Shtesë » Lajme
Japonia goditet nga tërmeti dhe cunami
E premte, 11.03.2011, 09:56 PM
Japoni, 11 mars 2011
Qindra persona besohet të kenë humbur jetën nga tërmeti me magnitudë 8.9, që ka goditur të premten bregun verilindor të shtetit japonez.
Ndërkaq, Ministria e Jashtme e Kosovës arriti gjatë ditës t'i identifikojë nëntë shtetas kosovarë në Japoni, pas tërmetit të fuqishëm që lëkundi këtë vend.
"Sipas informacioneve që vijnë nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Tokio, situata në Japoni është e paparashikueshme, megjithatë shumica e shtetasve kosovarë janë jashtë zonave të rrezikut", thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Kjo e fundit tha se do të vazhdojë përpjekjet për të kontaktuar dhe identifikuar qytetarë të tjerë kosovarë në këtë vend.
Pak orë më herët, presidenti amerikan, Barak Obama, tha se "Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për të ndihmuar popullin japonez në këtë sprovë të madhe".
Ai tha se "administrata e tij do të vazhdojë të monitorojë nga afër cunamin në Japoni dhe Paqësor".
"Mishell dhe unë i dërgojmë ngushëllimet më të thella popullit të Japonisë, veçanërisht atyre që kanë humbur të dashurit nga tërmeti dhe cunami", thuhet në deklaratën e Obamës.
Valët e cunamit, më të larta se 10 metra, goditën të premten bregun verilindor të Japonisë, pas tërmetit me intensitet prej 8.9 shkallësh.
Qendra e Paqësorit për Alarm nga Cunami me seli në Havai, e lëshoi një alarm për cunami, për pjesën më të madhe të rajoneve bregdetare të Paqësorit.
Kryeministri i Japonisë,
Pamjet nga helikopteri tregojnë vërshimet në qytetet veriore të bregdetit, ku valët e cunamit kishin marrë çdo gjë me vete.
Nga pasojat e tërmetit u shkaktuan zjarre, përfshirë edhe atë në një rafineri të naftës në Tokio dhe në një uzinë metalike.
Disa stacione atomike të rrymës u shkyçën automatikisht, ndërsa zyrtarët thanë se nuk ka pasur rrjedhje radioaktive.
Ushtria është dërguar në terren për t’i ndihmuar rajonet e goditura nga tërmeti..(f.b.& v.t.)