Speciale
Ryzhdi Baloku: Fragment nga libri ''Udhëtim nëpër vitet dramatike shqiptare''
E enjte, 12.05.2011, 07:59 PM
Famullitarit të kishës katolike të famullisë së Gllogjanit,
At Luigj Palit ia këpusin me thikë dy gishtat e vegjël
të dorës së djathtë, me preferencë të patriarkut të Pejës
Fragment nga libri
UDHËTIM NËPËR VITET DRAMATIKE SHQIPTARE
(Libri përshkohet me rrëfime nga periudha 1877-1999)
Nga Ryzhdi BALOKU
Si llavë e tërbuar qenesh në atë kohë të vitit 1913, ushtria e xhandarmëria malazeze i kishte nxjerrë nga shtëpitë e veta nën kërcënim të pushkatimit të gjithë shqiptarët nga Peja me nahije, për t’i dërguar në patrikanë që t’i konvertojnë në ” pravo-sllavë ”.
Kolonat e gjata me njerëz i kishin vërshuar rrugët që çonin në drejtim të Pejës. Burra, gra e fëmijë nën detyrimin e tytave të pushkëve nga ana e Drinit, Lugu i Leshanit, Tërstenikut dhe i Baranit ecnin këmbë nën heshtje të vdekjes në rreshta të gjatë në drejtim të patrikanës. Të gjithë ecnin këmba këmbës sikurse në përcjelljet mortore, dikujt nga molisja i binte të fikët, derisa të tjerët nga familjarët mundoheshin me të shpejtë ta freskojnë me ndonjë pikëz uji në mënyrë që ta vazhdojnë rrugën, sepse xhandarët malazezë e vritnin atë që nuk ecte.
Kolona e gjatë pa shkëputje e popullatës shqiptare nga Lugu i Baranit kishte arritur deri te ” Kërshllatë ” afër urrës së ” n’Guri-t ” në Pejë, e që në po atë kohë edhe kolonat nga anët tjera, iu kishin afruar qytetit.
Në oborr të patrikanës së Pejës qëndronte një stufë cilindrike që vazhdimisht ndizej me dru dhe nga temperatura e zjarrit skuqej. Stufa e kishte rolin e një makine për t’i munduar shqiptarët, ishte e gatshme për ata që nuk do të pranonin të konvertoheshin në pravo-sllavë, duke i detyruar ta përqafonin atë në gjendje të skuqur, e që prej saj do t’iu digjej lëkura e trupit, fytyrës dhe e duarve.
Për këtë mu kujtua një bisedë e hershme e vitit 1989 me Ibush Blakën që në atë kohë e kisha koleg pune. Ai tregonte rastin e dajës së vet që me profesion kishte qenë hoxhë. Ai në vitin 1913 e kishte kundërshtuar konvertimin. Pas detyrimit të përqafimit të stufës së skuqur, pas shumë kohësh shërimi ishte detyruar ta ruajë gjysmën e mjekrës së mbetur, meqë ana tjetër e lëkurës së fytyrës i ishte djegur dhe nuk i dilnin qimet për të mbajtur mjekër.
Nëpër tortura të ngjashme sikurse hoxhallarët kishin kaluar edhe priftërinjtë shqiptarë.
Në marsin e vitit 1913 malazezët hyjnë në kishën katolike të famullisë në Gllogjan të Pejës, ku në atë kohë famullitar i saj ishe Zotëri Luigj Pali.
Pas shumë presioneve të pasuksesshme nga xhandarët dhe paramilitarët malazezë për ta konvertuar në pravo-sllav, ata e torturojnë At Luigjin me metoda më çnjerëzore. Mundohen ta detyrojnë të bëjë kryq sipas mënyrës sllavo-ortodokse me tre gishtërinj, por At Luigj Pali asnjëherë nuk ligështohet nga torturat që ia bënë.
Duke e vërejtur se nuk po u bindet xhandarëve, detyrimisht e marrin famullitarin me vete për ta dërguar te kallogjerët e popët, për ta bindur. Edhe detyrimi i këtyre nuk pati sukses që famullitari të bëjë kryq në mënyrën ortodokse që të konvertohet në pravo-sllav.
Për këtë mosbindje e njoftuan patriarkun, i cili iu tregoi që për kokëfortët katolikë ekziston një ” mënyrë ” që vetë të bëjnë kryq si pravo-sllavët pa e detyruar askush. Pas këtyre fjalëve xhandarët e hidhëruar e afrojnë At Luigjin pranë tavolinës dhe ia qesin dorën mbi të. Me këtë rast famullitarit të kishës katolike të famullisë së Gllogjanit, At Luigj Palit ia këpusin me thikë dy gishtërinjtë e vegjël të dorës së djathtë, me preferencë të patriarkut të Pejës, në mënyrë që kur të bëjë kryq, këtë ta bëjë detyrimisht me tre gishta si ortodoksët.
Edhe përkundër këtij veprimi, famullitari At Luigj Pali nuk u gjunjëzua para patriarkut pravo-sllav, prandaj xhandarët malazezë më në fund e ekzekutojnë me pushkatim.
Për këto veprime të malazezëve, e në veçanti për rastin e famullitarit të Gllogjanit, pas një kohe jo të gjatë u dëgjua nëpër qarqet e kishës katolike deri në Vatikan. Pas këtij rasti, përmes kanaleve diplomatike, Austro-Hungaria intervenon dhe malazezët detyrohen ta ndërpresin konvertimin e shqiptarëve në pravo-sllavë në përmasa të gjëra, mirëpo dhuna ndaj shqiptarëve përsëri do vazhdojë, por me intensitet të zvogëluar dhe me raste individuale.
Mali i Zi për ta gënjyer opinionin ndërkombëtar formon disa komisione për t’i shqyrtuar kinse rastet, gjëja për të ndërmarrë masa kundër keqpërdoruesve të pushtetit.
Në anën e Deçanit kishte arritur një nga komisionet qeveritare malazeze dhe i kishte mbledhur krerët shqiptarë për t’i prezantuar ankesat ndaj pushtetarëve malazezë. Shqiptarët e dinin se e gjithë kjo është ” farsë ” sa për sy e faqe. Njeri nga krerët e mbledhur që vendasit e konsideronin shumë të mençur, e merr fjalën për diskutim. Përkundër asaj që pushtetarët malazezë kishin bërë zullum të madh ndaj kësaj popullate, ai në atë mbledhje i lavdëron ata për mirësjellje ndaj shqiptarëve dhe bashkëpunim të ngushtë me popullatë.
Shqiptarët tjerë të pranishëm në atë mbledhje kishin filluar të dyshojnë në bashkëvendësin e vet për bashkëpunim me okupatorin për shkak të prezantimit të tillë.
Në anën tjetër, pas këtyre fjalëve lavdëruese, komisioni kishte filluar të dyshojë në pushtetarët e vet, se detyrën e dhënë nuk e kanë kryer sipas urdhrave të qeverisë, por qenkan korruptuar, prandaj këta qeveritarë malazezë urgjentisht i shkarkojnë nga detyra në këtë lokalitet dhe i sjellin të tjerët për të qeverisur në Deçan. Pas këtij rasti deçanasit e kuptuan dredhinë e mençur që ua kishte kurdisur bashkëvendësi i tyre, qeveritarëve malazezë.
Qeveria malazeze për t’i thjeshtuar krimet e bëra dhe për t’i bindur të tjerët e në mes tyre edhe Austro-Hungarinë se veprimet e ndërmarra i kishte bërë për t’i çarmatosur shqiptarët, referon se në Pejë, Gjakovë, Plavë e Guci kishin grumbulluar prej shqiptarëve të këtyre vendeve 13.102 pushkë nga të cilat vetëm në Pejë 9.325 copë.
Në këso raportesh qeveritarët malazezë kishin shënuar lloje të ndryshme trillimesh, se gjoja e gjithë kjo ishte kryer me vullnetin e shqiptarëve, se shqiptarët vullnetarisht po ktheheshin në fenë e të parëve, se po respektohej liria e fjalës, liria e fesë dhe se gjoja keqpërdoruesit e pushtetit po shkarkoheshin nga detyra aty ku popullata ishte e pakënaqur me ta.
Mirëpo pas reagimeve të priftërinjve katolikë, vice konsulli austro-hungarez nga Prizreni proteston ashpër kundër veprimeve të tilla dhe iu qet në pah gënjeshtrat e trillimet dhe dredhitë e malazezëve.
Shqiptarët asnjëherë nuk u pajtuan me gjendjen robëruese, prandaj edhe në këtë periudhë kohore një numër shqiptarësh dalin kaçakë për t’i parandaluar krimet e pushtuesit. Mirëpo, malazezët për çdo xhandar apo paramilitar të vrarë, e digjnin fshatin dhe i pushkatonin burrat e atij vendi më të afërt në të cilin kishte ndodhur vrasja, nën pretekst se i kanë strehuar kaçakët. Ka raste kur malazezët nuk kanë shikuar as moshë, e as gjini, por i kanë lidhur dora dorës me tel rreth mullarit të sanës, pleqtë, gratë dhe fëmijët, e pastaj ia kanë futur flakën, duke i djegur për së gjalli.
Në atë vit Serbia e anekson Rrafshin e Kosovës dhe Prizrenin derisa Mali i Zi i anekson pjesët tjera të Rrafshit të Dukagjinit. Ushtria serbe gjatë depërtimit në regjionin e Lumes do të përdorë taktikën luftarake të ” tokës së djegur ” duke i bërë shkrumb e hi vendbanimet e tëra dhe duke bërë masakra të papara në pleq, gra e fëmijë. Numri i të pushkatuarve e të masakruarve shqiptarë në atë vit do ta kalojë shifrën prej 25.000 vetave.
Torturat ndaj shqiptarëve kanë vazhduar në forma të ndryshme edhe pas atyre viteve të okupimit, me qëllim të pastrimit të territoreve nga shqiptarët.