Kulturë
Poezi nga Gëzim Llojdia
E merkure, 05.01.2011, 07:57 PM
 E FUNDIT VJESHTË
E FUNDIT VJESHTË
Poezi nga Gëzim Llojdia
 
1. Shën Mëria është agimi ynë,
 
Gjethe floriri në Kunjovë,
kjo vjeshta e fundit më tremb
humbet argjendi , pikon loti,
dridhem i pashpresë.
 
Tej në rrëzë të borshe ,
dallgëzuar vendi i shenjtë,
 Shën Mëria është agimi ynë,
cullufja e kësaj hëne më step.
 
 Atje zgjimi dhe rrezja e çmendur,
 e veriut   dhe e thëllimit thjeshtër,
lutemi te Shën Prokopi në Gjomit,
-Zot  na e beko të tjera  vjeshtë.
 
2-Letër për Amanden
Për pak bëhet muzg në Kunjovë
thëllimi ka rënë në shtegun e dhirtë
as sonte s’vij ,mos pritë .Më mbyti trishtimi.
Ku ishe ,çfarë bëre ? Preva ca degë me  koçimare.
Shkova deri te qisha  e vjetër . Qimiteri kishte rënë.
Xhan-xhin njeri. Ku je o prift të rrëfehemi !
Kryq në mes të udhës një breshkë.
Çfarë shkrove gjithë javën poet?
Vetëm një letër.  E postova në E-mailin e vjetër.
Mbusha ujë gurre me kotruve .
Kujtimi yt mu fanit.
Parfumi më mbyti . As sonte s’vij ,mos pritë .
Të të citoj një reshtë me pyete :Muzg  lugjesh mes nesh .
 
3. Në Goronec  , në lëpushka flinin kuajt e egër ,
 
Faqekuqja  ka dalë në pemishte ,
i fanitet në ëndër një kopsht me pjeshkë,
në Goronec  , në lëpushka flinin kuajt e egër ,
në ç’fushë të madhe i  ka vjelë shegët ?
4. -Ti se di o mik , si flenë  vajzat në Goronecë,
 
-Ti se di o mik , si flenë  vajzat në Goronecë,
flok-shpupurishurat në vjeshtë,
trazimi ma mbulon trupin e brishtë.
-Shikoji me sy , hesht dhe mos i prek.
 
KUAJ TË BARDHË
Mbrëmë në ëndërr ,
pashë kuaj të bardhë,
ardhur nga vise të largëta
përsipër hedhur vello nusërie .
-Nëna ime si loznin ,
si merreshin vesh nën hënë,
dallgëzuar jelet  e bardha,
kuajt e viseve të largëta.
Atë fushë se kisha parë kurrë në Goronec,
hapësirë pamat mbushur me kuaj të hazdisur,
shkelnin me këmbë shegët rruaza bardha.
Flokët  e mi , shikoja ti merrte era
shpërndarë tej e përkund në ag,
dallgëzimin e  kisha nga nëna ,
frymëmarrjen nga hëna,
iknin veç  atë natë, kuaj të bardhë.
Me vite prita në Goronecin tonë ,
të më shfaqej si një film  pa zë e njëjta ëndërr ,
gërshetat e mia të mpiksura nën hënë,
-U thinjën nëna ime,duke mbjellë thekër në Goronec
duke u lutur te lisat e qishës .
Tani në pleqëri i shikoj shpesh,
ato ëndrra me kuaj të bardhë,
që vijnë në Goronecë.
 
1-KUAJT
Kuaj të  panjohur,
 në mëhallën tonë 
mbrëmë,hardallë,
 trokonin,nuk iknin
as  nxitonin
në të kundërt të erës
qëndronin.
Në të egër
vraponin,
në të panjohur
mërgonin.
Erë dhe ngricë,
frymë dhe frikë.
Nga kanë ardhur këta kuaj
 pyesnin  në Gjomitë?
2-UJËRAT
Ujërat  nuk rrjedhin
burimi në buronja  i thare
diell i pa mpiksur  në lindje,
bora zë shtruar në perëndim ,
zbrazur lumi me dije,
lotët  ende të  patharë
gurët si qelqe ndrijnë,
oshtin  në shurr të  Kuçe
mraten troftat, në lëpushë
nën gurët e zinj.
Mjegull e breruar,
poshtë muzgu i heshtur
gjurma e ëndrrave të mia,
shkruante :dritë,dritë,dritë
Si shteruan ujërat
pyesnin  në Gjomitë

 Facebook
 Facebook Twitter
 Twitter Google+
 Google+ Digg
 Digg










