E hene, 24.06.2024, 11:34 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Veton Surroi: Mendjelehtësitë e Pacollit i kushtojnë Kosovës

E enjte, 24.02.2011, 07:23 PM


Koha net. Surroi: Mendjelehtësitë e Pacollit i kushtojnë Kosovës

 

Prishtinë, 24 shkurt - Prishtinë, 24 shkurt - Kryetari i Bordit të Klubit për Politikë të Jashtme, Veton Surroi, u deklarua për zhvillimet e fundit politike, në emisionin Rubikon, para panelit të gazetarëve përbërë nga nikoqiri Adriatik Kelmendi, Astrit Gashi (Zëri), Leonard Kërquki (Express) dhe Mentor Shala (RTK).

 

Duke vlerësuar procesin zgjedhor që solli këto institucione të dëmtuar, ani se të certifikuar, Surroi përmendi se lista e gjërave dhe obligimeve që e presin Kosovën është shumë e gjatë dhe shumë e vështirë marrë parasysh mungesën e legjitimitetit të plotë të këtyre institucioneve. “Ajo që do kishte qenë mirë të kishte ndodhur ishte zgjedhja e një Presidenti me konsensus, zgjedhja e qeverisë sa më te gjerë të mundshme... që do të merrej edhe me çështjet e mbetura nga zgjedhjet që do ta krijonte transicionin drejt një legjitimiteti të plotë. Se si ti kemi zgjedhjet e ardhshme të pranueshme dhe të pranuara nga të gjithë”.

 

Surroi më tej shtoi: “Qeveria i ka tri mangësi, që në fillim. E para është mungesa e legjitimitetit demokratik... e dyta, baza shumë e hollë politike e ndërtimit të kësaj qeverie dhe e treta, se trashëgon problemet nga qeverisja e kaluar”. Sipas Surroit, që në ditën e parë Qeveria hyn në me një minus prej rreth 475 milionë eurove, vështirë të përballueshëm.

 

I pyetur për vërejtjet që ka shprehur më parë për figurën e personit të zotit Pacolli, Surroi i paraqiti tri ilustrime. E para, ishte ardhja e tij nga Moska më 1998 për ta bindur delegacionin shqiptar se duhej takuar me Milosheviqin në një hotel në Beograd, atëherë kur që nga viti 1990, “Alternativa kosovare” insistonte se nuk do të kishte negociata pa ndërmjetësimin ndërkombëtar, ku rolin kryesor do ta kishte SHBA-ja. Ky ka qenë interesi i drejtpërdrejt i Rusisë që “Alternativën kosovare” ta zhvendoste nga pozicioni i fortë.  Momenti i dytë ka qenë i lidhur për një deklaratë publike të Pacollit gjatë negociatave të Vjenës, “..se Kosova nuk ka nevojë të negociojë në Vjenë, mund të negociojë në Krushevc a kudo”.

 

“Që të dyja kanë mund të jenë veprim mendjelehta, nuk po hyj në vlerësimin e tyre, por që të dyja janë gabime dhe si të tilla duhet kualifikuar. Posaçërisht ngase dilnin jashtë kontekstit të një procesi të gjatë dhe të mundimshëm të Vjenës”, tha Surroi, për të përfunduar me gabimin e tretë të Pacollit, që ishte vizita në Libi në tetor të vitit 2010. Shkuarja e një delegacioni të madh kosovarësh kinse në emër të lobimit e që përfundoi me vallëzimin nën tendën e diktatorit, megjithatë është gabim i pafalshëm, sipas Surroit. “Mund të jenë mendjelehtësi, por janë mendjelehtësi që në fund i paguan Kosova”. Surroi i sugjeroi Pacollit që të mos e ndërmerrte më asnjë veprim, por që në bashkëpunim me partitë e tjera të niste procesin e ndryshimit të Kushtetutës, për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të kryetarit, dhe të kandidojë po deshi.

 

Në lidhje me bisedimet e ardhshme me Beogradin, Surroi vlerësoi se Kosova ballafaqohet me një periudhë shumë të rëndë që kërkon koordinimin e katër resorëve që merren me punë të jashtme (Presidenca, zëvendëskryeministrja, ministri i Jashtëm dhe ministrja për Integrime), meqenëse procesi negociator do t’ia nisë menjëherë. Në këtë koniunkturë politike, Kosova rrezikon të hyjë në një proces i cili nga nëntori i sivjetmë do t’i krijojë Serbisë pajtimin për statusin e kandidatit, ndoshta edhe eventualisht edhe datën për të hyrë në procesin negociator, ndërsa Kosovës nuk i krijon asnjë, as më të voglin ndryshim, në mënyrën se si funksionon karshi Bashkimit

Evropian, përfundoi Surroi.

 

Sa kushtuan votat, z. Thaçi?

Publikuar: Sot, më 24 shkurt 2011

 

 Nga Flaka Surroi

 

Na mbajtën tri orë në ankth. A po votohej një kryetar që shumica shqiptare në opozitë refuzoi bile ta votonte? A po hiqte ky dorë nga posti në shenjë burrnie dhe në interesin e Kosovës? Apo nuk po e votonin dhe Kosova po hynte në zgjedhje parlamentare të parakohshme, sepse deputetëve të partisë fituese me pakicë, përkohësisht u ishte zgjuar ndërgjegjja. Në fund pauzuan, u shitën dhe u blenë, u votua kryetari dhe u formua qeveria e shantazheve.

 

Pas dy rundesh votimi doli se kishte goxha deputetë që po i tregonin Behgjet Pacollit se nuk ishte kandidat i dëshiruar dhe se mbase duhej të tërhiqej vullnetarisht, pa i rrezikuar zgjedhjet e jashtëzakonshme. Dhe kur e përjetoi knockdownin e dytë, i doli në ndihmë më i interesuari që ky të zgjidhej kryetar – ai që në fakt e bëri kryetar për shkak se vetë deshi të bëhej kryeministër. Në mënyrën tashmë të dëshmuar arrogante, u çua në këmbë pa i dhënë kush leje dhe i urdhëroi kryeparlamentarit t’i akordonte 5 minuta pauzë. Për ta zbutur punën, u çua zëvendësi i këtij, që në emër të grupit parlamentar ta kërkonte pauzën prej pesë minutash. Që dolën të ishin të furraxhisë... ashtu siç ka mundur të pritej nga ata që janë mësuar të japin afate që nuk i përmbushin.

 

Burri i vetëm në sallë doli të jetë kryeparlamentari Jakup Krasniqi. Baca Kupë iu tha kolegëve të partisë së tij se po e shkelnin rregulloren dhe se pauzat në këtë çast ishin antikushtetuese dhe me tendencë të qartë... dhe... se dihej se si do të përfundonte e gjitha. Gjë të cilën edhe e vërtetoi kur përfundoi votimi, kur e dha komentin e dëshpëruar: “...pauza ishte e suksesshme”. Po, zoti Krasniqi, pauza ishte e suksesshme dhe e bëri punën e vetë, por e bënë edhe ato zgjedhje absolutisht të kontestueshme dhe të vjedhura që prodhuan këtë trup, të cilin në fund e përbëjnë njerëzit që janë në gjendje ta ndërrojnë e përshtatin qëndrimin e tyre thjesht për shkak se nuk kanë as ego e as kaçik,... sepse nuk kanë as ndërgjegje, as kurriz bash për shkak se i kanë mandatet të pamerituara.

 

Pas 45 minutash konsultimi me kush e di kë dhe kush e di në cilën kthinë të Kuvendit (rrodhi informata se në ndërtesën e Kuvendit erdhi kryetari i Skenderajt, me gjasë në përkrahje të Thaçit), së pari u kthyen 65 deputetë, e më pas u “infiltruan” edhe dy të tjerë – kështu u bënë 62 “vota për”, me të cilat u zgjodh kryetari i Kosovës, për të cilin, qysh tash, mund të thuhet një send i sigurt: ka telashe të madhe, se nuk di të flasë as shqip si duhet.

 

Pacolli e realizoi ëndrrën e vet dhe e luajti lojën mençur deri në fund. E kushtëzoi Thaçin se nuk do të lejonte që së pari të votohej Qeveria e që më pas të votohej ai. Nuk i luajti asnjë muskul as pas të gjitha fjalëve të rënda që ia thanë të gjithë deputetët e grupeve parlamentare që nuk donin ta votonin. Nuk u shqetësua as kur e pa që pas të dytës herë gjërat nuk po ecnin si duhej, sepse e kishte xhokerin e vet të quajtur Hashim. E Hashimi e luajti pokerin më të rrezikshëm, vuri bast të madh që t’i blinte numrat që i nevojiteshin. Pa pyetur për pasojat dhe pa u lodhur fort se çfarë problemesh do të shkaktohen në të ardhmen.

 

Sa kushtuan ato katër vota që e ndërruan balancën në favor të Pacollit, z. Thaçi? Sa do t’i kushtojnë këto Kosovës? Edhe ndonjë post ministror apo zëvendësministror? Apo ndonjë premtim tjetër që nuk e bëni publik? A bash u desh, hala pa ia nisur punës, të tregoni se nuk i jepni pesë pare për respektimin e rregullave dhe të ligjit, sepse qysh ditën e parë e shkelët Rregulloren e punës së Kuvendit e me gjasë edhe Kushtetutën, kur e imponuat “pushimin e bukëpjekësit”. Qeverisje me duar të pastra nënkupton edhe respektimin e rregullave dhe të institucioneve. Me sjelljen tuaj dje dëshmuat sërish se kjo do të jetë vetëm një moto për foto – për t’i qitë popullit hala hi në sy.

 

Nuk ju kishte hije që pas betimit të thoshit se “sot fitoi demokracia, rendi demokratik dhe transparenca”, sepse në fakt asnjëra nga to nuk fituan. Përkundrazi, humbën, edhe humbën rrastë. Zgjedhja e institucioneve nuk “është vullneti i qytetarëve të Kosovës”, e as nuk ishte “vullneti i të zgjedhurve të institucioneve të Kosovës”, siç thoni ju, sepse në rastin e parë tashmë jemi lodhur duke e përsëritur se na e keni nëpërkëmbur votën duke na e vjedhur, kurse dje u pa se ia dolët që dikujt t’ia blini votën sërish – ia ndërruat vullnetin deputetëve që çuan kokë dy herë, sa për të treguar disa gramë trimëri, e t’jua kundërshtojnë synimin e zgjedhjes së një njeriu, i cili, për shembull, për mik e ka diktatorin libian. Diktatorin që për ta ruajtur pushtetin, i ka nisur aeroplanët ushtarakë kundër popullatës civile. I cili për ta mbajtur pushtetin, është i gatshëm t’ia nisë luftës civile, pa marrë parasysh çmimin. Nuk është me rëndësi sa njerëz vriten. Mendoj me vete, shyqyr që nuk kemi aviacion ushtarak, se edhe atë do ta kishit aktivizuar dje z. Thaçi, veç për t’u bërë sërish kryeministër. Kaq për demokraci.

 

Prej dje Kosova u bë me kryetar të ri, kontrovers ende pa u ulur në kolltukun e kryetarit dhe një Qeveri që u ndërtua si rezultat i tregtisë me vota dhe që do të mund të shndërrohet në një qeveri të ndërtuar mbi shantazhin. Mbase nuk do të kalojë shumë kohë që Thaçi të zbulojë se veprimi i djeshëm do t’i kthehet bumerang dhe se qeveria do të mund t’i bjerë sa herë që nuk do t’i plotësohet dëshira e ndonjërit nga partnerët e koalicionit. E që fitimtar do të jetë Pacolli, i cili tashmë e ka siguruar mandatin pesëvjeçar, e i cili do të duhej të bënte shkelje drastike të Kushtetutës që të shkarkohej... ani që ka arritur t’i mbledhë vetëm 30 mijë vota. Shumë lirë jeni shitur, z. Thaçi kurse shumë shtrenjtë i keni blerë votat që ju deshën... sepse postet dhe ministritë e reja që i shpikët do të duhet t’i paguani me ato para të buxhetit që nuk i keni e për të cilin vazhdoni të mblidhni haraç nga bizneset.

 

Por, me veprimin tuaj e keni bërë edhe një gjë – e kjo do të na kushtojë të gjithëve. Ka kohë nuk keni dalë jashtë shtetit, ka kohë që nuk ka ardhur kush t’ju vizitojë... Do të vijnë për t’ju treguar se duhet t’ia nisni bisedimeve me Serbinë, e që t’ia lehtësoni asaj hyrjen në BE përderisa Kosova nuk do të fitojë asgjë. Do të kalojë kohë para se të ndodhë që t’ju vizitojnë për kurtuazi dhe miqësi. E dini pse? Se imazhit tuaj të keq në botë tash ia keni shtuar edhe imazhin e keq të njeriut që ambicia juaj e bëri kryetar të Kosovës. E ku mbesin qytetarët e Kosovës që pësojnë për shkak të papërgjegjësisë suaj? Kjo ka pak rëndësi për ju.

 

flaka@koha.net



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora