E hene, 29.04.2024, 05:11 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Luan Çipi: Për drekë në Çikago, te Llazar Basko

E premte, 22.04.2011, 07:56 PM


 

PËR DREKË NË ÇIKAGO, TE LLAZAR BASKO

 

Reportazh nga Luan Çipi

 

Këtu, në Çikago të Amerikës dajë Llazari, na ftoi familjarisht për drekë. Edhe Shqiptarë të tjerë, para tij, na kishin ftuar për dreka e darka në restorante amerikane apo në shtëpi. Po, drekë të vërtetë shqiptarçe, ku na u duk vetja të rinuar e të përtërirë, sërish  katërqind karat shqiptarë, hëngrëm te daja.

 Duhet thënë që në fillim, merita kryesore për demonstrimin e artit të gatimit u duk ashiqare se ishte e Mondës, gruas se Llazar Baskos, dhe vajzës së mikut tim Llazar dhe ky, po me mbiemrin Kaçani. Monda, një vajzë qytetare Vlore, mësuese, me arsim të lart kryeqytetas dhe  me përvojë  shumë vjeçare në Shqipëri, është e bija e Krisullës edhe kjo një vlonjate, që si qindra shtëpiake të tjera në Vlorë, mbahen mënd se pasionin e tyre të vetëm e kanë te gatimi, ku investojnë deri shpirtin dhe zemrën e tyre të artë. Monda Kaçani, pasardhëse e këtij çifti miqsh të hershëm për ne edhe ajo u tregua vlonjate tipike. Ajo, si përfaqësuese e denjë e qytetit të vet të vogël në sipërfaqe e popullsi, po me tradita në kulinari edhe në këtë drekë familjare, në mes të “Çikagos së biftekut”, u tregua mjeshtre e madhe. Jam i bindur që po ta dinë modelin vlonjat të gatimit, bashkiakët e Çikagos së

 bujshme, do ta vlerësojnë më shumë Mondën, për ti dhënë asaj trofetë  që i shkojnë për shtat dhe të nderojnë kështu edhe vet qytetit e madh.

Erdhëm te shtëpia e  Llazar Baskos me dy makina, të gjashtë pjesëtarët e familjes sonë, aty rreth orës 12 të mesditës. Pasi futemi në oborrin e përbashkët, i biem ziles dhe nga lart komandohet hapja e derës. Ngjisim shkallët, lirohemi nga veshja dimërore dhe  pasi takohemi të përmallshëm me të zotët e shtëpisë, zëmë vend në dhomën e pritjes, të ulur në kolltukë të rehatshëm. Duhet thënë, na pëlqeu qysh në hyrje apartamenti tani pronë e Llazarit, me kuzhinë të veçantë e me shumë pajisje gatimi e pjekje, me dhomë ngrënie, dhomë ndenje, banjë të madhe dhe me tre dhoma gjumi.

 Takohemi nga afër dhe ndërrojmë përshëndetjet e rastit sipas mirësjelljes tradicionale shqiptare, duke pyetur një për një, për familjarë, miq e të njohur të përbashkët nga Vlora jonë e dashur e deri për gurët e sokakut, të përqëndruar te ndryshimet dhe bukuritë përrallore të Vlorës, me ndjenjën e dashurisë së shumëfishuar të një emigranti,  ai i njësojti, si të vinte qoftë edhe nga fundi më i humbur i botës.

Është edhe më interesante  e më e vlefshme se shija e  mrekullueshme e drekës, që ahet në një vakt dhe harrohet ta themi pas një jave, të mësojmë kë takuam ne aty. Këtu u befasuam me një  sërë çudish të rralla dhe që, ta themi me një siguri të padyshimtë, na bëjnë të jemi krenar se jemi Shqiptar.

 Po ta nisja nga Llazari, daja ynë i pazëvendësueshëm i nuses së djalit tim, do të thosha se e veçanta fillon nga ai. Ai, që është njëkohësisht shoku dhe miku im i para shumë viteve, qysh në Vlorë njihej si inxhinier Llazar Basko, shkencëtari i Uzinës së Sodë PVC dhe pastaj Kryeinxhinier dhe Drejtor i dëgjuar i Uzinës së Llambave Elektrike. Llazar Baskua, pasi kreu me mesataren maksimale Gjimnazin “Ali Demi në Vlorë, shkollë e mesme e përgjithshme që është klasifikuar në shumë vite si një ndër më të mirët e vendit, u përfshi në 13 studentët më të zgjedhur të kohës, për të ndjekur në Universitetit e Tiranës kursin 5 vjeçar të fizikes. Në përfundim ai u rendit në 5 më të mirët, bashkëstudent që pa përjashtim u vendosen në rreshtin e parë të shkencëtarëve më të mirë të Shqipërisë në shumë vite dhe që disa prej tyre, ata që kishin mbështetjen politike,  u specializuan jashtë

 shtetit, kryesisht në Francë.

Llazar Baskon, që me vështirësi e pranuan në Uzinën “strategjike të Sodës”, që në fakt ishte me teknologji primitive për kohën dhe rrezik potencial, deri në shpërthim e shkatërrim të jetës së qindra punëtorëve e të krejt qytetit të Vlorës, po dhe si burim ndotje e helmimi. Pra  për këtë fizikan të ri të talentuar, nuk  gjenin vend pune, jo vetëm për konceptin dhe injorancën e kohës, po dhe për faktin që babai i tij i burgosur dhe i torturuar nga regjimi despotik, kishte qenë njëkohësisht një artizan i pasur dhe natyrshëm, i papëlqyer nga varfanjakët në pushtet.

 I përkrahur nga  profesoriati i Universitetit, që kishin parë te fizikani i ri njohuri, punë dhe perspektivë shkencore, LLazar Baskua e nisi punën si punëtor (për gjoja mungesë organike) në “Kipin” e Uzinës së Sodës në Vlorë. Duke pasur  një bagazh të pasur teorik, deri njohuri specifike të energjisë bërthamore, fizikani i talentuar u përshtat shpejt me mjedisin. Specialisti i shquar i fizikës, i papranuar për rivalitet politik në pozicionin e merituar të pedagogut në Universitet, dallohet edhe për modestinë karakteristike, veti e tij personal dhe çelës i suksesit për të,  tipar i dukshëm që e shoqëroi gjithë jetës e deri në ditët e sotme. Në Uzinën e Sodës, duke u thelluar në studimet përkatëse, Llazar Baskua, brenda  jo më shumë se 6 muajve u evidentua dukshëm. Ai studioi individualisht teknologjitë në të gjitha repartet e Uzinës Sodë PVC, poliklorvinilit, karbitit, oksigjenit, si dhe në

 aparaturat përkatëse pneumatike e komanduese. Duhet kujtuar që periudha nismëtare e punës se tij lidhet me vështirësi të  shumta, për  shkak  të acarimit dhe prishjes së marrëdhënieve politike dhe ekonomike me Kinën, vendin prodhues dhe importues të kësaj teknologjie. Shumë aparate  automatik matës, kontrollues e drejtues filluan të dëmtohen nga puna e gjatë dhe nga mos respektimi i disiplinën optimale teknologjike. Duheshin shpikur  e sajuar me forcat e brendshme pajisje zëvendësuese dhe duheshin kryer përsosjet e nevojshme teknologjike. Dhe këtë e bëri, në bashkëpunim me inxhiniere e novatore të tjerë, fizikani i ri, duke adoptuar dhe përshtatur aparaturat ekzistuese analoge. Kjo ia riti shpejt vlerat dhe e vendosi inxhinierin novator, pas Repartit të Kipit, në kontrollin e çdo linje e hallke prodhuese të Uzinës.

Kur lindi nevoja për të nxjerrë nga ngërçi Fabrikën e Llambave në Vlorë, sidomos kur kërkohej zgjidhja e plotësimit me llamba speciale për nevojat e transportit automobilistik dhe sidomos të aparaturave ushtarake u thërrit Llazar Basko, qe tanimë njihej si një fizikan novator i afirmuar. Ai u bë dhe atje shpejt i suksesshëm, derisa, pas dy vjetësh, e vendosën në pozicionin e Kryeinxhinierit ku ndenji katër vjet dhe pas ndryshimeve demokratike u bë Drejtor i Fabrikës së Llambave, qendra prodhuese e vetme në Shqipëri, që siguronte me cilësi llamba inkadishente dhe iluminishente për mbarë vendin.

Vlonjati Llazar Basko nuk është vetëm specialist i rrallë me mendje e duar të arta, siç u përpoqëm të shpjegojmë fare shkurt më lart, po një intelektual i mirëfillte, që njeh mirë frëngjishten, anglishten, italishten dhe rusishten. Ai nga ana tjetër është një person tepër i shoqërueshëm dhe që ka e bën gjithnjë shokë, me qëndrimin e tij të urtë, tolerant dhe dashamirës. Shokët e tij në Vlorë janë ndër djemtë më të mirë e më përparimtarë të qytetit, intelektual e punëtorë, me të cilët punoi si një veprimtar i shquar shoqëror dhe u vu, qysh në ditët e para të nëntorit 1990, në krye të lëvizjes demokratike, duke u zgjedhur në Komitetin Drejtues të saj, së bashku me Vilson Haxhirajn, Roland Tafilaj, Bujar Borshin, Zaim Hoxhën Shpetim Alimerko, Abdulla Iljazin, Etem Kurtin, Qerim Vrionin dhe shokë të tjerë të ngushtë të tij.

Padyshim fatmirësia tjetër e kësaj shtëpie është Monda Ajo, për këtë rast, na priti me krahë hapur, siç benë me dashuri e sinqeritet për të gjithë miqtë, krushqinë dhe farefisin, në plotësim të traditës së familjes së saj dhe të mikpritjes tradicionale shqiptare. Për mos ta kapërcyer  rastin fatlumë, dua të them se në këtë drekë të pasur nuk mungonte asgjë: Kishte peshk të pjekur, si të ishte koce Vlore, disa lloj sallatash të freskëta, biftek Çikagoje, byrek me lakra, pije e fruta  gjithfarësh dhe deri te bakllavaja. Të gjitha të shijshme, se ishte dhe ndihmesa e kontributi i Llazarit dhe i të tre vajzave të tij të shkëlqyera në të gjitha drejtimet, ndofta sadopak edhe ndihma e Mikelit, dhëndrit të tij Korçar. Ja ku e plotësuam edhe familjen e Llazar Baskos.

Tani na ngelet të shpjegojmë të tjera befasi, se ato nuk mungojnë këtu, ndërsa për drekën, them se boll e zgjatëm. Para se të paraqesim të tjera surpriza, le të kujtojmë dhe një ndodhi tjetër të vërtetë e të këndshme: Monda ishte shkaku i emigrimit në Amerikë të familjes Basko, duke hapur rrugë të gjera përparimi për bijat e saj, po njëherazi duke dëshpëruar dy motrat e Llazarit, që provuan me shqetësim, largimin e vëllait të tyre të vetëm. Monda e kishte gjyshin e saj nga nëna nënshtetas të kahershëm Amerikan dhe nga kjo, përfitoi sipas ligjit e para shtetësinë Amerikane ajo dhe më pas tërhoqi me vete gjithë të tjerët.

  Erdhi radha të shpalosim një tjetër surprizë: Vajzën e madhe të Llazar e Monda Baskos, që erdhi nga Shqipëria në moshën 14 vjeçare. Ajo quhet Juliana LLazar Basko dhe njihet nga të gjithë si talenti shqiptar këtu në Çikago. Ajo shkëlqeu në qytetin e madh të veriut të Amerikës fillimisht si nxënëse, duke u klasifikuar në disa olimpiadat të Shkollave të  Mesme të qytetit  në vendet e para. Çudia më befasuese ishte se ajo, një  vajze e brishtë sy ulur Shqipërie, u pranua me bursë shteti e universiteti, si pak rivalë të tjerë fatbardhë nga e gjithë Amerika, në Universitet për Mjekësi Humane, profil i preferuar nga të rinjtë. Akoma më i rëndësishëm është fakti se  studimet i nisi dhe e përfundoi me sukses në Hanrvardin e famshëm nga kanë dalë njerëz të shquar në  të gjithë botën. Juliana tani po vazhdon, me  të njëjtin sukses, specializimet e mëtejshme pas universitare, si mjeke dermatologe

 estetiste. Për të mos t’u larguar nga Juliana, dua te shtoj edhe se, ajo në Boston ku është Universiteti i Harvardit, u njoh, u dashurua dhe u martua me Mikelin, një djalosh simpatik, ekonomist i ri amerikano shqiptar, me origjinë Korçare, që tani luan me sukses në Bursën e Çikagos. 

Vajza e dytë e çiftit Basko është Orsejda. Edhe ajo nxënëse që për habinë e të gjithëve, për shumë vite, nuk u nda nga klasifikimi i vendit  të parë në shkollën e mesme dhe  si studente e shkëlqyer, mbaroi Universitetin për Shkencat Social Ekonomike dhe aplikoi e fitoi më pas dhe po ndjek tani e evidentuar për vullnet, këmbëngulje e talent, specializimin për farmaciste, profesion mjaft i kërkuar dhe i shumë i lakmuar këtu.

 Vajza e vogël  Xheni, që tani i ka mbushur 20 vjeç, ndoqi shembullin e motrave dhe pasi mbaroi edhe ajo shkëlqyeshëm shkollën e mesme aplikoi dhe ka fituar të drejtë studimi universitare në qytetin  e Çikagos për dentiste edhe ky një nga tri profesionet më të preferuar.

Ja, të nderuar lexues, këto desha t’u thosha për familjen e vlonjatit Llazar Basko, të vendosur para 13 vjetësh në Çikago. Si e mësuat, këtu janë bashkuar cilësi njerëzore, që rrallë i gjen gjetiu, ndaj më duket se ja vlente të shkruhej për ta, se çdo prind shqiptar do të ëndërronte e dëshironte t’i kishte kaq të suksesshëm fëmijët e tij.

Para se ta mbyllim këtë reportazh le të themi se çfarë bënë tani këtu, në Çikagon e madhe, vetë protagonisti kryesor Llazar Basko? Ai, këtu në Amerikë, pa dalë nga natyra e tij modeste dhe praktike, kryen vetë deri punë të rëndomta në biznesin e tij privat si taksidrajver, duke shfrytëzuar dhe faktin që njeh disa gjuhë të huaja. Ai ndjek mentalitetin praktik Amerikan me synimin “boll të siguroj me ndershmëri shuma të konsiderueshme dollarësh”, të nevojshëm për jetesë normale dhe sidomos në rastin konkret, për shkollimin e plotë  dhe për të nxjerrë të përgatitura mirë për jetën të tre vajzat e tij. Ky ishte dhe shkaku  kryesor i emigrimit aq shpejt prej Shqipërisë, (ku vjen për vizitë e çmallje çdo vit) nga që parashikoi saktë se nuk kishte atje hapësirën e nevojshme për mbushjen e aspiratave të tij  ambicioze e ëndërrimtare.

Largohemi nga kjo familje e mrekullueshme, ku çdo gjë, që nga pikturat, fotografitë, flamuri dhe deri te ushqimi i përditshëm, në të gjitha format, pasqyronte patriotizëm e shqiptari, me krenarinë e ligjshme për bijtë e shqipes dhe me besimin se këta të rinj do kthehen në momentin oportunë në Atdhe, me përvojë, dituri e pasuri, për ta bërë Shqipërinë e tyre të dashur si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përrallore dhe të bashkuar.

 

Çikago, Mars 05 2011



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora