Udhëpërshkrim
Alma Papamihali: Ermonela Jaho - e lindura për ''të folur'' në skenë
E marte, 26.07.2011, 08:05 PM
ERMONELA JAHO – E LINDURA PËR “TË FOLUR“ NË SKENË
Nga Alma Papamihali
Madhështia e saj me sa duket, nuk paska kulm. Ajo vazhdon të shkëlqejë në skenat më të njohura të botës, të ndezë duartrokijet më të zjarrta të artëdashësve të një prej gjinive më të hershme të muzikës, siç është opera.
Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho, me siguri nuk do të mbetet më një surprizë për vetë regjitë më të njohura të operave më në zë. Ajo tashmë është e afirmuar dhe mjaft e kërkuar si protagonistja kryesore e operave madhore, duke marrë me meritë titullin Divë e Operas. Për të parën herë ajo do ishte e pranishme me artin dhe magjinë e saj në arenën e Veronës, nën interpretimin e veprës aq të preferuar të Verdit, La Traviata. Regjisori argjentinas Ugo Deana, ishte mjaft optimist që në rolin e Violetës, aq domethenës për Ermonelën, të interpretonte artistja e talentuar shqiptare.
Nën atmosferën e 20 000 spektatorëve në arenën e Veronës, do ndriste si në zë ashtu edhe në interpretim për disa shfaqje rresht, Ermonela. Gjithçka në perfeksion dhe harmoni të plotë me korin gjigand, me orkestrën dhe trupën e baletit në aktet e interpretuara. Një dramë në të cilën Ermonela mishërohet tërësisht. Ajo shndërrohet e tëra në një Violetë, edhe pse mund të jetë hera e 100-të që interpretohet nga Ermonela nëpër skena të ndryshme të botës. E megjithatë, në çdo Violetë, ajo ndihet si në herën e parë të intepretimit. Në çdo shfaqje ajo të jep ndjesinë e një premiere, sepse e tillë është artistja shqiptare. Një shpirt i lindur për të shkëlqyer në skenë, për të prekur publikun dhe për ta lotuar atë, sepse profesionalizmi i Ermonelës është i një shkalle dhe niveli që shumë shpejt do shndërrohet në idhull për artëdashësit e vërtetë të gjinisë operistike.
Edhe pse „Traviata“ është e shkruar në vitin 1800, tema që trajtohet në skenarin e saj, do mbetet gjithnjë aktuale. Ndjenja e dashurisë, sakrifica deri në flijim për të është himni shpirtëror që përcjell Ermonela deri në detaj. Emocioni që ajo shkarkon në skenë nuk është i rastësishëm, por falë talentin dhe pasionit të saj. Një Ermonelë lindur për skenën, lindur për ta nderuar emrin shqiptar, të cilin ajo e përmënd edhe pa e pyetur kush, me krenari. Ajo tregon për udhën e saj deri në majat më të larta të suksesit, e cila ishte jo fare e lehtë dhe pa sakrifica…duke nisur që në moshën 18 vjeçare në Itali, e deri më sot që jeton në Amerikë si adresë, por që faktikisht ajo jeton në skenë, sepse Ermonela di të flasë vetëm me gjuhën e artit, vetëm me gjuhën e shpirtit.
Ka njerëz që janë lindur me misione të dhuruara në skenë. Ajo është një prej tyre, që duhet të shkëlqejë jo vetëm për vete, por edhe për ne. Duke patur fatin ta ndjek nga afër Ermonelën në një prej shfaqjeve të Qershorit në Verona të Italisë, u ndieva e lumtur që fola nga afër me artisten duke ndarë emocionet dhe përshtypjet e saj, duke u bindur edhe më shumë për çdo fjalë që lexuat më lart.
Kalendari i Ermonelës vazhdon po me shfaqjet e Traviatës në Gjermani….dhe më pas ne Barcelonë, Suedi etj. Kudo që ajo shkon, shoqërohet nga dashamirësia e shqiptarëve, që së fundi po njihen me një prej artisteve të së ardhmes.
Maria Callas mbetet idhulli i saj, por pse jo, edhe Ermonela shume shpejt do shndërrohet në një idhull për brezat që vijnë…