E hene, 29.04.2024, 10:32 PM (GMT+1)

Editorial

Ekskluzive - Agim Gashi: I këndojmë Kosovës, I këndojmë Demokracisë!

E shtune, 09.02.2008, 11:01 PM


I këndojmë Kosovës,
I këndojmë Demokracisë!

Nga Gëzim Marku - Zemra Shqiptare Ekskluzive

Agim Gashi ne vitin 1990
Menjëherë pas daljes nga burgu, Agim Gashi iu përvesh punës për realizimin e asaj që kishte përgatitur në burgjet sllave. Ai nuk kishte sjellë gjëra të shkruara nga atje, por i mbushur me urrejtje ndaj sistemit totalitar, kokën e kishte të mbushur me vargje nga të cilat do të bënte shumë këngë për ta realizuar albumin e pare me këngë rapsodike.

Rapsodin Agim Gashi e kam dëgjuar para shumë vitesh. Isha shumë i ri dhe të jem i sinqertë, kënga folklorike nuk më tërhiqte aspak. Ishte kënga madhështore e Agim Gashit, konkretisht kënga për heroinën Shukrie Obertinca qe me njohu me folklorin, me atdhedashurinë që mban në të. Pas shumë vitesh, kam një nder të vecantë, Agim Gashi është një ndër miqtë e mi më të mirë. Agim Gashi nuk ka kënduar vetëm këngë, nuk ka shkruar vetëm vargje, ai ishte një aktivist i dalluar në mirësine e pajtimit të gjaqeve, përkrah të papërsëritëshmit Anton Çetta.
 
Ne zhvilluam një intervistë të shkurtër nëpërmjet telefonit me rapsodin e popullit, Agim Gashi, në lidhje me këtë album, si dhe me momentet e para në lirinë e paliri!
 
Zemra Shqiptare: Z. Agim, si e ndjenit veten pas daljes nga burgu?
 
Agim Gashi: Pas daljes nga burgu ka pasë turtura të njëpasnjëshme nga UDB-ja dhe klyshët e saj. Njerzit ngurronin të më flisnin e aq më pak të më afroheshin. Kishte edhe përjashtime nga ata që nuk ia kishin frikën pushtetit, por burra të tillë ishin të rrallë. Mua gjatë qëndrimit në burg më kishte mbetur një shprehi që smund e hjeka dot edhe sot. Pra, ajo ishte mbajtja e duarëve mbrapa sepse në burgjet e atëhershme ishe i detyruar  ti mbaje duart mbrapa në çdo kohë. Dilja mbrëmjeve të shetisja rrugëve të Lipjanit derisa edhe atë ma ndaluan. Dy sulme që i përjetova për një javë, ishin tejet brutale, rrahje me shufra hekuri dhe atë mbrapa shpine. Fatmirësisht unë i njof ata dhe që të dy ishin nga një fshat turistik i komunës së Lipjanit. Njëri nga ata kishte arritur që edhe sot të jetë në strukturat e larta të një partie, ndërsa për tjetrin nuk kam dëgjuar se ku gjendet. Ata ishin të lidhur me UDB-në e atëhershme, dhe e di që kishin urdhër nga ata të më rrahnin. 
 
Zemra Shqiptare: Por ju megjithate nuk e keni ndalë aktivitetin tuaj. Jeni pjesmarrës i shumë aksioneve në formimin e LDK-së si parti e re, si dhe ishit pjesmarrës i pajtimeve të gjaqeve. A mund të na thoni diçka më tepër për këtë periudhë kohore?
 
Agim Gashi: Po ju them me plot bindje se pushteti komunist-serb me torturat dhe bugosjet që na i bënin,  na ka kalite të punojmë për një ardhmëri më të mirë. Njëherit ne ishim të mbushur me plot moral të lartë, sepse urrejtja e madhe ndaj armikut sjell dashurinë e madhe ndaj atdheut. Kam punuar aq sa kam ditë e sa kam mundë. Kurrë mjaft për atdheun nuk është.
 
Zemra Shqiptare: Këtë album mua ma kanë sjellë të afërmit e mi nga Amerika. Ardhja në Shkodër e këtij albumi më ka bërë, jo vetëm mua, që ta dua folklorin dhe më shumë Kosovën. Flisni pak për këtë album, ju lutem.
 
Agim Gashi: Për atë kohë ky ishte një album shumë i kërkuar nga shqiptarët por edhe nga policia serbe. Të parët e kërkonin për ta dëgjuar e të dytët për ta ndëshkuar. Shumë njerëz që ziheshin me këtë album, torturoheshin dhe burgoseshin. Falë vëllezërve Kuzhnini nga Zagrebi ky album e pa dritën e vetë për çka edhe i falenderoj.  Një pjesë e madhe u konfiskua nga policia dhe u asgjësua. Një pjesë tjetër mbeti në kiosqet e Rilindjes dhe fati i tyre nuk dihet. Por gjithsesi ky album e ka arsyetuar veten për kohën dhe momentin.

Albumi i parë me këngë folklorike (Albumi ka 13 këngë)

Ballina e albumit të parë
KOSOVES TRIME
 
Moj Kosovë, Kosova  trime,
Pse vajton me shumë idhnime,
Pse s´qon´ kryet kah Epiri,
Prej kah njeriut I vjen hiri?
Ka t´ka shku trimina e parë
Me fatosa tu shqiptar?
Që nuk dishin çka ashtë tuta,
Si trembte kurrë pushka as huta!
 
Çka t´ka gjetë Kosova trime e shkretë?
Q? po t´shof me ftyrë aq t´zbehtë,
Pse mjerisht nji thunderr e vshtirë,
Rri tue t´shkelë pa kurrnji mshirë?
Pse t´ra ty mbi qafë mizori,
Shkja i egër ai gjaksori?
Që pa shpirtë e fare mshirë,
T´prishi zemër dhe dëshirë,
Tue t´shkelë e tue t´varru,
Tue t´vra e tue t´coptu,
Edhe djelt të gjithë ti korri,
Ma të mirët ti qoj te vorri.
 
U shkretnu kjo Kosovë trime,
Ka mbetë vetun dhe n´mjerime.
Zot, çka ke gjithë kjo poterë,
Që sejcilit me i shti nderë,
Dhimbjet, pjekjet e t´mjerimit,
Që i ke hjekë prej Osmonlisë,
Oh! Moj zemër e Shqipnisë,
Çka do ty që t´la turqia
Ta plotsoj dyfish Serbia.
 
Kjani, kjani pa pushu´
Mbi Kosovë t´ngratë edhe t´mjerë,
Që e ka mblu gjithë kjo poterë,
Që ka bjerrë shpresë e uzdajë,
Kjani t´mirat që mbarun,
Ra Kosova, ra krejt dekun;
Pa pik? gjak ra krejt e mekun,
Serët si t´egjër e barrbarë,
Nuk kursejnë asnji shqiptarë!
Po bajnë çmos e t´qitun fare,
Moj Kosovë, Kosovë shqiptare.
T´kaloj gzimi dhe lumnija,
T´mabroj krejt për ty burrnija,
Qysh se dridhesh si purteka;
Thu t´ka marrë mordja apo vdekja.
 
Qysh durohet shkau n´derë?!
Me na vra e me na there,
Ndër zakone me na dhnu,
Vajza e motra me na i çnjerzu!
Me na gri me mitraloza,
Me nab a krejt hi e bloza.
Athue sje ti Kosova e parë,
Ty që t dashti Shqipni mbarë,
Ti q rrxojshe shumë sulltana
Me djem tu të lehtë si zana.
 
Mblidhnu pra burra shqiptarë,
T´gjithë sa jeni o Kosovar´ ,
Leni t´keqe e leni mni,
Lidhni besë, lidhni miqësi,
Nderin, fiset me i nderu,
Ka ardhë koha me punu
N´daqim lirinë na me e gzu.
 
Athue shpresa hupi e ngeli,
Pse Kosovën shkau e shkeli?!
Athue i mend shkoi mbarë shpresa,
Sikur mjegulla e si vesa?
Mos kujtoni ju malsor,
Se i përhershmi do hjekë dorë ,
Se Kosova larg përmendet,
Kah bjen dielli e hana endet.
 
Jo, jo, jo kurrë nuk za besë,
Se Kosova kshtu do t´jesë,
Kam uzdajë n´zotin e qiellit,
Se nji ditë rrezet e diellit,
Kanë me sh´ndritë e me ngjallnu,
Ka me ngjallë çdo shpirt shqiptari,
Që ndër dej ka gjak shqiptari,
Ka me i gëzu dit´ e lirisë
Tuj u ba bashkë me t´bij t´Shqipnisë.
 
Pa shiqojmë njiherë t´kalumn´ ,
Dilte vrrik burri i Kosovës,
Si prej Peje dhe Gjakove,
Si prej Plave edhe Hoti,
Që i njef mire njaj syni i Zotit,
Si prej Kuçit e Gjilanit,
Ç´ja kanë dorën jataganit,
A prej bjeshkëve të Planin´s,
Prej Tetove e Guci,
Prej Kërçove e Kaçaniku,
Tu ja shti frikën anmikut.
 
Rrofsh pra kjofsh moj Kosovë trime,
Qofsh e lumtun plot me gëzime,
Qofsh e rrofsh tip or sa mallet,
Por sa detnat dhe sa zallet,
Se nga zemra jam´ tue t´dëshiru,
Lirinë tande Kosvë me gzu!
 
 
Fotografi e plakut Anton Çetta e cila publikohet për herë të parë nga www.zemrashqiptare.net. Autor i fotografisë është Agim Gashi.
GjAKMARRJA PO ZHDUKET
 
„Jo atyne qe janë trima
Me ngre gishtin e krimit,
Por atyne qe janë trima
Me shtri dorën e pajtimit”!
 
Mbi kto male legjendare
Dhe kto fusha heroike,
Po sin nuse bukuroshe
Shtrihet Kosova e jonë kreshnike.
 
Sa bujare Kosovë je
Aq bujare rininë e ke,
Se n´Lumbardh u dha jehona
E u shtri n´kto malet tona,
Gjëmoi Drini e Rugova
Se rinia ban´ apel,
Me u que populli dhe nji here:
Qohu shqiptarë si din me u qu,
Le të thahet gishti i krimit
Quhu shqiptar si din me u qu´
Me shtri dorën e Pajtimit.
 
Jehuen malet nga ky kushtrim
Me rini ashtë nji plak trim,
Që aksionit n´ball i prin´
Ky pra ashtë Anton Profesori,
Që këtë detyrë në dorë e mori!
Me nji qetë burra shqiptar
Me i qitë burrat n´log ball per ball´ ,
Me i falë gjaqet dhe ngatrresat,
Si shqiptar e shqiptaresha
Se këtë të keqe i pari e shkuli
Kryetrimi ai Dedë Gjon Luli.
 
Për Dedë Gjon Lulin i kem do fjalë
Gjakun e t´birit si e ka falë,
Me 1911-të,
Kur shqiptart´ luftonin vetë
Kundër sundimit otoman,
Dedë Gjon Luli ngritet n´kambë
Gjakun e djalit ai e falë!
E malsia kur ndëgjon,
Kryetrimi gjakun falë
T´gjitha gjaqet i pajtojnë
Prej hasmenisë u ba miqësi,
U tubuen si vllazni
Dhe luftuen po për liri.
 
Sot pësri u dha jehona
E u lëshu n´kto malet tona,
T´bie gëzimi n´vatrat tona.
Anton Çetta burrë bujar
N´log të burrave ashtë i pare,
Sipas nderit dhe traditës
E si t´ish trim i komitës,
Syni i tij shiqim n´liri
Prej hasmenive po ban miqësi.
 
Anton Çetta  burrë i vjetër
Ashtë plak trim po plak pa mjekërr,
I njef mire doket shqiptare
Që don fjalë e nuk do pare,
Me nji grup profesor tjerë
E kanë rrokë këtë punë me nderë;
Që nanat tona nji herë me i gzu,
Mos me qajë ma, mos me vajtu,
Mos me u kthy nuset n´gjini,
Mos me mbetë motrat pa vllazni,
Mos me u vra për mexhë e lame,
Këtë anmiku na e ka lanë;
Me përqa nji popull trim
Profesorët këtë mire e din´ ,
E të parët na e kann´ lanë
Për vatan nji besë me dhanë.
 
Flet Antoni, dridhet toka,
N´përmallim ndëgjon nanë Lokja,
N´përmallim ndëgjon rinia,
Me kujdes edhe burrnija
Flasin burrat rend´ me rend´  ,
Se Antoni ashtë n´Kuvend!
Shtrihet dora e derdhet loti,
Dalin fjalt´  si prej grykës t´topit.
Kshtu hakmarrjes i ipet haku;
Shtrohet sofra e falet gjaku.
 
U dha kushtrimi që ngjallë jetën
Prite, prite Anton Çettën,
N´log të burrav´ ai me ardhë
Po e presin me faqe t´bardhë,
Se kur vjen-o Anton Çetta,
Aty flitet e vërteta
Aty merr mësim rinia,
Qeshin nanat, gëzohen fmija,
Qeshin fushat, qeshin malet…
E gëzimi sndalet, sndalet!
 
Flet Antoni ai burrë bujar,
Krenohet populli kosovar,
Lum për ne oj nane shqiptare
Që Antonin ne na e fale,
Ja ke falë ksaj toke t´mjer´mjerë
Që ta gëzoj ky burrë me nderë,
Që burri i ngrysun t´qeshë nji here
E bilbili t´këndoj në ferrë,
Dhe zymbyli i lirë të qelë.
 
Sot flet populli kosovar
Për Antonin burrë bujar,
Flet në oda e flet në arë
Që kem Antonin jem krenar´ ,
Jem krenarë e i këndojmë
Jetë sa malet i dëshirojmë,
E urojnë nanat shqiptare
Që u dha gëzim në këto male
Se u ndal sot gishti i krimit,
E u shtri dora e pajtimit,
Anton Çettë t´nderojmë he burrë
Se vllavrasje sdo t´ketë kurrë,
Ta kem dhanë besën e madhe
Se në tokën kosovare;
Sdo të vritemi ma ndër veti
Kjo e keqe nga ne treti,
Anton Çetta ne na e hjeki,
Me nji qetë burra shqiptarë
Qofshi t´lumtun e faqe bardhë.
 
1990

Anton Çetta  duke uruar pajtesat, 1990
LUM E LUM NE LUBARDH NISI
 
Lume e lum në Lumbardh nisi
Ora e bardhe në zemra krisi,
Me diell n´shpirt nisi rinia
Me sjell drit´o nëpër shpia;
Nisi e prime prej besimit,
T´shtrihet dora e pajtimit,
Filloi punën me i ndalë gjaqet
Me i gzue´ n´Kosovë konaqet.
 
Me i çburgosë burrat e dheut
Kta stërnip të Skënderbeut,
Qe ndër vedi janë gjaksu,
Plagë e randë i kish kaplu;
Por kori si lan´ kurr vedit,
As n´sun t´krajlit e as të mbretit
Me urti e prej guximit
Nisi u shtri dora e pajtimit.
 
Burrat gjakun kur e falin
Shkrepin rete, tronditin malin,
Lkunden bjeshka edhe vrrija
N´bark të nanës gzohet fmija;
Kudo njerzit harrojne halle
Mija vetë  rroken në valle
N´Kaçanik, n´Lug të Drinit
N´Verra t´Llukësn, n´Rrafsh t´Dukagjinit!
 
Sa në Shalë sa n´Karadak,
Në Drenicë, n´Llap e n´Gollak,
N´Has e n´Rekë, në Podrime,
Po ashtu n´Llapushën trime,
Në Podgur, në Rugovë,
Anë e kandë nëpër Kosovë,
Kudo valle e burrnisë,
Se mban mend toka e Arbnisë.
 
Për me zhdukë vrasjen me vlla
Peng i hueji lan´na e ka,
Burrat dorën kur e shtrinë
Në çdo zemër lule binë,
Rrezet dielli i shumon
Fara e mbarë kudo bimon;
Ai që shtrinë dorën t´pajtimit
Ashtë burrë-burri e trim i trimit!
 
E burrnesha kur shtrinë dorë
Lkundet bjeshka plot me bore,
Hapen zemrat si kunorë;
Si kunorë lule n´pranverë,
Përbetohet n´gji e nderë;
Vlla me vlla ma sdo të vritet,
Fis me fis ma sdo të pritet,
Shtrije vlla ti dorën shtrije,
T´jemi bashkë si na ka hije,
Me dashni, mik mbas miku ,
Shkamb i fortë përballë rrezikut.
 

Shtëpia e Agim Gashit e djegur nga forcat serbe
KËRSET PUSHKA
 
Kërset pushka n´mes t´Prishtinës,
Vrajn´ shqiptarë këta t´bijt e shkinës,
Vrajnë shqiptarë e shqiptaresha,
Të tanë beqarë e beqaresha,
Jau çojnë nanave, t´vdekun, n´shpi,
T´mbulu´m  n´flamurin kuq e zi,
Se dhanë jeten-o për liri,
Për të drejta, DEMOKRACI.
 
Kërset pushka, vret shqiptarë,
T´bijtë e shkinës-o barbarë.
“Ndale turrin, shka I shkinës,
Ka me t´vra  gjaku i Prishtinës.
Se shqiptari s´vret pas shpinës,
Kur don t´vrasë more barbar,
Ka me t´dalë ty´ ballë për ballë,
S´ka fuqi turrin t´ia ndalë.“
 
Kërset pushka po vret trimnesha,
Vasha t´reja, shqiptaresha,
Të bukura, t´pastra, beqaresha,
Sikur Nita, ajo arbëresha,
An´e  kand nëpër Kosovë,
I bajnë nder po tokës sonë,
Sikur Nora e Kelmendit,
E si Shota, ndera e Vendit.
 
(Prishtinë, 1981)
 
 
Anton Cetta me Ibrahim Rugoven
ALTERNATIVA NE AMERIKE

 
N´Amerikë po ku tjetër,
Janë taku dy miq të vjetër;
Amerikan dhe shqiptar´,
Alternativë dhe Senator;
N´Sherraton Center në Nju Jork Siti,
O nji za i ambël briti
Nga vershllima drita zbardhi,
Përshendet vlla Dioguardi,
Që shqipart´ i ftoj n´Amerikë
E Kongresi boll mirë me i pritë.
 
Kshtu n´Hotelin Sherraton,
Kanë fillu po bisedojnë,
Se Kosova sot lëngon,
Ka nevojë ngushllim me i dhanë,
Ka nevojë me e ngushllu…
Se i ka plagët pa i sheru!
Se kjo tokë ende lëngon,
Për rininë që na e vranë,
Na i banë shumë padrejtësi
Se kërkojmë Demokraci,
Tu i ngrite nalt´ veq dy gishtnij!
 
Kështu n´Nju Jork në Sherraton
Të pranishë shumë mërgimtarë,
E mikpritsa shumë Senator
Në këtë tubim që kanë mbajtë fjalë;
E i pari ngritet me nder´
Senatori Lari Presller,
Ngritet n´kambë e po mban fjalë:
Përqafon Alternativën,
Vetën n´te shef përspektivën,
Përqafon President Rugovën
Që përfaqson Ai krejt Kosovën,
Kongresmen e Senaror,
Jetë sa malet po i dëshirojnë!
 
Alfons Dante ngritet n´kambë
Për Kosovë dy fjalë me i thanë,
Po i drejtohet Ibrahim Rugovës;
Je si Lulja e Kosovës,
Zotni Rugovë n´ju kam admirim,
Se i  takon nji populli trim,
Që sja don tankset Serbisë,
Po don rreze t´demokracisë!
 
Loterbergu Senator,
Për shqiptarë i folë dy fjalë;
Jeni ju nji popull trim,
Jeni popull që ka durim,
Ju duruet çka sduron njeri,
Por su largut nga besa e nderi!
Ju e dini çka ashtë liria,
Ju pret pra demokracia!
 
Tom Llantoshi ai Kongresmen,
Shif si ngritet ai përnjiherë;
A ndëgjoni o Kosvar,
N´mesin tuej unë kur kam ardhe,
E kam ndi vedin shqiptarë!
Keni dhanë ju shumë viktima,
U vranë trimnesha edhe trima,
Me demokracinë në përqafim,
Ju ftoj pra me u ba nderim.
Kshtu n´hotelin Sherraton,
Tre mijë veta ngriten n´kambë,
Nji minut heshtje në Amerikë
Për dëshmort´  e shqiptarisë.
 
Ngritet n´kambë Ibrahim Rugova,
Amerikë, po t´përshëndet Kosova,
T´përshendetë populli shqiptarë
T´gjithë nga janë në botën mbarë,
Kemi ardhe ktu me u tregu
Në robni mjaft kem jetu,
Kemi qenë mjaft në spirancë
Tue pasë gjithë tolerancë,
I takoj nji populli trim,
Që ka pasë gjithmonë durim
Skerkojmë shumë veq barazi,
Si të tjerët n´Jugosllavi,
Me qenë të lirë n´demokraci,
Na keni pritë ju me shumë t´mira,
Miku i mire shifet n´ditë t´vshtira!
 
Pastaj folin shumë të tjerë,
Që përfaqësojnë shqiptart´  me nderë,
Gazmend Pula po i prinë fjalës;
Flet në emën t´Zekria Canës:
Që s´lejun t´shkoj n´Amerikë,
Se prej Tij kishin shumë frikë,
Ja njef rranjët historisë
Qysh prej para dhe Ilirisë!
 
Rexhep Qosja Akademik,
Syrin pishë, zemrën çelik,
I drejtohet popullit shqiptar,
T´gjithë sa janë o mërgimtarë;
Ju përshëndes me përmallim
Se ju jeni dhe malli im,
Larg Kosovës t´përmallum,
Populli kurrë s´ju ka harru,
Ktu e keni trupin, zemrën…
Në Kosovë e keni mendjen!
 
Idriz Ajeti ai burrë bujar,
Për t´drejta t´njeriut ai kryetar,
Raporti i tij mallëngjim n´kunorë;
Flet sa gjaku u derdh´ n´Kosovë,
Sa janë vra gra, t´ri e fëmi,
Për liri e demokraci.
 
Me fjalë t´bukura deklaroi,
Njeriu i urte Veton Surroi;
Do t´përkulet populli shqiptarë
Jemi njerz përparimtarë,
Lart i ngrehim dy gishtnij
Dhe këkojmë demokraci!
 
Tomë Berisha folë me zemër,
Për nji nder e për nji emen;
A ndëgjoni motra e vllazni,
Me luftue për liri
Ashte detyre edhe njerzi,
Dhe nji gja di të tregoj,
Demokracia do t´fitoj!
 
Jusuf Buxhovi i fole do fjalë;
Nuk jam tjetër veq shkrimtarë,
Në nji barakë përnallë policisë,
U l´shue rrezja e demokracisë
E kjo rreze që u lshue n´këtë dhe,
Shprese e madhe ashtë për ne,
Që ta gzojmë tonin atëdhe!
 
Pastaj dridhet edhe kulla,
Kur ligjëron Luljeta Pula:
Nga nanat tona kosovare,
Përshendetj ju mërgimtare,
S´jem helmuese, jem krenare,
Jemi nana shqipetare!
 
Shkelzen Maliqi po mban fjalë,
Tri  tubime i propozon;
Nji n´Prishtine e nji n´Nju Jork,
Edhe nja thot në Tiranë!
 
Mërgimtarë le t´hiqet frika;
Kshtu po thotë Jusuf Berisha,
Do t´takohemi ju dhe ne ,
Me hjekë mallin për atëdhe,
Kosovën t´lirë kemi me pa,
Se shumë zemrat na janë vra,
Këtë na e tha edhe Ibrahim Rugova,
N´demokraci ju pret Kosova!
 
Hyvzi Islami flet ngadalë,
Kryetar ai për fshatarë:
Zonja, zotnij, bashkëatdhetarë,
Nuk kem ardhe k´tu t´akuzojmë,
Por të drejtën ta tregojmë,
Se pushteti policor
Asgtë pushtet totalitar,
E ne shqiptarët s´kërkojmë tjetër
Liri për t´gjithë, liri për vete!
 
Për gjendje t´vshtirë të puntorisë,
Pa bukë n´gojë e vaj t´fëmisë,
N´Sherraton me dije i bani,
Me kujdes Hajrullah Gorani:
Çka kërkon kjo puntori?
Bukë, liri, demokraci!
E kur u mbyllen konviktet tona,
Menjiherë u dha jehona,
Se mikëpritja kosovare,
Ashte e pastër dhe bujare,
U strehun studentët tanë
Në Prishtinën zemër gjanë!
 
A ndëgjoni o mërgimtarë:
Ju o njerz zemër bujarë?!
Ju të ndjekun e të shamë,
Skeni ardhë ju për dollarë,
Anton Berisha kto fjalë i foli
E nga sytë loti i rrodhi.
 
Kur bota don civilizim,
Izolohet nji popull trim,
Në izolim intelegjenca,
Kështu na lanë pa kompetenca,
Tuj na rrahë e torturu,
Por jo kurrë me na nënshtru,
 
Se populli trim i shqiptarisë
Se ndal rrugën e demokracisë,
Na vranë neve me fëmijë,
Se ngritëm naltë dy gishtnij;
Anton Kolaj kështu tha,
E loti i pastër n´tokë i ra.
 
Halil Matoshi djalë bujar,
I parlamentit ai kryetar;
Ju përshëndes o Senaror,
Edhe juve o mërgimtarë,
Ju sjell këtu edhe përqafime,
Prej rinisë gjeneratës sime,
Kjo rini kjo gjeneratë,
Demokracinë e lau me gjak,
Kërkesa e drejtë u mundu t´përdhoset,
Por liria smund t´burgoset!
 
Për konventat ndërkombëtare,
Jusuf Haklaj folë me qare,
Jugosllavia i ka nënshkru,
Por n´Kosovë si ka zbatu,
E që dhet vjetë shqiptart´ jetojnë,
Me dhunë e vrasje, terror shternor.
 
Si hakmarrjes i ipet haku;
Flet ngadalë Ramadan Marmullaku,
U tregon ai mërgimtarëve,
Kongresmenëve e Senatorëve,
Se n´Kosovë ashtë dhanë kushtrim,
Me u ndalë ngatrresë e krim,
Me u shtri dora për pajti,!
 
Ngritet miku i fjalës, lapsit…
I Fan Nolit, Athanasi,
Flet si lule me kunorë,
N´këtë tumim të naltë madhështor´ ,
Fjalt´  e Nolit i përsërit:
“Mbaju nëno mows ke frikë,
Se ke djelt në Amerikë”!
 
Fjala e fundit përshëndetëse,
Ashtë e Rades, fjalë arbneshe,
Ashtë e nxehtë po sikur prushi,
Na e sjell Antonio Bellushi:
Kërkesave të drejta u bashkohemi,
E me ju solidarizohemi,
Jemi ardnesh e jem shqiptarë
Kurajo popull´ kosovar,
Mos të ketë ma frikë Kosova,
Se u prin President Rugova!
 
1990
 
 
KANGA E DEMONSTRATAVE TË ´81-shit

 
O, më njëmbëdhjetë, vëllezër, e njëzet e gjashtë
Po të marsit ´81,
Do të shenohet në histori
Në histori shënohen tëto data
Se Kosovarët u çunë në demonstrata.
Në demonstratë u çu´n pa qare
Të kërkojnë të drejtat kombëtare
Të kërkojnë çka na takojnë
Si të tjerët dhe ne t´i  gëzojmë,
Me njëmbëdhjetë kaloi disi,
Me njëzet e gjashtë u bë kërdi,
Se njësitë speziale
Janë versulë n´lule shqiptare
Se njësitë speziale
Janë versulë n´lule shqiptare
Se njësitë po të Serbisë
Janë versulë në lule t´çiknisë;
Duke prerë e duke gri
Vasha të reja e studentë të rinj,
Duke prish edhe gji të çiknisë
Duke shkatërruar faren e djalërisë
Që të mos lindin më Mic Sokola
Po e shkretë të mbesë Kosova.
 
Për masakër që k´ta bënë,
Që na vranë edhe na ranë
Që për herë të parë jo nuk e kanë
Me një prill populli ngritet n´kambë;
Janë tubu, në Prishtinë dyqind mijë
Kërkojnë të drejta e barazi.
Janë bashkuar nxënës e studentë
Për çka të gjithë jemi kometent,
Që të ketë nxënësi ku të mësojë
Dhe studenti ku të studiojë,
Që minatori në galeri
Mos ta nxjerrë arin për Serbi.
Mos të shkrihet plumbi sikur lum
E të shkojë në pus pa fund.
A ësht´ e mirë edhe e drejtë
Fushat tona me grurë si det
Që të shkojnë në tjetrin kosh
E shqiptari barkun bosh?
 
Po kur ra ai terri i zi
Ka dhënë urdhër kjo Serbi
Që të qohet milicia,
Të bashkohet edhe ushtria
Parashuta në Kosovë po lëshojnë
Që Kosovën ta robërojnë,
Kanë hudhë bombë e municion
Në trup t´shqiptarit të gjitha ranë.
 
Tërë Kosova u ngrit në këmbë
E protesta gjithkund po bajnë,
Shih llapjanët kur çohen n´kambë
Në t´katër anët udhët; kanë zënë
Milicinë po e çarmatosin
E vetveten e armatosin,
Që t´i  mbrojnë bijtë edhe të Drenicës
Ata nipa të Azem Galicës.
U ngrit Peja e Gjakova
Në demonstrata tërë Kosova.
 
Po vushtrria heroike
Ajo e vjetër dhe kreshnike,
Në kanagjeq u nis të shkojë
Me gjak pajën ta lulëzojë.
Po Ferizaji athue çka ka?
Në Sefë Kosharen më ka përngja
E ramë Bllacën që u vra,
Në Idriz Seferin atë trim të vërtetë
Që nuk iu dhimbs jeta të vdesë
Për vatan e popull të vet.
Po Lipjani ç´ka që bërtet
Për herë të parë në histori të vet
Nxënësit grushtat lart po i çojnë
Republikën po e kërkojnë.
 
E Gjilani me Karadak,
Nuk kanë frikë nga Serbi aspak!
Se shqiptari i vërtetë
Nuk i ikë jetës të vdesë.
Ja një shembull të vërtetë:
Për një vajzë si luaneshë
Ishte e re dhe studenteshë
Po mbi tankë ajo hipi ,
Vendosë flamurin kuq e zi,
Por oficieri me revole në dorë
I bie vashës në kraharor;
I ra indeksi, i kishte dhjeta
Kjo na ishte e vërteta
Për Kosovë nuk iu dhimb jeta
E s´u  tremb vasha të ikë
Për KOSOVEN REPUBLIKË!
 
                               
DY KORRIK I VITIT   `90-të
 
Dy Korrik i vitit  ´90-të
Historia e shkroi ni jetë
E kanë nënshkru´ niqind  e pesëmbëdhetë,
Kosovëe tmerrin me ia hjekë,
Me hapë rrugën e lirisë
Me vullnet të popullsisë
Sepse populli kosovar
Pavarësi ka lypë me shpallë,
Rrugë t´lirisë me hapë për ne
E me shkru´ kushtetutën e re.
 
Ditë e hanë dielli ka le
Shndrit Kosovën t´dashtunin Atdhe
Shndrit Kosovën me i dhanë jetë,
Kanë marrë rrugë niqind e pesëmbëdhetë
Ju rrah zemra prej dëshirës ,
E me hy n´qytet t´Prishtinës
Pa u ndeshë me milici,
Që ka pru´ mjaft kjo Serbi,
Me ia zbutë zemrën Bozhoviqit,
Që sa herë derën e kyçi
S´lejoi me hy n´shtëpi të vet
Si të ish I veti ai parlament,
Por s´do të bahet ma i tradhëtarëve;
Po do të jetë gjithë I Kosovarëve.
 
Porse trimat që mirë mendojnë
Kanë një lëkurë që nuk e ndërrojnë,
E kanë zemren plot gjallni
Pranë Kuvendit mirë kanë mbërri
Porse derën prap e kyçi
“Kryetari” ai Bozhoviqi,
Nuk don deren askush me çelë,
Porse dielli i mirë nxen në verë
Kështu njiqind e këta pesëmbëdhetë
Në oborr mirë kanë zanë vend
Fillon punën ky Kuvend.
 
Në katër anët të rrethu´m,
Por të trembun jo, jo kurrë
Të tri dhomat kanë vendosë
Me udhëeqë tëtë mbledhje sot,
Gjurgjiali emnin Bujar
I prizerenit faqe bardhë,
Përcjellin mbledhjen gazetarë
E musafir nga bota mbarë
Verena Gravsi për liri
E Zhan Zhaku për miqësi,
Çarls Greivsi për drejtësi
Eva Bredli avokate,
Përcjell botën kate-kate.
 
Kështu  këto kushte jashtënormale
Po udhëheqë Bujar Gjurgjiale
Delegate e delegatë
E përcjellin me zemra plot
Se n´këtë ditë, vendimtare,
Po i mbrojnë të drejtat kombëtare,
Që ky popull i lau me gjak
Tue na vra në arë e prag
Tue na vra në rrugë e votër
Tue vajtu´ po nanë e motër,
Ushtarë të vramë tue na pru´ në shpi
Për me u kthy´ nuset n´gjini,
Por sot vetëdija e jonë kombëtare,
Asht e pastëe e jo tradhtare,
E tradhtarve u kem´  tregu´
Me fat të popullit nuk mujnö me lu!
 
Nisë me folë Bujar Gjurgjiala
Kosovarëve po u çon të fala
-Delegat na keni zgjedhë
Me i mbrojtë të drejtat me nderë,
Me kerku´ kushtetutë të re
Me nderu tonin Atdhe
Mos me shitë Kosovën plakë
Që sa herë u la me gjak,
Përfundim në t´katërtën pikë
Ashtë Kosova Republikë,
Durtrokitje në qiell e në dhe
Do t´na del dhe Kushtetuta e re.
 
Se na quajnë, po, tokë poshtruese
Deklaraten kushtetuese
Me pesë pika Kuvendi e bani
E lexon Muharrem Shabani,
Kjo deklaratë, ky dokument
Që Kosovës t´i  ipet vend
Në Federatë a n´Konfederatë
Veç me qenë të barabartë.
 
Se n´vend të tretë me popullësi
Ne që jemi n´Jugosllavi
Domë liri, DEMOKRACI,
Nuk domë tankë, ushtri, përdhosje
Porse domë ne vetëvendosje
Gjithmonë të tjerët i kem´ nderu´
Asnjëherë s´i  kem´ nënçmu;
S´I  kem´ qujtë popujt kombësi
Si na quen neve kjo Serbi.
Porse populli ynë shqiptar
Mirë e di kush asht´ tradhtar,
Mirë e di kush ka nenshkru´
Që ketë tokë me aneksu´,
Porse sot kem njerëz t´vertetë
Të Kuvendit njiqind e pesëmbdhetë
Të gjithë të lidhun me besa-besë
Për komb të vetin me luftu´
Kurrkujt të keqen pa ja mendu´
Të gjithë janë pëllumba të bardhë n´pranverë
Ka me i dashtë populli përherë.
 

KËNGË PËR YLFETE HUMOLLIN
 
Kjo Kosovë po tokë arbnore
Ju ka lëshu ni valë mizore,
Me na e marr´ çdo gja kombëtare,
Prej fillores në universitare,
Po na ban çdokend anmik
Profesorë e akademik.
Me masakër e me dhunë
Na´i  ndalen mësim e punë,
Kanë qit helm e municion
N´trupa t´njomë të gjitha ranë.
 
Që dhjetë vjet n´Kosovë jetojmë,
Me dhunë e vrasje, terror shtetnor,
Tu´ na vra n´shkolla e n´shtëpi
Njerëz ma t´mirë n´burgje tui shti
Nxanës, studentë tuj i përjashtu´,
Papunësinë, po tu´ e shtu´
Tu´ na qujtë nacionalista,
Terrorista, kanibalista
Me nai kthy mbiemnat n´viçe,
Naj qu´jnë nanat,lavatriqe.
 
Mos me hy ma thell´ n´mendime,
Po I këndojmë ni vashës trime
Që jeta e saj ju fal këtij trolli
Ish shqiptarja Ylfete Humolli.
 
Me nji shurt po agoi dita
E milicët kanë zanë prita,
Me vra shqiptarë që qojnë dy gishta
Që kërkojn demokraci,
Që s´durojnë dhunë, kërkojnë liri,
Si gjithkund në Kosovën trime
Që po vuen n´vaj e idhnime
N´Lupç të Poshtëm u derdh gjaku
Aty ku lindi Adem Demaçi,
Volli zjarr automatiku
Vashës s´re jetën ja fiku.
 
O atë mëngjes atë ditë me diell
Stinë e dimnit po ishte verë,
E Ylfetja ishte zgju´,
Po në shkoll´ ajo me shku´
Dituni për me fitu´,
Per me mësu´ ta urren robninë
Ta kërkon gjithmonë lirinë,
Se kështu jeta e kishte mësu´
Dhunë, terror mos me duru´.
E Ylfetja del n´livadhe
Me shokë t´shkollës rrokë në valle,
Janë rreshtu´ dy e nga dy,
Tu´i  ngrit veç dy gishtërij
Tu´ kerku´ demokraci
As me armë e as me topa
Ç´po kërkojmë ka ndi´ bota
E Ylfetja gishtat çon
Si shqiponja qi fluturon
Për liri, demokraci
Qi shqiptarët mos t´rrnojn n´robni.
 
Dal kadalë janë rreshtu´
Pranë flamurit janë rreshtu´
Të bashkuem për liri,
Tu´ kërku´ demokraci
E Ylfeta në rreshta t´parë,
E rrokë plumbi mu në ballë,
E rrokë plumbi i gjakatarit
E i shtymë edhe prej tradhtarit,
U nda shqiptarja nga kjo jetë,
Për Kosovë kurr´ mos me vdekë,
Nuk do vdesish, oj motra jonë
Për Kosovë ke ra dëshmore,
Se Kosova të ka rritë,
Me gjak t´njom´ me u ujitë.
Nuk mbajme zi, por jem krenar
Ju nderojmë me lule n´varr.
 

Heroina Shukrije Obertinca në përcjelljen e fundit 1989
KANGË PËR SHUKRIJE OBERTINCEN
 
Moj pranverë tet´dhjet´ e nantë
Sa e ngrysun sa e vrantë,
Sa e pa shpirt ti qëllove
Mbar nji popull e tradhëtove.
E shum nana i verbove
E Kosoves lirinë ja more,
Po me tanksa e ushtri
Për me vra vasha e djem të ri!
Me robnu popullin shqiptar
 
Buk´n  e gojës me ja marr,
Me varros çdo gja shqiptare:
Kultur, arsim, lirinë kombëtare…
 
Porse populli trim shqiptar,
I del hasmit ball´ për ball´,
Djel e vasha , t´njoma,t´reja,
Para tankëve i mblon hareja,
I ka qit nana n´ket jetë,
Me ja fal Kosovës t´shkretë,
Sa shpejtë toka e uji i rrirë
Me gjak Kosova me u ujitë,
E ma t´kuqe lulet me u rritë
Se kur vret hasmi n´Kosovë
Nanat tona lindin “boll´”
Kur vran hasmi fëmi dhjetëvjeç
Nanat lindin katërneq!
 
Kështu n´mars t´vitit tetëdhjetenantë
Vit i ngrysun dhe i randë,
Kur bota gëzohet në pranverë
N´Kosov´ fillon rrëmuj e skëterë
Po me tankë dhe ushtri,
Na e vodhën atë pak liri.
Por ngriten n´kambë djel e vasha
Nëprotesta e demonstrata
Ushton Kosova, Llapi, Drenica
Si të ishin ngjallë Shote e Azem Galica
Ish me shokë Shukrije Obertinca.
 
Vajz´ e re gjashtmbëdhjet´ vjeqare
E lehtë e bukur si Sorkadhe,
I vlonte zemra prej dëshirës
T´hy n´protestë n´qendër t´Prishtinës.
Ti ngris lart dy gishtëni
T´kërkoj liri, demokraci,
S´durohet dhuna me tradhëti
S´lejohet të tjerëet t´na e presin fatin
Ma mirë asht me e derdh gjakun.
 
Lamtumirë babes i thotë
Në Prishtinë unë po shkoj sot
Me u bashku me shoqe t´mia
Na thërret toka dhe liria
Rrugë të mbar baba u ka thanë
E mirë leje u ka dhanë,
Bashkë me motër përshendeten
Pak ma gjat me nanë të veten,
Sa mirë nana i përqafon,
E n´Shukrien dy lot i ranë.
 
Me autobus rrugën kanë marrë
Në Prishtin sa shpejt kanë ardhë,
Por Prishtina ish blloku:
“Sa shumë milic motër paskan pru”
Të dy motrat si sorkadhe
Kanë fillue me britë me t´madhe,
Me grupe tjera janë ashkangjitë,
Për Kosovë pa pas kurrë frikë
Pa mendue k´tu kush do t´jesë
Tu´ këndue kangen : »Besa-besë… »
 
N´kët rrëmuj n´kët´ tollovi
Fillun me qit po helm të zi,
E rafalët shqiptar tue gri
Tue vra t´ri edhe trimnesha
Hudhet Shukrija si Luanesha,
Pa mendue,se plumbi shpon
Me gurë tankset i qëllon.
« Para shoqe e shok » i fton!
Në katër anët llahtari
Por shqiptari për liri
I ngreh gishtat proteston,
Se Kosova nanë na fton
Me e derdhë gjakun e lirisë.
Ka nevojë toka e Arbnisë.
 
Gruppe, grupe, vasha t´reja
Ua kaplon zemrat hareja
Grupe, grupe vasha e t´ri,
Kerkojnë liri, demokraci,
Por kur hynë në rrugë t´pazarit
Villnin zjarr tyta t´tradhtarit,
Villnin zjarr për me shue jetë
E me vra Shukrien e shkretë,
Me dhanë jetë me shumë shokë t´vetë,
Se n´pranverë e kish pagzimin
Me ja ba n´pranverë vorrimin.
 
Kështu plumbi i gjakatarit,
E rrok Shukrien në lule t´ballit
E rrok motra në prehen t´vet,
E në gjoks kokën ja qet
Gjaku i kuq nga goja i del
I afrohen shokët në ndihmë,
Porse nana nji Shukri lindë,
E këtë vashë ja vrau Serbia
Me ja qu t´vdekun te shpija.
 
Në vend t´fustanit të nusnisë,
Me i qitë flamur t´lirisë
Në vend t´dasmorve me hare
Mija vetë me e qu n´dhe,
Për Kosovë përsri me le
Se e dha jetën për atdhe
Gjaku i saj u derdh n´këtë dhe
E kjo toka e Arbënisë
Nuk harron kurr gjak t´lirisë.
Moj Shukrije Obertinca
Je trimneshë si Shotë Galica,
Vrasja jote asht nder i vendit
Si i pat dhanë Nora e Kelmendit
Fli e qetë nuse e lirisë
Nuk t´harrojmë per jetë t´Arbnisë.
 
KANGA E TË BURGOSUNIT
 
Moj hapsane ty t´kalltë furra
Sum´ e gratë nai le pa burra,
Ty t´kalltë zjarri e të baftë hi
Qysh nai dogje djelt´ e ri?
Na i le nanat me du´r  n´gji
Na i le motrat pa vëllazni.
Na i dogje shumë vasha t´reja
Në këtë pranverë godit rrufeja.
 
Ujq të etshëm e të terbu´m ,
Dojshin fëmitë me i coptu´
Tue hy n´çerdhe e shkolla
Tu´ helmu´ vasha t´njoma
Tu´ helmu´ po çikë e djalë
Për me mbetë shqipja pa farë
Por nanës shqipe si çeliku
S´mund t´ja ndalë lindjen anmiku.
 
Çupëza e vogël agresive
Ajo e don babin pa hile
Gardianit i thot shtrigan,
“Pse s´po më len ta shoh babanë”,
Ty xhelat t´u  shoftë fara,
Pse s´na lëshon t´punojm´  në ara
Sa shumë vjet në shpi s´jem kanë
Na merr malli me thirr nanë.
 
O polic, polici plak,
Ç´e ke ba shufrën me gjak
Ma shumë sjell sesa pushon
Djemt´ e ri po i shkatërron.
Porse ne jemi betu´
Për Kosovë jetë me ndërru´
Tash e di bota mbarë
Se kush asht kombi shqiptar.
Ka traditë, zemrën çelik
S´ka ç´i  ban asni anmik.
 
1996-Burgu i Prishtinës
 
Jusuf Gërvalla
KANGË PËR JUSUF GËRVALLËN

 
Me shtatëmbdhjetë Janarit
O tetëdhjet e dy
U hap lajmi në gjithë botën
Për shqiptarë ish zi.
 
Sepse UDB-eja Jugosllave
Atje n´Gjermani
Në mënyrë mizore e tradhëtare
I vrau tre djem t´ri.
 
Na e vranë Jusuf Gërvallën
Trimin guximtar
Na e vranë dhe Kadri Zekën
Me Bardhoshin vranë.
 
Qohu Jusuf shihe Bardhoshin
Ma të voglin vlla,
Qohu e shihe Kadri Zekën
Shok kurrë pa u nda.
 
Qohu Jusuf shihe Donikën
Që po të rri përbri,
Shih sa duket sot renare,
Lot si sheh në sy.
 
Qohu Jusuf e shih shokët
T´popullit tand trim-o
Fjala Jote para vdekjes
Na ka dhanë kushtrim.
 
Janar 1981,Lipjan
 
LULJA E BUKUR E SHARRIT
 
Lulja e bukur e Sharrit,
Ajo me kunorë
Po i ban të fala lules,
Që rritet n´Kosovë.
       Rritu, e lulëzo,
       Se motër të kemi,
       Nji ujë na ujit,
       E të nji dheu jemi.
 
Lulja e bukur e Rugovës,
Ajo që lëshon erë,
Përshëndet lulen kosovare:
Oj, lule, qofsh me nderë.
        Rritu e lulëzo,
        E shtatin me lëshu´,
        Se do të vijë pranvera
        Bashkë kem´ me lulëzu´.
 
Veç lulja n´saksi,
E mbyllun ka mbetë-
S´ka kush e ujit,
Me dorë kush s´e  prek.
        I humbi aroma,
       Që e pat dikur.
       Çonju, vllazën, çonju,
       Ja qesim pak ujë.
 
Tani po qajnë lulet,
Të bjeshkës e të fushës,
Për lulet e mbylluna,
Që kurrë s´u  banë nuse.
        Njana rri n´dritare,
        Tjetra këqyr kah dera,
        Vesin njana-tjetrën:
        Kur do t´vijë pranvera?
 
Janjevë,1975.
 
 
Edhe kështu pritej karavani i Anton Çettës
ANTON ÇETTA BURRE ME ORE

 
Anton Çetta burrë me orë
Mire iu zgjue shpirti rinor –
Sa mire ora nisi i priu
Si yll n´zemër fort i ndriu.
N´kry t´rinisë u vu prijtar
Nisi punën fort të mbarë:
Tuj pajtue n´Kosovë gjaqet,
tue i gzue, besa, konaqet,
tue I gzue votrat e ndryme,
tue I qelë zemrat e vyeme;
me guxim e urti burrit
rend po I zbutë zemrat prej gurit –
po I pushton burrat e dheut
tanë stërnipa t Skënderbeut,
me ba ballë edhe burrni
me dëshmue besë e trimni
fund për jetë me I dhanë gjaksimit
tuj shtri dorën e pajtimit.
 
Anton Çetta burrë me orë
Mire iu zgjue shpirti rinor –
Sa mire ora nisi I priu
Si yll n´zemër fort i ndriu.
N´kry t´rinisë u vu prijtar
Nisi punën fort të mbarë:
Tuj pajtue n´Kosovë gjaqet,
tue i gzue, besa, konaqet,
tue I gzue votrat e ndryme,
tue I qelë zemrat e vyeme;
me guxim e urti burrit
rend po I zbutë zemrat prej gurit –
po I pushton burrat e dheut
tanë stërnipa t Skënderbeut,
me ba ballë edhe burrni
me dëshmue besë e trimni
fund për jetë me I dhanë gjaksimit
tuj shtri dorën e pajtimit.
 
Si rrufeja fjal´t  tingllojnë
Si n´pranverë zemrat gufojnë,
shtrihen duert, sa mirë bashkohen
bjeshkë e fushë përnjiherë gzohen,
n´rreze t´diellit fort krenare –
mirë po ndrit ora shqiptare.
 
KENGA E USHTARIT
 
(Kushtuar Xhevdet Aruçit)

 
 O n´Razallë po vjen nji kufomë,
Kah po e bikan, ku po e qojnë?
T´kujna djalë e paskan mbytë,
Djalin e mseusit o shkronja e dritë!
 
O cila nanë ka mbetë pa djal?
Ksaj Kosovës dëshmorë mi falë.
Cilat motra po mbajnë zi?
Se ua vranë vllaun n´ushtri!
 
Xhevdet Aruçi djal bujar,
Vullnetar ai shkon ushtarë,
Katërdhet ditë në ushtri
Ju kanë flugë korbat e zi,
Me ja qartë atë bukuri.
 
E kanë thirrë n´torturë po e qojnë,
Si po e rrahkan çka po i bojnë
Porse djalin se nënshtrojnë!
Kanë marrë zjarrin me ja djegë trupin,
E ndër sjetull ndezë barutin.
 
Me „tregu“ çka skanë ba shok´t,
E me u shkru aktakuzë t´plotë
Si ua banë mija shqiptarëve,
Që mbajnë burgje prej tradhëtarëve,
Që i denun dhe i vranë,
I nëmqmunë dhe i shanë!
 
Nuk ka shtet n´botë e n´liri,
Që i vranë ushtart´ e tij,
Nuk ka shtet po në këtë botë
Që ushtart´  me zjarr i sosë.
Kshtu Xhevdetin e torturojnë
Me mjete t´ndyta i mëshojnë.
Trupi i tij krejt i bamë varrë
Për me vdekë ai si shqiptar.
 
Për me lshu në funeral,
Me përcjell n´shpi këtë uashtar,
Katëdhet ditë ai në ushtri
Për me kthy të vdekun n´shpi.
Për me u kthy i sakatosun
Trupi i tij i vramë e i sosun.
Duer t´ndyta që e vranë,
Duer të pastra sot e  lanë.
 
Mija vetë homazhe i banë,
Lule t´kuqe nvorr i lanë
Si u kem lanë shumë djemëve t´ri
Që na i vranë neve n´ushtri.
Porse populli kosovar
Si harron kta djel shqiptar,
Sepse ranë n´lule t´rinisë
E pa ra në kurth  t´tradhëtisë
Kshtu i ruhet o ndera Arbnisë

 
Babai i rapsodit tonë, Hamit Gashi para shtëpisë së djegur nga paramilitarët serb në Lipjan
 
Mirënjohje nga Zyra për Beneluks dhe Union Europian
 
Mirënjohje nga Gjermania
 
Mirënjohje nga Brukseli
 
Agim Gashi në odën e dëshmorit Ismet Asllani më 1990
 
Dueti Liri Rasha-Agim Gashi
 
Faksimili i Aktvendimit mbi denimin e me burg të grupit prej dhjetë vetash
 
Faqja e brendëshme e albumit
 



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora