Speciale
Idriz Zeqiraj: Analizë faktike dhe historike të një epoke
E diele, 13.03.2011, 08:59 PM
ANALIZE FAKTIKE DHE HISTORIKE TE NJE EPOKE
VESHTRIM PER LIBRIN:
"FILOZOFIA POLITIKE DHE NACIONALE E IBRAHIM RUGOVES"
E STUDIUSIT NGA TIRANA - ENVER BYTYÇIT
Nga Idriz Zeqiraj
Eshtë thënë dhe përsëritet se një libër është një dritare më shumë për të shikuar, mësuar dhe për të njohur botën. Libri "Filozofia politike dhe nacionale e Ibrahim Rugovës" është më shumë se një dritare, është një manual universal që pasqyron historinë më të re të Kosovës, marrëdhëniet Shqipëri - Kosovë në 5 (pesë) dekadat e fundit dhe në qendër ka filozofinë dhe politikën nacionale të Heroit të Kosovës, Presidentit Historik të saj, dr. Ibrahim Rugovës.
Libri është ndarë në 8 (tetë) pjesë dhe dhjetra tituj e nëntituj, si mundësi dhe lehtësi studimi e kuptimi, veç e veç, analizat faktike dhe historike, të cilat studiusi Bytyçi i ka realizuar mrekullisht bindshëm.
Ky libër lexohet me ëndje dhe kureshtje, por, jo edhe shpejt. Eshtë një libër simbol, ashtu siç është edhe vet personazhi kryesor Ibrahim Rugova simbol i Shqiptarisë. Si i tillë mund t´i dhurohet çdo njeriu që di lexim e këndim, si një befasi e këndshme dhe të falenderoheni për nderin e bërë. Këtë mos e merrni si reklamë, por si ndjesi e konstatim të një lexuesi të vëmendshëm.
Një gjetje e shkëlqyer e autorit është nisma e librit. Në vend të parathënies është vënë fjala e Carl Bild-it, ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë, ish i ngarkuari i BE-së për Ballkanin:
"Me humbjen e Ibrahim Rugovës, Kosova humb të vetmin njeri, i cili në kohërat kritike mundi të bashkonte dhe moderonte skenën e përçarë politike. Rugova është një karakter i vështirë, por impresionues.... Rugova u shfaq si një forcë morale e fuqishme dhe tërhoqi vëmendjen e të gjithë botës" - konstaton Bild-i.
Qysh në fjalën hyrëse studiusi Enver Bytyçi na jep portretin madhor të personazhit të tij:
"Kurrë ndonjëherë më parë nuk ishte konstruktuar një vizion aq i qartë dhe një profil aq dinamik e magjepës, si ai që kishte vizatuar Ibrahim Rugova për vendin e Tij e të shoqërisë shqiptare.... Ai mbetet e do të mbetet personaliteti i vetëm shqiptar me një profil origjinal, të paarritshëm deri me sot në territoret shqiptare e më tej në hapësirën ballkanike".
Dr. Rugova erdhi në krye të Lëvizjes Shqiptare nga bota akademike, "me vizion të ri filozofik, politik e moral".
Për të gjithë ata që e njohin nga afër Ibrahim Rugovën, në rininë e Tij, mrekullohen se si autori Bytyçi na ka dhënë besnikërisht mbylljen heshtake të Rugovës rinor, më shumë në monolog dhe në burrrëri "dialogu i Tij kishte shprehur principe, të cilat as vetë kundërshtarët, madje as pushtuesit serbë nuk kishin mundur t`i kundërshtonin".
Filozofinë e të sfiduarit autori e ilustron me poezinë e poetit Gani Azemi, "Promotheu i Pavarësisë", kushtuar Presidentit Rugova:
"Në fillim ishin rrëfimet e nënlokës
Bri votrës gati të fikur
Për pushkatimin e babait e gjyshit
E jehonën e pushkës të Zhujë Selmanit
Pastaj erdhën përkëdheljet e nënës si ngushëllim
Dhe jeta vazhdoi ecjen me vuajtjet e saj
Atje në një fshat të vogël të Dukagjinit
Ku secili armik e la gjurmën fatale të egërsisë".
Frymëzimin dhe forcën sfiduese, përveç trashëgimisë familjare, intelektuali Rugova e hasi të sintetizuar edhe ke shkrimtari, luftëtari dhe filozofi katolik shqiptar Pjetër Bogdani, në veprën e të cilit mbrojti edhe doktoraturën.
Studiusi Bytyçi është i mendjes se Rilindasit tanë ishin guidë në orientimin perëndimor të Rugovës si dhe në formimin e Tij si studius, si krijues, si letrar, si kritik dhe si gazetar.
Rugova kishte njohuri të thella për historinë e lashtësisë, Ilirinë dhe Dardaninë, që ishin ndër civilizimet e denja, krahas kombeve të shquara.
Epërsinë polemizuese me pushtuesit Rugovës ia jipte njohja e historisë të fqinjëve, në veçanti të serbëve, militantizmin e tyre agresiv, mërinë ndaj shqiptarëve dhe tkurrjen, në vijimësi, të tokave tona.
Rugova fliste pak, por sakt. Kur disa entuziastë për politikë e karrierë, pa farë kriteri ndërronin emrat e fshatrave dhe të qyteteve, duke pretenduar se historia fillon me ata, Rugova do të thoshte se "Istogu është emër burimor ilir dhe nuk duhet ndërruar".
Studiusi Bytyçi i bën një analizë të thuktë filozofisë të virgjër nacionale të Ibrahim Rugovës, i cili nuk mrekullohej nga folklorizmi patriotik, meqë, në fakt, asnjëherë nuk dha rezultate praktike. Ashtu si Shqipëria, edhe Kosova u pavarësua nga shtetet demokratike. Ka sedërli që thonë se nuk duhet pranuar se na çliroi NATO-pakti. Atëherë do të kemi një histori të falsifikuar, si ajo e Shqipërisë, për të cilën sot turpërohen intelektualët shqiptarë.
Autori Bytyçi fakton se Rugova i njihte mirë lëvizjet çlirimtare të mëparshme dhe të tashme. Elemente e pikë- takime kishte me Ghandizmin, Lutherizmin, Mandelizmin, Vaclav Havelin. Por, ata kishin të bënin me demokracinë angleze e amerikane, apo brenda popullit të vet, ndërkohë që Rugova përballej me makinën ushtarake të një shteti komunist e satanik.
Raporti i forcave kushtëzonte rezistencën paqësore. Ndërsa krijimi i intitucioneve paralele ishte unikale dhe tejkaloi Ghandizmin.
Rugova manifestoi urtësi e mençuri, rast pa paraprijës në hapësirat ballkanike e më gjerë dhe konkluzioni i zotit Bytyçi është se "Ibrahim Rugova mbetet personaliteti dhe politikani më i popullarizuar dhe më i pakontestuar në opinionin ndërkombëtar. Ndaj dhe gjithkush e kishte të vështirë t`i imponohej. Ai ishte vet imponimi, ishte vet sfida, ishte vet kredoja e kombit shqiptar".
Rrugën e përshkuar drejt veprimtarisë intelektuale të Ibrahim Rugovës, autori Bytyçi e fillon me vargjet e poetit Gani Azemi - kushtuar Presidentit Rugova:
"Ballëpërballë me furtunat nëpër rrugën e gjatë
Kaherë ishte përgatitur për Maratonë
Që stacion të fundit e kishte Pavarësinë".
Në arritjet kulmore intelektuale nuk ka asgjë të rastësishme, ashtu si nuk mund të quhet rastësi as vënia e Tij në krye të Lëvizjes Kombëtare, nën siglën tre gërmshme LDK-e.
- Nxënësit të shkollës fillore Ibrahim Rugova do t`i lexoheshin hartimet në Radio - Prishtina;
- Një poezi e Tij do të zejë vend në faqet e Abetares, e pazakontë për moshën;
- Shtëpia Botuese "Rilindja" do t´i akordonte bursë për Shkollën Normale në Prishtinë, duke e konsideruar kuadër të ardhshëm të saj, por që do t`i ndërpritej nga ndërhyrja që bëri kryetari i komitetit partiak të Istogut;
- Në shkollën e mesme në Pejë, shkolla më numerike me nxënës në Kosovë, do të shquheshin nxënësit: Jusuf Gërvalla në artet e bukura - pikturë dhe muzikë -, ndërsa Ibrahim Rugova do të lexonte në gjuhën e tyre Hygonë e Balzakun dhe Tolstojin, Gorkin, Jesenin me bashkëkohës;
- Në vitin e dytë të studimeve, Këshilli studentor do t`ia besonte studentit Ibrahim Rugova gazetën "Bota e re" dhe një vit më vonë edhe revistat "Dituria" e "Plejada". "Bota e re" u bë gazeta e parë alternative politike në Kosovë dhe redaktori i saj përgjegjës Ibrahim Rugova pati jo pak probleme. Ishte vjeshtë e vitit 1968.
Studiusi Bytyçi në trajtimin e figurës të Ibrahim Rugovës, përgjatë kryesimit të Shoqatës të Shkrimtarëve të Kosovës vlerëson se dalin "në pah guximi, pjekuria, mjeshtria, elokuenca, urtësia dhe njëkohësisht prirja për të ndërtuar filozofinë e qëndresës".
Atë kohë një gazetar slloven shkruan: "Më bëhet se dr. Ibrahim Rugova ende është i vetmi shqiptar në Kosovë që ka guxim të flasë ashtu si mendon."
"Kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimin kurrë" - qe shprehur dr. Rugova kur disa të frikësuar i tërhoqen firmat nga lista e 215 intelektualëve.
Dr. Rugova ishte trim i urtë. Pas kthimit nga Rambujeja shpërfilli lajkat hipokrite të Tiranës zyrtare social-komuniste dhe sëbashku me profesor Fahmi Agani udhëtuan drejt Kosovës, drejt pasigurisë, drejt vdekjes, ndërkohë që "trimat e pas betejës" ndaluan në Tiranë, për të intriguar, për t`i hartuar listat e vdekjes me sivëllezërit e tyre ideologjikë vendorë.
Studiusi Bytyçi vijon me analizat lëndësore se Rugova ishte i pari udhëheqës në historinë e shqiptarëve që kuptoi se "lufta dhe dhuna nuk mund ta zgjidhin çështjen e pazgjidhur shqiptare". Për Rugovën çilësi i zgjidhjes është politikë të mbështetur në dy shtylla:
1.- Njohjen e së vërtetës dhe përhapjen e saj;
2.- Realizimin e secesionit, shkëputje de fakto nga sundimi policor e ushtarak serb. Këto dy rrugë të çonin në çlirimin e vendit dhe realizimin e shtetit të pavarur.
Studiusi Bytyçi analizon zhvillimet në ish-Jugosllavi dhe arsyeton të gjitha veprimet e heroit të Tij Rugovë. Diplomati austriak Albert Rohan, më 1994, e kishte pyet Rugovën, disi i zhgënjyer prej tij: "Çfarë keni fituar ju zoti Rugova me këtë lloj politike të rezistencës paqësore?" Por, përgjigja e kishte kthjelluar diplomatin e shquar: "Ne jemi këtu!"
Serbia zinte vendin e pestë për nga potenciali ushtarak. 200 mijë viktimat e Bosnjes, ishin dëshmi egërsie serbe, edhepse boshnjakët janë sllav me gjuhë dhe gjak, por që janë konvertuar perdhunshëm në besimin islam, njësoj si pjesa dermuese e shqiptarëve.
Në vitin 1991 Rugova i kishte thënë studiusit gjerman Jens Reuter: "Ne nuk jemi kurrëfarë pacifistësh. Ne nuk kemi thjesht armë të mjaftueshme dhe për këtë arsye nuk lejojmë të ushtrohet dhunë".
Rugova nuk dëgjoi as Tuxhmanin me gjeneralët e tij për hapjen e Frontit të Jugut, se kinse tanku digjet edhe me një shishe benzinë.
"Ne jemi këtu" është parathënia e të gjitha veprimeve dhe ideve të Tij për rezistencë e fitore të sigurtë kundër armikut", sepse po të ndiqej logjika e avanturierëve të diskotekave të perëndimit, shqiptarët nuk do të ishin "këtu", në Kosovë. Dhe, pa shqiptarët në Kosovë, nuk do të kishte ndërhyrje ushtarake, sepse realiteti i ri, boshatisja e Kosovës, si -fet a` copli -, faktit të kryer, e vuloste fatin e të qenit refugjatë të përjetshëm. Shqiptarët, tashmë, e kanë provuar, hidhshëm e dhimbshëm, humbjet e teritoreve në Kosovën Lindore dhe Çamërinë.
Optimizmi i Rugovës na kujton Ismail Qemalin e pas vendimeve fatale të Fuqive të Mëdha, dikur, për trojet shqiptare.
"- Ismajl Bej, Kosova mbeti jashtë Shqipërisë" - i thonë. Ismail Qemali u mërzit, por u përmbajt.
"- Edhe Çamërinë e humbem, Ismail Bej" - i kumtuan. Plaku urtak i Vorës nuk i mbajti dot lotët. Dhe, lajmëtari i habitur pyeti:
"- Ismail Bej, pse Çamëria qenka më e dhimbshme se Kosova?"
"- Njerëzit janë atje"- u gjegj Ismail Qemal Beu, duke u ngushëlluar dhe shpresuar për kohë më të mira për Kosovën.
Filozofia e refuzimit e Ibrahim Rugovës është radikale në përmbajtje. "Rugova aq sa ishte shembull i kompromisit për të ndjekur rrugën paqësore të rezistencës, aq ishte shembull i jokompromisit në principet e Tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës"- shkruan studiusi Bytyçi, duke e konkretizuar më tej strategjinë e Rugovës si "refuzim paqësor në formë, por radikal në përmbajtje, i pakompromis në linjen e refuzimit të Serbisë. Me pacifizmin refuzues Ai ishte i vendosur ta sillte vendin e Tij në ditët e lirisë dhe të pavarësisë".
Autori Bytyçi në librin e tij "Filozofia politike dhe nacionale e Ibrahim Rugovës" ka sjellur disa nga refuzimet më domëthënëse të Presidentit Rugova. Ai kishte refuzuar kërkesën e ambasadorit amerikan Waren Zimmermann për të marrë pjesë në Parlamentin e Serbisë, ashtu siç kundërshtoi edhe këshillat e Tiranës më 1996, për të marrë pjesë në protesta, përkrah opozitës serbe, sepse programi i kësaj opozite, për Kosovën, nuk ndryshonte në asgjë nga ai i Millosheviçit.
Me ndërmjetësimin e kryeministrit grek Simitis, Fatos Nano ishte takuar me Millosheviçin. Ai u kishte rekomanduar shqiptarëve të Kosovës "të hiqnin dorë nga institucionet paralele", "të merrnin pjesë në jetën politike serbe e në zgjedhjet e Serbisë", madje edhe i kishte kërcënuar se "Kryeqyteti i Kosovës është Beogradi".
Por, siç thotë studiusi Enver Bytyçi: "Rugova nuk bënte kompromis as me vetveten".
Presidenti Rugova kshte përgatitur në mënyrën më të përkryer e përmbajtësore simbolet e shtetit të Kosovës. Por, falangat e kuqe, me ideologji sllavo-ruse, mjerisht, shqipfolës, i vunë zjarrin flamurit dardan. Ishin këto falanga me emërtimin e përfaqësimit fiktiv të UÇK-së, me rekomandimin e kuadrit të së majtës ekstreme të Kosovës, duke zbatuar projektin serb të sulmit mbi kishat dhe shtëpitë serbe në mars - prill 2004. Që andej mbinë fshat e enklavë, fshat e komunë. Nga kjo rrugaçëri alla komuniste shqiptarët dolën të vrarë, të sharë, të koritur dhe të fikur.
Studiusi Bytyçi bën një analizë të kualifikuar lidhjeve shpirtërore e fizike të Ibrahim Rugovës me Papa Gjon Palin e II-të dhe Nënë Terezen. (Një parantezë: Në të gjithë gjithë botën, përfshi këtu edhe Kinë e Rusi, i thonë Nëna Tereze. Përjashtim ka bërë Sofokli Lazri, mësuesi im në Shkencat Politike - Juridike, kuadër i lartë partiak i Enver Hoxhës dhe i Ramiz Alisë. "Kush e ka ftuar atë Terezen këtu, çfarë don ajo në Shqipëri" - ka kërkuar llogari Sofokli Lazri?!) Frymëzimi nga këto dy figura madhore i Presidentit Rugova dhe përkrahja e madhe e tyre për Kosovën ka qenë e prekshme dhe lëndësore.
Luigj Bumçi, kryesuesi i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris, i kishte kërkuar ndihmë Papës të Romës të vitit 1919, për ta shpëtuar Shqipërinë nga copëtimi i pjesës jugore. Dhe, ishte ndërhyrja e Papës që Presidenti amerikan Willson kishte vënë veton.
Për analogji, Presidenti Bill Clinton, në kujtimet e Tij shpërfaqë presionin dhe insistimin e Papa Gjon Palit të II-të, për të ndërhyrë në Kosovë. Një fjalë e Nënë Terezes për Kosovën ishte sa të gjitha lutjet e dy milionë shqiptarëve për lirinë e tyre. Bill Clinton deklaronte, më 2004, në Prishtinë: "Nënë Tereza më bëri që ta dua Kosovën." Clinton, duke bërë homazhe te varri i Nënë Terezës në Kalkutë, thotë: "Amanetin Tënd e kreva. Kosovën e bëra të lirë". Dhe, vërtet, kërkesat e Papës dhe të Nënë Terezes, për ta shpëtuar popullin e Kosovës, janë një arsye më shumë e ndërhyrjes faktike të NATO-paktit.
Studiusi Bytyçi konstaton se "duhej të ishe Rugovë për nga formimi, intelekti, bindja, vetëdija, perceptimi dhe vizioni, që të dalloje se cilat forca shpirtërore e politike e lëviznin botën drejt pranimit të çështjes shqiptare, si një çështje ndërkombëtare. Dhe, si i tillë vetëm Presidenti Historik i Kosovës mund ta kishte këtë lloj perceptimi."
Thuhet se çdo lidër, personalitet, kalon nëpër tri periudha: ngritjen, rënien dhe vlerësimin. Por, përjashtim nga ky rregull ka bërë Presidenti Rugova, i cili nuk përjetoi rënien. Me të drejtë autori Bytyçi e quan "Babai i Kombit", duke e dhënë edhe arsyetimin: "Rugova individualitet i veçantë, me integritet të plotë si intelektual, si personalitet dhe si politikan, me sovranitet të kthjelltë dhe principe morale të dallueshme, shikohet si "Babai i Kombit".
Edhe të huajt kanë përmendur pikëtakimet e Presidentit Rugova me themeluesin e shtetit amerikan, Presidentin Xhorxh Washington si "idetë, qëllimet, programi, vizioni, karakteri dhe përkushtimi".
Ibrahim Rugova është ideator i një shteti modern. Mençurisht shfrytëzoi parlamentin ekzistues për të shpallur Deklaratën e Pavarësisë - më 2 korrik 1990; Kushtetutën e Kosovës - më 7 shtator 1990; Referendumin për Sovranitet dhe bërjen e Kosovës me President - në tetor 1991.
Autori Bytyçi thotë se "të udhëhiqje dy milionë qytetarë me forcën e moralit politik dhe filozofinë e shtetit paralel,
- me forcën e moralit dhe jo të politikës,
- me forcën e arsyes dhe jo me forcën e armëve,
- me forcën e integritetit të Tij dhe jo me sjelljet servile, duhen aftësi të jashtëzakonshme".
Një ministër francez, në vitet `90-a, do të shprehej i habitur: "Edhe në Francën e qytetërimit botëror Hitleri gjeti përkrahës për të krijuar një qeveri kuislinge. Ndërsa në Kosovën e malësorit Ibrahim Rugova serbi Millosheviç nuk arriti të gjejë një duzinë njerëzish, për të bërë një qeveri kukullë".
"Rugova çarmatosi armiqtë dhe armatosi miqtë, për ta përkrahur mbi bazën e argumenteve",- thotë autori i librit: "Filozofia politike dhe nacionale e Ibrahim Rugovës".
Për çudë, përgjatë dekadës që lamë pas, jo rrallë është bërë një prerje shkollareske e qëllimkeqe, me dashje ose padashje, në mes Rugovës dhe të UÇK-së, madje, edhe nga disa kuadro të LDK-së. Të tillët duhet të kenë qenë shumë larg luftës dhe realiteteve në Kosovë.
Qysh në vitet `90-a, me porosinë e dr. Rugovës, u organizua mbrojtja e qytetarëve të Kosovës, në fshatra dhe qytete, nga bandat e mundshme serbo-sllave, si vijimësi të mbrojtjes territoriale, me organizim profesional të ushtarakëve të karrierës, tashmë, kuadro të Lëvizjes masive me emrin LDK-e.
Ishte Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Sali Çekaj - në vijë vertikale, të pasuar nga ushtarakë si Hajzer Hajzeraj, gjeneral, me shokë, kuadri i lart partiak Anton Kolaj në Kosovë, Hafiz Gagica në diasporë, ata që, heshturazi, po përgaditeshin edhe për opcionin e luftës, në rast të dështimit të paqes.
Përgaditja ushtarake e djemëve të Kosovës në Shqipëri pikërisht këtë qëllim kishte. Dhe, nga ato kontigjente kanë dalë kryeçetanikët e parë në Dukagjin, Drenicë, Llap e Gollak, si Sali Çekaj, Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe luftëtarë të tjerë. Ndërsa emërtimet, titujt paushall dhe ireal, si komandant legjendar, madje edhe kryekomandant, që më shumë se nder, janë përtallje cinike, për përfitime politike të atyre që kurrë nuk u bënë pjesë e luftës, përkundrazi, e sabotuan atë. Sajesat e titujve ushtarak imaxhinar e fiktiv, janë pjellë e SHISH-it dhe të SHIK-ut, me skenar e regji të Tiranës zyrtare të asaj kohe, për t`ia kundërvënë ushtarët Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë, siç e përcakton Kushtetuta, në rastin konkret, Presidentin Ibrahim Rugova.
Rrjedhimisht, asnjë vijë ndarëse nuk mund të tërhiqet në mes të Rugovës dhe UÇK-së. Unifikimin e faktorit ushtarak e pengoi Tirana zyrtare, përkatësisht - presidenti Rexhep Mejdani, kryeparlamentari Skënder Gjinushi, ministri i jashtëm Paskal Milo, shefi i SHISH-it Fatos Klosi, me krerët stalinistë-enveristë të Kosovës, sepse në pranverën e 1998-ës Tirana zyrtare mendonte dhe vepronte për boshtin komunist - ballkanik, ku ishte planifikuar edhe Kosova, si pjesë e Serbisë, me "kryeqytet Beogradin". Ishte Amerika ajo që pluhrosi këtë skenar ogurzi dhe fatal për Kosovën.
Eshtë jashtë çdo logjike që gjeniu Rugovë të kërkonte, njëherësh, ndihmë dhe luftë! Përndryshe, nga qendrat e vendosjes në botë, do të merrte përgjigjen cinike: "Bëjeni luftën dhe lufta lë ta përcaktojë fatin e Kosovës dhe të popullit të saj".
Përfaqësimi i UÇK-së është falsifikuar dhe banalizuar skajshëm. Faktet flasin se UÇK-ja e mirëfilltë, ajo që e legjitimoi luftën e Kosovës, identifikohet me dr. Ibrahim Rugovën, prof. Fehmi Aganin, juristin e diplomuar Sali Çekaj, kryeçetanikët Hamëz e Adem Jashari e Zahir Pajaziti me shokë, strategët ushtarakë - ministrin e mbrojtjes Ahmet Krasniqin, kolonelin Tahir Zemaj, ushtarakët e karrierës Agim Ramadanin e Ekrem Rexha, komandantin Ukë Bytyçi, komandantin e Rugovës Smajl Hajdaraj, piloten ushtarake, shefe e Emërgjencës të UÇK-së Sabahate Tolaj me luftëtarët e tjerë të vrarë dhe të gjallë.
Por, siç thotë urtësia: "Trimi i mirë, me shokë shumë". Dhe, shokët e tyre janë edhe ata komandantë dhe luftëtarë që i kanë mbijetuar luftës. Statistikat flasin se 95 % e atyre që u vunë nën armë, ishin pjesë e krahut institucional. Edhe krahu minor i Lëvizjes e pranon se, pothuajse, të gjithë ushtarët vinin nga LDK-ja dhe i përkisnin asaj.
Eshtë fakt që ka pasur edhe drejtues ose komandantë të grupimeve luftarake, që kanë ndërmarrë, herë pas here, aksione, por pa forcë e strategji për beteja ballore. Por, nisur nga fakti se disa syrësh, më markantë, kanë qenë përgjegjës të burgjeve politike rurale: në Llapashticë (Llap), Llapushnik (Drenicë), Jabllanicë e Gjakovës (Dukagjin) dhe grupe të burgosurish shqiptarë e ndoca romë janë ekzekutuar pa gjyq; si dhe për shkak të kryesimit të SHIK-ut, në zonat e cituara, organizatë kjo që, tashmë, identifikohet me krimin e organizuar politik, me vrasjen seriale të kundërshtarëve politikë, gjatë dhe pas luftës, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë, përmendja e emrave të tyre në kontekstin pozitiv, do të ishte fyerje e rëndë për disa qindra familje të viktimave të këtyre "komandantëve" me bandat e tyre; të shumë mijëra familjeve që i lidh gjaku e miqësia me viktimat si dhe për miliona shqiptarë, madje të kudondodhur, që nuk aprovojnë krimin ndërshqiptar.
Këta biçim komandantësh, u provua se me marrjen e përgjakshme të pushtetit, më pasuritë përrallore të vëna në një kohë rekorde, nuk kishin ideal lirinë, por pushtetin dhe pasurinë. Kushdo që do të provojë të na bindë për të kundërtën, është soji i tyre dhe do të dështojë para fakteve kokëforta.
Studiusi Bytyçi sjell fakte se kur Serbia hoqi dorë nga eliminimi fizik i Presidentit Rugova, nga frika e reagimit të Amerikës dhe e NATO-s, këtë rol e mori Tirana zyrtare, natyrisht, bashkë me lakejtë e saj të Kosovës. Sinjalizimi u dha dhe dr. Rugova u detyrua të bunkerizohet, madje me gjithë familjen, duke ndërprerë të gjitha kontaktet me komplotistët e Tiranës.
Jo rrallë rastisë se kur flitet për intrigat e shefave komunistë të Tiranës, në dëm të Kosovës, individë të ideologjizuar apo të painformuar, reagojnë, duke përmendur strehimin e refugjatëve të luftës në Shqipëri. Kjo është demagogji e kulluar. Nëse themi një të vërtetë, tashmë, të dëshmuar, madje me emër e mbiemër, assesi nuk konfondojmë popullin me horrat. Shqipëria Londineze, ose Shqipëria e Vjetër, është shumë më afër Kanunit dhe mikpritjes, se sa Kosova. Ne jemi një popull, por "zenxhinët e rinj" mund ta kenë zvetnuar traditën e mikpritjes në Kosovë. "Vallah, qilerin e grues nuk ja lëshoj kurrkujt, qysh po bajkan këta në Shqipni" - shprehte mendësinë e tij provinciali i Kosovës. Ndoshta, me kohë, edhe atje, në Shqipëri, do të ndodhë ky proces, pra, dobësimi i mikpritjes, kur të bëhen "zenxhinët e rinj"!
Rugova përgaditi gjithçka për ta sjellur 17 shkurtin 2008, sepse "opcioni i Tij i bisedimeve për statusin e Kosovës ishte vetëm Pavarësia". Megjithatë, në përvjetorin e tretë të përkujtimit zyrtar të kësaj ngjarjeje të shënuar, askush nuk e përmendi emrin e shtetbërësit të Kosovës, të "Promotheut të Pavarësisë"- siç e këndon në vargje Gani Azemi, apo "Babain e Kombit" - siç e pagëzon bazueshëm e meritueshëm studiusi Enver Bytyçi.
Rugova kurrë nuk e ka fshehur opcionin tjetër: Bashkimin me Shqipërinë, "por pavarësia mbetet si kompromis".
Kur kthehej në Kosovë në korrik të 1999-ës, Rugova, gjithë entuziasëm, deklaron: "Jam shumë i lumtur që kthehem në Kosovën e lirë. Tani do të kem prioritet rindërtimin ekonomik dhe demokratik të vendit".
Mjerisht, bandat e kuqe vrastare, me SHIK-un e tyre, të themeluar qysh në vitet `8O-a, nga "diplomatët" sigurimsa të Enver Hoxhës, të forcuar me instruktazh të ri në fundvitet `90-a, nga mbeturinat e Sigurimit, tashmë, të konvertuar në SHISH, ua ngrinë buzëqeshjen e lirisë Shqiptarëve të Kosovës, me vrasjet seriale politike, fillimisht për ta mbajtur atë pushtet fiktiv, që pas 12 qershorit 1999 falangat e Lëvizjes pushtuan institucionet e boshatisura nga NATO, duke e përzënë pushtuesin serbo-sllav dhe pas humbjes të zgjedhjeve, u tërbuan, duke vazhduar me vrasje dhe terror, për ta marrë dhunshëm pushtetin.
Sipas SHIK-asit vrasës të penduar, Nazim Bllaca, sjellim këto fakte dhe shifra: "Në Kosovën e pasluftës, për gjashtë muajt e parë, janë vrarë 456 persona. Jam goxha i saktë. Veç në Qeverinë e Përkohshme është fjala. (Qeveria e kryesuar nga Hashim Thaçi - vërejtja jonë). Ndërsa për 12 muaj janë vrarë 600 persona. Pra, 12 qershor 1999 - 30 qershor 2000 janë vrarë 600 persona. Në këtë numër unë një vrasje e kam kryer". ("Koha Ditore" 13 janar 2011.)
Për çudë, e gjithë kjo masakër e ngeshme bëhej para syve të UNMIK-ut, i cili ishte i ngarkuar me konsolidimin e administratës dhe të ligjit në Kosovë!!! Madje, edhe KFOR-i aty vegjetonte!?
Studiusi Bytyçi konstaton se Rugova "ishte personaliteti më i kthjelltë në hartimin e principeve në dobi të vendit të Tij". Kushtet e reja për arritjen e qëllimeve me metoda demokratike, ishte gjetje origjinale e Rugovës, që kishte munguar në hapësirat ballkanike dhe kjo tërhoqi vëmendjen e botës demokratike, të qendrave të vendosjes.
Dhe, "pa njohjen ndërkombëtare të problemit të Kosovës nuk do të kishte as Rambuje, as 12 qershor dhe as 17 shkurt 2008".
Rugova me zghuarësi dhe shkathtësi intelektuale, jo vetëm arriti të shmangë termin e tmerrshëm të "terrorizmit" për UÇK-në, por realizoi edhe delegimin tek ajo, si rasti Hollbruk e të tjerë, duke e legjitimuar UÇK-në si një organizim i forcës për çlirim. Kjo ishte vepër ekskluzive e Rugovës dhe me kot mundohen ta përvehtësojnë kuqaloshët e Lëvizjes.
Rugova tregoi me aftësi dhe vendosmëri në krijimin e miqësive, në përzgjedhjen e partnerëve. "Idetë dhe filozofia e Rugovës përkonin plotësisht me vizionin dhe vlerat amerikane të lirisë e të demokracisë", - thotë autori Bytyçi
Formulimet e sakta për pavarësi, ndërhyrje të NATO-s dhe protektorat ndërkombëtar, dikur profetike, tashmë proverbiale. Besnikëria ndaj të njëjtit opcin është unikale.
Studiusi Bytyçi me të drejtë konstaton se Rugova "nuk kishte frikë nga askush e as nga vetvetja". Dhe, vërtet, ata që e njohin Rugovën në rininë e Tij, thonë se Rugova gjithmonë ka qenë President, sovran në sjellje dhe veprime. Rugovës nuk mund t´i imponohej askush, aq më pak kundërshtarët dhe armiqtë e kombit shqiptar.
Referenca e Tij ishin rilindasitë shqiptarë, Evropa, SHBA dhe vendet që rrezatonin demokraci.
"Sjelljet taktike të Rugovës, kurrë nuk zbehen kokëfortësinë e Tij shqiptare për opcionin final. Rugova mbetet simbol i integritetit politik të shqiptarëve", - thotë Bytyçi.
Studiusi Enver Bytyçi do të mbahet mend për konseguencën e tij në trajtimin me vërtetësi të një epoke 50 - vjeçare të marrëdhënieve Shqipëri - Kosovë. Ai nuk kursen askënd. Dhe, nëse rezervohet në emërtimin e krerëve batakçinj të Kosovës, të cilët i njeh me emër e mbiemër dhe i ka të skeduar në dosjen voluminoze të studimeve për kohën, në faqet e librit të tij lexohet dukshëm veprimtaria e tyre intriguese e sabotuese, jo vetëm kundër Rugovës dhe partisë të Tij, por edhe kundër Kosovës. Studiusi Enver Bytyçi jep një kontribut të çmuar kundër falsifikimit të historisë.
Studiusi gjerman kishte zbuluar projektin e Rugovës të vitit 1993, për bashkimin e të gjithë deputetëve shqiptarë, por ishte refuzuar nga Presidenti i atëhershëm Berisha, "sepse Shipëria ishte nënshkruese e Deklaratës të Helsinkit, që nuk lejon ndryshim të kufinjëve".
Në vitin 1990, në një pyetje të radios prestigjioze "Zëri i Amerikës", drejtuar Rugovës, nëse "Balli Kombëtar" ishte organizatë kolaboracioniste e tradhtare, Rugova përgjigjet prerazi: "Organizata "Balli Kombëtar" nuk ishte as kolaboracioniste e as tradhtare, por ishte një lëvizje atdhetare kombëtare, e cila kishte për qëllim realizimin e programit të "Lidhjes të Prizrenit", bërjen e "Shqipërisë Etnike".
Ky mesazh u lexua qartë nga komunistët ende në pushtet në Tiranë. Pra, nëse "Balli" nuk është tradhtar, atëherë komunistët shqiptarë janë tradhtarë. Dhe, që këtej fillon lufta antirugovë e komunistëve, të konvertuar, më vonë, në socialistë, të cilët forcuan aleancën me stalinistë-enveristët e Kosovës.
Duke trajtuar marrëdhëniet midis Rugovës dhe socialistëve, studiusi Bytyçi e cilëson si "luftë të ftohtë" midis filozofisë politike e nacionale të Rugovës dhe politikës antirugovë e antishqiptare të Tiranës zyrtare".
Socialistët e Tiranës, në aleancë të ngushtë me Beogradin dhe Athinën, punonin për "likuidimin politik të Rugovës". Ata shpërndanë eksponentët e tyre, në ndihmë të krerëve të Lëvizjes: në Zvicër, Gjermani, Belgjikë e gjetkë, për ta mposhtë politikisht Ibrahim Rugovën.
Beogradi për bisedime preferoi Thaçin, sepse nuk e pëballonin radikalizmin e Rugovës dhe këtë detyrë ua dha krerëve socialistë të Tiranës.
"Tradhtarët kishin guxuar ta etiketonin si "tradhtar" liderin historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën, madje atëherë kur Ai ishte peng i Millosheviçit! Dhe, këtë e bënin nëpërmjet të ashtuquajturit "zëdhënës të UÇK-së", Jakup Krasniqi, i cili në fakt ishte zëdhënës i krerëve socialistë të Tiranës, dhe kurrë nuk u bë pjesë e luftës të Kosovës.
Autori i librit "Filozofia politike dhe nacionale e Ibrahim Rugovës", nga grigja antirugovë shquan: presidentin Reexhep Mejdanin, kryeministrin Fatos Nano, kryeparlamentarin Skënder Gjinshi, ministrin e jashtëm Paskal Milon, shefin e SHISH-it Fatos Klosin - në Shqipëri dhe akademik Rexhep Qosjen në krye të bandës antirugovë dhe kundër Kosovës në Kosovë.
Analizat e studiusit Bytyçi janë sa të sakta, aq edhe bindëse. Njohës i shkëlqyer i rrethanave të jashtme dhe të brendshme të kohës, vjen në konkluzionin se dëmet që po i shkaktonin Kosovës, për ta likuiduar Rugovën politikisht, pse jo, edhe fizikisht dhe kjo u provua në gjuajtjen me raketë në shtëpinë e Tij në Velani dhe me tritol në rrugët e Prishtinës, ishin një tradhti e trishtme.
Për t´i lëndëzuar edhe më qartë veprimet mafioze e sabotatore karshi luftës si dhe makutërinë neveritëse, për të zhvatur e pasuruar, duke u bërë profiterë të luftës, po sjellim veprime faktike, që unë, personalisht, si pjesë e Shtabit të Emërgjencës të luftës, kam qenë dëshmitar okular dhe përjetues i hidhur.
Madje, jo vetëm gjatë luftës, por edhe pas saj, lidhjet mafioze në mes të krerëve socialë-komunistë të Tiranës dhe veglave të tyre stalinistë-enveristë të Kosovës, ishin aktive dhe shumë destruktive, korruptive e kriminale në dëm të Kosovës dhe të Kombit mbarë.
Për habinë tonë, Mejdani printe në poshtërësi. Ecejakët tona në relacionin Durrës - Tiranë, për të zhblokuar kamionët me ngarkesa, për nevojat e luftës, ishin të pambarim. Vjedhjet, grabitjet, shpërdorimet ishin të çdoditshme. Në valën e luftës, me urdhër nga lart, u bllokuan në Portin e Durrësi 42 kamionë ushtarakë me ngarkesë. Përgjatë natës, në serbatorët, rezervuaret e kamionëve është hedhur sheqer, për t`i bërë të palëvizshëm, për t`i bllokuar motorët e tyre. Dhe, net pas netësh ka "avulluar" ngarkesa, për të vazhduar me grabitjen zyrtare të kamionëve, spastrimin e motorëve, ndërrim-ngjyrën e kamionëve dhe shitjen private të tyre. Ky ishte një aksion kriminal i krerëve shtetërorë të Tiranës zyrtare, në bashkëpunim me krerët e Lëvizjes dhe banda e tyre e stacionuar në Restorant "Drenica", tej Urës të Dajlanit, buzë detit. Dhe, duke qenë në përgjim të mallit, kurrë dhe asgjë nuk kaloi kufirin, nuk u vu në shërbim të luftës, për çka edhe ishin destinuar ngarkesat e nisura nga Zvicra dhe Gjermania.
Menjëherë pas luftës, me urdhrin e presidentit Mejdani u aplikua taksa garantuese udhëtuese, me shoqërim fiktiv, në relacionin Port - Qafë Morini, fillimisht 250 marka. Pas kundërshtive të shumëta, kjo gjobë u ulë në 150 marka. Me zbatimin e kësaj norme ligjore u ngarkua vetëm agjensia e spedicionit "Tirana" me shef dhe personelë me ish-doganierët e Doganës të Durrësit, në kohën e monizmit. Sipas llogarive të punonjësve të kësaj agjensie u takonin nga 18.500 marka në muaj, ndërkohë që rroga mesatare në Shqipëri sillej nga 70 deri në 200 marka! Dhe, u zbulua dhe u dëshmua se paraja ndahej në mes të zyrtarëve socialë-komunistë të Shqipërisë dhe krerëve të Lëvizjes staliniste-enveriste të Kosovës. Dhe, kjo grabitje zyrtare, për interesa private, bëhej pikërisht atëherë kur Kosova ishte kallur e përflakur!!!
Për sabotim e vjedhje, në kohë lufte, ligjet e vendeve të mirëfillta demokratike, profiterët i kanë çuar në plumb e litar. Por, në vendet si Shqipëria dhe Kosova, ku ligji dhe drejtësia nuk funksionon, kriminelët jo vetëm që nuk janë ndëshkuar për krimet e një dekade më parë, por vazhdojnë të bëjnë krime të tjera!
Malisheva e "çliruar" i priste pashaportat e Jakupit! Sulmi dërrmues i pushtuesit i sakatosi dhe i zhvendosi nga vatrat lindake popullësinë e pambrojtur, ndërkohë që Jakupi me të vetët mrizonte në një vilë të Tiranës tonë. Pas disa muajve largimi dhe përballjeje me mizerabilitetin e jetës, arritën në Shqipërinë e Vjetër. Fati e deshi të jem kontaktuesi i parë. Njerëz me plagë trupi dhe shpirti. Loti, vaji e dhembja e shoqëronte karvanin e gjatë.
Sëbashku me një kuadër të vjetër vendor, madje i Partisë Sicialiste, trokitëm në zyrën e një Prefekti socialist, i cili mbulonte tri rrethe. I pajisur me autorizimet përkatëse, kërkova magazina dhe objekte rrethanore për strehimin e refugjatëve të luftës dhe depozitimin e ndihmave.
Përgjigja e Prefektit ishte e akulltë: "Organet tona shtetërore kanë vendosur që asnjë refugjatë i luftës të Kosovës të mos zbres poshtë Pukës, Mirditës, Matit!"
- Zoti Prefekt, refugjatët, tashmë, kanë zbritur dhe janë në qiellin e hapur të Prefekturës tuaj,- i them unë.
"- Këtu janë të paligjshëm, të ngjitën në Malësi nga kanë ardhur", - u gjegj prerazi Prefekti!
Për ironi, menjëherë pas luftës, ishte ai i pari Prefekt që u dekorua nga presidenti Mejdani, me motivacionin "për mirëpritjen dhe sistemimin e refugjatëve të luftës të Kosovës!!"
Mejdani do të mbahet mend edhe për shpërdorimin e vrazhdët të postit presedencial, duke dekoruar me titullin e lartë "Nderi i Kombit" komunistë të sojit të tij, përçarës dhe frymëzues të luftës civile ndërshqiptare. Por, ai ka harruar të akordojë edhe dy dekorata meritore, pas vdekjes, për Dushan Mugoshën dhe Milladin Popoviçin, për inspirimin e lufts civile në Shqipëri, në vitin 1943.
Edhe Jakupi ynë, gati president, dekoroi shefin e tij të "luftës" Mejdanin, për intrigimet dhe sabotimet e bëra gjatë luftës, në Tiranë. Ai injoroi ndihmesën reale për Kosovën të Pandeli Majkos, për arsyen e vetme se, duke qenë kryeministër, njohu Rugovën president i Kosovës, siç edhe ishte realisht, ndërkohë që Jakupi, me porosi të Mejdanit me shokë, Rugovën e prangosur në Beograd e quajti "tradhtar"! Jakupi bëri vetëm detyrën, sepse Mejdani e kishte emëruar "zëdhënës" të UÇK-së dhe, pas luftës, me kompozimin e "Qeverisë të Përkohëshme", në një vilë të Tiranës, e kishte katapultuar ministër të kësaj "qeverie" në Prishtinë!
Autori i librit "Filozofia politike dhe nacionale e Ibrahim Rugovës" analizon edhe pritjet e akademik Rexhep Qosjes në vilën e diktatorit filosllav Enver Hoxha, elozhet dhe dekorimet e bëra atij, nga krerët komunistë të Tiranës zyrtare; akuzat paushalle e hiç reale, madje shumë keqdashëse të tij se "proceset e zhvillimeve poltike e nacionale në Kosovë, më se paku i përfaqësonte filozofia politike e Ibrahim Rugovës", bëheshin frymëzim për skenar dhe regji të sulmeve, herë të hapura dhe më shumë të nëndheshme, të bandës tiranase, të kryesuar nga presidenti i vendit Rexhep Mejdani; me veprime praktike nga Paskal Milo e Fatos Klosi, në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha forcat e kuqe gjithëshqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë. Intrigat antirugovë me krerët vrastarë të Serbisë, i koordinonte ministri i jashtëm komunist, Paskal Milo.
Sllobodan Millosheviçi dhe zëvendësi i tij Vojisllav Sheshel ishin angazhuar maksimalisht për diskriditimin e Rugovës në masën e shqiptarëve. Ata kurdisën marrëveshjen për arsimin me ndërmjetësimin e "San Exhidios", nga e cila, në fakt, doli i fituar Rugova, sepse moszbatimi i saj, në sytë e botës, në qendrat e vendosjes, u lexua se Millosheviçi është mashtrues i pandreçshëm. Për rrjedhojë, dosjes të tij kriminale, i shtoheshin fletët me faktet e krimeve.
Fatmir Sheholli, atëkohë i punësuar në Radiotelevizionin e Prishtinës, rrëfen se i shoqëruar nga kuadro të lartë të Millosheviçit, shkuam në sallën e katit përdhes të Rezidencës, për ta intervistuar dr. Rugovën. Por, Ai, as pas insistimit të kuadrit personal të Millosheviçit, nuk pranoi të zbriste poshtë, në sallë, por dërgoi zotëri Adnan Merovcin. Kjo ndodhi disa ditë para pengmarrjes.
Përçapja e fundit të eleminimit politik të dr. Rugovës ishte pengmarrja, madje duke i vënë në lëvizje edhe diplomatët rusë, me të cilët Rugova jo vetëm që nuk kishte flirtuar me ata kurrë, përkundrazi, kishte shprehur antipatinë e hapur, si aleatë të pushtuesit. Montazhet fotografike gjatë pengmarrjes të dhunshme, takimi Rugova-Millosheviç, të ekspozuara me pompë e bujë nga zyrtarët e Tiranës komuniste dhe lakejve të tyre stalinistë-enveristë të Kosovës, janë turpi dhe dështimi i radhës i bashkëpunimit antirugovë të Millosheviçit dhe të ndihmësve të tij në Kosovë dhe Shqipëri.
Presidenti Mejdani priti në rezidencën e tij tre anëtarë të familjeve të dëshmorëve: Rifat Jasharin, Ramiz Lladrovcin dhe një tjetër nga Theranda, aktualisht, nuk kujtoj emrin, por, që një shkrim reagues të bërë atëherë, do të publikohet së afërmi dhe aty do ta mësoni edhe emrin e tretë. Nga rrjedha e bisedës, Rifat Jashari u ndje sa i hutuar, aq edhe i tradhtuar, u rezervua në bisedë, duke parë majtas e djathtas se çfarë i thonin presidentit Mejdani dy anëtarët e kurdisur nga Klosi me shokë. Ata harruan fare pushtuesin dhe iu sulën Rugovës dhe LDK-së, duke shpërdoruar edhe gjakun e dëshmorëve familjarë.
Pavarësisht korit intrigues e shpifarak të komunistëve serbë e shqiptarë, madje të kudondodhur, siç konstaton studiusi Enver Bytyçi: "Ato janë tashmë të lehurit ndaj hijes të Ibrahim Rugovës, personalitetit më të madh të historisë moderne e të moçme të Kosovës dhe një prej dy - tre personaliteteve më të mëdha të historisë të shqiptarëve.
Studiusi Bytyçi reagon ndaj falsifikimeve të vrazhdëta të agjentit të Beogradit Paskal Milo, i cili, në librin e tij të kujtimeve, në cilësinë e ministrit famkeq socialist, madje, të promovuar bujshëm në Prishtinë, nën përkujdesjen përkushtuese të akademik Rexhep Qosjes, vazhdon të shpifë, madje pa doganë fare, kundër Ibrahim Rugovës, tashmë, në amëshim.
Faktet e kundërshtisë ndaj tezave antikombëtare dhe flirtet e turpshme të Milos me Serbinë dhe Greqinë, e demantojnë deri në pamundësi mbrojtëse të këtij lakeu komunist, i cili, pas falsifikimeve të pararëndësve të tij, të historisë të kohës të mesme dhe te re, Milo fillon falsifikimin e historisë të sotme, madje jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Kosovës. Për ta parandaluar gjëmën e madhe që vazhdon t`i bëhet historisë kombëtare, është imperativ i kohës që institucionet e Kosovës të reagojnë sa më parë kundër kësaj nisme kriminale. Ndërsa kryetari Isa Mustafa, në emër të LDK-së, duhet të ngrejë akuzë në gjykatën vendore dhe Gjykatën Ndërkombëtare, kundër falsifikatorit dhe agjentit serb e grek Paskal Milo, për shpifjet e rënda të bëra kundër Presidentit Historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, pas vdekjes, si dhe kundër falsifikimit të historisë të sotme të Kosovës dhe të Shqipërisë.
Fatos Nano ishte i pari nga grupi i tij antirugovë që bëri një tërheqje xhentile nga sulmet e mëtejme kundër Rugovës, duke mbetur aktiv në politikën e jashtme. Një arsye bazale ishte se sekti ideologjik i Lëvizjes, duke qenë të etur për pushtetin e pamerituar, meqë i bishtnuan pjesëmarrjes në luftë dhe përgjakën duart pikërisht me gjakun luftëtarëve të krahut institucional, përfshi këtu ministrin e mbrojtjes kolonel Ahmet Krasniqin, Ali Ukaj, Ilir Konushevci, oficerin rezervë Sadri Ramqaj, oficerët e ushtrimores ushtarake të Kukësit, për të vazhduar me vrasjet seriale të kundërshtarëve politikë shqiptarë në Kosovë. Dhe, Nano nuk donte të ishte pjesë e kësaj ploje makabre ndërshqiptare.
Ndërsa Rexhep Mejdani, Skënder Gjinushi, Paskal Milo e Fatos Klosi me disa gjeneralë kodosha komunistë, intensifikuan veprimet obskure antirugovë dhe anti-Kosovë, duke i mohuar dhe shpërbërë të gjitha institucionet paralele të Kosovës, të krijuara me mund e sakrifica enorme qysh në vitet e rënda `90-të. Dhe, nuk e teprojmë të themi se institucionet paralele të Presidentit Rugova, kanë pasur epërsinë e institucioneve të djeshme dhe të sotme të Hashim Thaçit, në aspektin moral, kombëtar dhe profesional.
Autori Bytyçi dënon ashpër këtë politikë qorre e inatçore të krerëve zyrtarë të Tiranës dhe të lakejve karrieristë të Kosovës: "Për mua çdo përpjekje e atëhershme e Tiranës zyrtare për të deligjitimuar presidentin, qeverinë dhe parlamentin e Kosovës ka pasur inspiracione ideologjike dhe antishqiptare...Konflikti midis Prishtinës institucionale dhe Tiranës zyrtare mund të cilësohet si një fenomen me shkaqe politike, konceptuale dhe taktike të qarta e të qëllimshme për ta vështirësuar rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë të saj".
Nga kjo rezulton se ata që sot duan ta përvehtësojnë UÇK-në, luftën e Kosovës, duke u bërë njësh, me mendime dhe veprime, me krerët socialë-komunistë të Tiranës zyrtare, kundër Rugovës dhe institucioneve të Kosovës, kanë tradhtuar, me vetëdije ose nga injoranca e tyre, interesat e Kosovës. Dhe, si të tillë këta mjeranë janë vënë edhe në shërbim të pushtuesit, duke sabotuar dhe dëmtuar pariparueshëm luftën për çlirim.
Edhepse Paskal Milo i di mirëfilli shkaqet e ftohjes të marrëdhënieve ndërshqiptare, qëllimshëm i fsheh faktet, duke thënë se Ibrahim Rugova "nuk i respektonte institucionet shtetërore të Shqipërisë dhe ai i kishte injoruar ato institucione".
Por, vëmendjes gjeniale të dr. Rugovës nuk i shpëtonte asgjë, madje as ecejaket intriguese, sabotuese e helmuese të Tiranës zyrtare, kryesisht, të krerëve, tashmë, të lakuar në këtë shkrim. Dhe, për t`i zhvleftësuar dhe paralizuar në pazarllëqet dhe poshtërësitë e tyre të hapura dhe të nëndheshme me Serbinë, bëri prononcimin e qëllimshëm e publik se "për Kosovën vendosin institucionet e saj, vendos Prishtina dhe jo Tirana". Për kushtet në të cilat ishte Kosova, ky ishte një vendim i vështirë, një sakrificë e skajshme, një dhimbje e madhe. Por, ama, e domosdoshme, sepse trysnia e Beogradit dhe e Athinës, me motrën e madhe Moskën në prapaskenë, e përçuar përmes zyrtarëve komunistë të Tiranës, kaloi caqet e tolerancës të mëtejme.
Presidenti Ibrahim Rugova ishte burrështetas kalibri dhe për interesat e Kosovës, nuk kursente ata që ulnin pazarin e saj, duke u kthyer në statusin e vitit të largët 1974, se "Kosova duhet të jetë pjesë e një Serbie të lirë e të demokratizuar!" (Revista "Koha",nr.43,më 17 tetor 2000.) Ndërkohë që Rugova ngulmonte: "Në qoftë se nuk merret në konsideratë opcioni i pavarësisë për Kosovën, atëherë ajo do të bashkohet me Shqipërinë." (Revista "Koha", nr.18, më 18 shtator 1999.)
Studiusi Bytyçi zbulon strategjinë e Paskal Milos me shokë për të shmangur shkëputjen e Kosovës nga Serbia, sepse kjo presupozonte bashkimin me Shqipërinë, gjë që komunistët shqiptarë nuk e donin këtë bashkim.
Për ndryshim nga socialë-komunistët, demokratët shqiptarë kishin qëndrim tërsisht të kundërt. Kryeministri grek, Konstandin Micotaçis, i kishte thënë dr. Sali Berishës: "Hiqni dorë nga Kosova". Dhe, si kompensim për këtë, greku i ofronte Shqipërisë miliarda dollarë investime! Megjithatë, dr. Berisha, duke e falenderuar "mikun" për këtë ndihmë marramendëse, ishte përgjigjur: "Në konfliktin e Kosovës ka dy palë: Rugova dhe Millosheviçi. Ne, për shkak të përkatësisë të përbashkët etnike, gjuhës, historisë, konstitucionit shpirtëror, nuk mund të jemi asnjanës në këtë konflikt. Por, ne nuk jemi palë. Për këtë arsye ju duhet të kontaktoni urgjentisht Rugovën, pasi kontaktet i keni vetëm me palën tjetër". ("Koha", Tiranë - 2005.)
Paskal Milo me homologun e tij serb Millotinoviç ishin aranzhues të takimeve Nano-Millosheviç e, më vonë edhe Nano-Koshtunica, për ta eliminuar Rugovën dhe për ta realizuar "Kosova - Republikë pa të drejtë shkëputjeje".
Në nëntitullin "Rugova peng i Beogradit, Tirana peng i Rugovës" autori i librit "Filozofia politike dhe nacionale e Ibrahim Rugovës", trajton intrigat e zyrtarëve të Tiranës, me lakejtë enveristë të Kosovës. "Më datën 1 prll 1999 Ibrahim Rugova ishte shfaqur në montazhin serb televiziv si peng në duart e Millosheviçit. Të nesërmen Televizioni i Tiranës, i menaxhuar për interesat e klaneve serbo-shqiptare, e kishte shpallur atë "tradhtar", ndërkohë që Paskal Milo dhe udhëheqësit e tjerë shqiptarë kishin deklaruar se "Institucionet e Kosovës janë ineksistente....Më 2 prill, në vilën 31 të bllokut, në të cilën kishte banuar me dekada diktatori Hoxha, Tirana zyrtare kishte formuar qeverinë e përkohshme të Kosovës. Udhëheqësi shpirtëror i "revolucionit të vonuar", Rexhep Qosja, prej kohësh ishte instaluar në atë vilë dhe sëbashku me Mejdanin, Nanon, Gjinushin e Milon, lidhnin të gjitha fijet e lëmshit antishqiptar, për të zhvleftësuar institucinet e Kosovës dhe për të varrosur atë kontribut historik që kishin dhënë shqiptarët nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Më i angazhuari ndër ta kishte qenë vetë Paskal Milo". Këtë të vërtetë e zbulon, në librin e kujtimeve, sherbëtori dhe bashkintriguesi i tij, në shërbim të klanit serbo-shqiptar, Jakup Krasniqi.
Takimi i Kretës Nano-Millosheviç, në nëntor 1997, ishte platformë e eleminimit politik të Rugovës, duke e konsideruar si të palakueshëm në kërkesat e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Kjo platformë do të intensifikohej në prill të vitit 1999. Kryeministri Bujar Bukoshi dhe ministri i mbrojtjes Halil Bicaj do të kërcënoheshin me eleminim, duke ua kujtuar kolonel Ahmet Krasniqin, të ekzekutuar në mes të Tiranës në shtator 1998. Enveristëve të Kosovës do t`u ndalohej nga, nga Tirana zyrtare, çdo takim me krerët instuticional të Rugovës; do të urdhëronin prishjen e marrëveshjes të Osllos, "duke përçarë përfundimisht faktorin politik e ushtarak të Kosovës".
Kontributet e tyre antirugovë dhe kundër Kosovës i dhanë edhe Ilir Meta, Neritan Ceka e Sabri Godo, i cili, me porosi e turpshëm, e satanizoi Rugovën "si kartë të djegur dhe tradhtar", ndërkohë që plaku Godo, bashkë me aprovimin e kalljes të Shqipërisë, për t`i sjellë komunistët në pushtet, më 1997, është leckosur e zgjyrosur deri në pamundësi shminkimi e rehabilitimi. Ndërsa shefi i Sigurimit, SHISH-it, Fatos Klosi koordinonte veprimet në dogana, duke sekuestruar të gjitha armët dhe mjetet tjera të qeverisë Bukoshi, për t`i vënë në duar të matrapazëve të Lëvizjes, për t`i shitur dhe përshitur, duke marrë pjesën e tyre edhe Klosi me shefa e shokë.
Tirana zyrtare ishte unikale në botë, madje për të gjitha kohërat, në përkrahjen e krimit dhe ndëshkimin e viktimës, pra, të Rugovës. Studiusi Bytyçi shkruan: "Vetëm Tirana zyrtare e vitit 1999 ka marrë anën e pengmarrësit, duke e ndëshkuar bashkëkombasin e vetë, presidentin e Kosovës. Vetëm Tirana zyrtare, në kushtet e kësaj pengmarrjeje ka organizuar puçin e "shkurorëzimit" të presidentit të Kosovës, të zgjedhur me votat e popullit të tij. Vetëm Tirana zyrtare e ka shpallur armik presidentin e pjesës të kombit të tij të marrë peng, ndërsa pengmarrësit kriminel e gjakatar të Beogradit, nuk pati kurajon t`i kërkonte ta lironte Rugovën nga pengmarrja"!!!
Ndërkohë, kreu i opozitës shqiptare prof. Sali Berisha, duke dënuar pengmarrësit, kishte kërkuar lirimin e Rugovës; kishte mbrojtur institucionet e Kosovës; institucionin e presidentit dhe qeverinë legjitime të Kosovës; i kishte bërë thirrje UÇK-së të vihet nën komandën e Ibrahim Rugovës; i kishte bërë thirrje NATO-s ta konsideronte UÇK-në aleate të saj.
Për më shumë se një dekadë shqiptarët e Kosovës në qendër të akuzës kanë pasur ish-kryeministrin Fatos Nano. Por, nga dëshmitë e bollshme, të shpërfaqura së fundi, rezulton se kupola e intrigimeve antirugovë dhe kundër Kosovës ishte Rexhep Mejdani. Dhe, pikërisht, për këtë edhe u dekorua nga sivëllai i tij në këto poshtërsi Jakup Krasniqi. Eshtë jashtë çdo etike që presidenti i një vendi të bie aq poshtë në intriga e dallavere, në pritje e përcjellje të gjithfarë horrash e halabakësh, mjaftonte që ata të ishin kundër Presidentit të ligjshëm të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Dhe, vërtet, "Sa poshtë ka rënë katundi"!
Pranimi në zyrën e Presidentit Mejdani të kuadrove të lartë të LDK-së, Milazim Krasniqi e Naim Jerliu dhe deklarata manipulative e transmetuar, fliste për një nivel fatal të një presidenti, i cili, dy vjet më parë, i kishte prirë kalljes të Shqipërisë. Prof. Zekirja Cana do ta denonconte këtë rrugaçëri në adresë të agjentit serbo-grek, Paskal Milo.
Por, "llogaritë ishin bërë pa hanxhinë"! Shtetet prijetare të botës demokratike kërkonin lirimin e Presidentit Rugova, si: SHBA, Anglia, Gjermania, Franca, Italia e tjerë, duke dënuar Tiranën zyrtare për sjellje pa etikë, madje edhe deri në papërgjegjësi e rrugaçëri. Ndërkohë, në mungesë të Rugovës, kryeministri Bukoshi ftohej e pritej në vizita kudo. Edhe pas luftës Rugova do të ishte partneri kryesor i Perëndimit, "me Rugovën edhe pas paqës", të përsëritur nga Romano Prodi.
Cilësimi i Jakupit "tradhtar" për Rugovën e prangosur, tashmë, vlen për Jakupin. Eshtë fatale për Kosovën që ky rob mjeran i komunistëve të djeshëm dhe të sotëm të Tiranës, katapultohet në krye të Parlamentit të Kosovës!! Megjithatë, kësaj legjislature fort të inkriminuar, ende më sakt - kriminale, i shkon edhe kjo fytyrë, e dyshuar për shumëçka.
Shefi i Jakupit, presidenti Rexhep Mejdani, ishte i vetmi pushtetar që Ibrahim Rugova e injoroi me mospërfillje dhe me mospritje , kur në vitin 2000 vizitoi Kosovën. Jo thjesht, pse Mejdani kishte udhëhequr bandën antirugovë, por pse kishte vulosur përçarjen e faktorit politik e ushtarak të Kosovës; ishte gadi ta shkaktonte luftën civile në Kosovë, vetëm e vetëm që halabakët e Lëvizjes, vegla neveritëse të Mejdanit, të ishin të parë në Kosovë, duke e kurorëzuar komunizmin në Dardaninë Antike të Ibrahim Rugovës!
Në përballjen me liderin karizmatik të Kosovës dështoi garda intriguese shqiptare në të dy pjesët e Atdheut. Rugova i përtoku të gjithë kundërshtarët, madje edhe ndoca që kishin fituar, jo pa meritë, namin e simbolit të kombit. Dhe, kjo përtokje u bë pa thënë anjë fjalë rënduese për ata. Dhe, për aq sa e njoh nga afër shokun tim të shkollës dhe mikun tim të rinisë, Ibrahim Rugovën, kam bindjen se as Ai nuk i është gëzuar kësaj përtokjeje. Përkundrazi, shpirti i Tij i dlirë ka ndjerë keqardhje, për mjerimin e tyre dhe, pse jo, edhe për injorancën intelektuale. Pavarësisht nga kalaveshja me tituj, meritor apo të porositur, për arsye të sjelljeve, veprimeve dhe prononcimeve paushalle, jo reale, aspak etike, madje fyese, jo vetëm karshi Rugovës, tashmë në amëshim, por edhe të miliona shqiptarëve që i gëzohen sot lirisë e pavarësisë të Kosovës, të realizuara mençurisht nga Ibrahim Rugova, përtokja e kundërshtarëve të Tij potencialë, është e përfundme, pa asnjë shpresë ngritjeje. Impulsimet e mëtejme, apriori janë të destinuara për dështim. Ose, siç shprehet studiusi Bytyçi, "janë lehje në hijen e Rugovës".
Mëkatari i madh Paskal Milo as sot nuk e pranon dështimin, madje as nuk pendohet për aventurat antirugovë. Autori Bytyçi shkruan: "Paskal Milo ka shërbyer si korrier midis presidentit Mejdani dhe Rexhep Qosjes dhe kishte ndërthurrur fijet e komplotit ndaj institucioneve të Kosovës, veçmas kundër institucionit të Presidentit Ibrahim Rugova. Ai kishte shërbyer gjithashtu si ndërmjetës i të gjitha takimeve të Nanos me Millosheviçin, Koshtunicën, Svilanoviçin e të tjerë, me qëllim zbutjen e klimës midis Prishtinës dhe Beogradit dhe ndikimit në politikën kosovare, për ta pranuar sovranitetin e Serbisë në Kosovë".
Ishin Milo me shokë që e cytën Adem Demaçin në gabime të rënda, madje në deklarime të marrëzishme: "Rugova është politikisht i vdekur, politika e tij është një katastrofë"! Dhe, mëtej akoma: "Njësoj si Millosheviçi edhe Rugova e ka mashtruar popullin e tij". Ndërkohë që gazetari gjerman, Stefan Israel, shkruante nga Prishtina: "Në të kundërtën Rugova kërkon pavarësinë e Kosovës, ndërsa Demaçi reklamon "Ballkaniadën e tij". ("Frankfurter Rundschau",29 qershor 1998).
Presidenti Rugova do të mbahet mend për sinqeritetin e Tij në raport me popullin e Kosovës. Ai, ashtu si edhe çeku Vaclav Havel, kurrë nuk provoi ta mashtronte apo ta gënjente popullin e Tij. Sinqeriteti i skajshëm e përshkon çdo qelizë të trupit të Tij. Dhe, kjo demanton bindshëm sajesat shpifëse të Milos: "U thashë serbëve që të më lëshojnë se nuk kam çfarë të bëj në Prishtinë, se po të jem jashtë do të jem më i dobishëm dhe do të punoj edhe për juve që të arrihet një marrëveshje". ("Gazeta Shqiptare",08.02.2009).
Rugova e njihte horrin Milo "si paren e kuqe" dhe "Ai nuk mund të "rrëfehej" para "priftit" Milo, sepse ato ditë do të pritej nga përfaqësuesi i Perëndisë në tokë, Papa Vojtila i II-të dhe me këtë mik të madh të shqiptarëve do të kishte mundësitë t`i shprehte brengat e Tij. Njerëzit rrëfehen, por para atij që kanë besim. Paskal Milo nuk ishte njeriu i duhur dhe i besueshëm, para të cilit duhej të "rrëfehej" Rugova. Rugova e ka njohur faktin se njerëzit e Millosheviçit ishin pikërisht një numër jo i vogël qeveritarësh të Tiranës, përfshi edhe vet Milon. Dhe, a mundet që i marri peng të rrëfehet te "kumbara" i pengmarrësit" - reagon Bytyçi?!
Studiusi Enver Bytyçi denoncon manipulimin kriminal të Tiranës zyrtare lidhur me pengmarrjen e Rugovës. Kancelaritë Perëndimore saktësuan se "Rugova kishte qenë peng në duart e kriminelit Sllobodan Millosheviç". Dinin edhe për takimin e Rugovës me Shainoviç, për "vizitën" e ambasadorit rus, Juri Katov. Një raporter pyet Rugovën për lirinë e lëvizjes: "Unë jam këtu. Këtu janë edhe forcat policore serbe të sigurisë"- gjegjet Rugova.
"Ndërsa kur Rugova ishte shfaqur në ekranin e Televizionit të Beogradit, një diplomat në Bruksel kishte deklaruar se ato pamje i takonin takimit të Rugovës me Millosheviçin para dy vitesh. Të njëjtën gjë kishte dekaruar gjithashtu këshilltari i Presidentit Bill Clinton, Greg Schulter". (Frankfurter Rundschau", më 6 prill 1999). Në Tiranë Mejdani, Milo e Jakup Krasniqi me televizionin e tyre shtetëror, përhapnin të gjitha shpifjet dhe montimet të shefit të tyre Millosheviç. I gjithë inskenimi ishte bërë që UÇK-ja ta trajtonte Rugovën si "tradhtar". Dhe, këtë e pranoi edhe Jakupi. Në fakt, Rugova ishte peng që nga fillimi i bombardimeve. Nënpresidentja e Bundestagut gjerman thoshte se "Agani dhe Rugova qëndruan në Prishtinë, kur shumë prej të vetëquajturëve udhëheqës të Kosovës shiheshin në skenat e shout në Perëndim". ("Frankfurter Rundschau",23 gusht 1999).
Autori me të drejtë shtron pyetjen: Pse gënjen e shpif Paskal Milo, i cili ndërton histori e deklarata të paqena? "Ka vetëm një arsye: Edhe tani pas vdekjes të Millosheviçit Milo vazhdon ta kryejë misionin e Millosheviçit. Ai ka dëshmuar se jo vetëm ka qenë një nga njerëzit kryesorë të Beogradit e Athinës zyrtare misionarë të kurtheve antirugovë e antiKosovë, porse ai nuk ka ndërmend ta ndërrojë këtë kurs antishqiptar".
Milo me lehaqenët enveristë të Kosovës lansuan tezën e Millosheviçit se "Rugova ishte kundër ndërhyrjes të NATO-s në Kosovë"! Ata harronin qëllimshëm faktin se Rugova në maj 1998 i kërkonte Presidentit Clinton vendosjen e NATO-s në Kosovë dhe misionin civil ndërkombëtar deri në pavarësinë e Kosovës". Vet Milo me shefin e tij Nano e shihnin të pamundur ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Ata kërkonin që NATO të vendoset në Shqipëri, në kufi me Kosovën, për të penguar hyrjen e refugjatëve nga Kosova, sepse ishin "me rrezik për stabilitetin e Shqipërisë". Dhe, kjo thuhej vetëm një muaj pas takimit Rugova-Clinton!
Pas masakrës të Reçakut, Rugova insistonte ndërhyrjen e NATO-s. "Siguria dhe paqja në Kosovë është e mundshme vetëm me ndihmën e NATO-s" ("Frankfurter Rundschau",02.o1.1999).
Presidenti Rugova i kishte kërkuar Presidentit Clinton që UÇK-ja të mos trajtohet si organizatë terroriste dhe kjo ishte pranuar nga amerikanët. "Kosova të vihej nën protektorat ushtarak e civil ndërkombëtar", si "periudhë ndërmjetëse për definimin politik të zgjidhjes të statusit të saj" - formulë kjo e përsëritur e Rugovës. Qysh më 15 shtator 1992, në një bisedë të organizuar në Schwarzenberg të Gjermanisë, Rugova paralajmëronte se "Serbia synon të shkaktojë një situatë tragjike në Kosovë, njësoj si ajo e Bosnjes". (Fabian Schmid: "Frankfurter Rundschau", 02.01.1999).
Studiusi Enver Bytyçi jep një pasqyrë reale për procesin "në kështjellën e drejtësisë në Hagë". Indoktrinimi i skajshëm ideologjik i krerëve zyrtarë të Tiranës dhe i lakejve të tyre të Lëvizjes, i kishte verbuar tërësisht. Ata më shumë i gëzohesshin dështimit dhe turpërimit të Rugovës në Hagë, se sa lirisë të Kosovës! Ankthi i tyre ishte helmues. Rugova me dinjitetin e përfaqësuesit të një populli, dëshmoi për suprimimin e asaj autonomie, të sanksionuar me ligj nga Federata jugosllave, më 1974; për terrorin dhe egërsinë e Millosheviçit karshi shqiptarëve të Kosovës. Kjo dëshmi u pasqyrua besnikërisht në librin e përgaditur nga vepromtari markant i çështjes shqiptare dhe veterani i burgjeve serbo-sllave, Kadri Mani (Osmani): "Dr. Rugova triumfoi në Kosovë dhe në Hagë". ("Shqipëria Etnike", 2002, Prishtinë).
Rugova mbrojti UÇK-në; Ai dëshmoi se më 21 mars 1999, tri ditë para bombardimeve, kishte deklaruar për media se "është koha që NATO të intervenojë dhe duhet bërë diçka"; natën e parë të bombardimeve ishte djegë zyra e Tij e LDK-së; pas tri ditësh "në shtëpinë time hynë disa ushtarakë, të cilët nuk pritën t`ua hapë derën, por hynë me dhunë".
Rugova pranon tri takimet me Millosheviçin. Në maj 1998, në kohën e fillimit të krizës, me insistimin e ndërkombëtarëve, sëbashku me dy anëtarë të delegacionit të Kosovës; dy herë të tjera i marrë me dhunë nga Prishtina, gjatë bombardimeve të NATO-s. Të gjitha nënshkrimet kanë qenë të dhunshme. Autori Bytyçi thotë se të gjitha këto i dinte Tirana zyrtare dhe megjithatë akuzonte Rugovën për "tradhti", gjë që flet për bashkëpunim të tyre të ngushtë me Beogradin.
Ashtu siç dihej edhe në Kosovë e diasporë, në Shqipëri ishin hartuar listat për likuidimin fizik të Presidentit Rugova me disa nga bashkëpunëtorët e Tij dhe kuadrotë e LDK-së, të cilët shiheshin si pengesë për ardhjen në pushtet të sektit ideologjik të LPK-së, hafijeve të kastës komuniste të Tiranës. Pjesë për eleminimin e Rugovës ishte edhe Millosheviçi, andaj nga karrika e të pandehurit ia kujtonte dëshmitarit: "UÇK-ja kishte planifikuar likuidimin fizik të Rugovës".
Por, Rugova bëri mbrojtjen e faktuar të UÇK-së, të ushtarëve dhe të komandantëve të saj, si forcë mbrojtëse e luftuese për çlirim e liri. Ai asnjëherë dhe askurrë nuk pranoi ta identifikojë UÇK-në me një grup të organizuar kriminelësh ideologjikë të LPK-së, të cilët të instruktuar nga oficerët e Sigurimit famëkeq të Enver Hoxhës dhe të Rexhep Mejdanit me shokë, përgjakën Kosovën gjatë dhe pas luftës. Rugova u shpreh qartë dhe prerazi: "Unë kurrë nuk kam pasur frikë dhe nuk jam ndjerë i rrezikuar nga UÇK-ja "...dhe se...UÇK-ja nuk ishte terroriste".
Ngulmimit të Millosheviçit se "unë ju nisa me avion në Itali, sepse ju kërcënoheshit nga UÇK-ja përmes Maqedonisë", Rugova kundërpërgjigjet: "Nuk jam ndjerë asnjëherë i kërcënuar nga shqiptarët". Të gjithë ata që e dinë realitetin e kohës, mohimin kategorik të Rugovës mund ta marrin si retorikë, për të mos pranuar para botës të vërtetën e hidhur për rrezikun e çdokohshëm që i kanosej Rugovës nga një grup bastardësh ideologjikë, proletarë pa komb e pa atdhe, por, mjerisht, shqipfolës. Dhe, në stilin e Tij filozofik, këtë specie mjerane, Rugova nuk do ta llogariste si shqiptare. Sepse, ta vrasësh ministrin e luftës në kohë lufte, nënkupton apriori sabotimin e luftës; të vrasësh oficerët shqiptarë në luftim e sipër, kjo është tradhti e lartë; të vrasësh kuadrotë politikë e ushtarakë pas luftës, kjo do të thotë të jesh në një linjë me armikun, me Serbinë, për ta dobësuar shtetin tënd.
Autori Bytyçi lakuriqëson hipokrizinë e Paskal Milos, me ftesat e përsëritura drejtuar Rugovës, për ta vizituar Tiranën. Konflikti Tiranë - Prishtinë ishte më shumë se ideologjik, ishte konflikt nacional e parimor, andaj Rugova nuk bënte kompromis. "Rugova nuk kishte pse të takohej në majin e vitit 1999 me personalitetet e Tiranës zyrtare, pasi këta e kishin shpallur "tradhtar" dhe "politikisht të vdekur"... Ngutja dhe denoncimi që ajo i bënte në prill 1999 Rugovës ishte njëkohësisht justifikim i veprimeve antishqiptare e antirugovë të Millosheviçit" - konkludon Bytyçi.
Studiusi Bytyçi iu kundërvihet faktueshëm e suksesshëm lapsaxhinjëve shqiptarë, të ideologjisë satanike marksiste-leniniste, enveriste e staliniste, të kryesuar nga agjenti serbo - grek Paskal Milo. Slloganin e tyre të preferuar "Ballkani i ballkanasve", i cili, njëherësh ka qenë edhe moto e Serbisë dhe e Greqisë, me qëllim të sundimit të Ballkanit, Ibrahim Rugova e zhbëri, duke emërtuar "Evropa Juglindore".
Rugova ishte i bindur se Kosova nuk mund të çlirohej duke pritur "forcimin e shtetit shqiptar" dhe as "demokratizimin e Serbisë", madje as "kur të fitonte revolucioni proletar botëror", siç i shkruante inatshëm Jusuf Gërvalla filosllavit shqiptar Enver Hoxha. Rugova ishte personaliteti i parë politik, i cili besonte se "Kosova fiton lirinë e saj, duke u mbështetur fort tek fuqitë e mëdha jashtë ballkanike", te SHBA dhe Evropa demokratike.
Studiusi Bytyçi, duke analizuar filozofinë e Rugovës, shkruan: "Askush, as kundështarët e Tij politikë, madje as armiqtë e Kosovës, serbët dhe Serbia, nuk kanë mundur ta kontestojnë faktin se Rugova dhe politika e Tij kanë shënuar kthesën në historinë e Kosovës".
Studiusi Enver Bytyçi e ndjen fort "Rugovën e munguar", ashtu siç është duke e ndjerë i gjithë Kombi ynë, ndaj shquan disa nga veçantitë e Tij: "Para Ibrahim Rugovës nuk do të kishte guxuar ndonjë diplomat e politikan evropian të provokonte me ide e përsiatje të çmendurish në ndarjen e Kosovës. Para Tij heshtnin armët, heshtnin djajtë, heshtnin dhe strukeshin armiqtë e dashakeqët e Kosovës...Përballë Tij ndjeheshin të pafuqishëm të gjithë, sepse Ai imponohej me vlerat identike që manifestonte, me integritetin intelektual dhe politik që kishte, me argumentet e pakundërshtueshme që sillte".
Boshllëkun e krijuar nga mungesa e Rugovës, provoi ta kompensonte dr. Berisha "me idenë e bashkimit nacional të shqiptarëve dhe ruajtjen e identitetit të tyre". Ithtarët e Rugovës e mbështetën Berishën, ndërsa kundërshtarët e akuzuan si ide "që çon ujë në mullirin e Serbisë". Autori Bytyçi mendon se "sa ishte Rugova Serbia nuk kishte mulli. Ajo duhej të bluante në Bruksel, ose në Moskë. Në Beograd nuk kishin ndonjë mulli, sepse u mungonte edhe uji, edhe drithi".
Prof. Sali Berisha është për vazhdimësinë e projektit të Rugovës, modelin evropian të bashkimit të shqiptarëve. Pas Rugovës janë lansuar emërtime të reja si "kosovarët" në vend të "shqiptarët e Kosovës"; ndërsa disa trutharë, më sakt, tradhtarë i kundërvihen idesë të bashkimit kombëtar të Berishës, duke shpikur "identitet të ri kosovar"!
"Arsyeja dhe logjika që përdori Rugova për fitore dhe zgjidhje të drejtë ishin të pakontestueshme të gjithkush në Evropë. Ndaj ishte i papërballueshëm, i pakontestueshëm, ndaj i vështirë dhe jo gjithnjë i mirëpritur"- thotë Bytyçi.
"Rugova i munguar" përjetohet rëndë nga çdo bashkëkombas me logjikë të shëndoshë. Po të ishte Ai kurrë nuk do të vihej në jetë "plani i Ahtisarit", fshat e enklavë, fshat e komunë, ku dominon pakica serbe. Qysh në vitet `90-a kishte menduar dhe vepruar për simbolet e shtetit të Kosovës: flamurin, hymnin, stemën. Që të trija këto simbole kishin elemente të përbashkëta me ato kombëtare, të Shqipërisë të Vjetër, duke u shquar vetëm në disa veçanti, për t`u përligjur, për njohjen e shtetit të ri, me perspektivë bashkimi.
Falangat e kuqe proletare, pa komb dhe pa atdhe, të spektrit ekstrem majtist, enverist e stalinist, të organizuara në shoqata fantomë, si ajo e "veteranëve të UÇK-së", e "invalidëve të luftës", pa hyrë në luftë fare, të dirigjuara nga Serbia, i vunë zjarrin Flamurit të Shenjtë të Dardanisë. Këta halabakë e rrugaçë, të instruktuar nga Serbia, sulmuan serbët në shtëpitë e tyre, dogjën kishat e tyre. Dhe, qendrat e vendosjes, me Ahtisarin në krye, si kundërpërgjigje të këtij vandalizmi banditesk, krijuan enklavat dhe komunat në çdo fshat ku ka serbë. Partitë e këtyre horrave, që kishin ndihmuar platformën serbe të këtij rebelimi, e heshtën dje, e heshtin edhe sot këtë tradhti të madhe që i bënë Kosovës. UNMIK-u i arrestoi disa nga kryehorrat, i mbajti ca muaj në burg, duke i liruar, që të vazhdojnë me shërbime të tjera në favor të Serbisë.
Të gjitha nismat e LDK-së për ta përjetësuar emrin dhe veprën e Rugovës, i ka dështuar e majta ekstreme staliniste e Kosovës, përfshi këtu edhe memorialin. Ndonjëri i ardhur nga rruga dhe i katapultuar në kupolën e institucioneve të Kosovës, turpshëm e rrugaçshëm heq fotografitë e shtetbërësit të Kosovës, madhe edhe në ditën e shpalljes të pavarësisë! Së fundi, edhe një kone ministrore, fort i përfolur si taleban, emiton kryehorrin e Parlamentit në "lojën" e fotografive.
"Ndërkohë harrojnë se bota respekton ato kombe dhe ata popuj që respektojnë vetveten. Mosrespektimi i një figure madhore si ajo e Ibrahim Rugovës është injorimi i vetevetes. Nëse injoron vetveten, atëherë meriton përbuzjen e të gjithë botës që të rrethon" - thotë Bytyçi.
Studiusi Bytyçi vazhdon me vlerësimin suprem për Presidentin Historok të Kosovës: "Rugova ishte i drejtë, ishte i arsyeshëm sa kurrkush tjetër në Kosovë, nuk ishte hakmarrës, por nuk ishte as hipokrit dhe servil, nuk ishte i dëgjueshëm dhe nuk i nështrohej askujt... Nëse serbët do ta kshin pasur një Rugovë, ai sot do të ishte shpallur hero nacional i Serbisë, duke rrëzuar Stefan Dushanin nga froni. Në Beograd do të ishte lartësuar monumenti i tij dhe serbët do të bënin peligrinazh në një mauzole të tij, pa dallim bindjesh partiake".
"Ibrahim Rugova mbeti simbol i qëndresës deri në fund. Edhe i sëmurë e në krevatin e vdekjes ai ishte sfidant. Sfidë kundër Serbisë, duke e përfaqësuar Kosovën me dinjitet e integritet të plotë në bisedimet për statusin e saj; - Sfidë kundër sëmundjes vdekjeprurëse; - Sfidë kundër asaj pjese të politikës shqiptare, e cila flirtonte me Serbinë pa marrë parasysh interesat e Kosovës; - Sfidë ndaj ndërkombëtarëve bashkëpunëtorë të Serbisë, të instaluar në UNMIK; - Sdidë për të dëshmuar aftësi shtetformuese në Kosovë e për ta merituar lirinë e pavarësinë e vendit. Kurrë ndonjëherë më parë dhe kurrë ndonjëherë më vonë nuk do të këtë shansin ndonjë udhëheqës politik shqiptar të tregojë aq aftësi, mençuri e përkushtim për t`i fituar të gjitha betejat politike e nacionale, siç i kishte fituar Ibrahim Rugova " - konkludon autori Bytyçi.
"Presidenti i Kosovës, Rugova, ishte i pari udhëheqës politik i trevave shqiptare, i cili njihte me realizëm psikologjinë e popullit të tij. Ai është i pari prej tyre që kishte kuptuar se shqiptarët janë popull i qëndrueshëm, me aftësi të mëdha rigjeneruese dhe mbijetuese, por jo edhe një popull luftarak e militar. Ai ishte i pari udhëheqës shqiptar që kishte kuptuar faktin se paqja dhe liria janë dy anë të së njëjtës medalje, kah shqiptarët kanë prirjen e tyre" - analizon Bytyçi. Në favor të kësaj të vërtete të madhe flet fakti se në luftërat Ballkanike Serbia mobilizoi 300 - 350 mijë luftëtarë, ndërkohë Shqipëria dhe Kosova sëbashku mobilizuan vetëm 10 - 12 mijë luftëtarë, edhepse "shqiptarët ishin objekt i sulmeve dhe masakrave çnjerëzore serbe"!
"Në përputhje me këtë psikologji, Rugova realizoi politikën e mbijetesës, politikën e ruajtjes fizike të popullsisë, të cilën Ai e përfaqësonte politikisht, duke i dhënë asaj edhe shansin e fitores në paqe...Ibrahim Rugova e realizoi këtë , sepse Ai nuk ishte një aventurier politik, nuk vepronte me pasionet politike shqiptarçe e ballkanike, nuk i shihte armët si mjeti i vetëm i çlirimit prej sundimit dhe pushtimit serb... Ai kishte kuptuar me zgjuarësi dhe kishte maturuar me urtësi të gjitha lëvizjet politike të kohës, duke saktësuar rrugën nëpër të cilën do të ecte dhe do ta çonte Kosovën drejt lirisë dhe pavarësisë të saj"- konstaton Bytyçi.
"Rugova konjukturat i shihte vetëm në kuadrin e ndërtimit të taktikës të luftës për liri, por jo edhe si aspekt të ndryshimit të qëllimeve të Tij. Ndaj Ai shihet dhe njihet njëkohësisht si politikani më i pakompromis në shoqërinë politike shqiptare e më gjerë...Ibrahim Rugova ishte politikan vizionar... Ai nuk mendonte për të sotmen e Kosovës, por për të ardhmen e saj. Ai nuk kishte zgjedhur mjete të përkohshme për të rezistuar kundër dhunës dhe terrorit serb, por kishte zgjedhur mjete të pranueshme për gjithë jetën e nga e gjithë bota që t`i përdorte në këtë luftë" - potencon Bytyçi
"Presidenti historik i Kosovës e mësoi popullin e Tij për herë të parë në histori sesi mund ta përdorte refuzimin si metodë të suksesshme për të arritur qëllimet e tij të lirisë. Përmes lëvizjeve të Tij në rezistencën e shqiptarëve Ai dha shembullin e vetëm unik në historinë e vendit, sesi mund ta ta mundësh pushtuesin, duke e injoruar atë, duke e refuzuar atë dhe duke ndërtuar një jetë politiko-shtetërore e shoqërore paralele, të pavarur nga sistemi i vendosur prej pushtuesit serb. Kjo metodë evolucioniste mbetet edhe në ditët e sotme si model i suksesit, nëse ajo përdoret me zgjuarësinë dhe vendosmërinë e Ibrahim Rugovës" - na e jep në sintezë filozofinë vepruese të Rugovës autori Bytyçi.
"Ibrahim Rugova na ka lënë mësimin e madh se vizionarët bëjnë histori. Servilët dhe pushtetmbajtësit përmes kolaborimeve me armiqtë e kombit shqiptar nuk mund të bëjnë histori...
Rugova na dëshmon se integriteti politik dhe moral personal është kushti kryesor për të siguruar mbështetjen e bashkëkombasëve si dhe për të qenë i pranishëm në tavolinat ndërkombëtare...Ai ishte imponuar me vizionin e Tij, me idetë e Tij filozofike e politike, me forcën e argumenteve dhe urtësinë prej udhëheqësi... Ibrahim Rugova ishte dhe do të mbetet përjetësisht në majën e elitës politike dhe intelektuale shqiptare, modeli i njeriut që diti të komunikojë me bashkëkombësit e Tij, njeriu i urtë që në asnjë rast nuk e përdori fjalën e rëndë kundër shqiptarëve, personaliteti që na mëson sesi duhen ndërtuar marrëdhëniet brendashqiptare, me qëllim zhvillimin dhe prosperitetin nacional" - rezymon studiusi i vëmendshëm dhe gjithë pasion Enver Bytyçi.
Studiusi Bytyçi vjen në konkluzionin e saktë se "Ibrahim Rugova luan në rastin e Kosovës rolin e Bismarkut. Ai nuk mund të jetë pronë vetëm e LDK-së, sido që do të mbetet për jetë krenaria e kësaj partie, por është dhe do të mbetet gjithashtu për jetë pronë e Kosovës, e qytetarëve të saj, e institucioneve të saj politike dhe shtetërore, e elitës intelektuale dhe nacionale".
Organizimi i ndonjë përkujtimi të zbehtë për Rugovën, me vlerësime hiç korrekte nga pushtetarët, se "Rugova luajti një rol të rëndësishëm dhe burrë i shquar i dekadës të fundit të shekullit të kaluar", është denigrues dhe falsifikim i rëndë i historisë.
Vlerësimi dominues i mendjeve atdhetare të kombit është se Ibrahim Rugova nuk ka ndërmjetës në histori, që nga koha e Skënderbeut e këtej. Dhe, pa mohuar aspak burrat e shquar shqiptarë ndër shekuj e dekada, momenti historik për Kosovën, Messia i saj është pahamendje Presidenti Historik, dr. Ibrahim Rugova.
Koha dëshmoi parashikimin e Carl Bild-it: "Pa dyshim që Kosova do të jetë një vend më i vështirë pa Rugovën".
Lexuesi shqiptar, i sotëm dhe i nesërmë, është dhe do të jetë mirënjohës studiusit Enver Bytyçi, për realizimin në supërlativë të kësaj vepre madhore, me bindjen se historia më e re e Shqiptarëve, nuk do të ishte valide pa referencën në librin "Filozofia politike dhe nacionale e Ibrahim Rugovës". Mirënjohje kolektive - kombëtare për studiusin e kualifikuar dhe ngulmues Enver Bytyçin.
Lavdi veprës dhe jetës të shtetbërësit të Kosovës - Ibrahim Rugova.