E hene, 05.05.2025, 01:37 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Ndrekë Zalli

E diele, 02.01.2011, 08:04 PM


Ndrekë Zalli

 

 

S’ANKOHEM

 

Egër përjashta terbohej acari,

por n’shtatin e ngroht’ nusja kishte vapë;

kur n’kulmin e qejfit zhurmoi celulari

e ajo rând e nami para se m’e hapë.

 

“Zemër, -ndjeu zanin e burrit n’aparat,

-dashnia për ty më mban me ngrohtsi,

jam n’pun’, përjashta, në t’gjashtin kat,

asht zero gadë e gadi jam t’u ngrí”...

 

“Je burrë, -tha nusja, -e s’t’shkon ankesa,

duhen sakrifica për t’âmblën dashni,

prej vuejtjes e lodhjes dhe mue po m’del djersa

ktu jam nën nji e prap’ duroj pa u ndí”...

 

 

GJYNAH!

 

Gati s’i ra pika kur hyni në shpi

lodh’ e mërzit’ prej rrugës së gjatë

e n’vend që t’gjente prehje e qetsi,

gjeti të shoqen me nji lypës në shtrat!

 

“Se je e pacipë kaher’ e kam ditë,

- shfreu n’mllef e shamje burri qyqar-

por s’e besoja se kaq posht’ ke mbrritë

sa me m’tradhtue me nji cop’ lypsar!”...

 

“Krejt kot nevrikosesh, mor i ngratë!

- ia pret e shoqja e qet’ e pa zor’-

Nuk kisha si e përcillja “duarthatë”

kur m’lypi “ndo’i gja që burri s’e përdor”.

 

 

IA HODHA!

 

“Burrë, e vë re sa her’ shkoj n’zyrë

e veshun leht’, me fund a fustan,

ai shefi jem e ka për detyrë

me m’ba me u njit’ deri n’tavan.

 

Për ndonji dosje pa vler’ që m’lypë

o thjesht, demek, për pluhna me pa

kambngulës m’urdhnon der’ nalt me hypë

e vetë m’mban shkallën për mos me ra”...

 

“Mir’ që u kënaqka veç sytë tu’ kullotë

edhe s’tenton me dorë ty me t’prekë,

por n’shkallë kur t’ven ka hall ai rrotë

me t’pa prej poshtë shalë edhe brekë”.

 

“E kam kuptua se çfar’ halli ka,

por sot ia hodha, keqas jam tallë,

edhe asgja ai s’mujti me pa

se hjekë i kisha pa hyp n’shkallë!”

 

 

PUTHJA E PARË

 

“Eh!- shfryu grueja me nostalgji,

vështrimin n’at’ vend me mall tu’ hjedhë.-

N’kët stolin e parkut, dikur n’rini

ti puthjen e parë at’her’ m’pate vjedhë”....

 

“M’kujtohet, -tha burri pa msheh mërzinë,

-vedin mallkoj çdo ditë për gabimin,

prej ktij faji un humba lirinë

dhe ende sot po vuej dënimin”.

 

 

LUM SI TI!

 

Po i mburrej njani shokut përbri

ndërsa po ecnin nji rruge përpjetë:

“....Engjëll parajse në kjoftë njeri,

them, ime shoqe e para do t’jetë”...

 

Psherëtiu i dyti e ia ktheu fill

(por s’u kuptue serioz a tu’ tallë):

“Eh, lum si ti që e paske në qiell

se un’ i shkreti e kam ala gjallë”

 

 

“....NJI MINUTË!”

 

Nji besimtar, n’sa ishte tu’u lutë

e pyeti Hyjin me shum përulsi:

“Ç’vlerë ka për Ju, o Hyj, nji minutë?”

iu dha përgjigjja: “Nji përjetësi!”

 

Po nji milion, o Hyj, sa ka vlerë?”

për euro e kam fjalën, jo për liret’ e markë”...

Përgjigja prej nalt s’vonoi dhe kët’ herë:

“Ma pak se nji qindarkë!”

 

“At’herë, Ju lutem, ma jepni nji milion”

iu lut besimtari me gaz e tu’ ngutë,

por dhe përgjigja prej Hyjit s’vonon:

“Mos u mërzit, -I tha, -prit nji minutë!”

 

 

MBËSHTETJE

 

Ndodhi nji ditë në mes të Tiranës,

te Piramida, sa del nga ura

që hyn në rrugën përgjat’ Lanës

lehtas u përplasën dy vetura.

 

Doli prej njanës nji kolos djalë

e egër iu sul kolegut të gjorë,

e kapi për fyti, e mbyti me fjalë

dhe pse mâ s’shumti ai kje fajtor.

 

“E di ç’të bëj? Në qofsh djalli vetë

unë të thyej brirët, more gdhë”...

Përgjigjet gruaja e tjetrit fare qetë:

“Ti mund t’ia thyesh, por un’ prap’ ia vë”...

 

 

NDRYSHIMI

 

Takohen dy shoqe nji dit’ n’pazar,

nji orë rrok e puth aq shum’ ishin thà

mandej bisedës ia shtuen mbar’ e mbarë

se kishin plot nji vjet pa u ndi e pa pà.

 

“Ele? – pyet e para, -si shkon martesa?

burri çka thot’, a xuni ndopak mend?

se vjet, m’kujtohet, tundej ndërtesa

kur xheloz bahej pa shkak e pa vend”.

 

“Tash situata s’asht mâ si vjet,

përshtypje kam se ka ndryshue pak,

sot, n’pamje t’parë, duket mâ i qetë

e mâ nuk bahet xheloz pa shkak”...

 

“Vërtet s’asht mâ aq xheloz i marrë?!”

-e pyet e prej g’zimit shoqja u ngazëllye.

“Jo, xheloz ai asht mâ shum’ se mâ parë,

por tashti, t’paktën, ka shkak e arsye”...

 

 

TRE KULME

 

Kulmi, besoj, për nji hidraulik

që pun’ të arta prej duerve ai qet

e ka nam e zâ si mjeshtër e teknik

asht që t’i pikojë.... hunda e vet!

 

Kurse kulmi për nji kasap

(djalë i ri, sa i vumë kunorë)

do t’ishte urdhri që e ban zap

mos me prek’ “mish t’bardh’” me dorë!

 

Por besoj se kulmi i kulmit

për nji llogaritar do t’jetë

t’hyj’ e t’gjej’ n’dhomën e gjumit

gjysmën e tij me nji të tretë!

 

 

NË STUDION E GJINEKOLOGUT

 

“Alo! –u ndi nji zâ femne n’receptor,

-Jam vajza që vizituet sot n’drekë;

deshta t’ju pyes për diçka, doktor:

Mos kam harrue te ju nji pal’ brekë?”

 

“Ktu s’ke lan’ gjâ”, tha mjeku me bezdi

se ndodhej n’shoqnin’ e nji artisti.

“M’falni për shqetësimin, po ku i lash’ s’e di,

... po pyes njëherë andej nga dentisti”

 

 

PUSETA

 

Nji dit’ të bukur majit

nji vajz’ vesh’ holl’ e lehtë

po bridhte bulevardit

tue mbajt’ hundën përpjetë.

 

Deh’ keqas prej krenisë

dukej se s’prekte n’tokë,

por çante mes njerëzisë

pa kqyr’ bordur’ as gropë.

 

E n’fakt nji gropë, papritë,

e hodhi sa gjat’ gjanë

“sekretet” tue nxjerr n’dritë

spektakël n’shesh tue dhanë.

 

Shum’ “foto” vajza shkrepi

e t’gjith’ dolën tue qeshë,

se, ndoshta, nga i nxehti

jo t’gjitha i kishte veshë.

 

Policit që e mbuloi

për me u shfajsu’ e shkreta

i tha: “Diçka vërtet m’hutoi,

por fajin e pat’ puseta”.

 

Kqyr rrethn polici plak,

por n’shesh nuk pa pusetë,

leht’ qeshi nën mustak

e dy fjal’ tha ai qetë:

 

“Vërtet shum’ kam shetitë

kam ndí e pa shum’ n’jetë,

sot s’pari jam tu’e ditë

se i thokan dhe “pusetë”!

 

Atë, andej n’anë tonë,

që s’jan’ kaq me kulturë,

të paktën der’ tash vonë

e thirrshin .... si dikur”.

 

 

I NJAJTI AVAZ!!!

 

Mbrapa kishte mbetë vend’ i huej, kurbeti,

përpara at’ po e priste e ambla shtëpi

dhe nusja e bukur për t’cilën i shkreti

prej ndamjes së gjatë ishte thà e shkrì.

 

Sa hyni n’dhom’ t’gjumit ia nisi duhia,

s’priti me hanger as priti me u lá,

prej zhurmës e ofshamave ushtonte shpija

se kishte pes’ muej ai t’shoqen pa e pá.

 

Por trokitjet n’mur i hodhen përpjetë

e zani i kojshis’ gjëmoi plot maraz:

“Tash pes’ muej rresht s’na leni me fjetë,

përdit’ e përnatë i njajti avaz!”...

 

 

DHIA

 

U bind e u serit Tushi i shkretë

me dhi për laku kur pa kojshin’ e vet,

por habis’ së Tushit ai iu përgjigj qetë.

“E bleva për fmi, për nji pik’ bylmet”.

 

Po ti jeton n’pallat, në katin e tretë!

je vet’ i gjashtë e veç dy dhoma ke!”...

“Për fmi e bleva, me fmi ka me fjetë

në dhomën e gjumit, aty bashk’ me ne”.

 

“Ty t’lumtë për kurajon, mor kumbarë,

por n’psillek e qelbinë a mund t’jetohet?!”

“Do t’vuej’ e shkreta javën e parë,

mandej s’ka ç’ban, dhe kjo do t’msohet!”...

 

 

POLICËT NË PLAZHIN E ULQINIT

 

Me kap’ nji t’arratisun

që çau përtej kufinit,

mbas tij dy vet’ jan’ nisun

deri n’nji plazh t’Ulqinit.

 

“Ktu tash ia humbëm gjurmën

- i dhan’ qendrës mesazhin -

se ai u fut në turmën

që plot e ka mbush plazhin”

 

Mbrrin urdhni prej drejtuesit:

“Raport due për çdo gjâ;

Shikoni mir’ pushuesit,

janë burra apo gra?”

 

“Asht marre për m’e thanë,

por kshtu kurr’ s’kena ndeshë

e s’mund t’dallojm’ çka janë

se n’trup s’kan’ asgjâ veshë!”

 

 

POR NDODH…

 

Bujë bani anembanë

n’ekrane e gazetë

çudia se nji nanë

kish’ lind’ fmi’n e njëzetë!

 

Stafi i nji reviste

mâ t’mirën çoi n’terren

për marrjen e nji interviste

ksaj nane-fenomen!

 

“N’se shkakun don m’e gjet’,

ka vetëm nji spjegim:

Dit’-nat’ tash njizet vjet

s’jam nda prej burrit tim...”

 

“Zoj’, –nënqeshi gazetarja,

- luhet me rregulla loja;

dhe mue m’pëlqen cigarja,

por ndodh që e hjek nga goja”...

 

 

PROVA

 

Mbaroi dasma, ra qet’sia

e në paq’ u zhyt shtëpia

at’ mbramje të vonë;

kur polici, dhandrri i ri,

bashk’ me nusen si perri

u tërhoqën n’dhomë.

 

Qull prej djerset, lodh’ prej k’cimit,

deh’ prej qejfit, shend prej g’zimit;

gjaku tue iu vlue.

Pa e folun asnji fjalë,

hoqën teshat dal’ngadalë

ndër sy t’u shikjue.

 

Mbeti burri n’kamb’ i ngrimë,

harroi gati me marr’ frymë;

zemra kje tu’e lanë.

Tue pa gjithat’ mrekulli

ashtu t’zhveshun para tij

porsi nimf’ a zanë.

 

Por kjo gja zgjati krejt pak,

se shpejt ndjenjat bani zap

e nusen n’krah mori;

për habin’ ma t’madhe t’saj

s’e çoi n’shtrat, po drejt e n’banjë;

n’vask’ me uj’ e hodhi.

 

Ndërsa vet’ ai n’an’ u ul

e mbi t’shoqen u përkul

tu’e mbajt’ me kujdes;

me vëmendje tu’e kqyrë

jo në gjoks e as në f’tyrë,

por diku aty n’mes.

 

Nusja e shkret’ mbeti pa gojë;

se çka ishte gjith’ kjo lojë,

s’po merr vesht asgja;

Ashpër kqyr at’ rrot’ hajvanit

‘dhe e pyet me ‘i fije zanit:

“Burr’, çka je tue ba?!”.

 

Por polici hiç s’po flet,

vazhdon qetë punën e vet,

provën pa e ndalë;

kur u bind e u sigurue

edhe m’soi çka desht’ me m’sue,

ia ktheu me dy fjalë:

 

“Gjith’ kët’ prov’ që t’duket lojë,

do gomista me përvojë

mue mësue ma kan’;

Ba me ken’ goma e shpueme,

fute n’ujë, asht e provueme,

qet flluska se s’ban …”.

 

 

KUNORA

 

Goj’ më goj’ e sh’pi për sh’pi

u përhap ai lajm i zi

nëpër t’gjith’ qytetin:

se Rrumpalla, mjeku i ndìmë,

harrue kishte me marr’ frymë,

vdiq e na là sh’ndetin.

 

L’shuene njerz’t si mizat n’lis;

me shok’, miq e farefis

sheshi u mbush plot;

të gjith’ t’ardhun n’at’ kushtrim

e tue kjà k’ta papushim,

n’gjù e ban’ me lotë.

 

A thue lule kund ka mbetë,

gjith’ k’to lule ku jan’ gjetë

mjekun m’e nderue?!

Me dafina e marangjyla,

plot kunora ngjyra-ngjyra,

trupin ia kan’ mblue.

 

Përmbi t’gjitha binte n’sy

nji kunor’ e madhe n’krye,

thurun për marak;

në form’ zemre e punueme,

n’drandofile e mbulueme;

e kuqe si gjak.

 

Nji mjek tjetër, kët’ tue pa,

u shtërngue sa s’mujti ma

e n’fund n’gaz ka plasë;

Njerzit rrotull çudi bajnë

edhe hallin po ia kjajnë:

“E lanë mend’t me gjasë!”.

 

Nji koleg aty bri tij,

me tan’ forcën, me brryl n’ijë,

shokut ia ka ngjeshë;

“Der’ tash ishe n’terezi,

tash çka dreqin t’gjet’ s’e di;

kah po t’vjen me qeshë?!”.

 

Tjetri, gazin pa e ndalë,

po i përgjigjet me dy fjalë

k’tij që n’brryl e theri:

“Bash me m’vra, s’mund t’rri pa qeshë

qysh at’her’ kur syt’ m’kan’ndeshë

n’at’ kunor’ për serì!”.

 

Por kolegu, mjek i ndritun,

‘dhe ma fort mbet’ i habitun,

sa shokun s’po e njeh;

“Kardiolog kje n’nam e n’za

ndaj kunorën ia kanë ba

n’at’ form’ që po e sheh!”.

 

“Mos kij frik’, s’kam shkue për lesh;

kaq pak gja un’ po e marr vesh,

se s’jam aq i trashë;

por m’merr gazi tue mendue:

kur t’vdes unë, si kanë m’e prue,

që jam doktor grash?!”…

 

 

PARA GJYQIT!

 

Dy vet’ të porsambrritun

për n’gjyq me Shën Pjetrin,

në radh’ aty tue pritun,

po pyesin njani-tjetrin:

 

-A din me m’than’, lum miku,

çka bani n’ty vaki?

Si t’zuni k’shtu rreziku

e vdiqe kaq i ri?!

 

Vërtet po zehem ngusht’,

krejt t’drejtën me ta thanë;

veç n’mue ka ndodh’ që n’gusht,

prej t’ftohtit shpirt me dhanë!…

 

E, pa e sqarue ma gjatë,

me pyetje ia ktheu fill:

-Po ty, more krahthatë,

kaq shpejt çka t’pruni n’qiell?!

 

-Mbramë, pa u errë natë,

mbas pun’s, kur ktheva n’shpi,

tem shoqe gjeta ratë

e krejt pa terezi.

 

Kje zverdh’ e ba me vdekë

e djers’t e kishin mblue,

kur ballin ja kam prekë,

si zjermi m’ka përv’lue.

 

“Çou, t’shkojm’ te mjeku”,

i thash’, i bam’ marak,

tu’e ngrit’ un’ nga dysheku,

e shoh t’zhveshun picak!!!

 

At’her’ m’brejti dyshimi

e mendja m’shkoi për keq,

nga nervat e tërbimi

u nxiva e u bana dreq.

 

“Ku asht?”, egër bërtita,

“M’difto se ku e ke futë?”,

por hiç përgjigje s’prita,

veç kqyra bir’ e skutë.

 

Tan’ sh’pin’ e kontrollova,

pa mujt’ me gjet’ asgja,

e n’fund fort u pendova

se n’qafë i kisha ra.

 

Lot m’pshtuene prej idhnimit

se n’gruen kisha dyshue

e, rrok e puth prej g’zimit,

…”frrap” zemra m’ka pushue” …

 

Pak idht nënqeshi tjetri,

me tallje kët’ tu’e pa

e, si tue fol’ me vedi,

dy fjal’ i tha nën za:

 

“Tand’ shoqe mir’ s’e njihshe,

prandaj vdiqe budallë,

se n’frigorifer po t’shihshe,

të dy sot ishim gjallë.”

 

 

PRIT PAK !…

 

I pati ndodh’ nji ditë

nji vajz’s me shkoll’ n’Tiranë,

n’sa kje makin’ tue pritë,

nji “Benz” iu ndal ndër kambë.

 

Dhe pse s’e njihte aspak,

s’e prish kjo terezinë,

pa u step’, pa u ba marak,

qet’-qet’ hypi n’makinë.

 

Gjithçka shkoi mir’ e mbarë

me gaz e muhabet,

por djali tha dy fjalë

që e prishën at’ lezet:

 

“Kët’ jav’ e kam pas’ festë

tue shkue përdit’ n’Tiranë;

mendo, je vajza e pestë

që çoj n’qytet shtatzanë!”.

 

“Hej!!”-u hodh vajza përpjetë,

-po un’ nuk jam shtatzanë!!”.

“Prit pak”, -tha djali i qetë,

Ala s’ke mbrrit’ n’Tiranë!”…

 

 

QYPI

 

Kalonin nji nga nji vitet e rinisë

e ajo ngulte kamb’ si gomari n’baltë,

por befas nji dit’ i dha fund beqarisë

kur m’soi se martesa asht si qyp me mjaltë.

 

Dikur ishte yll, djemt’ i vinin varg,

po për té nuk gjendej djal’ në atë vend;

tashti mori t’parin që i erdh’ në prag,

shtat e hije kishte, por jo ‘dhe aq mend.

 

Kur, mbas nji muaji, doli prej shtëpisë,

-Hë, si t’duket mjalti? - nji shoqe e pyeti.

Ajo, tash e ngopun, u ngrys prej mërzisë;

“Mjaltin e përlava, tha, tash m’mbeti veç qypi!”

 

 

PREMTIMI

 

Krejt t’sakt’ vitin nuk e di,

gjithsesi ka njizet’ vjet

kur ka ndodh’ kjo histori

që e tregojn’ sot barceletë.

 

N’nji brigad’ me djem azgana

patën çue dhe ‘i piciruk,

kund ma t’mbapsht’ s’e bante nana,

n’daç për sherr e n’daç për dukë.

 

Shok’t çdo dit’ e vejshin n’lojë,

qeshu e tallu si mos ma keq;

por djali kurr’ nuk hapte gojë

veç prej inatit nxihej si dreq.

 

Por kupën e mbushën kur me zor,

(mbasi asnjeni s’pranoi me shkue)

gjygymin e ujit i vune n’dorë

e me ‘i shqelm bythve e nisën n’krue.

 

E kjo nuk ndodhi nji her’ a dy,

por gjith’ at’ verë i njajti avaz;

n’sjelljen e djalit diçka binte n’sy:

shkonte turivar’ e kthehej buzagaz.

 

Deri nji dit’ kur ngjarja bani bujë

e gjith’ ai rreng u doli me bisht,

kur etjen e shuen n’gjygymin me ujë

e ndjes’ i lypën djalit sinqerisht.

 

“Na fal –i than’ –e kena teprue,

për çka ka shkue na e ban hallall;

kush ma sot e mbrapa s’ka me t’ngacmue,

as ka me t’prekë, as ka me t’tallë”.

 

“At’her’, –tha djali, –‘dhe un’ betohem

e, n’dalsha fjalet, u bafsha gjytrym;

për çka ka shkue fort s’po pendohem,

veç ma s’jua baj… shurrën n’gjygym!…”

 

 

PREMTIME ELEKTORALE

 

Erdhi

pjerdhi...

 

 

RRUFEJA

 

Nji rrufe, papritmas, ra ndër ne

të xuni ty

me mue çka ke?!

 

 

DONZHUAN MODERN

 

Vargje do t’thurja po t’isha poet,

piktor po t’isha do t’bëja portret.

Statujë do t’ngreja po t’isha skulptor,

himn do të bëja po t’isha kompozitor...

 

Por, aimé, vashë, s’qëllova artist,

fati e deshi që t’jem veç... “gomist”.

 

 

“KAM  RRSHQITË...”

 

Njiherë, kallxon nji barceletë,

diku, n’nji fshat të Italisë,

priftin plak halli e kishte gjetë

me t’gjith’ grat’ e famullisë.

 

Nadje der’ n’mbramje i njajti avaz,

përdit’ secila po t’njajtat fjalë

që fratin e mbushnin plot me maraz:

“Kam shkel’ kunorën, padre, me m’falë”.

 

Deri nji dit’ që ma s’u durue,

i mblodhi grat’ e u tha me za t’naltë:

”Për shkelje kunore ma s’du me’u ndigjue,

m’thoni: “Kam rrshqitë” e Zoti ju faltë”.

 

Duket se n’paqe ra frati i shkretë

‘dhe pse me rrfime vazhdonte përditë,

por vesh’ e mendje i kishte ma t’qetë,

tash s’ndiente tjetër veç: “Padre, kam rr’shqitë!”

 

Për plot nji vjet vazhdoi “arm’pushimi”

e k’shtu do t’shkonte gjat’ kjo histori,

por befas nji dit’ i erdh’ transferimi

e fratin e caktuan n’nji tjetër famulli.

 

Kryetarit t’komunës ia la amanet

(mbasi pasardhsin nuk mujt m’e takue)

që t’i tregonte për kët’ “marifet”

priftit që t’vinte m’e zavendsue.

 

“Dakord!” tha kryetari tue qesh’ me vedi,

përcolli priftin e prap’ u kthye n’vend

e n’pun’ e shkresa u zhyt i shkreti,

për çka i tha frati s’i ra ma n’mend.

 

Kaluen disa muej e prifti i ri

(që kryente detyrën e priftit t’parë)

grat’ ndër rrfime çuditej tue ndi

kush rrshqiste ma shum’ thue ishin n’garë!

 

Nji dit’ s’duroi ma, kryetarit ia msyu n’zyrë

”Zotni, -i tha,-m’vjen keq me t’thanë,

por pun’t e fshatit, që i ke për detyrë,

mbas dore m’duket se krejt i ke lanë.

 

Asht mir’ që t’merrni masa menjiherë

sa nuk ka mbet’ ndonjana shakull,

se rrshqasin grania si n’dimën n’verë

thue rrug’t e fshatit jan’ t’shtrueme n’akull!”

 

N’fillim kryetari ndejt tue shikjue,

habi e nerva i shprehte f’tyra,

por n’fund amaneti i fratit iu kujtue

e qeshi me t’madhe sa gjëmoi zyra.

 

“Nuk di çka ka me qesh, zotrote,

se grat’ e fshatit m’ankohen përditë!

gjykoni pak, se der’ gruaja jote

veç dje, e shkreta, tri herë ka rr’shqitë!!!”



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx