Speciale
Ryzhdi Baloku: Lëshoje të jetojë me vuajtje
E merkure, 04.05.2011, 09:58 PM
Ryzhdi BALOKU :
LËSHOJE TË JETOJË ME VUAJTJE
Fragment nga libri
UDHËTIM NËPËR VITET DRAMATIKE SHQIPTARE
( Libri përshkohet me rrëfime nga periudha 1877-1999 )
Gjatë kontakteve me bashkëqytetarët e mi, mora vesh më saktë për vrasjet që kishin ndodhur nga paramilitarët serbë në lagjen Dardania të Pejës, me rastin e dëbimit të shqiptarëve prej shtëpive të veta në natën e parë të festes së bajramit.
Situata ndëretnike e krijuar prej vetë serbëve në atë lagje ishte tensionuar tej mase atë ditë, meqë ata zienin diçka dhe vlonte me të madhe.
Në natën e parë të bajramit, në familjen Kastrati i kishin ardhur Nevzatit shokët në shtëpi për ta vizituar, derisa babai i tij Nuradini nuk ishte aty. Nëna Kimetja doli tek fqinjët të kuptojë se mos dinë se çka është duke ndodhur dhe e la të birin bashkërisht me shokë e vet Valdet Hysenin që ishte edhe fqinj, po ashtu edhe drenicasin me emrin Adem i ikur prej zonës së luftimeve që ishte përkohësisht i vendosur aty afër.
Valdeti shqetësohet kur të fqinjët nga ana e kundërt e rrugës e dëgjon një zhurmë me rrapëllima, që flisnin serbisht. I drejtohet Nevzatit dhe Ademit se situata si duket qenka keqësuar shumë dhe diçka nuk është në rregull, prandaj iu kërkon falje dhe largohet për të shkuar në shtëpi të vet. Aty mbesin Nevzati dhe Ademi duke i dëgjuar lajmet nga radiostacioni ”Kosova e lirë”.
Pasi që Valdeti arrin në shtëpi të vet, i hyjnë paramilitarët e maskuar me fytyra të ngjyrosura brenda shtëpisë dhe njëri nga ata, ia drejton automatikun duke ia bërë pyetjen: ”Sa e ka vlerën kjo kokë”. Valdeti i përgjigjet: ”Për mua është shumë e vlefshme, por sa e çmoni ju nuk e di”. Paramilitari ia kthen: ”Për këtë kokë të vlefshme duhet paguar shtrenjtë”, ndërsa Valdeti përsëri ia kthen: ”Ne nuk jemi të pasur” dhe në atë moment duke mos e ditur se çka është duke ndodhur në korridor të shtëpisë, Mirlinda bashkëshortja e të vëllait Vetonit, doli nga dhoma, me të cilin rast e sheh sesi Valdetit ia kishin futur grykën e automatikut në fyt dhe po e kërcënonin me jetë, por edhe paramilitarët ia vërejtën grushtin e mbushur me stoli ari. Në moment Mirlindës i punon intuita dhe me grusht të shtrirë ia ofron arin paramilitarit qe e kërcënonte Valdetin, me fjalët: Ja këto i kemi të gjitha. Atë skenë e sheh edhe e motra Adilja. Paramilitari, me të shpejt ia rrëmben stolitë nga ari e i fut në xhep të pantallonave kamuflazhi dhe pas pak dalin nga shtëpia.
Në anën tjetër një grup paramilitarësh hyn në shtëpinë e Kastratëve dhe aty brenda e masakrojnë Ademin, ndërsa Nevzatin e kishin prerë në fyt. Në ndërkohë nëna Kimetja kthehet nga fqinjët në shtëpi, sepse e vëren që situata ishte e pakontrolluar. Me të hyrë në oborr e sheh sesi paramilitarët ia tërhiqnin të birin zvarrë nga shtëpia në oborr, i cili i tëri ishte përgjakur nga prerja në fyt. I drejtohet paramilitarëve me fjalët Zoti juve ua ktheftë dhe njërin prej tyre e pështyn duke i thënë, more katil.
Paramilitari e ngre automatikun që ta vrasë Kimeten, por tjetri ia kthen kolegut me fjalët: Lëshoje të jetojë me vuajtje.
Pasi që paramilitarët dalin prej oborrit, Kimetja del te familja Gega për të kërkuar ndihmë. Me të arritur te ata i sheh të dy bijtë e Musasë të shtrirë e të përgjakur në mes të oborrit. Xhelali ishte i masakruar dhe kishte dhënë shpirt, derisa Arbënorit i kishin dalë zorrët nga barku dhe ende ishte gjallë. Ia kërkoi Kimetës pakëz ujë për ta pirë. Kimetja me vrap ia sjell dhe pasi që e pin ujin edhe Arbënori jep shpirt.
Gjatë asaj kohe do të vriten e masakrohen në këtë lagje edhe Besim Gjikolli, Jusuf Kelmendi, Milaim Hoxha, Ymer Gashi si dhe Ryzhdi e Atdhe Ramosaj të cilët kanë qëlluar tek miqtë.
Gjatë tërë natës Kimetja rrin pranë të birit. Në mëngjes dëgjohet zhurma e motorit të automjetit, Kimetja largohet dhe hyn në shupë dhe nga zgavra shikon në oborr. Hapet dera, paramilitarët në uniforma kamuflazhi hyjnë në oborr, e marrin kufomën dhe dalin. Derisa Kimetja del pas në rrugë, për të parë ku po e çojnë kufomën e të birit, kamioni largohet, i mbushur me kufoma.
Vrasjet e masakrat do të ndodhin në atë kohë edhe në lagjet tjera, e po ashtu edhe gjatë dëbimit pa kurrfarë arsyeje shqiptarët nxirren nga kolona e pushkatohen në prani të tjerëve.
Me një rast gjatë ecjes në kolonë plaku Haxhi Idrizi lodhet, kur arrijnë te stacionit i autobusëve në Pejë, e ndalon ecjen dhe ulet, atëherë i afrohet paramilitari me urdhër që të ngritët, Haxhiu ia kthen: vetëm pak të pushoj se nuk po mund të eci, atëherë paramilitari ia drejton plakut automatikun në kokë dhe me një të shtënë ai bie i vdekur për asfalt. Në atë moment bashkëshortja e tij Nifa që gjendej pran filloi të qajë duke i rënë Haxhiut sipri, shpjegon plaku Hysen Zeka. Me atë rast të pranishmit nga kolona për ta shpëtuar plakën që mos ta vrasin si bashkëshortin, e tërheqin prej krihesh dhe e fusin në kolonë.
Për krime të këtilla dëgjoja përditë, si ajo për familjen Kastrati të lagjes Kristal në Pejë, ku e kishin vra shokun tim Xhaferin me dy djem, Adrianin e Albanin dhe Sokolin me të birin Valdetin, derisa nga disa banorë të Mitrovicës aty dëgjova edhe për vrasjen e shokut tim sindikalist Agim Hajrizi, birit të tij dhe nënës plakë.