Kulturë
Bilall Maliqi: Bota poetike në shpirtin jetësor
E hene, 03.01.2011, 08:58 PM
BOTA POETIKE NË SHIRITIN JETËSOR
(Hysen Këqiku, Nexhat Rexha, Sinan Sadiku, “Etje e pashuar”, Sh.B. “Nositi” Dardanë, 2010, faqe 364).
Nga Bilall Maliqi
Bota krijuese shprehet nëpërmjet vargjeve të shkruara dhe secili në formën e vet mundohet ta paraqes fantazinë e tij sa me më shumë art dhe vlerë . Nëpër këtë shirit jetësor kanë hyrë shumë krijues të cilët me veprat e tyre lanë gjurmë dhe art në vendin ku jetojnë dhe në letërsinë shqiptare në përgjithësi.
Për ta dëshmuar këtë që thash më lart si dëshmi të sukseseve do të nisemi drejt një udhëtimi të pëbashkët nëpër vargje poetike të cilat janë të përmbledhura dhe të zgjedhura nga krijuesit e Dardanës në librin voluminoz “Etje e pashuar”, përzgjedhur nga bashkautorët Hysen Këqiku, Nexhat Rexha dhe Sinan Sadiku.
Gjatë leximit të këtij libri, përkatësisht duke u përqëndruar në brendinë e librit shohim se kemi të bëjmë me krijues të fjalës së bukur poetike të cilët janë nga Dardana.
Le të na kujtohet thënia e Alen Bosketit ku thotë se “Shpirti i një populli pasqyrohet me poezinë e tij më mirë se në çdo formë tjetër të artit”, pra edhe këta emra të cilët janë brenda kopertinave të këtij libri me anë të vargjeve të bukura poetike pasqyrojnë me motive të ndryshme substancën jetike të artit të shkruar.
Së bashku
Në këtë vepër të veçantë dhe të rrallë së bashku janë një numër i konsiderueshëm i krijuesve të Dardanës të cilët me poezitë e tyre si për fëmijë ashtu edhe për të rritur janë një pasqyrë njohjeje me lexuesit gjithnjë falë punës së palodhshme të bashkautorëve në libër. Në poezitë e tyre lexuesit ndeshen me një gamë të gjërë motivuese dhe me një laryshi temash dhe frymëzimesh të cilat nëpër vargje poetike iu kanë servuar lexuesve.
Një numër i konsiderueshëm i poetëve të pranishëm në këtë vepër janë të prezantuar dhe të shtjelluar nga syri i kritikës letrare, por rëndësia e këtij libri është se lexuesi tani këta krijues i ka si një “familje” në shtëpi dhe tok me ta bisedon përmes vargjeve poetike, është me ta kudo. Pra lexuesi gjatë leximit të këtij libri mëson gjithëçka për poetët, njihet me botën e tyre krijuese. Në mbarë opusin krijues të poetëve të pranishëm ekziston një thurrje në ecuri dhe në artikulim, një vizion i tyre për të synuar drejt vlerave më të avancuara artistiko-letrare.
Laryshitë
Brendia e librit karakterizohet me një laryshi tematike, pra këta krijues të prezantuar në libër disa i takojnë ligjerimit poetik për fëmijë, disa ligjerimit poetik për të rritur, por kemi edhe krijues që merren me fushën e kulturës dhe jetës muzikore.
Kur është fjala tek krijimet për fëmijë është paraqitur me sukses bota psikologjike dhe imagjinative e fëmijëve, ku janë të prezantuara poezi tek të cilat janë plot porosi edukative të përcjellura edhe me vlera të begatshme artistiko-letrare.
Ndërsa tek ligjerimi poetik për të rritur ndeshemi me tema të llojllojshme të begatuara me figurshmëri poetike disa nga poezitë janë gjysëmhermetike, disa janë më të drejtpërdrejta, por të paisura me vlerë të kënaqshme artistike.
Ky libër është i begatshëm edhe me krijues që merren me fushën e kulturës dhe jetës muzikore. Lexuesi këtu mund të gjej krijime të shumëllojshme nga fusha e muzikës, tekste të ndryshme të këngëve të cilat disa prej tyre janë shkruar dhe kënduar. Kjo len të kuptojmë se duhet ruhet dhe kultivuar kjo fushë krijuese.
Shumica e poezive të prezantuara në këtë libër shfaqin zërin lirik të motivimeve të cilat shtrihen nëpër aspekte kohore duke u nisur nga historia e bujshme e popullit tonë për liri, për të vazhduar kështu edhe nëpër kohë dhe sfida të shumta deri te kohëreja gjithnjë të vargëzuara secili në stilin e vet duke përdorur individualitetin e tyre krijuese ,duke përdorur në vargje të tyre figura stilistike dhe metaforike të cilat figura ua kanë gjetur vendin e duhur në vargje, pra në këto poezi janë të përdorura të gjitha figurat letrare varësisht vendit dhe momentit ku janë dashur të përdoren.
Libri me poezi të zgjedhura nga krijuesit e Dardanës përbëhet nga 45 poetë të radhitur në bazë të alfabetit me një kriter të arsyeshëm nga bashkautorët. Kujtojmë se do të mirëpritet nga lexuesit por edhe nga kritka letrare sepse në këtë libër është bërë një prezantim i denj i këtyre krijuesve të cilët për opinionin tonë janë të njohur e që e kanë thyer shabllonin e krijuesve lokalë dhe si të tillë kanë bërë emër edhe në gjeresinë gjeografike shqiptare.
Kujtojmë se libri “Etje e pashuar” ka rëndësinë e vet si për nga vlera e poezive të përzgjedhura nga bashkautorët por edhe nga përgatitja profesionale si në aspektin estetik ashtu edhe në ate grafik. Pra ky libër do të jet një udhërrëfyes i lexuesve për t’u njohur me poetët e pranishëm dhe me vlerat ideoartistike të tyre…