Speciale
Ibrahim D. Hoxha: Himara në rrjedhën e historisë dhe gurgulêja bollanoíste
E shtune, 16.04.2011, 07:58 PM
Himara në rrjedhën e historisë dhe gurgulêja bollanoíste
Nga Ibrahim D. Hoxha, historian e folklorist
* *
Dihet botërisht se Himara qysh kur ka qenë zënë bota ishte –dhe është- një rripth anëdetar i Kaonisë së lashtë, e cila që prej qindra vjet më parë u quajt -dhe quhet- Labërí. Shilàksi, një nga historiografët e mirënjohur grekë të lashtësisë, duke lundruar gjatë anëdetit jonik, thekson: «Poshtë kaónëve vijojnë njëri pas tjetrit qeshtrinët, thesprotët, qasópët, mollosët e amfillohët. Këto fise barbare mbulojnë krahinat anëdetare deri në gjirin ambrakik. Prej anëgjirit jugor të kësaj mënge detare e tatëpjetë zbresin elínët». Po këtë cak ndarës kombëtar shqiptaro-grek përmendin edhe tërë historianët e lashtë grekë, që nga më i hershmi e deri tek më i voni: Efori, Herodóti, Strabóni, Plutàrku, Políbi etj. Ky cak ndarës kombëtar theksohet edhe në marrëveshjen ushtarake maqedono-romake të 197-s PER.(Ibrahim D. Hoxha, Enciklopedi Jugshqiptare I, fq. 34-35, 63-64 dhe 710-713). I njëjti cak mbeti edhe në mesjetë e deri vonë, i cili u dëshmua me përpikmëri edhe nga shetitarët e viteve 1800 e mbrapa: Lord Bajroni, Hobhausi, kol. U. M. Liku, Fr. Pukëvili, Ed. Doduelli etj. etj. Madje edhe të mëvonshmit si greku Dhimo Stefanopulli, francezi E. Izamber, anglezi Ed. Lir, arvanitasi Epaminonda Mavromati, P. Aravantinoi etj. etj. Sipas tërë të sapopërmendurve, Efori thotë se Elladha mbaron në Akarnanî. Straboni shkruan që helenët ndodhen poshtë epirítëve dhe ilirëve. Dhimo Stefanopulli më 1778-79 shkruan se Butrinti, Parga e Préveza gjënden në zallin anëdetar të Shqipërisë. (I. D. H., Enc. Jugshq I, fq. 34). Xhon Kam Hobhausi shkruan: «Pa dyshim, tërë vendi, duke përmbledhur brenda edhe Akarnaninë, me të drejtë, pa u gabuar mund të quhet Shqipëri».(I. D. H., E. Jugshq. I, fq. 35). U. M. Liku shkruan se tërë fshatrat: Dukat, Dhrimàdhe, Himarë, Lukovë, Nivicë-Bubar, Palàsë, Piqeras, Qeparo e Sopót (Borsh) «kanë të njëjtat zakone e mënyrë jetese me ata të pjesës në thellësi». (I. D. H., E. Jugshq. I, fq. 828). Jo. Leonclavius në fq. 280, 349 e 376 në „Suplementum annalium“ (1729) shkruan: «Krahina e Himarës është pjesë e Shqipërisë“. Prof. Paparùsi në „Neollogos“ dt. 4/17.5.1910 shkruan se Himara qeverisej «nga princi shqiptar Gjergj Shtrésa». U mposht nga komandanti i një ordhie osmane «më 1518, kur ai pushtoi tërë Shqipërinë Jugore». U. M. Liku shkruan: «Kufiri i Shqipërisë gjatë anëdetit mbërrin deri në Prévez. Suli është krahina më anësore e saj». Në „La Grande Enciklopedie“ fq. 1133 thuhet: «Shqipërinë në jug nga Greqia e ndan Gjiri i Ambrakisë». Georg J. Goschen në tejshkrimin me dt. 26.7.1880, dërguar lordit Granuill, i thoshte: «Shqipëria qëndron si një kala madhështore ndërmjet Adriatikut, Pìndit krehërit të Ballkanëve dhe Alpeve».(I. D. H., Enc. Jugshq. II, fq. 282). Alfred Reumont shkruan: «Préveza është i pari vendbanim në tokën shqiptare». XH. K. Hobhausi shkruan: «Preveza është limani më i madh në Shqipërinë e Jugut». Lord Bajroni që zbriti në Prévez më 29.9.1809 shkruan: «Së pari në tokë vura këmbë në Shqipëri, në Epirin e Lashtë». (I. D. H., Enc. Jugshq. II, fq. 647). Koloneli shtabmadhor anglez, Uiliam Martin Liku shkruan se, ndërsa burrat himaras kanë mësuar edhe greqisht, «gratë flasin vetëm shqip». (I. D. H., Enc.Jugsh. I, fq. 829). Grek-anëmbajtësi i njohur, Fr. Pukëvili, himarasit i quan «Arnaùtë të prapë». Anglezi Eduard Doduell -i cili në Himarë arriti më 26.5.1801- vendësit i quan: «shqiptarë kristjanë të egër dhe të këqinj, plaçkitës e rrjepës anijesh të thyera nga përplasja nëpër shkëmbenjtë anëdetarë, shitës robërish kristianë e islamikë». Emil Izamberi shkruan: «Himarasit janë shqiptarë». Arvanitasi Epaminonda Mavromàti, asokohe përfaqësues i qeverisë greke në Shkodër, në librin „To parón qe to mellon tis Alvanias“ tregon se, kur diplomati grek ndodhej ende në atë qytet, atje arriti një himaras për të parë të birin, i cili prej vitesh ishte tregtar në Shkodër e rrjedhimisht kishte përvetësuar të folmen vendëse. Po, meqë i ati fliste toskërisht dhe i biri gegërisht, u morën vesh me vështirësi.(I. D. H., Enc. Jugshq. I, fq. 829).
E, kur Préveza, qytet anëdetar i ndodhur gati
Është ngulitur përjetësisht në historinë kombëtare e botërore se nga fshati Shpat pranë Himarës dolën ata që krijuan derën e famshme princërore shqiptare të Bua-Shpatëve; ishte pikërisht i pari i tyre, Gjin Bua Shpata, që më 1358 në fushat gjatë lumit Aheló (Etiolî) shkoi në shpatë armatën mësyese greko-selçuke dhe vet kreun e saj grek. Po ai prijës ndërmjet Kalamait dhe Gjirit të Korinth-Lepantos ngriti „Princërinë e Arbrit“, e cila për më se 100 vjet rresht u theu hundët grekërve dhe bashkëluftuesve të tyre.
Në fund të fundit përkatësinë kombëtare e përcakton me përpikëri folklori: këngët, vallet dhe zakonet. Askush s’ka se si ta mohojë se këto kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të njëjta me ato të lebërve të tjerë fqinjë me ta. Kështu, psh.: Në njërën nga këngët popullore të himarasve gjënden këta vargje: «Ne duqani Kíço Shàrrës,/ kapetan, more Nasê:/ „Ngreu Nase, shko përpara!/...» e jo: „Sto magazí tu Kico Sàras,/ kapetanjos, vre Thanàsis:/ Shiku Thanasis, prohorà mbrostà,/...». Në një tjetër këngë gjënden vargjet:: „Vajz’ e valave, pret atë që pret...» e jo «Kopela ton qimàton,/ perimenis afto pu periméni...». Siç dihet, këto dhe plot këngë të tjera janë bërë botërisht të njohura dhe nga këngëtari në zë, i ndjeri Neço Muka prej atij vendi.
Vetëvetiu lind pyetja: si dhe pse në Dhrimàdhe (Hardhimàdhe –I. D. H.), Palàsë e Himarë krahas gjuhës amtare, shqipes u mësua edhe një gjuhë e huaj, greqishtja?. Don Kamili, i dërguar i Papës, sapo mbërriti –duket në Dhrimadhe apo Palasë- oborrit të tij i shkruante se të zotit të shtëpisë ku u strehua –doemos tek më „i kamuri“, nuk do t’ia kishte zilinë asnjë prej llustraxhinjve të Romës. Duke rrojtur varfërisht në një anëdet të pabuktë, shumë prej tyre –vëren U. M. Liku- mjet jetese gjenin shërbimin në ushtritë veneciane, franceze, napolitane, angleze e ruse, me vendkomanda në vise të ndryshme grekërish: Korfuz, Qefallonî, Lefkadhë etj. Të ndodhur midis grekësh, me kohë prej tyre huazuan greqishten. U. M. Liku shkruan se ndër këta ushtarë mercenarë ishte edhe i biri i priftit të fshatit Kastrîzë në Çamërinë e Mesme. Vetëvetiu lind pyetja: përse në ato ushtri renditeshin vetëm të krishterë çamër dhe himàras e jo të krishterë nga Dropulli, Vurgu e vendbanime të tjera grekfolësish? Sepse të krishterët çamër e himaras –si shqiptarë që qenë- ishin njerëz të lirë, zotërues të një pjese trualli vendor –qoftë dhe fare-fare i vogël- e jo bujqër pa kurrfarë prone, për më tepër të varur kryekëput nga zotëruesit e tokave ku ata punonin. Liku thotë se greqishten në Kastrizë –dhe kudo gjetkë (Shih Jan G. Sharra, „Istoria tis Periohjis Igumenicas 1550-1985“) e dinte vetëm prifti i Kastrizës, i cili e kishte mësuar në shkollat e Fanàrit. Mirëpo kjo lloj „lëngate“ greke tek pushtetarët grekë ngjalli urinë për përpirjen e vendeve shqiptare fqinje me shtetin e sapongritur grek.
* *
Veç sa shumëkush ka shkruar për Himarën si tokë shqiptare dhe për himarasit si shqiptarë, unë jam vet dëshmitar i drejtpërdrejtë; në vendbanimet buzëdetare të asoanëshme dhe ndërmjet himarasve kam jetuar gjatë viteve të Luftës A-F. Nçl. Madje, së pari më ishte ngarkuar detyra e komisarit të kompanisë së parë të batalionit „Zaho Koka“ (një nga dëshmorët e L.Nçl.) dhe në vijim edhe një nga detyrat kryesore në komandën e atij batalioni. Ky batalion në brig. VI. S. u rendit si batalioni i 5-stë i saj. Fillimisht bat. në fjalë komandohej nga i ati apo ndonjë i afërt tjetër i Vasil Bollanos; po, duke qenë plak, u zëvendësua me një të ri. Luftëtarët e atij batalioni pra, ishin të renditur në një njësi të ushtrisë Nçl. Shqiptare, luftuan me trimëri të rrallë e vetëmohim shembullor, duke mbajtur në ballë flamurin kombëtar shqiptar; u përleshën dhëmbë për dhëmbë me pushtuesit nazifashistë dhe bashkëluftuesit e tyre për çlirimin e atdheut të vet, Shqipërisë, nga sundimi e zgjedha e huaj. Prej tyre plot djem e vajza «me një si në ballë», «që të merrnin gjak në vetull» u flijuan, duke njomur kështu me gjakun e tyre të pastër shqiptar disa vende nëpër Shqipëri. Një prej tyre ishte edhe 18-vjeçarja Eftihjí Bàka, kufomën e së cilës nga Qafa e Qiriut (Mirditë), ku u flijua e deri tek vendvarrimi pranë kishës së Oroshit e kam mbartur vetë mbi kurriz. Lavdi atyre trimave të pavdirë! Më vjen keq që bashkëluftëtari dhe miku im, i ndjeri Fane Bollano pati për kushëri Vasil Bollanon. Po kot s’thuhet: «Motra jemi, shoqe s’jemi».
Bashkëpunova ngushtësisht dhe përzëmërsisht me të ndjerin Fane Bollano e Llukë Çalin (komandantë kompanish), me 100-ra luftëtarë e me tërë detyraushtruesit, veçanërisht me zv. komisarin në të njëjtën kompani, të ndjerin Kleanth Zhupa nga Dhrimàdhja. Mjerisht po të dy që 2-3 vjet pas “çlirimit” u vumë –kryekëput padrejtësisht- nën goditjet e rrepta të pushtetpëlqyesve që zunë kryen, duke shpërdorur edhe përpjekjet tona dhe atë pjesë gjaku të derdhur edhe prej ne të dyve.
* *
Mbështetur në burime historike e gjeografike të pamënjanueshme e sidomos në njohjen e drejtpërdrejtë timen, me bindje të plotë, pa kurrfarë gabimi a shmangieje, them se himarasit dhe ata të fshatrave anëdetarë në të dy krahët e saj, tejtëhu e kanë treguar botërisht përkatësinë, guximin, trimërinë dhe veçoritë e tjera të tyre shqiptare. Nëse atje kohë pas kohe kanë nxjerrë zverk disa që i fryjnë curlës dhrahmiano-asfaliane, kjo s’ka se përse habit kërkënd; të tillë kanë qitur dhe vazhdojnë të qitin zverk edhe në Tiranë, madje edhe më në veri; këtë të vërtetë vet ata e kanë bërë –e po e bëjnë- botërisht të ditur edhe nëpërmjet shtypit. Nëse në qytetthin Shpellë dhe fshatin Himarë ata guxojnë të përplasin fundet më me tatarrósje, kjo ka ndodhur -dhe ndodh- nga ndërsyerjet e tyre prej gejçëve që organet shtetërore shqiptare i lejojnë të hyjnë e të dalin si në vathën e tyre, gjithsa herë u teket. Për sa thashë, e kam dalluar edhe vitin e kaluar. Në mesditën e 26 qershorit 2010, unë vet i tretë, duke mbajtur ngritur flamurin kombëtar shqiptar, po udhëtonim për në Qafë të Botës. Kur vetura po përshkonte udhën nëpër Shpellë të Himarës, një femër flokëverdhë rreth të 35-save u vërsul si e tërbuar para veturës duke ulëritur: «Shkoni-shkoni, po vdekja ju pret!». Dhe kjo, kur dihej se ne po shkonim në një vend brenda shtetit shqiptar. Doemos që kjo femër nuk i kishte „shijuar“ nga shteti shqiptar tmerret e tejlemeritshme –shumë më të egra se edhe ato të gestapoistëve dhe SS-ve nazistë- që çamërit kryekëput të pafajshëm hoqën në vatrat e veta nga ushtria dhe pushtetarët grekë. Pa kurrfarë dyshimi unë jo vetëm njëkombasve bashkatdhetarë të mi shpellas dhe himaras nuk dua që „t’u bjerë gjak nga hunda“, por as asaj mjeraneje të turllosur –a ndonjë tjetër të sëmuri dhrahmian- sepse edhe ajo është kurban i rrethanave të zymta të krijuara jo nga ajo. Tani, duke përfituar nga amullia e brendashtetit shqiptar, prapësinë e vjetër këtë herë qeveria greke e përtëriti nëpërmjet V. Bollanos dhe disave që vrapojnë pas berihàit të tij. Ndryshe nuk do guxonin që nga Greqia të arrinin me vrap në Himarë e gjetkë ministra, deputetë dhe aventurierë të tjerë –si Gejçi- sa herë bëhen zgjedhje a veprimtari të kësisojshme. A lejohen ministra a zyrtarë të tjerë shqiptarë të shkojnë në Çamëri a nëpër krahinat e banuara prej arvanitësh për veprime të tilla?.
* *
Përshkrova shkurtazi se ç’kanë qenë dhe ç’janë Himara dhe himarasit. Duke ditur se pasojë pa shkak nuk mund të ketë, vetëvetiu shtrohet pyetja: cili ka qenë –dhe është- shkaku që i ka bërë –dhe po i bën- të pashmangshme ndodhitë e shëmtuara greke në Himarë? Pa as më të voglën mëdyshje them: Sundimtarët pushtetlakmues grekë, të cilët për mirakandjen e vet kurrën e kurrës s’kanë nguruar të ndërsejnë ushtrinë greke ndaj më të pambrojturve, shqiptarëve. Kjo ndodhi në vitet: 1854, 1878, 1897, 1912-1916, 1920, 1940-1941 madje edhe më 1949 e më pas. Ja disa kusaro-gjakësitë e tyre. Të bindur se lufta e parapërgatirur prej tyre dhe shteteve të tjerë Ballkanikë ishte në prag të shpërthimit, ditët e fundit të dhjetorit 1909, qeveritarët grekë në Himarë zbritën majorin e vet, të vetëtjetërsuarin në grek, Spiro Milo Zanen -kryeandartin që shkeu bishërisht në Negovan edhe papa Hriston, të vëllanë, prift Vasilin etj.- të shoqëruar edhe me 2000 pushkë. (I. D. H., Enc. Jugshq. II, T., 2009, fq. 1029-1030). Në verën e 1911-s, kur kryengritësit shqiptarë ishin në prag të fitores, qeveria greke në fletoren venizeliste „Patris“, botërisht iu kërcënua: «Poshtë duart nga Ipiri, se fuqia greke do të ja u thyejë», ngase është „Elinokotati hora“ (tërësisht grek).{Shih: I. D. H., «Çamëria dhe Janina në vitet 1912-1922», fq., fq. 6.}. Në gusht 1912 qeveria greke në rrethin e Sarandës dyndi çetat e veta, të kryesuara nga të vetëtjetërsuarit në grekër (shumë më të rrezikshëm se vetë grekërit): Gole Manxharin e Jan Putecin si dhe grekët Spiro Milo e Thimjo Loli. Natën e 9-10 shtatorit 1912 luftëtarët shqiptarë të prirë nga kapedan Sali Vranishti e Musfafa Kofina i rrethuan në fshatin Çukë; gjatë përleshjes gati gjysmët e tyre –tok me Golen e Janin- dorëzuan jetën e tyre të shitur me dhrahmí. {Shih: I. D. H., «Ç. dhe J. në v. 1912-1922», fq., fq. 7.}. Në përmbushje të parashikimeve të veta pushtuese, më 2.XI.1912 –pra sapo kishte shpërthyer Lufta Ballkanike- vet kryeministri Lefter Venizello urdhëroi njësitë ushtarake detare të zinin Vlorën, të cilën më 4.12.1912 edhe e bombarduan. Në vazhdim të etheve të tyre pushtuese, po me urdhër të drejtpërdrejtë të L. V. më 8.12.1912 në Sarandë u zbrit një regjiment i komanduar nga kolonel Meksi. Po pas 2-3 ditëve luftëtarët shqiptarë e shpartalluan përfundimisht ndërmjet Sarandës e Delvinës; mbeturinat ua dhanë këmbëve mbrapsht dhe me luftanijet që i kishin mbartur, u kthyen në Korfuz. Më 19.12.1912 ushtria greke zuri Korçën dhe po atë muaj përfaqësia qeveritare greke e kryesuar nga kryeministri, Lefter Venizellua, në Konferencën e Ambasadorëve parashtroi këto kërkesa: «Siguria e Korfuzit e do që tërë vendi përballë tij, nga Pàrga në Sarandë, bashkë me hinderlandin (tokat në thellësi –I. D. Hoxha), t’i jepet Greqisë. Siguria e kësaj pjese e do që Greqisë t’i jepet edhe një pjesë që arrin deri në diert e Vlorës e që përmbledh brenda saj Gjirokastrën, Tepelenën dhe Përmetin. Mirëpo, nga ana strategjike kjo pjesë është në rrezik; për sigurinë e saj Greqia duhet të marrë edhe Leskovikun, Konicën, Kolonjën e Korçën. E, për sigurinë e tërë këtyre vendeve, grekërit kërkojnë t’u jepet edhe krejt vendi ndërmjet Korçës e Dibrës». (I. D. H., Enc. Jugshq. II, T., 2009, fq. 969-970).
Qeveria greke, në kundërshtim të hapur me vendimin e Konferencës së Ambasadorëve, nuk deshi ta njihte shtetin shqiptar. Rrjedhimisht, me të pushtuar Çamërinë dhe Janinën (7-10.3.1913), ushtria greke u vërsul drejt veriut; arriti të pushtonte Beratin dhe u afrua në dyer të Elbasanit. Synimi i qeverisë greke ishte –e me sa duket edhe është- që Shkumbinin ta bënte vijë ndarëse shtetërore me Serbinë. Në vend që t’u bindej Fuqive të Mëdha evropiane për tërheqjen e ushtrisë nga viset shqiptare brenda kufirit shtetëror, qeveria greke, në prill 1914 kurdisi të vetëquajturën qeveri veri-epirite, në krye të së cilës vuri ish-ministrin e saj, rrenegatin Jorgj Kr. Zografon. Po kështu, me gojën e Sp. M. Z., më 17.8.1914 shpalli shkëputjen nga shteti shqiptar -dhe bashkimin me Greqinë- të Himarës dhe të fshatrave në të dy krahët e saj; në krye vuri veglën e vet, Sp. M. Z. (I. D. H., Enc. Jugshq. II, fq. 1029-1030). Nga krahinat e pushtuara prej ushtrisë greke u detyruan të mërgoheshin mbi 100 e ca mijë shqiptarë islamikë, gati gjysma e të cilëve nga uria dhe vuajtjet shoi në ullishten e Vlorës dhe buzë rrjedhës së Vjosës. Kjo gjëndje e mjegullt vazhdoi deri në fillim të pranverës së 1917-s, kur ushtrinë greke e zboi ushtria italiane dhe –më 1918- edhe ajo franceze. Duke përfituar nga qëndrimi i komandantit të njësive franceze dhe nga lufta shqiptaro-italiane e 1920-s, ushtria greke iu vërsul përsëri Korçës edhe më 1920,. Doemos me urdhër të qeverisë greke dhe ndihmën e saj të drejtpërdrejtë, njëfarë Niko Milo asokohe Himarën dhe fshatrat e afërta me të gjatë 10 muajve i mbajti jashtë vartësisë së qeverisë shqiptare. Dy batalionë të xhandarmërisë shqiptare të komanduara nga kapiten Haziz Çami -qarkkomandant i xhandarmërisë në Vlorë- dhe kapiten Ismail Haki Kuçi, Niko Milos me shokë u dhanë arratinë brenda pak orëve pa çak pa bam. Me atë rast -si dhe me rastin e avullimit të Sp. M. Z.- doli në pah fare çiltër atdhedashësia prej shqiptari e himarasve, të cilët i mirëpritën gjindarmët shqiptarë dhe tok me ta ringritën organet përkatëse shtetërore shqiptare.
Megjithatë synimet dhe përpjekjet e pushtetarëve të njëpasnjëshëm grekë për përpirjen e pjesës jugore të shtetit shqiptar prej tyre janë mbajtur përherë në rend të ditës; ata s’kanë lënë t’ju rrëshqasë prej dore asnjë rast. Kjo ndodhi edhe me rastin e shpërthimit të luftës italo-greke (tetor 1940-prill, 1941), luftë e parapërgatitur që vite më parë nga të dyja palët, pavarësisht se njëra haptazi e tjetra fshehtazi. Këtë të vërtetë e pohon me plot gojën në librin e vet “Istoria tis periohjis Igumenicas...“ edhe Jan G. Sharra, rezervist në batalionin prej të krishterësh çamër gjatë asaj lufte. Pasi përmend mobilizimet dhe stërvitjet e disavitshme, shkruan: «Greqia ishte plotësisht e përgatitur për luftë». Tmerret që popullata shqiptare islamike pësoi prej ushtrisë greke gjatë asaj lufte (si edhe gjatë viteve 1913-1916), dihen; janë përshkruar me hollësi në shumë e shumë libra shqiptarësh dhe të huajsh, përfshi dhe ndonjë grek. Kaq grykës dhe të uritur për pushtimin e Shqipërisë Jugore u treguan qeveritarët grekë, sa edhe ditët kur tanket gjermane (në prill 1941) po vraponin drejt Athinës, kreu i ushtrisë greke, gjen. Papagua, urdhëroi dy armata të turreshin drejt Tiranës. (I. D. H., Viset kombëtare shqiptare në shtetin grek, fq. 278). Madje edhe kur shumë prej tyre për 3-4 vjet shkuan „për haxhillëk“ në vendet afrikane, uria e tyre për rrëmbimin e jugshqipërisë mbeti e njëjtë. Një prej tyre, minist. Cuderri, më 1942 në të quajturin „Libri i Bardhë“, shkruan se Gjirokastra dhe Korça me qarqet e veta «pa fjalë janë greke».(I. D. H., Viset K. Sh. në Sh. Gr., fq. 386). Në fletoren „News Chronice“ dt. 25.9,1944, thuhet se Jorgj Kartalli -minist. i informacionit në qeverinë e kryesuar nga Papandreu- gjatë vizitës së tij në Romë kërkoi „përmbledhjen e jugshqipërisë në Greqi, pasi shumica e popullatës është greke dhe toka i përket Greqisë». Po ky minist. më 1.X.1944, nëpërmjet „Radio Kajros“ shpalli kërkesën: «Greqia kërkon që brenda kufirit të saj të përmblidhet edhe Veriepiri, i quajtur Shqipëri e Jugut». I. D. H., Enc. Jugshq. II, fq. 862). Veprimet grabitqare dhe gjakësore të shtetarëve grekë ndaj Shqipërisë janë një vazhdë e pambarim. Së fundi janë ato prej 1990s-s e këtej, që i din i madh e i vogël. Prej tyre u “frymëzuan” edhe Bollanua e ca të tjerë si ai.
Tiranë, më 19.03.2010
Shënim: Shkrimi është ca i gjatë, po mendoj se shkurtimi do t’i humbte kuptimin
Për ZSH- Kadri Mani
Ibrahim Dsaut Hoxhës: në vend të Urimit për ditëlindje: 15 prill 1923
Nga Wikipedia, Enciklopedia e Lirë
Ibrahim Daut Hoxha u lind në Konispol, më 15 prill 1923, është historian, folklorist dhe publicist shqiptar
Tabela e përmbajtjeve
|
Ibrahim Daut Hoxha rrjedh nga një familje dhe një fis i shquar atdhetar i Çamërisë që ka luftuar vazhdimisht me pushkë e penë për të mbrojtur trojet shqiptare nga pushtuesit e huaj dhe sidomos nga synimet aneksuese të shovinistëve grekë. Babai i tij, atdhetari Daut Hoxha, pas përpjekjeve e luftimeve shumë vjeçare me bandat andarte greke për mbrojtjen e të drejtave të popullsisë çame, u vra pabesisht prej një grupi banditësh më 15 qershor 1940 në tokën shqiptare, këndej kufirit me Greqinë. Vrasja e tij, siç përmendet edhe në disa tekste të historisë sëLuftës së Dytë Botërore, shërbeu edhe si pretekst për acarimin e marrëdhënieve midis Italisë e Greqisë si dhe për fillimin e luftës italo-greke.
Pas vrasjes së babait, familja e Ibrahimit u detyrua të mërgonte prej Konispolit e rrezikuar prej masakrave të bandave greke si shumë familje të tjera të Çamërisë dhe u vendos në Lushnjë. Ibrahimi, i cili kishte mbaruar shkollën plotore të Konispolit (gjashtë-vjeçar), siç quhej arsimi i ulët në atë periudhë, u thirr në shërbimin ushtarak dhe, ende pa e përfunduar, u bashkua me çetën partizane “Çamëria”. Mori pjesë në shumë luftime që organizuan forcat partizane dhe, menjëherë pas çlirimit të vendit, u vendos familjarisht në Tiranë, ku iu përkushtua arsimimit të tij. Kreu shkollën unike, gjimnazin “Qemal Stafa” dhe më vonë vazhdoi një kurs dy-vjeçar për oficer. Pas përfundimit të kursit u caktua në armën e Artilerisë Kundër Ajrore. Në vitin 1952 e përjashtuan nga partia dhe në vitin 1955 e larguan edhe nga ushtria për pikëpamjet e tij antikomuniste. Më vonë vazhdoi Institutin Bujqësor në Kamëz, mirëpo e përjashtuan ende pa e përfunduar për shkak të bindjeve të tij. Me shumë vështirësi, pas shumë e shumë përpjekjesh, në vitin 1964, mundi të diplomohej për histori-gjeografi në Universitetin e Tiranës, gjë që i dha mundësinë t’u përkushtohej studimeve shkencore mbi historinë shqiptare e veçanërisht atë të Çamërisë, mbledhjes së folklorit dhe publicistikës.
Pavarësisht nga vorbullat e jetës, duke patur si yll polar shërbimin ndaj Çamërisë dhe vendit në tërësi, ai vazhdoi të qëmtonte dokumente historike dhe vlera artistiko-folklorike. Kjo punë i dha dorë edhe për të siguruar kafshatën e bukës. Disa nga ata që e kishin lidhur qerren, duke parë aftësinë e tij për gjetjen e dokumenteve të nevojshme për ta, herë pas here e ngarkonin me këtë detyrë. Po edhe ai, duke u mbështetur në ndonjë mirëdashës, arrinte të fuste ndonjë shkrim a vepër nëpër organe institucionesh të ndryshme. Kështu, me kalimin e viteve arriti të paraqiste edhe ndonjë libër. Më 1971, në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, dorëzoi librin në vargje të lënë nga Qamil Izet Çami, të cilin e titulloi : “Fabula dhe vjersha”. Censorët qitën lloj-lloj hiçkëlash për ta varrosur; pas dy vjetësh hidh e pritjesh, e botuan, po të gjymtuar keqas: e lanë me 97 faqe nga të 435 që kishte; dhe këtë pasi i hoqën emrit të tij germën “D”.
Të njëjtën gjë bënë edhe shtatë vjet më pas me librin “Këngë Popullore Çame”. Pasi shumë e shumë prej tyre i hodhën në kosh (edhe më shumë i vodhën për tjetërkënd) vendosën ta botonin. Mirëpo, kur ishte në prag të vënies në qarkullim, organet përkatëse eprore : Ministria e Arsimit dhe Drejtoria e Propagandës pranë Komitetit Qendror urdhëruan asgjësimin e tij, sepse autorin e quajtën irredentist që kërkonte edhePrevezën, të cilën “Partia nuk e ka rivendikuar ndonjë herë!”. Pas shumë e shumë përpjekjesh, më 1981, libri u lejua të qarkullonte, po me 150 faqe.
Libri i tretë “Nëpër Udhën e Penës Shqiptare”, i dorëzuar më 1983 në Institutin e Studimeve Pedagogjike, e pësoi edhe më keq, edhe pse s’e kishte shkruar as ndonjë prej studiuesve më të njohur. Pas një viti krasitje pas krasitjesh, kur ishte lënë me 330 faqe, u dërgua për t’u shtypur në “Mihal Duri”. Libri u dergj nëpër syrtarë e duar të njërit e të tjetrit dhe dy vjet më vonë, kur pritej të vihej në qarkullim, me urdhër nga lart, u qortuan rreptësisht organet arsimore pse paskëshin qëndruar aq të verbër, sa të kishin mbyllur sytë për librin e një irredentisti, një armiku të Partisë, “i cili si vepra shkencore përdor vepra reaksionarësh”. Rrjedhimisht libri “Nëpër udhën e penës shqiptare” s’i shpëtoi që s’i shpëtoi dot ndëshkimit, edhe pse drejtoria e Institutit Pedagogjik dhe këshilli shkencor për historinë i atij instituti qëndruan të patundur në mbrojtjen e tij; pas një viti hidh e pritjesh, atë e shndërruan në brumë letre, me përjashtim të rreth 1000 kopjeve të pambaruara plotësisht, të cilat, si të tilla ishin hedhur në një birucë të papërdorshme. Vetëm në 1990, ky libër mundi të dilte në qarkullim.
Pas shembjes së komunizmit Ibrahim D. Hoxha ka botuar disa tituj :
Më 1992, “Jusufi e Zulejhaja” me 138 faqe. Vepër historike dhe morale në vargje, e shkruar nga Muhamet Çami.
Më 1994, “Turqit dhe Shqiptarët” me 200 faqe. Në të këtë libër janë përshkruar ngjarje dhe vende anadollite si edhe bashkëpunimi shqiptaro-turk në të kaluarën e në vazhdim.
Më 1995, “Kështu luftuam Ne” me 80 faqe. Në të janë përshkruar luftimet dhe ngjarje të ndryshme, lidhur me të dy divizionet e ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare në krahinat shqiptare dhe joshqiptare brenda kufirit të shtetit të atëhershëm jugosllav. Vëndin kryesor e zënë përshkrimet mbi veprimet antinjerëzore e antikombëtare të kryera gjatë viteve 1944-1945 prej pushtetarëve dhe ushtarakëve jugosllavë ndaj shqiptarëve.
Më 1996, “Çamëria dhe Janina në vitet 1912-1922” me 181 faqe. Në këtë libër përshkruhen luftimet e ashpra që gjatë Luftës Ballkanike çamërit bënë kundër ushtrisë mësyese greke për mbrojtjen e Çamërisë dhe të Janinës. Përshkruhet, gjithashtu, edhe pjesëmarrja e çamërve gjatë Luftës I Botërore si edhe humbjet e tyre gjatë atyre dy luftrave; listat emërore dhe vendbanimet e veta janë dëshmia më bindëse e përjetësuese e atyre dëshmorëve të kombit. Më 1998, “Hoxhë Hasan Tahsin Efendiu” me 181 faqe. Në të, përveç fjalës çelëse dhe përshëndetëse, janë përmbledhur 8 kumtesat e parashtruara në konferencën shkencore të mbajtur më 20 janar 1997 në Muzeun Historik të kryeqytetit, me rastin e 185-vjetorit të lindjes së dijetarit të madh, Hasan Tahsinit. Janë përmbledhur, gjithashtu, 18 punime mbi jetën dhe veprën e hoxhë HasanTahsin efendiut, të botuara në vepra të ndryshme prej dijetarësh dhe shkrimtarësh të huaj e shqiptarë, duke filluar prej Shemsuddin-Sami Frashërit e në vijim, si edhe kujtime e vjersha kushtuar dijetarit tonë në zë.
Më 2000, “Viset Kombëtare Shqiptare në Shtetin Grek” me 505 faqe. Në të përshkruhen me hollësi përpjekjet e qeverisë greke për mbytjen e shtetit shqiptar që në shpërgënj; vazhdohet me dredhitë dhe pengesat lidhur me caktimin e kufirit, pësimet e çamërve gjatë sundimit të zgjedhës greke, përpjekjet e tyre diplomatike dhe ushtarake, organizmat administrativo-politike të çamërve në vitet 1941-1944, listat emërore të të internuarve, të burgosurve dhe të vrarëve etj. Më 2000, “Daut Hoxha” me 191 faqe. Në këtë libër janë përshkruar jeta dhe veprimet e armatosura, të zhvilluara në bashkëpunim me shumë çamër atdhetarë të tjerë kundër pushtimit dhe sundimit grek.
Më 2006, “Çaparenjtë – Refo Çapari” me 382 faqe. Përshkruan udhën historike të derës së madhe dhe të fuqishme të Çaparenjet e në veçanti jetën dhe veprimtarinë e Refo Çaparit: historian, letrar, vjershëtar, publicist e në mënyrë të veçantë dramaturg i përkryer. Përveç pjesëve të tjera, në libër u botuan edhe dy nga dramat që janë gjetur: “Rétë” dhe “Rrënja”, të cilat dallohen për aftësinë artistike e aq më tepër për frymën atdhetare e filozofike.
Më 2006. “Enciklopedi Jugshqiptare” I (A-H) me 860 faqe, e pajisur me 2 harta: njëra e Çamërisë dhe tjetra e Çamëri-Mollosisë, një skicë topografike dhe 228 fotografi të ndryshme. Në libër përshkruhen krahinat dhe ngjarjet që prej lashtësisë më të hershme e deri në ditët e sotme. Mbështetur në qindra e qindra dokumente, vihet në dukje se që stërgjyshërit më të hershëm të shqiptarëve të sotme ishin të vetmit zotërues të vendit deri edhe në Gjirit; në vijim tregohen tkurrjet, rishtrirjet dhe shkaqet përkatëse. Theksohet kufiri kombëtar shqiptaro-grek që qindra e qindra vjet para themelimit të kombeve, pra që 2200-2300 vjet më parë. Flitet për mbretëritë dhe principatat e para shqiptare në jugun shqiptar dhe rolin e peshën e tyre në histori. Flitet për pushtimet e huaja dhe qëndresën e vendësve; flitet gjerësisht mbi kryengritjet e shpeshta kundër çdo pushtuesi. Flitet një për një gjerësisht për tërë shoqëritë kombëtare e kulturore shqiptare brenda dhe jashtë vendit: ato të para e pas Pavarësisë, për organet e shtypit dhe shkollat që të kohës së Ali P. Tepelenës e deri në ato të disa viteve pas 1945-s. Flitet për prijës e atdhetarë të tjerë, si të famshmit hoxhë HasanTahsin efendiu, Hasan aga Çapari, Abedin pasha Dinua, Dora d’ Istria etj. etj.; për krerë çetash si Muharrem Rushiti, Daut Hoxha etj. Në nënzërat brenda zërit Çamëria, përshkruhet gjithçka ka të bëjë me atë pjesë shqiptare: me relievin, me klimën, me ekonominë e të gjitha degëve e mbi të gjitha për veprimtarinë kombëtare të çamërve. Në zëra të veçantë flitet edhe për atdhetarë të ndryshëm, sidomos për ata –kryesisht mësuesit- që kanë vepruar në Çamëri e qarkun e Gjirokastrës apo që veprimtaria e tyre lidhet me Çamërinë, si: Gani e Sali Butka, Harrillë Bakalli, Idriz Guri, Demo Emini, Dino Çiçua, Ismail Kaso Dhëmblani, Rauf Ficua etj. Flitet, gjithashtu, për intelektualë të shquar me prejardhje nga Çamëria, si Kolë Hidhromenua etj. Vend veçanërisht të gjerë zënë shqiptarët që grekërit i quajnë “arvanìtë”; përshkruhet veprimtaria e tërë krerëve të shquar kryengritës e ushtarakë, si Andrucua (Verrùshi), Bubulina, Konduriti, Kriezóti, Pangallo, Saqellari etj. Përshkruhet veprimtaria e intelektualëve arvanitë si Aleko Frëngu, Anastas Kulluriti, Aristidh Kola, Dhimitër Vulgari, Gjergj Dhriva, Jorgo Marruka, Panajot Kupitori, Petro Furriku etj. Flitet për këngëtarë të dalluar, si Aleko Dhimua dhe grupe artistike atikase, moraite etj.
Më 2007, “Bilbila dhe Thëllëza Çame” (në vargje) me 498 faqe. Në të janë përmbledhur 1050 balada dhe këngë të ndryshme: historike, trimalëvduese, dasme etj., të kënduara nga çamërit e më shumë nga çamet. Më 2007, “Shqipëri, moj Dritë Ylli” (në vargje) me 149 faqe.
Tani është duke përfunduar vëllimin e dytë “Enciklopedi Jugshqiptare” (I-ZH). prej mbi 1000 faqesh. Përveç 13 veprave të botuara prej tij, Ibrahim D. Hoxha është bashkautor në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” (në të dy botimet), në “Historia e Shqipërisë dhe e Shqiptarëve”, në 4 vëllime të “Yje të Pashuar” si edhe në veprat në vargje: “Ndizet zemra nga gëzimi” dhe “Këngët na burojnë si gurra”. Ka botuar mbi 200 punime historike në të përkohshme dhe fletore jashtë e brenda vendit; ka bërë mbi 100 emisione radiofonike dhe radiotelevizive etj. Është bashkëpunëtor i zellshëm i revistës “Krahu i shqiponjës”, organ i OJQ Shoqata Kulturore "Bilal Xhaferri".
Ibrahim D. Hoxha bashkëpunon me shumë personalitete të huaj, miq e dashamirë të shqiptarëve, si Amir Gilad, Miranda Vickers, Dr. Haim Reitan etj., për lartësimin e çështjes kombëtare shqiptare kudo në botë. Për hir të së vërtetës duhet thënë se megjithë punën e madhe studimore e shkencore, me gjithë këtë mori veprash që ka botuar; shumë e më shumë vepra se cilido akademik e prof. dr. me tituj të sajuar, pushtetarët përkatës s’i kanë njohur ende vlerat e tij të mëdha shkencore. Sidoqoftë vlerat e tij i njohin mirë shqiptarët e thjeshtë dhe tërë ata që duan përparimin e Shqipërisë.