Kulturë
Poezi nga Vaso Papaj
E shtune, 29.01.2011, 05:29 PM
 Vaso Papaj
Vaso Papaj
Zjarr zemre
Me gur godas  dritën e rrugës.   
S’ e dua më, në djall të shkoj .      
Dua një dush nga drit e hënës,  
nga gjum i dimrit të më zgjoj.     
 
E mbyllur do t’i mbaj kujtimet
e dhimbje vetes  s’ do t’ i shtoj
Ti botën mbylle  brenda syve.
Në  syt’ e tu  unë  ta kërkoj
 
 Se  syt’ e  tu  i kam si qiell.
Liri  kur dua, atje humbas.
 Po sonte portën mbylle, mbylle!
 Kushdo, sido që të trokas.
 
 K’të zjarr që kam në zemrën time,
 ta mbaj këtu, ta ndaj me ty
 E errta  rrugë pas portës sime,
 të mos na ndaj kurrë ne të dy.
 
Seç  po lodron në mure,.. flakë
E ndezi shkrepsja-zemra jonë.
 Ca ujq të çmendur  në oxhak,
 duan të shuajn ëndrrën tonë.
 
Dhe flakët nëpër mur lëpihen.
E  ngjiten lart  nëpër  oxhak.
Të çmendur ujqit seç përpihen.
Në xham trokasin dy trumcak.
 
Ky zjarr që kam në zemër  vlon.
 Ta mbaj këtu, ta ndaj me ty.
 E errta  rrugë pas portës sonë,
 të mos na ndaj kurrë ne të dy
Pas portës, tak-tak
 
Me dallgë, me re, një ditë, pa gdhirë
Pa shokë ,me shi, me supe të mbledhur
Me qiell pa zogj, memec , të ngrirë
Të botës rrugë zura, jasht duke fjetur
 
Me vete një këngë të qepur në zemër
Dhe një trast’ të rënduar,  ëndrra plot
Kisha duar si flatra, po kisha dhe sedër
Porositë e nënës: Të na vish motmot
 
Dhe brenda meje një plagë e hapur
Që  lash dy pleq  nën të vjetrën çati
E  humba rrugëve, vetminë duke patur
Veç  hënës  e diellit, s’m’u bë mik njeri
 
E befas një natë edhe buzët i humba
Dëshira symbyllur atje do më çonte
Pagova një puthje, tërë natën një rumba
E mbetur pa shije, dhe  hija vajtonte
 
Po zemra ime na ish plagë e hapur
Prap do ta shkelte tokën e shenjtë
Atë që përkundur sa herë më kish mbajtur
Atë që me mua kish aromën e njejtë
 
Ndërkaq  ca tinzarë kishin çvatur oborrin
Oborrin e ëndrrave, më hyri  maraz
Dhe ika, mbuluar  me djersë kraharorin
Po portën e putha, nuk desha t’  trokas
 
Dhe  hapat më çuan te bregu, te rëra
Ndërto sa të duash,kështjellat bien prap
Rininë kisha lënë nëpër rrugët e gjëra
U ktheva rrugicave, u ktheva me vrap
 
U  ktheva atje, te foleza e vjetër
Si zogu shtegtar që kthehet  në Mars
Dhe nisa trokitjen te porta paemër
 Sado fjal’ të hidhura të kishte nga pas…
 
Po le të kishte  të hidhura fjal’ nga pas
Unë nga e para  do ta nisja  prapë
Nuk kisha tashmë asgjë ç’ të humbas
Do t’rrija pas portës, do të bëja tak-tak
Poezi e vonuar
Sesi më erdhe ashtu papritur  
S’ e di ç’ të solli, vërtet  s’ e di
Kur gjumin desha, kisha dremitur
Natën më ndrite si një qiri
 
Dhe unë të mora, në shpirt të futa
Më dhe gëzim, më dhe hare
Ti qe një lule, un’ të këputa
Po shpesh më ngjaje me një rrufe
 
Të përkëdhela dhe t’u dorëzova
Ti forcë më dhe, më le të ri
Me ty në buzë ngado që shkova
Si rreze dielli kur bie shi

 Facebook
 Facebook Twitter
 Twitter Google+
 Google+ Digg
 Digg










