E diele, 28.04.2024, 04:09 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Viola Shkëmbi (Koka): Ora letrare shqiptare në Tërgajë të Malit të Tuzit

E premte, 22.04.2011, 07:59 PM


Autorja lexon fragmente nga novela që fitoi çmimi e parë.
Autorja lexon fragmente nga novela që fitoi çmimi e parë

 

Vilhelme Vranari Haxhiraj me kryetarin e Jurisë, Magjistër Anton Gojçaj
Vilhelme Vranari Haxhiraj me kryetarin e Jurisë, Magjistër Anton Gojçaj
Ora letrare shqiptare në Tërgajë të Malit të Tuzit

 

(Më duket se shqiptarët për ta ruajur lirinë, forcën e marrim nga vrrulli patriotik i të parëve tanë. Me Çmimin e Parë në Konkursin Letrar për 100 vjetorin e Kryngritjes së Malësisë së Madhe,  në Malin e Zi, u vlerësua shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhiraj)

 

Nga Viola Shkëmbi (Koka)

 

Nga më të bukurat çaste në Mal të Zi ishte Ora letrare në Tërgajë, që u zhvillua më 3 prill duke filluar nga ora 14. Përgjegjës: Nikollë Berishaj dhe Magjistër Anton Gojçaj.  Sa del nga qyteti, rruga gjarpëron mes qafash duke iu ngjitur grykës së lumit Cem i cili buron nga Vermoshi. Kalimtarit i bije në sy dora e mëmës natyrë. Ajo kështjellë natyrore e krijuar enkas për trimat e atyre anëve, qëndron krenare në të dy brigjet e lumit malor. Tërgaja e vendosur si në një xhep malor, ku dy mure të larta kështjelle natyrore, duken sikur kanë kapur qiellin me dorë. Lugina të lë përshtypjen se përfundon në një urë guri, paçka se rrjedha e ujit vazhdon më tej dhe lidh të dy brigjet shkëmbore. Gjithçka është mahnitëse, e bukur si një ëndërr, e virgjër si rrezja e diellit, ku mes saj gjarpërojnë tashmë të qeta ujërat e blerta të lumit që ushqehet me ujë nga bora e përjetshme dhe ujërat nëntokësore. Uji si kristal, ndanë të cilit vrigjëlojnë rrepet shekullorë, tashmë shushurinë ëndërrues. Mbi të gjitha të lë pështypjen se lumi është tejet i dashuruar me natyrën brilante, përmes së cilës  përshkon rrugën e tij të përjetshme. I pastër si uji i kristaltë, i tillë, i tejdukshëm, transparent është edhe ajri, i freskët dhe gjithë jetë. Aty banorët e atyre maleve, organizojnë festat, sepse natyra u ka dhuruar atë amfiteatër që do ta kishin zili regjisorët dhe skenaristët e tragji-komedive më me famë në botë ku në njërin krah të Tërgajës, 100 m në vijë ajrore është shtëpia e poetit Nol Berisha, me poezinë e të cilit u çel takimi letrar.

Kurse përballë me të, pas shpatit tjetër që ka formën e një katarakti, ku i huaji thyen qafën, gjëndet shtëpia ku punoi Patër Anton Harapi. Çdo pëllëmbë toke thur një histori, apo çdo njeri, në qenien e tij simbolizon një emër legjendë. E tillë është kjo malësi e brishtë dhe e vyer, por e harruar nga koha dhe nga njerëzit e politikës. Aty kishin ardhur ngado, madje edhe nga ShBA-të. Mësuesi i letërsisë së gjimnazit 25 Maji, Sehad Lulani ,një mësues i mrekullushëm, i apasionuar pas letërsisë shqipe deklaroi fillimin e festës. Festa nisi me vallen e heshtjes. Ati me të bijën si zanë mali, ose e dashura me të dashurin, ndoshta motra me vëllanë, veshur me kostumin magjepsës të Malësisë së Madhe, të vendosur ballëpërballë. Kundrojnë njëri-tjetrin të përkulur, në heshtje, ku me një dorë i përulen tokës që i lindi dhe i rriti, kurse dorën tjetër sipër, si krahu i shqiponjës, që duket sikur i drejtohen qiellit në fluturim. Ajo heshtje e gjatë dhe ai pozicion është tejet domethënës...duket sikur thonë: “Për dashurinë ndaj tokës së të parëve, jemi gati të fluturojmë vetëm të jetojmë të lirë në qiellin pa re të vendit tonë. Më duket se shqiptarët për ta ruajur lirinë, forcën e marrim nga vrrulli patriotik i të parëve tanë. Ndaj të falem, o toka ime!”. Kështu do ta kuptonte vëzhguesi i vëmendshëm. 

          Më pas vajzat dhe djemt shtatlartë hodhën vallen e shqipeve. Nikollë Berisha merr fjalën për rëndësinë historike që ka Kryengritja e Mbi Shkodrës.Ai përfundoi: ”Për nder të saj Shoqata Atdhetare Kulturore “Illyricum” në muajin janar shpalli konkursin letrar, për të cilin do të sqarojë Kryetari i Jurisë, Magjistër Anton Gojçaj. Pasi u recituan 10 poezi të pjesmarrësve në konkurs, Anton Gojçaj theksoi: Ndihem i nderuar që në emër të jurisë, si kryetar i saj të shpall fituesit e konkursit letrar kushtuar kësaj ngjarjeje historike mbarëkombëtare. Siç e dëgjuat konkursi u shpall në muajin janar, që u zhvillua në bazë të disa kritereve: Në konkurs do të merrnin pjesë autorë shqiptarë nga mbarë bota. Konkurentët do të paraqesnin punime letrare të pa botuara më parë, një tregim që të mos i kalonte 5 faqe të formatit A4 dhe jo më tepër se 10 000 karaktere. Poezia të mos i kalonte 50 vargje, kurse tematika të kishte lidhje me Kryngritjen e vitit 1911, me kusht që autori do të ngelej anonim. Punimi do të paraqitej me kod.  Vlerësimi u bë sipas titullit dhe kodit. Fituesit u dërguan me internet në të gjitha adresat e  E-mail-ve të krijuesve që konkuruan. Fituesët ridërguan punimin letrar, kodin dhe tashmë u deklaruan me emrin e tyre. Mendojmë si juri, se ishte vlerësim i drejtë i paanshëm, sepse u ruajt fshehtësia e autorit. Më e bukura ishte se anëtarët e jurisë kishin marrë të njëjtin vendim për të tri çmimet. Si rezultat  u dhanë këto tri çmime, të cilat janë:

 

Çmimi i parë  i jepet novelës “Virtyti i faljes”me autore Vilhelme Vranari Haxhiraj nga Vlora.

Çmimi i dytë i jepet poezisë “Udha e Flamurit” me autor Nikollë Spathari nga Durrësi.

Çmimi i tretë i jepet tregimit “Idil Arbëror” me autor Pal Shtëmbari. Anton Gojçaj vazhdoi: Para se të ftojmë tre fituesit të recitojnë apo lexojnë punimet e tyre letrare, do t’ju them dy fjalë për krijimtarinë e shkrimtares Vilheme Vranari Haxhiraj, sepse marrja e çmimit të parë mes mbi 40 punimeve letrare, nuk ishte rastësi për zonjën. Ka lindur në Kaninë të Vlorës. Është pasardhëse e familjes së Princit Gjergj Arianiti.ka nisur të shkruaj vonë. Në 14 vite krijimtari po boton të 27-tin libër, ku vendin e parë e zë proza e shkurtër, skica, tregimi, novela dhe 13 romane. Për krijimtarinë e saj cilësore është vlerësuar nga kritika profesionale e mirëfilltë vendase apo e huaj. Deri tani është përfshirë në 9 antologji, madje edhe të huaja, italiane dhe rumune. Gjithashtu është vlerësuar me shumë çmime brenda dhe jashtë kufijëve shqiptar. Prej tyre unë do të veçoja çmimin internacional Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në Itali-2009, “Mirënjohje e Vlorës” me Medalje Argjendi-2010, si dhe “Çmimin e Karrierës-2010. Ndoshta edhe ky çmim e ka një spjegim, për shkak të lidhjes shpirtërore dhe atdhetare që u vendos mes Malësisë së Madhe dhe Vlorës në vitet 1911 -1912, fitoi një shkrimtare nga Vlora. Duke i uruar suksese zonjës Haxhiraj, e ftojmë të lexojë ndonjë poezi, sepse prozën fituese do ta lexojë në natën jubilare ku do të jepen edhe çmimet.

 

 Të pastë Kombi moj burrneshë!

          Dalja e fitueses së çmimit të parë në podium, Zonja Haxhiraj u prit me duartrokitje dhe me fjalët. “Të pastë Kombi moj burrneshë!” Urimet e tyre të thëna me gjithë shpirt, me atë shpirt qelibar që ka malësori, ishin vërtet prekëse. Të paharrueshme ishin ato çaste mirënjohjeje dhe malli i shqiptarëve të ndarë nga njëri-tjetri. Vilhelmja u drejtohet të pranishmëve: Të dashur motra dhe vëllezër shqiptarë! Ju sjell përshëndetjet e Kaninës së Gjergj Arianitit, Vlorës së Ismail Qemalit dhe të të gjithë shqiptarëve! Për mua ishte fat që erdha ta festoj me ju 100 vjetorin e Kryengritjes së Malësisë së Mbishkodrës. Këtë mundësi, që për mua është një mrekulli, ma dhatë ju, kjo natyrë sa e ashpër dhe po aq magjepsëse. Duhet të jeni krenar për këtë pejzazh të mrekullueshme dhe për këtë ngjarje të madhe historike, që për fatin e keq tonin dhe të historisë kombëtare, është lënë në harresë nga politika dhe media. Kryengritja e vitit 1911 këtu mbolli rrënjët për liri dhe hodhi shtat në Vlorë.Të nderuar shqiptarë të malësisë, të nderuar anëtarë të jurisë! Ju përgëzoj për mënyrën e fshehtë( me kod), uk ruajtuar anonimatin e autorit dhe të paanshme të konkurimit,të cilën e quaj mëse demokratike.Ky lloj konkurimi le të shërbejë si model dhe përvojë  për konkurset e zhvilluar nga Ministria e Kulturës, nga Lidhja e Botuesve dhe nga Bashkitë  Shqipërisë.

Me këtë rast ndjehem e nderuar dhe e privilegjuar që me çmimin e parë të 100 vjetoit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe, më vlerësuat mua, një krijuese e vonuar dhe e moshuar! Ju falemindeit! Për nerin tuaj unë zgjodha dy poezi :“Lëngojnë Kujtimet” dhe “Rrënjët”, të cilat përkojnë me historinë tonë të mohuar.  Autorja pasi falenderoi, u kërkoi lejë të pranishmëve: Ju lutem nëse më lejoni, dëshiroj të ftoj bashkëshortin tim,Fitim Haxhiraj, fal të cilit arrita të jem kjo që jam sot. Zt. Fitim Haxhiraj me fjalët e tij përshëndetëse për vlerat e pamohueshme të së vitit 1911 dhe duke përgëzuar për mrekullinë natyrore me emrin” Tërgajë”,  recitoi nga krijimtaria e autores poezinë Mos harro! Me duartrokitje, me fotografi dhe intervista, përfundoi ai takim i bukur dhe mbresëlënës.  Në fund autorja shpërndau shumë libra nga krijimtaria e saj letrare për të pranishmit në takim.

 

Takim letrar në gjimnazin “25 maji”

Në datën 4 prill, në orën e dytë të mësimit u organizua një takim me shkrimtaren Vilhelme Vranari Haxhiraj, në gjinmnazin e Tuzit. Ishte dëshira e mësuesit të letërsisë, Sehad Lulani që organizoi një takim të ngrohtë letrar me maturantët dhe grupin letrar të gjimnazit “25 maji” në Tuz. Autorja foli për krijimtarinë e saj të vonuar, për arritjet e saj në këtë fushë dhe i orientoi krijuesit e rinj se si duhet të punojnë që të jenë të suksesshëm, duke pranuar sfidat. Gjatë takimit autorja dhuroi disa libra për bibliotekën e shkollës. U ndanë me përshtypjet më të mira dhe me dëshirën që autorja të ndërmjetësojë për ta bnjakësuar këtë gjimnaz me një shkollë të mesme në Vlorë.

 

Akademia solemne, më 5 prill

Në ora 19, në Tuz  në qendrën e Kulturës u dha një koncert nën drejtimin e Nikollë Berishës. Sa u hap skena një flamur i kuq me shkabën e zezë u lëshua duke mbuluar gjithë siparin e saj. Në këtë koncert festiv u ekzekutuan  këngë nga filarmonia “Prenk Jakova” dhe trupa e baletit Shkodër. Gjithë salla u ngrit në këmbë kur një flamur i madh shqiptar mbuloi skenën, me të cilin trupa e baletit luajti vallen e Flamurit, ku balerini kryesor (solisisti) simbolizote Dedë Gjo’Lulin. Më pas dalja në skenë e këngëtarit Bik Ndoja, me këngën e Dedë Gjo’Lulit, ngjalli emocione tek pjesëmarrësit dhe u shoqërua me duartrokitje të vazhdueshme. Gjatë koncertit u bë ndarja e çmimeve letrare i çelur qysh në janar për nder të 100 vjetorit të  Kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe rezultatet u shpallën më 26 mars.

        Çmimi i parë  i jepet novelës “Virtyti i faljes”me autore Vilhelme Vranari Haxhiraj nga Vlora. Çmimi i dytë i jepet poezisë “Udha e Flamurit” me autor Nikollë Spathari nga Durrësi. Çmimi i tretë i jepet tregimit “Idil Arbëror” me autor Pal Shtëmbari. U ftuan në skenë për të marrë çmimin të tre autorët, ku autori i çmimit të tretë mungonte. Kurse fituesja e vendit të parë Vilhelme Vranari Haxhiraj mbajti fjalën përshëndetëse për rëndësinë e Kryengritjes së Malësisë së Madhe në çështjen kombëtare të kohës, duke e quajtur vendimtare në shpalljen e Pavarësisë kombëtare. E quajti veten të nderuar dhe të privilegjuar që në këtë 100 vjetor, i cili vjen vtëm një herë, shansi i takoj asaj si dhe përgëzoi jurinë për mënyrën e votimit me kod dhe jo me emër të autorit. Ajo e quajti një hap demokratik shumë të avancuar në krahasim me juritë e Shqipërisë.  Përgjegjës: Nikollë Berisha & Fran Camaj, ndërsa në vazhdim po japim tre poezi të zonjës Vranari që e fitoi Çmimin e Parë:

 

Lëngojnë kujtimet

 

Këtu lindën të parët tanë

këtu derdhën djersën

dhe këtu eshtrat i lanë…

Erdhëm...kërkuam,

po ç’gjetëm vallë?

Kujtimet nën gërmadhë…

Rrëmuam…

gërmuam…       

të gjenim…

një datë, një emër, një fjalë,

por koha e egër i fshiu,

i mori zvarrë…

Thellë dëgjohet një lëngatë!

Jemi dhe ne…

Përse na harruat vallë?!

 

 

Rrënjët

 

Rrënjët…

këtu i mbollën ,

në këtë tokë të larë në gjak.

Degët…

nëpër botë u shpërndanë

Syri…lot pikoi,

kur dritën e së vërtetës ai pa…

Gjuhën e mëmës…

ëmbël shqiptuan,

atje, ku rrënjët hodhën shtat.

Horizontet e përflakura shijuan…

aty, ku blegërin qengji manar

Nëpër botë kërkuan,

askund nuk i panë,

u kthyen e i gjetën

rrënjët…

aty, ku i lanë…!

    

 

Mos harro!...

 

Kurrë mos harro!

Ne të gjithë kemi një vatan,

lindëm nga e njëjta baltë!

Si unë edhe ti, për herë të parë

shqiptuam fjalët: “Nënë dhe babë”.

 

A e mban mend?

Sa herë kujtonim të parët tanë,

të habitur njëri-tjetrit i thamë:

“Qënkemi një fis e një farë,

pa u njohur desh u vramë?!...”

 

Kujtohu!                        

Jo ne!

Kurrë ne!

Koha bastarde na ka ndarë,

për të kënaqur të pangopurit lakmiqarë.

Lodër e kujt jemi bërë vallë?

 

Më urren

sikur të kam vrarë,

Më sheh vëngër e tërë inat,

sikur kërkon të marrësh hak.

Bota mizore, bota e përdalë,

me ne a nuk është ngopur vallë?!

 

Mos harro!

Nëna nuk i do fëmijët të ndarë!

Prej drobitjes zemra i pikon gjak.

Mos harro të më buzëqeshësh pak!

Zgjatma dorën që të ecim bashkë!

 

Vilhelme Vranari Haxhiraj, pas vlerësimit me Murat Jasharin dhe deputetin Ramadan Gashi
Vilhelme Vranari Haxhiraj, pas vlerësimit me Murat Jasharin dhe deputetin Ramadan Gashi



(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora