Speciale
Monet Maneshi: Atentati kundër Mbretit Zog dhe Martesa e tij
E merkure, 06.04.2011, 07:59 PM
Kronikë zogolliane nga shtypi evropian i kohës -
Cifti mbreteror dhe konti Ciano
Atentati kundër Mbretit Zog dhe Martesa e tij
Përgatitur nga Monet Maneshi
Gazeta Figaro e 21 shkurtit 1931, nën titullin Në Vjenë, mbreti i Shqipërisë shpëtoi dje nga një atentat, jep këtë kronikë:
Ja hollësitë rreth atentatit të kryer dje në darkë në Vjenë kundër mbretit të Shqipërisë Ahmed Zogut.
Sipas korrespondentit Agence Sud-Est, në kryeqytetin austriak, mbreti shqiptar, që kish marrë pjesë në Opera, në shfaqjen Paillasse, po dilte nga Opera shoqëruar nga disa anëtarë të shpurës së tij. Sapo grupi u shfaq në dalje të godinës së Operas, tre të panjohur qëlluan me të shtëna revolveri në drejtim të tij. Majori Topoley, marrshall i Oborrit ra i vdekur në vend. Edhe një oficer i dytë i shpurës mbretërore u plagos rëndë. Mbreti nuk u prek.
Të shtënat shkaktuan një panik në turmën e spektatorëve dhe në çast u përhap lajmi se mbreti ishte vrarë dhe se ishte plagosur rëndë edhe Z. Rade, këngëtari i famshëm i Operas që sapo kishte dalë nga shfaqja po atë çast. Por shpejt e vërteta u vu në vend.
Mbreti u kthye me automobil në Hotelin Perandorak ku ka dhomat e tij.
Dedektivë të lidhur me personin e tij u vunë menjëherë në lëvizje për kapjen e vrasësve. Kemi të bëjmë me studentë shqiptarë. Një proces hetimor u hap menjëherë për të mësuar nëse atentati ishte drejtuar vetëm ndaj mbretit apo edhe ndaj anëtarëve të tjerë të shpurës.
Lajmi u përhap menjëherë në qytet dhe bëri përshtypje të madhe në qarqet politike.
Po kjo gazetë, në datën 22 shkurt 1931, me titullin Atentat kundër mbretit të Shqipërisë, boton kronikën e mëposhtme:
Vjenë 21 shkurt – Pasi kaloi natën në Hotelin Perandorak, ku u kthye dhe ku priti vizitën e Z.Schober, ardhur për t’i paraqitur gëzimin e tij për shëndetin e mirë si dhe keqardhjen qeverisë austriake për gjithë sa ndodhi, mbreti Zog kërkoi një mjek.
Këtë mëngjes, mbreti vuan nga një depresion nervor disi i rënduar dhe ka ndenjur në shtrat. Masa të posaçme ruajtjeje janë marrë nga policia.
Sovrani i telegrafoi këtë pasdite së ëmës në Tiranë, duke i thënë se kishte qenë mrekulli që shpëtoi nga vdekja, për të mirën e popullit të tij.
Thuhet se mbreti Zog do të largohet nga Vjena për dy-tre ditë dhe do shkojë buzë liqenit të Komos [Itali], ku do qëndrojë në një vilë që i është bërë dhuratë nga Musolini kohët e fundit.
Gazeta le Petit Prisien e datës 22 shkurt 1931, nën titullin Autorët e atentatit kundër Ahmed Zogut janë dy shqiptarë, shkruar nga Marcel Dunan, nënvizon:
Vjenë, 21 shkurt – Agresorët : Kombësia shqiptare e vrasësve është tashmë jashtë çdo dyshimi. Njëri quhet Ndok Gjelhoshi, ish oficer i ushtrisë shqiptare lindur në Skutari, katolik, i martuar prej dy vjetësh në Vjenë, ku banon me të shoqen. Tjetri është kapiteni Azis Cani, lindur më 1893 në Vlat të rajonit të Gjirokastrës, muhamedan e beqar. Që të dy deklarojnë se kishin qëllim të vrisnin mbretin sepse e konsideronin tradhtar ndaj kombit shqiptar, fajtor për rrënimin e vendit. Si njeri dhe tjetri pohojnë se nuk kanë bashkëpunëtorë dhe se kanë vepruar njëfarësoj rastësisht, në çast të fundit, kur panë që karroca e mbretit u ndal para Operas. Azis Cani fillimisht ka qenë mik dhe përkrahës i mbretit, por është zënë me të para disa vitesh dhe më në fund pranoi se kishte diskutuar për planin me bashkëfajtorin e tij dy ditë më parë te kafeneja e Operas. Por megjithatë këmbëngul se vetëm në çast të fundit e morën vendimin për të kryer atentatin...
Tërë shtypi komentoi këtë mëngjes me indinjatë atentatin, duke kërkuar që Vjena të çlirohet nga prania e tërë emigrantëve politikë që kanë kryer komplote kundër shteteve, sovranëve apo ministrave të huaj...
Gazeta javore Etoile A.E.F., e datës 10 tetor 1931, nën titullin Atentat kundër mbretit Zog
vë në dukje:
Vjenë 6 tetor – Gjykata e Ried (Austri e Sipërme) dha vendimin e saj ndaj dy shqiptarëve që u orvatën të vrasin mbretin Zog të Shqipërisë përpara Operas së Vjenës, atentat që shkaktoi vdekjen e kryeoborrtarit të mbreti. Njëri nga atentatorët u dënua me shtatë vjet burgim me punë të rëndë të detyruar, kurse tjetri, tre vjet.
Gazeta Ouest Eclair e 4 shtatorit 1928, nën titullin Mbreti i Ri i Shqipërisë do të martohet me një princeshë italiane, vë në dukje:
Jemi vënë në dijeni se menjëherë pas kurorëzimit të tij, mbreti i Shqipërisë Ahmed Zogu do të shkojë në Romë për një takim me Papën, me qëllim që të marrë prej tij lejen për t’u martuar me princeshën Giovanna të Italisë.
Në fakt, Ahmed Zogu është mysliman, kurse princesha Giovanna është katolike. Dhe le të sjellim ndër mend se para disa muajsh është bërë fjalë për martesën e princeshës me mbretin Boris të Bullgarisë.
Gazeta la Tribune du Madgascar, 14 shtator 1937, nën titullin Në kërkim të një princeshe,
parashtron këtë kronikë:
Mbreti Zog kërkon të martohet; do donte të vendoste mbi fronin e Shqipërisë një princeshë të vërtetë. Deri tani ka qenë në kërkim. Mosha 42 vjeçare dhe feja myslimane ia kanë larguar vashat evropiane me gjak mbretëror. Ia kishte vënë syrin princeshës Maria të Savojës, e bija e Viktor Emanuelit III. Por ajo e hodhi poshtë propozimin pa kurrfarë ngurrimi, aq sa ishte e kotë çdo këmbëngulje, dhe mbreti Zog vazhdon të jetë në kërkim të një princeshe.
Gazeta Le Figaro e 28 prillit 1938, nën titullin Martesa e Zogut – një ceremoni madhështore e piktoreke, shënon:
Tiranë, 27 prill - Martesa e mbretit Zog me konteshën Geraldine Apponyi u kremtua në sallën e madhe të pallatit, një godinë e përkohshme ndërtuar kohët e fundit, në pritje që të përfundojë pallati që është në ndërtim e sipër; që në orën 9.30, gazetarët dhe operatorët e dokumentarëve kishin zënë vend. Salla, shumë e thjeshtë, dhjetë mbi dyzet m. është e zbukuruar me koleksione armësh e kostumesh kombëtare, ndërsa dyshemeja është e pajisur me qilima orientalë të çmuar.
Nën portretin e së ndjerës Nëna mbretëreshë ndodhet një tavolinë shkrimi për oficerin e gjendjes civile, i cili, sipas Kushtetutës, do jetë vetë Kryetari i Kuvendit.
Në orën 10, të ftuarit fillojnë të vijnë: oficerë dhe anëtarë të trupit diplomatik, me uniformë gjithë shkëlqim, burra me frak, gra me tualetim të veçantë si në raste pritjesh dhe me ngjyra të ndezura. Bien në sy veçanërisht rreth tridhjetë anëtarë të familjeve të mëdha hungareze me uniforma historike si për festë të madhe. Të pranishmit vihen në radhë sipas një rendi protokollar të paracaktuar, duke u rreshtuar në dy anët e sallës.
Në orën 11, vjen çifti mbretëror. Në krah të mbretit, me uniformë ceremoniale, gjoksin mbushur me dekorata, qëndron mbretëresha, tepër e hijshme, me fustan të bardhë gjithë qëndisma argjendi dhe me një kryq të thjeshtë të zi në qafë, një diademë në ngjyrë portokalli, si dhe një buqetë të madhe zambakësh në duar.
Pasojnë princeshat, motrat e mbretit dhe gratë e aristokracisë hungareze me fustane të bardha, e më pas konti Ciano me princeshën Nafije, duka i Bergamit me princeshën Sanije, etj.
Në çast, fillon ceremonia. Z. Delvina, nënkryetar i Dhomës lexon nenet e kodit për të drejtat dhe detyrat reciproke të çiftit. Pyetjes tradicionale, mbreti dhe mbretëresha i përgjigjen me “po” në gjuhën shqipe. Z. Delvina i shpall atëherë të dy të bashkuar në emër të ligjit, dhe të pranishmit shpërthejnë në thirrje urimi e duartrokitje.
Jashtë buçitnin të shtënat e topave, binin kambanat e kishave dhe avionët lëvizin nëpër qiellin e kryeqytetit. Nën tingujt e himnit mbretëror, çifti del nga salla.
Ceremonia zgjati gjithsej nëntë minuta në një kuadër të thjeshtë, që kontrastonte me ngjyrat dhe tualetimin femëror, si dhe me uniformat, sidomos ato të manjatëve hungarezë.
Mbreti kishte veshur uniformën e gjeneralit të ushtrisë shqiptare.
Tetë zonjusha të vogla veshur me fustane ngjyrë qumështi shoqëronin nusen.
Dëshmitarë të mbretit ishin konti Ciano, ministri italian i punëve të jashtme dhe princi Abid, kushëri i sovranit. Dëshmitarë të nuses ishin tutori i saj plak konti Atitonio Apponyi dhe doktori Villani, ministri hungarez në Romë.
Nëna e nuses, amerikane me origjinë, zinte në ceremoni një vend nderi përkrah dukës së Bergamit, përfaqësues i mbretit të Italisë.
Ndër të ftuarit e tjerë, binte në sy sidomos prania e gjashtë motrave të reja të mbretit Zog, dhe ungji e halla e nuses.

Reviste franceze 7 maj 1938
Dhurata e Hitlerit për mbretin Zog – Berlin 27 prill : Gjithë gazetat japin të riprodhuar tekstin e telegramit të urimit që kancelari Hitler i dërgoi mbretit Zog të Shqipërisë me rastin e martesës së tij me konteshën Geraldine Apponyi.

Përmendin po ashtu edhe ceremoninë gjatë që cilës ministri i Gjermanisë në Tiranë i dhuroi mbretit, në emër të Adolf Hitlerit, “Mercedesin” e fjalës së fundit që kancelari ia dhuron çiftit të ri.
Tirana - Me rastin e martesës së mbretit Zog të Shqipërisë, u zhvillua një ballo në pallatin mbretëror në prani të dukës së Bergamit dhe të kontit Ciano.
Si dhuratë për martesë, të sapomartuari morën një jaht nga Musolini dhe një automobil nga Hitleri.
Gazeta Correspondence d’Orient, majit 1938 - Nga Saint-Brice, gazetar i mirënjohur i kohës:
Dasmë në Tiranë! Mbreti i Skipetarëve po martohet me një konteshë magjare! Menjëherë ju shkon mendja tek ndonjë titull operete, me muzikë nga autori i Dashurisë Cigane, ndërkohë që jemi kokë e këmbë brenda aktualitetit. Ç’kohë pjellore në fantazi kjo e jona! Ç’vend ngacmimi i krejt imagjinatës këto male shqiptare që u bënë me emër nga Skanderbegu e nga Aliu i Tebelenit! Ç’karrierë romaneske ajo e një sovrani të ri, që pasi ndërtoi një fron, po ul në të konteshën Geraldine Apponyi !
Të gjithë ata që kanë njohur në Gjenevë kontin Apponyi - një nga artistët më të shquar shfaqur në skenat e Shoqërisë së Kombeve, tipi i fisnikut të madh, hijerëndë por jo përbuzës, po aq diplomat mendjehollë sa dhe orator me peshë fjale, trashëgimtar i një breznie të tërë manjatësh mjaft të oksidentalizuar -, do donin vërtet të dinin se ç’mendim ka ai në varr për faktin që një nga mbesat e tij nuk ngurron të martohet gjithë ceremoni me një prijës fisi shqiptar shpallur para gati dhjetë vjetësh mbret i një kombi, i cili na shfaqet deri diku si pararojë e Azisë brigjeve të Adriatikut.
Sigurisht, është nga familje fort e hershme ky Ahmed Zogu, i ati dhe gjyshi i të cilit kanë qenë pashallarë turq dhe që, me sa duket, llogarit ndër stërgjyshët e vet edhe një vezir të madh, ndërkohë që e ëma i përkiste familjes së shquar të Toptanasve. Por sa dallim race, qytetërimi e sidomos feje! Sa domethënëse heshtja e Vatikanit përpara një martese prejardhja e së cilës shtron me sa duket një problem edhe më të koklavitur nga çështja që e çoi ish mbretin Ferdinand të Bullgarisë drejt shkishërimit! Ja pse nuk ka për të pasur në këtë rast martesë fetare në Tiranë! Kisha Katolike nuk mund ta pranojë dhe Islami mbyll sytë. Sipas traditës islamike, dhëndri e blen nusen tek prindërit e saj.
* * *
Ish nxënës i gjimnazit Galata Sarail në Kostandinopojë, i riu Ahmed Zogu është plot njëzet vjeç gjatë luftërave ballkanike kur Serbët pushtuan Shqipërinë. Sarajet e prindërve të tij u bënë hi. Atëherë ai rreshtohet në anën e austriakëve me të cilët i hyn luftës pa ngurrim. Kthehet në vendin e tij pas mbarimit të luftës dhe gjen në të njëfarë këshilli regjence të përbërë nga një mysliman, një katolik dhe një ortodoks, këshill i vendosur që pas rënies së fronit të përkohshëm ngritur nga Fuqitë e kohës për Princ Widin. Qeveri aq pa autoritet, sa nuk mund t’i vinte fre ambicieve të Esad Pashës.
Ky ish mbrojtës i Skutarit, që do gjente në Paris një vdekje tragjike, kishte ëndërruar edhe ai, që më 1912, të bëhej mbret i Shqipërisë. Pavarësisht nga lidhjet farefisnore mjaft të ngushta, sepse Esadi i përkiste klanit Toptan, Ahmed Zogu vihet në dispozicion të këshillit të regjencës. Dhe shpërblehet kështu me portofolin e ministrit të brendshëm në ministrinë e parë të rregullt që krijohet. Dhe kabinetet bien njëri pas tjetrit si kështjella prej letre. Kurse Ahmed Zogu mbetet. Shfaqet si një njeri i dorës së fortë.
Në fillim të vitit 1922, Ahmed Zogu, kryeministër është viktimë e një komploti kurdisur nga anëtarët e partisë së tij, ish feudalët. Kryetari i partisë kundërshtare, partia e avokatëve, përfiton për të organizuar një revolucion. Imzot Fan Noli është edhe ai një personazh disi i njohur... Fiton në maj 1924, por fitorja e tij është e shkurtër. Disa muaj më vonë, Ahmed Zogu rikthehet, i ndihmuar nga serbët, reformon Kushtetutën sipas modelit amerikan dhe zgjidhet president për shtatë vjet.
Këtu nis një nga kthesat më të çuditshme të karrierës së tij. Ahmed Zogu braktis serbët për të kërkuar mbështetje te regjimi fashist. Përfundon paktet e viteve 1926 dhe 1927, që sigurojnë ndikimin mbisundues të Musolinit në Shqipëri.
Nga ai çast, kryetari i ri ëndërron si e si të përjetojë pushtetin e tij. Pret rastin e favorshëm. Nuk ka kohë të presë shumë. Më 1 shtator 1928, mbreti i ri i Shqiptarëve ngjitet në fron.
Që prej dhjetë vjetësh, ai quhet tani mbreti Zog, ka treguar se është në lartësinë e detyrës që ka marrë përsipër.
* * *
Po prapë, mbetet një hije në tablonë që na shfaqet. Kujdesi i parë i themeluesit të një dinastie, a nuk duhet të jetë pikërisht ai që duhet të sigurojë pasardhësit e tij? Mbreti Zog, të ketë pasur vallë preokupime të tjera që priti deri tani, apo mos vallë nuk ka qenë i kënaqur me projektet e tij martesore? Të paktën, pyetja e dytë të bën të mendosh për një episod të ndodhur. Më 1931, sovrani i ri shkoi në Vjenë, ku e tërhiqnin sytë e bukur të një baroneshe të re austriake. Një natë, si doli nga Opera, dy të rinj goditën automobilin e tij me të shtëna revolveri dhe roja shoqërues i tij mbetet i vdekur në vend.
Nuk kanë të numëruar kandidaturat për martesë që i janë paraqitur Zogut. Një princeshë egjiptiane. Një motër e mbretit të Afganistanit. Dhe ajo që do bëhet mbretëresha Geraldina nuk është vajza e parë e aristokracisë hungareze që ka tërhequr vëmendjen e mbretit.
Ajo veçse diti të përgatisë për një kohë të gjatë rrjedhën e fatit për marrje të kurorës. Sepse idili ka një vit që ka filluar në Lido. Dhe u zhvillua gjatë një udhëtimi që kontesha e re, e zjarrtë dhe sportive bëri në Shqipëri. Si pasardhëse e vërtetë e një race të mësuar me sundim, vasha gjithë nur nuk u mjaftua thjesht të fitonte zemrën e shtetasve të saj të ardhshëm. I hyri me këmbëngulje studimit të gjuhës shqipe. Po aq bujare sa dhe e bukur, ajo vendosi t’ia kushtojë një vepre bamirësie ato nëntë milionë frangat që iu dhuruan pas një regjistrimi popullor.
Por kuadri i festës është edhe më i gjerë. Dita e 27 prillit do të shohë të kremtohen, krahas kurorëzimit mbretëror, edhe njëqind e një lidhje të tjera martesore, ku të gjitha nuset kanë marrë pajë nga mbreti Zog. Një përkujtim i suksesshëm i traditave feudale që e plotëson më së miri dekorin e një ceremonie sa mesjetare aq edhe moderne.