Udhëpërshkrim
Gani Qarri: Akademi solemne kushtuar 100 vjetorit të Kryengritjes së Malësisë
E premte, 15.04.2011, 07:58 PM
Akademi solemne kushtuar 100 vjetorit të Kryengritjes së Malësisë
Nën organizimin e shkëlqyer të OJQ ILLYRICUMI dhe SHKA “Dedë Gjon Luli” me 4 dhe 5 Prill të këtij viti u mbajt një akademi solemne me pjesëmarrës nga të gjitha trojet tona etnike dhe diaspora shqiptare,kushtuar100 vjetorit të kryengritjes së lavdishme të Malësisë së madhe. Ideja e organizimit të këtij manifestimi kishte të bënte me përkujtimin 100 vjetorit të kësaj kryengritje, nderimin e luftës për liri dhe ngritjes së flamurit të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, me qëllim që jo vetëm të mbahej lart morali i malësorëve trima por edhe të shpallej qartë karakteri kombëtar i kryengritjes.
Në këtë manifestim madhështor nga Fran Camaj u mbajt edhe një fjalë rasti, në të cilën përveç tjerash një nderim i veçantë iu bë Kosovës!
Pjesë nga Fjala e rastit të Fran Camaj-t:
“Të nderuar vëllezër e motra,
Të nderuar studiues e mysafirë nga të gjitha trojet shqiptare,
Të nderuar vëllezër e motra nga diaspora...
E nderuara Kosovë! ma gëzofsh lirinë dhe pavarësinë për jetë e mot!- të uron Malësia! Dhe dua të them nga ky vend se Malësia askurrë nuk do ta harrojë mirësinë që u ke bërë bijve dhe bijave të saj. Na e ke shtrirë dorën, na i ke hapur dritaret e diturisë, dyert e shkollave dhe të universitetit, kur nuk kishe as banka për fëmijët tu. Kur mungonte çdo gjë, por jo vullneti dhe solidariteti vëllazëror. Por edhe ne malësorët dhe shqiptarët e tjerë në Mal të Zi, jemi munduar t’ia kthejnë Kosovës, me aq mundësi sa patëm, në ato ditë të vështira, kur shqiptarët në Kosovë, luftonin për jetë a vdekje.
Ta kujtojmë vitin 1913, kur Atë Gjergj Fishta, me rastin e kremtimit të Ditës së Flamurit,pasi e shpalosi atë te Kisha e Gjuhadollit, me kandila të ndezur e lidhi me Xhaminë e qytetit të Shkodrës për të treguar unitetin mes shqiptarëve...
Më 4 dhe 5 prill në Tuz, ora 10 në QIK Malësia u mbajt edhe një Simpozium shkencor me titull “100-vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe 1911-
Në këtë tubim shkencor të organizuar në bashkëpunim me Institutin Historik të Kosovës, Institutin Historik të Tiranës dhe Departamentin e Historisë të Universitetit Evropian në Tiranë- morën pjesë studiues ngaShqipëria, Kosova dhe Mali i Zi.
Simpoziumi u mbajt në tri seanca dhe me kumtesa u paraqitën këta pjesëmarrës:
1. Prof. dr. Emine Bakalli: Konteksti politik i Kryengritjes së Malësisë së vitit 1911;
2. Prof. dr. Marenglen Verli: Përgatitja e Kryengritjes së Malësisë së Madhe sipas dokumentacionit Austro-Hungarez;
3. Dr. Gazmend Rizaj: Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911 nga prizmi i diplomacisë britanike;
4. Prof. dr. Romeo Gurakuqi: Situata në Malësi të Madhe pas Kryengritjes, në gjashtëmujorin e dytë të vitit 1911 dhe në fillim të vitit 1912;
5. Prof. Dr. Drita Halimi-Statovci: Sfondi etno-kulturor i Kryengritjes së vitit 1911;
6. Prof. dr. Gazmend Shpuza: Memorandumi i Kuvendit të Greçës;
7. Prof. dr. Zhivko Andijasheviq: Marrëdhëniet e Malit të Zi me fiset shqiptare të Malësisë në fillim të shekullit XX;
8. Prof. dr. Jusuf Bajraktari: Kryengritja e Malësisë dhe gjendja aktuale e shqiptarëve në Mal të Zi;
9. Dr. Lush Culaj: Qëndrimi i Austrisë ndaj Kryengritjes shqiptare të vitit 1911;
10. Dr. Nartila Ljarja dhe Mr. Sereta Koperaj: Ngjarjet në Malësi të Madhe 1910-1911 sipas zëvendëskonsullit britanik në Shkodër, Nikollë Sumës;
11. Prof. dr. Gjorgje Borozan: Kuvendi i Greçës dhe rëndësia e tij;
12. Dr. Frashët Demaj: Qëndrim i Fuqive te Mëdha ndaj Kryengritjes së vitit 1911;
13. Dr. Ledia Dushku: Qëndrimi i Greqisë për Kryengritjen e vitit 1911;
14. Mark Junçaj: Komiteti i Podgoricës dhe roli i tij gjatë Kryengritjes së Malësisë;
15. Mark Gjokaj: Rrethanat shoqëroro-politike në vitet e Kryengritjes së Malësisë;
16. Ismet Kallaba: Pasqyrim i Kryengritjes së Malësisë në shtypin e kohës.
17. Basri Lika: ''Kryengritja e Malësisë së Madhe një hapë i rëndësishëm drejt pavarësisë” dhe
18. Mr. Sokol Gjermëni: Diplomacia e Rusisë dhe Kryengritja e vitit 1911.
Derisa përfaqsuesi i familjes Jashari ,Murati deklaronte se, në mesin e pasardhësve të Dedë Gjo Lulit e ndjente veten më Shqiptar se kurrë ndonjë herë më par, ministri i mbrojtjes së Kosovës zotëri Agim Çeku shprehej se asnjëherë nuk jam ndjerë më i emocionuar si sot në Vendlindjen e Dedë Gjo Lulit.
Kurse Mësuesi Markë Dushaj në fjalimin e tij shtoi se; prej këtij Mali të shenjtë ku bashkohen Toka dhe Qielli Shqiptar,Heroi ynë kombëtar Dedë Gjo Luli, e filloi luftën i cili në Deçiç për liri të Malësisë dha Djalin kurse për Shqipërinë dhe shqiptarët dha gjithçka.
Cyrih 14 Prill 2011