Mendime
Ardian Ramadani: Presionet, shantazhet dhe kërcënimet e karaktereve të qullosura
E diele, 22.05.2011, 07:59 PM
Presionet, shantazhet dhe kërcënimet e karaktereve të qullosura
Nga Mr. ARDIAN RAMADANI
Më irritojnë tej mase idiotësitë dhe mbrapshtitë e njerëzve. Më shqetësojnë tej mase kërcënimet dhe format e ndryshme koercitive të disa njerëzve, saqë më kujtohet shprehja e presidentit të famshëm francez De Gaulle, i cili në një rast do të shprehej se “ sa më shumë që po i njoh disa njerëz, aq më shumë po kam dëshirë të rrijë me kafshët”. Kësisoj, në qytetin e Kumanovës dhe Likovës, ditë më parë u mbajt tubimi i një partie politike shqiptare, pjesëmarrëse në qeveri, e cila duke dashur të dalë nga gëzhoja dhe rrethi vicioz i poltronizimit dhe servilizmit që u fut me (pa)dëshirë, bën veprime në start të gabuara dhe mjaft të dëmshme. Nuk më irritoi organizimi i tubimit me qytetarët, se fundja pretendojmë se jetojmë në një shoqëri demokratike dhe secili ka të drejtë të dalë në tubime me qytetarët kur të dojë. Fundja, tani janë edhe zgjedhjet dhe është koha më e përshtatshme për të dalë në terren. Ajo që më irritoi tej mase është forma e kërcënimeve që u bë ndaj të punësuarve nëpër institucione ku drejtues kryesorë janë përfaqësues të kësaj partie politike, si dhe kërcënimet e bëra ndaj studentëve dhe nxënësve (të paktën kështu reaguan partitë opozitare shqiptare, e një gjë e tillë nuk u mohua nga kjo parti). Dhe rastësisht mu sill vërdallë nëpër kokë shprehja e Uendell Filipsit ku thotë se “Pijetoret janë vendet ku çmenduria shitet me shishe” për ta bërë unë pak më ndryshe këtë shprehje se “Institucionet udhëheqëse janë vendet ku çmenduria njerëzore e karaktereve të qullosura është duke u shitur me tonelata”. Pse a mos vallë nuk është kështu? Pajë, si mund të ushtrohet forcë dhe shantazh ndaj atyre punëtorëve, studentëve dhe nxënësve të gjorë, kur kjo ndodh vetëm në shoqëritë e ulta, jodemokratike dhe shtetet ku po zhvillohen revolucionet, në Libi, Jemen, Egjipt.... si dhe këtu ke ne. Pra me sa duket, kemi nevojë edhe ne për nëj Revolucion. Revolucioni më i mirë do të ishte rrëzimi i kësaj qeverie të (vet)rrëzuar edhe ashtu si dhe ndëshkimi për gjitha gabimet e bëra. Këtë duhet ta bëj populli, ngase e vetmja mundësi për të dënuar këto veprime monstruoze dhe të çmendura është vota e lirë e popullit.
Kumanova nuk kishte dhe nuk ka nevojë për forcën koercitive ndaj të punësuarve dhe ndaj studentëve nga organe të politizuara dhe të dala boje. Kumanova dhe Likova kanë nevojë për një fushatë dinjitoze, një fushatë ku më i miri do të fitonte, po jo përmes shantazhit dhe kërcënimeve, po përmes ushtrimit të demokracisë dhe ligjit. Andaj, gjithë ata që ushtruan presione dhe kërcënime ua përkujtoj thënien e Mark Tuenit, shkrimtarit të famshëm dhe humoristit të famshëm amerikan, i cili shprehet se “Zhurma nuk provon asgjë. Shpesh një pule që ka bërë vetëm një vezë, kokoret sikur ka bere një asteroid.” Andaj edhe zhurma e këtyre shpezëve që kërcënuan të rinjtë, studentët, punëtorët e kënd e kënd jo, do të përfundojë turpshëm.
Aspekti tjetër që më shqetësoi tej mase dhe më irritoi ishte fjalimi i krerëve të kësaj partie politike dhe kandidatëve për deputetë, premtimet e tyre të dala mode. Thuaja se nuk i njihnim më parë, thuaja se nuk i kishim provuar më parë. Thuaja se kishim harruar se sekretareshat ku punojnë nëpër zyrat e tyre dhe funksionarëve të partisë që përfaqësojnë ata, kanë më shumë vlerë për Gruevskin se ata. Thuaja se harruam se zëdhënësja ua ndalonte ministrave të kësaj partie të folurit në gjuhën shqipe. U fol e çka nuk u fol aty, për atë se çka do të behet, e në realitet nuk u fol se çka nuk është bërë dhe çka është (keq)bërë deri më tani. U përmend dhe u theksua se në këtë zonë na qenka investuar për varrezat e dëshmorëve (të vdekurve) e të gjallët desh u hëngrën mish i gjallë, duke iu servuar aksione policore, burgosje (Rasti i burgosjeve në fshatin Opajë e të tjera), eksode masive të refugjatëve dhe azilkërkuesve, e çka e çka tjetër jo.
Por, me gjithë se kjo parti e harxhuar dhe e skaduar politikisht, e cila nuk ofroi deri më tash asgjë pozitive, përpos fillimisht miratimit heshturazi të rasteve (lexo: në mandatin e parë), të: Sopotit, Brezës, Rakovecit, vrasjet e shumta të pandriçuara, idetë fatkeqe të dala nga ideologët dhe ideologet e kësaj partie për të ashtuquajturin komb politik, duke u propozuar ideja e përqafimit të kombit politik me ç’rast shqiptarët në Maqedoni do të ndërtonin identitet më vete, të ndarë nga shqiptarët e shteteve tjera, duke u identifikuar me shtetin-komb të Maqedonisë..., ndërsa gjatë këtyre dy vjetëve të mandatit të dytë, Ligjin famëkeq për stimulim të lindjeve, miratimin e ligjit sanksionues për gjuhën shqipe, burgosjet e shqiptarëve, mosmbrojtjen e shqiptarëve kur ata burgosen, rrihen e maltretohen, mungesën e kapaciteteve për të kërkuar hisen e buxhetit për zonat shqiptare, projektin famëkeq fashizoid të Enciklopedisë, Projektin Shkupi 2014, aksionet policore nëpër vendbanimet shqiptare, vrasjet dhe ekzekutimet klasike të shqiptarëve atdhedashës dhe patriotë, azilkërkuesit dhe skemat e azilit, që krahasohen lirisht me shkuarjet e pakthyeshme të shqiptarëve në Turqi në kohën e Jugosllavisë, mungesën e guximit për ti sistemuar administratorët partiak të përgjumur, kishën në Kala, sllavizimin e Shkupit, varfërinë dhe degradimin e elementit shqiptar në përgjithësi..., e çka e çka tjetër jo, fatkeqësisht duke e pasur përkrahjen dhe legjitimitetin e popullit, ajo vazhdoi dhe akoma vazhdon me avazin e krekosjes dhe mburrjes.
Për në fund përkujtoj thënien e Erik Hoferit ”Largojuni fuqisë misterioze të mburrjes dhe të shpifjes” ngase ka gjithnjë kohe për ta shtuar një fjalë, po kurrë për ta tërhequr mbrapsht atë që keni bërë dhe thënë deri më tani.
(Autori është Magjistër i Diplomacisë dhe Shkencave Politike, si dhe kolumnist i rregullt)