E marte, 06.05.2025, 03:28 AM (GMT+1)

Speciale

Gjekë Gjonaj: Kontributi i trieshjanëve në Kryengritjen e Malësisë së Madhe

E diele, 10.04.2011, 08:00 PM


Kontributi i trieshjanëve në Kryengritjen e Malësisë së Madhe*

 

Nga Gjekë Gjonaj

 

Kam kënaqësinë dhe nderin e madh  të flas para jush me rastin e përkujtimit   të 100-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe,  njerës prej ngjarjeve  me  rëndësi hiostorike   të kombit tonë, për të cilën   shkrimtari  ynë i madh   Ismail Kadare  thotë se “   ajo hyn ndër ato ngjarje, që kanë zëvendësuar në Shqipëri veprat monumentale, bibliotekat dhe akademitë”  dhe se “ është lufta e fundit  e shqiptarëve përprara  fillimit të pavarësisë dhe akti i fundit i një drame të përgjakshme, që vazhdonte qysh prej pesë shekujsh. ”. (1)

Ne malësorët  kudo që jemi kemi fatin e mirë që sot po festojmë  këtë ngjarje të shënuar të popullit shqiptar me Shqipërinë në NATO dhe me Kosovën shtet të pavarur e sovran. 

Kryengritësit malësorë  trima  bashkë me trieshjanë filluan  para një shekulli betejën  e përgjakshme për liri e pavarësi  në mbrotje të trojeve të tyre  etnike, të kombit, gjuhës, traditës, zakoneve, fesë dhe  kulturës shqiptare  kundër Perandorisë Osmane,  që ishte fuqia më e madhe ushtarake e kohës, të bindur  se  fitorja nuk vjen përmes rrugës së shtruar me lule, por  rrugës së shtruar me gjemba, rrugës së dhimbjes dhe  sakrtificës me gjurmat e gjakut të derdhur.  Për këta  burra  nga të gjitha krahinat  e Malësisë së Madhe , të rritur në djepin e trimërisë dhe me këngën e lirsë, vdekja në luftë për liri ishte e bekuar, kurse jeta në robëri ishte e mallkuar.

 

Lemaja - beteja e parë e përgjakshme për liri e pavarësi

 

Burimet historike tregojnë  se trieshjanët kanë derdhur gjak të pastër shqiptar për trojet e tyre stërgjyshore  në luftimet e ashpra e të pabarabarta  me forcat turke të armatosura deri në dhëmb   që nga viti 1907 e deri në vitin 1911,  kur malësorët nënshkruan historinë e lavdishme të popullit shqiptar.

Në raportin e  gjeneralit V. Llazoviq, dërguar ministrit ushtarak në Cetinë, gjeneralit Mitar Martinoviq, thuhet se përleshjet e para luftarakë në mes të trieshjanëve dhe ushtrisë osmane, kanë filluar  më 6 tetor 1907 pasdite në ora 16:00 në Luginën e Cemit, në Lemajë e Shesh, (2)  ku nizamët  kishin  vendosur  disa çadra dhe punonin në  ngrtijen e kështjellës për nevojat e veta ( 3)

Afro 150 luftëtarë  trieshjanë,  të organizuar në dy çeta:   e Trieshit të Poshtëm, që e udhëheqte  Kolë Prëçi Gjolaj,  nga fshati Muzheçk, dhe  e Trieshit të Epërm, nën drejtimin e Gjelosh Tomë Ujkaj, kadet i shkollës ushtarake të Cetinës nga fshati Bëkaj ( 4 ) pas një lufte të rreptë disaditëshe në Lemajë, Shesh e Grabom  arritën të dëbojnë ushtrinë turke nga Trieshi. Në betejën e Lemajës dhe Sheshit, sipas burimeve ruse ( raporti nr. 47 i datës 12 tetor i vitit 1907) , që ambasadori rus nga Cetina ia dërgon ministrit  për Punë të Jashtme në  Petrovgrad,  konfirmohet se në konfliktin e armatosur ndërmjet trishjanëve dhe nizamit u vranë tre ushtarë turq, nëntë  tjerë u plagosën sikurse edhe një oficer.  ( 5) Ndërkaq   në burimet malalaze ( raporti i cituar  dërguar minsitrit ushtarak në Cetinë gjeneralit Martinoviq)  nuk përmendet numri i të plagosurve, por  thuhet  se  “ kemi gjetur tre skeletë të ushtarëve të vrarë nizamë” ( 6 )

Bazuar në dokumentin  nr. 321/       6, dërguar  ministrit ushtarak nga gjenerali Llazoviq,   (7)  në betejën e madhe të Grabomit, e cila zgjati disa ditë,  u vranë  dhe u plagosën mbi 30 ushtarë turq, ndërsa nga pala trieshjane janë plagosur  tre vetë : Gjel Deda Nikprelaj, Gjelosh Toma Ujkaj dhe Kolë Duli Palushaj.  Po sipas këtij raporti sekret, që mban datën 11 tetor 1907 në këtë betejë për fat të keq kanë humbur jetën edhe janë plagosur disa civilë. ( 8) 

Histriani nga Gruda me banim në Shtete të Bashkuara të Amerikës, Gjon Frani Ivezaj  shkruan: “Lufta e Lemajës, shënoi edhe datën më të rëndësishme të lavdisë së trieshianëve. Të gjithë malësorët, sikurse edhe herë të tjera u bashkuan, kundër armikut të përbashkët turk. Me germa të arta, janë të shënuar në analet e historisë së popullit shqiptar e të Malësisë, emrat e luftëtarëve trima të lirisë, që u dalluan në Luftën tek Ura e Lemajës. Në vitin 1907, bajraktarët e vojvodët trima e djemtë sokola të Trieshit, rrëmbyen armët dhe sulmuan postën e kështjellës turke, në Urën e Lemajës. Ata për shtatë ditë e netë me radhë luftuan si luaj kundër garnizoneve turke. Aty u dalluan shumë trima trieshianë, ku ushtria turke mori ikjen e arratinë nga kishte ardhur më parë. Ata gjatë ikjes me turp, të shpartalluar dogjën dhe plaçkitën çfarë gjetën përpara. Kjo ishte një metodë e vjetër e ushtrisë barbare turke.” (9) 

 

Flijimi i kryengritësve trtieshjanë për Flamurin e Skënderbeut

 

Qëndresa   dhe fitorja e patriotëve trieshjanë  kundër  Portës së Lartë në  Lemajë, Shesh  e Grabom  dhe lufta  e tyre e drejtë për çlirim kombëtar  padyshim se ka ndikuar  në zgjimin kombëtar të popullit shqiptar. Kjo luftë e madhe e trieshjanëve  dhe e ushtarëve osmanë me pasoja tragjike i parapriu Kryengrtijes së Malësisë së Madhe të vitit 1911 dhe shërbeu si  nxitje  e kësaj  lufte të fundit  përpara fitimit të pavarësisë . ( 10)  Këtë  e vërtertuan ngjarjet e mëvonshme, sidomos ato të viteve 1910-1912.

Ditën e parë të shpërthimit të  Kryengritjes së Malësisë së Madhe ,  më 24 mars 1911,   së cilës  i priu me sukses  heroi ynë  Dedë Gjo  Luli, iu  bashkangjitën edhe trimat e lirisë nga Trieshi, të gatshëm për flijime të reja. Kjo pasqyrohet qartë në poemën “ Lufta e Maleveve” të  mësuesit, poetit dhe luftëtarit  Palokë  Traboini Gojçaj nga Hoti, kushtuar Kyrengritjes së Malësisë së Mbishkodrës: ( citoj)

Ndiej ç po t thotë njeky Trieshjanë( Gjel Çaku):

Në mal temin sa tkaptoj

Kushtrim Trieshit tash i lshoj

me ra shpejt prej bjeshksë e vrrinit

përmbas djelve t Traboinit

nhall me i dalun Osmanllis,

me i fitue lirin Shqipnis,

me  ngulë nHot flamurin arit

kuq e zi si e patëm sparit.

Po ta nap besën e Zotit

Vet me msy me djelt  e Hotit,

 me dhanë jetë për liri,

 për flamurin kuq e zi

Qi kaherë e kem dishrue ( 11)  

Historiani Romeo Gurakuqi shkruan se  ditën e dytë të shpërthimit  të kryengritjers  u vra një trieshjan dhe një tjetër u plagos, se një ditë më vonë kryengritësit të ndihmuar prej disa trieshjanësh muarën kaushën e Pikalës dhe tri kausha të tjera  të Malit të Zi .  ( 12)  Gurakuqi,  duke iu referuar  njoftimit të konsullit Skutari Zambaur të datës 27 mars 1911 thekson se “ numri i kryengritësve, të cilët kanë ardhur nga Trieshi në Mal të Zi për tu  dhënë mbështetje kryengritësve, është 3-4 mijë”  (13) dhe shton : “ në përkrahje të Hotit dhe Grudës, me 27 mars, rreth 300 vetë banorë nga fshatrat e anës malazeze të kufirit, Trieshit, Fudnës ( Fundnave-shënimi im), Orahovës ( Rahosë-shënimi im) e tjerë  morën pjesë në  luftime”. ( 14) Vullnetarët nga Trieshi luftuan heroikisht, bashkë me kryengritësit e tjerë malësorë,   për shkatërrimin e  të gjitha fortifikatave turke në rajonin e  Malësisë së Madhe. Nga ditari personal i Janko Vuktoiqit, që ruhet në Muzeun e Mbretit Nikolla, shihet qartë   se  50 trieshjanë  u vijnë në ndihmë kryengritësve kelmendas deri në fund të kryengritjes. Historiani nga Kosova Isa Bicaj në monografinë “ Marrëdhëniet  shqiptaro-malazeze ( 1881-1914)”  shkruan se  me 18 prill  të vitit 1911 forcat kryengritëse  të inkurajuara nga  trieshjani  Gjokë  Vata në këto luftime u vra një kryengritës nga Trieshi. ( 15)   Praninë e çetave të Tireshit në  Kelemend i konfirmon edhe   komandanti  i batalionit të Kuçit të Epërm Spasoje  J.  Miliq në një  njoftim që i bën eprorit të tij  ( 16)   At Pal Dodaj në ditarin e tij,  që man datën 3-4 shtator 1911, ku  ndër të tjera jepet një variant i fillimit të kryengritjes  në Rapsh të Hotit,  thuhet:  “ … Shqiptarët e Triepshit e rrethina, tashmë të lodhur nga të jetuarit nën Qeverinë Malazeze, kishin mbështetur me zjarrë malësorët me shpresë së do të bashkoheshin përësri me ta ( malësorët- shënimi im)   nëse këta  ( malësorët-shënimi im)  fitonin.” ( 17) 

 

Por ka patur edhe raste kur luftëtarët trieshjanë  kanë sulmuar ushtarët turq edhe  në mënyrë individuale , siç ka ndodhur në Cemin e Trieshit, ku Gjel Dodë Husi ka çarmatosur një repart  të tërë osmanësh  ( 18)     luftimet  e prëgjakshme gjatë vitit 1910-1911 u plagosën dhe u vranë shumë kryengritës malësorë, në mes tyre edhe trieshjanë. Në mungesë të burimeve të shkruara  nuk mmund të japim  numrin e  saktë të të vrarëve trieshjanë në këtë kryengritje, përveç  çka   thamë më lartë dhe  çfarë  shkruan studiuesi i kësaj trevë Gjergj Nikprelaj në librin e tij kushtuar Kryengritjes së Malësisë të vitit 1911, ku  thotë se  në Qafë të Uglës  nën Majën e Helmit,  nga kjo  trevë kanë humbur jetën  Cela Baci në Hot,  Gjergj Deda, Tomë Nika, Lucë Ujka , Gjel Çak Mirashi  në Drume të Hotit dhe  Vatë Martini   në Narhelm, të dy më 27 mars 1911,  ( 19), kurse  në listën e ushtarëve   që mbetën në Këlmend Nikprelaj ka publikuar emrat e 41 trieshjanëve.  ( 20)  Gjaku i derdhur i vëllezërve tanë trieshjanë për  të mbrojtur çdo pëllëmbë të tokës së vet   në përleshjet  me  ushtarët turq  gjatë periudhës 1907-1911, nuk shkoi kot. Ai gjak, si përmendorja më e madhe e qëndrueshmërisë së çeliktë, guximit dhe  trimërisë  së pashembulltë, u kurorëzua  me ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar ( shqipen dykrenare e strukur diku për  gati pësë shekuj robërie pas vdekjes së Gjergj Kastriotit) në Bratilë të Deçiqit, më  6 prill të vitit 1911, nga trimi legjendar Dedë Gjo’  Luli me bashkëluftëtarët e vet. 

Po atë ditë  Prelë Luca ngriti në Triesh flamurin  shqiptar, ( 21) i cili   u valëvit në qiellin e lirë të vendlindjes sime.

Patriotët trieshjanë  nuk janë  pajtuar  me vendimin e  Kongresit të Berlinit që të jetojnë  nën Malin  e Zi, por   kërkuan të jenë me Shqipëri.  Ata bashkë me hotian e grudian disa herë kishin shkuar të protestojnë në Shkodër për të kërkuar Shqipërinë, duke brohoritur “ Rrnoftë Shqipnia me Hot, Grudë e Triesh”. ( 22) 

 

Kur flasim për këtë ngjarje me rëndësi historike patjetër duhet theksuar edhe misionin politiko-diplomatk të  intelektualit nga Tireshi i përmasave kombëtare  Nikollë Ivanajt, njëri nga udhëheqësit e kryengritjes shqiptare dhe të Lëvizjes Çlirimtare të popullit shqiptar në përgjithësi.     Ivanaj si anëtar i Komitetit të Kryengritjes në Podgoricë,  bashkë me personalitetet  e njohura të Lëvizjes Çlirimtare Shqiptare :  Ismail Qemalin , Luigj Gurakuqin Hil Mosin, Risto Silin, Salih Hoxhën, Simon Dodën,  e tjerë ( 23)     përmes misionit të tij politik e diplomatik  iu përkushtua  denjësisht   çështjes së  shenjtë të lirisë dhe të pavarësisë së Shqipërisë,  në grumbullimin e ndihmës materiale dhe sigurimin e  armëve për kryengritësit, ( 24)  në strehimin dhe  ushqimin  e  emigracionit të madh shqiptar  dhe familjeve të varfëra malësore dhe në forma të tjera .( 25)

Nga dokumentacioni arkivor dhe burimet  që kemi në disponim shihet qartë se  në Triesh  gjatë viteve  1910-1911 kanë gjetur strehim të përkohshëm    shumë refugjatë shqiptarë nga malet e Shqipërisë së Veriut, në mesin e të cilëve edhe  udhëheqësi i Kryengritjes së Malësisë së Mbishkodrës, Dedë Gjo’ Luli e kryengritës të tjerë shqiptarë.  ( 26)  Ndihma që populli i Trieshit  u dha refugjatëve shqiptarë, në gjykimin tim,  është faqe e ndritshme e  historisë së  dashurisë  dhe fqinjësisë së mirë vëllazërore.

Ne trieshjanët kudo që ndodhemi duhet të jemi  krenar dhe të mburremi edhe me faktin se pikërisht në këtë truall të Ilirisë, më saktë nën ahun legjendar të Greçës ( vend strategjik i mbrojtjes)  më 23 qershor të vitit 1911 ( 27)  u mblodhën  krerët më të mëdhenj shqiptarë  të kohës me ftesën  e Komitetit  të Podgoricës dhe   formuluan e firmosën programin politik të kryengritjes shqiptare  – Memorandumin , ( 28)   apo siç u  quajt  në atë kohë “ Libri i kuq”,  prej 12 kërkesash, i cili e shqetësoi  mbretin Nikolla, sespe  atij  vendimet historike në Greçë  i prisnin  rrugën planeve pushtuese malazeze ndaj viseve shqiptare (29)  

 

Përfundimi

 

Sukseset e  trieshjanëve dhe malësorëve të tjerë    betejat e përmendura mbylli një epokë të tërë lufërash e përpjekjesh shekullore për të hequr qafe zgjedhën e huaj,  për të formuar shtetin e lirë kombëtar shqiptar, dhe,  nga ana tjeter, hapi një epokë të re luftërash e përpjekjesh të tjera për ta mbrojtur pavarësinë e fituar të Shqipërisë nga rreziqet e jashtme e të brendshme. Ato forcuan edhe më tej bindjen se shqiptarët malësorë ishin të zotë të mbronin vetë trojet e tyre pa ndihmën e askujt, mbasi ata ushqeheshin nga dashuria për atdheun e tyre, që
ishte dhe mbeti motivi më frymëzues i të gjithë malësorëve.

Shumë patriotë trieshjanë,  jo me fjalë por  me veprime konkrete luftarake në fushat e betejës,  dhanë jetën për flamur e për atdhe,  dhe u mbetën besnik vëllezërve  të fiseve tjera të Malësisë së Madhe. ( 30) . Ata  i treguan opinionit të gjerë se  nuk dëshiruan  të mbeten nën turkun,  se janë burra  e trima guximtarë, liridashës, heroik e mikpritës dhe se  në damarët e tyre gufon  fryma e dashurisë ndaj atdheut, liria dhe pavarësia e Shqipërisë, virtyte këto   që ruhen  edhe sot. Jam i bindur se  këto ndjenja dhe idelae kombëtare  do të vazhdojnë    kultivohen, ruhen dhe përcjellen   nga brezat  edhe në të ardhmen derisa të vazhdojë  jeta në këto male e në  këto shkrepa legjendare të gjakosura,  dhe  derisa të vazhdojë të rrejdhë pika e fundit e  ujit të kthjellët si loti  i  lumit Cem. Me këto veprime atdhetare trimat trieshjanë, disa  prej të cilëve i dekoroi presidenti i Shqipërisë dr. Sali Bersiha,  na e zbardhën faqen për gjithë jetën.

I përjetshëm qoftë  kujtimi dhe nderimi ynë ndaj të gjithë luftëtarëve dhe  dëshmorëve trieshjanë  në veçanti dhe  atyre shqiptarë në përgjithësi !

Rroftë populli shqiptar!

 

*Kumtesë  me rastin e shënimit të  100-vjetorit të Kryengrtijes së Malësisë së Madhe

 

 Triesh, 2 prill 2011                                        

 

LITERATURA

1.   “ Koha javore, 10 mars 2011, faqe 13

2.   Gjergj Nikprelaj, “ Lufta në Lemajë , Polis-shtojca në gjuhën shqipe, tetor-nëntor 2007

3.   Lucë Lucaj “ Triepshi ndërmjet Malësisë dhe Kuçit”,  Tuz 2001, faqe 68- 69.

4.   Gjergj Nikprëlaj  Lufta në Lemajë , Polis-shtojca në gjuhën shqipe, tetor-nëntor 2007

5.   Po aty

6.  Po aty  

7.   Po aty  

8.  Po aty 

9.  Gjon Frani Ivezaj, “ Triershi ndër shekuj - Beteja te Ura e Lemajës”, Zoja shqiptare, 8.09.2008. 

10.            Gjergj Hasanaj “ Malësori këndon”, Titograd, …  faqe 236 .

11. Kolec Traboini “ Gjurmë në histori”, faqe 58-59

12. Romeo Gurakuqi, Kryengritja e Malësisë  së Mbishkodrës 1911, Shkodër 2002, faqe 74

13. Romeo Gurakuqi, vepër e cituar , faqe 75 

14. Po aty, faqe 76

15. Dr. Isa Bicaj, “ Marrëdhëniet  shqiptaro-malazeze ( 1881-1914)”, faqe 101-102

16.            Gjergj Nikprelaj, vepër e cituar, faqe 220-244

17. Dr. Nevila Nika “ Përmbledhje dokumentesh mbi kryengritjet shqiptare (1910-1912), Instituti i Historisë - Prishtinë, 2003, faqe 175

18.            Gjergj Nikprelaj, vepër e cituar, faqe 173

19.            Po aty, faqe 179

20.            Po aty, faqe 209-210. 

21. Kolec Traboini, Vepër e cituar, faqe 21

22.            At Anton Harapi, “ Andrra e Prëtashit”,  Botime Franmçeskane, Shkodër, 2008, faqe 169

23.            Luigj Gurakuqi, “ Vepra të zgjedhura”, Prishtinë, 1969, faqe 292

24.            Historia e Shqipërisë, vëllimi II. Tiranë 1984, faqe 450

25.            “Glas Crnogorca” , Nr. 49, datë 30 shtator 2010

26.              ASHMZ, MPB, fash. 102, Telegrami nr. 2750 dt. 2707.1910; Po ashtu MPJ, Telegram  nr. 4.  Datë 2.08.1910 

27.            Romeo Gurakuqi, vepër e cituar

28.            Po aty, faqe 116-123

29.            Dr. Isa Bicaj, vepër e cituar, faqe 104)

30.            Dr. Palokë Gj.  Berisha  “ Gjoni e Agroni në shërbim  të arsimit dhe shkencës”,  Tuz 2003, faqe 16 )



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Agron Shabani: Pushteti, kapitali, kariera, profesioni dhe "lehtësia e padurushme" e shtetit ligjor dhe demokratik. . . Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (VI) Ali Podrimja: Për kë shkruajmë? Monet Maneshi: Kolonizimi italian i Shqipërisë dhe pushtimi fashist i vendit Gani Qarri: Tivari, ky Varr masiv i asgjësimit të shqiptarëve Baki Ymeri: Studentët shqiptarë të Rumanisë dhe veprimi i tyre patriotik Monet Maneshi: Atentati kundër Mbretit Zog dhe Martesa e tij Monet Maneshi: Vrasja e Ceno begut, kurorëzimi i mbretit Zog dhe një shkrim i panjohur i Fan Nolit Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (V) Ilia S. Karanxha: Personaliteti i Nikolla Leonik Tomeos në artin rilindas italian Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (IV) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (III) Fotaq Andrea: Edit Durham, Xhonturqve, në gusht 1911: “Ju e humbët përgjithnjë Shqipërinë” Petrit Laurence: Mitrovica (Sirminum) Kryeqytet i Ilirisë Ilia S. Karanxha: Luka Ulqinaku, Bernardino de Vitali dhe ballina e Historisë të Skënderbeut Tefik Ramadani-Qarri: ''Demonstratat e vitit 1981, përmbysen idenë e Jugosllavizmit'' Besim Muhadri: A ishte vrasja e Emin Durakut pjesë e skenarëve të komunistëve serbë dhe të shërbëtorëve të tyre në Kosovë? Ilia S. Karanxha: Botimi i Historisë së Skënderbeut nga Marin Beçikemi (Barleti) Sherif Sherifi: Petriti (Petroci) para, gjatë dhe pas luftës Nafi Çegrani: Depërtimi agjenturor i UDB-së ndër shqiptarë

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx