kur kriminelë apo hajdutë imponojnë urrejtjen në shoqni. Shqiptarë të udhëhequn prej bijve të denjë qenë në gjendje me krye vepra të mira.
Ishte kreu i shtetit Mustafa Kruja që ideoi dhe me bashkëpuntorët e tij organizoi shpëtimin e hebrejve. Ishin shqiptarë tjerë që, me të marrë me dhunë pushtetin mbollën farën e urrejtjes e terrorit. Individi në udhëheqje ka mundësi me nxitë popullin e tij me shprehë anët e mira shpirtnore. E asht fat për popullin kur ndjek barinj të tillë. Por, po individë tjerë munden me krijue situata terrorit tue i imponue shoqnisë llumin e saj.
Por revolta e Lubonjës mendojmë se ushqehet edhe prej hipokrizisë së shoqnisë shqiptare. Nji shoqni që s’don me denue të shkuemen e saj të tmerrëshme komuniste të ndertueme prej kriminelësh me emna e mbiemna, kujtimin e të cilëve disa shqiptarë s’duen me e lëndue, mbasi kështu mendojnë me shpëtue edhe fytyren e vet të kompromentueme në krim. Janë këto shqiptarë që shpëtuesit e hebrejve i quejn ende kolaboracionista e kuislingë, por nga ana tjetër mundohen me u mburrë me veprën e tyne, të cilës i lanë në harresë autorsinë. Çdo mburrje me shpëtimin e hebrejve asht veçse hipokrizi e pafytyrësi deri ditën kur autorët e asaj faqeje të ndritun të historisë shqiptare të mos vihen në piedestalin që i takon. Pa Mustafa Krujën me shokë realiteti do kishte qene tjetër.

*) Mërgim Korça, Dekorimi i pesë personaliteteve me Urdhërin e Skënderbeut dhe reagimet keqdashëse
**) Po aty



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora