E marte, 06.05.2025, 03:15 AM (GMT+1)

Speciale

Monet Maneshi: Kolonizimi italian i Shqipërisë dhe pushtimi fashist i vendit

E enjte, 07.04.2011, 08:00 PM


Italia e Musolinit: Une te dua, te kam xhan. Shqiperia e Zogut: Edhe une te dua, sic je.
Italia e Musolinit: Une te dua, te kam xhan. Shqiperia e Zogut: Edhe une te dua, sic je.
Kronikë zogolliane nga shtypi evropian i kohës -

 

Kolonizimi italian i Shqipërisë dhe pushtimi fashist i vendit

 

Përgatitur nga Monet Maneshi

 

Në vijim të shkrimit tonë të djeshëm “Atentati kundër Mbretit Zog dhe Martesa e tij” po botojmë nga Gazeta “Humanité” e datave 1-2 maj 1938, rubrikën “Katastrofë ajrore”, ku vihet në dukje se duke u kthyer nga Tirana, një avion tremotorësh geant (gjigand) përplaset në tokë në Itali. – 19 vetë të vdekur.

“Dje, trimotori italian Savoia Marchetti 73, që po kthehej nga Tirana me personalitete të ndryshme e me gazetarë që kishin marrë pjesë në martesën e Mbretit Zog, u përplas në tokë midis Napolit e Romës. 19 personat që ndodheshin në të gjetën vdekjen.

Avioni i linjës Tiranë-Romë ra në luginën Maranola, rreth 4 km larg Formias dhe mori flakë. 5 anëtarët e ekuipazhit dhe 14 pasagjerët u karbonizuan. Aksidenti, sipas informatave nga Roma u shkaktua për pasojë të mjegullës në fillim të pasdites”. 

 

Revista Affaires Etrangères e 25 janarit 1932, në kronikën Albanie - Rreth procesit të Tiranës, vë konkretisht në dukje:

“Kur shtypi i huaj botoi konkretisht një telegram nga Tirana për të lajmëruar arrestimin e disa personaliteteve shqiptare, opinioni publik evropian nuk i vuri shumë rëndësi, duke e konsideruar një çështje politike ndër shumë të tjera. Në pamje të parë, nuk vihej në dyshim përmbajtja lakonike e një komunikate zyrtare që fshihte  përmasën e vërtetë të një ngjarjeje prapa së cilës nuk ishte e vështirë të parandihej një lëvizje e përgjithshme opozitare.

Në fakt, arrestimet në masë të bëra në Valona, Argirokastro, Korica, Berat, Skutari dhe në vetë Tiranën, domethënë në të gjitha rajonet e Shqipërisë, sa në Qendër e në Jug, aq edhe në Veri, tregojnë se nuk kemi të bëjmë me fakte të izoluara, por me një organizim kolektiv, që në vetvete nuk është gjë tjetër veçse shprehje politike e një lëvizje të gjerë popullore.

Gati 180 persona u arrestuan: 50 u dërguan në Gjykatën e posaçme të ngritur në Tiranë. Numri dhe cilësia e të akuzuarve tregojnë rëndësinë e kësaj ngjarjeje dhe përmasën që ajo kishte marrë.

Sipas versionit zyrtar, shkaku i këtyre arrestimeve ka lidhje me veprimtarinë minuese të të akuzuarve ndaj regjimit të sotëm. Veçse organizata nacionaliste në të cilën ata merrnin pjesë nuk daton nga dita e djeshme, por është e hershme. Të paktën, ka dy vjet që qeveria shqiptare e njeh dhe kontrollon veprimtarinë e saj. Nuk mund të mohohet po ashtu se Mehmed Konica, që luan në Shqipëri një rol të dorës së parë dhe Koço Kota, kryetar i parlamentit dhe ish kryetar i këshillit bëjnë pjesë në të.

Por arsyeja e vërtetë e këtyre arrestimeve duhet të kërkohet në shqetësimin e qeverisë shqiptare përpara suksesit në rritje të kësaj organizate që gjen një mbështetje përherë e më të madhe tek njerëzit e popullit, madje edhe tek funksionarët e shtetit, të pakënaqur si njëra palë dhe tjetra nga gjendja ekonomike e vendit si dhe nga orientimi i përgjithshëm i politikës qeveritare.

Pas një borxhi prej 50 milionë të marrë më 1925 dhe pas traktateve të Tiranës më 1926 e 1927, ekzistenca e Shqipërisë u lidh me atë të Italisë. Duke u mbështetur mbi administratën shtetërore dhe duke përdorur së tepërmi mjetet materiale, italianët morën nën kontroll ushtrinë, shërbimet publike, jetën ekonomike dhe arsimin publik...

Shqetësimit politik në rritje i shtoheshin edhe vështirësitë e mëdha të karakterit ekonomik. Kohët e fundit gazeta Times botoi disa të dhëna për mënyrën se si Shqipëria arrin ta përballojë krizën e sotme. Jo vetëm ka pësuar pasojat e krizës botërore, por vuan për më tepër edhe pasojat e një viti bujqësor shumë të keq.  Paraja është bërë e rrallë dhe e shtrenjtë, bujku përherë e më me vështirësi i shet prodhimet e veta, djathi shqiptar, që blihej nga Amerika për një shumë të konsiderueshme prej 397.000 dollarësh nuk mund të depërtojë më në tregun amerikan si pasojë e tarifave doganore parandaluese. Po kështu edhe gjalpi shqiptar që ndesh me konkurrencën e Rusisë. Traktatet në fushën e tregtisë midis Bullgarisë dhe Turqisë nga njëra anë dhe Greqisë nga ana tjetër kanë ndihmuar që produktet e blegtorisë shqiptare të humbasin tregjet e tyre në Greqi. Shitja e duhanit ka rënë në tregun e brendshëm dhe prodhuesit gjithandej paguhen shumë keq. Kanë ende pa shitur duhanin e mbledhur më 1930. Industria e ullirit po vuan përherë e më shumë nga ngricat dhe nga tarifat doganore italiane. Në fakt, duke qenë se Italia i shtoi të drejtat e veta për vajin e ullirit, Shqipërisë nuk i mbetet tjetër veçse të dërgojë ullinj në Itali, gjë që sjell domosdo më pak fitime, pa folur nga ana tjetër për uljen e çmimeve të blerjes. Po ashtu, bilanci i tregtisë së jashtme nuk është aspak i kënaqshëm. Eksporti ka qenë 12.352.063 franga ar më 1930 dhe 7.509.000 më 1931. Importi më 1930 kapte shifrën 33.388.900 dhe më 1931 shkonte në 29.513.300 franga ar.  E vetmja e ardhur buxhetore e sigurt është huaja prej 10.000.000 franga ar dhënë nga Italia.

Është paradoksale që me një gjendje të tillë financiare dhe ekonomike, gati gjysma e buxhetit të shtetit kalohet për shpenzime ushtarake.

Sot Kuvendi shqiptar është shpërndarë dhe dihet që procesi gjyqësor përfundoi më 16 shtator me 7 dënime me vdekje, 14 burgime të përjetshme dhe të tjerët, me masa dënimi të ndryshme. Të dënuarit janë intelektualë që i përkasin shtresave të ndryshme shoqërore. Ka midis tyre avokatë, mjekët, ish oficerë, madje edhe funksionarë të lartë. Janë njerëz, e shkuara e të cilëve ka provuar se janë shqiptarë patriotë. Nuk e fshehin se janë nacionalistë dhe se kanë për ideal pavarësinë e plotë të Shqipërisë. I përhapën hapur idetë e tyre, duke qenë kështu shprehës të drejtpërdrejtë të ndjenjës kombëtare...

 

Revue de Droit International, 1933 në rubrikën Politikë, nën titullin “Pavarësia e Shqipërisë”, nënvizon:

“Sapo u likuidua çështja e huasë austriake, gazetat lajmërojnë se, me sa duket, janë kryer bisedime midis Italisë e Shqipërisë. As i pohuar, as i mohuar, ky lajm ka shkaktuar njëfarë emocioni në qarqet politike.

Një lajm nga agjencia Havas, ardhur nga Vjena dhe jo nga Tirana, vë në dukje se nga fundi i muajit dhjetor 1932, Italia dhe Shqipëria ishin gati të nënshkruanin bashkimin doganor. Mirëpo, sipas lajmeve nga Roma, bëhej fjalë thjesht për një traktat tregtie. Gazeta Politika e Beogradit nuk ngurroi të përmendë për këtë çështje precedentin austro-gjerman. Qëndrimi i shtypit francez e anglez ishte po ashtu kundër realizimit të projektit italian. Në Journal des Débats, Z. Pierre Brnus shkruante se një bashkim doganor italo-shqiptar do të thoshte gllabërim përfundimtar i Shqipërisë nga Italia. Për këtë arsye, mendonte ai, çështja duhet t’i interesojë jo vetëm Jugosllavisë, por krejt fuqive të tjera. Qarqet diplomatike angleze po ashtu ishin alarmuar nga orvatjet e Italisë për t’i imponuar Shqipërisë, nëpërmjet bisedimeve tregtare, një bashkim të vërtetë doganor, përndryshe Italia kërcënonte me zhdukjen e çdo ndihme financiare.

Ndër shkaqet që shtynë Italinë të paraqesë një projekt të tillë u përmend ripërtëritja kohët e fundit e paktit franko-jugosllav. Duke qenë se mbreti Zog nuk e ripërtëriti Paktin e Tiranës, fuqishmëria juridike e të cilit përfundoi në nëntor 1932, politika italiane në Ballkan po  komprometohej rëndë. Duke i imponuar Shqipërisë një bashkim doganor, Italia kërkon në këtë mënyrë të shpëtojë pozitat e veta në Ballkan.  Ky ka qenë mendimi i përgjithshëm në Francë lidhur me këtë çështje...

Çka i jepte peshë të veçantë propozimit italian ishte pamundësia në të cilën ndodhej qeveria shqiptare për të siguruar shërbimin e huasë italiane. Sipas gazetës Politika të Beogradit të 4 janarit 1933, Italia, me sa duket, e ka vënë qeverinë e Tiranës  përpara kësaj dileme: ose të derdhë 8 milionë franga ar që përfaqësojnë kamatën vjetore të huasë, ose të dorëzojë plotësisht vendin për shfrytëzim italian. Këto dyshime s’ka si të mohohen përderisa Times, që nuk mund të rrinte indiferente ndaj kësaj çështjeje, botoi në fillim të muajit janar një telegram mjaft alarmant të korrespondentit të vet në Athinë, me këtë përmbajtje:

Kam marrë vesh nga burim i sigurt se si kompensim për interesat e sotme të borxhit prej 50 milionë lirash të dhëna qeverisë shqiptare, italianët kërkojnë t’u jepet një koncesion në rrethin e Myzeqesë, konkretisht në rajonin e grykëderdhjes së Semanit, me qëllim që të vendosin aty kolonë italianë”.  

Në vazhdën e lajmeve po të ngjashme, gazeta Manchester Guardian e 5 janarit, botoi një artikull të bujshëm, nga i cili po japim pjesën themelore:

Italia e ka lidhur Shqipërinë pas vetes nëpërmjet traktateve të Tiranës dhe huave që ka dhënë dhe Tirana nuk mund të sigurojë shlyerjen e interesave. Italia ka realizuar në këtë mënyrë sundimin ekonomik të një vendi të prapambetur; ka ndërtuar rrugë që, në rast lufte me Jugosllavinë do t’i shërbenin së tepërmi.

Miratimi i një bashkimi doganor italo-shqiptar  s’ka si të jetë një bllok ekonomik mossulmues. Në fund të fundit, do të përmbyllte tërësisht procesin e protektoratit që Italia ka vendosur në Shqipëri, duke krijuar një rrezik pafundësisht më të madh për paqen evropiane nga  manifestimet thjesht alarmiste në Dalmaci”.

Në tërë këtë çështje, Shqipëria nuk kish kurrgjë ç’të fitonte, ndërkohë që humbiste gjithçka. Dhe Zogu kish të drejtë të kundërshtonte propozimin italian, ndërkohë që Shqipëria festonte njëzet vjetorin e pavarësisë së saj. Sepse në 28 nëntor të vitit të shkuar, pikërisht njëzet vjet më parë, i ndjeri Ismael Kemal Vlora ngriti me përkrahësit e vet në Valona flamurin e Shqipërisë së lirë. Dhe ja ku kemi një përkim të çuditshëm...

 

Correspondance d’Orient, shkurt 1935, në rubrikën Albanie, marrëdhëniet italo-shqiptare, vë në dukje: 

“Duke bërë një paraqitje të gjendjes së brendshme të Shqipërisë, qëkurse mbreti Zog bëri zap revoltën e Abdurahman Krosit, si dhe atë të Muharrem Bajraktarit, një revoltë kjo akoma më serioze, revista italiane Affari Esteri nuk mungon të shprehë gëzimin e saj tek sheh marrëdhëniet midis Italisë e Shqipërisë të bëhen edhe më të përzemërta.

Koncesioni i një fondi prej tre milionë franga ar nga ana e Italisë për Shqipërinë është prova më e mirë.

“Ndaj mbretërisë së vogël të Adriatikut, shkruan revista, Italia nuk ka synim tjetër përveç ruajtjes së pavarësisë dhe sovranitetit të saj kombëtar. Shqipëria asnjë herë nuk ka gjetur e nuk do gjejë një qëndrim të tillë dhe një bashkëpunim të tillë  tek popujt e interesuar fqinj apo tek ata më të largët. Përkundrazi, nëse flasim për interesa materiale të Italisë në krahasim me Shqipërinë, këto interesa përputhen pikërisht me forcimin gradual të pavarësisë shqiptare.

Qëndrimi vendimtar dhe energjik i Zogut duhet të nxis logjikisht një organizim të plotë ministerior. Nga ana tjetër, ardhja në Romë e një misioni shqiptar ngarkuar nga sovrani për të negociuar me Italinë një traktat tregtie është më se e mundshme.

“Më në fund, zhvillimi i ri i marrëdhënieve italo-shqiptare mund të sjellë për pasojë edhe bashkëbisedimet me Selinë e Shenjtë për vendosjen e një konkordati, i cili, kuptohet, do të zgjidhte problemin e debatueshëm shkollor”.

 

Po ky organ, një muaj më vonë, në mars 1935, nënvizonte në rubrikën Albanie:

Shqipëria jep shanse të mëdha për t’u bërë pika më e rrezikshme e kontinentit, deklaron korrespondenti i Daily Telegraph (8-2) në Evropën Qendrore.

Prapa episodit të kohëve të fundit të intrigave dhe largimit të Muharrem Bajraktarit, kryeoborrtarit të Zogut, fshihet rivaliteti që ekziston midis Italisë e Jugosllavisë. Italia i ka dhënë kredi Shqipërisë, që kishte nevojë për t’u modernizuar, por këto kredi synonin në radhë të parë ta bënin Shqipërinë:

“një pikënisje për operacionet ushtarake, një Gjibraltar që mund të shërbente për mbytje të flotës jugosllave në Adriatik. Dhe pikërisht sepse Shqipëria donte të rezistonte duke e kuptuar këtë qëllim, papritur u ndal krejt ari që derdhte aty Italia. Shqipëria ka ndërmarrë një luftë të heshtur për të fituar pavarësinë e saj. Italia, në fakt, vëzhgon nga afër dhe pandeh se mund ta nënshtrojë Shqipërinë me uri. Dhe Shqipërisë i mbetet tjetër veç të shtrëngojë rripin”.

Mbreti Zog kundërshtoi të ripërtëritë përfundimin e traktatit të Tiranës, që i jepte Italisë të drejta të veçanta. Veçse ndalimi i menjëhershëm, si rrjedhojë, i mjeteve financiare do të ketë pasoja të rënda për ekonominë shqiptare. Do shohim.

 

Gazeta Humanite e 5-6 prillit 1939, me germa të mëdha në faqe të parë jep lajmin : A po përgatitet Musolini të zbarojë në Shqipëri? – 200.000 ushtarë italianë janë grumbulluar në portet e Barit dhe  të Brindisit.

“Musolini kërkon t’i imponojë Shqipërisë “protektoratin” e vet. – Gjenevë 5 prill: Përfaqësuesi i zyrës së shtypit shqiptar në Gjenevë, ishte i autorizuar telegrafikisht këtë mëngjes nga qeveria e tij për të bërë të ditur se:

1. nuk është e vërtetë se një pushtim i çfarëdoshëm e territorit shqiptar mund të bëhet me pëlqim të mbreti;

2. nuk është e vërtetë që qeveria shqiptare mund të pranojë një masë të çfarëdoshme që mund të cenonte pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë.

Shqetësim në Londër  - Pavarësisht nga përgënjeshtrimet e ardhura nga Roma e Tirana, gazetat angleze të këtij mëngjesi vazhdojnë të flasin për mundësinë e një zbarkimi të trupave italiane në Shqipëri, sot apo nesër. Sipas disa organeve të shtypit britanik, skuadrilje avionësh kanë mbërritur tashmë në territor shqiptar.

Në Romë, lajmi i dhënë nga Radio Bari se me “kërkesën” e mbretit Zog kanë filluar bisedimet midis Romës dhe Tiranës për forcimin e aleancës mbrojtëse italo-shqiptare, ka ngjallur në tërë qarqet një interes në rritje, aq sa të gjithë janë sy e veshë prej njëzet e katër orësh lidhur me zhurmën e përhapur rreth zbarkimit iminent të trupave italiane në Shqipëri.

Makinacionet italiane të zbuluara – Redaktori politik i gazetës Daily Herald, komentoi pikëpamjen e Z.Musolini që përpiqet të korrë një sukses diplomatik si kundërpeshë e fitoreve të partnerit të tij të Boshtit.

“Nuk do jetë as një invazion, as një agresion. Mbreti Zog i Shqipërisë, nën presionin e aleatit të vet italian do kërkojë ndihmë që Italia s’ka si t’ia kundërshtojë. Ky vend i vogël do bëhet kështu protektorat italian. Mbreti Zog është paralajmëruar se po të mos pranojë të kërkojë mbrojtjen italiane ndaj rreziqeve që vijnë gjetiu”, rreziqe këto krejt imagjinare, “do të akuzohet atëherë për intriga komuniste, që komprometojnë pavarësinë e vendit dhe të fronit të tij.”

“Përpara kësaj akuze, mbretit shqiptar s’i mbetet veç të dorëzohet dhe t’i ftojë vetë aleatët italianë për të pushtuar mbretërinë e tij”...

Lindja e një princi trashëgimtar -  Njëqind e një të shtëna topi lajmëruan dje në Tiranë lindjen e princit trashëgimtar.

 

Gazeta franceze le Petit Parisien 9 prill 1939, pushtimi i Shqiperise
Gazeta franceze le Petit Parisien 9 prill 1939, pushtimi i Shqiperise
Gazeta Le Petit Parisien e datës 8 prill 1939 jep me germa të mëdha në faqe të parë lajmin:

Pushtimi italian i Shqipërisë është i plotë – Pasi pushtuan Tiranën, trupat e Duçes, vunë me shpejtësi nën zotërim qendrat e tjera të rëndësishme të vendit. Mbreti Zog është strehuar në Selanik. Konti Ciano mbërriti në kryeqytetin shqiptar për të organizuar protektoratin. Sot bashkohet me të edhe Z. Musolini.

Në rrugën drejt Tiranës, ura “Zogu” u hodh në erë nga shqiptarët për të vonuar marshimin e trupave italiane drejt kryeqytetit. 

Në artikullin e tij kushtuar pushtimit fashist të Shqipërisë, Lucien Bourges thekson ndër të tjera:

“ Fati i Shqipërisë u zgjidh në mënyrë “të rrufeshme”, shprehje kjo që Duçja e ka fort për zemër. Trupat italiane që dje në mëngjes hynë në Tiranë. Më pas, u përhapën me shpejtësi në pjesët e tjera të territorit shqiptar. Lajmet që vijnë tani nga teatri i operacioneve janë tërësisht nga burime italiane. Nuk mund të përcaktohet me saktësi shkalla e qëndresës që kanë hasur trupat e pushtimit. Por me sa duket, forcat dërrmuese të Musolinit spastruan gjithçka ngjatë marshimit të tyre. Mbreti Zog nuk rezistoi as edhe një ditë përpara presionit të fuqishëm të avionëve, tankeve e topave italiane. Flitet sa ka shkuar të strehohet në Greqi, ku është bashkuar në Selanik me mbretëreshën Geraldinë dhe princin e ri, foshnje e sapolindur”...

 

Po kjo gazetë, më 14 prill 1939 boton të plotë artikullin e Edmond Demaitre, gazetarit francez të dërguar në Shqipëri posaçërisht për ngjarjet. Nga Korça, ai telegrafon ndër të tjera më 13 prill:

“Pushtimi i zonave bregdetare ka përfunduar, por në hinterlandin e Shqipërisë, banorët trima vazhdojnë të djegin aty këtu fishekët për të penguar me jetën e tyre përparimin e trupave fashiste në qafat e vendit të skipetarëve. Dhe rastësia më shërbeu më së miri: në çastin kur po kaloja kufirin jugosllav, ndesha anëtarët e ish qeverisë së Shqipërisë që po merrnin rrugën e mërgimit. Falë tyre, ja ngjarjet që kanë ndodhur dhe faktet e kësaj historie dramatike të mbretërisë shqiptare që nga martesa dhe arratisja e mbretit gjer në bombardimin e Durazzos dhe shembjen përfundimtare. Po t’u zë besë informatorëve të mi, mosmarrëveshjet e para filluan midis mbretit Zog dhe Romës që me rastin e martesës. Duke dashur të forconin nëpërmjet lidhjeve familjare miqësinë që bashkonte mbretin e shqiptarëve me udhëheqësit italianë, këta të fundit zgjodhën për të një vajzë që i përkiste aristokracisë së vjetër të romanizuar, lidhur gjithashtu me një familje anëtarët e së cilës zënë poste të rëndësishme në hierarkinë fashiste. Për fat të keq kandidatura nuk u pëlqye, duke mos qenë në shijen e Zogut, që bëri gjithçka për të kompromentuar planet martesore të protektorëve të vet... Qeveria fashiste e konsideroi nga ai çast mbretin Zog si një përkrahës e aleat jo shumë të sigurt për ta, duke parë te ai një dëshirë jo fort të fshehur për t’u shkëputur në rastin më të parë nga tutela e fqinjit të fuqishëm...”

 

Gazeta Humanité e datës 14 prill 1939 nën titullin Në Shqipëri, pushtuesit italianë hasin ende vështirësi, vë në dukje:

Londër 13 prill: Sipas të dhënave ardhur në Londër dhe që i boton Star, refugjatët shqiptarë vazhdojnë të vijnë në numër të madh në Jugosllavi. Pranohet nga ana tjetër zyrtarisht në Tiranë, se trupat italiane nuk kanë arritur të pushtojnë rajonet malore të zonës kufitare. Nga Beogradi sinjalizohet se pjesa më e madhe e popullsisë mashkull e Shqipërisë mungon nëpër fshatra, gjë që do të thotë se ajo po organizohet nëpër çeta. Italianët janë penguar të përparojnë në pjesën juglindore të vendit, domethënë në rajonin përreth liqenit të Okhridës...

Po ashtu, gjendja është konfuze në Veri. Përreth Skutarit e Alesios [Lezhë] fiset katolike mirditase që përherë i kanë shpëtuar pak a shumë autoritetit të qeverisë së Tiranës dhe të mbretit Zog, sulmuan dhe çarmatosën mbeturina të ushtrisë shqiptare zogolliane në tërheqje. Forcat lokale të qëndresës përbëhen nga fiset malësore të Matit, në Veri-Lindje të Shqipërisë. 



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Gani Qarri: Tivari, ky Varr masiv i asgjësimit të shqiptarëve Baki Ymeri: Studentët shqiptarë të Rumanisë dhe veprimi i tyre patriotik Monet Maneshi: Atentati kundër Mbretit Zog dhe Martesa e tij Monet Maneshi: Vrasja e Ceno begut, kurorëzimi i mbretit Zog dhe një shkrim i panjohur i Fan Nolit Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (V) Ilia S. Karanxha: Personaliteti i Nikolla Leonik Tomeos në artin rilindas italian Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (IV) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (III) Fotaq Andrea: Edit Durham, Xhonturqve, në gusht 1911: “Ju e humbët përgjithnjë Shqipërinë” Petrit Laurence: Mitrovica (Sirminum) Kryeqytet i Ilirisë Ilia S. Karanxha: Luka Ulqinaku, Bernardino de Vitali dhe ballina e Historisë të Skënderbeut Tefik Ramadani-Qarri: ''Demonstratat e vitit 1981, përmbysen idenë e Jugosllavizmit'' Besim Muhadri: A ishte vrasja e Emin Durakut pjesë e skenarëve të komunistëve serbë dhe të shërbëtorëve të tyre në Kosovë? Ilia S. Karanxha: Botimi i Historisë së Skënderbeut nga Marin Beçikemi (Barleti) Sherif Sherifi: Petriti (Petroci) para, gjatë dhe pas luftës Nafi Çegrani: Depërtimi agjenturor i UDB-së ndër shqiptarë Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (II) Fritz Radovani: Dedë Gjo’ Luli Nafi Çegrani: Si u tradhëtuan Gjon Sereçi dhe Ibrahim Lutfiu Idriz Zeqiraj: Analizë faktike dhe historike të një epoke

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx